1.
Në ato çaste që kam me qenë tue vdekë,
Dikush ka me qenë në ndoj nevojtore të ndërgjegjes.
Mbasi ta ketë kry nevojën, të madhen e të voglën,
- tue qenë se ato shpesh shkojnë bashkë -
Ka me tërheqë telin e pendesave.
E bashkë me të qeshunat çmendurake të ujit
Ka m’e lëshu në kanalizim edhe shpirtin tem
Të mykun prej dhembjesh së kësaj bote.
Një shtrues rrugësh gjujazi ka me qenë
Tue shtru pllaka guri të moralit njerëzor,
Dhe një pllake – si zakonisht - që s’ka me i ra tamam,
Si dhambët e mi çatrafil prej bindjesh,
Ka me i mëshu me çekiç dhe ka m’ia thy një qoshe.
Ka m’u pikëllu, edhe m’u helmu,
Jo për mue që jam tue dhanë shpirt,
Po për pllakën që ka m’e thy tue u qesëndisë.
Ndoj maçorr bankash, i dashunuem,
Ka me qenë tue ngajtë mbas ndoj maceje prej paresh,
E ndoj qen i shfrenuem babëzie, në atë çast,
Ka me qenë tue pshurrë njerëzillëkun,
Në rranzën e ndoj trungu prej ligji të thamë
Tue çu kambën me përshëndetje hitleriane.
Ndoj xhigolo shqiptar në ndoj katund të Zvicrës,
I cili sapo ka ba dashni me ndoj fabrikë plakë të pareve,
Ka me thanë, tue përbi një hurbë vene lodhjeje:
‘Sa mirë asht me qenë gjallë!’
2.
E nëpër të gjitha çastet e jetës teme sa miliona njerëz kanë vdekë?
Sa kanë qenë tue vdekë kur unë kam qenë në nevojtore?
Sa kanë qenë tue dhanë shpirt kur unë kam qenë në kinema
Tue pa “Rashomonin” e tue hangër fara të zeza të ditëve?
Sa kanë qenë tue vdekë, derisa kam qenë barkaz
Tue notu nëpër ujnat e Drinit Kuqezi?
E tue e nga biçikletën e hutesës teme?
E tue rrëshqitë me sajën e dyshimeve nëpër borë?
Në ato çaste mbrapanumëruese
Ndoj gjethe e lotit tem ka me qenë tue ra prej lisi,
E pikëllueme që po ndahet prej synit tem kryengritës.
Kurrkush nuk ka me qa për atë gjethe.
E për mue ka me vajtu gjethja e shkretë.
Në ndoj tempull në bodrumet e arsyes,
Tamam pak pa vdekë, kryeprifti ka me thanë me intonim:
‘Aaaata që s’kan’ be-sue / kaaan’ me shkue / drejt e në feeeerr!’
Dhe unë kam me mendu:
‘Ah, së paku për biletë s’paskam problem,
E paskam parapagu hotel-ferrin dhe – hej - e dij se ku po shkoj!
Si për pushime në Spanjë: Pallma de Majorka?
Kurrë s’i dihet! Çfarë ngushëllimi i mirë!
I lumi unë!
Po ata që hala nuk e dijnë ku kanë me shku?
Gjithmonë ka keq e ma keq!’
Ndoj fëmijë ka me qenë tue e shty biçikletën e dëshirave
Me një kambë, pa e dijtë ku po shkon tamam.
Si unë tanë jetën e lume!
Tue përdredhë nganjëherë timonin në rrugën me gropa,
Si unë tue përdredhë kryet nëpër jastëkun pa gropa!
Ato çaste dera e miqësisë së dikujt s’ka me u hapë!
Ka m’iu blloku prej ndryshku të zilisë!
Dhe aj ka me u zemëru sa s’ka!
Unë tue i shqiptu fjalët e fundit: Kha, kha, kha!
E aj tue i thanë të parat:
‘A ia vlen me jetu kështu me jetu në këtë dynja?
Në këtë shtëpi? Me këtë derë që nuk hapet
E merr thue sa herë që jam i lodhun?
Çfarë jetë e mutit asht kjo!?
E unë pa mujtë me i thanë: ‘A ndërrohemi?’
3.
Unë tue i thanë fjalët e fundit,
Ndoj semafor kujtimesh ka me u dhezë në të kuqen:
‘Tash, unë a duhet me vdekë? A më lejohet me vdekë?
Apo duhet me pritë me u dhezë e blerta epshndjellëse?’
A duhet me thy rregullën? A muj me e thy ligjin?’
A, mac! Tash, Agim, po të kujtohet ligji,
Që s’e ke respektu kurrë!
Unë në rrokjet e mia të fundit,
Një fëmijë i sapolindun tue uluritë tërbueshëm,
Si me pasë ra kollotumba prej parajse në ferr!
A ka mundësi, pra, që unë qenkam tue dalë prej ferri?
A thu po më pret një befasi e kandshme?
A thu hyrijat sisëzbulueme po më presin me legena në dorë?
A thu muj me ra me Budën në një dhomë hoteli Atje?
Apo bashkë me babën tem, Ramën, e me Charli Chaplinin,
Tue qenë se stilin e musteqeve i kanë pasë njësoj!?
A mos, sapo të vdes, matanë kam me i pa dadat me duer hapë
Që më presin matanë me peshqir e gërshanë me ma pre kërthizën! Mozomakeq!
Prapë prej fillimi a? A thu çfarë emni kam me pasë?
Çfarë feje? A kam me le prap si njeri apo si mushkojë?
Kam me le si lopë në Indi apo derr në Pakistan?
Më fal... a ban mos me le hiç? A muj me kthy biletën?
Unë në frymën e fundit
Dhe një aeroplan i zemërimit jep shpalljen e fundit:
‘Lidhuni, po aterrojmë!’
Unë tue aterru në ferr, e ata pëmbi tokë!
‘Ju shkoftë mbarë burra, gra! Paqistë e terroristë!
Unë eca! Ju pres! S’asht lazëm m’u ngutë! Veç me rend!’
Unë në fjalët e fundit,
E dikush me dhambë të krymbun babëzie
Tue ia ngjitë kofshës së pulës e tue fsha:
‘Po i paskan qitë pak krypë, bre, dreqi e hangërt!’
E unë tue mendu:
‘Po mirë, e unë që po shkoj në ferr, a ka krypë atje?’
Të gjithë rreth shtratit tem habiten:
‘Ku iu kujtu këtij krypa, e asht në grahmat e vdekjes!’
Po qysh hahen pa krypë gjithë ato pula të pjekuna në zjarmin e ferrit?
Po virgjneshat a kam me mujtë me i pa, së paku, prej larg?
E Shën Pjetri, a thu ka me ma çelë derën?
Mos ka m’i dhimbtë dhambi e s’ka me qenë aty!
A e ka kush numrin e telefonit të Shën Pjetrit?
I shkruj në fejsbuk Papës. E din aj! Se jaran e kam!
Aj i don edhe ateistat dhe u ka dhanë leje me hy në parajsë!
Unë tue mërmëru nëpër buzë:
‘E numri, numri katërdhjetë, numri katërdhjetë...’
Habiten ata rreth meje!
‘Numri katërdhjetë... A asht edhe dyzet?
Dhe pse: edhe dyzet, edhe katërdhjetë?’
Ata, dëshmitarët e mi të fundit në këtë dynja jallane,
Prapë tue shiku njeni-tjetrin me habi!
Çka kam unë me matematikën në çastet e fundit të jetës?
‘Jo, bre, desha me thanë:
‘E hangshin a dyzet a katërdhjetë mijë dreqën...
Që asnjëherë nuk i rashë në fije:
Ka apo nuk ka...’
4.
Sa kanë me qenë tue vdekë në atë çast bashkë me mue?
O komb bashkëvdekatarësh! Erdhi koha! A ecim burra?
Njeni tue ba: ‘Përt!’ Tjetri: ‘Tërt!’
Aj: ‘Shfuu!’ Ky: ‘Pushshshsh!’
Njeni: ‘Allah, t’u dorëzova!’
Tjetri: ‘Jahve, ku je?’
Nën hijen e krahut që luhatet në ajër tue ndjekë vijat e kryqit:
‘O Krisht, falja mëkatet...’,
Mbas qetësisë së thyeme prej gjelit:
‘O Buda, po vij në dritën tande!’
‘Mos harro me ushqy magarin...’
‘Ku je, Shakinsinavatra?’, ‘Ftohtë a nxehtë?’
‘Sa lugë sheqer?’, ‘Pordhë... edhe piskamë!’, ‘Falja dreqit!’
Një malsor shqiptar tue dridhë gjuhën e ntrashun
Tue e lypë me shikim gruen e vet e tue dashë me thanë:
‘Ku dreqin hupi kjo vega e thiut?’
S’dalin fjalë! Veç do liga e fluska
Që pëlcasin tekanjozshëm në grykën e buzëve,
Si vullkan i vogël me magmën prej pështymash dhe pendimesh.
Buzët shtangen e musteqet drejtohen si bisht mini!
Ding-dong, ding-dong, ding-dong
Kumbonat e ndërgjegjes tue i gjujtë plumba jehonash njëna-tjetrës
Shiriti filmik tue u çmbështjellë ndërmjet dy veshëve
Si uçkur dimiash të sheherzadeve në hareme.
Perdja e territ plot dritë tue u ra si gijotinë.
Fëëshshshsh! Edhe pak...
Trakallum! Buuum! Këëërc...
Zhvëz! Akh! Kha!
Tëkër! Tëkër! Puc!
Puuuffffff!
O komb bashkëvdekatarësh, bashkohuni!
O ushtri e pandalshme ahmakësh delirantë
Që s’ditët me jetu as edhe një çast të vetëm të jetës!
Tash po shkojmë me flejtë! Me ba gjumë në shtratin e gjithësisë!
Po shkojmë me u ba gjithësi!
Në mos na zantë gjumi? S’ka problem!
‘Çka tha frati? Shko te shtrati!
Mos të marrtë gjumi, të pushon shtati!’
(2015)