Monday, March 03, 2014

JAVËT E XHEMË KADRISË



E HËNË

- O Xhemë Kadria!
- O-ho-ja!
- A do mysafir a jo? Një zë dheu. I thellë. I mbytur. Lakuriq. Zemra i parandien por s'mund të jetë!... Shtëpia bëhet rrotë që nis e rrokulliset. Dera e vjetër nis e kërcëllon si lis i gjatë i cili sapo është prerë. Ja Uka. Vetë ai. Zemra ia kafshon kraharorin si bishë e zënë në kurth. Gjunjët i dridhen si ëndërr e lëngët. Zëri i lidhet nyjë nëpër grykë. Sytë i rriten dhe eshtrat i bren me shpejtësi një ftohtësi e padurueshme. Ai hyn. Gjysmën e fytyrës ia hanë krimbat. Ai qeshet. Nënqeshet. Në nyjat e gishtave lëkura e zhveshur rri varur dhe eshtrat e bardha ndrijnë trishtueshëm. E lëshon në dysheme një thes. Ia zgjat dorën. Ia shtrëngon. E përqafon. Xhemë Kadria ndien në supe rënien e disa skrajave e krimbave. Mëqaket të largohet, por s'mundet kurrsesi. Një forcë e ndal. Hapësira e padukshme është e fortë si mermer! E puth. E ndien lagështinë. Jargët i varen nga cepi i veshit.
- Çfarë do? - mezi pyet me buzë të shtangura.
- Erdha të banoj te ti! - sa shpejt vjen përgjigjja. Dhoma zgjatet e zgjatet. Hepohet menjanë si anije e lodhur. E ndien veten si të ishte brenda një tinari të ngushtë, me një njeri tjetër brenda! Me Ukën?
- A e sheh se sa ngushtë është? - thotë Xhema.
- Ani për mua është e mirë dhe e rehatshme, - dëgjohet zëri që herë-herë trashet e tëhollohet si zë nga pllakë e prishur gramafoni.
- Pse? Pse? - pyetet Xhema dhe habitet me të tëra që ngjajnë.
- Ti më vrave. Më vrave o Xhemë Kadria! - thotë Uka. - S'kam më vend as në ferr, as në parajsë! S'më pranojnë askund! Bredh si marrëzia! Shkova në tavanin e shtëpisë sime dhe përpak sa s'më vranë. E ftuan vampirin dhe përpak sa s'ma hoqën flamën. S'më duan as ata të shtëpisë. As fqinjët. Sepse s'më shohin, as nuk më njohin. Ti ma bëre këtë. Ti më vrave dhe më le bredhës. U bëra ikanak i amshueshëm. S'ka gjë më të tmerrshme! As nëna ime s'më njeh dhe ka frikë nga unë: ndërsa qan ditë e natë për mua! Ohhh... Tash erdha të banoj te ti, në trupin tënd, gjersa të të vrasin edhe ty e pastaj shohim e bëjmë...
Më shtyn dhe ec me hapa të gjatë.
Ia shkel këmbën tim biri që fle. Ai zgjohet. Qan.
Ai e merr pushkën e varur në mur. Im bir qan. Uka më afrohet. Vaji nuk ndalet.
- Ja me këtë më vrave!
- E shkele tim bir! E shtyj. Bërtas por s'më del zëri nga gryka. 
- Me këtë më vrave o Xhemë Kadria!
- Mos, të lutem, mos... Prapë britma. Vaje. Lutje. Zgjohen edhe fëmijët tjerë. Qajnë. Ai ma drejton pushkën midis syve dhe e tund. Flet diçka e nga goja i rrjedhin çurgjet e gjakut.
- Më vrave me këtë!
- Mos të lutem. Ik. Se po m'i frikëson fëmijët.
Qaj edhe unë me zë.
- Edhe unë më me dëshirë do të ikja, po ku të ik o Xhemë Kadria? Ku?

E MARTË

Si gjithnjë, muzgu në katundin tim është mahnitës. Dimër e verë para teje shtrihet shembëllesa parajsore që ta zgjeron frymëmarrjen. Në pranverë zgjohesh në mëngjes dhe e sheh borën e blertë e të ngrohtë që ka boruar tërë natën. Vrapon nëpër livadhe si erë sugareshë. Krushqit e marmarosur të pemëve të përgjojnë nga kodrat. Përkulesh në kroin e cemtë, e një shi i imët cicërimash rigon kudo përreth teje. Ndonjë lepur si top ping-pongu duket e zhduket në kërcim. Fijet e barit si dashnore t'i puthin shputat e lakuriquara...
Jehonë sëpate!...
Nga larg shihet shpina e gjerë e druvarit.
- O mik! - i them e ai kthehet. Është Uka. - Ç'po bën o Ukë? Ky është mali im.
- Ik! - më shtyn ai. Përreth shoh se si Uka dyfishohet, trefishohet, katërfishohet, dhjetëfishohet. I tërë mali mbushet me Ukë. Ata i presin drurët. Pranë secilit lis rri nga një Ukë më sëpatë në dorë.
- Ukë të lutem!
- A pak po të duket që më vrave?
S'munda t'i them: "Harroje atë!"
- Mos deshe të thuash: "Harroje atë!" - më thotë. Kudo rreth e rotull dëgjohet klithma e drurëve në rënie e sipër. Ca britma si të njerëzve që i fashit vdekja. Filloj të qaj e të bërtas:
- Aman, mosni, o njerëz! Mosni!
- Ç'ke o Xhemë, a luajte mendsh a? Unë jam vetëm!
Bie në gjunjë dhe e kap Ukën për rripi e për këmbësh. Më shtyn me dorën e tij të fuqishme. Prapë i ngjitem. Dhe e lus. Më shikon me inat.
- Më vrave e prapë s'po të rri bytha rahat? Tash ta tregoj unë ty!
E ngre sëpatën lart që të më qëllojë.


E MËRKURË

Ajo është e bukur dhe e ëmbël. Ka duar ngjyrë gruri dhe trupi i saj e ka aromën e luleve të posalulëzuara. Sytë dhe buzëqeshja e saj gjithmonë ma kujtojnë qiellin dhe ujëvarat. Edhe atë e takova në ujëvarë. Dhe netëve të errëta kur çonim dashuri ajo ma përkujtonte ujëvarën, me flokët e saj të gjatë që ma gudulisnin kraharorin. Ajo ishte ujëvarë e epsheve sepse e tëra shkrihej nga të puthurat dhe përkëdhelitë. Buzët e saj - flutura, fluturonin kudo në qiellin e trupit tim. Natën më dukej se ajo vinte nga një tokë e largët. Ajo ishte Orë e Ujëvarës. Me nuhatje e njihja dhe e gjeja lëkurën mitare e të lëmueshme. Kurrë s'i kam thënë se sa e dua, as sa më pëlqen. Sepse kur zgjohem në mëngjes ajo shihet, bëhet tokësore, bëhet Naze! Nazja që duhet të punojë, të gatuajë, të ushqejë dhe jo ajo Nazja e Natës që i dorëzohem me aq përulësi. Kësaj here do t'i them se pa të s'mundem, se është fort e bukur. Por një hije e çuditshme është mbështetur në gardhin tim. Kam frikë. Zemra ma parandien por unë s'dua të besoj. Është Uka!
- Ç'bën këtu Ukë?! - them me plot habi dhe e lëshoj kosën përtokë.
- Po të pres ty, o Xhemë Kadria!
Ia mësyj brenda, por dora e fuqishme e Ukës më ndal.
- Prit, prit! Ç'ke që ngutesh?
Mijëra mendime më derdhen dhe unë druhem të mendoj.
- A të kujtohet kur më vrave? - më thotë me qesëndi.
- Besomë se s'kam dashur, jo!
- Deshe s'deshe mua më shtyre të ha dhe. E tash po bredh...
- Ti e di se të kam pasur shok!
- Jemi edhe kushërinj o Xhemë-ziu!
- Kanuni e donte kështu... Kanuni...
- Kanuni? Ç'di ti se ç'është Kanuni, pasi e zë në gojë?
- Për nder nuk di asgjë! Ti je me shkollë, i dije më mirë këto punë, por ja kështu thoshin se Kanuni thotë se duhet të merret gjaku për gjak!
- Jo vëllai vëllain ta vrasë pa e thirrur as me emër, pa ia lënë shenjën, pa ia kthyer faqen kah qielli, or faqezi! Më mbeti shpirti i degdisur nga ndyrësitë tua. Kanuni lejon vrasje fisnike dhe jo kafshëri...
Qaj. Lotët e pendesës më shkojnë çurg nëpër faqe.
Si gjithnjë Uka ka qenë më i zgjuar. Gjithmonë gjërat i shihte më qartë e më larg.
- Eja me mua! - më thotë. E unë e ndjek pas si dikur kur shkonim nëpër vreshtat e Mehmetit për me vjedhë rrush o për me puthë Gjylen e bukur, motrën e Mehmetit, e cila e ruante vreshtin.
Afrohemi afër një dritareje. Brenda rri ndezur një qiri. Në shtrat një grua me dimi, të zhveshura gjer të thembrat, dhe një mashkull me një këmishë ushtarake. Më vjen të vjell. Shikoj mirë në terr dhe nuk e shoh qartë fytyrën e gruas. Djersët më rrjedhin nëpër gjithë trupin.
- Kush është ajo? - i bërtas - Gruaja ime apo jotja?
- A është me rëndësi kjo? Ti në burg e unë në varr, o Xhemë!
Ai ia lëpin sisët me afsh. Ajo ia mbështjell kokën më duar dhe klith me afsh. E kafshon lehtë në qafën e hollë e të bardhë dhe i zhvesh pantallonat.
- Mo' le Ukë! - klith dhe i mëshoj me sa forcë që kam, dorës së Ukës. Nuk e di se a është duke qarë apo pikat e shiut ia mbulojnë fytyrën si buburreca të tejdukshëm.
- S'ke çka bën o Xhemë! Unë në varr e ti në burg!

E ENJTE

- Baba! - më thërret një zë.
- Biri im? - ia kthej.
- Baba, ku je? - prapë zëri i përvajshëm i tim bir.
- Ja ku jam! - ia zgjas duart.
- Unë s'po të shoh!
- Po ja ku jam, unë të shoh çdo natë!
- Atëherë unë qenkam verbuar nga malli për ty!
- Jo bir, ti nuk je verbuar! Unë jam bërë i padukshëm.
- Përqafomë atëherë!
Ndiej se e kam përqafuar një gur. Një gur varri. Zemra më parandien por unë s'dua të besoj. Një send i ftohtë depërton nëpër barkun tim. E ul kokën dhe e shoh Ukën duke qeshur me qesëndi. M'i nxjerr zorrët jashtë dhe e lidh një gur me to, i hedh rreth qafës time. Unë as s'mund të bërtas, as s'mund të kërkoj ndihmë...
Larg e dëgjoj tim bir që më thërret dhe qan.
- Lërmë ta përqafoj tim bir o Ukë!
- Po ti a më le mua, o Xhema i Kadrisë? Si ta përqafoj unë tim bir? Ku të gjej duar? Ku të gjejë ai baba?
- Të lutem Ukë! Të përgjëroj!
- Jo, jo, unë nuk të ndal: shko!
- Po s'po mund të ec! Pse s'po mund të ec? As zvarrë s'po mund të shkoj. Kudo më dhemb. Ukë, të lutem ndihmomë. Më ço deri te im bir!
- Unë do të çoja me gjithë dëshirë, jo pse je ti, por unë nuk mund ta lë asnjë baba pa e përqafuar birin e tij. Krisma jote m'i preu këmbët! Pasha besën, Xhemë, do të të ndihja! - Qan edhe Uka. Kjo shihet sepse vetëm një rreth i vogël i hapësirës ku gjendem unë laget nga pikat e lotëve.
- Edhe im bir është matanë murit tim të padukshëm. - vazhdon me dhembje Uka. - E më ka marrë malli ta shoh: oh, gjithësinë do ta haja për një çast me tim bir. Krisma jote është muri që s'po mund ta kaloj kurrsesi dhe kurrë!
- Ah qoftë mallkuar - fshaj dhe e kafshoj dheun me dhëmbë nga inati. Filloj ta rrah tokën me kokë e me grushta. Sytë befas më shkëputen e më bien në dysheme si dy domate. E ndiej dorën e Ukës dhe dënesjen e tij. Gjëja më e hidhur mbi dhé është kur qan burri. Me sytë e mi e gjuaj krismën time që jehon në të katër anët!
Uka vazhdimisht qan duke më parë se si kridhem.
- Ah, Ukë bre! Si t'ia bëjmë, o Ukë?
- Nuk e di. Vërtet nuk e di. Ajo krismë jotja vrau dy vetë: na vrau edhe ty edhe mua. Mbet toka e shkretë. Mbetën fëmijët tanë jetimë. Mbetën gratë tona të veja.
- Unë jam më keq o Ukë. Besomë se jam më keq se ty të vrava një herë por veten po e vras me mija herë.
- Po më dhimbsesh Xhemë, besomë!
- Mos, mos thuaj ashtu se po më vret! Unë jam një varr i gjallë që e kam varrosur vetveten në të! Varr që s'po më lë as të vdes!
- Nuk e di a jam unë në varr e ti në burg, apo unë në burg e ti në varr, por e di se, me nder me thënë, jemi në një mut të madh që të dy o Xhemë!
- Baba!
- Bir!

E PREMTE

Toka jote është si nëna jote apo si babai yt. Gjithmonë dhe kudo të përcjellin sytë e saj. Dhe krejt fshehtë në çdo dell të trupit të qarkullon dashuria për të. Je një pjesë e asaj toke, por me ca mëlmesa tjera. Një copë toke pak më e zgjedhur që duke vluar nga dashuria kalon e bëhet qenie. Krijohen në të mijëra sytha, shtonëza, degëza e eshtra dhe pastaj e quajnë - njeri. Ai është pjesë e truallit. Copë e dheut, si ajo në breg të lumit, e cila me qindra vite ka qëndruar e palëvizshme. Dhe, vjen një çast, nga gërryerjet që i bën  lumi, nga fërkimet dashurore të valëve, ajo rrokulliset, shkëputet e bie në valë dhe bëhet e lëvizshme - me jetë. Dhe herdo-kurdo pas kush e di sa kohësh, befas shkapërderdhet në njëmijë copë, bëhet prapë pjesë e një bregu tjetër të palëvizshëm.
Ashtu i lumtur, si ai që i zbath këpucët që e kanë shtrënguar  e vrarë një kohë të gjatë, dal nga dhoma ku shihja ëndrra të trishtueshme. Livadhi ynë i gjatë kufizohej me varret e fshatit. Unë dal dhe e përkëdhel barin. Nga larg e njoha figurën e kërrusur të Ukës.
- Ukë! - klith.
- Ti po kënaqesh me bukuritë e jetës apo? Ty nuk të vjen aspak marre që të kënaqesh me barin i cili po ushqehet me mishin e trupit tim?
- Ukë, unë nuk po jetoj... Qysh se ngjau ajo... Unë s'po jetoj!
- Kush "ajo"? Thuaj: "Qysh se të vrava si qenin..."
- Ç'prej se u bë ajo që nuk zhbëhet, o Ukë, as kam dalë, as kam parë dynjanë si njeri! S'i kam mbushur mushkëritë me ajër me aromë dheu që avullohet në pranverë.
- Eja me mua! - më tha.
Shkojmë te varri i tij. Është i shembur. Bari sapo ka mbirë. E kap një grumbull fijesh të barit dhe e shkul:
- Merri erë! A nuk është kundërmimi i djersës sime derisa dikur kositnin në livadhe bashkë?
Unë pohoj me kokë. Dhe në ato çaste u frikohem shumë.
- E sheh se në çka ke gjuajtur me atë pushkën tënde?
Ai fillon të qajë e të shkrihet bashkë me lotët e vet. Shkrihet dalëngadalë e trishtueshëm si qiri. Si fotografi me ngjyrë të freskët e lënë në shi. As nuk e hetoj se vërtet rigon një shi i imët. Currilat e ujit depërtojnë nëpër të çarat e dheut të varrit dhe zhduken me shushurimë shllapuritëse. Befas ma kujton...
- A nuk pija ujë kështu kur isha i etur, o Xhemë? - ma pret Uka.
- Po...
As nuk e hetoj se një pjesë e këmbës sime po zhytej në varr. Klith si bishë dhe gjunjazi përpiqem të ik. Po s'mund ta lëviz dot këmbën që më është futur në varr.  Fyti më thahet...
Zgjohem. Këmba më është lidhur me çarçaf...
Gruaja ime fle.
E dhoma më duket si arkë e vjetër e hedhur në valët e një lumi të tërbuar që e ka vërshuar gjithë katundin. Të gjitha katundet dhe qytetet. Lumi i kuq i gjakmarrjes herë pas here kështu vërshon...

E SHTUNË

Një natë e mora kalin dhe e shalova. Me galop u nisa për në qytezën fqinje. Hani i Xhelës qe i mbushur me myshterij. E vërejta se kali qe rraskapitur dhe u habita. Nuk qe rrugë e gjatë. Mos vallë është sëmurë? Si të kishte bartur dhjetë vetë, e jo një njeri si unë. Pa hyrë në derën e hanit u ktheva edhe një herë kah kali. E vëzhgova kujdesshëm. Dhe mendja më shkoi...
S'desha të mendoj! U ktheva shpejt dhe hyra në tavernë. Muzika e mërmërima e njerëzve, tymi dhe duhma e rëndë e alkoholit, kundërmimi i çorapëve dhe i djersës ma turbulluan lukthin shpejt. Më erdhi të ndohtë. U ula në një kënd të errët ku qenë dy dejmarakë të cilët i kërcënoheshin qeverisë dhe komandantit të policisë.
Nga një kënd i këtillë njerëzit ma përkujtonin lukuninë e ujqve të cilët gjuhëzvarrur vrapojnë nëpër livadhet e ara të shkreta nën dritën e zbehtë të hënës. Ndihesha si nën një lis me shumë gjethe shushurima e të cilave të shqetëson pa dashur.
Një ditë, thosha më vete, të gjithë këta do të vdesin. Do të hyjnë në varre si bukët në furrë. Do të radhiten njëri pranë tjetrit, gojëlidhur e me grumbuj të dheut mbi ta si jorganë. Kisha një ndjenjë se këta, që të gjithë, i njihja por assesi nuk më kujtohej emri i ndonjërit nga ta.
- Ç'urdhëron zotëria? - më thotë një kamerier i trashë e qeros, me sy të përgjakur e hundë të rrjepur.
- Ma sill një gotë raki të fortë!
- Raki?! - habitet kamerieri - Këtu nuk ka raki zotëri!
- Mirë më sjell çfarëdo që të ketë... - them i mërzitur.
- Si urdhëroni zotëri!
Më vjen mirë që për një çast u largua ai trashaluq. E ndieja veten keq kur më ishte pranë. Dëgjohej zëri i ngjirur i rapsodit nga këndi tjetër i tavernës. Pas pak çastesh prapë më doli para figura e kamerierit. Me të shpejtë ma la në tavolinë kupën dhe priti çfarë do t'i them.
E afrova kupën deri të buzët, dhe për shkak të kundërmimit të rëndë e pyeta shpejt para se të ma kthejë shpinën;
- Çfarë vere është kjo?
- S'është verë zotëri, ne këtu nuk kemi verë. Ky është gjak i freskët i Gjolekajve! Kemi edhe gjak Gashianësh, apo nëse doni gjak Hotianësh. Verë gjaku më të vjetër kemi nga ata të Berishajve!
Mezi u përmbajta të mos vjell. E lëshova kupën dhe u ktheva kah kamerieri. Nuk u besoja veshëve. Ai ishte serioz dhe priste përgjigjen time. Më kapi tmerri. Tymi i dendur i duhanit m'i verbonte sytë. Nga trarët e tavolinës pikonte një lëng i trashë. E preka. Vërtet ishte gjak. I mllefosur e i trishtuar i shtyra me dorë kupat e dy dejmarakëve dhe atë timen. Të gjithë u shtangën nga habia. Brita si i marrë:
- Po ju o të poshtër po pini gjak të njerëzve? Ju qenkeni egërsira! Bisha! Lugetër!
- Kush e la këtë hajvan të hyjë këtu? - u dëgjua një zë.
- Po, vërtet, kush e la të hyjë këtu?
- Edhe ai ka vrarë, edhe ai ka nxjerrë hak, vetëm ashtu ka mundur të hyjë! - u arsyetua kamerieri tjetër.
- A e kë vrarë dikë o dudë i përroit? - krisi një zë nga banaku.
- A e ke ngrehë ngaskeqen ndojherë?
Ra një heshtje e rëndë. Nuk kuptoja gjë.
- Po, ka vrarë, ka vrarë... Si nuk ka vrarë - jehoi një zë i njohur. - Më ka vrarë mua!
Përpara më doli Uka, me një këmishë të bardhë e të gjakosur.
- E çfarë ka atëherë që bërtet e pall si gomar?
Dhe mërmërima e zërave krisi prapë. Të gjithë iu kthyen muhabeteve të tyre. Uka më shtyu kah banaku.
- Ç'ke që habitesh o Xhemë Kadria? - tha ai - Këtu vijnë të gjithë ata që e kanë vrarë dikë ose janë vrarë nga dikush. Këtu mund të hyjnë vetëm ata. Dhe ti mos u habit. Gjaku im nuk ka shkuar kot. I tëri derdhet e shitet këtu në vend të rakisë e verës. Ky është aheng i atyre që kanë nxjerrë gjakun dhe dasmë e viktimave të tyre. Sepse ata që kanë vrarë, edhe vetë janë të vrarë, është vetëm çështje e kohës kur do të barazohen.
Vrapova si i marrë kah dera e tavernës...

E DIELL

(Gjashtë ditë Zoti i madh e kishte jaratisur dynjanë. Ditën e shtatë kishte pushuar. E diella ndoshta ishte ditë e zotit Diell. Po në qoftë edhe e djallit edhe djalli është dashur një ditë të pushojë me tundimet e tij.)
E diela ishte ditë që vinte si dielli - i shumëpritur. Ishte një ardhje si ardhja  e anijes në mol, e cila vjen dalëngadalë dhe nga gëzimi herë duket se lundron e herë duket se luhatet në vend. Gjithë ditën vëzhgova vrapin e kuajve. Nuk shtiva gjë në gojë. Dëshirova të mos i lodh as nofullat. Dhe dikur as vetë s'e kisha hetuar se si anija e madhe e muzgut ishte ankoruar në majën e bjeshkës. Asnjë fjalë s'e fola me askënd tërë ditën e lume. Hyra në dhomë dhe u hodha në shtrat si një thes me eshtra.
Diku para mesnate erdhi ajo. Prania e saj më qetësoi. U mbusha me vetëbesim. Në terr mendonte se po flija. Nuk e ndezi fare dritën dhe dalëngadalë filloi të zhvishej. U drodha nga një ndjenjë e papritur. Isha i etur për aromën e lëkurës së saj të bardhë. Për shijen e amësht dhe për ngrohtësinë e avullt të afërsisë së saj. Si vetëtimë më kaloi shembëllesa e një ëndrre që e pata ëndërruar net më parë. E zgjata dorën shpejt dhe e kapa dorën e saj që ta humb sa më shpejt pamjen e tillë nga mendja. Ajo vetëm u dridh dhe lëshoi një zë të butë e mikluese.
- Ti ende s'paske fjetur? Mendoja se po flije! - tha dhe u ul në shtrat. I zgjidhi flokët. Drita e hënës derdhej si shkëlqim i margaritarëve. Çdo lakesë e trupit të saj më dukej se e kishte rrëmbyer nga hëna. Për këtë ndoshta dashnorët gjithmonë i këndojnë hënës ku dashurohen në vasha. Vala e parë e aromës së lëkurës së saj më hodhi matanë kësaj nate. E tërhoqa dhe e putha në sup. Ajo heshtte. Sytë i shkëlqenin si dy yje të lumtura në zjarrin e tyre që nxjerrin kaq shkëlqim. E putha prapë. Në buzë. Aty, në buzët e saj, valëvitej një puhizë planetare. Puhiza e jetës. U çapita nëpër qafën e saj të hollë dhe u gjenda në mes të dy gjinjve të saj. Puthja dhe nuhasja si egërsirë e uritur. Ajo pëshpëriste diç. Nuk e dëgjoja qartë çfarë thoshte dhe më shumë më pëlqente që ishin të paqarta fjalët e saj. Flokët e dendura të natës më ledhatonin si era majat e lisave. Bota nuk ishte e kotë. Jeta këtu e merrte emrin e vet të vërtetë. Ja këtu, në një zhdukje të vogël të vetvetes. Në jetë ke të bësh vetëm më ëndërr. Nga ëndrra kalon në tjetrën ëndërr. E tërë e kaluara e çdokujt mund të përmblidhet vetëm në një rrip ëndrrash. Më saktë në një rripth ëndërrzash. Edhe vdekja është vetëm mbarim, shuarje e kësaj ëndërrze. Jeta është makinë për harxhimin e ëndrrave...
Dashuria. Dashuria si kjo e kësaj nate, është çast i vërtetë kozmik: as-vdekje-as-jetë, por diçka ndërmjet, as-gjumë-as-zgjim; as-e-njelmët-as-e-ëmbël; as-dhembje-as-kënaqësi...
Ajo qëndronte në derë...
Unë putha një send të ftohtë e të pluhurosur. U tranda.
- O ti njeri! - dëgjova zërin e gruas.
Ajo qëndronte në derë dhe më shikonte e habitur se si shkryhesha nëpër dysheme me një jastëk nëpër duar.
Vrapova kah gruaja ime dhe desha ta prek me dorë. Por ajo ishte e tejdukshme. E mbulova fytyrën me duar.
- Unë po çmendem! - thashë. - Po çmendem! Ëndrrat po më çmendin! S'kanë të sosur. Nuk e di më a jetoj apo jam ëndërr. Po zgjohem nga një ëndërr e po e gjej veten në tjetrën!... I çmenduri nuk loz nga mendja, ai nuk mund të dalë nga ëndrra; prandaj askush s'mund ta ndihmojë. Kush mund të hyjë në ëndrra e ta shpëtojë dikë? Apo, ndoshta, unë jam duke prekur njëmendësinë e vërtetë, njëmendësinë e njëmendët... Dhe kur arrin këtu, ku e prek këtë, thjesht - çmendesh! Sepse mendja jonë nuk mund ta durojë njëmendësinë lakuriqe. Ajo tërë kohën  durohet vetëm duke e mashtruar veten me ëndrra...
Duke klithur u gjenda para pasqyrës.
Dhe përtej e pashë: Ukën! E çoj dorën. E çon edhe ai. Ai nis të qeshë.
- Ukë... - i them i rraskapitur. Edhe ai përtej i lëviz buzët: "Ukë". Ia prek flokët. E kaloj fytyrën me dorë. E shqyej këmishën. Gjithçka, Uka bën njësoj atje përtej. Atje, matanë.
- Ukë, unë jam çmendur! Unë dola mendsh. E, me ty nuk e di se ç'po ngjan...

Prizren (Kosovë), gusht 1988 / Rue (Zvicër), 10 maj 1991

Agim MORINA