Tuesday, February 11, 2025

Agim MORINA - FEUDALIZIM I HAPËSIRËS INFORMATIVE SHQIPTARE


Kasëm Trebeshina, që më 1953, shkruante fatin e ardhshëm të shqiptarëve dhe parashikonte se do të ndodhte një shkatërrim të madh i shoqërisë shqiptare, por thoshte ai, shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtrore të shqiptarëve. Ky shkatërrim do ta godasë së pari dhe më së egri, ideologjinë kombëtare në forcim e sipër, do të shpërbëhet ndjenja subjektive e përkatësisë ndaj një kolektiviteti kombëtar, por pahetueshëm, dalngadalë. Dhe ashtu u bë. Populli shqiptar edhe pas pesëdhjetë vitesh mbet në nivelin e "kombit të mundshëm" e jo të kombit të konstituuar, të kombit të cilin e bën historia dhe jo kombit që bën historinë. Trysnia e këtij shkatërrimi shpirtëror e bëri punën e vet. Ajo prodhoi zombët, frankeshtajnët, golemët e vet të cilët na duken krejt njerëz normalë derisa nuk veprojnë, derisa nuk flasin apo derisa nuk shkruajnë. Veçori e tyre është se të gjitha i bëjnë me një inerci sepse janë jashtë kohës, siç thoshte Trebeshina, "pa kuptin në realitetit historik të shekullit të njëzetë." Inercioni në kuptimin e sotëm, në fushën e informimit është prirja për feudalizimin e hapësirës informative shqiptare, feudalizim i opinionit publik dhe i ideologjisë kombëtare shqiptare, si kondicionim i ndarjes së dhunshme të kombit shqiptar në pesë shtete.

Pikërisht ky inercion hetohet në gazetën "Koha jonë". Merreni më mend, kur gazeta "Duga", njëra nga revistat më ekstreme e shoviniste serbe, ka filluar të shkruajë për domosdoshmërinë e ndarjes paqësore me shqiptarët e Republikës së Kosovës, njohjen e këtij shteti, njohjen e potencialit organizativ e intelektual të shqiptarëve të kësaj republike, vendosjen e një bashkëpunimi fqinjësor ekonomik të dobishëm në mes të dy shteteve, ndërsa "Koha jonë" shkruan komente e artikuj të cilat "Duga", e dalldisur dhe e verbuar nga shovinizmi serb, i shkruante para dhjetë vjetësh! Por, edhe më i vajtueshëm është fakti se "Duga" është revistë serbe, që botohet në Beograd, ndërsa "Koha jonë" gazetë e përditshme që botohet në Tiranë.

Nuk është problemi pse që më 1992 njëfarë Frrok Çupi, në një artikull të tij në gazetën "Koha jonë", të ribotuar në gazetën "Borba" ("Lufta") të Beogradit, na udhëzonte ne, shqiptarëve të Republikës së Kosovës, që të dalim në zgjedhjet e Serbisë. Nuk është ndonjë problem i madh pse ndonjë shkrolësi i lejohet të botojë shkrime antishqiptare. Le të jetë edhe kjo dëshmi e demokratizimit të mendimit në Shqipërinë Administrative, megjithëse demokraci antikombëtare nuk ka kurrkund në botë. Megjithatë, derisa një individ për shkaqe që vetëm ai i di, shkruan atë që shkruan, ende nuk është ndonjë gjendje për t'u vërejtur, por kur kjo gjë bëhet dukuri dhe kur shndërrohet në strategji për feudalizimin e hapësirës informative kombëtare shqiptare e me këtë, si pasojë feudalizimin e opinionit publik shqiptar, atëherë, vërtet, kjo punë duhet vënë nën llupë. Sepse megjithatë "Quod liced Jovi, non liced bovi" thonë latinët!    

 

Ben BLUSHI

"KOHA JONË" DHE BENI ECIN

 

Komenti i Ben Blushit, kryeredaktorit të gazetës "Koha jonë", i datës 4 gusht 1996, i botuar në faqen e parë, që në titull është denigrues e qëllimkeq: "Bomba në Prishtinë shpërthen në Tiranë". Dhe që në rreshtin e parë, që në fjalën e parë me dy germa të shkreta është informacion i pasaktë: nuk kanë shpërthyer DY bomba por KATËR! (Në Prishtinë, në Podujevë, në Kërpimeh dhe në Luzhan). Natyrisht, krisën "dy bomba", u hap "edhe një herë" (kur u mbyll?) dosja e Kosovës "ose mënyra e zgjidhjes së fatit të 2 milion shqiptarëve" por titulli "Jeta private e Fatos Nanos" e zë faqen e parë skaj më skaj. Pra, për kryeredaktorin e "Kohën sonë", Ben Blushin, del se më e rëndësishme është jeta private e Fatos Nanos, i cili hëngërka "vezë të skuqura, pilaf, turli e kos" se sa mënyra e zgjidhjes së fatit të 2 milion shqiptarëve, apo më thjesht, se, jeta private e një njeriu vlen më tepër se "zgjidhja e fatit të 2 milion shqiptarëve". Së paku përmasat e titullit sugjerojnë një mendim të këtillë.

Por, le ta zëmë se zoti B. B. paskësh vendosur të merret edhe me Kosovën, edhe me mënyrën e zgjidhjes së fatit të 2 milion shqiptarëve, qoftë edhe pas "vezëve të skuqura, pilafit, turlisë e kosit". Pas kësaj, zoti kryeredaktor, dëshiron të tregojë erudicionin e tij dhe na flet për tipologjinë e terrorizmit në Kosovë, i cili s'na qenkësh terrorizëm i tipit IRA, por na qenkësh "terrorizëm teatral korzikan"! Dhe në "një analizë të parë" të zotit B.B. bombat na qenkan vetëm sa për "një tërheqje vëmendje". Dhe ja konkludimi profesionalist i tipologjistit të terrorizmit "Ata që (e) kanë vënë bombën dinë edhe të vrasin", por ata në ndërkohë "diçka presin". Pason pyetja misterioze benblushiançe: "Ç'farë?" d.m.th: "Çfarë farë?" Ndoshta ndonjë farë me të cilën më lehtë do të mbillen farat e bombave në kopsht të cilat do të mbijnë me shumicë dhe terroristëve "korsikano-teatralë", me këtë, do t'ua lehtësojnë punën e transportit. Sepse B.B. i njeh "parimet e logjikës dhe të praktikës së bombarduesve në Kosovë".

 

"KOHA JONË" DHE BENI ECIN VETË

 

Pas pyetjes "Çfarë farë?" vijnë pyetje edhe më të rënda për mosnjohësit e tipologjisë terroriste: "Pse nuk u bombardua kur Serbia ishte e dobët?" Natyrisht një farëhedhës do t`i thoshte: "Ngaqë, ju zoti B.B. atëherë ende nuk e dallonit UFO-n nga Mercedes-Benzi." "Së dyti", vazhdon B.B. "pse po revoltohen kosovarët apo serbët..." (Dhe po vazhduam edhe ne me logjikën e tij duhet të themi: kosovarët apo shqiptarët dhe kosovarët apo turqit, vijmë në dilemën se kush janë këta "kosovarët"?) Edhe atë po revoltohen në kohën kur diplomacia ndërkombëtare qenkësh e angazhuar më tepër se kurrë "për t'i dhënë një zgjidhje autonomie Kosovës", pasiqë të dy palët "i mbajtën fitilat të lagur katër vjet". Natyrisht, Ben Blushit katër vjet i duken si katërdhjetë, sepse dinamika e këtyre katër vjetëve të fundit në Shqipërinë Administrative e paskëshin bindur atë se katër vjetë qenkan shumë kohë! Interesant! Kryeredaktorit të "Kohës..." më në fund iu paskësh kthyer ndjenja e kohës.

Dhe së treti, Ben Blushi e shfaq edhe mjegullën e vet të tretë: "A kanë lidhje bombat në Kosovë me situatën e turbullt në shtetin amë..." Natyrisht, në mjegull njeriu sheh vërtet turbull, por së paku mund të mos mendojë turbull: nuk është Shqipëria Administrative shtet amë për Republikën e Kosovës dhe për territoret tjera të pushtuara shqiptare. Sepse Shqipëria Administrative mund të jetë shtet amë për arbëreshët e Italisë, për shqiptarët e Turqisë, për shqiptarët e Evropës Perëndimore etj. Republika e Kosovës, bashkë me territoret tjera janë gjysma e Shqipërisë së pushtuar dhe të gjitha këto së bashku përbëjnë Shqipërinë. Shqipërinë e plotë. Sepse Lasgushi nuk i thoshte kot atij profesorit të gjeografisë që të shkojë ta mësojë më mirë gjeografinë sepse Drini, megjithatë, i bie mes për mes Shqipërisë. Të pajtuarit me togfjalëshin "shtet amë" për Shqipërinë Administrative nënkupton miratimin dhe pajtimin me pushtimin e këtyre territoreve. Apo  imponohet mendimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë se kjo "Amë" i ka pjellë shqiptarët-kopila kudo rrotull saj, dhe fqinjtë zemërmirë paskëshin pranuar që këta kopila t'i mbajnë në "territoret e tyre"! Nuk duhet të harrohet që, megjithëse fuqitë aleate pas LDB e ndanë Gjermaninë në dy pjesë, në kushtetutën gjermane përherë ka ekzistuar neni për ribashkimin e domosdoshëm. Dhe, natyrisht, Gjermania Perëndimore kurrë, në asnjë çast, nuk ishte "shtet amë" për Gjermaninë Lindore. Megjithëse shteti i Izraelit nuk kishte askund as një metër katror, ndjenja në mendjet dhe në shpirtin e izraelitëve se shteti izaelit ka ekzistuar dhe se duhet të rikrijohet bëri që Izraeli të ringjallet si Feniksi nga hiri i kujtesës historike.

Prandaj nuk është kaq tragjik fakti që katër vjet "fitili" paskësh qëndruar "i lagur", por më tragjik është fakti nëse, edhe një çast të vetëm, "laget" dhe "kalbet" mendja dhe shpirti i një shqiptari me bindjen se Shqipëri është kjo që është mësuar në hartat pesëdhjetëvjeçare ruso-komuniste, nëse mendon se, po mbeti "fitili i lagur katër vjet" do të përmbyset dynjaja. Tek e fundit, për ta çliruar një Shqipëri të këtillë të cunguar u deshën shekuj të tërë, por, natyrisht, popujt nuk veprojnë me sahatin e benblushëve e të shkrolaxhive të rastit, të stilit "Ç`(farë) farë".

 

"KOHA JONË" DHE BENI ECIN VETË TË TREQINDTIT

 

Por zoti B.B. s'e lë me kaq. Ai fillon të japë përgjigjet në pjesën e dytë të shkrimit të tij, sepse komentin e ka konceptuar në formë të një autointerviste, se "kosovarët", "për fatin e keq të tyre, pritën si "Gandi" (emri i Gandit është vënë në thojza dhe tash s'dihet se a pritën apo nuk pritën "kosovarët" si udhëheqësi indus apo jo) katër vjet duke e lënë Serbinë që të forcohet aq sa të (t'i) shuajë jo vetëm bombat por edhe shpresat e tyre." Kur kjo kryemjegull të zhdaravitet nga mendja e benblushëve, sepse vetëm tek të tillët ka mbetur, derisa as akademikët e Serbisë nuk mendojnë më kështu, atëherë ata do ta kuptojnë se jo kjo Serbi, por as pesëdhjetë Serbi të tjera nuk do ta shuajnë kurrë shpresën dhe luftën e shqiptarëve për çlirim, e pastaj edhe për bashkim të Shqipërisë së ndarë në mes. Por Ben Blushi është vështirë të shkruajë "komente" sepse për të shkruar komente nuk mjafton të dish një por së paku dy. Ben Blushi nuk e di, e ndoshta e di e nuk e përmend, se vetë inspektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dragan Mladenovic-i, e pranon se sulmin që u bë në veturën e policisë në Gllogovc, ku u vranë disa policë e u plagosën të tjerë, e organizoi vetë Radomir Stojacic-Badzo, zëvendësministër i policisë së Serbisë. Pra, punët nuk janë aq misterioze siç i duken zotit kryeredaktor.  Por edhe një margaritar i zotit B.B. del në përgjigjen në pyetjen e tretë, kësaj here bie edhe maska e tij që e mban gjatë tërë artikullit, kur ai thotë: "Së treti, ndryshimet radikale në Kosovë mund të jenë favorizuese për politikën e Tiranës, e cila e gjen këtë si një metodë për ta zhvendosur fokusin e Perëndimit nga vjedhja e votave në diçka tjetër më të rrezikshme se kaq. E kjo është një taktikë e vjetër sa vetë shteti." Natyrisht, le ta ndjekim Ben Blushin e t'i themi se manipulimet e tilla me tragjeditë kombëtare i ka shrytëzuar përherë propaganda e zezë, dhe çfarëdo që të ketë ngjarë në planetin e Jupiterit ai është përpjekur ta lidhë me "vjedhjen e votave". Tek e fundit kryeredaktorit aty i dhemb dhëmbi dhe aty i shkon lapsi, se sa për Kosovën e pjella tjera të Amës s'e ha meraku fare.

Le ta pranojmë si të mundshme këtë ide të "zhvendosjes së fokusit", por edhe zoti B.B. duhet ta dijë, e nëse nuk e di le ta mësojë se, në Kosovë luftë, trazira, demostrata, vrasje e burgosje ka pasur që nga çasti kur këmba e ushtarit të parë serb shkeli Kosovën dhe do të ketë deri kur këmba e ushtarit të fundit serb të ikë nga Kosova. E kjo pjesë e Shqipërisë, këtë e dinë edhe zogjtë, nuk u pushtua para katër-pesë vjetësh, kur kjo qeveri erdhi në pushtet! Natyrisht që B.B. e di fort mirë se atë që thotë s'është fare e vërtetë. Dhe në fund, zotit B.B. të dendur nga mjegullat fillojnë tashmë edhe motivet t'i shfaqen si persona pasi thotë: "Por pavarësisht se KUSH janë motivet...", por çdo shqiptar e di se motivet nuk mund të jenë "KUSH" por mund të jenë "CILAT".

Me 6 gusht 1996, pason artikulli tjetër, "Tirana rikujtohet për Kosovën", nga I.B. Mbititulli: "Pas shpërthimit të bombave në Prishtinë e Podujevë" dhe artikulli fillon: "Dy bomba që shpërthyen..."! Në faqen e njëjtë, nën këtë artikull është shkrimi tjetër, "i ftohtë" e "neutral" dhe pa emrin e autorit, si një informatë e dhënë nga ndonjë agjenci informative e Bangladeshit, në të cilin thuhet: "Burime nga Kosova bëjnë të ditur se shpërthimet në KATËR qendra policore në Kosovë...". A ka redaktor apo kryeredaktor kjo gazetë që të vërë njëfarë rendi qoftë edhe në rrenat që plasohen aty. Nuk shkon me mendjen e shëndoshë që të ketë pasur KATËR shpërthime e të kenë qenë dy bomba. Sepse atje s'plasën bombat atomike. Por, gazetari I.B. më shumë i beson kryeredaktorit, (i cili e njeh në gishta terrorizmin, dhe e di se janë DY e jo KATËR bomba), sesa burimeve në Kosovë të cilat i boton në po atë faqe! E pastaj kësaj ende i thonë informim profesional?

 

Vladimir PRELA

KËSHILLA PËR BËRJEN E ASAJ QË ËSHTË BËRË

 

Tendencioziteti negativ hetohet sidomos kur ngrihet shumë pluhur për qëndrime të cilat për një shqiptar me pak mend në kokë as që mund të merren me mend. Fjala vjen çështja e ndarjes së Republikës së Kosovës. Në shkrimin e tij "Një variant boshnjak për Kosovën", të datës 1 gusht 1996, fq.5,  Vladimir Prela, i entuziazmuar nga komenti i njëfarë Aleksa Dragnic-it, thotë se "...ideja e shkrimtarit të njohur serb, Dobrica Qosiç" që "territori kosovar" "të ndahej në 39 për qind për Serbinë dhe 61 për qind për shqiptarët". Mësimi i artikullit: "Nuk është hera e parë që probleme të kontestueshme zgjidhen me ndarjen e territoreve dhe me shkëmbimin e popullsive. Rastin e fundit e kemi në Bosnje, por ka patur edhe raste "paqësore" (thojzat e demantojnë pohimin e V. Prelës dhe atë "por"-in e tij, që do të thotë se ai kot mbush thesin me fjalë) të kësaj natyre. Sidoqoftë në se (lexo: nëse) bëjmë një paragon me Bosnjën, PAVARËSISHT SE KOMPOZIMI ETNIK NUK ËSHTË IDENTIK ME ATË BOSHNJAK, përsëri NJË LLOJ "LEKURE LEOPARDI" EKZISTON EDHE NË KOSOVË". Këto janë fjalë mehlem për plagë të çdo çetniku i cili ka mbetur ulok në fushëbetejat e Bosnjës dhe s'mund të vijë të pijë gjak në Kosovë.

"Akoma më shumë," vazhdon zoti Prela, "drejtuesit aktualë të rezistencës shqiptare as nuk e kanë afruar këtë ide. Z. Ibrahim Rugova flet me këmbëngulje për një Republikë të Kosovës". Një "klasë politike dhe ekonomike" sipas Prelës mendoka "se është e aftë të jetojë e të prosperojë në një shtet të dytë shqiptarofolës". Kjo "temë", pra tema e ndarjes së Kosovës, qenkësh ndeshur "vetëm në shtypin jo partiak apo studimor të Kosovës" dhe "Dejtuesit e LDK këtë ide e kanë injoruar apo blasfemuar në (lexo: me) fjalorin tipik të politikës shqiptare që nuk lë shteg për alternativa."(!)

Manipulimi vazhdon në po këtë stil:

"Tani formula zyrtare e Shqipërisë për Kosovën është (...) largimi i trupave serbe nga KRAHINA..."

Dhe në fund bie maska: "Ndarja e Kosovës midis serbëve dhe shqiptarëve duket si një ide praktike, (për kë? A.M.) që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë konfliktin serbo-shqiptar."  

E para, zoti Vladimir, ideja për ndarjen e Kosovës nuk është ide e Dobrica Cosic-it, por shumë më e hershme, qysh prej kohës kur ky farë Cosic-i i thoshte mutit mjaltë. Ndiqni një kurs intensiv për historinë e Shqipërisë dhe do ta mësoni më saktë se kur i "kujtohet" akademikëve serbë ndarja e Kosovës. Sepse duhet të pyeteni edhe ju se ku ishte ky farë Dragnic-i deri tash, bashkë me këtë farë Cosic-in dhe "-viqat" tjerë?

E dyta, kur ju thoni se "një lloj "lëkure leopardi" ekzistoka edhe në Kosovë", ju dëshmoni se ose e keni një tru leopardi ose një tru dhelpre. Sepse 100 mijë serbë e malazias nuk mund të krijojnë "lëkurë leopardi" ndër dy milion shqiptarë, qofshin ata të mëdhenj edhe sa Polifemi, kështu që "paragoni" me Bosnjën është tepër keqdashës ose tejet naiv. Pra, ju, ose përpiqeni të krijoni mjegull e hutesë në opinionin publik shqiptar ose s'keni lidhje për ato që shkruani. Një llogari e thjeshtë tregon se, sipas jush, nëse në 200.000 shqiptarë jetojnë 10.000 serbë (prej të cilëve 5000 janë policë) kjo është "lëkurë leopardi"! Kur kështu mendon një shqiptar, i cili është edhe gazetar, dhe plus këtë e shkruan, po merr guximin edhe e boton, vërtet është për të vënë kujën!

E treta, nuk flet "Z. Ibrahim Rugova me këmbëngulje për një Republikë të Kosovës" as nuk ka çka "të afrojë" as "të largojë" ai. Sepse Vladimiri ende jeton me idenë se çdo kryetar shteti është Enver Hoxhë dhe mund të bëjë si t'i teket atij. I. Rugova si kryetari i Republikës së Kosovës vetëm ua përcjell qarqeve ndërkombëtare vullnetin e popullit të Kosovës të shprehur me referendum. E vullneti i popullit të Kosovës dihet. E atë që një  popull e kërkon me referendum është në gjendje ta mbrojë me çdo mjet e në çdo mënyrë. Republika e Kosovës është një realitet, deshët apo s'deshët ju zoti Vladimir. Këtë Republikë e ka pranuar Parlamenti i Shqipërisë. Dhe nëse për ju si individ nuk janë obligative vendimet e një parlamenti tuaj, nëse për ju nuk është turp të mos e miratoni vullnetin e një pjese të robëruar të popullit shqiptar, atëherë vërtet do të na bindni se për ju vlejnë vetëm ato që i miraton parlamenti serb. Pastaj, Republika e Kosovës nuk është "një shtet i dytë shqiptarofolës" por një shtet i dytë shqiptar, e nëse mendoni të thoni shqipfolës atëherë kjo është tjetër gjë: shqiptarët nuk i thonë gjuhës së tyre e folme shqiptarisht, por e folme shqipe! As këtë s'e ditkeni vallë?! Atëherë ju duhet doemos edhe një kurs intensiv i gjuhës shqipe.

Zoti Vladimir, mllefoset që LDK-ja nuk lejoka shteg për alternativa, d.m.th. shteg për ndarjen e Kosovës, që del se paskësh ndonjë parti tjetër në R. e Kosovës që e lëka këtë shteg. E me sa dimë ne, nuk ka pasur as nuk ka, as parti, as shoqatë, as grupacion në Kosovë që e ka llogaritur këtë "shteg" si të mundshëm. Dhe a e dini pse? Sepse kësaj i thonë shkurt e shqip tradhёti kombёtare. E tradhёtia kurdoherë dhe kudo në botë ka vetëm një dënim. Zoti Vladimir, natyrisht, e di mirë këtë, por puna e tij është të përhapë mjegull e kjo i shkon në vijë sepse nuk mund ta zërë në gojë me emër së paku një subjekt politik apo jopolitik që ta ketë bërë këtë gjë. Si e mendoni ju, fjala vjen, i teket Serbisë nesër që ta pushtojë këtë Shqipëri Administrative, dhe ju për t'u çliruar nga robëria do të bëni hesape si ta ndani me Serbinë? Po, ku ta dish, Vladimirët edhe mund ta bëjnë këtë punë. Sepse Vladimiri ende i thotë Kosovës "Krahinë" dhe këtë me mjeshtri ia mvesh pushtetit aktual.

Dhe në fund, del mësimi i dytë, "se ndarja e Kosovës "duket si një ide praktike". Përkrah artikullit të Vladimirit është artikulli tjetër me titullin gjigant e mbështet "idenë" e tij "praktike": "39% serbëve 61% shqiptarëve!?" nga një autor që fshihet prapa inicialeve Z. A. Së paku ai ka turp t'i dalë emri por ka nevojë për honorar, sepse eksperimenti zombist, për fat, nuk e ka kalbur të tërin. Kështu aksioni i suksesshëm propagandistik kryhet.

 

Frrok ÇUPI
PRAPË FRROKU

 

"Këshilltari" i dikurshëm i "kosovarëve", Frrok Çupi, (në artikullin e tij "Pse hesht Tirana pas bombave në Kosovë", të datës 10 gusht 1996, fq.4), pasi nja 10 ditë ka qarë e ka bërë gjëmë për shkak të kthimit të ambasadorit grek në atdheun e tij, me sy të fryrë nga lotët e shumtë, i inatosur se edhe në këtë kthim të ambasadorit duhet të kenë gisht "malësori i Gjakovës Berisha dhe kosovarët" dy faktet obsesive që po ia kamxhikosin vetëdijen, ka vendosur të bëjë një shkrolë për "shqiptarë etnikë jashtë kufijve shtetërorë" (thuase ata kanë dalë të shëtisin dhe dikush ua ka ndaluar kthimin, kështu kanë mbetur "jashtë kufijve"), ku ditëve të fundit paskan "ndodhur dy "shpërthime"" e me këtë ta nxjerrë helmin që i është grumbulluar nga shkuarja e ambasadorit të urtë e të mirë grek, të cilit ai kurrë s`i bëri dot një pyetje të thjeshtë se pse shqiptarët që shkojnë në Greqi trajtohen si kafshë, pse shqiptarët e Çamërisë nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, pse ata që janë atje nuk u jepet e drejta që të deklarohen shqiptarë, pse s'hapen shkolla shqipe, etj., etj. Por edhe këtij, ashtu si edhe pararendësve të tij, pak i ha palla për "shqiptarët jashtë kufijve" sa i dhemb "vjedhja e votave" dhe shkaku se pse s'flet "Berisha" dhe pse shkoi "ambasadori" me të cilin Frroku paskësh "pirë një kafe". Por nëse "Berisha" flet, ai i mbron "kosovarët" të cilët "e sollën në pushtet" dhe "ia krijuan qeverinë". Nëse nuk flet edhe më keq, "Berisha" vetë i ka vendosur bombat ose së paku "ka gisht në të".

Frrok Çupi, në artikull kërkon që të "ndëshkohet çdo akt terrorist", e harron se terrorizmi shtetëror serb e bëri kasaphane tërë ish-Jugosllavinë. E megjithëse ai thotë se aktin e kanë bërë "shtetas të origjinës shqiptare në Kosovë" (Çfarë të kuptojë njeriu më këtë? Kush janë këta?), dhe se qenkëshin ngatërruar "tuajët" (d.m.th. "tuajt"), nuk jep kurrfarë fakti me të cilën e dëshmon këtë pohim të tij.

Por pa argumentuar fare pohimet e tij, sepse ai s'argumenton kurrë asgjë, ai vendos të bëjë "analizë", (si kryeredaktori i tij B.B., sepse ata, para se të dinë diçka, "analizojnë"), pasi "këshilltarët e shumtë të Berishës nuk po bëjnë të paktën një shpjegim për opinionin". Frroku i shkretë së pari nuk e di se ç'do të thotë fjala "opinion" ndërsa kërkon që dikush t'i japë shpjegim "opinionit". Pasi nuk e di, zoti Frrok ju që dini të jepni këshilla shumë "më të rëndësishme", mbaje në mend se "opinion" do të thotë "pandehje, hamendje" dhe asgjë tjetër. Prandaj fjalia "të bëjë të paktën një shpjegim për OPINIONIN" i përkthyer del "të bëjë një shpjegim për PANDEHJEN". E nëse keni dashur të thoni për "opinionin publik" kjo është një gjë krejt tjetër. E ju si gazetar e këshillaxhi profesionist këtë duhet ta thoni shkoqur, sepse askush s'e di çfarë keni ju në mendjen tuaj të ndritur. Natyrisht togfjalësha të tillë të papërfunduar shkruhen vetëm në hartimet e shkollës fillore. Sepse nuk është njësoj si të thuash "pandehje" si të thuash "pandehje publike" ashtu siç nuk është njësoj të thuash Frrok dhe  Frrok Çupi. Sepse Frroka ka shumë, ndërsa Frrok Çupi që vajton pas ambasadorëve dhe jep këshilla, është vetëm një.

Ashtu si Partia Socialiste e Serbisë, ashtu si kryepolici serb Jokanovic-i, edhe Frrok Çupi, faqeza i akuzon "shtetasit e origjinës shqiptare në Kosovë" për terrorizëm, megjithëse inspektori serb i policisë serbe e thotë pikërisht të kundërtën!

Dhe në fund mësimi (i intrigës): takimi i Milosevic-it dhe i Tudman-it në Athinë, pasoi me reagimin e botës islamike, e cila është "kundër lidhjeve të vjetra kristiane në Ballkan". Më mirë do të tingëllonte dhe më me vërtetësi po të thuhej "kundër kasaphaneve të vjetra kristiane në Ballkan". Por ky s'është thelbi. Thelbi është: "Me këtë vizion prej Tiranës u la spacie qetësie ndaj bombave në Kosovë, trevë kjo e përfolur për njëfarë fondamentalizmi islamik. Në qoftë se e vërteta totale e dërgon qeverisjen shqiptare drejt heshtjes ndaj terrorizmit për shkaqe religjioze, atëherë kjo përbën një fatkeqësi të rrallë për fatet e Shqipërisë."

Doli në shesh edhe letra tjetër nën mëngë e importuar nga Beogradi: fundamentalizmi islamik, të cilën Frroku i paudhëzuar në punë të gjuhës shqipe e shkruan "fondamentalizëm". Natyrisht, sa herë që u duhet frrokëve dhe "fqinjëve dashamirë" shqiptarët e R. së Kosovës e më gjerë herë u bëhen "enveristë", "marksistë-leninistë", "kosovarë", "terroristë" apo tash së fundit "fundamentalistë". Në krejt këtë punë me rëndësi është që gospodarëve të Beogradit dhe kirëve të Athinës t'u qeshet buza ndërsa Frrokëve t'u punojë imagjinata.

Të gjitha këto, për të qenë më tragji-komike janë vënë në qarkullim qëmoti nga fabrikat propagandistike Beograd-Podgoricë-Shkup-Athinë, dhe një shqiptar "i jashtë kufirit" kur ndeshet me këto habitet, së pari, si ndodh që këto të shkruhen nga shqiptarët. Pastaj habitet pasi këto janë rrena të vjetruara e dikur e kupton se ato vërtet janë vjetëruar për lexuesin serb apo grek, malazez apo bullgar por lexuesi shqiptar i "brenda kufijve" ende s'e ka mbushur kokën me këso marrëzish.  Le t'i japim në rendin e tyre listën e tezave, vetëm nga fillimi i këtij muaji, me të cilat manipulohet:

- Nuk ekziston Republika e Kosovës;

- Kosova më së shumti do ta ketë "autonominë e gjerë";

- Ekziston "lideri i shqiptarëve" e jo kryetari;

- "Kosovarët" janë terroristë;

- "Kosovarët" janë fundamentalistë;

- "Zgjedhja më praktike" është "ndarja e Kosovës";

- Shqiptarët Republikës së Kosovës duhet të quhen sa më dendur "kosovarë"  dhe sa më pak shqiptarë;

- "Kosovarët" janë fajtorë që erdhi në pushtet "regjimi i Berishës";

- Kosova në përbërjen e saj etnike është "lëkurë leopardi";

- Dialogun e ofrojnë serbët, e mohojnë "kosovarët";

- Serbia ka 10 milionë banorë (në këtë 10 milionësh janë llogaritur edhe dy milionë shqiptarët), "Koha jonë", 16 gusht 1996, fq. 12; etj. etj.

Të gjitha këto teza kanë bredhur dhe bredhin edhe sot por në sasi e me vrull më të pakët nëpër shtypin e Beogradit, të Athinës, të Podgoricës e të Shkupit, por te "Koha jonë" tek po lulëzojnë!

 

P.S.

Nëse zoti kryeredaktor bashkë me redaksinë e "Kohës sonë" synon të bëjë gazetari profesionale, duhet të mos shtrembërojë informatat, të mos manipulojë me opinionin publik, të mos përdhosë interesat themelore kombëtare, të mos e përdhosë gjuhën, e shumë "të mos"-a të tjerë e tek pastaj mund të fillojë edhe të ecë vetë, e pse jo, edhe të shkruajë vetë. Por gjithsesi të shkruajë vetë.

Ashtu qoftë!

 

Agim MORINA

botuar në "RILINDJA" (Tiranë) më 21-22 gusht 1996 


Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH

Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma      T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...