Thursday, February 26, 2015

SIRIANI JEM

Ura e Leklit



(Sirianit që u mbyt në lumin Drino, poshtë Urës së Leklit, të cilit kurrë nuk iu ba i ditun emni. Të gjitha mediat e identifikuen vetëm si 'një sirian'.)


Siriani jem, na korite.
Siriani jem, u fike.
Ishe bir i dhembjes,
u bane peshk i pafundsisë.

Kur kam ikë unë, si ti,
siriani jem,
unë u kam besu maleve.
Malet nuk lëvizin,
janë etën të besës,
rojtarë të dashunisë.

Kur kam ikë unë, si ti,
siriani jem,
nuk i kam hy lumejve kurrë.
Lumejtë janë gjarpij të etjes.
Lëvizja asht nanë e dinakërisë,
motër e ujkut.

Unë kam ikë ma larg.
Isha ma dinak.
Ti - njeri ma i mirë.
Frymën e fundit ia dhe vendit tem.
Padashtaz. Por, ia dhe.
Dikur, me vdekë kështu, e kishe koritë vendit tem.
I kishe shti në gjak shtatë fise.
Tash vendi jem nuk po koritet me asgja!
Mun me vdekë qysh të dush e ku të dush!


08 shkurt 2014