Kacagjelthi, i
buhavtë, Buck Mulligani u shfaq në krye të shkallëve tue përcjellë në dorë, solemnisht,
kupën me shkumë sapuni në të cilën rrinin kryq pasqyra e brisku. Pizhamja e
verdhemtë, hapashalë, kalehtazi, shpupurisej mbas tij në frymën e ambël
mëngjesore. Ai e çoi kupën nalt e nisi me recitu:
-
Introibo ad altare Dei.[1]
U ndal, kqyri
poshtë shkallëve t’errta e gjarpnore dhe thirri brraukueshëm:
- Hyp nalt, Kinch![2]
Hyp nalt, ti jezuit i mnershëm!
Solemnisht u nis përpara e hypi mbi shtratin e
rrumbullakët të topit. Masandej u rrotullu tri herë e bekoi kullën
ceremonialisht, vendin arrokull saj dhe malet tue u zgju. Tevona me ta pa
Stephen Dedalusin, u përkul kah ai dhe disa herë, ngutshëm, bani me dorë n’ajri
shenja të vrikshme kryqi tue gurgullu ujin në fyt e tue tundë kryet. Stephen
Dedalusi, çartaqejfas e i përgjumshëm, i pshteti duert në majë parmakësh të
shkallëve dhe ftohtas kundroi n’atë ftyrë tue-u-tundë e tue-gurgullu e cila po
e bekonte ate, ashtu i zgjatuem si krye kali, dhe me flokët e çeltë e të
patonsurë, me bojë e dukë si lis i verdhemtë.
Buck Mulligani përgjoi për nji çast
nën pasqyrë dhe shpejtaz e mloj kupën.
- Kthehu në kazermë! – tha rreptas.
E tevona me nji
za predikuesi shtoi:
- Ngaqë qe ku e
kemi, dashamirë të shtrejtë, Krishteshën[3] e
njimendët: me korp e me shpirt, me gjak e me plagë. Ju lutem për nji muzikë të
prajshme. Mshelni sytë, zotnij. Veç nji çast. Kemi pak telashe me këto rruzkat
e bardha.[4] Shuni
të gjithë.
Përgjoi anëve
dhe ia dha nji fishkëllime të gjatë e të përmbajtun në shenjë thirrjeje, e,
masandej, në çast, u ndal në nji pritje të ankthshme; dhambët e drejtë
xixëllojshin aty-këtu me xixa të arta. Gojart[5]. Dy
fishkëllima të fuqishme e depërtuese jehuen nëpër qetësi.
- Faleminderit
miku jem - piskati flakrueshëm. - Kjo ka me ba punë për bukuri. A p’e shym qat
rrymë, pashë besën?
Zhdrypi prej
shtratit të topit dhe kqyri seriozisht vështruesin e tij, tue mbledhë rreth
kambëve kindet e labërgueme të pizhames së tij. Fytyra e buçkosun e mbulueme me
hije dhe nofulla e qitun vezake ia përkujtonin prelatin, mecenën mesjetar
veprash arti. Nji buzëqeshje plot kënaqësi iu derdh qetas nëpër buzë.
- Ç’gaz i
botës! - tha ai plot shend - Emni yt taravol, i atij farë grekolashti![6]
Ai drejtoi
gishtin me tallje dashamirëse dhe hypi mbi beden, tue qeshë me vete. Stephen Dedalusi
u nis përpjetë, e përcolli me mërzi deri në gjysmë të rrugës dhe u ul në qoshe
të shtratit të topit, tue shiku hala derisa ai e mbështeste pasqyren e tij në
beden, e zhyti brushën në tas dhe i shkumoi faqet e qafën.
Zani i hareshëm
i Buck Mulliganit vazhdoi pa prajtë:
- Edhe emni jem
asht emën taravol: Malachi[7] Mulligani,
dy daktile. Por ka nji tingëllimë helenike apo jo? Firikues e ngazëllyes si
vetë kaprolli. Na dy lypset me shku n’Athinë. A kishe me ardhë nëse ia dal m’ia
zgrapë emtës 20 stërlina?
Ai e la brushën
menjanë dhe, tue qeshë plot gaz, briti:
- A kish me ardhë? Jezuit axhami.
Masandej heshti e nisi m’u rru me
kujdes.
- Më thuj Mulligan, - tha Stepheni
qetaz.
- Fol loçka jeme?
- Edhe sa kohë ka me ndejtë Hainesi
në këtë kullë?
Buck Mulligani shfaqi faqen e rrueme
përsipër supit të djathtë.
- O Zot, a nuk asht i tmerrshëm? -
tha çeltaz. - Sakson i mërzitshëm. Atij s’p’ia rrokë kurrqysh se ti je xhentëllmen. O Zot,
këta anglezët e dreqit. Po plasin prej paresh e prej balbëtime. Ngaqë ai asht
prej Oksfordi. A e din Dedalus, ti ke nji sjellje tamam oksfordçe. Ai s’po mun
me të ra në fije. Por unë të kam pagëzu me ma të mirin emën: Kinch, tehthikës[8]!
Ai e rrujti me
kujdes majen e mjekrës.
- Tanë natën ka
krapullu për njifarë panteri të zi, - tha Stepheni. - Ku e ka këllëfin e armës?
- I përhani i shkretë, - tha Mulligani. - A t’i shtini ethet?
- Po, qebesa,
m’i ka shti lingjyret, - tha Stepheni plot vrull e me frigën që i shtohej. -
Ashtu në terr me njifarë insani që s’e njoh tue krapullu e tue murmuru me vete
qysh po don me vra nji panter të zi. Ti e kurtalise njeriun që të mos mbytet
n’ujë. Unë, sidoqoftë, nuk jam hero. Në qoftë se ai rrin këtu mue s’m’i ke pa
sytë ma.
Buck Mulligani
shfryu mbi shkumën në teh të thikës. Doli jashtë furrikut të tij dhe nisi me
hakëlu ngutshëm nëpër xhepat e pantollave të tij.
- Dreqi e
marrtë, - briti ai brraukueshëm.
Iu afru
mbështetëses së topit dhe, tue futë dorën në xhepin e epërm të Stephenit tha:
- Ma huazoni
faculetën që ta fshij briskun tem.
- Stepheni e
ndihu m’e nxjerrë dhe tue e mbajtë për cepi e qiti në shesh faculetën e ndyme e
të rrudhosun. Buck Mulligani e fshiu kujdesshëm briskun me faculetë. Mandej,
tue kundru faculetën tha:
- Faculeta e nji
bardi. Ngjyra e re artistike e poetëve tanë irlandezë: qyrrëjeshile. Gati muni
edhe me e shiju apo jo?
Prap u ngjit në
beden, e, masandej, kaloi me shikim nëpër Gjinin e Dablinit derisa flokët e
bardhemtë bojëlisi tundeshin kalehtaz.
- O Zot, - tha
ai prajshëm. - A nuk asht deti qysh e qun Algyja[9]:
nanë e madhe e ambël? Det qyrrëjeshil.
Det bolemërdhijs.
- Epi oimopa
ponton[10]. Ah,
Dedalus, grekët. Unë duhet me t’i dhanë do mësime për ta. Ti duhesh m’i lexu
ata n’origjinal. Thalatta! Thalatta![11] Ajo
asht nana jonë e madhënishme dhe e ambël. Paja e kqyre.
Stepheni
u çu e iu afru bedenit. Tue u mbështetë n’të kqyri poshtë n’ujë dhe n’anijen
postare e cila sapo e linte mbrapa gjinin e portit të Kingstaunit[12].
- Nana jonë e
gjithëfuqishme, - tha Buck Mulligani.
Ai i shkuli
shpejtaz sytë e tij të përhimtë[13]
e zhbirues prej detit e i nguli kah fytyra e Stephenit.
- Emta mendon
se ti e ke mbytë nanën tande, tha ai. Kjo asht arsyja pse s’më len me pasë
asnji punë me ty.
- Dikush e ka
mbytë, - tha Stepheni zymtaz.
- T’u thafshin
krahët, ke mujtë me ra mgjuj, Kinch, kur mama jote, tue vdekë, ka kërku prej
teje këtë, tha Buck Mulligani. Edhe unë jam hiperborejan[14] poaq
sa edhe ti. Por kur mendoj se nana jote në gërrhamat e fundit të ka kërku me ra
në gjuj e m’u lutë për te. E ti i ke ra mohit. Ka diçka ndeshëzezë në ty...
Ai shujti e
prap nisi m’e shkumu ngapak faqen ma përsipër. Nji buzëqeshje mirëkuptimi ia
përdredhi buzët.
- Po, ti je nji
shtijak i kandshëm, - murmuroi ai me vete. - Kinch, ma i kandshmi shtijak.
Ai ruhej
rende-rende e me kujdes, qetësisht, seriozisht.
Stepheni me nji brryl mbështetë
mbi granitin e thepshëm, mbështeti shuplakën e tij në ballë dhe vështroi cepin
e ryzuem të mangës së palltës së tij të zezë e vizëlluese. Dhembja, e cila ende
nuk ishte tamam dhembje e dashunisë, ia mundonte shpirtin. Qetaz, n’andërr,
mbas vdekjes, ajo i ishte paraqitë atij, me trup të shkërmoqun mbrenda qefinit
të labërguem e të kaftë që lëshonte nji erë dylli e drudrandofilli, kurthu prej
frymëmarrjes së saj, e heshtun, qortuese, me kundërmim zalitës të hinit të
lëmekun. Nëpër cepin e ryzuem të manshetës ai pa detin të përshëndetun si
nanëmadhe e ambël nga nji za i fuqishëm përngat tij. Unaza e gjinit të detit
dhe vija e horizontit mbanin përmbrenda lang jeshil e të turbullt. Legenthi i
bardhë i porcelanit rrinte afër shtratit të saj të vdekjes mbushë me vner të
amullt të cilën ajo e kishte shqitë prej mëlçisë së saj të kalbun me gulçima të
vjellash të zashme rënkuese.
Buck Mulligani e fshiu prap
tehun e briskut të tij.
- Ah, i mjeri hamall! - tha ai
me za të kandshëm. - Më duhet me ta dhanë nji këmishë dhe disa faculeta. Qysh
po të rrinë ato pantolla të dorës së dytë?
- Po më bijnë përshtati boll
mirë, - iu përgjegj Stepheni.
Buck Mulligani iu sul lugthit
nën buzën e poshtme.
- Ç’gaz i botës, - tha ai me
kënaqësi, - duhet me thanë: të kambës së dytë. Nji Zot e din se çfarë rrugaçi i
fëlliqtë ka heqë dorë prej tyne. I kam nji palë të mira vija-vija, të përhimta.
Ke m’u dukë si car në
to. Nuk po mahitem, Kinch. Ti dukesh, me të vërtetë për bukuri kur sqimohesh.
- Falemnderit, tha Stepheni.
Nuk muj m’i veshë në qofshin të përhimta[15].
- S’po mujka m’i veshë, - i tha Buck Mulligani fytyrës së tij në pasqyre. - Etiketa asht
etiketë. Po mujka m’e mbytë nanën e vet e s’po
mujka me veshë pantolla të përhimta.
Ai e
paloi briskun për bukuri dhe me prekje të lehta me mollëza gishtash shkoi
prekaz nëpër lëkurën e lëmutë.
Stepheni hoqi vështrimin nga deti dhe e ktheu kah fytyra e
buhavtë me sy të lëvizshëm e të bruztë.
- Ai farë tipi me të cilin isha
në Ship mbramë, - pohoi Buck Mulligani,
- tha se ti e ke p. p. ç.[16]
-në. Ai banon në Dottyville[17]
me Connolly Normanin[18].
Paralizë e përgjithshme e të çmendunve!
Dottyvillei, Spitali psikiatrik në Riçmond
Ai e lëvizi pasqyrën tue ba nji
gjysëmrreth n’ajri për me shkrepë kumte me sinjale drite në botë me anë të
diellit i cili rrezëllonte në det. Buzët e tij të lakueme e të rrujtuna
buzëqeshën bashkë me cepat e dhambëve të
shëndritshëm. Të qeshunit ia kaploi gjithë trupin e tij të fuqishëm e të
lidhun.
- Shikohu, - tha ai, - ti bard i
mnershëm.
Stepheni u përkul përpara dhe u
vështru në pasqyrën e zgjatun kah ai, të lugueme prej nji të çame të shtrembët,
e me nji qime floku në qoshe. Kështu më shohin ai dhe të tjerët. Kush e zgjodhi
këtë çehre për mue? Këtë trup prej hamalli që duhet qëru prej morrash. Edhe ajo
ma shtron të njëjtën pyetje.
- E shnuka prej dhomës së
shërbëtores, – tha Buck Mulligani. – Mirë ia bana. Emta gjithmonë mban
shërbëtore shëmtaqe për shkak të Malachit. Edhe mos na shtjerë ndë ngasie[19]. Quhet
Ursula[20].
Prap, në të qeshun e sipër, ai e
hoqi pasqyrën prej sysh përgjues të Stephenit.
- Harlisje e Calibanit[21] që s’e
sheh çehren e vet në pasqyrë, - tha ai. - Me pasë qenë Wildei gjallë, veç me të
pa nji herë, prore.
Tue u zbythë e tue ba me gisht Stepheni tha idhun:
- Asht simbol i artit irlandez:
pasqyra e plasun e shërbëtores[22].
Papritmas Buck Mulligani e kapi
për krahu Stephenin dhe eci me te përreth kullës derisa brisku e pasqyra
rraptonin në xhepin ku i kish rrasë.
- Nuk asht mirë me të gjujtë
rromuze kështu, Kinch, apo jo? – i tha mirësjellshëm. - Zoti e din se ti ke
dell ma shumë se cilido prej tyne.
Prap turrahiti. Ai ia ka frigën
neshterit tem sa ia kam unë të tijit. Majëpendë e ftohtë çeliku.
- Pasqyra e plastë e
shërbëtores. Thuja këtë atij kryekau atje poshtë dhe fiton nji gine. Ai thjesht
ka pare si zalli e mendon se ti nuk je xhentëllmen. Plaku i tij ka fitu tue u
shitë zulluve bozë apo dofarë budallakish qasifare. O Zot, Kinch, me pasë mujtë
na dy me punu bashkë kishim mujtë me ba diçka për këtë ishull. Me e helenizu[23].
Krahu i Cranlyt[24].
Krahu i tij.
- E kur e mendon, ti duhet me
lypë lëmoshë prej këtyne thive. Unë jam i vetmi që e dij se kush je ti. Pse nuk po më beson ma shumë? Çka të ka
kcy dreqi kundër meje? Mos asht për shkak të Hainesit ? Në baftë veç cërc me gojë
e bij këtu Seymourin e kemi m’ia ba ma zi se Clive Kempthorpeit.
Vikama djemkash parelij në odat
e Clive Kempthorpeit. Fytyrëxhenaze: shqyhen prej gazit, secili mbërthy në
tjetrin, O, deka ka ardhë deri te unë! Kumtoja lajmin me dikatllëk asaj,
Aubrey! Qe po vdes! Me leckat e shqepuna të këmishës së tij që fjaurojnë n’ajri
ai hidhet e përdridhet rreth tryeze, me pantolla zhveshë deri te thembrat,
ndjekë me gërshanë të terzive prej Adesit nga Madaleni. Fytyrë e lingjyrtë prej
berri e zhyeme me marmelatë. S’du me ma qitë bythën në lëndinë. Mos e tallni
bythën me mue si me kishk.
Vikamat prej dritares së hapun
prishin qetësinë e sheshit të katrortë. Nji kopshtar shurdhan, me përparëse, me
maskën e Mattew Arnoldsit[25] shtyn
përpara korrësen nëpër barishte tue sturru sytë në grimcat vallëtare të majave
të barit[26].
- Lene le të rrijë – tha Stepheni.
- Gjithçka asht në rregull me te. Veç natën i hyjnë dreqnit në bark.
- Ç’pate atëherë? – pyeti me
padurim Buck Mulligani. – Qite në ledinë. Unë gja nuk mbaj msheftë prej teje.
Çka ke tash kundër meje?
U ndalën, të kthyem kah kepi i
rrumcuem i Bray Headit i cili shtrihej në ujë si turini i nji balene të
përgjumun. Stepheni e hoqi krahun e vet kadale.
- Përnjime po don me ta thanë a?
- pyeti ai.
- Po, si asht puna? - iu
përgjegj Buck Mulligani. - S’po më kujtohet asnjisend.
Derisa ai folte ai kqyrte
fytyrën e Stephenit. Nji fllad i lehtë ia lëmoi ballin, lehtas ia shpupurisi
flokët e bardhemtë e të pakrehun ndërsa në sy ia ngallmoi xixëllimat e
argjendta të brengës.
Stepheni, prishaqejf nga zani i
vet, tha:
- A të kujtohet kur t’erdha për
herë të parë për vizitë mbas vdekjes së nanës teme?
Buck Mulligani u vrantu shpejt e
tha:
- Qysh? Ku? S’më kujtohet asnjisend. Unë i mbaj mend vetëm
idetë dhe ndiesitë. Pse? Çka ndodhi pashë Zotin?
- Ti bajshe çaj, - tha Stepheni, - dhe shkove përkryq
shkallares[29]
për me marrë ma shumë ujë të vluem. Nana jote dhe nji mysafir dolën prej dhomës
së ditës. Ajo të pyeti se kend e ke në dhomë.
- Po ? - tha Buck Mulligani.
- E ç’paskam thanë unë? S’m’u kujtoka.
- Ti the, - u përgjegj Stepheni,
- Aha, asht Dedalusi ai, nana e të cilit
ka ngordhë!
Mollëzat e Buck Mulliganit u
vërshuen nga nji kuqrremtësi që e banë ate të dukej ma i ri dhe ia shtuen nurin.
- A kështu paskam thanë a? -
pyeti ai. - Mirë. Ç’të keqe ka këtu?
Me plot siklet, u shliru prej
nji gulçi të vet.
- Ç’asht vdekja, - pyeti ai, - e
sat amë, e jotja apo vetë e jemja? Ti e ke pa veç nanën tande tue vdekë. Unë i
shoh çdo ditë qysh e drejtojnë bishtin në Mater dhe në Riçmond dhe qysh i
prejnë masandej copa-copa në sallën e autopsisë. Asht shtazarake dhe pikë.
Ç’randësi ka kjo. Po ti, bre, nuk ke ra në gjuj për m’u lutë për nanën tande n’shtrat
të dekës kur të ka kërku. Pse s’e ke ba? Sepse ti ke blanë jezuiti në ty, pos
që t’asht injektu mbrapsht. Për mue e tana asht gaz i botës dhe shtazarake.
Bulat e trunit s’i bajnë punë
ma. Ajo ia nis dhe e qun doktorin, Sir Piter Teazle[30], dhe
don m’i mbledhë luleverdhat e jorganit. Duhesh m’e miklu derisa t’i vijë fundi.
Ti i re mohit dëshirës së saj të fundit e mue po m’i tharbëton hundët pse nuk
du me kthisë si belbacuk i paguem i Lalouetteit[31].
Absurde! Po ma merr mendja që ta kam thanë. Po s’e kam pasë as në fund të
mendjes me e fy kujtimin për nanën tande.
Mbas këtyne llafeve u
kërthëndez. Stepheni, tue i prujtë plagët që ato fjalë ia patën hapë në zemër,
tha ftohtas:
- S’e kam fjalën te fymja ndaj
nanës teme.
- E çka dreqin ke atëherë? -
pyeti Buck Mulligani.
- Për fyemjen e bame ndaj meje -
ia ktheu Stepheni.
Buck Mulligani u rrotullu mbi
thembrën e vet.
- O, ti s’lidhesh kurrqysh! -
briti ai.
Bante ecejake të ngutshme
përrreth bedenit. Stepheni rrinte pa lëvizë vendi, tue vështru detin e qetë kah
kepi. Deti e kepi tashma vdirreshin në mjegullazë. Në sy i rrihnin damarët tue
ia mjegullu pamjen, e në faqe ndjente nji përvëlim.
Nji za prej mbrenda kullës
thirri mza:
- A je atje nalt, o Mulligan?
- Qe po vij, - iu përgjegj Mulligani.
Ai u kthy kah Stepheni e tha:
- Kqyre detin. Çka ia ha palla
për fymje? Rrasja Loyolas[32],
Kinch, dhe eja poshtë. Saksoni[33]
po don suxhuk për kafjall.
Kryet e tij u ndal prap për nji
çast në krye të shkallëve, në nji nivel me pullazin:
- Mos e lodh kryet gjithë ditën
e lume për atë punë. Unë jam çapraz prej goje. Hiq dorë prej persiatjeve
inatçore.
Kryet e tij u zhduk por
mërmërima e zanit të tij tue zbritë jehonte prej majes së shkallëve:
S’ka ma me kthy kryet menjanë e me mejtu,
për msheftësinë e idhtë të dashunisë
Ngaqë Fergusi i drejton koçitë farfuritëse.[34]
Hijet e drujve notonin heshtazi
nëpër qetësinë mëngjesore nga maja e shkallëve kthy kah deti nga vëzhgonte ai.
Në të thatë dhe përtej pasqyra e ujit zbardhej, e shkelun nxitueshëm prej kambëzash
drite. Gjini i bardhemtë i detit të vagëlluem. Goditje të gërshetueme, dy nga
dy. Dora e dikujt tue u ra telave të harpës tue i shkri akordet e gërshetueme.
Fjalë valëbardha të bashkueme drithtohen në baticën vagëlluese.
Nji re nisi me mbulu diellin
dalëngadalë, tue hijezu gjinin me nji bojë blertëmbylltë. Ajo shtrihej mbrapa
tij, legen me ujna t’idhun. Kanga e Fergusit: e këndoja nalt mshpi, tue i
zgjatë akordet e gjata e të zymta. Dera e saj ishte e hapun: asaj i pëlqente me
ndëgju muzikën teme. Pa mujtë me ba as gëk as mëk prej frige e pikëllimi unë iu
afrova shtratit të saj. Ajo qante në shtratin e saj të kobshëm. Për qato fjalë
Stephen: msheftësia e idhun e dashunisë.
Kah tash?
Msheftësitë e saja: freskana të
vjetra pendlash, programe ballosh të stolisuna me xhufka, të parfumosuna me
misk, rruza qelibari pa vlerë, të ndryme në dollapin e saj. Nji kafaz zogjsh
varun afër dritares së ndritshme të shtëpisë së saj kur ajo pat qenë vajzushkë.
Ajo ndëgjonte plakushin Royse se si këndonte në Turkoja i Mnershëm[35]
dhe qeshte me të tjerët kur ai këndonte:
Unë jam ‘i djalë i kajshëm,
Që ma kanda fort
M’u ba i padukshëm!
Nji gurgule lugatçore, e palueme
dikund: e miskueme.
S’ka ma me kthy kryet menjanë e me mejtu...
E palueme diku në kujtesën e
natyrës bashkë me lodrat e saja. Kujtimet ia vërshonin trunin e tij të mejtueshëm.
Gota e saj e ujit nga çeshmja e kuzhinës kur i qasej kungimit. Molla e shpueme
e mbushun me sheqer të kaftë, e cila piqej për te në çerep në mbramjet e errëta
të vjeshtës. Thojtë e saj trajtëbukur, të skuqun prej morrash të ndrydhun
këmishash të fëmijëve.
N’andërr, heshtazi, kishte ardhë
te ai, trupi i saj i shkërmoqun mbrenda qefinit të labërguem me kundërmim dylli
e drudrandofilli, kurthu prej frymëmarrjes së saj, me fjalë heshtake, të
mshefta. Era zalitëse e hinit të lëmekun.
Sytë e saj të qelqtë, tue shiku zgurdullueshëm
diku prej mordjes për me ma shkundë e përkulë shpirtin tem. Vetëm temin. Qirij
lugatçorë, për m’ia ndritë agoninë dritë lugatçore, mbi fytyrën e mundueme.
Frymëmarrja e saj e zashme dhe e mbytun që shungullon prej tmerri derisa të
gjithë luten në gjuj. Sytë e saj drejtu në mue për me më detyru që të
gjujzohem. Liliata
vutilantium te confessorum turma e circundet: iubilantium te virginum chorus
excipiat.[36]
Lugat! Xhenazepërtypës! Jo nanë ik prej meje dhe lemë me jetu.
-
Kinch-o-hej! - zani i Buck Mulliganit kumboi këndueshëm prej mbrenda kullës.
Afrohej kah shkallët, prap tue thirrë. Stepheni tue u dridhë nga gjama e
shpirtit të tij, e ndëgjoi rrezen e ngrohtë e të vrikshme dhe, n’ajrin mbrapa
tij, fjalë dashamirëse:
- Dedalus,
paja poshtë, djerrakohës i rregjun. Kafjalli asht gati. Hainesi po kërkon
falje që na e ka prishë gjumin mbramë. Asht në rregull.
- Po vij, - tha Stepheni, tue u
kthy.
- Eja pashë Krishtin, - tha Buck
Mulligani. - Pashë mue edhe pashë gjithë ne.
Kryet e tij shkridhej e kridhej.
- Ia thashë simbolin tand
t’artit irlandez. Ai thotë se asht e fiqirueme shumë mirë. Merrja nji stërlinë,
ani? Nji gine, mendova.
- Sot kam me marrë pagën, - tha Stepheni.
- Rrogëzën e shkollës a? - tha
Buck Mulligani. - Sa? Katër stërlina? A ma jep mue ndonji.
- N’daç, - tha Stepheni.
- Katër suverenë vezullues -
briti hareshëm Buck Mulligani. - Kemi m’u dehë ashtu që edhe druidët e druiduem[37]
me na e pasë lakmi. Katër suverenë të plotfuqishëm.
Ai i çoi duert e tij dhe
randë-randë zhdrypi shkallëve të gurta, tue këndu pa fije melodiciteti me theks
koknian[38]:
A s’kena me bô kokrrën e qefit-o,
Tuj pi viski, birrë e venë-o,
N’kunorzim, n’dit t’bashkimit-o,
A s’kena me bô kokrrën e qejfit-o,
Ditën e bashkimit-o?[39]
Shkëndija e ngrohtë e diellit
tue u bashku me det. Tasi i nikeluem për rruemje farfuriti i harruem mbi beden.
Pse më duhet me e zhdrypë poshtë? Apo me e lanë aty tanë ditën e lume,
miqësi e harrueme?
Iu qas tasit, e mori në duer nji
çast, tue e ndi të ftohit e tij, tue i marrë erë jargëve të shkumës së lëmekun
në të cilin brusha ish nguju. Kështu e përcolla barkëzën e temjanit atëherë në Kllongous[40].
Klasa e James Joyceit në Kolegjin Kllongous (Clongowes Wood College).
Foto e vitit 1888. James Joycei asht i ulun mbi bar në mes.
Tash unë jam tjetër, dhe prap, i
njejtë. Nji shërbëtor, gjithashtu. Shërbëtor shërbëtori[41].
Në odën e vranët qiellzanë të
kullës figura e pizhamtë e Buck Mulliganit lëvizte për së kithi poshtë e naltë
oxhakut, tue shfaqë e shpërfaqë pizhamet e verdha të tij. Dy shtiza të dritës
së butë ditore ranë mbi podin e gurtë nga frengjitë e nalta: ndërsa në
pikëpuqjen e rrezeve nji re tymi e thëngjillit dhe tymnaja e dhjamit të
përzhitun pezullonin në rrotullim e sipër.
- Po ngulfatemi, - tha Buck Mulligani.
- Haines, hape qatë derë, pashë besën!
Stepheni e lëshoi tasin për
rruemje mbi dollap. Nji figurë e gjatë u nëpërduk nga kosheli ku kish qenë i
ulun, shkoi deri te dera dhe e shtyni derën e mbrendshme hapashalë.
- A e ke çelësin? - pyeti nji
za.
- E ka Dedalusi, - tha Buck Mulligani.
- Oj kuku nanë, m’u zu fryma. Uluriti ai pa shiku kah zjarmi.
- Kinch!
- Asht në bravë - tha Stepheni,
tue ba para.
Çelësi gërrici tue u rrotullu
trishtueshëm dy herë dhe, kur dera e randë kërkëlliti tue u hapë përgjysë, hyni
nji dritë e mirëseardhun dhe nji ajër i shëndritshëm. Hainesi qëndronte në
hymje të derës tue shiku jashtë. Stepheni e çoi qirithi valixhen e tij mbi
tavolinë dhe u ul me pritë. Buck Mulligani i hodhi vezët e fërgueme në pjatën
anës tij. E masandej e mori pjatën dhe çajnikun e madh, i lëshoi truç mbi
tavolinë e shfryni shlirshëm.
- Po shkrihem i tani, - tha ai,
- qysh pat thanë qiri… Po prit. Të mos e zamë ma në gojë këtë muhabet. Zgjohu
Kinch! Bukë, tëlyen, mjaltë. Haines, hajde burrë. Haja asht gati. Na beko, o
Zot, me gjithë këto dhurata tua. Ku asht sheqeri? O dreq, s’paska tamël.
Stepheni e nxori prej dollapi
bukën, kavanozin me mjaltë dhe tëlyenin. Buck Mulligani u ul me malcim të
papritun.
- Ç’dreq pune asht kjo? - tha
ai. - Unë i thashë asaj me ardhë mbas orës tetë.
- Na mujmë me e pi edhe të zi -
tha Stepheni. - Ka limon në dollap.
- Të hangërt dreqi ty me gjithë
qyfyret e tua parisiane, - tha Buck Mulligani. - Unë du tamël Sandikoveri.
Hainesi erdhi prej hymjes së
derës dhe tha qetas:
- Ajo grue
me tamël asht tue ardhë nalt.
- Të bekoftë
Zoti, - tha Buck Mulligani, tue kcy prej karriges së tij. - Ulu. Qite
qat çaj.
Sheqeri asht në qese. Qe, s’po
muj me ça krye ma me këto vezë. I ndau vezët e përzhituna mbi fërtere e
masandej i përplasi mbi tri pjata tue thanë:
- In nomine Patris et Filii et Spiritus Sancti.[42]
Hainesi u ul për me qitë çaj.
- Po ju jap nga dy kokrra
sheqeri secilit, - tha ai. - Por, më duket se ti, Mulligan, me të vërtetë po
zin çaj të fortë a e kam gabim?
Buck Mulligani tue e pre bukën
në thela të mëdha tha me za shkërbyes plakushke:
- Kur zij çaj, zij çaj, qysh
thoshte nana plakë Grogan. E kur zij ujë, zij ujë!
- Pasha Enjtin, qesaj p’i
thankan çaj se jo mahi – tha Hainesi.
Buck Mulligani vazhdoi me pre e
me shkërby:
- Kështu baj unë, zonja Cahill, thotë ajo. Për Zotin, zonjë, ia kthen zonja Cahill, jemi me nafakë që nuk i zin të
dyja në të njejtën enë.
Ai ia zgjati herë njenit e masandej
tjetrit shok tavoline thelën e bukës ngulë në maje thike.
- Ata janë mileti, - tha ai me
shumë seriozitet, - për librin tand, Haines. Pesë rreshta tekst dhe dhetë faqe
shënime për miletin dhe peshqhyjnitë e Dundrumit të botuem nga motrat shtriga
në vjetin e furtunës së madhe[43].
Ai u kthy kah Stepheni dhe pyeti
me za të butë e të hutuem, tue i çu vetullat:
- A të kujtohet, vëlla, a
përmenden çajniku e çaji në Mabinogian[44]
apo kjo zihet në gojë në Upanishada[45]?
- S’ma merr mendja, - tha
seriozisht Stepheni.
- Pashë besën? - tha Buck Mulligani
me të njëjtin ton. - E pse vallë?
- Ma thotë mendja, - tha Stepheni
tue hangër, - se kjo nuk gjendet as mbrenda as jashtë Mabinogianit! Nana Grogan
ka qenë, supozohet, kushërine e Mary Annës[46].
Qehrja e Buck Mulliganit u kaplu
prej hareje.
- Për bukuri, - tha ai me za
t’ambël shkërbyes, tue zbulu dhambët e bardhë dhe tue vetu sytë me kënaqësi. -
A po ta merr mendja se asht ajo? Bukuri.
Masandej,
befas, i tani i vranët, murmuriti brraukushëm derisa vazhdonte me pre prap bukën
fërtymshëm:
Se plakushka Mary Ann
S’jep pesë pare mor aman
Pse e çon nalt atë fustan.
E mbushi gojën me vezë, u përtyp
e zhuzhulliti.
Hymja e derës u errësu nga hija
e dikujt që po hynte.
- Tamli, zotni!
- Hyn mbrenda, zojë, - tha Mulligani.
- Kinch, bjere kënatën.
Plaka hyni mbrenda dhe u ndal
përngat brrylit të Stephenit.
- Asht nji sabah i kandshëm,
zotni, - tha ajo. - Qoftë lavdu Perëndija!
- Kush? - pyeti Mulligani tue i
sturru sytë në te. - Aha, qysh jo.
Stepheni u kthy mbrapa, e mori
kënatën e tamlit nga dollapi.
- Ishulltarët - i tha si me
pahir Mulligani Hainesit, - po flasin koxha shpesh për mbledhësin e zhangave[47].
- Sa, zotni? - pyeti plaka.
- Nji litër, - tha Stepheni.
Ai e shikonte ate se si qitte në
enëmatëse e që andej në kanatë tamël të trashë e të bardhë, jo të sajën. Cicat
rrekë të mrrudhuna. Ajo prapë derdhi nji masë të plotë, e, edhe ‘i çikë[48].
E moçmueme dhe e msheftë ajo hyni prej botës mëngjesore, ndoshta ndoj kasnece.
Ajo e lavdonte cilësinë e tamlit tue e derdhë. Gërmuqas pranë lopës së urtë
n’agmi në fushën e lulëzueme, nji shtrigë mbi këpurdhë, gishtat e mrrudhuna e
të shpejta, në sisët që cirkaten. Pëllasin rreth saj, e njohin mirë,
bagëti vesëmëndafshtë. Mëndafsh ndër qe[49]
dhe plaka e vorfun, me këto emna dikur moti e pagëzueme. Gufallë bredharake,
trajtë ma e ulët e jovdekatarëve e cila i shërben pushtuesit të saj dhe jaranit
të saj të pabesë, brinjare[50],
lajmëtare nga nadja e msheftë. Me shërby apo me qortu, s’mujke me e da mendjen:
përbuzte me u lutë për m’ia ba nji nder.
- Qashtu asht përnjime, zojë, -
tha Buck Mulligani tue qitë tamël në tasat e tyne.
- Provoje nji herë, zotni, - tha
ajo.
Ai e piu për hatër të saj.
- Qysh me mujtë me jetu me
ushqim të mirë si kjo, - i tha asaj diqysh si mza, - nuk kishim me pasë vendin
me dhambë të krymbun e me zorrë të prishuna. Jetojmë në moçal, hamë ushqim të
lirë, me sokaqet plot pluhun, bagla kuajsh e pështyma veremlijsh.
- A mos jeni student i
mjekësisë, zotni? - pyeti plaka.
- Po, zojë, - iu përgjegj Buck Mulligani.
Stepheni e ndëgjonte me nji
heshtje qortuese. Ajo e përkul kokën e saj plakë ndaj zanit që i flet asaj mza,
fallxhori i saj, barnatari i saj: mue s’më ban hesap. Zanit që ka me ndëjy e me
mirru për në vorr. Gjithçka që mbetet prej saj përveç ijeve të palame, mishit
të mashkullit, që s’asht ba simbas shembëlltyrës së Perëndisë, pre e gjarpnit[51].
Dhe zanit të naltë që tash e urdhnon me heshtë me sy që rrotullohen papushim.
- A p’e kupton çka asht kah të
thotë? - e pyeti Stepheni.
- Zotni, frengjisht je tue folë,
a? - i tha plaka Hainesit.
Hainesi i foli asaj prap nji copë muhabeti ma të
gjatë, ma me besim.
- Irlandisht, - tha Buck Mulligani.
- A din me folë galisht?
- Ma mori mendja se asht
irlandisht, - tha ajo, - simbas kumbimit. A je prej perëndimi[52],
zotni?
- Unë jam anglez, - iu përgjegj
Hainesi.
- Ai asht anglez, - tha Buck Mulligani,
- dhe mendon se na në Irlandë duhet me folë irlandisht.
- Kah ta kthesh e ka mirë, - ia
ktheu plaka. - Edhe mue më vjen marre që vetë nuk e flas këtë gjuhë. Prej atyne
që e dijnë m’asht thanë se asht gjuhë e madhnueshme.
- E madhnueshme, pak asht m’i
thanë - tha Buck Mulligani. - Mrekullia vetë. Qitëm edhe pak çaj, Kinch. A p’e
doni edhe ju nji gotë zojë?
- Jo, faleminderit, zotni, - tha
plaka tue shti dorën nëpër vegëzën e bidonit për qumësht dhe tue u ba gati m’u
nisë.
Hainesi tha:
- A ke faturë? Ma mirë asht m’e
pagu, Mulligan, apo jo?
Stepheni i mbushi të tre
filxhanat.
- Faturë, zotni? - tha ajo
rryeshëm. - Mirë, dy herë shtatë mëngjese për nji litër nga dy pensë asht dy
herë shtatë që bajnë nji stërlinë e dy pensë ma shumë, ndërsa tri mëngjeset e
fundit nji litër nga katër pensë asht tre litra që asht nji stërlinë shtoja
edhe nji dhe dy janë dy nga dy, zotni.
Buck Mulligani fshau dhe tue
pasë gojën mbushë me kore të bukës të lyeme trashë me tëlyen në të dyja anët i
shtriqi kambët përpara dhe nisi me kërku nëpër xhepat e pantollave.
- Paguj edhe duku i kandshëm, -
i tha Hainesi tue buzëqeshë.
- Stepheni e mbushi filxhanin e
tretë, lugëza e çajit e ndyu pakëz qumështin me yndyrë të dendun. Buck Mulligani
e solli nji forintë, e rrotulloi nëpër gishta dhe briti:
- Mrekulli!
E shtyni përgjatë syprinës së
tavolinës kah plaka tue thanë:
- Mos lyp ma shumë prej meje, xhan-e!
Të dhashë krejt çka pata me të dhan-e.[53]
Stepheni e lëshoi monedhën në
dorën e saj aspak të babëzitun.
- Po të mbesim borxh nja dy
pensë, - tha ai.
- Ka vakt zotni, - tha ajo, tue
marrë monedhën. - Ka vakt. E paçi sabahin e hajrit, zotni.
Ajo u përkul e doli e përcjellun
prej këndimit të ambël të Buck Mulliganit .
- O moj loçka e shpirtit tem,
me pasë pasë pare ma shumë
Para kambësh t’i kishim gjujtë...
Ai u kthy kah Stepheni e tha:
- Përnjimend, Dedalus. Unë mbeta
tangall. Ngutu e shko në shkollën tande e sillna ndoj metelik. Sot bardët duhet
me pi e me kremtu. Irlanda sot pret që çdo burrë m’e përmbushë detyrën e tij[54].
- Kjo ma përkujtoi, - tha
Hainesi, tue u çu mkambë, - që më duhet me shku në bibliotekën tuej kombëtare.
- Së pari të llokoçitem, - tha
Buck Mulligani.
Ai iu kthy Stephenit dhe e dveti
butaz:
- A asht sot dita e përmujshme
kur ti lahesh, Kinch?
E masandej i tha Hainesit:
- Bardi i papastër ndërgjegjshëm
lahet nji herë në muej.
- Krejt Irlandën po e lan Rryma
e Golfit - tha Stepheni tue pritë nji vjaskë mjalte me piku mbi fërtelen e
bukës.
Hainesi, nga qoshja ku lidhte
nyje të labërgueme nji shami rreth jakës së butë të këmishës së tij të tenisit,
foli:
- Në qoftë se më lejon, e kam
ndërmend me ba nji përmbledhje me thaniet e tua.
Po më folin mue. Ata lahen e
pastrohen e fërkohen. Bremje e ndërgjegjes[55].
Ndërgjegjja. Apet, kjo blanë s’po hiqet.[56]
- Ajo rreth pasqyrës së plasun
të shërbëtores asht, për dreq, e qëllueme për bukuri.
Buck Mulligani e goditi kambën e
Stephenit nën tavolinë e tha me përzemërsi:
- Prit pak derisa ta ndëgjosh
kur të nisë me folë për Hamletin[57].
- Mirë, e kam me gjithë mend, -
tha Hainesi, hala tue i folë Stephenit. - Unë isha tue mendu bash për qat punë
kur ajo krijesa e mjerë ia behu mbrenda.
- A më del ndoj pare prej kësaj
pune? - pyeti Stepheni.
Hainesi ia plasi gazit dhe teksa
po e merrte kapelën e tij të butë e të përhimtë nga gozhda e koshelit ku ishte
varë, tha:
- Nuk muj me shti dorën në
zjarm!
Ai eci deri te dera. Buck Mulligani
u pri menjanë kah Stepheni e me za të ashpër e energjik tha:
- Tash e flliqe me kah krejt.
Pse s’p’e mshelë gojën, bre?
- Ani çka? - tha Stepheni. -
Çashtja asht qysh m’i ba do pare. Prej kujt? Prej tambëlsjellëses apo prej tij.
Asht krejt njisoj simbas meje.
- Unë rashë copë tue folë për
ty, - tha Buck Mulligani, - e ti, masandej, vjen me atë ngërdheshjen tande të
pahijshme e me rrotlla pa fije lezeti jezuitësh.
- S’kam shpresë se del gja, -
tha Stepheni, - as prej saj as prej tij.
Buck Mulligani fshau tragjikisht
dhe e pshteti dorën e tij mbi krahun e Stephenit.
- Kij uzdajë në mue, Kinch, -
tha ai.
Me nji ton, befas të ndryshuem,
ai shtoi:
- Me ta thanë kah del shpirti,
po më duket se e ke mirë. Ata s’janë kurrgja. Pse s’po ua lun lojën si unë?
Copa mos iu gjettë. Le t’ikim prej kësaj strofulle.
Ai u çu mkambë, e shlidhi nyjen
dhe i zhveshi pizhamet e tha me pezm:
- Mulliganit iu muernë petkat![58]
I shprazi xhepat mbi tavolinë:
- Qe ku e ke faculetën tande, -
tha ai.
Tue e vu jakën kaba dhe kravatën
gjarpnushe u folte, i qortonte me gjithë zingjirin shilarak të sahatit. Me duer
të futuna në valixhe kërkonte nji faculetë të paqtë. Bremje e ndërgjegjes. Për
Zotin, na duhet m’u veshë simbas karakterit. Unë du dorëza të sykëta dhe çizme
të blerta.[59]
Kundërthanie. A jam në kundërthanie me vetveten?[60]
Shumë mirë, atëherë unë jam në kundërthanie me veteveten. Malachi merkurial.
Nji predhë e zezë fjauroi prej duerve të tij të paprajshme.
- Qe ku e ke kapelën tande të
mahallës së latinëve[61],
- tha ai.
Stepheni e mori dhe e vuni në
krye. Hainesi i thirri prej hymjes së derës:
- A jeni tue ardhë apo jo, o
burra të dheut?
- Unë jam gati, - iu përgjegj
Buck Mulligani. - Dil jashtë, Kinch. Ma merr mendja ti i gjurate krejt çka mbet
pa hangër prej nesh.
I ramë mazun ai doli jashtë dhe
me fjalë të zymta e trokëlluese, shtoi gati si me pikëllim:
- Tue ecë kështu ai zateti-o në Butterly-në.
Stepheni mbasi e mori bastunin
prej frashni prej ku e kishte pshtetë u nis mbas tyne dhe, derisa ata
zhdrypshin shkallëve, tërhoqi derën e randë e të hekurt dhe e msheli. E futi
çelësin sa për nam në xhepin e tij të mbrendshëm.
Në rranzë të shkallëve Buck Mulligani
pyeti:
- A e prune çelësin?
- Po, unë e kam, - tha Stepheni,
- tue ecë para tyne.
Ai vazhdoi me ecë. Mbrapa tij
ndëgjoi Buck Mulliganin tue i mëshu, me peshqirin e tij të randë, kërcejve e
llastarëve të fierit e të barit.
- Ndale dorën, zotni. Qysh po
guxon zotni?
Hainesi pyeti:
- A po paguni qira për këtë
kullë?
- Dymdhetë stërlina, - tha Buck Mulligani.
- Ministrit të Luftës, - shtoi Stepheni
përmbi supin e tij.
Ata u ndalën derisa Hainesi e
vëzhgonte kullën e tha ma në fund:
- Muj me thanë se dimnit asht
mjaft e zymtë. E quni, Martello, a?
- I ka ndërtu Billy Pitti[62],
- tha Buck Mulligani, - në kohën kur francezët ishin zotnues të detit.[63]
Por, asht i joni omphalosi.
Kulla e Martellos
- Ç’mendim ke për Hamletin? - pyeti Hainesi Stephenin.
- Jo, jo, - bërtiti plot dhembje
Buck Mulligani. - Unë nuk muj m’i shty brinat me Shën Thomas Aquinasin[64]
bashkë me pesëdhetepesë arsyet që ia ka vu vetes për me e mbështetë mendimin e
vet. Prit sa t’i rrëkëllej disa pinta[65]
në bark.
Ai u kthy kah Stepheni e tha tue
i ulë pedantërisht majat e jelekut të tij t’aguliçtë.
- Ti s’kishe mujtë m’ia dalë me
ma pak se tre pinta, Kinch, apo jo?
- Mbasi ka mujtë me pritë deri
tash, - tha Stepheni pa fije trazimi, - mun me pritë hala.
- Po ma ngallmon kurreshtjen, -
tha Hainesi miqësisht. - A asht njifarë paradoksi?
- Uh! - u ndëgju Buck Mulligani.
- Na ia kemi hedhë Wildeit dhe paradokseve. Asht boll e thjeshtë. Ai e vërteton
në mënyrë algjebrike se nipi i Hamlet-it asht gjyshi i Shakespeareit dhe se
vetë ai asht shpirti i t’atit të vet.
- Çka? - tha Hainesi, tue nisë
m’u përqendru në Stephenin. - Vetë ai?
Buck Mulligani e lidhi peshqirin
për qafe si shall dhe tue u gjyftu prej gazit të pafre, i tha në vesh Stephenit:
- O, hije e Kinchit plak! Jafeti
në kërkim të babës![66]
- Na, gjithmonë jemi të lodhun
në mëngjes, - i tha Stepheni Hainesit. - E kjo punë, qebesa, i ka suret e
gjata.
Buck Mulligani tue dalë para i
çoi duert.
- Veç nji pintë e shejtë mun
m’ia shlidhë gjuhën Dedalusit - tha ai.
- Po du me thanë, - shpjegoi Hainesi
Stephenit, mbasi nisën me ecë, - që kjo kullë dhe këto shkrepa po ma
përkujtojnë diqysh Elsinorein[67].
Që mbi rranzën e vet prihet kah deti, a s’asht kështu?
Buck Mulligani në çast u kthy
kah Stepheni po nuk foli. Në atë çast të ndritshëm e të qetë Stepheni e pa
shembëlltyrën e vet në teshat e përzishme, të pluhunosuna e të lira, në
mes të veshjeve plot galdi të tyne.
- Asht nji rrëfim i mrekullueshëm,
- tha Hainesi, tue u ndalë apet.
Sytë, të zbehtë si deti, fresku
prej ere, ma të zbehtë, të vendosun dhe të urtë. Sundimtar detesh[68],
ai vështronte kah jugu përtej gjinit i cili kish me qenë i shkretë pa
shtëllungat e puplavta të tymit të anijes postare, i vagët në horizontin e
ndritshëm dhe nji velanije tue lundru tërthor drejt Muglinsit.
- Më ka ra me lexu diku
shtjellimin teologjik të kësaj - tha ai hutueshëm. - Idenë e Atit e të Birit.
Biri i cili përpiqet m’u ndëjy prej t’Atit.
Fytyra e Buck Mulliganit, sa
veton dy herë me sy, e tana u mbulu me nji buzëqeshje gazmore. Ai shikoi në ta,
goja e tij si kuti e hapun lumnueshëm, sytë e tij prej të cilëve, pa pritë e pa
kujtu, ishte zhdukë hija e urtësisë, vetonin me nji galdim të nji të çmenduni.
Lëvizte kryet si kukull herë para, herë mbrapa, streha e sheshirit panamë
fërfëllonte dhe nisi me këndu me nji za të qetë e të hareshëm.
Unë jam ma i mbrapshti djalosh që keni
pa,
Nanën e kam jahudi e baba zog m’asht
ba,
Me Zef marangozin s’po mujmë n’akord me
ra,
Të pimë për shnet dishepujsh e
t’Kalvarit, pra![69]
‘Unë jam ma i mbrapshti djalosh...’, i pari prej nji vargu citatesh
të vargjeve të shkrueme prej Oliver St. John Gogartyt të quejtun
‘Kanga e Jezuit Hokatar (por pakëz sarkastik))’, 1904-5.
Tema e cila ka me vazhdu m’u trajtu, në mënyrë blasfemuese,
ban fjalë për egzistencën fizike të Jezuit
(si kundërshtim i hyjnueshmënisë së tij).
Ai e çoi gishtin tregues në
shenjë qetësie e vërejtje:
Që hyjnor nuk jam, kush e mendon
Kur ta prodhoj, asnjë pikë vene s'e provon
Ujë ka m'iu dashë me pi, ah, i kthjellët t'kish qenë
Por unë prap kam me e kthy në venë!"
Vrik e tërhoqi bastunin e Stephenit,
si punë lamtumire dhe tue ngarendë kah cepi i shkrepit, i rrahu krahët anës
ijeve si shpend apo krahë zogu që bahet gati m’u çu n’ajri e këndoi:
Lamtumirë, tash lamtumirë, shkruj krejt
çka të thashë,
Dhe thuji filanit e fistekut se u
ringjalla[70]
Kurrkush n’ftyrë toke s’mun me më ndalë
mos me fluturu
Dhe gazi i Olivetit... Lamtumirë,
lamtumirë.
Ai kcente para tyne poshtë kah
vrima e thellë rreth katërdhetë kambë, tue rrehë krahët si zog e tue u hedhë me
zhdërvjelltësi, sheshiri merkurian[71]
drithëritej në flladin që ua kthente mbrapa krrokamat e shkurta si të zogjve.
Hainesi, i cili buzëqeshej me
matuni, shkoi pranë Stephenit e tha:
- Po ma merr mendja se na
s’duhet m’u hingirisë. Ai asht koxha blasfemues. Unë vetë, me thanë të drejtën,
s’jam besimtar. Prapseprap nga gazi i tij sikur s’len me kuptu gja të keqe në
te apo jo? Qysh e qujti? Jozef marangozi?
- Balada e Jezuit Hokatar, - iu
përgjegj Stepheni.
- O, - tha Hainesi, - ti e paske
ni këte edhe ma parë?
- Tri herë në ditë mbas buke, -
tha Stepheni me gjakftohtësi.
- Ti nuk je fetar apo jo? -
pyeti Hainesi. - Mendoj, fetar në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale. Krijimi
prej asgjaje e mrekullitë, e Zoti i mishnuem.
- Krejt po më duket se egziston
vetëm nji kuptim i kësaj fjale.
Hainesi u ndal për me e nxjerrë
kutinë e lëmuet dhe t’argjendtë në të cilën vizëllonte nji gur i gjelbër[72].
Ai e hapi me pëlqyer dhe e zgjati përpara:
- Falemnderit, - tha Stepheni
tue e marrë cigaren.
Hainesi e mori nji edhe për vete
dhe e mbylli kutinë. E futi në xhepin përanash dhe nxori nga xhepthi i jelekut
nji çakmak nikeli, e hapi edhe ate, e masandej, mbasi e dhezi cigaren, e mbajti
flakën e zjarmit afër Stephenit mbrenda guacës së pëllambëve të veta.
- Po, natyrisht, - tha ai kur u
nisën prap. - Ose beson, ose nuk beson apo jo? Personalisht, s’po muj me e
tretë idenë e Zotit të mishnuem. As ti, ma merr mendja, s’pajtohesh me këte?
- Shihet në mue, - tha Stepheni
me nji pakënaqësi të zymtë, - shembulli i tmerrshëm i mendimit të lirë.
Ai vazhdoi me ecë tue pritë
përgjegjen, e tue tërheqë bastunin kah ana e tij. Maja e metaltë e shkopit e përcillte
lehtaz nëpër shteg tue kujitë ndër thembrat e tij. Përcjellësi jem besnik që
thërret Stepheeeeeeeeen. Nji ravë qemër përgjatë shtegut. Sonte kanë m’u zatetë
n’te në kthim sipër. Ai e do çelësin. Asht i jemi, unë po paguj qira. Tash unë
jam tue hangër bukën e njelmët[73].
Jepjani edhe atij çelësin. Gjithçka. Ai ka m’e kërku. I dukej kjo në sy.
- Nejse, - nisi Hainesi...
Stepheni u kthy e pa se
vështrimi i ftohtë me të cilin ai e mati nuk ishte krejt jodashamirës.
Fundi i fundit, unë duhet me
mendu se ju jeni në gjendje me e liru veten tuej. Më duket se ju jeni të zot të
vetvetes.
- Unë jam argat i dy zotnive, -
tha Stepheni, - nji anglezi dhe nji italiani.
- Italiani? - tha Hainesi.
Nji mbretneshë budallicë,
plakushkë dhe xheloze. Gjujzohu para meje.
- Asht dhe nji i tretë, - tha Stepheni,
- që më kërkon me ba nji punë të çuditshme.
- Italiani? - tha prap Hainesi.
- Ku p’e qet, pashë besën?
- Shteti perandorak britanik, -
iu përgjegj Stepheni tue u mërdhezë në fytyrë, - dhe kisha e shejtë
romano-katolike e apostolike.
Hainesi hoqi ca grima duhani nga
buza e poshtme para se me folë.
- Muj me kuptu këtë punë diqysh,
- tha ai ftohtaz. - Kisha me thanë se nji irlandez duhet me mendu qeshtu
diqysh. Na e ndijmë n’Angli se ju kemi trajtu jo fer. Duket se historia duhet
m’u qortu për këtë punë.
Tituj krenarë e të plotfuqishëm
kumbonin në kujtesën e Stephenit, triumfi i kumbonave të tyne të rremta: et unam sanctam catholicam et apostolicam
ecclestiam[74]:
rritja dhe ndërrimi i dalëngadaltë i riteve e i dogmës sikurse mendimet e tija
të herëpashershme, komponim yjesh. Simbol i apostujve në meshë për papë
Marcelliusin[75],
zane të unisueme, tue këndu mza, në vetmi në shenjë miratimi, dhe mbrapa
lutjeve të tyne ejlli syçelë i kishës luftëdashëse[76]
çarmatoste dhe kërcënonte. Hordhi heretikësh n’arrati me mitra të shtrembnueme. Photiusi[77]
dhe soji e sorollopi, tufa e dindushmanëve prej të cilëve Mulligani ishte nji
prej tyne, dhe Ariusi[78]
i cili tanë jetën e gjatë luftoi bashkësubstancialitetin e Atit me të Birin dhe
Valentinei[79]
i cili e përbuzte trupin tokësor të Krishtit, dhe heretiku mendjefemën afrikan
Sabelliusi[80]
i cili pohonte se Ati vetë ishte biri i vetë vetes. Fjalë të cilat Mulligani
para pak çastesh i tha para njeriut të panjohun. Përqellje rrugaçësh. Humnera i
pret të gjithë ata që luhaten n’erë: kërcënimi, çarmatosja dhe humbja në luftë
me engjëjt shtrazëtarë të kishës, rrëmeti i Mikelit[81],
i cili, kur bjen ora e luftës, e mbron atë gjithmonë me heshta e mburoja të
tij.
Ariusi (rreth 250-336) i paraqitun nën kambët e perandorit
Konstandin dhe të peshkopëve në Koncilin e Nikesë
Shih, shih. Duertrokitje e
gjatë. Zut! Nom de Dieu![82]
- Natyrisht, unë jam britanik, -
u ndëgju zani i Hainesit, - dhe unë ndjehem si i tillë. Nuk du me e pa as
vendin tem me ra në duer të jahudive gjermanë[83].
Druj se, tashpërtash ky asht nji problem joni kombëtar.
Dy njerëz qëndronin në cep të
shkrepit, vëzhgonin: dijapunës, lundërtar.
- Asht nisë për në portin e
Bullockut.
Lundërtari tundi kryet me
shpërfillje kah pjesa veriore e gjinit.
- Atje thellësia mrrin deri në
pesë pashë, - tha ai. - Qanej ka me çu uji kur të vijë batica kah ora nji. Me
sot bahen nandë ditë.[84]
Njeriu i cili qe mbytë. Velanija
që lundron nëpër gjinin e shkretë tue pritë dengën e ajun m’u shkredhë, m’u
rrotullu ftyra e zbardhultë si krypa kah dielli. Ja ku jam.
Ata u lëshunë shtegut lakadredhë
deri poshtë në gotull. Buck Mulligani rrinte mkambë, me majicë, me kravatë të
labërgueme që i valëvitej mbi supe. I riu i cili mbështetej për shkambi afër
tij lëvizte ngadalë bretkocaz kambët e tij të blertë mbi pelten e ujit të
thellë.
- A asht vëllai me ty Malachi?
- Asht poshtë në Uestmëth. Te
Bannonsët.
- Hala asht atje a? E mora nji
kartolinë prej Bannonit. Thotë se e ka gjetë nji copë të re e e t’ambël atje. E
qun vashë-syret.
- Syret a? Ekspozim i shkurtë.
Buck Mulligani u ul për m’i
shlidhë tojat e çizmeve. Nji njeri i shtymë në moshë shkrodhi afër shkambit
fytyrën e kuqlueme e të buhavitun. Ai koçomitej nëpër shkambij, uji i pikonte
prej kreje dhe në kunorën e flokëve të thime, i rridhte nëpër krahnor e mullë
ndërsa çurga-çurga i derdhej nga brezi i zi e i plogështuem.
Buck Mulligani ia çeli rrugën
atij për me mujtë rrëshqanthi me kalu ngat tij dhe tue kundru Hainesin dhe Stephenin,
u kryqu devotshëm me pëlqyerin e tij nëpër ballë, buzë e gjoks.
- Seymouri u kthy në qytet, -
tha i riu, - tue u rrokë pas nji të dale të shkambit. Ka heqë dorë prej
mjekësisë dhe tash po bahet gati për ushtri.
- Ah, Zoti qoftë me te, - tha
Buck Mulligani.
- Javën e ardhshme ka me e pasë
pisk. Ju e njihni atë bijën leshkuqe të Carlisleve, Lilyn?
- Po.
- Sonte e ka xigilu në kej.
Babushin e ka të mbushun gërtylë me pare.
- A p’e hajke ajo?
- Ma mirë dvete Seymourin.
- Seymouri, oficer për dreq, -
tha Buck Mulligani.
E tundi kryet, zhveshi pantollat
dhe u çu e tha pa fije lezeti:
- Femnat flokëkuqe therpehen si
dhitë!
Ai heshti i lebetitun, tue prekë
njenën anë të krahnorit nën këmishën që valëvitej nga era.
- U zhduk brini jem i dymdhetë,
- briti ai. - Unë jam Űbermensch[85].
Kinchi i padhambë dhe unë, stërnjerëz.
Ai bani me dalë prej këmishe dhe
e fugi mbrapa ku ishin teshat e tij.
- A po hyn këtu Malachi?
- Po. Lësho pak vend në dyshek.
Djaloshi u hodh shpinazi n’ujë
dhe arriti në mes të mes të gotullës tamam me dy hove të gjata. Hainesi u ul
mshkamb tue pufu.
- A s’po hyn edhe ti a? - pyeti
Buck Mulligani.
- Ma vonë, - tha Hainesi. - Jo
menjiherë mbas kafjallit tem.
Stepheni u kthy.
- Unë shkova, Mulligan - tha.
- Na e jep qat çelës, Kinch, -
tha Buck Mulligani, - me na e mbajt këmishën si drejt.
Stepheni ia dha çelësin. Buck Mulligani
e lëshoi mbi grumbullin e teshave të veta.
- Edhe dy pensë, - tha ai, - për
nji pintë. Gjuji qaty.
Stepheni i gjujti dy pensë mbi
grumbullin e butë. Veshje, zhveshje.
Buck Mulligani u çu mkambë, me
duer të kryqueme para vetes, e tha solemnisht:
- Ai që vjedh prej fukarejsh hyn
borxh te Perëndia.[86]
Kështu folun kaa Zaratustra.
Trupi i tij trashalluq u kredh
n’ujë.
- Shihemi ma vonë, - tha Hainesi,
- tue u kthy derisa Stepheni ecte përpjetë shtegut tue i buzëqeshë irlandezit
të egër.
Brini i buellit, patkoi i kalit,
buzëqeshja e nji saksoni.[87]
- Në Ship, - bërtiti Buck Mulligani. - Në dymdhetë e gjysë.
- Mirë, - tha Stepheni.
Ai u ngjit përpjetë shtegut të
lakadredhtë.
Liliata rutilantium.
Turma circumdet.
Jubilantium te virginum.[88]
Kapuçi i murrmë i priftit në
kamare ku vishej në mënyrë diskrete. Sonte nuk du me flejtë këtu. As mshpi s’muj
me shku.
Nji za i ambël dhe i përmbajtun e
thirri prej deti. Tue u kthy në lak ai bani me dorë. Edhe nji thirrje. Koka e
lëmueshkëlqyese dhe e kaftë, kokë foke, atje larg n’ujë, e rrumbullakët.
Zaptuesi.[89]
shqipëroi: Agim MORINA
[1] Kam m’iu qasë altarit të Zotit (lat.). Fjalë me të cilat dikur prifti katolik e niste meshën këtu nis
‘rituali’ i rruemjes së Mullingan-it si parodizim i meshës katolike.
[2] Gallap i
onomatopesë së tehut të thikës gjatë premjes por edhe aluzion në fjalën galisht
(irlandeze) kinschin – fëmijë.
[3] Parodi
me fjalët e Jezu Krishtit në Darkën e Mbrame : ‘Mirrni e hani; kyj ashtë korpi em’(...) ‘Pini të gjithë prei këtī;
sepse kyj ashtë gjaku em’ (Mateu:
26: 26-8. Përkthim i K. Kristoforidhit ‘Dhiata
e Re’, Konstantinopol, 1872). Çdo përkthim i Dhjatës së Re tash e tutje
asht i Kristoforidhit.) ‘Me gjak e me plagë’ (‘Blood and ouns’)
Gjak dhe plagë të Perëndisë. Gjinia femnore e Krishtit të Mullingan-it përqesh
tue aludu në ‘Meshën e Zezë’ satanike e cila bahet me anën e trupit të femnës të
shtrimë n’altar.
[4]
Mullingani e përqesh idenë e procesit të transsubstantizimit, sipas të cilit
gjatë meshës vena shëndrrohet në gjak të Krishtit.
[5] Gojart.
(nga greq. Chrystosomos) emni i
dy oratorëve të moçëm Dion Gojarti (50- 117), gojëtar grek, dhe Shën Gjon
Gojarti, (345-470) atë i hershëm i kishës.
[6] i
atij grekolashti: fjala asht për
Dedalin (Deadalus-in), shpikës i zoti i cili e ndërtoi labirinthin për mbretin
Minos për ta mbajtë mbrenda Minotaurin. Minosi, i zemëruem në Dedalin ngaqë ky
ia kishte ba nji lopë të drujtë mbretneshës Persifa që ajo me mujtë me u ndërzy
me kaun, e futi Dedalin bashkë me të birin e tij Ikarin në labirinth. Për me
mujtë me ikë, Dedali bani me punu nji palë krahë prej pendlash e dylli dhe
bashkë me djalin fluturunë jashtë. Ikari, i shuplakuem prej lumnisë së
fluturimit iu afru shumë diellit, kështu krahët iu shkrinë dhe ai ra në det e u
mbyt. (shih Ovidi Metamorfozat, VIII). Emni i Stephenit (Shtjefën)
rrjedh prej martirit të parë krishter Shën Shtjefnit.
[7] Malachi herbraisht ‘lajmëtari jem’
profet i Dhjatës së Vjetër i cili paralajmëron ardhjen e Ilisë.
[8] tehthikës.
vetë Joyce-i në kopjen e katërt të
botimit të parë të Uliksit ka përmirësu ‘razor blade’ me ‘razorblade’
prandej edhe na në vend të ‘teh thike’ e kemi ba ‘tehthikës’.
[9] Algy-ja...
nanë e madhe e ambël; Algernon Charles Swinburne (1837-1909). Poet dhe
shkrimtar anglez dhe autor i ‘Triumfit të kohës’ (‘Triumph of Time’)
(1866) në të cilën gjenden vargjet: ‘nana e madhe e ambël... deti’.
[10] Epi oimopa ponton. greq. Në
detin e errët si vena. Nji nga krahasimet e shpeshta të Homerit në ‘Odise’.
[12] Kingstaun (Kingstown), emni i maparshëm anglez
për Dun Laoghaire-in, qytet në bregun jugor të Portit të Dablinit.
[13] ‘sytë e tij të përhimtë...’ Gabim shtypi në botimin e parë, prandaj
vetë Joyce-i e ka përmirësu fjalën great
me grey.
[14] ‘hiperborejan’
Friedrich Nietzsche (1844-1900), filozof gjerman, e përdor këtë emërtim për m’i
përshkru ata që, sikurse Übermensch-i
(‘stërnjeriu, mbinjeriu’) qëndrojnë ‘përmbi masat e gjana’ (‘Der Wille Zu Macht’ (‘Vullneti për me mbizotnu’) (1896), ‘Antikrishti’, sek. I)
[15] Sipas nji zakoni të lashtë irlandez,
ngjyrën e përhimtë në vend të së zezës asht e lejueme me e veshë vetëm nji vit
mbas vdekjes së nji të afërmi.
[16] p.p.ç.-ja (paraliza e përgjithshme e të
çmendunve, ang. general paralysis of
the insane), një shprehje e përdorun
prej studentësh në atë kohë për sifilisin. Kuptimi asht me thanë arrokull se
Stephen Dedalusi asht i çmendun.
[17] ‘Dottyville’ - emën tjetër për Spitalin e të Sëmutëve Mendorë të Riçmondit
(dotty ang. – i shushatun, i rrjedhun, mendjezaif, ville ang. - katund,
dmth. katund i të shushatunve ). (Richmond Lunatic Asylum) në veri të lumit
Lifi dhe përafërsisht nji milë në veri të Gjinit të Usherit.
[18] Connolly Norman, Dr., ishte mbikqyrës
mjekësor në Spitalin e të Sëmutëve Mendorë në Dablin.
[19] ‘Edhe mos na shtierë ndë ngasëie’,
lutje te (Mat. 6 : 13).
[20] Ursula; ndoshta sipas Shën Ursulës, e shenjtë
e hershme e krishtenizmit, e njohun për ndershmëninë e saj, prijëse legjendare
e nji mijë virgjëneshave.
[21]
Harlisje e Calibanit, sipas Oscar Wildeit (1854-1900), parathanie për Dorian Grey-in (1891): ‘Urrejtja e shek. XIX ndaj realizmit asht sikurse harlisja e
Calibanit që e sheh fytyrën e tij në pasqyrë. Urrejtja e shek XIX ndaj romantizmit asht sikurse harlisja e
Caliban-it që nuk e sheh fytyrën e tij në pasqyrë.’
[22] Shih,
Oscar Wilde-i, ‘The Decay of Lying’ (‘Kalbja e Rrenave’) (1889) ku Cirili
thotë se me e trajtu artin si pasqyrë ‘mun
me rrëgju gjeniun në pozitën e pasqyrës së plastë’. Shërbëtorja, këtu fjalënikshëm asht shërbëtorja
prej së cilës Mulligani e ka ‘huazu’
pasqyrën, por afërmendsh, metaforikisht, shërbëtorja asht Irlanda.
[23] Me e helenizu : në ‘Culture and Anarchy’ (‘Kultura
dhe Anarkia’), (1869) Ch. 4. Mattew Arnoldi (1822-1888), sugjeron se
kultura Perëndimore asht e shtytun prej dy idealeve kundërthanëse por
komplementare, hebraike (praktikë shtytëse energjike me obligim bashkëshoqërues
të detyrës, vetëkontroll dhe punë) dhe helenike (impuls i patundshëm për me
ditë m’i pa sendet ashtu qysh janë në esencën dhe në bukurinë e tyne). Kah fundi
i shek. XIX, me helenizu u ba sinonim me: me sjellë kulturë apo me estetizu.
[24] Cranley, asht personazh nga romani Portreti i
Artistit në Rini, (1916), shok (tashma i ndamë) i Stephen Dedalusit.
[25] Mattew Arnoldi, shih 7.14. Joycei e pa
Arnoldin si ‘pedant’ deri në shpërshije, njeri jo shumë i thellë, ashtu qysh
thotë n’esenë e tij të 1898-99-s, ‘The
Study of Languages’ (‘Studimi i Gjuhëve’), (CW 26).
[26] Vikama djemkash... majave të barit. Stepheni
imagjinon nji skenë oksfordiane. Oliver St. John Gogarty, asht modeli nga jeta
e njimendët për Mulliganin i cili kaloi nji vjet atje me 1904.
[27] Për veten tonë... ‘to ourselves’
anglisht për galisht Sinn Féin - ‘për
veten tonë’ moto për grupe të ndryshme të cilët luftonin për ringjalljen e
kulturës irlandeze dhe kthimin në galisht si gjuhë e parë e Irlandës; i pranuem
prej Arthur Grifithit (1871-1922). Si
nji emën i nji organizate politike tue vazhdu nacionalizmin irlandez.
[28] ‘omphalos’ greq. kërthizë;
Epitet i Odiseut për ishullin e
Kalipsës; gur i përdorun në ritet religjioze lashtogreke, më së famshmi
në Delf, qendër e supozueme e Tokës dhe kryetempull i profecive në Greqinë e
Lashtë.
[29] Ti bajshe çaj, tha Stepheni, dhe
shkove përkryq shkallares... (And I went acrros the landing: duhet m’u
lexu And went accross the landing).
[30] Sir
Piter Teazle : personazh në dramën e Richard Brindsley Sheridan-it
(1751-1816) ‘The School For Scandal’
(‘Shkolla për Thashetheme’) (1777).
[31] Lalouette’s,
ndërrmarje varrimi e Dablinit.
[32] Loyola, Shën Ignatius ~, (1491-1556) eklesiast spanjoll, themeloi
Shoqninë e Jezuit (1534) dhe ishte general i parë i saj (1541-1556). Stërvitjet shpirtnore të tij (1548) ka
mbetë edhe sot doracaku themelor për edukimin e jezuitëve.
[33] Sassenach; galisht: sakson apo anglez.
[34] ‘S’ka ma… farfuritëse’; W.B. Jeats
(1865-1939), ‘Kush
shkon me Fergusin’, (1892), poezi nga drama e tij Kontesha Cathleene, poezi për ta disponu Cathleenën e cila e ka
shitë shpirtin e saj për me ble ushqim për popullin e saj. Vargu vazhdon: ‘Dhe e sundon hijen e drunit, / dhe gjini i
bardhë i detit të vagëlluem / dhe të gjitha yjet shprishuna bredharake.’
[35] Turkoja i Mnershëm… pantomimë (1873) e
Edwin Hamiltoni (1849-1919) shumë i popullarizuem në Dablin në versionet e saja
të ndryshme gjatë gjithë 1880-ave dhe 1890-ave. Në të, Zana magjike Rose ia
mundëson padukshmëninë.
[36] ‘Liliata excipiat...’ lat. ‘U mbledhtë
ky grumbull i ndritun i lutësve rreth teje, plot dritë si zambakë. Të pranoftë
në gji ky kor namëmadh i virgjëneshave.’ Lutje që u bahet njerëzve në prag
të vdekjes prej njerëzve të thjeshtë në mungoftë prifti.
[37] ‘druidët e druiduem’ (‘druidy druids’) prifta të lashtë paganë të religjionit kelt.
Asht lojë fjalësh druid – sehirbazë,
magjistarë dhe krijim i fjalës druidy
– të sehirbaztë, të magjishëm nga Joycei.
[38] ‘kokni’ e folme karakteristike e banorëve
të shtresës së ulët në Llondonin Lindor.
[39] ‘A
s’kena me bô kokrrën… Ditën e bashkimit?’: version nga ‘De Golden Wedding’ (‘Martesa
e Artë’) (1880), kangë e nji kangëtari afriko-amerikan James A. Bland
(1854-1911).
[40] ‘Clongowes...’, Clongowes Wood
College, shkolla për djem e jezuitëve në të cilën kanë qenë edhe Stepheni
(në Portreti i Artistit në Rini, kap.
I) dhe Joyce-i.
[41] ‘Shërbëtori i shërbëtorit...’, Në kuptimin e saktë, Stepheni si
djalë i altarit (shërbëtor) që e ndihmon priftin (shërbëtor i Zotit); por,
gjithashtu, figurativisht, si nji irlandez që e ndihmon anglezin (shërbëtor i
kolonializmit anglez).
[42] Lutje krishtere për bekimin i
Trinisë së Shejtë: N’emën të Atit, e të
Birit e të Shpirtit Shejtë!
[43] ‘Dundrum... furtunës së madhe’, parodi e
Kolofonit në Shtatë Drujtë e Jeatsit
(1903), i botuem në Dun Emer në Dundrum (afër Dablinit) nga dy motrat e
Jeatsit, Elisabetha dhe Lilya të cilat themeluen nji shtëpi botuese për me e
botu përmbledhjen me poezi Në shtatë pyje
(1903), në ballinën e së cilës shkrunte se ka përfundu ‘ditën e gjashtëmdhetë të qershorit në vitin e furtunës së madhe’.
Nëpërmjet komenteve sarkastike të Mulliganit synohet të përqeshet primja
irlandeze për antikuare e asaj kohe. ‘shtrigat...’
shtriga në Makbethi-n e Shakespeare-it.
[44] ‘Mabinogian…’
përmbledhje e miteve klasike uellsiane të botueme me 1838.
[45] ‘Upanishada…’
shkrime të lashta mistike induse, të këndueme shumë prej Jeats-it dhe prej teozofistëve.
[47] ‘mbledhës i zhangave’, Zoti i ebrejve Jehovai,
i cili urdhënonte synetinë (rrethpremjen). Gjeneza, 17:10-14.
[49] ‘Mëndafsh ndër qe’ dhe ‘plaka e vorfun’ përkthim i fjalënikshëm
nga galishtja: Sìoda na mbó dhe Sean bhean bhocht. Duket si lojë fjalësh
për mbretneshën e Anglisë e cila veshte nji togë të mëndafshtë kur shkonte në
Këshillin Mbretnor.
[50] Lojë
fjalësh e Joyce-it me cuckold dhe cuckquean që shqiptohet si -queen (‘mbretneshë’)
[51] ‘përveç
ijeve të palame…pre e gjarpnit’. Përshkrim nga Dhjata e Vjetër për femnën: ‘ijet e palame’: mbas lindjes (Lev.
12:2, 5) dhe gjatë menstruacioneve (15: 19-28); ‘nga mishi i mashkullit’: Eva u jaratis nga brini i Adamit (Gen. 2:
22); dhe ‘pre e gjarpnit’: ajo ra
viktimë e mashtrimit të gjarpnit (Satanait) (Gen. 3).
[53] ‘Mos lyp ma shumë… me të dhanë’, Swinburne,
vargje nga poezia ‘The Oblation’ (‘Flijimi’), të përmbledhjes Kangët Para Agmisë (‘Songs Before Sunrise’) (1871), ll, 1-2
dhe 3-4.
[54] ‘Irlanda pret… detyrën e tij’,
parodi e fjalëve që thuhet t’i ketë thanë Nelsoni në Betejën e
Trafalgarit (21 tetor 1805): ‘Anglia
pret...’ , fjalët gjithashtu janë pjesë e kangës Vdekja e Nelson-it nga S.
J. Arnoldi dhe John Brahami.
[55] ‘Bremje e ndërgjegjes’, (anglishte e mesjetës
‘Agenbite of inwit’; ang. e sotme ‘remorse of the conscience’), dhe titull
i përkthimit të Dan Michel Northgateit (1340) të traktateve mesjetare
moralizuese frënge.
[56] ‘Apet, kjo blanë s’po hiqet’, Fjalë e zonjës Macbeth e cila mbas
vdekjes së mbretit Duncan, tue ecë përhanë, provon me dalë e pafajshme.
[57] Hamleti, personazh i tragjedisë së
Sheakespeareit. Nji motiv mjaft i randësishëm për Stephenin i cili gjatë gjithë
ditës i kthehet rolit të Hamletit. Nëse parafrazojmë Kenner-in, Stepheni mendon
se ai asht në librin e qujtun Hamleti dhe kurrë nuk e zbulon se ai gjendet në
atë që në të vërtetë quhet Uliksi dhe se ai asht aktor i dytë dhe jo aktor
kryesor. (Kenneri, 28).
[58] ‘Mulliganit iu muernë petkat’: parodi e
ndalesës së dhetë drejt kryqëzimit të Krishtit (në Mat. 27:28; Gjoni: 19:
23-4): ‘mbassi kryqësuenë Iesunë, muernë
petkat’.
[59] ‘Unë du dorëza të sykëta dhe çizme të blerta’, veshje e zakonshme e estetistëve dhe
dekadentëve kah fundi i shek. XIX.
[60] ‘A jam në kundërthanie me vetveten?’ Walt
Whitman-i (1819-1892), ‘Song of Myself’
‘Kangët e Vetvetes’ (1855), seks. 51, ll. 6-7.
[61] ‘kapelën tande të mahallës së latinëve’, Kapela
e Stephenit, sikurse personazhi i Uliksit, i ndërron rolet për m’iu përshtatë
situatave. Në këtë rast, rikujton qëndrimin e Stephenit në Mahallën Latine në
Paris; ma vonë ajo do t’i bahet kapelë e Hamletit (47.20). Ngjashëm, Mulligani
ve ‘kapelë merkuriane’ në vijë me karakterizimin e tij prej Stephenit si ‘Malachi merkurian’ (17.6): ‘Merkuri’
lajmëtar i zotave në mitologjinë greke ashtu edhe në hebraisht ‘Malachi’ që do me thanë, ‘lajmëtari jem’.
[62] Bill Pitt-i, William Pitti i Riu
(1759-1806), kryeministër i Anglisë në kohën kur janë ndërtu kullat e Martellos
(1803-6) si mbrojtje ndaj invazionit të mundshëm të Irlandës nga ana e
francezëve gjatë Luftave Napoleonike.
[63] ‘në kohën kur francezët ishin zotnues të detit’, aluzion i përgjithshëm ndaj dy mëqakjeve të francezëve (me 1796 dhe 1798) me ndërhy në mbështetje të
irlandezëve gjatë kryengritjes së tyne kundër masave represive angleze. Aluzion
i veçantë ndaj baladës irlandeze, ‘The
Shan Van Vocht’ (galisht Sean Bhean
Bhocht: Plaka e Vorfun: ‘O, francezët
janë në detin, / Thotë Plaka e Vorfun, /... / Po! Irlanda ka m’u liru!’
[64] Shën Thomas Aquinasi [Tomë Akuini],
(1225-74), teolog domenikan, filozof skolastik. Në Portret... (kap. 5), Stepheni e përshkruen teorinë e tij estetike
si ‘Aquinas-i i zbatueshëm’.
[66] ‘Jafeti në kërkim të babës!’, titull i romanit të vitit 1836 i
kapiten Frederick Marryatit (1792-1848); ban fjalë për kërkimet për babën e tij
(i cili në fund ka sukses). Natyrisht, spikat temën e djalit i cili kërkon
babën nëpër gjithë Uliksin.
[68] ‘Sundimtar detesh’, Anglia (apo Hainesi si nji
anglez që asht), sipas odës së James Thomsonit (1700-48), ‘Sundo Britani’, (‘Rule Britannia’)
(1740), i muzikuem prej Thomas Arneit
(1710-78).
[69] ‘Unë
jam ma i mbrapshti djalosh...’, i pari prej nji vargu citatesh të vargjeve
të shkrueme prej Oliver St. John Gogartyt të quejtun ‘Kanga e Jezuit Hokatar (por pakëz sarkastik))’, 1904-5. Tema e cila
ka me vazhdu m’u trajtu, në mënyrë blasfemuese, ban fjalë për egzistencën
fizike të Jezuit (si kundërshtim i hyjnueshmënisë së tij).
[70] Në botimin e kësaj poezie dy
rreshtat e para të kësaj strofe ndryshojnë. Lamtumirë,
tash lamtumirë, kqyrni se a jeni ushqy / keni me ardhë në Vorrin Tim kur të
ringjallem. Ndoshta Joycei ka pasë ndonji version tjetër në dorëshkrim të
kësaj poezie.
[71] ‘sheshiri merkurian’, sheshiri me strehë të gjanë asht nji nga
atributet e randësishme të Merkurit mitik.
[72] ‘kutinë e lëmutë dhe t’argjendtë... nji gur i gjelbër’, paraqitje e parë e pamjes e cila shfaqet shpesh për Irlandën, Xhevahir i Gjelbër dhe Deti i Argjendtë (version tjetër i ‘Ishulli i Emeraldtë’; këtu i përdorun,
hapun, si simbol i kolonializmit, mbasi kutia mbahet në dorën e anglezit
Haines.
[73] ‘Tash unë jam tue hangër bukën e njelmët’ Në Komedinë Hyjnore të Dante-s tue e
parashiku dëbimin e Dantes nga vendi, gjyshi i thotë se ‘i njelmët ka me qenë buka e huej’.
[74] ‘et
unam sanctam catholicam et apostolicam ecclestiam’, lat. ‘Dhe në nji kishë të
shenjtë katolike apostolike’ , nga Besojma e Nikesë (325).
[75] ‘Simbol i apostujve në meshë për papë Marcellius-in’, ‘Simboli i apostujve’: Besimi i apostujve në Meshë; muzikanti italian
Giovanni Pierluigi da Palestrina (1525-94), shkroi nji meshë për papë
Marcelliusin II (1501-55), kompozim të cilin Joycein ia pëshkruejti Budgenit se
‘e shpëtoi muzikën kishtare’ (Budgen,
182).
[76] ‘ejlli syçelë i kishës luftëdashëse’,
kryeengjëlli Mikel. Beteja e përshkrueme aludon në betejën e shek. XVI të
kishës katolike kundër valës në rritje të herezisë protestante.
[77] Photiusi, (rreth 815 - rreth 897), i emnuem
patriark i Konstantiopojës (857) kundër dëshirës së papë Nicholasit I, mohoi me
pranu se Shpirti i Shejtë buron nga Ati dhe
nga Biri, i ekskomunikuem (863), nisi shizmën e cila kulmoi me ndamjen e kishës
ortodokse nga ajo katolike me 1054.
[78] Ariusi, (rreth 256-336), herezia e tij ish me
mendu se Ati dhe Biri nuk ishin nga e njejta por thjesht nga nji substancë e
ngjashme (Biri tue qenë krijesa e parë e Atit si pasojë asht ma i ulët kundrejt
tij); Kuvendi i Nikesë (325), u mblodh për me shqyrtu mësimet e Arius-it,
nxorën Besojmën e Nikesë – përgënjeshtrim i shprehur qartë i herezisë ariane,
nëpërmjet përdorimit të emëritmit ‘bashkësubstancial’ për me theksu se Ati dhe
Biri janë nga e njejta substancë.
[79] Valentinei, (v. rreth 166), nji gnostik
egjiptian i cili pohonte se Krishti as nuk ka pasë trup të njimendët dhe as që
ka ndi dhembje.
[80] Sabelliusi, shek III, heretik i cili konsideronte
se tre anëtarët e Trinisë ishin nji njisi e plotë, modusë të ndryshëm të së
njejtës substancë.
[81] ‘rrëmeti i Mikelit’, kryeengjëlli Mëhill,
udhëheqës trim i rrëmetit të engjëjve në luftën kundër Satanait.
[83] ‘vendin tem me ra në duer të jahudive gjermanë’, Hainesi thekson primjet anti-semitike (mbizotnuese në Europë me 1904)
kundër të cilave shprehet Joyce-i.
[84] Sipas nji besimi të vjetër, trupi i të
mbytunit i cili asht zhdukë në det shkridhet mbas nandë ditësh.
[85] Űbermensch, gjerm. mbinjeri, stërnjeri,
supermen; emërtim i farkuem prej Nietzsches në Kështu foli Zaratustra (1883),
ku Zaratustra, profet persian, bahet zadhanës i teorive të Nietzsches.
[86] ‘Ai që vjedh prej fukarejsh hyn borxh te Perëndia’, parodi e Proverbave 19:17: ‘Ai
që ka mëshirë për të vorfunit hyn në sevap te Perëndia’.
[87] ‘Brini i buellit, patkoi i kalit, buzëqeshja e nji saksoni’, tre gjana proverbiale të cilave duhet m’iu rujtë nji irlandez.
[88] ‘Liliata...’ (lat.) ‘U mledhtë ky grumbull i ndritun i lutësve
rreth teje, plot dritë si zambakë. Të pranoftë në gji ky kor namëmadh i
virgjëneshave.’
[89] ‘Zaptuesi’,
krahaso me akuzën që Telemaku i ban Antinout i cili donte me u martu me
Penelopën dhe me marrë trashëgiminë e Telemaku dhe te Claudiusi te Hamleti për
të cilin mbasi martohet me mbretneshën Gertrude, Hamleti thotë: ‘u gjujt në mes të zgjedhjeve dhe shpresave
të mia’ (V.II.65).