Një faqe nga procesverbali i mbledhjeve të Komisisë Letrare Shqipe - 1916 |
Komisia Letrare Shqipe dhe gjuha standarde shqipe e elbasanishtes
1. Propozimi për krijimin e një gjuhe standarde shqipe ësht dhënë në Kongresin e Elbasanit, i cili u mbajt me 2-8 shtator 1909. Por një punë e njëmendtë për standardizimin praktik, zyrtar të gjuhës shqipe ka nisë me 1 shtator 1916 nga Komisia Letrare Shqipe (shkurt: KLSh). Anëtarë të Komisisë kanë qenë: Gjegj Pekmezi (kryetar; një vit më vonë këtë detyrë e mori Luigj Gurakuqi), Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj, Hilë Mosi, Luigj Naraçi, Anton Paluca, Ali Korça, Aleksandër Xhuvani, Vinçenc Prendushi, Sali Nivica, Josif Haxhimima, Maximilian Lambertzi dhe Rajko Nachtigalli. Komisia punoi deri me 22 maj 1918, duke bë 63 mbledhje, pra, mesatarisht nga një takim gati çdo 11 ditë.
Gjergj Pekmezi në mbledhjen e datës 11
dhjetor 1916 shtroi kështu çështjen për përzgjedhjen e bazës së shqipes
standarde:
1) me marrë për bazë një dialekt të
shqipes,
2) me i lënë dy dialektet m’u zhvillu e
m’u fërku derisa të dalë një efekt i dëshiruar i përbashkët dhe
3) të merren parasysh vetëm ndryshimet
tipike që gjuha i zhvillon spontanisht e me i shku mbas tue i normativizu.
2. Nga Komisia Letrare Shqipe u vendos që
gjuhë standarde shqipe me qenë e folmja e Elbasanit, me propozimin e Luigj
Gurakuqit dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve. Ashtu qysh e kishte parashiku
edhe Sami Frashëri në veprën tij ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’ësht’ dhe çdo të
bëhetë’ kur thoshte se kryeqyteti
duhej të ishte diku në mes të Shqipërisë: ‘me
qënë që ndenjësit e-ti do të jenë të mbledhur nga gjithë anët’ e Shqipërisë dhe
gjuha që të flitet atje do të jet’ e përzjerë, që të muntnjë të quhet’ e
përgjithçime e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë’. Pse e folmja e Elbasanit? Sepse kjo e folme
ishte në qendër të të gjitha të folmeve të tjera shqipe dhe ishte urë në mes të
gegërishtes dhe të toskërishtes. Jo më kot thuhej: ‘Turçja e Stambollit, shqipja e Elbasanit’ ishin të folmet më të
lehta për t’u kuptu prej shumicës së banorëve të të dyja kombeve përkatëse.
3. Komisia Letrare Shqipe mori disa
vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit të shqipes duke pasë parasysh
gjithmonë të dyja dialektet ‘një
ortografi sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet’ (mbledhja e datës
13.11.1916):
a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të
shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu qysh i kishte toskërishtja, dhe qysh i kishte pasë
historikisht gegërishtja;
b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota ashtu
qysh i kishte rujtë toskërishtja (përveç ue
që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt
i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;
c) Vendosja dhe përdorimi i ë-jave të patheksuara të cilat
gegërishtja nuk i kishte më, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë,
vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye etj.; ë-ja
fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i
butë, i mirë, i shpejtë etj.
ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej
vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e
gegërishtes);
d) formanti ‘u’ do të shkruhej i
ndarë si ‘u lava’ dhe jo si deri atëherë ‘u-lava’;
dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak
ndryshime prej çfarë kanë janë vendosë në KLSh-ja;
e) emrat do të shkruheshin me
bashkëtingëllore të zëshme: zog-zogu (jo zok
– zogu),
etj.
f) mbaresat rasore do të shkruheshin -së, -në, -të, qysh nuk i
kishte elbasanishtja, por kjo bëhej m’iu afru toskërishtes.
(Nëse shikohet përgjithësisht, rregullat
që vendos KLSh-ja paraqesin themelet e gjuhës së përbashkët shqipe dhe këto janë
vendosë qysh me 1916. E ajo që duhet me u vërejtë me kujdes të veçantë asht që KLSh-ja
e ka analizu çdo rregull, me idenë se ç’pasoja mun me pasë edhe në gegërishte, edhe në
toskërishte. Këtë po e theksoj sepse kjo nuk ka me ndodhë më me 1967/1972, kur
gegërishtja nuk merret asnjëherë si referencë për çfarëdo vendimi.)
U botunë dy versione rregullash ‘Rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe
të shkrueme’ me 29 janar 1917 dhe tjetra me 13 gusht 1917.
Komisia Letrare Shqipe botoi edhe organin
e saj ‘Laimet e Komisís Letrare Shqipe në
Shkodër’ nr. 1, janar 1918. (Nga viti 1913 – 1920 ‘u botuan 86 gazeta,
revista, vjetarë a buletine: në Vlorë 6, në Korçë 6, në Shkodër 16, në Tiranë
2, në Durrës 3, në Gjirokastër 2, në Elbasan 2'.)
4. Me vendimin e Komisisë Letrare Shqipe
që elbasanishtja me qenë gjuhë standarde, iu bë thirrje Aleksandër Xhuvanit, i
cili ishte vetë elbasanas dhe gjuhëtar, me hartu gramatika mbi këtë të folme.
Aj nisi këtë punë qysh me 1919 dhe botoi gramatikën e parë e cila ka me pasë
një varg ribotimesh duke u bë gramatika kryesore e mësimit të shqipes në sistemin e arsimit në Shqipërinë Administrative deri me 1945, ndërsa deri me 1968 gramatikat e Shqipërisë Irredentiste do ta kishin si pikënisje punën e Xhuvanit.
Pjesëmarrës të Kongresit të Lushnjes - 1920 |
Kongresi i Lushnjës miraton gjuhën standarde të elbasanishtes
5. Në Kongresin e Lushnjës, 15-25 gusht
1920, u mor vendimi që ‘gjuha letrare
mbas së cilës do të shkruheshin librat shkollorë u muer për themel dialekti i
Elbasanit me disa përmirësime.’
6. Qeveria në Tiranë, në qarkoren nr. 148,
të datës 13 janar 1923, shkrunte:
‘autorizohen zyrat kompetente që në shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të
përdoret dialekti i Elbasanit që asht pranue si nji dialekt i përbashkët e zyrtar
për Shtetin tonë.’
7. Me 1939 Italia e pushton Shqipërinë dhe me
1941 Gjermania, Italia e Bullgaria e pushtojnë Jugosllavinë. Me këtë akt, në pjesën më të madhe e
trojeve shqiptare në Jugosllavi, hiqen kufijtë. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi i bën thirrje
mësuesve që të paraqiten vullnetarisht për me shku në Kosovë e territore të
tjera shqiptare për me dhënë mësim. Rreth 300 mësues paraqiten dhe shkojnë të përhapin
dritën e diturisë në të gjitha këto troje, në gjuhën standarde me bazë të elbasanishtes. Më vonë numri i mësueve arrin në 600. Për herë të parë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, në institucione shtetërore, mësojnë gjuhën shqipe.
Dhe për herë të parë në histori, të gjithë shqiptarët mësojnë në shkolla,
shkrujnë në administratë dhe në institucione publike në një gjuhë të vetme
standarde – atë të elbasanishtes. Pra, në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në
Tetovë, në Dibër, në Strugë, në Ulqin, në Korçë mësohej e shkruhej zyrtarisht në një gjuhë
të vetme standarde.
8. Kuvendi i Parë i Studimeve
Albanologjike, 9-12 prill 1940, pranon që themel i gjuhës zyrtare ishte
elbasanishtja. Çfarë shkrunte Namik Ressuli, gjuhëtar toskë, me 1940: ‘gegërishtja përpara syve të tyre
[nëpunësve toskë] kishte njëfarë
tërheqje, njëfarë ‘prestizhi’, po atë tërheqje që los edhe në ushtarin toskë, i
cili kur kthehet në fshatin e tij e ka si punë të madhe t’u flasë
bashkëfshatarëve gegërisht’. Pranohej po ashtu që Tirana ishte kryeqytet
dhe lunte rol të madh në këtë mes si kryeqendër administrative.
Aleksandër Xhuvani |
Dhimitër Shuteriqi |
Përmbysja dhe çarja e madhe gjuhësore ndodh me 1945
9. Me 1945 gjithçka ndryshon mbrenda nate. Me hyrjen e çetave të para partizane në qytetet e Shqipërisë, ‘kur ministër i shtypit, i
propagandës dhe i kulturës popullore ishte Sejfulla Malëshova gegërishtja
filloi të hiqej nga shtypi. Kur ky kaloi në ministrinë e Arsimit, me 1946, filloi
gegërishtja të hiqej edhe nga librat e shkollave, masë kjo që u plotësua më
1951 nga vendimi i Ministris s’Arsimit sipas të cilit në klasat e para të
shkollave fillore në Veri mësimi do të bëhej toskërisht. Ky zëvendësim i
dialektit të mesëm me një dialekt skajor, me toskërishten, qe një revolucion në
kuptimin e vërtetë.’ (Fjala e Osman Myderizit në Sesionin e dytë rreth gjuhës shqipe me 1952).
S’pati as kuvend, as debat, as marrëveshje me 1945, që të bëhej ky ndryshim. E keqja më e madhe: shqiptarët u përçanë gjuhësisht. Në Shqipëri mësohej e shkruhej zyrtarisht toskërishtja, në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi mbeti në funkcion gjuha standarde e elbasanishtes. Regjimi enverist i Tiranës nuk u trazu fare për këtë punë. Një vendim atdhetar do të duhej të kishte qenë që, për hir të shqiptarëve që u kthynë prap nën pushtimin sllav, Shqipëria Administrative do të duhej ta kishte mbajtë elbasanishten si gjuhë standarde e ta kishte vazhdu më tej, gjithmonë në marrëveshje me shqiptarët jashtë kufijve. Kjo nuk ndodhi. Regjimit enverist nuk i interesonte kjo punë.
S’pati as kuvend, as debat, as marrëveshje me 1945, që të bëhej ky ndryshim. E keqja më e madhe: shqiptarët u përçanë gjuhësisht. Në Shqipëri mësohej e shkruhej zyrtarisht toskërishtja, në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi mbeti në funkcion gjuha standarde e elbasanishtes. Regjimi enverist i Tiranës nuk u trazu fare për këtë punë. Një vendim atdhetar do të duhej të kishte qenë që, për hir të shqiptarëve që u kthynë prap nën pushtimin sllav, Shqipëria Administrative do të duhej ta kishte mbajtë elbasanishten si gjuhë standarde e ta kishte vazhdu më tej, gjithmonë në marrëveshje me shqiptarët jashtë kufijve. Kjo nuk ndodhi. Regjimit enverist nuk i interesonte kjo punë.
10. Me një trajtim të këtillë të shpërdorimit
pushtetar rreth çashtjeve të gjuhës u vazhdu deri me 26-29 janar 1952, kur u organizu një
sesion, në të cilën regjimi i atëhershëm përpiqej të zyrtarizonte dhunën e
ushtruar mbi gjuhën standarde të mëparshme të elbasanishtes, për të cilën ishte
punu me dekada. Titulli i këtij sesioni gjuhësor ishte ‘Veprat e shoku Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore’.
Në këtë sesion, Dhimitër Shuteriqi, një shkrimtar dështak, kritikon gjuhëtarin
Eqrem Çabej ’i cili, duke trajtuar
historinë e gjuhës shqipe, merret kryesisht e së tepërmi me origjinat dhe
huazimet që shqipja mori nga gjuhët tjera, ‘mënyrë antipatriotike’ kjo që e paraqit gjuhën tonë
vetëm nga ana pasive’. Shuteriqi, një shkrolaxhi që nuk kishte mujtë me arrijtë
kurrfarë suksesi në fushën letrare, kishte gjetë punëdhënësin dhe tash fliste ajo çka i fryhej në vesh: 'edhe pse thojshin
se kemi një gjuhë shqipe, prap gjuhën tonë e vështrojshin më shumë si grumbull
dialektesh (...) unë kam menduar se kjo çështje e gjet zgjidhjen nga historia e
popullit tonë që nga Rilindja e këndej: toskërishtja, gjatë zhvillimit të
popullit tonë në këtë fazë të historisë u bë dialekti ynë kryesor i shkruar e
baza e gjuhës sonë letrare.’ Pra, kështu doli lepuri laraman prej kapelës së
magjistarit.
A. Xhuvani duke iu përgjegjë Shuteriqit, me
një taktikë të kujdesshme për kohën, thotë që edhe Stalini ka thënë se ‘(m)arksizmi nuk pranon eksplozione e të
papritura në zhvillimin e gjuhës.’ Çfarë ishte eksplozioni, pos ndërrimi
eksploziv dhe i papritur i bazës dialektore të gjuhës standarde me 1945.
Sesionin e përmbylli Stefanaq Pollo
(natyrisht sd ky s’kishte asnjë lidhje profesionale me gjuhësinë): ‘Shumica e diskutimeve janë të mëndjes se e
folmja mbi të cilën duhet të mbështetemi për formimin e gjuhës letrare
nacionale, është toskërishtja e pasuruar me fjalë, shprehje e forma gegërishte’.
Jemi larg nga viti 1972 për njëzet vjetë
të plotë. Toskërishtja e cila me 1945 u bë standard i ri, përdhunisht, u
zyrtarizu tashma në vitin 1952.
11. Me 11-12 shtator 1952 u mbajt Sesioni
i dytë shkencor kushtu ‘problemit të
gjuhës sonë letrare kombëtare’ nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë i
Institutit të Shkencave. Shuteriqi, palaçoja i pushtetit, në referatin e tij
thotë se në vitet 1925-1944 ‘dialekti verior mbizotëroi n’administratë e
n’arsim, sepse shteti kish dhënë urdhëra të posaçme që aktet e librat shkollore
të shkruhen në këtë dialekt’ mirëpo ‘paslufta
e bëri toskërishten gjuhë zyrtare’! Shuteriqi nuk harron me mohu atë që
tashma kishte ndodhë se: ‘afirmimi i
plotë i dialektit jugor si bazë e gjuhës sonë kombëtare letrare nuk shkaktoi
ndonjë ‘revolucion’ e as ndonjë ‘përdhunim gjuhësor’! Mirë thonë, budallën
mos e dvet, se të kallxon vetë! Po si u bë që mbas vitit 1945 çdo gjë që doli
nga Instituti i Shkencave doli në toskërishte? Shuteriqi vazhdon: ‘Ky është një vendim i qartë e me shum
rëndësi që ka marrë Instituti. Një vendim të tillë ka marrë edhe Ministria e
Arsimit, e cila harton gjith tekstet shkollore (veç antologjive), duke u nisë nga
abetarja, në gjuhën që ka për bazë dialektin jugor. E kështu me radhë për
administratën, shtypin, radion, etj.’ Shuteriqi bën një pyetje retoriko-sharlatane:
‘A mund të flitet për përdhunim? Jo se
nuk u përdhunua asgjë!’ Mvaret nga çfarë
këndvështrimi shikohet: për përdhunuesin, s’u dhunu asgjë, për të përdhunuarin, u përdhunu gjithçka.
Viti 1972 asht larg. Edhe nja njëzet vjet larg!
A. Xhuvani, i cili e kishte shkri një jetë të tërë për gjuhën standarde me bazë elbasanishten, ishte figura më tragjike e kohës. Edhe duhej me duru rrena e të paqena, edhe duhej me duru fyerje prej shakllabanësh të tipit të Shuteriqit me lukuninë provincialiste. Xhuvani i përgjigjet se ‘leksiku i gegnishtes asht ma i gjanë’ dhe se gjatë regjimit të Zogut ‘gegnishtja me epërsin’ e saj kishte marrë rrugën për t’u-ba si bazë e gjuhës së përbashkme letrare’ duke theksu që gegërishten ‘nuk asht kollaj me e qasë më nj’anë si gunë të vjetër ose me e çue në muze, sikur e paskan thanë një palë’. E për ‘përdhunimin’, Xhuvani vazhdon: ‘E me të vërtetë asht një eksplozion kur ngutemi në këtë punë e fusim toskënishten në shkolla fillore të viseve Shkumbin e përtej ose ma mirë Mat e përpjetë, që në klasët e para të shkollës fillore. Kjo nuk asht pedagogjike, asht edhe antifiziologjike...’
Llazar Silliqi i hedh poshtë një nga një marrëzitë e Shuteriqit: ‘Të themi se
toskënishtja ka fjalor ma të pasun, këtë referuesi as s’e pohon as s’e provon,
të themi se toskënishtja ka sistem gramatikor ma të përsosun, as këtë referuesi
s’e pohon e s’e provon, të themi se numri i atyne që flasin toskënishten asht ma i madh se i atyne
që e flasin gegënishten, as këtë referuesi s’e pohon e s’e provon, të themi se
ligjet e mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës çojnë në konkluzionin në favor të
toskënishtes, referuesi as këtë s’e pohon e s’e provon, sepse ligjët e
mbrendëshme të zhvillimit të gjuhës ai veç sa i zen në gojë.’
Sterjo Spasse, në këtë sesion, thotë një fakt
me rëndësi se në vitin shkollor 1945-46 Ministria e Arsimit kishte bë një
ndryshim të parë në gjuhën e teksteve shkollore: Këndimet e klasës IV dhe V që përpara hartoheshin në të folmen e
Elbasanit, (nën. A.
M.) i bëri në të dy dialektet. Kështu anarkia gjuhësore, sipas tij, u rrit edhe
më shumë.
12. Në këtë kohë në Kosovë debatet rreth
gjuhës vazhdonin pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet në Shqipëri,
ku kishin marrë tashmë drejtim krejt tjetër falë punës së përkushtuar Partisë së Punës. Çfarëdo përpjekjesh gjuhësore që mund të
bëheshin në Kosovë, ato nuk mund të largoheshin nga baza e elbasanishtes.
Përpjekjet e këtilla u kurorëzunë në vitin 1964 me botimin e Ortografisë e cila
ka me mbetë edhe ortografia e fundit, zyrtare, e gjuhës standarde të bazuar në elbasanishten.
Vetëm katër vjet më vonë, me 1968,
gjithçka do të ndërrojë në favor të toskërishtes dhe do të parapërgatitet rruga
për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Androkli Kostallari |
Projekti 1967 – kurorëzim i përmbysjes së madhe gjuhësore
13. Me 1967 në Tiranë u botunë ‘Rregullat e drejtshkrimit të shqipes
(projekt)’. Në komisionin hartues ishin Androkli Kostallari, Eqrem Çabej e
Mahir Domi (asistent Emil Lafe). Duket se emri i E. Çabejt po shpërdorej
vazhdimisht, sepse në një projekt të këtillë emri i tij do të duhej të kishte qenë i pari dhe
jo i dyti. Por, Kostallari dilte i pari ngaqë ishte edhe bajraktari i partisë
në pushtet. Asnjë gjuhëtar jashtë Shqipërisë nuk ishte konsultu paraprakisht.
Parathënia nis me fjalinë:
‘Zhvillimi që
ka marrë gjuha shqipe letrare në këta njëzet e sa vjet të ndërtimit të
shoqërisë socialiste në Shqipëri...’
Pra, flitet vetëm për njëzet vjetët ‘socialistë’ të gjuhës shqipe, edhe atë
vetëm ‘në Shqipëri...’! S’ka punë
paraprake kodifikimi, s’ka gjuhë standarde të mëparshme. Asgjë s'paska ndodhë
me shqipen e rreth shqipes para se me na ardhë periudha socialiste! Dhe – edhe
më keq - s’ka zhvillim të shqipes jashtë Shqipërisë!
‘Qëllimi
i ‘Rregullave të drejtshkrimit të shqipes’ – thuhet më tej – ‘është që ato të ndihmojnë për njësimin e mëtejshëm të normës letrare
kombëtare, duke u mbështetur gjerësisht mbi trajtat e përbashkëta...’
A ka
gjë të vërtetë në këto pohime? Do të shihet nga rregullat e propozuara ku nuk
figuron asnjë fjalë për gegërishten, asnjë rregull që pranohet duke iu referu
gegërishtes. Vetëm paragrafi shtatë i parathënies, për shkak të stilit dhe gjykimit, duket se ësht shkru prej Eqrem Çabejt, ku thuhet se drejtshkrimi i shqipes së sotme
paraqitet me shumë probleme dhe se ‘zgjedhja
e këtij problemi vështirësohet gjithashtu nga mungesa e studimeve të veçanta e
sistematike të çështjeve teorike të drejtshkrimit të shqipes’. E thomi këtë
sepse Çabej i ka përsëritë disa herë këto pohime, duke shprehë brengën e tij për ngutinë e panevojshme
rreth ri-standardizimit të
shqipes. Këtë e ka thënë edhe në kumtesën e tij në Kongresin e Drejtshkrimit me 1972.
Në tërë këtë parathënie me asnjë fjalë të
vetme nuk përmenden shqiptarët jashtë Shqipërisë Administrative, që për nga
numri përbënin gati gjysmën tjetër të shqiptarëve. Le të mos harrojmë që po
këtë vit Selman Riza u luftu me stilin e dacibaove (fletërrufeve) kineze ‘T’i çirret maska Selman Rizës!’.
Terreni ishte pastru prej kundërshtarëve potencialë. Emri i tij, i njërit prej gjuhëtarëve më të mëdhaj shqiptarë, i Selman Rizës, nuk do të figurojë më askund në punët e standardizimit.
Që të gjitha rregullat e Projektit 1967
kanë të bëjnë vetëm me toskërishten e cila vazhdimisht paraqitet dhe cilësohet
si ‘shqipe letrare’ e cila natyrisht
ishte mbulesë për atë që
ishte ‘toskërishte
letrare’. Me asnjë fjalë
nuk përmendet gegërishtja letrare bashkë me gjuhën standarde të elbasanishtes dhe mundësia e debatit për këtë. Dhe
e fundit: hartues janë tre toskë dhe një gegë nga Shqipëria e Mesme, i cili s’mun
shfaqte kurrfarë kundërshtie. Asnjë gjuhëtar nga veriu i
Shqipërisë, asnjë gjuhëtar nga Shqipëria Irredentiste dhe asnjë nga mërgata!
Le të sqarohemi: vendimet e Komisisë
Letrare Shqipe (1916-1918) që morën parasysh toskërishten mbetën pa u ndryshu:
togjet e bashkëtingëlloreve mb, nd e ng
e -ë-ja
fundore (lugë, dritë, palë). Nga
togjet e zanoreve ndryshoi vetëm togu zanor -ue- (te foljet e gegërishtes) që ishte standardizu me 1916 dhe u bë
-ua- (sipas toskërishtes), ndërsa ‘-ye-‘ dhe ‘-ie-’ mbetën të njëjta sepse kështu i kishte toskërishtja. Si pasojë e këtij ndërrimi u përjashtu
paskajorja e mirëfilltë ‘me punue’.
Projekti 1967, po ashtu, nuk jep asnjë
emërvend, emër lumi, institucioni, personi apo titull gazete, të shqiptarëve
jashtë kufijve të Shqipërisë: ‘nga
Elbasani, nga Gjirokastra...’ apo ‘prej
Himare e prej Mirdite’ ‘u nisën
delegatët nga Shkodra’, ‘Kooperativa
e bashkuar e Hekal-Klosit’, ‘Gjeneralisimi
Stalin’ , emërtimet gjeografike ‘...Buna,
Devolli, Drini, (...) Vjosa, Vlora’; ‘Republika
Popullore e Kinës’, ‘Ndërmarrja bujqësore shtetërore ‘Gjergj Dimitrov’’, jepen
emrat e banorëve të vendit: ‘beratasit,
elbasanasit, kolonjarët, korçarët, labinotasit, mirditasit, myzeqarët,
partizanët (!), shkodranët, vlonjatët’.
‘Zëri i Popullit’, ‘Sporti popullor’;
për festat jepet ‘1 Maji, 7 Nëntori, 29
Nëntori’ por - sado e pabesushme që
mund të tingëllojë - mungon si festë ’28 Nëntori’!
Nuk thonë kot që dreqi shquhet tek imtësitë.
Kjo shihet edhe ma qartë në ‘Treguesin e
shembujve të përdorur’ në Projektin 1967. Asnjëherë nuk përmendet Kosova, Hora e Arbëreshëve, Katanxaroja, Prishtina,
Prizreni, Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ulqini, Janina, Hasan Prishtina,
Isa Boletini, Fusha e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, Lidhja e Prizrenit, Gryka
e Rugovës, Gryka e Kaçanikut, ‘Rilindja’, ‘Fjamuri i Arbërit’, ‘Universiteti i
Prishtinës’, ‘arbëreshët’. Por janë fjalët ‘jugosllav’ dhe ‘Jugosllavi’.
Me asnjë fjalë të vetme nuk jepet shenjë se ky projekt synonte të ishte
mbarëshqiptar. Autorët (e ma shumë: autori) mjaftoheshin me pjesën mbrenda
kufijve administrativë, si
duket, tue mos pasë kurrfarë shprese se kjo do të kalonte atje pa kërkesa për plotësime e ndryshime, e sidomos, duke pasë parasysh Ortografinë e vitit 1964 të
botuar në Prishtinë. Kostallari nuk ka mujtë me paramendu që ata që e shkrunë
Ortografinë 1964 kanë me ndërru kursin pa më të voglën vërejtje e pa asnjë kundërshtim.
14. Ndodhi, megjithatë, ajo që Tirana zyrtare e kohës nuk e
priste. Me 22 e 23 prill 1968 u mbajt një tubim në Prishtinë rreth Projektit
1967 të Tiranës dhe mbas kësaj u shkrunë ‘Konkluzat
e konsultës gjuhësore të Prishtinës’ me 9 (nëntë) pika. Në pikën gjashtë thuhet:
‘Vetë Projekti, në disa pika, ka nevojë
të shqyrtohet më me kujdes dhe vërejtje të argumentuara dhe shkencërisht të
arsyetuara, mund të jenë vetëm të dobishme.’ Kurrë nuk u dit se çfarë
ndodhi me ndonjë ‘shqyrtim’ apo ‘vërejtje të argumentuar’. Në Tiranë, nga
këto nëntë pika, u botunë vetëm gjashtë! Censura enveriste goditi prap.
Pse u bë kthesë kaq e madhe e kaq e
shpejtë në Prishtinë? Sepse u pa se Tirana zyrtare kishte marrë një drejtim
drejt tëhuajsimit gjuhësor të të dy pjesëve të Shqipërisë që nga viti 1945. Nëse do
të lejohej që kjo aventurë e çmendur
e Tiranës zyrtare të kurorëzohej në këtë mënyrë, shqiptarët në Shqipërinë Irredentiste do
të largoheshin edhe më shumë, kombi shqiptar do të përçahej ndoshta në mënyrë
të pariparueshme. Në mes të një këmbënguljeje për standardin e mëparshëm dhe
tëhuajsimit, ata zgjodhën që të mos ndodhte kjo gjë dhe pranunë, pa asnjë vërejtje, Projektin
1967. Prandej, qysh në këto Konkluza, në pikën tre thuhet Tubimi ‘njeh njëzëri si gjuhë të veten letrare
gjuhën letrare të vendit ëmë.’ Dhe në pikën katër i vihet kapaku: ‘...porsa të aprovohet dhe të marrë formën
zyrtare në Republikën e Popullore të Shqipërisë, do të zbatohet.’ Pra, kjo
punë mori fund. Tash, delegatë të këtillë që kishin pranu gjithçka, ishin të
gatshëm dhe mund të ftoheshin në Kongresin e Miratimit Zyrtar.
Pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit - 1972 |
Përmbysja e vitit 1945 dhe Projekti 1967 miratohen me 1972
15.
Në Kongresin e Drejtshkrimit, i cili u mbajt me 20-25 nëntor 1972, nuk u
bë asnjë fjalë për gegërishten apo elbasanishten, gjuhën e mëparshme standarde
shqipe. Derisa në Komisinë Letrare Shqipe,
flitej për efektet e çdo vendimi për gegërishten e toskërishten, në Kongresin e
Drejtshkrimit kurrë nuk u zu në gojë, jo vetëm gegërishtja, por as gjuha
standarde e elbasanishtes, e cila përdhunisht qe hedhë menjanë, pa kurrfarë
debati paraprak. U paraqitën disa skema grafike boshe rreth kinse konvergjimit
të dy dialekteve, por me asnjë provë konkrete. Disa veçori që toskërishtja i
kishte marrë qysh më herët nga gegërishtja, paraqiteshin si efekte konvergjimi
(Janet Byroni).
Çdo vendim që u mor me 1972 kishte të
bënte me toskërishten. Prandej në këtë kongres u bë normalizimi i toskërishtes
dhe zyrtarizimi i saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Administrative, sepse
mbrenda saj ajo kishte nisë qysh me 1945. Megjithatë, në punën e një organizimi
të një kongresi për toskërishten nuk ka asgjë të keqe deri kur kjo punë
pretendohet të paraqitet si akt i ‘njësimit
të shqipes’. Identifikimi i toskërishtes me gjithë shqipen ësht pretendim i
tepruar. Njësim të shqipes nuk pati, fatkeqësisht. Pati përmbysje,
çstandardizim të elbasanishtes dhe vendosje e një dialekti të ri, dialekti të toskërishtes, si bazë e standardit të shqipes.
Rolin kryesor në Kongres e lujti
jo aj që pritej të ishte për nga përgatitja profesionale, le të thomi një Selman Rizë apo një Eqrem Çabej, por një pinjoll i ri i
epokës së re staliniste, Androkli Kostallari, një aparatçik i sistemit enverist. Selman
Riza, ishte i internuar në Berat, pa të drejtë fjale publike e botimi. Eqrem
Çabej ishte i detyruar m’iu nënshtru njerëzve që profesionalisht ishin shtatë
pashë nën të, pas presioneve dhe sulmeve që i ishin bë edhe atij disa vite më parë. Prej pjesëmarrësve të tjerë shumica
ishin dhe mbetën persona anonimë edhe sot, pa ndonjë vepër të vërejtshme në
gjuhësinë shqipe, mësues katundesh e qytetesh, drejtorë institucionesh,
shkrimtarë, kritikë etj., pa kurrfarë peshe e rëndësie në historinë gjuhësisë shqiptare. Për me qenë ironia më e madhe shumica e tyre mbetën pa e mësu kurrë, me shkru drejt e pa gabime , ‘gjuhën e unisuar letrare’ për të cilën kishin votu në Kongresin e Drejtshkrimit.
Në 'Drejtshkrimin' e vitit 1973
provincialistët e bunkerit stalinist bëhen pak më zemërgjërë. Vetëdijesohen se
paska shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë dhe se paska gjuhë shqipe jashtë saj.
Por edhe kjo duket se ësht bë me një nguti e koprraci. Tash gjejmë fjalën ‘kosovarë’, ‘Bjeshkët e Namuna’ bëhen ‘Bjeshkët
e Nemuna’. Dikujt – më në fund
- dikujt i kujtohet se ka edhe një festë që quhet ‘28 Nëntori’,
vjen dhe një shkollë që quhet ‘Bajram
Curri’! ‘Kooperativa ‘Gjergj Dimitrov’ bëhet ‘Ylli i kuq’, jepet ‘poema ‘Prishtina’’, pastaj u kujtohet se
paskësh dhe një gazetë që quhet ‘Zëri i
Arbëreshëve’, shfaqet ‘Rrafshi i
Dukagjinit’. Dhe këtu mbaron zemërgjërësia e
vitit 1972 me fjalë që lidhen me pjesët jashtë Shqipërisë Popullore Socialiste
në krahasim me Projektin 1967. Bereqat-versën! Provincialistët e Partisë së Punës - që synonin të përhapnin komunizmit nëpër gjithë globin - kishin mujtë mos me i shtu edhe këto!
16. Me rënien e sistemit stalinist në
Shqipëri në vitet ’90 të shek. XX, sistemi politik dhe ekonomik u ndërru me
rrënjë. Edhe gjuha fitoi lirinë e vet. Ngrirja 20-vjeçare u shkri dhe autorët
shqiptarë fillunë me shkru në mënyra të ndryshme, duke shprehë kështu frymën e
re në shoqërinë shqiptare. Personalitete të ndryshme shfaqën mospajtimet e tyre
me mënyrën se si ishin marrë vendimet për gjuhën shqipe që nga viti 1945.
Fjalët e reja nuk gjendeshin në fjalorë. As sot e kësaj dite nuk egziston një autoritet që studion sistematikisht zhvillimet e reja në
gjuhën shqipe, prurjen dhe krijimin e fjalëve të reja. Debatet e nxehta nuk pushojnë asnjëherë rreth asaj se kush
vendos se çfarë ndodh me shqipen. Nuk egziston një institucion kombëtar që shërben,
së paku, si zyrë këshillimi se si duhet të shkruhen fjalë të ndryshme në gjuhën shqipe.
Si një përgjegje ndaj këtyre zhvillimeve
të reja me 2006 u formu Këshilli Ndërakademik, i përbërë prej gjuhëtarësh nga
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e Kosovës, i cili ka me bë shqyrtimin e
disa rregullave të shqipes. Puna e këtij Këshilli, ende pa ia nisë qysh duhet,
hasi në kundërshtimin e ashpër prej gjuhëtarëve më të regjur stalinisto-enveristë. Puna e Këshillit Ndërakademik vazhdon, e
shoqëruar, doemos, nga bërlykjet e gjuhëtarëve të një epoke të perënduar, të atyre që kur patën pushtetin e shpërdorën dhjetëfish.
17. Me 15-17 dhjetor 2010 u mbajt
Konferenca Shkencore në Durrës: ‘Shqipja
në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit’.
Morën pjesë 40 studiues dhe konferenca arrijti në 12 Përfundime. Në pikën tetë
të këtyre Përfundimeve thuhet: ‘Të
studiohet mundësia e integrimit të paskajores gege në standardin e shqipes.’
18. Sot, gjendja e shqipes asht kjo që
asht. Që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, me rënien e sistemit të egër enveristo-stalinist, shqipja ka përjetu një
zhvillim të hovshëm në kushte të reja. Në shikim të parë kjo duket si anarki,
si një dalldi dhe si dalje prej kontrolli. Por kjo ësht ndjenja e lirisë mbas
një diktature të tmerrshme e të pashembullt në planetin e Tokës; kjo ësht ndjenja e daljes në dritë e
një qenieje të mbyllur në bunker. Ballafaqimi me lirinë ësht gjithmonë
dalldisës. Megjithatë, gjithçka që quhet afrim gjuhësor në mes të dy
kryedialekteve shqipe ësht meritë e vendimeve të Komisisë Letrare Shqipe. Duhet me thënë që merita e trajtimit të gjuhës në periudhën enveriste ësht që toskërishtja
mbrenda shqipes ka fitu një status, pa dyshim, më të rëndësishëm. Nëse do të
vazhdohej me standardin e elbasanishtes, toskërishtja kurrë nuk do të mund t’i
bënte konkurrencë elbasanishtes dhe do të mbetej si një dialekt i skajshëm dhe
i parëndësishëm mbrenda shqipes. Ajo do të zhvillohej mbrenda mundësive të veta,
aq sa do të kishte fuqi dhe do të zbehej një ditë. Ndërsa sot një standard i
gjuhës shqipe nuk mun me u paramendu pa praninë e veçorive të toskërishtes.
Dhe kjo, me gjithë
traumatizimin gjysëmshekullor,
ndoshta ësht mirë për shqipen, sepse ka kriju dy burime më të balancuara për shqipen.
Me paskajore dhe rotacizëm drejt një gjuhe standarde shqipe për të gjithë shqiptarët
19. Nëse shqiptarët synojnë të krijojnë një
gjuhë standarde të përbashkët e jetëgjatë atëherë kjo kërkon që të shkrijnë të
dy kryedialektet e shqipes në një. Për me i shkri këto dy kryedialekte në një
duhet me u veçu karakteristikat më të rëndësishme të këtyre dy dialekteve. Dhe këto
karakteristika janë dy: rotacizmi i toskërishtes dhe paskajorja e gegërishtes.
Çfarëdo standardi që krijohet pa e marrë parasysh rotacizmin e toskërishtes, aj
standard ësht standard i gegërishtes; dhe çfarëdo standardi që krijohet pa e
marrë parasysh paskajoren e gegërishtes ësht standard i toskërishtes. Gjuhë
standarde shqipe e përbashkët, si shkrirje e dy kryedialekteve, ësht vetëm gjuha
shqipe me rotacizëm dhe me paskajore. Ësht e vërtetë që kjo gjuhë në fillim do
të duket më artificiale dhe e largët, por
ky ësht çmimi i domosdoshëm i standardit të përbashkët për gegët e për toskët. Ky ësht çmimi i strategjisë
përtejgjuhësore që synon kjo ndërmarrje. Ësht pikërisht ajo që Çabej e qun
‘abstraksion’ të
domosdoshëm të çdo gjuhe standarde e cila synon me qenë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Ndërsa për gjuhën e letërsisë
artistike, mujnë me u zbatu rregulla të veçanta për gegërishten letrare e për toskërishten letrare. Por në këtë
proces, parimi më i rëndësishëm ësht me punu që të gjithë bashkë.
20. Një shije e asaj se qysh do të mund të
dukej, përgjithësisht, një gjuhë e shkruar shqipe me paskajore e me rotacizëm ëdhënë pikërisht në këtë shkrim.
Agim MORINA
20 shkurt 2015
20 shkurt 2015