Sunday, April 10, 2005

KAM FRIGË PËR LIRINË - poezi



Agim MORINA - Përjetimi i lirisë - 1993 tek. e kombinueme




Kam frigë se nji ditë ka me ardhë liria:
E unë s'kam m’e njoftë,
S'kam me e dallu.
Ka m’u ulë pranë meje n'autobus,
E ka me zbritë në ndonjё vend të largët.
E mandej kanë me m'thanë:
"Ja ajo qe liria. S'e njofte a?"

Ka me ardhë liria, si vdekja e tim eti,
Të cilën s'e besova kurrë...

Kam frigë se liria ka me ardhë me shumë dritë.
Kam frigë se liria ka me ardhë krejt e qetë.
Kam frigë se kam me vdekë
Derisa ajo në paradhomë âsht tue i zbathë këpucat.
Kam frikë se liria asht nji femën e bukur,
Me të cilën kurrë s'kam me çu dashuni.
Kam frigë se liria, e shkreta liri,
Ka me ardhë, e do ta kem ndër duer,
Por kam m’e humbë si fotografinë ma t'dashun.

Kam frigë se liria s'ka m’u ndalë prej turri,
Ngase makinistin e lokomotivës ka m’e zanë gjumi,
Apo s'ka me m'pa, si marinari,
Lundërthyesin e lodhun mbi valët e detit,
Kam frigë se mos kam m’i thanë lirisë: "Shporru shtrigë e keqe!"
Apo kam m'i thanë: "Aman të keqen, e ku ishe deri tash?
A vihet në Kosovë kaq vonë?"
Kam frigë se lirisë ka m’i ikë aeroplani,
Apo kanë me e kidnapu terroristat,
Apo ka me e humbë biletën.

Kam frigë se mos kam me u gëzu shumë,
Tepër, kur ta shoh se ka ardhë;
E me u pikëllu shumë kur ta kuptoj se s'ka me ardhë.
Mos vallë ka me m'shkelë ndoj tren i shpejtë,
Derisa unë i hutuem e i ngazëllyem jam tue e përshëndetë lirinë,
Kam frigë se mos ka me u rrënu godina,
Nën hijen e së cilës me flamurth në dorë pres me kalu liria.
Ka me ndodhë diç e paplanifikueme.
Kanë m’e marrë irlandezët e me çu në Dablin.
Apo italianёt e m’e çu nё Romё.

Edhe zotin edhe dreqin kam me i falenderu,
Një ditë kur kam m’e pa lirinë.

Kam frigë se dikush ka me ma falë lirinë,
E unë s'kam m’e marrë nga mirësjellja.
Apo kam frigë se kam m’e marrë, pikërisht nga mirësjellja.
Kam frigë se ka me qenë ftohtë,
Dhe liria mun m’u mërdhî rrugëve.
Kam frigë se ka me qenë zheg i madh,
E ka me vdekë nga pika në tru apo nga etja e madhe,
(Nuk kam kojshi të mirë që kishin m’i ndihmu).
Kam frigë se liria ka me hangër ndoj mollë,
E ka m’i mbetë n'fyt...
Apo ka m’u rrëzu prej biciklle,
E atë ditë ka me qenë e diell,
Dhe s'ka me punu ndihma e parë...
Kam frigë se liria s'ka me e pasë pasaportën në rregull,
Ndonjё vulë të Qafëthanës apo afat të tejkaluem.

Kam frigë se mos po e ha lirinë në ndonji ambëltore,
Apo mos po e kapërdij si ndoj qebap,
Pa e ditë kurrë se çfarë kam hangër.
Kam frigë se mos po pëlcet liria,
Në tullumbacen e ndoj carroku,
Ku papritmas e ka zanë gjumi.
Kam frigë se mos e kanë mbyllë lirinë
Në ndoj kopsht zoologjik sepse asht kafshë e rrallë,
Shumë e rrallë.

Kam frigë se mos, liria, asht masku n'lepur,
Për m’i argëtu fëmijёt,
Dhe ndonji gjuetar del dhe e vret, 
Pak para se t'i thom, (si në filma): "Mos gjuj!"
Kam frigë se mos liria asht ndoj arushë,
Të cilin ndonjë jevg e ngre për hunde,
Dhe e shtyn me vallëzu katund-ëm-katund.

Kam frigë se mos asht liria gozhdë,
Të cilin ndoj katundar e ka ngulë në ndoj tra
Dhe tash e ndryshk pikëllimi.
Kam frigë se ka me mё telefonu liria,
E unë tue u rru kam me vërshëlly në banjë,
E s'kam me ndëgju cingërrimën e telefonit.
Apo ajo ka me mё trokitë në derë,
E unë kam me qenë me shokë në ndoj kafeteri,
Tue diskutu për specat që s'i ha kurrë.
Prandej, kam frigë kur dal nga banesa,
Kam frigë kur rri në banesë,
Kam frigë kur jam tue ecë apo tue ngranë,
Thom mos e ka humbë adresën apo numrin e telefonit,
E ka plaçkitë ndonjë brac, pa e ditur kend,
Dhe çka.
Kam frigë se mos po verbohem, mos po shurdhohem,
Kam frigë se mos sëmuhem, se mos po vdes,
Mbasi robninë s'mujta me e pritë qysh duhet,
Lirinë du m’e pritë me të gjitha: i gatshëm si fshisa.
I buzëqeshun. I krehun. I hekurosun. I parfumosun.

Kur dal në rrugë i vëzhgoj mirë njerёzit,
Thom, mos po e shoh ndër ta lirinë,
apo lajmtarin e saj.
E vëzhgoj me kujdes ndoj gomar të ngarkuem,
Apo ndoj qen endacak.
I kundroj me vëmendje valët e lumit,
Dhe orarin e trenave.
I hulumtoj zgjojet e bletëve dhe vezët e qyqeve.
Çdo ditë e hap kutinë e postës,
Dhe shpupuris mbrapa shtëpisë.
E përcjell krrokamën dhe fluturimin e shpendëve.

Thom, mos e lodhun
E sëmutë apo e etshme,
Ka mbetё diku
Dhe më pret mue.

Agim MORINA
Prishtinë, 1989