Shumica e studiuesve të shqipes pajtohen se klasifikimi i foljeve shqipe në
zgjedhime ka qenë dhe ka mbetë një nga problemet më të mëdha të gramatikëhartuesve
të shqipes. Këtë e thonë, ndër të tjerë, edhe Selman Riza, Fatmir Agalliu,
Tomor Osmani, Rami Memushaj etj. të cilët janë marrë me këtë problem. Edhe
studiuesi, Shaban Demiraj, megjithëse ka bë një varg përpjekjesh për me gjetë
një zgjidhje të qëndrueshme që nga viti 1967 (me dispensën e tij), e duke
vazhdu me artikullin kushtu klasifikimit me 1969, masandej me Gramatikën e
Akademisë 1976, e deri sot nuk arrijti, prore, me dhënë një zgjidhje të
qëndrueshme. Disa studiues si F. Agalliu, T. Osmani e R. Memushaj i bënë disa
vërejtje konstruktive qasjes së Demirajt por këto kritika, duke qenë të
pjesërishme, nuk i dhanë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.
Me thënë shkurt, trajtat e ndryshme që merr një folje në paradigmën e vet
quhet zgjedhim. Për shembull, paradigmën e foljes punoj-punova-punu(ar) e
ndjekin me mija folje të shqipes si: mendoj, kërkoj, shikoj etj.,
sipas vetës, sikohës, mënyrës, numrit etj., kështu del që paradigma paraqet një
grup elementesh gjuhësore me tipare të përbashkëta. Megjithëse në shikim të
parë gjithçka duket e thjeshtë, çështja ndërlikohet kur kemi ndryshim të
pjesërishëm apo të plotë të ndonjë foljeje apo grupi foljesh nga kjo paradigmë.
Si pasojë, bëhet e paqartë se a bëhet fjalë për një zgjedhim apo për një klasë
të veçantë. Fjala vjen, a mun, folja shkruj (shkruaj), me
hy në paradigmën e foljes punoj? Megjithëse folja shkruj
(shkruaj) në një pjesë të paradigmës zgjedhohet njësoj me
foljen punoj, (në thjeshtore (‘e kryera e thjeshtë’) dhe në
pjesore), ajo shfaq dallime në tashmoren (‘e tashme’) dhe pashkutoren (‘e
pakryera’) dëftore sepse në vend të -o-së tematike (pun-o-j/pun-o-ja)
del me -u (apo me togun zanor -ua-: shkr-u(a)-j/shkr-u(a)-ja).
Në këtë rast studiuesi duhet me u përcaktu, me marrë qëndrim, se qysh m’ia bë:
me e trajtu si zgjedhim, klasë a nënklasë të veçantë apo si klasë pjesërisht të
ngjashme. Për me mujtë me marrë çfarëdo qëndrimi, studiuesi duhet m’i përcaktu
kriteret e veta që sistemi i tij me qenë sa më i pranueshëm, i thjeshtë dhe i
përshtatshëm. Por, këto kritere e qëndrime, nuk mujnë m’u trajtu pa pasë një
vështrim të përgjithshëm për të gjitha foljet, dhe pa i pa lidhjet ndërmjet
zgjedhimesh e klasash e nënklasash me të njëjtin trajtim paradigmatik. Në këtë
mënyrë del që përcaktimi i kritereve ësht i një rëndësie parësore gjatë
trajtimit të një problemi të këtillë. Kjo ka qenë dhe ka mbetë thembra e Akilit
e të gjithë studiuesve të mëparshëm të shqipes të cilët janë marrë me
klasifikimin e foljeve shqipe në zgjedhime. Kjo mbetet pikë e dobët, gjithsesi,
edhe e klasifikimit të Sh. Demirajt.
Kriteret e Demirajt
Sh. Demiraj e nis kështu nënkapitullin për klasifikimin e foljeve në
zgjedhime në Gramatikën e Gjuhës Shqipe 1 (Grup Autorësh, Gramatika e Gjuhës
Shqipe 1, AShSh, IGjL, Tiranë, 2002. Kapitulli për foljet i shkruar nga Sh.
Demiraj në fqt. 259-356. Pjesa për klasifikimin e foljeve fqt. 278-285. Fjalët
në kllapa katrore tregojnë ndryshimet kozmetike nga botimi i parë i vitit
1976):
“Çështja e klasifikimit të foljeve në zgjedhime nuk ka gjetur [ende] një
zgjidhje përfundimtare [të kënaqshme] në gramatologjinë e gjuhës shqipe.
Arsyeja kryesore për këtë do kërkuar në vështirësitë që paraqit sistemi foljor
i shqipes, i cili gjatë zhvillimit historik ka pësuar ndryshime të mëdha të
karakterit fonetik dhe gramatikor. Zgjidhjen e këtij problemi e ka vështirësuar
edhe mungesa e kritereve të përbashkëta sa më racionale. Në gramatikat e gjuhës
shqipe janë ndjekur kritere të ndryshme për çështje të tilla si[:] trajtimi i
foljeve të parregullta, format themelore që vihen në bazë të klasifikimit në
zgjedhime, numri i zgjedhimeve dhe i nënndarjeve të tyre etj.”
Pohim i parë se ‘arsyeja kryesore’ qëndroka në ‘vështirësitë që
paraqit sistemi foljor i shqipes’ ësht i paqëndrueshëm dhe i paargumentuar
sepse shqipja nuk ka një sistem shumë më të ndërlikuar se shumë gjuhë të tjera
indo-europiane, e aq më pak e ka të pazgjidhshëm. Në të vërtetë, ësht e
kundërta: problemi më i madh për morfologjinë e shqipes janë vetë autorët që e
kanë studiu shqipen dhe pamundësia e tyre për m’i shpjegu si duhet rregullsitë
e shqipes.
Pohimi i dytë se ‘zgjidhjen e ka vështirësuar mungesa e kritereve të
përbashkëta sa më racionale’ qëndron dhe ësht diagnostikim i saktë i
problemit ngaqë ndjekja e kritereve jo ‘të përbashkëta’ ka shkaktu
probleme. Por, kush duhet m’i vu kriteret ‘e përbashkëta’ dhe
m’i përcaktu ato? Kush duhet m’u kujdesë që klasifikimi i foljeve në zgjedhime
të thjeshtohet, nëse jo vetë studiuesit e shqipes? Për më tepër, ky pohim i
Demirajt ësht përsëritë qysh prej botimit të parë të kësaj gramatike më 1976 e,
së paku, deri në vjetin 2002 dmth. për gati tridhjetë e kusur vite. As për këto
tri dekada, as Demiraj dhe as Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë,
nuk arrijtën dot me gjetë ‘kritere të përbashkëta’ dhe ‘sa
më racionale’!
Mbas kësaj hyrjeje pesimiste, Demiraj vazhdon me mbarështimin e 5 ‘kritereve
të ndryshme’, modestisht ‘racionale’, (të cilat i pati vu qysh më
1969 në Studime Filologjike nr. 3):
‘Për klasifikimin e foljeve në zgjedhime do të ndiqen
këto kritere:
1. Problemi do të shihet në planin thjesht sinkronik
dhe si bazë do të merret shqipja e sotme letrare.
2. Një folje që gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi
që nuk e lejojnë të grupohet me folje të tjera, do të lihet jashtë klasifikimit
në zgjedhime dhe do të trajtohet si e parregullt. Këtu është fjala jo vetëm për
foljet supletive por edhe për ato folje temat e të cilave gjatë zgjedhimit
pësojnë ndërrime tingujsh që në shqipen e sotme paraqiten të veçuara (…).
3. Për klasifikimin e foljeve në zgjedhime do të
mbështetemi në tingullin fundor (përkatësisht tingujt fundorë, kur këta janë
togje zanoresh) të temave si dhe në mbaresat vetore të kohës së tashme të
mënyrës dëftore në formën [diatezën] veprore. Për të gjetur temën do të
mbështetemi kryesisht (nën. A.M.) në formën e vetës së tretë (më
ndonjë rast edhe në atë (nën. A.M.) të vetës së
dytë njëjës) të së tashmes, pasi në këtë formë, që është një nga më të
përdorurat, tema e foljes mund të veçohet relativisht lehtë në shqipen e sotme
letrare.
4. Për ndarjen e mëtejshme të zgjedhimeve në klasa e
nënklasa do të mbështetemi jo vetëm (nën. A.M.)në temën e kohës
së tashme, por edhe (nën. A.M.) në atë të së kryerës së
thjeshtë e në disa raste (nën. A.M.) edhe në atë
të pjesores.’
5. Për renditjen e zgjedhimeve të ndryshme dhe të
klasave e të nënklasave përkatëse do të merren parasysh sasia numerike e
foljeve, që ato ngërthejnë, si edhe shkalla e prodhimtarisë së tyre.’ (fqt. 278-279)
Kriteret si kundër-kritere
Sipas këtyre kritereve na e kemi paraqitë
klasifikimin e Demirajt në mënyrë tabelare (Tabela 1)
Tabela 1
Le të shpjegohemi.
1. Në vitin
1969 ‘shqipe e sotme letrare’ nuk ishte ajo që na paraqitet vetëm si
toskërishte letrare.
2. Demiraj e
thotë qartë:
‘Një folje që
gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi që nuk e lejojnë të grupohet me folje të
tjera, do të lihet jashtë klasifikimit në zgjedhime dhe do të trajtohet si e
parregullt’. Por problemi
ësht që aj nuk ka arrijtë me bë identifikimin e saktë të foljeve të parregullta,
qoftë edhe simbas kritereve të veta. Nga 18 foljet që i njihte si të
parregullta më 1967, në vitet 1976-2002 i ul në 14. Folja ‘lë’ nuk
figuron fare në vitin 1967 në listën e të parregulltave, as supletive, as
josupletive! Por nga të parregulltat e vitit 1967 në vitet 1974-2002 janë heqë
foljet zë, vë, nxë, shtie dhe shpie
dhe janë bë ‘të rregullta’. Në bazë të cilit kriter? Për këtë nuk jepet
asnjë shpjegim.
3. Edhe
kriteri i tretë i Demirajt ësht i paqartë për vetë Demirajn. Aj thotë se ‘do
të mbështetemi në mbaresat vetore të kohës së tashme’ dhe se ‘për të
gjetur temën do të mbështetemi kryesisht (nën. A.M.)në formën e
vetës së tretë (më ndonjë rast edhe (nën. A.M.) në atë të vetës
së dytë njëjës). Vetë fjalët ‘kryesisht’ dhe ‘më ndonjë
rast edhe…’ e bëjnë këtë kriter kundër-kriter, për ekselencë!
Sepse çfarëdo që ësht jashtë ‘kryesisht’-it dhe çfarëdo që ësht jashtë ‘më-ndonjë-rast’-it
sipas kriterit të dytë të vetë Demirajt, le të përkujtojmë: ‘((n)jë folje që
gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi (…) do të lihet jashtë klasifikimit në
zgjedhime dhe do të trajtohet si e parregullt’ duhet me u klasifiku si e
parregullt. Sepse kurrkush, e qysh shihet as vetë Demiraj, nuk e din se cilat
janë foljet përveç ‘kryesisht’-it dhe cilat janë të ‘më-ndonjë-rast’-it,
duke pasë parasysh faktin që vetë autori nuk ka bë një listim të foljeve me
pretendime shteruse, një leksikon foljesh! Kështu, kriteri i dytë e demanton
kriterin e tretë. Në të vërtetë, pyetja do të duhej me qenë: a ka parimsi, a ka
kriter, me përcaktimet ‘kryesisht’ e ‘më ndonjë rast’?
Natyrisht që jo.
4. I
ashtuqujturi ‘kriter i katërt’ ia kalon edhe kriterit të tretë për nga
mohimi shembullor i të qenit kriter, sepse Demiraj pohon se ‘për ndarjen e
mëtejshme të zgjedhimeve në klasa e nënklasa do të mbështetemi jo vetëm
(nën. A.M.) në temën e kohës së tashme, por edhe (nën. A.M.) në
atë të së kryerës së thjeshtë e në disa raste (nën. A.M.) edhe në atë të pjesores.’
Pra, shprehjet ‘jo vetëm’, ‘por edhe’ dhe, prap, ‘në
disa raste’ bijnë ndesh edhe një herë me kriterin e dytë, sikurse me
të tretin, dhe e lënë pezull faktin se cilat janë foljet me nënkriterin ‘jo
vetëm’, cilat me nënkriterin ‘por edhe’ dhe cilat mbeten me
nënkriterin ‘në disa raste’! Vetë fjala kriter këtu bëhet e pakuptimtë.
E para që na vjen në mendje ësht se, nëse egziston një folje e cila ‘në disa
raste’ duhet me u pa ndryshe, pra, duhet me përmbushë një kriter shtesë,
atëherë ajo, realisht, nuk do të duhej me i taku asaj klase apo atij zgjedhimi
dhe, prap, do të duhej me qenë ose një (nën)klasë tjetër, ose e parregullt për
m’u pajtu me kriterin e dytë.
5. Kriteri i
pestë i Demirajt merr për bazë ‘shkallën numerike’ dmth. përpjestimin
numerik të foljeve. Ky ësht i vetmi kriter të cilin Demiraj e ka respektu pak më
mirë sesa kriteret e tjera, megjithëse edhe këtë e ka dhunu me shpikjen e
zgjedhimit të tretë prej nëntë foljesh gjë që ka kriju një asimetri të
paarsyetueshme të zgjedhimeve. Për me qenë edhe më keq, ky zgjedhim stërndahet
më tej edhe në tri nënklasa të përbëra prej 4, 3 dhe 2 foljesh!
Nga analiza e
kritereve që ka parashtru dhe i ka trajtu autori na mujmë me thënë se gjendja
na del, përgjithësisht, Demiraj kundër Demirajt! Kështu, klasifikimi i foljeve
në zgjedhime i këtij studiuesi nuk paraqet ndonjë risi dhe nuk shënon ndonjë
hap përpara në krahasim me ndarjet që ishin bë tashma në gramatikat tjera.
Problem tjetër ësht se ky klasifikim jo vetëm që vazhdoi me egzistu pa u qortu
për gati tridhjetë e kusur vite, por edhe shërbeu dhe shërben edhe sot si
klasifikim kryesor në shumicën e shkollave shqipe! Kësaj mujmë m’ia shtu edhe
faktin se kjo gramatikë u botu nën emrin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve
të Shqipërisë, institucion i cili ka botu, gjithashtu, me 1980, Fjalorin e
Gjuhës së Sotme Shqipe, që të dy me pretendime normative! As më 1980, as
sot, kundërshtitë, paradokset dhe shkarjet e Gramatikës apo të Fjalorit, apo
edhe e të dyve bashkë, nuk u zgjidhën asnjëherë! Çfarë pune më të rëndësishme
kanë pasë gjuhëtarët e Akademisë? Më e pakta: kanë mujtë me u marrë me qortimin
e shkarjeve dhe paparimsive të veta.
Zgjedhimi i
parë
Marrja e
trajtës së foljes në sikohën tashmore të dëftores si kriter kryesor nuk ka
mujtë me i dhanë zgjidhje përfundimtare klasifikimit të foljeve në zgjedhime. E
aq më pak mbështetja ‘kryesisht’ dhe ‘më ndonjë rast’
në kritere të tjera sepse kjo qasje e zhvlerëson kriterin si të tillë.
Në foljet e
tipit laj-lava-larë (nënklasën 2 të klasës I (zgjedh. I), fjala
vjen, autori e fut edhe foljen blej duke dhënë një shënim që tema
e kësaj foljeje në vetën e dytë shumës të tashmores dëftore, në pashkutore dhe
urdhërore del bli-. Në gegërishte trajta e kësaj foljeje ka shku
drejt rregullsimit dhe sot mun me u ndëgju e me u lexu shumë shpesh si
pashkutore bleja/bleje/blente apo urdhërore blej/bleni. Tash, ose do të duhej të rregullsohej kjo
folje duke pranu një temë të vetme ble- ose do të duhej të
klasifikohej si e parregullt sipas kriterit të dytë të vetë Demirajt. Një rast
i ngjashëm ndodh edhe me foljet arrij/gjej (nënklasa 1[a A.M.]
e klasës II) për të cilat Demiraj thotë se hyjnë në nënklasën që përfshin ‘një
numër të kufizuar foljesh’. Nga ky ‘numër i kufizuar foljesh’, në të
vërtetë, nuk ka tjetër folje. Ësht folja mbërrij por këtë Demiraj
e klasifikon në nënklasën 1[b A.M.]. Sipas F1980, foljet, arrij,
mbërrij dhe gjej në toskërishten letrare dalin në
thjeshtore jo me -jt- (si mba-jt-a) por vetëm me -t-:
arri-t-a dhe mbërri-t-a dhe kjo i bën me dalë
paradigmatikisht të parregullta. Mirëpo, në gegërishten letrare dy nga këto dalin
edhe si arri-jt-a dhe mbërri-jt-a, dmth. ashtu qysh
dalin foljet e rregullta me -jt- (mbajta, mbrojta). (Folja
e tretë gjej mbetet e parregullt duke qenë se në asnjë shkrim, në
asnjë gramatikë dhe në asnjë të folme nuk e kemi hasë si *gjejta-gjejtur.)
Pra, Demiraj s’mun me u përcaktu as që arrij e mbërrij
me qenë në një (nën)klasë. Edhe më keq, qysh do ta shohim, bjen në kundërshti
me Fjalorin e Akademisë.
Sh. D. zbaton
dy kritere për foljet ‘arrij’ dhe ‘mbaj’ (foljet që
dalin me -t- 1[a] dhe me -jt- 1[b])
por i trajton si të një nënklase. Një listë e 1[b] jepet në
fusnotën 1a: gogësi-j, kërcëlli-j, teshti-j dhe
shty-j dmth. që zgjedhohen si gogësi-j, ~jta, ~jtur, kërcëlli-j,
~jta, ~jtur, teshtij, ~jta, ~jtur dhe shtyj,
~jta, ~jtur Por në F:1980 /2002 janë klasifiku jo si folje të kësaj
klase, por të klasës së tipit: gogësi/j, ~va, ~rë ose si gogësit,~a,
~ur etj. Pra, jepen dy mundësi dhe asnjëra nuk del me atë të Demirajt!
Folja mbre-j te Demiraj ësht klasifiku si e nënklasës 1[b],
(zgjedh. II): mbre/j, ~jta, ~jtur por në F:1980 /2002 del: mbreh,
~a, ~ur. Në këtë listë gjendet edhe folja truaj-truajta-truajtur)
që në F:1980/2002 del si e klasës së tipit truaj-trova-truar! Kështu,
ose F:1980/2002 ësht dashë me i qortu këta zëra, ose Gramatika e Akademisë ësht
dashë me rishiku listën e shembujve të vet gjatë ribotimeve për mos me i hutu
nxanësit e studentët me udhëzime kundërthënëse sepse janë tekste që dalin nga
institucioni i njëjtë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, duke ia shtu kësaj
pretendimet se të dyja tekstet pretendojnë me qenë normative. Një shqiptar,
duke ndjekë dy tekste me pretendime të tilla normative, nuk din qysh m’ia bë: a
ësht autoritet, në këtë mes, fjalori apo gramatika e Akademisë? A e shkel
normën një shqiptar kur shkrun teshtij-teshtiva-teshtirë (F1980/2002),
duke ndjekë Kostallarin me grupin e tij, apo teshtij-teshtijta-teshtijtur;
duke ndjekë këshillat e Demirajt? A me shkru gërgas-gërgava-gërgarë
apo gërgas-gërgita-gërgitur? Ndoshta do të varet nga ajo se cilin
libër e kap me dorë më parë!
Nënklasë 2 ‘e
rregullt’ e kësaj klase dalin foljet bëj dhe hyj për
shkak se këto folje në thjeshtore dalin ‘me temë të zgjeruar -r-‘.
Prap, simbas kriterit të dytë të Demirajt këto ësht dashë me u klasifiku si të
parregullta sepse janë vetëm dy folje të parme (bëj, hyj) dhe
pesë të prejardhura (përbëj, ribëj, shpërbëj, zhbëj, ndërhyj) që
e përbëjnë këtë grup dhe që, gjithsesi, shfaqin ‘parregullsi’ duke qenë se në
thjeshtore e pjesore zgjerojnë temën me një ‘-r-’. Por, nëse këto
folje ësht dashë me hy në një klasë apo nënklasë të të rregulltave atëherë ësht
dashë me hy në nënklasën 2 (e tipit laj, zgj. I, kl. 1),
sepse kanë më shumë afërsi paradigmatike. Krahasoni: bë/j, ~RA, ~rë
me la/j, ~VA, ~rë dhe këto me mbaj, ~JTA, ~JTUR!
Folja bëj dallohet nga folja laj vetëm në
thjeshtore ndërsa nga folja mbaj, edhe në thjeshtore, edhe në
pjesore!
Zgjedhimi i
dytë
Në zgjedhimin
II, si klasë I, Sh. D. vendos foljet që ‘dalin me të njëjtën temë në të
tashmen, në të kryerën e thjeshtë dhe në pjesore’: hap-hapa-hapur;
vendos-vendosa-vendosur etj. Por, në një shënim, aj thotë se këtu futen
edhe foljet e tipit: ik-i, ik-ën, ik-ën; hip-i, hip-ën, hip-ën të
cilat në tri vetat tashmore dëftore dalin me mbaresa. Në të vërtetë, këto
mbaresa janë arkaizma, të cilat në të kaluarën kanë qenë veçori e kësaj klase
në tërësi, prandaj numri i tyre ndryshon simbas autorëve e ndonjëherë edhe në
librat e ndryshëm të të njëjtit autor. Në vitin 1967 vetë Demiraj liston katër
folje: ik-i, ec-i, hip-i dhe lyp-i. Këtë listë prej
katër foljesh e ka edhe Sheperi qysh më 1927 (fq. 89). R. Memushaj (1989)
propozon klasifikimin e tyre në klasën I, si të rregullta, dmth. pa këto
mbaresa arkaike, një propozim padyshim me vend, sepse mbajtja e këtyre
mbaresave i bën këto folje me dalë si të parregullta.
Në grupin e
foljeve që pësojnë apofoni (kalimet -e-/-je- në -o- (sjell-solla)
dhe kjo merret si kriter për këtë nënklasë 1) janë listu edhe foljet që pësojnë
edhe palatalizim (pjek-poqa e djeg-dogja). Këto
folje, sipas kritereve të Demirajt, ësht dashë me u trajtu si të parregullta,
ose si një nënklasë e veçantë, gjithnjë simbas kriterit të dytë të vetë
autorit. Poende, këtu kanë hy si nënklasë b) edhe foljet dal dhe marr!
Në nënklasën
2 të klasës II Sh. D. klasifikon foljet ‘me temë të zgjeruar të tipit përkas,
që pësojnë ndërrim zanor a:e në vetën e dytë e të tretë njëjës të kohës
së tashme të mënyrës dëftore dhe që në të kryerën e thjeshtë dalin ose me temë
të pazgjeruar ose edhe me temën e zgjeruar të së tashmes duke pësuar ndërrimin e:i.’
(2002 fq. 283). Autori paraqet një listë, sipas tij shteruse, duke thënë ‘këto
janë’: bërtas, buças, çokas, flas ( dhe thërras.
Por edhe këtu dalin probleme. Folja spërkas sipas F:1980/2002 nuk
i përket kësaj klase por klasës I (zgjedh. II)(hap-hapa-hapur) dhe
zgjedhohet si spërkaT/S-spërkatA-spërkatUR
e jo si spërk-AS- spërkITA-spërk-ITUR. Një tjetër mosmarrëveshje
tridhjetë-e-kusur-vjeçare në mes të Fjalorit të Akademisë (1980/2002) dhe
Gramatikës së Akademisë!
Folja flas
paraqet shpërndërrime tingullore që s’i lënë asnjë mundësi që të trajtohet si e
rregullt në asnjë klasë dhe me asnjë kriter të vetë Demirajt. Autori i
referohet ‘referencës diakronike’ (nga dispensa e tij e vitit 1967 ku
thoshte se nuk do të përjashtonte ndonjë ‘referencë diakronike’ gjatë
klasifikimit. Problemi ësht se në tekstin e ri dhe në ribotimet e tij
(1976-2002) këtë gjysë-kriter, vetë Demiraj, e ka heqë nga teksti, ndërsa
vazhdon m’iu referu si kriter) dhe paraqet trajtën e supozuar ‘*folas’ si
argument pse folja flas duhet të klasifikohet në këtë klasë!
Fundi i fundit, problemi nuk ësht marrja e referencës prapavështruese
(diakronike) si kriter, por problem ësht zbatimi i këtij kriteri vetëm te një
folje e vetme mbrenda një klase dhe zhverësimi i kriterit të parë që Sh. D. e
vendos duke thënë se qasja e tij ka me qenë tashvështruese (sinkronike)! Nëse
do të zbatohej një kriter në mënyrë të këtillë përzgjedhëse atëherë pse këtu të
mos kishin hy edhe dijta, arrijtae mbërrijta
të cilat nuk janë vetëm referenca prapavështruese por edhe përzgjedhje në mes
variantesh letrare të cilat, për më tepër, e stabilizojnë sistemin si tërësi.
Foljet brohoras,
gërgas, godas, sokëllas, trohas, vërras nuk gjenden në listën e kësaj
klase të Demirajt por janë në F:1980/2002 si brohor/AS-~ITA-~ITUR
etj. Për më tepër, folja gërgas te Demiraj del si e nënklasës 3 e
kësaj klase, bashkë me foljet shkas, vras, ngas! Dmth. supozimi ësht
se folja gërgas duhet të zgjedhohet si gërAS-gërgaVA-gërgaRë!
Ndërsa në F:1980/2002 del si gërg/AS-~ITA-~ITUR!
Në ‘Shënim’
autori thotë se ‘në këtë nënklasë përfshihen edhe foljet shes,
pres (prita), zbres’ (fq. 283). Përveç këtyre janë edhe disa folje të
parme: bares e qes (në F:1980/2002 jepet si
kryesore trajta qit/s); dhe të prejardhura mirëpres,
ndërpres, parapres, paraqes (në F:1980/2002 jepet si kryesore trajta paraqit),
stërshes (në F:1980) jepet vetëm trajta joveprore stërshitem)
dhe rishes. Arsyeja pse po e japin një listë të plotë ësht se,
qysh shihet, numri i foljeve të tipit shes ësht dy herë më i madh
sesa që e paraqet autori si listë shteruese. Ky grup, poashtu, paraqet dallim
paradigmatik nga nënklasa ku e ka klasifiku Demiraj, prandaj ësht dashë me u
trajtu si nënklasë më vete duke qenë se në vetën e parë e të dytë njëjës tashmore
dëftore nuk paraqitet shpërndërrimi -as/-es por -es/et (le
të krahasohet, fjala vjen, njëjësi (I) godas/shes,
(II) godet/shet.
Zgjedhimi i
tretë
Zgjedhimi i
tretë ësht dëshmia më e mirë e dhunimit të të gjitha kritereve që Demiraj i ka
parashtru si kritere. Numri i foljeve që përfshin ky zgjedhim ësht 9 (me
shkrim: nëntë)! Zgjedhimi i parë ka rreth dy mijë e treqind folje; zgjedhimi i
dytë ka rreth një mijë e treqind folje dhe i treti: nëntë! Dmth. me numra
2300:1300:9! Janë një mori klasash e nënklasash që kanë numër më të madh sesa
ky zgjedhim! Për më tepër, ky zgjedhim prej nëntë foljesh ësht stërnda, më
tutje, në tri klasa:
- klasa I, me
4 (katër) folje: vë, zë, përzë dhe nxë;
- klasa II,
me 3 (tri) folje: di, fle dhe ngre ngaqë
në tashmore mbarokan me zanore dhe në thjeshtore marrin një -t-.
Me këtë kriter këtu do të duhej me qenë edhe folja ‘vete/vajtur’ sepse
për Sh. D. ishte njësoj veçoria -t-/-jt- dhe
- klasa e
III, me 2 (dy) folje: pi dhe shtie!
Pra, bëhet
fjalë për një klasë prej DY foljesh! Në shënimin e radhës autori shton se ‘(s)ipas
paradigmës së zgjedhimit III zgjedhohen (…) edhe foljet e parregullta lë
(la-shë, lë-në) dhe bie (ra-shë, rë-në)’. E pse
nuk ësht përfshi këtu edhe folja bie (pru-ra, pru-rë) që ndjek të
njëjtin model?
Foljet e parregullta
Sh. Demiraj
njeh si të parregullta 14 folje të cilat i ndan në folje të parregullta
supletive: jam, kam, bie (1), bie (2), ha, jap, rri,
shoh dhe vij dhe në folje të parregullta josupletive: them,
dua, lë, vdes, dhe vete. Nëse krahasojmë foljen bie,
rri apo lë si të parregullta, me foljet shpie,
shtie, vë, zë e të tjera si këto na nuk shohim ndonjë dallim të madh
mes tyre. Në tashmoren dëftore, të cilën Demiraj e ka kriter kryesor, shumica e
tyre dalin me trajta të rregullta. Le të krahasojmë edhe me trajta më
përfaqësuese, fjala vjen, foljen lë-lashë-lënë me vë-vura-vënë;
apo vete-vajta-vajtur me vdes-vdiqa-vdekur. Folja vdes
– e parregullt – pëson, nëse jo më shumë, atëherë po aq ndryshime sa edhe folja
vete që te Demiraj del ‘e rregullt’! Pika më e dobët te Demiraj –
dhe, fatkeqsisht, te të gjithë gramatikëhartuesit e shqipes – ësht që aj nuk
sheh kurrfarë rregullsie paradigmatike te foljet që i klasifikon si të
parregullta, ndoshta duke u nisë prej emrit të tyre, sepse tashmë janë qujtë të
parregullta. Mirëpo, qysh do të shihet në qasjen tonë, edhe foljet e
parregullta të shqipes kanë rregullsi mjaft të qëndrueshme me ndonjë përjashtim
shumë të rrallë.
Foljet e
nënklasës 1, të klasës II: nxjerr, vdjerr e marr apo ndjek,
përpjek, ndjek dhe përndjek
po ashtu paraqesin parregullsi në nënklasat e tyre sipas kritereve të Demirajt
por nuk ësht thanë kurrkund shkoqur e qartë cili ndryshim paradigmatik, deri në
çfarë mase, nuk do të trajtohet parregullsi nëse paraqitet te ndonjë folje dhe
për ç’arsye. Folja shtie, gjithnjë sipas Demirajt, quhet e
rregullt dhe i përket klasës III (zgjedh. III) i përbërë prej dy foljesh: pi
dhe shtie. Çfarë ka paradigmatikisht të rregullt mes foljes pi
dhe shtie? Në krahasimin e foljeve në tashmoren e thjeshtoren e
dëftores dhe në pjesore dalin si në Tabelën 2.
Tabela 2
Qysh mun me u
pa qartë, në tashmoren dëftore dhe në pjesore s’ka asgjë të përbashkët në mes
të foljes pi/pirë dhe shtie/shtënë por krahasimi në
mes të foljes shtie dhe shpie tregon se çdo gjë mun
me u qujtë rregullsi paradigmatike në tashmoren dëftore e në pjesore. Ato që
dallohen në mes të foljes shtie e shpie janë
trajtat në thjeshtoren dëftore. Por në trajta të tjera të dyta na shohim që
folja shtie në çiftin thjeshtore/pjesore del edhe si shtura/shturë
(CIPO:1949; KAMSI:2000) e shtyra/shtyrë (SHEPERI:1927) (te
arbëreshët si pjesore del edhe shtier e shtunur (KAMSI:2000;
GERBINO :2009), por del edhe si shtira/shtirë (CAMAJ:1984;
FGjSh:1954); ndërsa folja shpie del edhe si shpura/shpurë
(CIPO:1949; RIZA:1967(1997)) (te arbëreshët edhe shpita/shpitur (KAMSI:2000).
Në këtë mes, egziston trajta në thjeshtore shtira/shtire/shtiri për
me u njëjtësu me paradigmën e foljes shpie. Por, të klasifikohet
folja shtie me foljen pi në një klasë dhe të ndahet
menjanë folja shpie asht, vërtet, e paarsyetushme duke marrë
parasysh faktin që edhe vetë Demiraj pohon se trajtën e tashmores ka me e
marrë si kriter kryesor! Dhe në tashmore foljet shtie/shpie dalin
krejt njësoj ndërsa folja pi del ndryshe nga folja shtie.
Le të
përmendim edhe disa folje që shfaqin parregullsi të tjera të cilat Demiraj nuk
i shqyrton fare. Foljet e tipit vesh, (zhvesh, përvesh), fsheh, kreh
në vetën e dytë shumës tashmore dëftore dhe në pashkutore ndërrojnë tingullin -e-~-i-:
vishni:vishja; fshihni:fshihja; krihni:krihja etj. Nuk dihet se
ku bëjnë pjesë këto folje. Nuk thuhet, masandej, se ku bëjnë pjesë foljet pyes,
picas, ndiej, ziej, përziej. Qysh shihet, nuk ka qoftë edhe një
kriter të vetëm të parashtruar prej vetë Demirajt që nuk bjen ndesh, në mënyrën
më shembullore, me një apo më shumë kritere të mbarështuar prej vetë autorit. A
mun me u qujtë ky klasifikim, klasifikim me kritere? A ka mujtë një qasje e
këtillë me i dhënë çfarëdo zgjidhje klasifikimit të foljeve në zgjedhime? Pa
asnjë dyshim, jo.
Agim MORINA
Londër, 11 gusht 2012
Shumica e studiuesve të shqipes pajtohen se klasifikimi i foljeve shqipe në
zgjedhime ka qenë dhe ka mbetë një nga problemet më të mëdha të gramatikëhartuesve
të shqipes. Këtë e thonë, ndër të tjerë, edhe Selman Riza, Fatmir Agalliu,
Tomor Osmani, Rami Memushaj etj. të cilët janë marrë me këtë problem. Edhe
studiuesi, Shaban Demiraj, megjithëse ka bë një varg përpjekjesh për me gjetë
një zgjidhje të qëndrueshme që nga viti 1967 (me dispensën e tij), e duke
vazhdu me artikullin kushtu klasifikimit me 1969, masandej me Gramatikën e
Akademisë 1976, e deri sot nuk arrijti, prore, me dhënë një zgjidhje të
qëndrueshme. Disa studiues si F. Agalliu, T. Osmani e R. Memushaj i bënë disa
vërejtje konstruktive qasjes së Demirajt por këto kritika, duke qenë të
pjesërishme, nuk i dhanë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.
Me thënë shkurt, trajtat e ndryshme që merr një folje në paradigmën e vet
quhet zgjedhim. Për shembull, paradigmën e foljes punoj-punova-punu(ar) e
ndjekin me mija folje të shqipes si: mendoj, kërkoj, shikoj etj.,
sipas vetës, sikohës, mënyrës, numrit etj., kështu del që paradigma paraqet një
grup elementesh gjuhësore me tipare të përbashkëta. Megjithëse në shikim të
parë gjithçka duket e thjeshtë, çështja ndërlikohet kur kemi ndryshim të
pjesërishëm apo të plotë të ndonjë foljeje apo grupi foljesh nga kjo paradigmë.
Si pasojë, bëhet e paqartë se a bëhet fjalë për një zgjedhim apo për një klasë
të veçantë. Fjala vjen, a mun, folja shkruj (shkruaj), me
hy në paradigmën e foljes punoj? Megjithëse folja shkruj
(shkruaj) në një pjesë të paradigmës zgjedhohet njësoj me
foljen punoj, (në thjeshtore (‘e kryera e thjeshtë’) dhe në
pjesore), ajo shfaq dallime në tashmoren (‘e tashme’) dhe pashkutoren (‘e
pakryera’) dëftore sepse në vend të -o-së tematike (pun-o-j/pun-o-ja)
del me -u (apo me togun zanor -ua-: shkr-u(a)-j/shkr-u(a)-ja).
Në këtë rast studiuesi duhet me u përcaktu, me marrë qëndrim, se qysh m’ia bë:
me e trajtu si zgjedhim, klasë a nënklasë të veçantë apo si klasë pjesërisht të
ngjashme. Për me mujtë me marrë çfarëdo qëndrimi, studiuesi duhet m’i përcaktu
kriteret e veta që sistemi i tij me qenë sa më i pranueshëm, i thjeshtë dhe i
përshtatshëm. Por, këto kritere e qëndrime, nuk mujnë m’u trajtu pa pasë një
vështrim të përgjithshëm për të gjitha foljet, dhe pa i pa lidhjet ndërmjet
zgjedhimesh e klasash e nënklasash me të njëjtin trajtim paradigmatik. Në këtë
mënyrë del që përcaktimi i kritereve ësht i një rëndësie parësore gjatë
trajtimit të një problemi të këtillë. Kjo ka qenë dhe ka mbetë thembra e Akilit
e të gjithë studiuesve të mëparshëm të shqipes të cilët janë marrë me
klasifikimin e foljeve shqipe në zgjedhime. Kjo mbetet pikë e dobët, gjithsesi,
edhe e klasifikimit të Sh. Demirajt.
Kriteret e Demirajt
Sh. Demiraj e nis kështu nënkapitullin për klasifikimin e foljeve në
zgjedhime në Gramatikën e Gjuhës Shqipe 1 (Grup Autorësh, Gramatika e Gjuhës
Shqipe 1, AShSh, IGjL, Tiranë, 2002. Kapitulli për foljet i shkruar nga Sh.
Demiraj në fqt. 259-356. Pjesa për klasifikimin e foljeve fqt. 278-285. Fjalët
në kllapa katrore tregojnë ndryshimet kozmetike nga botimi i parë i vitit
1976):
“Çështja e klasifikimit të foljeve në zgjedhime nuk ka gjetur [ende] një
zgjidhje përfundimtare [të kënaqshme] në gramatologjinë e gjuhës shqipe.
Arsyeja kryesore për këtë do kërkuar në vështirësitë që paraqit sistemi foljor
i shqipes, i cili gjatë zhvillimit historik ka pësuar ndryshime të mëdha të
karakterit fonetik dhe gramatikor. Zgjidhjen e këtij problemi e ka vështirësuar
edhe mungesa e kritereve të përbashkëta sa më racionale. Në gramatikat e gjuhës
shqipe janë ndjekur kritere të ndryshme për çështje të tilla si[:] trajtimi i
foljeve të parregullta, format themelore që vihen në bazë të klasifikimit në
zgjedhime, numri i zgjedhimeve dhe i nënndarjeve të tyre etj.”
Pohim i parë se ‘arsyeja kryesore’ qëndroka në ‘vështirësitë që
paraqit sistemi foljor i shqipes’ ësht i paqëndrueshëm dhe i paargumentuar
sepse shqipja nuk ka një sistem shumë më të ndërlikuar se shumë gjuhë të tjera
indo-europiane, e aq më pak e ka të pazgjidhshëm. Në të vërtetë, ësht e
kundërta: problemi më i madh për morfologjinë e shqipes janë vetë autorët që e
kanë studiu shqipen dhe pamundësia e tyre për m’i shpjegu si duhet rregullsitë
e shqipes.
Pohimi i dytë se ‘zgjidhjen e ka vështirësuar mungesa e kritereve të
përbashkëta sa më racionale’ qëndron dhe ësht diagnostikim i saktë i
problemit ngaqë ndjekja e kritereve jo ‘të përbashkëta’ ka shkaktu
probleme. Por, kush duhet m’i vu kriteret ‘e përbashkëta’ dhe
m’i përcaktu ato? Kush duhet m’u kujdesë që klasifikimi i foljeve në zgjedhime
të thjeshtohet, nëse jo vetë studiuesit e shqipes? Për më tepër, ky pohim i
Demirajt ësht përsëritë qysh prej botimit të parë të kësaj gramatike më 1976 e,
së paku, deri në vjetin 2002 dmth. për gati tridhjetë e kusur vite. As për këto
tri dekada, as Demiraj dhe as Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë,
nuk arrijtën dot me gjetë ‘kritere të përbashkëta’ dhe ‘sa
më racionale’!
Mbas kësaj hyrjeje pesimiste, Demiraj vazhdon me mbarështimin e 5 ‘kritereve
të ndryshme’, modestisht ‘racionale’, (të cilat i pati vu qysh më
1969 në Studime Filologjike nr. 3):
‘Për klasifikimin e foljeve në zgjedhime do të ndiqen
këto kritere:
1. Problemi do të shihet në planin thjesht sinkronik
dhe si bazë do të merret shqipja e sotme letrare.
2. Një folje që gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi
që nuk e lejojnë të grupohet me folje të tjera, do të lihet jashtë klasifikimit
në zgjedhime dhe do të trajtohet si e parregullt. Këtu është fjala jo vetëm për
foljet supletive por edhe për ato folje temat e të cilave gjatë zgjedhimit
pësojnë ndërrime tingujsh që në shqipen e sotme paraqiten të veçuara (…).
3. Për klasifikimin e foljeve në zgjedhime do të
mbështetemi në tingullin fundor (përkatësisht tingujt fundorë, kur këta janë
togje zanoresh) të temave si dhe në mbaresat vetore të kohës së tashme të
mënyrës dëftore në formën [diatezën] veprore. Për të gjetur temën do të
mbështetemi kryesisht (nën. A.M.) në formën e vetës së tretë (më
ndonjë rast edhe në atë (nën. A.M.) të vetës së
dytë njëjës) të së tashmes, pasi në këtë formë, që është një nga më të
përdorurat, tema e foljes mund të veçohet relativisht lehtë në shqipen e sotme
letrare.
4. Për ndarjen e mëtejshme të zgjedhimeve në klasa e
nënklasa do të mbështetemi jo vetëm (nën. A.M.)në temën e kohës
së tashme, por edhe (nën. A.M.) në atë të së kryerës së
thjeshtë e në disa raste (nën. A.M.) edhe në atë
të pjesores.’
5. Për renditjen e zgjedhimeve të ndryshme dhe të
klasave e të nënklasave përkatëse do të merren parasysh sasia numerike e
foljeve, që ato ngërthejnë, si edhe shkalla e prodhimtarisë së tyre.’ (fqt. 278-279)
Kriteret si kundër-kritere
Sipas këtyre kritereve na e kemi paraqitë klasifikimin e Demirajt në mënyrë tabelare (Tabela 1)
Le të shpjegohemi.
1. Në vitin
1969 ‘shqipe e sotme letrare’ nuk ishte ajo që na paraqitet vetëm si
toskërishte letrare.
2. Demiraj e
thotë qartë:
‘Një folje që
gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi që nuk e lejojnë të grupohet me folje të
tjera, do të lihet jashtë klasifikimit në zgjedhime dhe do të trajtohet si e
parregullt’. Por problemi
ësht që aj nuk ka arrijtë me bë identifikimin e saktë të foljeve të parregullta,
qoftë edhe simbas kritereve të veta. Nga 18 foljet që i njihte si të
parregullta më 1967, në vitet 1976-2002 i ul në 14. Folja ‘lë’ nuk
figuron fare në vitin 1967 në listën e të parregulltave, as supletive, as
josupletive! Por nga të parregulltat e vitit 1967 në vitet 1974-2002 janë heqë
foljet zë, vë, nxë, shtie dhe shpie
dhe janë bë ‘të rregullta’. Në bazë të cilit kriter? Për këtë nuk jepet
asnjë shpjegim.
3. Edhe
kriteri i tretë i Demirajt ësht i paqartë për vetë Demirajn. Aj thotë se ‘do
të mbështetemi në mbaresat vetore të kohës së tashme’ dhe se ‘për të
gjetur temën do të mbështetemi kryesisht (nën. A.M.)në formën e
vetës së tretë (më ndonjë rast edhe (nën. A.M.) në atë të vetës
së dytë njëjës). Vetë fjalët ‘kryesisht’ dhe ‘më ndonjë
rast edhe…’ e bëjnë këtë kriter kundër-kriter, për ekselencë!
Sepse çfarëdo që ësht jashtë ‘kryesisht’-it dhe çfarëdo që ësht jashtë ‘më-ndonjë-rast’-it
sipas kriterit të dytë të vetë Demirajt, le të përkujtojmë: ‘((n)jë folje që
gjatë zgjedhimit paraqit parregullsi (…) do të lihet jashtë klasifikimit në
zgjedhime dhe do të trajtohet si e parregullt’ duhet me u klasifiku si e
parregullt. Sepse kurrkush, e qysh shihet as vetë Demiraj, nuk e din se cilat
janë foljet përveç ‘kryesisht’-it dhe cilat janë të ‘më-ndonjë-rast’-it,
duke pasë parasysh faktin që vetë autori nuk ka bë një listim të foljeve me
pretendime shteruse, një leksikon foljesh! Kështu, kriteri i dytë e demanton
kriterin e tretë. Në të vërtetë, pyetja do të duhej me qenë: a ka parimsi, a ka
kriter, me përcaktimet ‘kryesisht’ e ‘më ndonjë rast’?
Natyrisht që jo.
4. I
ashtuqujturi ‘kriter i katërt’ ia kalon edhe kriterit të tretë për nga
mohimi shembullor i të qenit kriter, sepse Demiraj pohon se ‘për ndarjen e
mëtejshme të zgjedhimeve në klasa e nënklasa do të mbështetemi jo vetëm
(nën. A.M.) në temën e kohës së tashme, por edhe (nën. A.M.) në
atë të së kryerës së thjeshtë e në disa raste (nën. A.M.) edhe në atë të pjesores.’
Pra, shprehjet ‘jo vetëm’, ‘por edhe’ dhe, prap, ‘në
disa raste’ bijnë ndesh edhe një herë me kriterin e dytë, sikurse me
të tretin, dhe e lënë pezull faktin se cilat janë foljet me nënkriterin ‘jo
vetëm’, cilat me nënkriterin ‘por edhe’ dhe cilat mbeten me
nënkriterin ‘në disa raste’! Vetë fjala kriter këtu bëhet e pakuptimtë.
E para që na vjen në mendje ësht se, nëse egziston një folje e cila ‘në disa
raste’ duhet me u pa ndryshe, pra, duhet me përmbushë një kriter shtesë,
atëherë ajo, realisht, nuk do të duhej me i taku asaj klase apo atij zgjedhimi
dhe, prap, do të duhej me qenë ose një (nën)klasë tjetër, ose e parregullt për
m’u pajtu me kriterin e dytë.
5. Kriteri i
pestë i Demirajt merr për bazë ‘shkallën numerike’ dmth. përpjestimin
numerik të foljeve. Ky ësht i vetmi kriter të cilin Demiraj e ka respektu pak më
mirë sesa kriteret e tjera, megjithëse edhe këtë e ka dhunu me shpikjen e
zgjedhimit të tretë prej nëntë foljesh gjë që ka kriju një asimetri të
paarsyetueshme të zgjedhimeve. Për me qenë edhe më keq, ky zgjedhim stërndahet
më tej edhe në tri nënklasa të përbëra prej 4, 3 dhe 2 foljesh!
Nga analiza e
kritereve që ka parashtru dhe i ka trajtu autori na mujmë me thënë se gjendja
na del, përgjithësisht, Demiraj kundër Demirajt! Kështu, klasifikimi i foljeve
në zgjedhime i këtij studiuesi nuk paraqet ndonjë risi dhe nuk shënon ndonjë
hap përpara në krahasim me ndarjet që ishin bë tashma në gramatikat tjera.
Problem tjetër ësht se ky klasifikim jo vetëm që vazhdoi me egzistu pa u qortu
për gati tridhjetë e kusur vite, por edhe shërbeu dhe shërben edhe sot si
klasifikim kryesor në shumicën e shkollave shqipe! Kësaj mujmë m’ia shtu edhe
faktin se kjo gramatikë u botu nën emrin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve
të Shqipërisë, institucion i cili ka botu, gjithashtu, me 1980, Fjalorin e
Gjuhës së Sotme Shqipe, që të dy me pretendime normative! As më 1980, as
sot, kundërshtitë, paradokset dhe shkarjet e Gramatikës apo të Fjalorit, apo
edhe e të dyve bashkë, nuk u zgjidhën asnjëherë! Çfarë pune më të rëndësishme
kanë pasë gjuhëtarët e Akademisë? Më e pakta: kanë mujtë me u marrë me qortimin
e shkarjeve dhe paparimsive të veta.
Zgjedhimi i
parë
Marrja e
trajtës së foljes në sikohën tashmore të dëftores si kriter kryesor nuk ka
mujtë me i dhanë zgjidhje përfundimtare klasifikimit të foljeve në zgjedhime. E
aq më pak mbështetja ‘kryesisht’ dhe ‘më ndonjë rast’
në kritere të tjera sepse kjo qasje e zhvlerëson kriterin si të tillë.
Në foljet e
tipit laj-lava-larë (nënklasën 2 të klasës I (zgjedh. I), fjala
vjen, autori e fut edhe foljen blej duke dhënë një shënim që tema
e kësaj foljeje në vetën e dytë shumës të tashmores dëftore, në pashkutore dhe
urdhërore del bli-. Në gegërishte trajta e kësaj foljeje ka shku
drejt rregullsimit dhe sot mun me u ndëgju e me u lexu shumë shpesh si
pashkutore bleja/bleje/blente apo urdhërore blej/bleni. Tash, ose do të duhej të rregullsohej kjo
folje duke pranu një temë të vetme ble- ose do të duhej të
klasifikohej si e parregullt sipas kriterit të dytë të vetë Demirajt. Një rast
i ngjashëm ndodh edhe me foljet arrij/gjej (nënklasa 1[a A.M.]
e klasës II) për të cilat Demiraj thotë se hyjnë në nënklasën që përfshin ‘një
numër të kufizuar foljesh’. Nga ky ‘numër i kufizuar foljesh’, në të
vërtetë, nuk ka tjetër folje. Ësht folja mbërrij por këtë Demiraj
e klasifikon në nënklasën 1[b A.M.]. Sipas F1980, foljet, arrij,
mbërrij dhe gjej në toskërishten letrare dalin në
thjeshtore jo me -jt- (si mba-jt-a) por vetëm me -t-:
arri-t-a dhe mbërri-t-a dhe kjo i bën me dalë
paradigmatikisht të parregullta. Mirëpo, në gegërishten letrare dy nga këto dalin
edhe si arri-jt-a dhe mbërri-jt-a, dmth. ashtu qysh
dalin foljet e rregullta me -jt- (mbajta, mbrojta). (Folja
e tretë gjej mbetet e parregullt duke qenë se në asnjë shkrim, në
asnjë gramatikë dhe në asnjë të folme nuk e kemi hasë si *gjejta-gjejtur.)
Pra, Demiraj s’mun me u përcaktu as që arrij e mbërrij
me qenë në një (nën)klasë. Edhe më keq, qysh do ta shohim, bjen në kundërshti
me Fjalorin e Akademisë.
Sh. D. zbaton
dy kritere për foljet ‘arrij’ dhe ‘mbaj’ (foljet që
dalin me -t- 1[a] dhe me -jt- 1[b])
por i trajton si të një nënklase. Një listë e 1[b] jepet në
fusnotën 1a: gogësi-j, kërcëlli-j, teshti-j dhe
shty-j dmth. që zgjedhohen si gogësi-j, ~jta, ~jtur, kërcëlli-j,
~jta, ~jtur, teshtij, ~jta, ~jtur dhe shtyj,
~jta, ~jtur Por në F:1980 /2002 janë klasifiku jo si folje të kësaj
klase, por të klasës së tipit: gogësi/j, ~va, ~rë ose si gogësit,~a,
~ur etj. Pra, jepen dy mundësi dhe asnjëra nuk del me atë të Demirajt!
Folja mbre-j te Demiraj ësht klasifiku si e nënklasës 1[b],
(zgjedh. II): mbre/j, ~jta, ~jtur por në F:1980 /2002 del: mbreh,
~a, ~ur. Në këtë listë gjendet edhe folja truaj-truajta-truajtur)
që në F:1980/2002 del si e klasës së tipit truaj-trova-truar! Kështu,
ose F:1980/2002 ësht dashë me i qortu këta zëra, ose Gramatika e Akademisë ësht
dashë me rishiku listën e shembujve të vet gjatë ribotimeve për mos me i hutu
nxanësit e studentët me udhëzime kundërthënëse sepse janë tekste që dalin nga
institucioni i njëjtë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, duke ia shtu kësaj
pretendimet se të dyja tekstet pretendojnë me qenë normative. Një shqiptar,
duke ndjekë dy tekste me pretendime të tilla normative, nuk din qysh m’ia bë: a
ësht autoritet, në këtë mes, fjalori apo gramatika e Akademisë? A e shkel
normën një shqiptar kur shkrun teshtij-teshtiva-teshtirë (F1980/2002),
duke ndjekë Kostallarin me grupin e tij, apo teshtij-teshtijta-teshtijtur;
duke ndjekë këshillat e Demirajt? A me shkru gërgas-gërgava-gërgarë
apo gërgas-gërgita-gërgitur? Ndoshta do të varet nga ajo se cilin
libër e kap me dorë më parë!
Nënklasë 2 ‘e
rregullt’ e kësaj klase dalin foljet bëj dhe hyj për
shkak se këto folje në thjeshtore dalin ‘me temë të zgjeruar -r-‘.
Prap, simbas kriterit të dytë të Demirajt këto ësht dashë me u klasifiku si të
parregullta sepse janë vetëm dy folje të parme (bëj, hyj) dhe
pesë të prejardhura (përbëj, ribëj, shpërbëj, zhbëj, ndërhyj) që
e përbëjnë këtë grup dhe që, gjithsesi, shfaqin ‘parregullsi’ duke qenë se në
thjeshtore e pjesore zgjerojnë temën me një ‘-r-’. Por, nëse këto
folje ësht dashë me hy në një klasë apo nënklasë të të rregulltave atëherë ësht
dashë me hy në nënklasën 2 (e tipit laj, zgj. I, kl. 1),
sepse kanë më shumë afërsi paradigmatike. Krahasoni: bë/j, ~RA, ~rë
me la/j, ~VA, ~rë dhe këto me mbaj, ~JTA, ~JTUR!
Folja bëj dallohet nga folja laj vetëm në
thjeshtore ndërsa nga folja mbaj, edhe në thjeshtore, edhe në
pjesore!
Zgjedhimi i
dytë
Në zgjedhimin
II, si klasë I, Sh. D. vendos foljet që ‘dalin me të njëjtën temë në të
tashmen, në të kryerën e thjeshtë dhe në pjesore’: hap-hapa-hapur;
vendos-vendosa-vendosur etj. Por, në një shënim, aj thotë se këtu futen
edhe foljet e tipit: ik-i, ik-ën, ik-ën; hip-i, hip-ën, hip-ën të
cilat në tri vetat tashmore dëftore dalin me mbaresa. Në të vërtetë, këto
mbaresa janë arkaizma, të cilat në të kaluarën kanë qenë veçori e kësaj klase
në tërësi, prandaj numri i tyre ndryshon simbas autorëve e ndonjëherë edhe në
librat e ndryshëm të të njëjtit autor. Në vitin 1967 vetë Demiraj liston katër
folje: ik-i, ec-i, hip-i dhe lyp-i. Këtë listë prej
katër foljesh e ka edhe Sheperi qysh më 1927 (fq. 89). R. Memushaj (1989)
propozon klasifikimin e tyre në klasën I, si të rregullta, dmth. pa këto
mbaresa arkaike, një propozim padyshim me vend, sepse mbajtja e këtyre
mbaresave i bën këto folje me dalë si të parregullta.
Në grupin e
foljeve që pësojnë apofoni (kalimet -e-/-je- në -o- (sjell-solla)
dhe kjo merret si kriter për këtë nënklasë 1) janë listu edhe foljet që pësojnë
edhe palatalizim (pjek-poqa e djeg-dogja). Këto
folje, sipas kritereve të Demirajt, ësht dashë me u trajtu si të parregullta,
ose si një nënklasë e veçantë, gjithnjë simbas kriterit të dytë të vetë
autorit. Poende, këtu kanë hy si nënklasë b) edhe foljet dal dhe marr!
Në nënklasën
2 të klasës II Sh. D. klasifikon foljet ‘me temë të zgjeruar të tipit përkas,
që pësojnë ndërrim zanor a:e në vetën e dytë e të tretë njëjës të kohës
së tashme të mënyrës dëftore dhe që në të kryerën e thjeshtë dalin ose me temë
të pazgjeruar ose edhe me temën e zgjeruar të së tashmes duke pësuar ndërrimin e:i.’
(2002 fq. 283). Autori paraqet një listë, sipas tij shteruse, duke thënë ‘këto
janë’: bërtas, buças, çokas, flas ( dhe thërras.
Por edhe këtu dalin probleme. Folja spërkas sipas F:1980/2002 nuk
i përket kësaj klase por klasës I (zgjedh. II)(hap-hapa-hapur) dhe
zgjedhohet si spërkaT/S-spërkatA-spërkatUR
e jo si spërk-AS- spërkITA-spërk-ITUR. Një tjetër mosmarrëveshje
tridhjetë-e-kusur-vjeçare në mes të Fjalorit të Akademisë (1980/2002) dhe
Gramatikës së Akademisë!
Folja flas
paraqet shpërndërrime tingullore që s’i lënë asnjë mundësi që të trajtohet si e
rregullt në asnjë klasë dhe me asnjë kriter të vetë Demirajt. Autori i
referohet ‘referencës diakronike’ (nga dispensa e tij e vitit 1967 ku
thoshte se nuk do të përjashtonte ndonjë ‘referencë diakronike’ gjatë
klasifikimit. Problemi ësht se në tekstin e ri dhe në ribotimet e tij
(1976-2002) këtë gjysë-kriter, vetë Demiraj, e ka heqë nga teksti, ndërsa
vazhdon m’iu referu si kriter) dhe paraqet trajtën e supozuar ‘*folas’ si
argument pse folja flas duhet të klasifikohet në këtë klasë!
Fundi i fundit, problemi nuk ësht marrja e referencës prapavështruese
(diakronike) si kriter, por problem ësht zbatimi i këtij kriteri vetëm te një
folje e vetme mbrenda një klase dhe zhverësimi i kriterit të parë që Sh. D. e
vendos duke thënë se qasja e tij ka me qenë tashvështruese (sinkronike)! Nëse
do të zbatohej një kriter në mënyrë të këtillë përzgjedhëse atëherë pse këtu të
mos kishin hy edhe dijta, arrijtae mbërrijta
të cilat nuk janë vetëm referenca prapavështruese por edhe përzgjedhje në mes
variantesh letrare të cilat, për më tepër, e stabilizojnë sistemin si tërësi.
Foljet brohoras,
gërgas, godas, sokëllas, trohas, vërras nuk gjenden në listën e kësaj
klase të Demirajt por janë në F:1980/2002 si brohor/AS-~ITA-~ITUR
etj. Për më tepër, folja gërgas te Demiraj del si e nënklasës 3 e
kësaj klase, bashkë me foljet shkas, vras, ngas! Dmth. supozimi ësht
se folja gërgas duhet të zgjedhohet si gërAS-gërgaVA-gërgaRë!
Ndërsa në F:1980/2002 del si gërg/AS-~ITA-~ITUR!
Në ‘Shënim’
autori thotë se ‘në këtë nënklasë përfshihen edhe foljet shes,
pres (prita), zbres’ (fq. 283). Përveç këtyre janë edhe disa folje të
parme: bares e qes (në F:1980/2002 jepet si
kryesore trajta qit/s); dhe të prejardhura mirëpres,
ndërpres, parapres, paraqes (në F:1980/2002 jepet si kryesore trajta paraqit),
stërshes (në F:1980) jepet vetëm trajta joveprore stërshitem)
dhe rishes. Arsyeja pse po e japin një listë të plotë ësht se,
qysh shihet, numri i foljeve të tipit shes ësht dy herë më i madh
sesa që e paraqet autori si listë shteruese. Ky grup, poashtu, paraqet dallim
paradigmatik nga nënklasa ku e ka klasifiku Demiraj, prandaj ësht dashë me u
trajtu si nënklasë më vete duke qenë se në vetën e parë e të dytë njëjës tashmore
dëftore nuk paraqitet shpërndërrimi -as/-es por -es/et (le
të krahasohet, fjala vjen, njëjësi (I) godas/shes,
(II) godet/shet.
Zgjedhimi i
tretë
Zgjedhimi i
tretë ësht dëshmia më e mirë e dhunimit të të gjitha kritereve që Demiraj i ka
parashtru si kritere. Numri i foljeve që përfshin ky zgjedhim ësht 9 (me
shkrim: nëntë)! Zgjedhimi i parë ka rreth dy mijë e treqind folje; zgjedhimi i
dytë ka rreth një mijë e treqind folje dhe i treti: nëntë! Dmth. me numra
2300:1300:9! Janë një mori klasash e nënklasash që kanë numër më të madh sesa
ky zgjedhim! Për më tepër, ky zgjedhim prej nëntë foljesh ësht stërnda, më
tutje, në tri klasa:
- klasa I, me
4 (katër) folje: vë, zë, përzë dhe nxë;
- klasa II,
me 3 (tri) folje: di, fle dhe ngre ngaqë
në tashmore mbarokan me zanore dhe në thjeshtore marrin një -t-.
Me këtë kriter këtu do të duhej me qenë edhe folja ‘vete/vajtur’ sepse
për Sh. D. ishte njësoj veçoria -t-/-jt- dhe
- klasa e
III, me 2 (dy) folje: pi dhe shtie!
Pra, bëhet
fjalë për një klasë prej DY foljesh! Në shënimin e radhës autori shton se ‘(s)ipas
paradigmës së zgjedhimit III zgjedhohen (…) edhe foljet e parregullta lë
(la-shë, lë-në) dhe bie (ra-shë, rë-në)’. E pse
nuk ësht përfshi këtu edhe folja bie (pru-ra, pru-rë) që ndjek të
njëjtin model?
Foljet e parregullta
Sh. Demiraj
njeh si të parregullta 14 folje të cilat i ndan në folje të parregullta
supletive: jam, kam, bie (1), bie (2), ha, jap, rri,
shoh dhe vij dhe në folje të parregullta josupletive: them,
dua, lë, vdes, dhe vete. Nëse krahasojmë foljen bie,
rri apo lë si të parregullta, me foljet shpie,
shtie, vë, zë e të tjera si këto na nuk shohim ndonjë dallim të madh
mes tyre. Në tashmoren dëftore, të cilën Demiraj e ka kriter kryesor, shumica e
tyre dalin me trajta të rregullta. Le të krahasojmë edhe me trajta më
përfaqësuese, fjala vjen, foljen lë-lashë-lënë me vë-vura-vënë;
apo vete-vajta-vajtur me vdes-vdiqa-vdekur. Folja vdes
– e parregullt – pëson, nëse jo më shumë, atëherë po aq ndryshime sa edhe folja
vete që te Demiraj del ‘e rregullt’! Pika më e dobët te Demiraj –
dhe, fatkeqsisht, te të gjithë gramatikëhartuesit e shqipes – ësht që aj nuk
sheh kurrfarë rregullsie paradigmatike te foljet që i klasifikon si të
parregullta, ndoshta duke u nisë prej emrit të tyre, sepse tashmë janë qujtë të
parregullta. Mirëpo, qysh do të shihet në qasjen tonë, edhe foljet e
parregullta të shqipes kanë rregullsi mjaft të qëndrueshme me ndonjë përjashtim
shumë të rrallë.
Foljet e
nënklasës 1, të klasës II: nxjerr, vdjerr e marr apo ndjek,
përpjek, ndjek dhe përndjek
po ashtu paraqesin parregullsi në nënklasat e tyre sipas kritereve të Demirajt
por nuk ësht thanë kurrkund shkoqur e qartë cili ndryshim paradigmatik, deri në
çfarë mase, nuk do të trajtohet parregullsi nëse paraqitet te ndonjë folje dhe
për ç’arsye. Folja shtie, gjithnjë sipas Demirajt, quhet e
rregullt dhe i përket klasës III (zgjedh. III) i përbërë prej dy foljesh: pi
dhe shtie. Çfarë ka paradigmatikisht të rregullt mes foljes pi
dhe shtie? Në krahasimin e foljeve në tashmoren e thjeshtoren e
dëftores dhe në pjesore dalin si në Tabelën 2.
Qysh mun me u
pa qartë, në tashmoren dëftore dhe në pjesore s’ka asgjë të përbashkët në mes
të foljes pi/pirë dhe shtie/shtënë por krahasimi në
mes të foljes shtie dhe shpie tregon se çdo gjë mun
me u qujtë rregullsi paradigmatike në tashmoren dëftore e në pjesore. Ato që
dallohen në mes të foljes shtie e shpie janë
trajtat në thjeshtoren dëftore. Por në trajta të tjera të dyta na shohim që
folja shtie në çiftin thjeshtore/pjesore del edhe si shtura/shturë
(CIPO:1949; KAMSI:2000) e shtyra/shtyrë (SHEPERI:1927) (te
arbëreshët si pjesore del edhe shtier e shtunur (KAMSI:2000;
GERBINO :2009), por del edhe si shtira/shtirë (CAMAJ:1984;
FGjSh:1954); ndërsa folja shpie del edhe si shpura/shpurë
(CIPO:1949; RIZA:1967(1997)) (te arbëreshët edhe shpita/shpitur (KAMSI:2000).
Në këtë mes, egziston trajta në thjeshtore shtira/shtire/shtiri për
me u njëjtësu me paradigmën e foljes shpie. Por, të klasifikohet
folja shtie me foljen pi në një klasë dhe të ndahet
menjanë folja shpie asht, vërtet, e paarsyetushme duke marrë
parasysh faktin që edhe vetë Demiraj pohon se trajtën e tashmores ka me e
marrë si kriter kryesor! Dhe në tashmore foljet shtie/shpie dalin
krejt njësoj ndërsa folja pi del ndryshe nga folja shtie.
Le të përmendim edhe disa folje që shfaqin parregullsi të tjera të cilat Demiraj nuk i shqyrton fare. Foljet e tipit vesh, (zhvesh, përvesh), fsheh, kreh në vetën e dytë shumës tashmore dëftore dhe në pashkutore ndërrojnë tingullin -e-~-i-: vishni:vishja; fshihni:fshihja; krihni:krihja etj. Nuk dihet se ku bëjnë pjesë këto folje. Nuk thuhet, masandej, se ku bëjnë pjesë foljet pyes, picas, ndiej, ziej, përziej. Qysh shihet, nuk ka qoftë edhe një kriter të vetëm të parashtruar prej vetë Demirajt që nuk bjen ndesh, në mënyrën më shembullore, me një apo më shumë kritere të mbarështuar prej vetë autorit. A mun me u qujtë ky klasifikim, klasifikim me kritere? A ka mujtë një qasje e këtillë me i dhënë çfarëdo zgjidhje klasifikimit të foljeve në zgjedhime? Pa asnjë dyshim, jo.
Agim MORINA
Londër, 11 gusht 2012