Lajmi për vendimet e
Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe ësht lajmi më i mirë kulturor shqiptar
rreth gjuhës shqipe për dhjetëvjeçarë të tërë. Më në fund një grup gjuhëtarësh
mori vendim që të thejë akullin që ngriu gjuhën shqipe në frymën e një kohe
enveriste dhe e ngurtësoi në armaturën e bunkerit gjuhësor. Natyrisht, si në
çdo punë, edhe në këtë ndërmarrje, ka me pasë probleme që kanë me e përcjellë
gjatë rrugës, por akti në vetvete ësht shumë më domethënës sesa vendimet që
janë marrë dhe kanë me u marrë në të ardhmen. Nëse enverizmi politik dhe
ekonomik shqiptar u shpërbë me 1991, sepse desh e çoi në humnerë një popull të
tërë, atëherë enverizmi kulturor u shu me 16 prill 2013, me këtë akt. Vonë, por
më mirë vonë se kurrë.
Vendimet e Këshillit janë të rëndësishme
sidomos për një fakt: ato kanë me i dhënë Këshillit një autoritet i cili, më në
fund, ka tagër me marrë vendime për shqipen. Deri sot, nëse kishte diçka që
ishte paralizuese, bllokuese dhe, pse jo, edhe paradoksale, ishte se nuk kishte
një institucion veprues që do të mund të merrej vetëm me kujdesin e përhershëm
për shqipen. Uroj që ky Këshill ka me mujtë me u dëshmu e me i qëndru kohës duke
u bë shkencërisht i autoritetshëm për gjuhën shqipe dhe politikisht i qëruar
prej ndikimesh.
Në përgjithësi, nga 37 vendimet, shumica
merren me elemente të veçanta, e jo me rregulla të përgjithshme. Disa vendime që
kanë prekë rregulla me efekte më të gjëra kanë disa probleme me të cilat do të
merret ky vështrim.
Janë marrë këto vendime:
a) 18 vendime për drejtshkrimin e zanoreve;
b) 15 për drejtshkrimin e jozanoreve (bashkëtingëlloreve);
c) 3 vendime për shkrimin e shkronjave të mëdha dhe
ç) 1 për drejtshkrimin e antroponimeve të hueja.
b) 15 për drejtshkrimin e jozanoreve (bashkëtingëlloreve);
c) 3 vendime për shkrimin e shkronjave të mëdha dhe
ç) 1 për drejtshkrimin e antroponimeve të hueja.
Një fakt tjetër interesant për këto vendime
ësht se Këshilli ësht duke rishqyrtu propozimet e dhëna qysh në Kongresin e
Drejtshkrimit 1972, të cilat, në atë kohë, pa një shpjegim e argumentim të
bindshëm, janë mohu, janë heshtë ose nuk janë pranu si normative. Pra, këto
propozime të sotme kanë një parahistori. Le të shohim me rend:
Kur bëhet fjalë për prapashtesën –ëm / –më ësht shtru e ësht
mbrojtë trajta me –ëm nga Kolec Topalli, i cili
tash ësht në Këshillin Ndërakademik (fq. 222, pika 6). Sofika Adhami e ka
mbajtë qëndrimin se ‘këta mbiemra në shumës duhet të ruajnë –ë– në atë pozicion që e kanë edhe në njëjës, d.m.th. të jashtëm, të fisëm, të sotëm.’ (fq. 246).
Trajtën –ëm e mbron edhe Isa Bajçinca (fq. 271 dhe 598) dhe
Mahir Domi (fq. 598);
Çështja e mbaresës së shumësit –nj / –j ësht shtru nga Jup
Katrati i cili ka kërku që trajta e shumësit me –j të vihet si
normë (fq. 79). Kjo ësht mbrojtë nga Kolec Topalli (fq. 222, pika 11). Z.
Lumnie Shehetila, përkrah shumësin me –j e jo –nj: ‘Nuk jemi të një mendimi me autorët e «Rregullave
të drejtshkrimit» që emrat mashkullorë të cilët në njëjës mbarojnë me zanore të
theksuar në shumësin e pashquar t’i shkruajmë me –nj.’ (KDGjSh, 1974,
fq. 414). Jorgji Çerepi: ‘Po kështu nuk është shterues motivimi «në pajtim me
shqiptimin më të përgjithshëm» i vënë në bazë të rregullës për shkrimin e nj-së në trup dhe në fund të fjalës. Sot, më tepër
gjuha e gjallë priret nga forma me –j: ullij, mullij (fq.
548). Edhe Shaban Demiraj përkrah shumësin me –j (fq. 597). Po
ashtu edhe Isa Bajçinca: ‘…është e nevojshme të pranohen me –j e jo me –nj’ (fq. 597). Të
vetmit që e kanë kundërshtu këtë kanë qenë Emil Lafe dhe Ismail Doda. Si u bë
pra, që gjashtë gjuhëtarë publikisht kërkojnë që mbaresa –j të bëhet normative dhe dy kundërshtojnë dhe
fitojnë këta të fundit? Sepse, këtyre prapa u vinte Partija!
Këshilli Ndërakademik i Shqipes ka ardhë në
disa analiza të sakta dhe ka dhënë sugjerime duke u nisë prej përfundimesh të
këtyne analizave. Shumica e tyre kanë qenë të domosdoshme dhe në këtë vijë
Këshilli ësht në rrugë të mirë. Shumësi arkaik me ‘-nj’
ka qenë në diskutim për t’u heqë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 e me u
zëvendësu me ‘-j’. Por rryma provincialiste që
mbizotëronte në atë kohë arrijti të zgjasë jetën e kësaj mbarese të shumësit
edhe për dyzet vjet të tjerë. Një nga eksponentët më këmbëngulës për mbetjen e
kësaj ‘-nj’-je ishte pikërisht E. Lafe (Kongresi i
Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, IAP, 1974, fq. 79), aj që sot ankohet më së
shumti për ndryshimet që janë bë nga Këshilli Ndërakademik. Kur gjuhëtari, Jup
Kastrati, propozoi që mbaresa e shumësit –nj të hiqet aj
dha argumentin shkencor duke thënë se kjo tashmë kishte ndodhë në toskërishte
në sistemin foljor ku –nj (puno-nj) ishte bë –j (puno-j). Natyrisht, E. Lafe nuk e komentoi këtë argument,
por u kap për një ndjesi krejt subjektive e krejt të kotë se shumësi me nj paskësh ‘fituar stabilitet’(!)
duke dhënë një parashikim se ‘një j pas një i të theksuar do të zhdukej krejt, kështu që
shumësi do të mbetej njësoj si njëjësi, ashtu siç nuk dëgjohet më j në fund të foljeve fshij, arrij. Prirja për diferencim të kategorive
morfologjike kërkon që shumësi të jetë arinj, barinj, ullinj.’
Një mendje e shëndoshë nuk din se çfarë
problemi paraqet edhe vetë zhdukja e –j-së dhe ç’të keqe
ka në njëjtësimin e trajtave të njëjësit të pashquar me shumësin e pashquar. Në
gjuhën shqipe, njëjtësimi i trajtave të njëjësit me shumësin te emrat egziston
sot e gjithë ditën, edhe atë jo te një grup i vogël emrash, por te grupi i
tretë më i madh për nga numri, në Lakimin e Parë, te emrat e tipit:
(një/disa) prizrenas, mësues, kërcyes e shpifës. Pastaj kjo ndodh edhe te emrat e tipit
(një/disa) palaço, xhaxho, birbo. Të këtillë
janë rreth dy mijë emra në gjuhën shqipe dhe këta asnjë shqiptari asnjëherë s’u
kanë shkaktu probleme. Ç’flet, pra, Emil Lafe? Mos ësht j-ja ndonjë germë a tingulli i shejtë? Edhe pasi vajton
me lot krokodili që j-ja po u zhdukka në
foljet fshij e arrij Lafeja
megjithatë aj nuk propozon që nj-ja të kthehet te
këto folje. Një dobi tjetër e propozimit të J. Kastratit ishte jo vetëm
njëjtësimi i rregullave, e me këtë paksimi i përjashtimeve (një nga vendimet
kryesore udhërrëfyese që ishte marrë nga Kongresi (shih pikën 5)), por edhe
paksimi i dallimeve dialektore sepse gegërishtja kishte kohë që e kishte rrudhë
–nj-në në –j te kjo
mbaresë e shumësit. Asnjë argument, qoftë shkencor, qoftë përbashkues, nuk e
zbrapsi dot zellin provincialist të Lafes. E megjithatë, sa ësht, vërtet,
numri i emrave që e ndërtojnë shumësin me –nj? Rreth 300. Pra,
ballafaqoheshin rreth dy mijë emra me treqind!
Tjetra: në ‘gjuhën e njësuar’ sipas 1972 ka
tashmë rreth 80 emra që shumësin e ndërtojnë me mbaresën –j! Pra, ky shumës nuk ësht i huaj për shqipen. Ësht i
huaj për Emil Lafen. Rreth dy mijë emra tashmë funkcionojnë në gjuhën shqipe me
trajta të njëjtësuara të njëjësit e shumësit, por këta s’janë argument për
Lafen. Për Lafen argument ësht nuhatja e tij ‘shkencore’ se një dukuri paskësh
‘fituar stabilitet’. Prej këtyre gjuhëtarëve me nuhatje
langojsh dhe jo gjykim shkencëtarësh drejtshkrimi i shqipes u rropos këtu ësht sot.
Trajta thelb > thelbinj dhe jo thelpinj ësht propozu qysh atëherë nga Fatmir
Agalliu (KDGjSh, 1974, fq. 220). Pavarësisht që në «Rregulla…» thuhej që të
ketë ‘sa më pak përjashtime’, Kongresi vazhdonte të merrte vendime për rregulla
me përjashtime.
Trajtën qyrra si
normë – e jo qurra – e ka propozu Ajet
Bytyçi në Kongres (fq. 273). Kurrkush s’ia ka vënë veshin!
Për mue, megjithatë, dy vërejtje të
përgjithshme janë me rëndësi.
Së pari, shqipes i duhet një qasje induktive
prej së cilës kishin me dalë rregulla sa ma gjithëpërfshirëse. Sipas vendimeve
të marra duket se Këshilli ka marrë vendime duke nisë prej analizash induktive
pa bë një dedukcion të duhur. Mendoj se kjo qasje nuk ndryshon shumë prej
qasjeve që deri tash i janë bë shqipes. ësht e vërtetë se krijimi i rregullave
do të duhej me u nisë prej analizash të njësive më të vogla., natyrisht, por
kjo do të duhej me u bë vetëm me idenë që këto analiza me dhënë një rezultat të
saktë për vendosjen e rregullave sa më gjithëpërfshirëse.
Së dyti, duhet me u bë një formulim i qartë
dhe i plotë i rregullave, kështu që sa herë që të merret një vendim të ketë
referencën e qëndrueshme. Kjo i shërben jo vetëm vendimeve për gjendjen e
shqipes sot por edhe vendimeve që mujnë me u marrë në të ardhmen e afërt e të
largët, sepse platforma mbi të cilën punohet duhet me i pasë parasysh ndërhyrjet
e mundshme, pa pasë nevojë me bë ndërrime rrënjësore. Duke i pasë parasysh këto
dy vërejtje të përgjithshme duhet me thënë se disa vendime të tashme të
Këshillit duhet me u llogaritë deri diku të përkohshme. Një përpunim i plotë
shkencor i shqipes ësht projekt i së ardhmes. Ndoshta përgatitja e një projekti
të këtillë ësht një ndërmarrje edhe më e rëndësishme që Këshilli do të duhej me
planifiku e me mendu e m’ia vendosë bazat qysh tash.
Në vazhdim të këtij shkrimi do të merremi
vetëm me ato pika ku kemi sugjerime e vërejtje. Në Sekcionin A do të merremi me
pikat 1, 6, 7, 15 dhe 17. Në sekcionin B me pikat 1 dhe 10.
A – Për drejtshkrimin e zanoreve
PIKA 1: Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren –ë– nga pozicioni fundor në
brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; iparvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës –m, që formon
pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i
avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).
KOMENT: Në këtë pikë të Këshillit nuk ësht e qartë se a kanë me ndryshu të
gjitha fjalët e kësaj klase apo vetëm pesë mbiemrat që janë listu këtu: i prapmë, i pasmë, i mishmë, i sontmë dhe i parvjetmë. Megjithëse, shprehja ‘fjalë të tilla janë’, len me kuptu se kjo ësht lista e
plotë e fjalëve që propozon Këshilli. Në klasën e mbiemrave që mbarojnë
me -më hyjnë rreth 80 mbiemra. Tema e rreth 50
mbiemrave mbaron me jozanore dhe tema e rreth 30 mbiemrave me zanore. Kjo ësht me
rëndësi sepse qysh mun me u pa, të gjithë mbiemrat e propozuar prej Këshillit
mbarojnë me temë me jozanore: ’-p’, ‘-s’, ‘-sh’ dhe ‘-t’. Mbiemrat e kësaj klase që mbarojnë me zanore ësht e
pamundur me bë këtë ndërrim (psh. ‘i mbramë’ nuk bëhet
dot ‘i mbraëm’). Lista e plotë e jozanoreve të këtyre
temave të mbiemrave ësht:
·
’-d’ (‘fundmë’ ),
·
‘-j’ (‘i hojmë’),
·
’-l’ (‘kolmë’),
·
‘-p’ (‘i prapmë’),
·
‘-q’ (‘paqmë’),
·
‘-r’ (‘larmë’),
·
‘-s’ (‘pasmë’),
·
‘-sh’ (‘i mishmë’) dhe
·
‘-t’ (‘i pritmë’).
Në këtë listë, qysh shihet, nga Këshilli
jepen temat me -p, -s, -sh dhe –t dhe mbesin pa ndonjë vendim katër lloj mbiemrash me
tema me jozanore: -d, -j, -l dhe –r. Kështu vijmë te një pikë me rëndësi: vendimet e këtilla duhet me u marrë për klasat e
fjalëve, kur kjo ësht e mundur, e jo për fjalët e veçanta. Këshilli, fjala
vjen, thotë se ‘i sontmë’ duhet me u shkru ‘i sontëm’. E mbiemri ‘i pritmë’ a duhet me
u shkru ‘i pritëm’? Kjo mbetet e paqartë. Si qëndron puna, pra,
me të gjithë mbiemrat e tjerë të kësaj klase që mbarojnë me tema me jozanore?
Gjithsesi, vendimi i Këshillit për shkrimin
me -ëm e jo me -më i këtyre
mbiemrave ësht vendim i drejtë. Ësht më i lehtë për shqiptim dhe pajtohet me
një shqiptim më të përgjithshëm. Në të vërtetë, në F1980 mbiemri ‘i vjetëm’ ësht dhënë si ‘i vjetëm’ dhe jo ‘i vjetmë’ dhe ësht e çuditshme se si kanë dalë kështu
mbiemrat ‘i parvjetmë’ dhe ‘i sivjetmë’! Kjo
tregon njërën nga kundërthëniet e shumta që shfaqen në vendimet e Kongresit
1972 sepse edhe ky Kongres vendimet i ka sjellë në mënyrë arbitrare, pa një
vështrim të përgjithshëm, pa një analizë të hollë të rregullave të një gjuhe që
kishte marrë përsipër me e normativizu dhe pa krahasim të trajtave të
prejardhura. Duke qenë se vendimi i Këshillit vlen vetëm për mbiemrat e kësaj
klase –më, që mbarojnë me temë me jozanore rregulla do të
duhej me u formulu kështu:
‘Mbiemrat që kanë temë me
zanore shkruhen me –më. Mbiemrat që mbarojnë me temë me jozanore do të shkruhen ‘-ëm’.’
E formuluar kështu, kjo rregull ësht më
gjithëpërfshirëse, e thjeshtë dhe lë shumë pak hapësirë për kundërthënie e
keqkuptim.
PIKA 6: Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin
–m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës,
që është –m e jo –më, pasi me këtë të fundit formohen emra e
jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).
KOMENT: Këshilli thotë se sipas kësaj rregulle ‘formohen emra e jo
mbiemra’! Por në shqipe me këtë rregull formohen, padyshim, edhe mbiemra.
Mbiemri ‘i rremë’ vjen nga një pjesore e gegërishtes me theks
parafundor ‘(me) rrê(më)’ (tjetra ësht ‘(me) rrêjtë’ por kemi edhe ‘me rrê’). Rregulla ësht vendosë qysh me 1916: ato fjalë ku
gegërishtja i shenjon me një zgjatje zanoreje dhe toskërishtja me një ‘ë’ fundore do të shkruhen me ‘ë’ fundore. Te folja ‘(me) rrejtë’ prej trajte ma të rrallë të pjesores ‘me rrê(më)’ (si me bâ(më), me râ(më), me le(më )), ‘ê’-ja ësht e
theksuar, e gjatë dhe duhet me u mbështetë me një ‘ë’ fundore sipas
rregullës së përgjithshme. Rastet e vetme kur në shqipe mun me mbetë me ‘-m’ ësht kur theksi i fjalës ësht tejfundor ‘i sípër-m’, ‘i nésër-m’ por asnjëherë
tjetër. Zbatimi i kësaj rregulle të re, ashtu qysh propozon Këshilli, çon në
një përjashtim të ri. Dhe ky nuk duhet me qenë synim i Këshillit Ndërakademik.
Kemi edhe disa mbiemra të tjerë prejpjesorë
me –më që Këshilli nuk i zë në gojë:
Në F1980: ‘i ter-më’ (nga ‘terur’), ‘i tjerr-më’ (nga ‘tjerrë’), ‘i prit-më’ (nga ‘pritur’), ‘i mbru-më’ (nga ‘mbru-jtur’) ‘, ‘i përhimë’ (nga ‘përhi-rë’), ‘i përthimë’ (nga ‘përthi-njur’), ‘i ndërdymë’
(nga ’ndërdy-rë’); ‘i zbardhëllemë’ (nga
‘zbardhëll-yer’), ‘i zverdhemë’ (nga ‘zverdh-ur’);
Në F2011: ‘i shtymë’ (por në
F1980 gjendet emri ‘shtymë’ nga ‘shty-rë’) , ‘i tejngimë’ (nga ‘ngi-njur’), ‘i zhbimë’ (nga ‘zhbi-rë’), ‘i thimë’ (nga (thi–njur), ‘i përfundmë’ (nga ‘përfund-uar’).
Mendojmë se trajtat egzistuese duhet me mbetë
ashtu qysh janë sepse kështu hyjnë në një klasë. Nëse ndërrojnë sipas
propozimeve të Këshillit, krijohen përjashtime të reja.
PIKA 7: Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit
më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~, e majme, pa zanoren –ë në
formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në
paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e
kuqe, i keq ~ e keqe.
KOMENT: Ky mbiemër shkon me mbiemrat ‘i hojmë’, ‘i sojmë’, etj. Megjithëse tema e mbiemrit ‘i majmë’ për koincidencë ësht ‘majm’
dhe për m’u bë mbiemër i kësaj klase i ësht shtu vetëm një ‘-ë’, kjo nuk e zhvendos prej kësaj klase, por e shkrin
pikërisht me këtë klasë (ashtu qysh ndodh me emrat shpif + ës por rrënjë + s). Theksi mbetet parafundor dhe zanorja zgjatet (ashtu
qysh ndodh me ‘përtej’ por ‘i përtejmë’. Prandaj duhet me u shkru ‘i majmë’ sikurse mbiemrat në pikën 6. Mbiemrat ‘i madh’, ‘i kuq’ dhe ‘i keq’ janë përjashtime. Thjesht, nuk përbëjnë klasë
fjalësh me veçori morfologjike të njëjta. Në shumës, fjala vjen, ata dalin me
paradigma krejt të ndryshme: ‘të mëdhenj-të mëdha’,
‘të kuq-të kuqe’ dhe ‘të këqij-të këqija’!
Ndërsa te ‘të majmë-të majme’ paradigma del njësoj me klasën që i
takon: i majmë/e majme(nj.) të majmë/të majme (sh.)
sikurse: i hojmë/e hojme – të hojmë/të hojme; i sojmë/e sojme – të sojmë-të sojme.
PIKA 11: Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren –ëfundore,
pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
KOMENT: Në të vërtetë, sipas rregullash tashmë të vendosura të një
Shqipeje të Përbashkët, nga fjala ‘thýesë’ do të duhej
me bjerrë ‘ë’-në dhe jo e kundërta që fjalës ‘thýez’ t’i vihet një ‘-ë’, sepse të dyja
vijnë mbas një dyzanoreje ‘ýe’ në të cilën
theksi bjen mbi ‘-ý’ e jo mbi ‘-e’ (si psh. te fjala ‘tryéz/ë, ~a’). Kështu
që do të duhej me dalë pa –ë si te emrat e
tipit e kryer/e kryera apo te foljet, kur kemi një
dyzanore me theks në zanoren e parë, –ë-ja nuk vihet: (na)
duam dhe jo duamë; (ata) duan dhe jo duanë; (por (na) hamë, (ata) hanë). Me këtë
propozim, që të birret ë-ja në këtë
pozicion, kanë dalë edhe A. Dhrimo e R. Memushaj (në FDGjSh 2011).
PIKA 15: Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes,
të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të
Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti
nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhetplang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.
KOMENT: Ky vendim i Këshillit (dhe i Kongresit të Drejtshkrimit por që s’ësht
respektu), që një fjalë duhet me u shkru duke marrë për bazë nga vjen ësht stërhollim
jo shumë i domosdoshëm kur flitet për një Shqipe të Përbashkët! Do të duhej me
gjetë klasa e rregulla sa më të përgjithshme që përshtaten me sistemin e një
gjuhe standarde si tërësi. Si munet m’iu thënë një shkruesi shqiptar që tashmë
ësht familjarizu me trajtën ‘plëng’ dhe ‘shtatzënë’ me u kthy e me e shkru ‘plang’ e ‘shtatzanë’?
Shumë fjalë të huaja në shqip merren dhe
përshtaten në shqip. Pse të mos përshtaten edhe vetë fjalët dialektore nëse
struktura e përgjithshme e sistemit lejon dhe kërkon një gjë të këtillë? Te
fjalët ‘shtatzënë’ dhe ‘zhgjëndërr’ kjo
duket krejt e qartë duke qenë se pjesorja ‘zënë’ dhe emri ‘ëndërr’ janë pranu si trajta standarde. Një përdoruesi
të gjuhës nuk i intereson aq shumë origjina e fjalëve, sa përshtatshmëria me
tërësinë e sistemit dhe ana praktike e tyre. Poende, trajta ‘zhgjëndërr’ më duket pak e rëndë për shqiptim dhe një
trajtë tjetër ma e lehtë dhe në përdorim mjaft të gjërë ësht trajta ‘zhgëndërr’.
B – Për drejtshkrimin e
bashkëtingëlloreve
PIKA 1: Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: ipishëm,
i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është
pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren –j, që del në disa shkrime
të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
KOMENT: Qysh del nga shtjellimi i kësaj rregulle duket se prapashtesa
mbiemrore –shëm iu shtoka vetëm pjesoreve të foljeve. Ësht e
vërtetë që pjesoret zënë pjesën më të madhe të klasës mbiemrore me prapashtesë
–shëm, por një numër jo i vogël ndërtohen edhe prej
temash të emrave të cilat i japin një kuptim tjetër prej temave të foljes,
psh.:
a) ‘i afrishëm’ nga emri
‘afri, ~a’, (në F1980 me
kuptimin ‘1. Lidhje gjaku ose lidhje tjetër e ngushtë familjare, farefisni.
Lidhje afrie. Ka afri me dikë. 2. Ngjashmëri e madhe ose përputhje në tiparet
kryesore. Afri klasore (ideologjike). Afria e mendimeve (e qëndrimeve). Ka afri
me një tjetër. 3. gjuh. Lidhje e afërt, ngjashmëri që buron nga prejardhja e
përbashkët. Afri gjuhësh. Lidhje afrie. 4. përmb. bised. Të afërmit, farefisi.
U mblodh afria.’ dhe
b) ‘i afrueshëm‘ nga
pjesorja ‘afrue’ e gegërishtes (me kuptimin ‘1. Që tregohet i afërt dhe i përzemërt me të tjerët, i
shoqërueshëm. Fëmijë (djalë) i afrueshëm. I afrueshëm me të gjithë. 2. bised.
Që është i këndshëm në të pirë, i dashur (për pijet). Verë (raki) e afrueshme.’
Kështu edhe mbiemri ‘i dijshëm’ vjen nga tema emrore ‘dij-(e)’ me
zërin në fjalor ‘1. Që ka dije e njohuri të thella, i ditur, i mençur. Njeri i
dijshëm. Vajzë (grua) e dijshme. 2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit.’)
c) ‘i afërsishëm’ nga
emri ‘afërsi’ + ‘shëm’ (në F1980: mb.
shih PËRAFËRT (i,e). Në mënyrë të afërsishme.)
Vendimi që mbiemri ‘i dijshëm’ me u bë ‘i dishëm’ edhe sikur
të kishte pasë zanafillën nga pjesorja e foljes ‘di’ do të kishte
pasë pasoja edhe më të mëdha se kaq. Kjo vjen prej vendimeve arbitrare të vitit
1972. Le të shohim rastin e këtyre foljeve që, megjithëse me çdo klasifikim
morfologjik i takojnë një klase, për to zbatohen tri rregulla të ndryshme.
Trajta e foljeve ‘di(j)’, ‘arrij’, dalin ‘di-dita-ditur’, ‘arrij-arrita-arritur’ (këtu hyjnë edhe foljet ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, e ‘mërij’) dhe ‘zdërvij–zdërvijta–zdërvijtur’. Nga
folja ‘di(j)’ sipas FGjSSh
1980 ësht heqë ‘j’-ja në fund të foljes dhe ka dalë
‘di-dita-ditur’; për foljet ‘arrij’,
‘bredhërij’, ‘mbërrij’, ‘mërij’ ësht leju ‘j’-ja në sikohën
tashmore (‘kohë e tashme’) por ajo bjen në trajtat e thjeshtores (‘e kryer e
thjeshtë’) dhe pjesores duke dalë si ‘arrita-arritur’, ‘bredhërita-bredhëritur’,
‘mbërrita-mbërritur’ dhe ‘mërita-mëritur’!
Ndërsa te folja ‘zdërvij’ ësht rujtë ‘j’-ja në të gjitha trajtat kryesore sikohore të foljes:
‘zdërvijta-zdërvijtur’! Pse ka ndodhë kjo? Askush s’e
din. Ësht punë arbitrariteti dhe e nuhatjes së ‘shqiptimit
të përgjithshëm’. Kjo tregon mungesën e pamjes së përgjithshme të
normalizuesve të gjuhës shqipe për rregullsinë e morfologjisë së saj. Janë
rreth 21 folje sipas modelit të foljes ‘zdërvij’, katër
sipas modelit të foljes ‘arrij’ dhe folja ‘di’ mbetet unike në paradigmën e vet! Të gjitha këto
folje kanë mujtë me hy në një paradigmë, në atë të foljes ‘zdërvij’ dhe me përbë kështu një klasë të vetme vetëm
duke e rujtë ‘-j’-në në të shkruar në të gjitha
rastet. Arsyeja pse sonantja ‘j’ bjen në foljet që
ndjekin paradigmën e foljes ‘arrij’ ësht se vjen
mbas zanores ‘i’ dhe si pasojë nuk dëgjohet krejt qartë te shumë
folës. Por, këtu kemi të bëjmë me normalizimin e gjuhës së shkruar prandej
duhet të ndiqet, sa më shumë që ësht e mundur, vija e rregullave paradigmatike.
Edhe te folja ‘vij’ e kemi rastin e njëjtë kur
sonantja ‘-j’ vjen mbas zanores ‘-i-’ dhe po të
vërehet me kujdes as në këtë rast nuk dëgjohet sonantja ‘-j’. Shumica e shqiptarëve e shqiptojnë si ‘vi’ por rregulla për me shkru ësht ‘vij’. Një detyrë e domosdoshme e Këshillit ësht me pasë
kujdes që përjashtime prej rregullash me pasë sa më pak. Heqja e ‘-j’ te mbiemrat ‘i dijshëm’ dhe ‘i pijshëm’ nuk kish me ndihmu në këtë vijë, sepse disa
inkoseguenca në këtë klasë, duke ndjekë rregullën e temës, vazhdojnë me u
reflektu edhe në folje të tjera. Një mbiemër tjetër shkruhet ‘i rrejshëm’ dhe jo qysh e lyp rregulla tematike që don
me ndjekë Këshilli, ‘i rrejt-shëm’; ashtu qysh i kemi
mbiemrat prejpjesorë të kësaj klase foljore: ‘i bujt-shëm’, ‘i luajt-shëm’, ‘i mbajt–shëm’, ‘i urrejt-shëm’!
Masandej kemi ‘i mbërri-shëm’ e jo ‘i mbërrit-shëm’ dhe ‘i praj-shëm’ e jo ‘i prajt-shëm’! Të gjitha këto dështime e shkarje të
vendimeve të vitit 1972.
Një problem tjetër që nuk vihet re prej
Këshillit ësht se foljet ‘pi’ dhe ‘di’ nuk janë folje të një klase. Trajtat përfaqësuese
të foljes ‘pi’ sipas F1980 janë ‘pi-piva-pirë’,
ndërsa të foljes ‘di’ janë ‘di-dita-ditur’. Derisa Këshilli ndjek rregullën se
mbiemrat e këtillë ardhkan prej pjesoresh atëherë temat e tyre dalin të
ndryshme. Folja ‘di’ del ‘dit-ur’
ndërsa folja ‘pi’ del ‘pi-rë’. Edhe sipas
rregullës që ndjek vetë Këshilli, trajtat e mbiemrit do të duhej të ishin ‘i pishëm’ por ‘i ditshëm’ e jo ‘i dishëm’ (me kuptimin që jepet në F1980 ‘i ditur’). Aty ku pikëtakohen këta dy mbiemra ësht trajta
emrore ‘dij-e’ dhe ‘pij-e’ duke dhënë
kështu trajtat e mbiemrave ‘i dij-shëm’ dhe ‘i pij-shëm’. Nga një lloj i këtillë kemi edhe ‘i hijshëm’ që vjen nga ‘hij-e’, ‘i nyjshëm’ nga ‘nyj-ë’, ‘i shijshëm’ nga ‘shij-e’ kështu edhe
‘i dijshëm’ vjen nga ‘dij-e’ dhe ‘i pijshëm’ vjen nga ‘pij-e’.
Problemi hapet edhe më shumë. ‘I pishëm’ dhe ‘i pijshëm’ për një
gegë ka edhe dallime të holla kuptimore. ‘Vëllai foli si me qenë i
pîshëm’domethënë foli ‘si me qenë i dehur’ sepse
vjen prej pjesores ‘(me) pi’ ndërsa ‘Ky ujë ësht i pijshëm’ domethënë ‘ky ujë mun me u pi’, vjen prej emrit ‘pije’. Ky ësht njësoj sikurse dallimi në mes të
mbiemrit ‘i nderueshëm’ (pjesorja ‘nderue’ dhe
prapashtesa ‘-shëm’) dhe ‘i ndershëm’ (emri ‘nder’ + ‘-shëm’). Në këtë vijë
ballafaqimi: ‘i begatueshëm – i begatshëm’, ‘i shijueshëm –
i shijshëm’, ‘i dhunueshëm –
i dhunshëm’ etj. Kështu edhe ‘i di(t)shëm’ dhe ‘i dijshëm’.
Pasojat e këtij vendimi vazhdojnë me u pa
edhe më tutje te mbiemri ‘i vetëdijshëm’. Qysh
ka me u bë zgjidhja? A ësht ndërtimi ‘vetë’ + ‘dije’ (temë emrore) apo ‘vetë’ + ‘di’ (temë foljore)? Dhe mbiemri a ka me u shkru ‘i vetëdishëm’ apo ‘i vetëdijshëm’?
PIKA 4: Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë”
duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.
KOMENT: Ky vendim ësht i drejtë sepse merr parasysh sistemin e
përgjithshëm, por si do të bëhet me fjalën ‘punonjës’, a do
të shkruhet ‘punojës’ sepse vjen nga folja ‘punoj’? Po ashtu ‘shkronjë’ a do të
bëhet ‘shkrojë’? Kjo nuk ësht thënë dhe lë hapësirë për
hutesë. Po me fjalët: agjëronjë, barkonjë, biskonjë,
budallonjë, buronjë, cjaponjë, dëllinjë, (i) farfurinjtë, gabonjë, vezullonjë,
vigunjë, xixëllonjë, zgërbonjë, zgjonjë etj., si do të bëhet?
PIKA 10: Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).
KOMENT: Fjala jongleur në
shqip, sikurse në anglisht, ka ardhë prej frëngjishtes. Shkon me ‘ambalazh’, ‘imazh’ (dhe jo
‘imixh’), ‘ekuipazh’ etj. Nuk mendoj se ësht ide e mirë me ndërru
trajtat e huazimeve të këtilla, të cilat tashma janë ngulitë në gjuhën shqipe,
sa herë që shfaqen ndikime të reja kulturore prej kulturash të ndryshme.
(2014)