Saturday, November 30, 2024

FAKTORI SHQIPTAR DHE PAMJA E SHTREMBËRUAR MEDIATIKE

 

Agim MORINA

7 korrik 2023 Facebook

Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mediat e Beogradit patën nisë një fushatë të egër antishqiptare. E vetmja punë e tyre ishte që gjendja në Kosovë të paraqitej sa më kritike, sa më alarmante, që shqiptarët të shfaqeshin sa më të egër. Programet televizive, revistat, gazetat, librat që prodhoheshin në fabrikat propaganduese të Beogradit vërshonin gjithë Jugosllavinë dhe shpërndanin lajme të tmerrshme antishqiptare. Një nga lajmet më të zakonshme ishte thyerja e gurëve të varreve të serbëve nëpër Kosovë, sepse nuk kishte ndonjë lajm për ndonjë krim konkret kundër serbëve. Varrezat ishin të shkreta dhe të vdekurit nuk kishin gojë e nuk mund të dëshmonin se kush i bënte këto sulme makabre. Shpërndarja e pandalshme e lajmeve të rreme krijoi pa dyshim një ndjenjë urrejtjeje kundër shqiptarëve në gjithë Jugosllavinë. 

Nga shpifjet më të ulëta e më të trishtueshme të kësaj kohe ishin, po ashtu, lajmet se shqiptarët përdhunonin femrat serbe. Shkohej aq larg sa thuhej se shqiptarët përdhunonin edhe motrat e nderit të kishave ortodokse. 

Në kulmin e kësaj fushate denigruese antishqiptare, një politikan shqiptar i asaj kohe i Kosovës, delegat në kuvendin e federatës së Jugosllavisë, kishte kërku që të publikoheshin shifrat zyrtare të përdhunimeve seksuale në Jugosllavi për atë vit. Në këto shifra zyrtare doli e vërteta lakuriqe: në Kosovë gjatë gjithë vitit kishin ndodhë gjashtë raste që lidheshin me përdhunime seksuale. Tri nga këto kishin qenë tentime, dy kishin qenë përdhunime, - por kjo kishte ndodhë mes vetë shqiptarëve - dhe vetëm një rast kishte qenë një tentim përdhunimi i një femre serbe nga një mashkull shqiptar, edhe ky nga një person me çrregullime mendore. Ndërsa në pjesët tjera të Jugosllavisë shifrat zyrtare tregonin një gjendje alarmante: kishin ndodhë me qindra përdhunime seksuale nëpër republikat e tjera të Jugosllavisë. 

Nga këto të dhëna dilte pamja krejt e kundërt me atë çfarë paraqiste propaganda e Beogradit: Kosova ishte vendi më i sigurt për femrat në gjithë Jugosllavinë. As nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse te shqiptarët çështja e nderit të femrave ishte një pikë tepër e ndjeshme. 

Më kujtohet mirë një intervistë televizive e një gazetari nga Beogradi me një vajzë serbe nga Kosova. Gazetari e pyeti vajzën se a ndihej e sigurtë në Kosovë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë. Pastaj ai e pyeti se pse nuk ndihej e sigurtë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë për shkak të shqiptarëve. Dhe kur në fund e pyeti se a i kishte ndodhë diçka konkrete asaj vetë apo a kishte parë diçka të tillë me sytë e vet, ajo i tha se jo, asaj nuk i kishte ndodhë asgjë asnjëherë, se fqinjët e saj shqiptarë ishin të mirë, por se kështu thuhej në lajme në gazeta e televizione. Pra, pasiguria që ndiente ajo vajzë serbe në Kosovë vinte nga lajmet që plasoheshin çdo ditë nga Beogradi.

Tashti, egërsia e fushatës nga mediat e Beogradit, por edhe nga disa media të Kosovës, kundër qeverisë së Albin Kurtit, ka marrë përmasa marramendëse që po ma kujton pikërisht atë kohë të viteve tetëdhjetë, kur akuza kishte plot, por nuk kishte asnjë fakt të qëndrueshëm. Nëse mblidhen e analizohen këto lajme që po plasohen sot, del se asnjë nga pohimet që po thuhen kundër qeverisë së Kosovës për “kryeneçësinë” , “mosbashkëpunimin” dhe “moszbatimin e marrëveshjeve” nuk mban më ujë. 

1) Kryeministri i Kosovës akuzohet se është “kryeneç” dhe se nuk po “bashkëpunon”. Por dihet botërisht që kryeministri, Albin Kurti, i shtyu zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës për gjashtë muaj, ashtu siç kërkuan zyrat e aleatëve perëndimorë. Kjo nuk mund të quhet as kryeneçësi, as mungesë bashkëpunimi.

2) Qeveria e Kosovës po akuzohet se nuk po lejon që procesi i normalizimit me Serbinë të shkojë përpara. E vërteta është që kryeministri i Kosovës në takimin e Ohrit jo vetëm që pranoi marrëveshjen, por kërkoi që ta nënshkrunte këtë marrëveshje. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vucici, jo vetëm që nuk pranoi të nënshkrunte këtë marrëveshje, por e shkeli me të dyja këmbët ende pa arrijtë në Beograd me deklaratat e tija kundër Kosovës. Pra, kryeministri Kurti bashkëpunoi gjatë gjithë kohës dhe ende është i gatshëm të nënshkrujë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kryetari i Serbisë as sot e kësaj dite nuk pranon ta bëjë këtë. Pra, Kurti është bashkëpunues, Vucici është jobashkëpunues.  

3) Nga qeveria e Kosovës u kërku që të organizonte zgjedhjet në katër komunat veriore dhe kjo u bë me kujdesin më të madh të mundshëm, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Nuk ndodhi asnjë incident, asnjë viktimë, asnjë parregullsi. Lista Serbe, e kontrolluar dhe e dirigjuar tërësisht nga Beogradi, jo vetëm që bojkotoi zgjedhjet, por edhe kërcënoi, nëpërmjet bandave në terren, këdo nga serbët që do të guxonte të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo bëri që kryetarë të katër komunave në veri të zgjidhen katër shqiptarë.

Pra, qeveria e Kosovës bashkëpunoi, Serbia shantazhoi dhe bojkotoi zgjedhjet e pakicës serbe. 

4) Sot kërkohet që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Qeveria e Kosovës ka pranu edhe këtë. Pra, nuk ka asnjë kusht themelor që të mos e ketë pranu qeveria e Kosovës. Mirëpo ajo po kërkon që kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme, pa e shkelë kushtetutën e Kosovës. Prap del që qeveria e Kosovës po bashkëpunon, Serbia jo vetëm që nuk po bashkëpunon, por edhe po shkakton probleme dhe po organizon sulme kundër ushtarëve të KFOR-it dhe po kidnapon policë të Kosovës në kufi.

Po të shikohet nga ana e ligjshmërisë, gjendja në Kosovë kurrë nuk ka qenë më shumë nën kontroll të shtetit sesa sot. Bandat kriminale e fashiste në veri, që kanë ardhë nga Serbia, kurrë nuk kanë qenë më të pafuqishme sesa sot. Për këtë arsye Serbia, me përpjekje dëshpëruese që të faktorizohet, ngriti gatishmërinë e armatës së saj rreth kufirit me Kosovën, për me u dhënë zemër këtyre bandave që po iknin, të frikësonte qeverinë e Kosovës dhe të alarmonte qarqet ndërkombëtare se çdo çast mund të plaste një konflikt ushtarak. Në këtë vijë të shkaktimit të panikut e të pasigurisë janë edhe deklaratat e Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në BeH, se do të bashkohej me Serbinë. Prap na del pamja e qetë e gjendjes në Kosovë dhe kërcënimet e hapura të faktorit serb. 

Nën hijen e luftës së Ukrainës, natyrisht, Perëndimi është në gjendje të flijojë interesat e një shteti të dobët siç është Kosova për të parandalu një telash të mundshëm më shumë. Por, çështja është që Kosova dhe shqiptarët tashmë kanë pagu çmim tepër të madh për lirinë e tyre, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë klerofashizmin e vet pa u pengu nga askush.   

Nëse pyetet sot një qytetar i Kosovës se a ndihet i pasigurtë në Kosovë, ai do të thotë se po. Nëse pyetet se pse, ai do të thotë - ashtu si ajo vajza serbe në vitet '80 - se kështu po thuhet në media. Pasiguria në veri të Kosovës vinte nga terroristët e ardhur nga Serbia që për njëzet e kusur vite kanë vepruar të papenguar. Ata vritnin e rrihnin kundërshtarë politikë, ata digjnin vetura me targa të Kosovës e zyra ku mbaheshin zgjedhjet. Ishin po këta që gjujtën me plumba në ushtarët e KFOR-it. Veprimet e qeverisë së Kosovës kundër këtyre bandave terroriste nuk mund të quhen veprime ekstreme, e aq më pak veprime kundër popullatës serbe. Serbët e veriut kurrë nuk kanë qenë më të sigurtë se sot.  

Një krahasim i shpejtë i veprimeve të koordinuara të klerofashizmit serb – shkaktare të katër luftave në ish-Jugosllavi - me veprimet e ligjshme dhe bashkëpunuese të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, shfaq qartë pamjen e përmbysur e të shtrembëruar të realitetit politik që po përpiqet të krijojë kjo fushatë e egër mediatike, por edhe diplomatike. Me një analizë të thjeshtë do të dilte pamja e përmbysur, e njëjtë me atë që pati nxjerrë në shesh statistika zyrtare e përdhunimeve në vitet ’80. Alarmi i rrejshëm dhe fajtori i gabuar. Faktori shqiptar është faktori më paqedashës, më demokratik dhe më bashkëpunues në Ballkan dhe faktori serb është më jobashkëpunuesi, më luftënxitësi dhe më jopaqësori. 

- Në Kosovë 3-4 për qind e serbëve kanë të drejta që më shumë se 30  për qind e shqiptarëve në Maqedoni as nuk mund t’i ëndërrojnë. A nuk është ky një sakrifikim nga ana e faktorit shqiptar për paqen në Ballkan? 

- Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës shkelen egërsisht, para syve të zyrtarëve perëndimorë, pikërisht në kohën kur Serbia kërkon të formojë një Republikë Serbë në Kosovë. A nuk është ky një durim e mirëkuptim i faktorit shqiptar për paqen në Ballkan? 

- Republika e Shqipërisë nuk ka vënë asnjëherë asnjë kusht ndaj asnjë shteti fqinj për çfarëdo përfitimi politik. A nuk tregon ky orientimin paqësor të shqiptarëve? 

Nëse e shohim nga ky kënd del që shqiptarët po dënohen e po vetëdënohem për shkak të bashkëpunimit dhe dëgjueshmërisë së tyre në raport me Perëndimin. Atëherë, pse presioni më i madh përqendrohet pikërisht mbi shqiptarët, veçanërisht mbi Kosovën? Sepse shqiptarët janë më të dobëtit në Ballkan, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana politike e ushtarake. Në gjithë historinë dihet ky fakt i thjeshtë, që presioni gjithmonë do të jetë i orientuar mbi palën më të dobët.  Por, për të qenë fatkeqësia më e madhe, shqiptarët janë edhe më të paorganizuarit. Megjithatë, ajo që shqiptarët duhet të pyeten në këtë kohë është se a janë ata vërtet kaq të dobët në raport me presionin që po u bëhet? Jo. Shqiptarët nuk janë një faktor më i dobët se disa vite më parë. Bile shumë më të fuqishëm se disa dekada më parë. Përveç kësaj, ata janë duke u forcu gjithnjë e më shumë. Fakti që qarqe antishqiptare po e rritin presionin mbi ta tregon pikërisht këtë forcim të faktorit shqiptar. Prandaj, ajo që duhet sot është ndërgjegjësimi i shqiptarëve për këtë fakt të thjeshtë. 

Me se Serbia kërcënon sot? Me faktin që mund të shkaktojë destabilizim të rajonit. Por, edhe shqiptarët, megjithëse më të dobët, mund të shkaktojnë destabilizim po kaq të madh. Ata janë të shpërndarë në disa shtete dhe nëse kërcënimi i këtillë është për të përfitu pikë politike, atëherë edhe shqiptarët munden me lujtë me këtë kartë. Por, për me lujtë me këtë kartë ata duhet të kenë një faktor politik të ndërgjegjshëm për misionin e vet sot dhe për hapat që duhet të ndërmerren. Kjo nënkupton një bashkërendim dhe bashkim energjish dhe idesh. Ngjarjet në Kosovë, në vend që të tregojnë se sa i dobët është faktori shqiptar, mund dhe duhet të tregojnë se sa i fuqishëm është faktori shqiptar. Veprimet e qeverisë së Albin Kurtit janë largvajtëse në këtë drejtim, ato synojnë të dëshmojnë fuqinë reale të faktorit shqiptar që është në forcim e sipër. Çfarëdo ngurrimi, çfarëdo gabimi në këtë vijë do të ketë një çmim tepër të madh dhe do të duhet të kalojë një gjysë shekulli, në mos edhe një shekull tjetër, që faktori shqiptar të marrë veten dhe të dëshmojë edhe një herë fuqinë e vet të vërtetë. 

Çdo shfaqje dobësie, çdo kompromis joparimor me Serbinë, po ashtu, do të bëjë që Serbia të përfitojë shumë, ndërsa shqiptarët të humbin tepër. Këtë fakt Albin Kurti e din shumë mirë dhe çdo veprim i tij është në funkcion të këtij riaranzhimit të pozicioneve negociuese dhe të rivendosjes së pikave referuese politike në të ardhmen. Kjo e bën Kurtin, pa dyshim, politikan vizionar. Ai po përpiqet të ngrejë peshën dhe rolin e faktorit shqiptar në një shkallë më të lartë. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Në historinë politike vetëbesimi i tepruar asnjëherë nuk ka qenë më shkatërrimtar sesa vetëmosbesimi i tepruar.

JU FLET ZËDHËNËSI I RADOIČIĆIT: ESKALATORI PANSLLAVIST, MIROSLAV LAJČÁKU

 Agim MORINA

21 tetor 2023

Mbasi e kanë prekë dorën e të burgosurit dhe të torturuarit të regjimit gjenocidal klerofashist të Serbisë millosheviqiane, dmth. dorën e kryeministrit Albin Kurti, delegacioni ndërkombëtar me Lajčákun do të shkojë në Beograd dhe do të prekë dorën kriminale të Aleksandar Vučićit, dorë e cila ende nuk e ka humbë kundërmimin pansllavist nga prekja e pardjeshme me Putinin. Kundërmim të cilin Lajčáku e njeh mirë dhe e bën të ndihet mirë.
Në Prishtinë, para gazetarëve, Lajčáku foli tepër shkurt dhe me shumë siklet, i shoqëruar nga bylyku diplomatik të ramë mazun, si me i pasë nxjerrë krenat prej bajgash. Foli shkurt sepse i duhej me i bë bisht pyetjeve të paaranzhuara dhe ishte në siklet sepse plani për aneksimin e veriut të Kosovës i dështoi në mënyrë spektakolare, ashtu qysh Lajčáku, bashkë me Vučićin, as nuk e kanë dashë, as nuk e kanë pritë.
Lajçaku ka pritë me ardhë para kryeministrit Kurti, me hundën përpjetë dhe me Kosovën e aneksuar. Me pa Kurtin të poshtëruar e të nëpërkëmbur. Bile tash me i vënë kushte edhe më të rënda, duke i thënë: «Kur kërkuam asociacion, ti kundërshtove. Tani gjërat kanë ndryshu në terren dhe asociacioni nuk mjafton. Tani serbëve në veri duhet t’u garantohet një autonomi e plotë politike dhe territoriale. Nëse nuk e bën këtë, gjërat do të ESKALOJNË EDHE MË SHUMË: veriu do t’i bashkohet Serbisë.»
Kjo, për fatin e keq të Lajčákut, nuk ndodhi. Terroristët e Serbisë ikën si qen të zgjebosur, me bisht ndër këmbë, duke lënë prapa shokë të vdekur e të plagosur, sepse nuk kishin përballë, si dikur, popull të paaramatosur apo të armatosur keq, fëmijë, gra e pleq, por një polici profesionale dhe të vendosur.
LAJČÁKU: «INDIVDË TË ARMATOSUR» BËJNË «ESKALIM»
Le të shqyrtojmë se çfarë tha e çfarë nuk tha në gjuhën diplomatike, të lyer me vaj putinist, pansllavisti Lajčáku, në dy minutat e veta para gazetarëve? Aj tha:
“Sulmi terrorist kundër Kosovës nga INDIVIDË TË ARMATOSUR përbën ESKALIM të qartë dhe të paprecedent.”
Pra, është “sulm terrorist”, por është bërë nga “individë të armatosur”. Individët, qysh dihet, mbajnë përgjegjësi individuale. Nuk ka përgjegjësi institucionale, megjithëse bëhet fjalë për një numër prej gati njëqind kriminelësh që kanë ardhë nga Serbia. Ky është paralajmërim që Vučići e Serbia nuk do të kenë kurrfarë përgjegjësie për këtë krim. Mirëpo armatimi pesëmilionësh i prodhuar në Serbi, që një ushtri të vogël me nisë luftën, trajnimi i këtyre “individëve” në Serbi, kërcënimi i vazhdueshëm i Serbisë së Vučićit kundër Kosovës, vendosja në gatishmëri pranë kufirit me Kosovën e ushtrisë serbe, sipas Lajčákut, nuk paskan asnjë lidhje me këta “individë të armatosur”.
Lajčáku në vazhdim tha se “të gjithë dorasit duhet të vihen para drejtësisë dhe presim nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe veprim konkret në lidhje me këtë.” Pra, “dorasit duhet të vihen para drejtësisë”, por Lajčáku nuk saktëson se ku, para cilës drejtësi duhet të vihen këta “doras” dhe pse deri sot asnjë nga këta “doras” jo vetëm që nuk i është dorëzuar autoriteteve në Kosovë, por ata shëtiten të lirë në Serbi, pa u hy therë në këmbë, sikurse mija kriminelë gjakpirës e dhunues të kohës së luftës. Serbia mund të thotë që nuk i njeh autoritetet e Kosovës, por ajo këta kriminelë mund t’ia dorëzojë Eulexit, që arreston pa problem shqiptarë në Kosovë të cilët kërkohen nga drejtësia.
LAJČÁKU: «KRYEMINISTRI KURTI KA PËRGJEGJËSI»
Lajčáku tha se “si kryeministër i Kosovës, kryeministri i Kosovës KA PËRGJEGJËSI TË BËJË PËRPARIM NË NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE, nëse Kosova don të bëjë progres drejt Bashkimit Europian. Dhe këtu duhet të nënvizojmë nevojën e themelimit të asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë të mëtutjeshme. Pa këtë nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës.”
Kryeministri i Kosovës nuk mund ta bëjë atë që nuk po mund ta bëjë askush nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Lajčáku nuk don ta bëjë: të bindë apo të detyrojë kriminelin Vučići të nënshkrujë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti u ka thënë publikisht edhe ndërmjetësve ndërkombëtarë, edhe popullit të Kosovës, edhe BE-së, edhe ShBA-së, edhe Lajčákut, qartazi, sa më qartë s’ka ku shkon:
“UNË E PRANOJ DHE JAM GATI TA NËNSHKRUAJ MARRËVESHJEN.”
Asgjë më shumë se kaq nuk mund të bëjë asnjë politikan i Kosovës. Dhe është krim të kërkohet nga Kosova të bëjë çfarëdo hapi të radhës pa e nënshkru edhe pala tjetër këtë marrëveshje. Pra, përgjegjësia e kryeministrit Kurti ka mbaru përfundimisht në këtë pikë të fazës së tashme. Tash, pritet pajtimi dhe nënshkrimi i klerofashistit Vučići.
Vučići ka deklaru publikisht se "i dhemb dora për me nënshkru marrëveshjen". Këto dhembje sigurisht i vijnë nga masturbimet maniake që din t’i bëjë vetëm aj: si ato politike, ashtu edhe ato të seksuale. Ose nga dora e rraskapitun nga vrasjet "e njëqind myslimanëve për një serb", qysh pati deklaru në parlamentin e Serbisë. Lajčáku, bashkë me bylykun e diplomatëve që po i shëtit poshtë e përpjetë si beqarë që kërkojnë nuse, duhen me u kujdesë e me gjetë ilaçin e duhur për dorën e Vučićit dhe jo me kërku përgjegjësinë e paqenë të Kurtit. Kurtit, për fat të mirë, s’po i dhemb askund, pos dhembjes së syve, kur po sheh përballë tij kriminelë pansllavistë të tipit të Lajčákut.
ESKALIMI I GJUHËS SË ESKALATORIT
Në fund, kur pritej me thënë një gjysë fjale kritike për Serbinë e Vučićit, Lajčáku tha:
“Sulmi në Banjë ka ndërru shumë gjëra. Mendoj se isha shumë i qartë: duhet të hetohet si duhet, të nxirren përfundime dhe dorasit duhet të ballafaqohen me pasojat. Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë, dhe ç’është e vërteta, është më e rëndësishme se kurrë, sepse kur nuk ka dialog, MUND TË KETË PËRSËRITJE TË ESKALIMIT. Kjo nuk është ajo që ne dojmë me ndodhë. Dhe jam i sigurt se nuk është çfarë doni ju. Dhe kjo është pse jemi këtu. Dhe kjo është pse dojmë me ecë përpara me procesin e normalizimit dhe çfarë ishte arrijtë pajtim në Ohër.”
Megjithëse Lajčáku tha se “sulmi ka ndryshu shumë gjëra” na e dijmë se ajo që ka thënë Lajčáku “para sulmit” dhe ajo që thotë tash “pas sulmit” është vetëm një gjë: themelimi i asociacionit. Pra, së paku sa i përket Lajčákut, “sulmi” klerofashist nuk ka ndryshu asgjë. As pafytyrësinë e tij prej pansllavisti.
Mirëpo ajo që e Lajčákun e bën zëdhënës të Radoičićit e të Vučićit, pra, të klerofashizmit serb, është pohimi i tij se “kur nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të eskalimit”. Lajčáku, - ashtu si Radoičići nga kodrinat e Mitrovicës dikur, si i arratisur prej drejtësisë, - kërcënon njësoj autoritetet e Kosovës dhe kryeminsitrin Kurti, pos që Lajčáku e thotë me gjuhë diplomatike atë që Radoičići e thoshte me gjuhë klerofashiste, por të dy, njësoj kriminale. Lajčáku thotë se “kur nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të eskalimit”, ndërsa Radočići thoshte se “Jam këtu. Jam kthyer. E ju e dini çfarë do të thotë kjo.” Pra, me përkthy në gjuhën e Lajčákut atë që aj e qun “eskalim”, në gjuhë Radočićit i bjen “terrorizëm” dhe “agresion”. Kështu del që Lajčáku po thotë: “Nëse nuk ka dialog, mund të ketë terrorizëm dhe përpjekje të re për agresion”. Kështu që, mundet veç me u imagjinu që po të kishte qenë Radočići diplomat sllovak, kish me i thënë bash këto fjalë të Lajčákut dhe po të kishte qenë Lajčáku bandit, kish me i thënë bash ato fjalë të Radočićit.
Lajčáku, si përfaqësues i BE-së, do të duhej me thënë që në asnjë rrethanë, kurrë më, nuk duhet të ndodhë kurrfarë “eskalimi”, ashtu qysh ndodhi në Banjë dhe të dënojë Serbinë për këtë akt. E vërteta është që autoritetet e Kosovës asnjëherë as nuk kanë bë, as nuk mund të bëjnë “eskalim” në praninë kaq të madhe administrative dhe ushtarake ndërkombëtare. Nëse për Lajčákun dhe grigjën e tij eskalim quhet vendosja e ligjit dhe rendit në territorin e Kosovës, atëherë Lajčáku ka problem me përkufizimet e fjalëve. Në komunat e tjera të Kosovës ka më shumë serbë sesa në veri dhe aty, për çudi, nuk ka as “eskalim”, as “sulm terrorist”, as “agresion”. Serbët në jug jetojnë të qetë si të gjithë banorët e tjerë të Kosovës. Këtë fakt Lajčáku as nuk dëshiron ta shohë, as ta pranojë.
Në fund, pohimi i këtillë i Lajčákut, relativizion dhe zbut peshën e rëndë të krimit të agresionit të Serbisë kundër Kosovës në nivel “eskalimi”. Me i kërku përgjegjësi të rrahurit pse po rrihet, të plaçkiturit ose po plaçkitet apo të vrarit pse po vritet është krim që din ta bëjë vetëm një mendje e kalbur pansllaviste si kjo e eskalatorit Lajčáku.
Nuk ka “eskalim”, zoti eskalator. Ka sulm kundër rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës nga bandat kriminale klerofashiste serbe, që kanë plaçkitë vetë popullin serb të veriut të Kosovës duke ndërtu laboratore droge, duke grumbullu pasuri prej qinda milionash, duke ndërtu vila me pishina për vete dhe, si hobi, duke u marrë edhe me "mbrojtjen e serbëve të Kosovës" në veri, si me kolekcionim të fluturave në një album insektariumi. Ky kujdes për serbët është shfaqë duke vra kundërshtarë politikë, duke kërcënu të padëgjueshmit, duke djegë kerre, duke djegë qendra votimi dhe duke kthy pluralizmin politik të serbëve të Kosovës në monizëm klerofashist.
Nuk ka “eskalim”, zoti eskalator. Ka sulm kundër integritetit dhe sovranitetit të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, të cilin Lajčáku nuk e njeh. Agresioni i Serbisë në veri kurrë nuk do të bëhej nëse do të mjaftonin barrikadat, - shpikje e revolucioneve milosheviqiane - dhe po të ishin disa politikanë të dikurshëm të Kosovës që nëshkrunin jo vetëm mbi çdo marrëveshje të faqes së zezë, por edhe mbi peceta e letra tualeti, vetëm e vetëm mos me ua prishë humorin "miqve ndërkombëtarë".
Krejt kjo do të thotë që për kohën dhe intensitetin e “eskalimit” kujdeset Serbia e Vučićit. Eskalatori Lajčák, si këshilltar i dëshmuar i serbëve qiellorë, e din këtë më mirë se kushdo tjetër. Prandaj rreziku i “eskalimit”, nëse kryeministri Kurti nuk tregohet i përgjegjshëm, është presion dhe kërcënim ndaj Kosovës, veçse i thënë me gjuhë diplomatike, nga eskalatori Lajčáku.

FAKTORI SHQIPTAR DHE PAMJA E SHTREMBËRUAR MEDIATIKE

  Agim MORINA 7 korrik 2023 Facebook Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mediat e Beogradit patën nisë një fushatë të egër antishqipt...