Tuesday, February 24, 2015

MAQEDONIA PËRBALLË VETVETES





Nga Agim Morina

Ideologë të nacionalizmit të verbër sllavomakedon dojnë me çdo kusht me kriju kundërshtarin e paqenë: shqiptarët! Ata harrojnë se me heqjen nga skena të faktorit shqiptar në Maqedoni, zhduket çfarëdo ideje e sllavomakedonizmit dhe krijohen dy njëmendësi: shqiptare dhe bullgare. Kjo ngjan me dëshirën e pandalshme të Kreseut, mbretit të Lidisë, i cili tue dashë me shkatërru mbretninë fqinje të Medesë, shkoi dhe u këshillu me orakullin e Delfit, për me pa se çfarë parashikohej në rast se ai do të shpallte luftën kundër medeasve, me të cilët i ndante lumi Halis. Orakulli, si zakonisht, dha këtë divnesë dykuptimëshe: ‘Kush Halisin do ta kalojë, një mbretëri do ta shkatërrojë!’ Kreseu, i verbuar nga lakmia e dëshira e zjarrtë për fitore, këtë divnesë e mori si ogur të sigurtë për fitoren e tij dhe sulmoi mbretërinë e Medesë. Mirëpo, ai pësoi disfatë të plotë dhe, vërtet, ashtu siç tha divnesa, shkatërroi një mbretëri, por mbretërinë e vet. Edhe nacionalistët sllavomakedonë, në yryshin e tyre që kanë marrë, mbasi janë këshilluar me orakuj që japin divnesa me kuptime të dyfishta, (‘kush Vardarin do të kalojë/një ‘mbretëri’ do ta shkatërrojë’), nuk e kuptojnë se në një ballafaqim me shqiptarët ata vërtet do të shkatërrojnë një aktor në skenën politike të Maqedonisë, por ky aktor do të jenë ata vetë.




Shkup: Nis sërish protesta lirimin e gjashtë të dënuarve në rastin “Monstra”



Histori e gjatë e cenimit të të drejtave të shqiptarëve

Me datën 2 maj 2014 u zhvillu edhe akti ma i ri i skenareve të mujsharisë së qarqeve nacionaliste sllavomakedonase. Gjashtë shqiptarë u dënunë me burg të përjetshëm me akuzën se ata janë vrasës të pesë sllavomakedonasve të cilët u gjetën të vrarë në brigjet e liqenit të Smilkovcit me 2012. Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, së pari në Shkup, e pastaj edhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë, të Shqipërisë, të Kosovës por edhe të mërgatës, nisën protestat e tyre për të shprehur pakënaqësinë e tyre me këtë vendim. A ka arsye për këtë? Pse do të duhej me protestu për një vendim gjykate?

Krimi në Smilkovc, padyshim, ishte i tmerrshëm. Pesë qytetarë të pafajshëm ishin egzekutu në rrethana misterioze. Katër djem të rij dhe një mesoburrë. Që të gjithë sllavomakedonas. Problemi ma i madh ishte dhe mbetet motivi. Pse u vranë ata? Pesha e krimit dhe misteri që e ka mbështjellë nuk mun shpjegohet lehtë sepse ka një histori të trishtë që lidhet me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Struktura të caktuara në qeveritë e Maqedonisë, sidomos në Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë, që nga pavarësia e saj, ma shumë janë profesionalizuar në luftën e tyre të fshehtë e të hapur kundër shqiptarëve sesa në luftën kundër krimeve dhe rreziqeve të njëmendta që i kërcënohen Maqedonisë. E keqja asht që këto struktura janë trashëgu nga sistemi i mëparshëm jugosllav i cili kishte instalu edhe në Maqedoni një aparaturë të specializuar antishqiptare. Derisa në të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë – ku ma shumë e ku ma pak – ndodhi ndërrimi i njerëzve në këto struktura, për shkak të luftave që shpërthynë atje, kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë në Serbi e në Maqedoni. Kjo gjë ka bë që njerëz të policisë, të njësive speciale dhe të Shërbimit Sekret të Maqedonisë e të Serbisë të mbeten jo vetëm në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por ende me një ndërvarësi të punëtorëve të këtyre shërbimeve nga qendra e dikurshme – Beogradi.

Lufta e pandalshme kundër shqiptarëve që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, i ktheu strukturat e organizuara antishqiptare në Serbi e Maqedoni në partnerë sepse kishin një kundërshtar të përbashkët – shqiptarët. Një nga projektet e para masive e më të mynxyrshme ishte dëbimi i shqiptarëve në Turqi. Së pari, në vitet pesëdhjetë, në këto dy republika u shpik kombësia turke e cila do të duhej të lehtësonte këtë dëbim. Dhënia e ‘vesikave’ (dokumenteve) përfundimtare për dëbim në Turqi bëhej në Shkup dhe bashkërendimi i këtyre punëve të liga bëhej në mes të këtyre republikave. Për ata që nuk u bënë turq me dëshirë, nëpërmjet propagandës dhe kërcënimeve me fjalë, Ministritë e Mbrendshme nisën dhunën e hapur policore, me ndalimin e gjuhës shqipe, me mbylljen e shkollave, arrestimin, torturimin dhe vrasjen e mësuesve dhe intelektualëve, që u bë specializim i këtyre dy qendrave Beograd-Shkup. Shërbimet e Beogradit, mbas Luftës së Dytë Botërore, në bashkëpunim me sllavomakedonët, egzekutunë edhe elemente probullgare ndër sllavomakedonët, sepse sapo kishte nisë procesi i krijimit të një entiteti artificial jugosllav. Rreth 100 mijë bullgarë u burgosën ndërsa 1200 bullgarë u egzekutunë në këto vite. Kjo tregon se strukturat sllavomakedone janë prodhim serb që në zanafillë.

Një analizë më sipërfaqësore e ekonomisë së Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore tregon prapambeturinë sistematike e të planifikuar që ka zbatuar Serbia e Maqedonia me synim të qartë që t’i detyrojë shqiptarët të marrin botën në sy. Dhe, pas zbutjes së zullumit të paparë në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë të shek. XX, për shkak të spastrimeve partiake në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, emigrimi ekonomik u bë sëmundje kronike për shqiptarët. Kudo në ish-Jugosllavi gjeje një furrë apo një ëmbëltore të një hasjani apo të një tetovari apo të një gostivarasi; nëpër gjithë Europën shqiptarët ndërtonin e shtronin rrugë, dibranë e kërçovarë kalunë Atlantikun për me gjetë fatin e tyre të punësimit në Amerikën e largët.

Sikur të mos mjaftonte zullumi serb dhe sllavomakedon, në vitin 1963 Shkupi u godit nga një termet i fuqishëm i cili mbyti rreth një mijë vetë dhe shkatërroi rreth 80 për qind të qytetit, sepse shumica e ndërtesave qenë ndërtu me materiale të dobëta. Edhe këtë fatkeqësi natyrore sllavomakedonët e kthyen në dobi të tyre dhe gjatë rindërtimit favorizunë me të gjitha mundësitë prurjen e popullsisë sllavomakedone tue anashkalu popullsinë shqiptare dhe tue i largu rreth 20 mijë shqiptarë në Kosovë e Turqi. Në këtë mënyrë u ndërtu një Shkup i ri, me 20 mijë sllavomakedonë nga Polonia, Çekosllovakia dhe Maqedonia e Egjeut dhe kështu nisi të mbizotërojë elementi etnik sllav në këtë qytet në të cilin shqiptarët gjithmonë kishin qenë shumicë. Të gjitha këto të dhëna i thekson historiani Skender Hasani, punëtor në Arkivin e Maqedonisë, sipas dokumenteve ma të reja të cilat i ka zbuluar ai.


Me 1963 tërmeti goditi Shkupin


Me zhvillimin e statusit politik të Kosovës dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës, drita e arsimit ndriçoi për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi. Shqiptarët nga Maqedonia kur vinin në Kosovë u dukej se kishin ardhë në një shtet tjetër, ku shqipja flitej, shkruhej e përdorej lirshëm dhe zyrtarisht. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, megjithëse mbrenda një shteti të njëjtë, nuk gëzonin gati asnjë të drejtë të tillë. Ky ishte paradoks jugosllav. Por, e vërteta ishte se antishqiptarizmi serbo-sllavomakedonas nuk linte asnjë rast pa e shfrytëzuar për m’iu kundërvu shqiptarëve. Derisa në opinion publik jugosllav Kosova e viteve shtatëdhjetë paraqitej si parajsë e të drejtave ‘të pakicave’, çmimin për këtë e pagunin shqiptarët e Maqedonisë. Ata shtypeshin dy herë më shumë, sepse pezmi antishqiptar i strukturave të errëta zbrazej vetëm mbi ta.

Pas demonstratave të vitit 1981, fryma e vjetër e shtypjes serbe nisi të kthehej në Kosovë, ndërsa në Maqedoni merrte forma gjithnjë e më të egra. Puna shkoi deri aty që shqiptarëve nuk u lejohej t’i pagëzonin fëmijët e tyre me emra shqiptarë! Për emra fetarë s’kishte asnjë problem. U nxor edhe ligji – sado i pabesueshëm – që shqiptarëve ua ndalonte të kishin ma shumë se dy fëmijë! Dhe, kulmi u arrit kur nga shqiptarët u kërku që për emrat e vendbanimeve në Maqedoni të mos përdornin emrat në shqipe por në gjuhën sllavomakedone, pra, shqiptarëve nuk u lejohej të përdornin emrin Shkup por Skopje, jo Tetovë por Tetovo, jo Manastir por Bitola! U mbyllën të gjitha shkollat e mesme në gjuhën shqipe! Sot këto tingëllojnë si veprime të pamundshme, jashtë mendjes së shëndoshë, por, për fat të keq, këto janë të vërteta lakuriqe të historisë jo të largët të Maqedonisë.

Në vitet nëntëdhjetë kur situata në Kosovë po shkonte drejt një lufte të hapur serbo-shqiptare, në Maqedoni strukturat sllavomakedone nuk flinin. Ata e thellunë dhunën e hapur kundër shqiptarëve. Po përgatitej skenari i dëbimit dhe jeta e shqiptarëve duhej të bëhej sa më e padurueshme. U shpik problemi i mureve të oborreve të shqiptarëve të cilat, për shijen e sllavëve, ishin tepër të nalta. Sikur Maqedonia nuk kishte asnjë problem ma të rëndësishëm, pos mureve të oborreve të shqiptarëve. Shqiptarët kundërshtunë me aq sa mundën, pati protesta e fërkime politike. Dhe në Haraçinë, afër Shkupit, shumë shpejt, ra edhe viktima e parë, plaku Nuredin Nuredini, i cili vdiq kur muri i shtyrë nga një buldozer ra mbi të.

Krejt këto ndodhën para se Maqedonia të shkëputej nga Jugosllavia dhe para se të shpallte pavarësinë, me 8 shtator 1991. Megjithatë, pavarësia nuk e bëri Maqedoninë më pak antishqiptare dhe, në këtë vijë, më pak të varur prej Beogradit. Ç’asht e vërteta, strukturat e vjetra jugosllave në Shkup nxitën edhe më shumë antishqiptarizmin, tue harru që nuk e kishin ma një shtet jugosllav mbrapa dhe tue mos e pa që shqiptarë po bëheshin faktor gjithnjë e ma i rëndësishëm, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan.



Përpjekje për shkatërrimin e arsimit shqip


Fadil Sulejmani
Paradoksalisht, institucionet e Maqedonisë, patën marrë vendim se nuk do të njihnin diplomat e Universitetit të Prishtinës, ku studionin shumica e shqiptarëve të Maqedonisë. Plani ishte që të mos lejohej në asnjë mënyrë arsimimi i brezave të rij. Tue e pa këtë situatë, profesori i Universitetit të Prishtinës, Fadil Sulejmani nga Tetova, bashkë me intelektualë të tjerë, nisi themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili zyrtarisht nisi punën me 17 dhjetor 1994. Por, ky akt ngjalli tërbimin e shërbimeve antishqiptare sllavomakedonase të cilat u përpoqën të pengonin themelimin e një institucioni arsimor. Profesor Sulejmani u arrestu ndërsa në ballafaqim me njësitet e policisë special, me 17 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël u vra i riu shqiptar, Abdylselam Emini, i cili u bë martir i arsimit shqip në Maqedoni.



Busti i Abdylselam Eminit
Në nëntor 1992 në një bastisje policore që u bë në Bit Pazarin e Shkupit , u arrestunë disa shqiptarë dhe një nga ta, nga fshati Luboten, u rrah aq keq sa vdiq prej dajakut. Në protestat që u bënë për të dënu këtë vrasje u vranë edhe tre shqiptarë të tjerë. Gjaku i shqiptarëve po derdhej çdo ditë e ma shumë në çdo kënd të Maqedonisë.

Krejt këto ndodhi nuk ishin të rastësishme. R. Tomlisoni, (ish-agjent i Shërbimit Sekret Britanik, MI6, i stacionuar në Maqedoni), në librin e tij ‘The Big Breach’ e pohon qartë se nga viti 1993 deri në vitin 1998, Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë e morën në dorë prap zyrtarë të lartë policorë të kohës së ish-Jugosllavisë. Në qershor 1993 një patrullë e kufirit të Maqedonisë, pasi kërkoi një takim me oficerë të kufirit të Shqipërisë, vrau njërin oficer shqiptar dhe tjetrin e la për të vdekur. I plagosur rëndë, oficeri i dytë shqiptar tregoi kurthin ku e kishin futur ushtarakët sllavomakedonë tue u thënë se kinse po i ftonin për një bisedë zyrtare.

Në korrik 1997 në demonstratat në Gostivar u vranë tre shqiptarë, mbas reagimit zyrtar për heqjen e flamurit shqiptar në godinën e bashkisë së Gostivarit ku e kishte vendosë kryetari i bashkisë, Rufi Osmani.

Në një rast të paprecedent, vetë kryetari, z. Osmani, u burgos. Në këtë kaos të kontrolluar nga shërbime të ndryshme destabilizimi i Maqedonisë ishte kartë në dorën e kujtdo që ishte i interesuar për këtë. Tomlinsoni e bën të qartë që njerëz të lidhur ngushtë me Shërbimin Sekret ish-Jugosllav, e humbën kontrollin në legal në strukturat e Ministrisë së Mbrendshme me fitoren në zgjedhje të VMRO-së.


Arbën Xhaferi


Menjëherë pas shpalljes së fitores dhe hyrjen në koalicion me VMRO-në, me 1998, Arbën Xhaferi, kryetar i PDSh-së, pohoi: ‘Ne gjetëm partnerin e duhur. [VMRO] nuk asht parti proserbe, por parti që përkrah idetë promakedone, dhe na me këtë ide kemi me mujtë me i njëmendësu në praktikë idetë të cilat janë shumë me rëndësi për këtë rajon.’ Pra, aj theksonte edhe ma qartë vijën e zhvillimeve mbrenda strukturave sllavomakedonase dhe interesin shqiptar në këtë vijë.

Në luftën e vitit 2001, u pa sheshit pafuqia e shtetit maqedon dhe fuqia reale e faktorit shqiptar. Megjithëse të armatosur e të organizuar në struktura shtetërore, sllavomakedonët nuk qenë në gjendje me i bë ballë një ushtrie guerile të UÇK-së të cilët ishin të vendosur për me luftu për të drejtat e popullit të tyre. Armata dhe policia e Maqedonisë mori ndihma ushtarake nga shumë shtete të ndryshme. Nga Ukraina arritën helikopterë (Mi-24) bashkë me pilotë mercenarë, ndërsa Bullgaria dërgoi tanke (T-74) dhe tanke (T-55). Sado e pabesushme, sllavomakedonët kishin bë një marrëveshje edhe me Greqinë me 1998 për mbrojtje nga ndonjë rrezik i mundshëm. Edhe Maqedonia, edhe Greqia ishin të alarmuar nga krijimi dhe forcimi i UÇK-së në Kosovë. Edhe deri këtu shkonte tmerri i sllavomakedonëve prej shqiptarëve: bënin marrëveshje me shtetin që asnjëherë nuk i njohu dhe u shkakton problemet ma të mëdha edhe sot e kësaj dite.

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, kështu politikanët shqiptarë dhe sllavomakedonas ranë në ujdi për një marrëveshje që do të garantonte ma shumë të drejta për shqiptarët. Por edhe ashtu e kursyer në garantimin e të drejtave për shqiptarët, kjo marrëveshje nuk u zbatua asnjëherë deri në fund. Përdorimi i gjuhës shqipe, megjithëse me këtë marrëveshje njihet si gjuhë zyrtare, ajo nënçmohet dhe ndalohet në vetë parlamentin maqedonas; statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës ende ka mbetur i pazgjidhur; përdorimi i simboleve kombëtare asht lënë pezull; decentralizimi zvarritet dhe manipulohet gjatë gjithë procesit ndërsa ndarja territoriale në çdo hap është bërë në dëm të shqiptarëve; përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore asht i pamjaftushëm etj. Pra, ka ende shumë punë drejt realizimit të të drejtave minimale të shqiptarëve në Maqedoni.


Një shqiptar i vrarë në Masakrën e Lubotenit


Masakra e Lubotenit dhe Masakra e Shtatë Emigrantëve

Në vargun e këtyre veprimeve dëshpëruese me 12 gusht 2001 ndodhi Masakra e Lubotenit, kur u vranë dhjetë shqiptarë në shenjë hakmarrjeje të vrasjes së tetë komandove sllavomakedone dy ditë ma parë nga UÇK-ja. Kjo tregoi fytyrën e një policie speciale kriminale sllavomakedone e cila s’ishte e zonja me bë një luftë ballaballë me ushtarët e UÇK-së dhe hakmerrej te popullsia civile.

Krejt këtë masakër të civilëve në Luboten Ljube Boškoski, Ministër i Mbrendshëm, e vëzhgoi nga një pozicion i sigurtë derisa Johan Tarčulovski, udhëheqës i njësiteve speciale, me ‘Tigrat’ e tij vranë e prenë shqiptarët e pafajshëm. Mediat botërore e dënunë këtë akt, ndërsa organizata të ndryshme humanitare kërkunë që të gjenden përgjegjësit. Human Right Watch thoshte se ‘operacioni i forcave të sigurisë nuk ishte ndërmarrë prej kurrfarë arsyesh ushtarak dhe u bë me qëllim hakmarrjeje dhe ushtrimi të dhunës.’ Tue u gjetë në një situatë të tillë dhe me kërcënimin se ky rast do të shqyrtohej në Tribunalin e Hagës, në fillim të vitit tjetër, në mars 2002, Boškoski dhe njësiti ‘Tigrat’, bënë edhe një masakër tjetër prap afër Lubotenit, në Vneshtat e Rashtakut, me qëllim që të harrohet masakra e parë.

Krimineli Boskoski në vendin e krimit, në Luboten


Por kjo masakër u bë me skenar të planifikuar deri në imtësitë më të vogla. Gjashtë shtetas pakistanezë dhe një indian, hallexhij që kishin synim të arrinin në vendet e Europës Perëndimore si azilantë ishin në rrugë e sipër dhe kishin kalu nga Bullgaria në Maqedoni. Zyrtarë të Ministrisë së Mbrendshme të Maqedonisë, u paraqitën si njerëz që do të ndihmonin në këtë proces. I morën të shtatë dhe i vendosën në një shtëpi në Shkup.

Me 2 mars 2002, pjesëtarë të njësitit ‘Tigrat’ i morën të shtatë aziatikët dhe i dërgunë në Vneshtat e Rashtakut, i vranë një nga një dhe ua lanë pranë nga ndonjë armë e revole që gjithçka të dukej si një përballje e armatosur. Lajmi u dha nga vetë Ministri i Mbrendshëm, Boškoski, tue thënë se ‘një grup terrorist’ i lidhur me ‘Alkaidën’, paskësh hyrë në Maqedoni dhe paskësh planifikuar ‘të sulmojë ambasadën e ShBA-së, të Britanisë dhe të Gjermanisë’. Edhe ma shumë se kaq, Boškoski tha se te ata, përveç të tjerave, u gjetën edhe ‘uniforma të UÇK-së’! Ajo çfarë nuk kishte llogaritë një mendjeleshko, si Boškoski me shokë, ishte se zyrtarë të ambasadës amerikane, britanike e gjermane thanë se s’kishin pasë kurrfarë paralajmërimi nga shërbimet e tyre që do të kishte çfarëdo sulmi. Kështu dilte sikur shërbimi sekret i Boškoskit ishte ma i zoti sesa shërbimet sekrete të ShBA-së, Britanisë e Gjermanisë të marra së bashku! A ishte e mundshme kjo? Vetëm rrethet politike e intelektuale shqiptare në Maqedoni, që ditën e parë, thanë haptazi se ky ishte një mashtrim i radhës. Gazeta ‘Fakti’ shkruante se ky ishte një ‘spektakël i organizuar nga ministri i Mbrendshëm Boškoski’. Dhe kjo doli të jetë një krejtësisht e vërtetë.

Mbas hetimeve u zbulu se krejt ky kishte qenë një spektakël kriminal me qëllime të qarta që të paraqiste lidhjen e UÇK-së me ‘terrorizmin islamik në botë’, rrezikun që paraqiste ky fakt dhe rolin e qartë të Boškoskit në skenën botërore si zbulues dhe mbrojtës nga ‘terrorizmi’. Natyrisht, terroristë të vërtetë në krejt këtë punë doli të jetë Boškoski dhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrendshme të cilit kishin kryer këtë krim të pashembullt e mizor.

Tue mos qenë në gjendje me paraqitë fakte e dëshmi, Ministria e Mbrendshme e Maqedonisë u detyru me pranu mashtrimin kriminal dhe me kërku falje publike në maj të vitit 2004. Sidoqoftë, tragjikomedia sllavomakedone e këtij rasti nuk mori fund këtu. Me 3 shkurt 2007, mbas një procesi të gjatë gjyqësor, të gjithë të akuzuarit e këtij rasti – pra që të gjithë – u shpallën të pafajshëm nga gjykata. Mbas dështimit spektakular të Ministrisë së Mbrendshme, ky ishte dështim edhe më spektakular i Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë. Me shtatë viktima të vrara e të masakruara, me kërkimfalje publike zyrtare nga Ministria e Mbrendshme, me fakte e dëshmi të qarta për çdo hap të këtij akti kriminal, gjykata nuk e gjeti fajtor as edhe një të vetmin individ në tërë këtë maskaradë drejtësie.


Egzekutim kriminal pa motiv të sqaruar

Tue qenë se Maqedonia u bë tashmë nënë e vakive kriminale, askush nuk u habit megjithëse gjithkush u trishtu, me lajmin për një krim të ri, masakër të re, kur me 12 prill 2012 në brigjet e liqenit të Smilkovcit u gjetën të vrarë pesë sllavomakedonë, katër të rij dhe një mesoburrë: Filip Slavkovski, Aleksandar Naḱevski, Cvetančo Acevski and Kire Tričkovski dhe Borče Stefanovski. Ky krim i tmerrshëm – si në rastet tjera – shkrodhi ma shumë pyetje sesa përgjegje. Pse u egzekutunë këta njerëz? Pse pikërisht këta? Kush ishte i interesuar për një egzekutim të tillë?

Ministria e Mbrendshme e Maqedonisë, tashmë kampione e improvizimeve kriminale dhe mashtrimeve spektakulare, nuk arrijti me dhënë përgjegje të duhura. Por, nuk ngurroi me ndërmarrë veprime të pamenduara mirë. E mendunë mirë vetëm emrin e operacionit tue e qujtë ‘Operacioni Përbindëshi’, për me kriju sa ma shumë efekt në mediat vendore e të huaja. Me 1 maj 2012 njësitet speciale prej 800 vetash nisën me bastisje e arrestime në 26 banesa, tue arrestu 20 persona në Shuto Orizare, Jahjapashë dhe Haraçinë. Prokurori publik lëshoi fletarrestime për Qezmedin Demirin, Haki Azirin, Muamer Qailovskin, Besim Hajdarin, Mervan Memetin, Abdula Rashitovin, Suraj Asipin, Mirvet Ismailoviçin, Kimet Demirin, Qani Azirin dhe Rami Xhavitin. Me 3 maj 2012 13 prej 20 të arrestuarve u lanë të lirë ndërsa katër u akuzunë për armëmbajtje pa leje.

Gjykimi i shqiptarëve edhe pa fakte përfundon me dënime


Mbas hetimeve dhe procesit gjyqësor, me 2014 gjykata në Shkup shpalli fajtorë: Alil Demirin, Afrim Ismailoviçin, Agim Ismailoviçin, Fejzi Azirin, Haki Hazirin dhe Sami Lutën dhe i dënoi që të gjithë me burgim të përjetshëm. Procesi hetimor dhe procesi gjyqësor u përcollën me shumë mangësi. Asnjëherë nuk u paraqitën fakte dhe procesi u mbajt larg syve të publikut. Haki Haziri, dëshmitari i mbrojtur, i cili prej 1 deri 7 maj 2012 u mbajt i burgosur në Koçanë dhe u kërcënu nga inspektorët e policisë se nëse nuk do të pranonte se Alil Demiri ka kryer krimin atëherë ‘do të më dënonin me 20 vjet ose nuk do të dilte i gjallë’. Edhe familjarët sllavomakedonë të viktimave u ndanë të pakënaqur me vendimet e gjykatës. Vëllai i Borče Stefanovskit, pasi ndëgjoi vendimet e gjykatës, i tha televizionit ‘Kanal 5 Web’: ‘…Sikurse edhe prindët tjerë edhe na nuk jemi të kënaqur me këtë gjykim derisa të dijmë kush ishte porositësi [i vrasjeve] dhe arsyen pse u vranë këta djem. (…) A asht akt terrorist apo ndonjë akt [kriminal] për biznes? Pa u gjetë ata që e porositën këto vrasje vështirë se do të jemi të kënaqur. Do të kërkojmë drejtësinë, qoftë në gjykatat tona, qoftë edhe deri në Tribunalin e Hagës, kudo qoftë.‘ Pra, edhe vetë qytetarët sllavomakedonë kanë kuptu se nuk po i vjen erë mirë këtyre marifetllëqeve teatrale të dy ministrive: asaj të Mbrendshme dhe të Drejtësisë. Dhe vazhdojnë me thanë se do të kërkojnë drejtësi edhe jashtë Maqedonisë. Nëse këtë e bëjnë familjarët e viktimave sllavomakedone, çfarë duhet të bëjnë atëherë shqiptarët?

Nëse ky proces krahasohet me procesin gjyqësor për Masakrën e Vneshtave të Rashtakut, shihet qartë anshmëria e gjykatës dhe gjykimi sipas kombësisë e jo sipas drejtësisë. Gjykim sipas një synimi të paracaktuar e jo gjykim i nxjerrë nga faktet e ofruara. Nëse je shqiptar, edhe pa fakte, dënimi asht i përjetshëm’; ndërsa nëse je sllavomakedon, edhe nëse Ministria e Mbrendshme pranon fajin dhe kërkon falje publike për një akt kriminal, fajtorë nuk ka. Prandaj, pakënaqësia e qytetarëve shqiptarë dhe e familjarëve të viktimave asht plotësisht e arsyshme. Gjykimi kundër gjashtë shqiptarëve duhet të përsëritet dhe të mbahet ose nga gjykatës ndërkombtarë ose nën vëzhgim të plotë të tyre.

Shihet sheshit se nëse Masakra në Vneshtat e Rashtakut u improvizu kinse për ‘me impresionu ShBA-në në luftën kundër terrorizmit’, Masakra e Smilkovcit, simbas të gjitha gjasave, u improvizu për me shkaktu trazira të mbrendshme dhe konflikte ndëretnike në Maqedoni. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për me ngadalësu procesin e paanashkalushëm të garantimit të patjetërsueshëm të të drejtave të shqiptarëve, që kanë qenë dhe mbeten shtylla kryesore mbi të cilën po mbijeton Maqedonia si shtet.

Qeveritarët e politikanët sllavomakedonë duhet të kuptojnë një herë e përgjithmonë se Maqedonia nuk të ardhme pa shqiptarët si qytetarë të barabartë. Nuk janë shqiptarët kërcënim për Maqedoninë dhe zullumi i madh i qarqeve të caktuara nacionaliste kundër shqiptarëve nuk ka me dhënë rezultatet që priten nga imagjinata e sëmutë dhe kriminale e mendjeleshkove si Boškoski me shokë. Hap i parë drejt stabilizimit të Maqedonisë si shtet asht përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën politikanët shqiptarë dhe gjithë shtresa intelektuale shqiptare, si duket, duhet me bë ma shumë.

Maqedonia, o ka me qenë edhe e shqiptarëve si qytetarë të barabartë, o nuk ka me qenë fare.

 10 korrik 2014