Wednesday, December 07, 2022

NJË ËNDËRR E NJË MJEKU... - Agim MORINA

Në një ditë si kjo, një vit e tre shekuj më parë, vdiq Pjetër Bogdani, një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare. I lindur në një katund të Hasit të Prizrenit, që sot nuk ekziston më, i edukuar në një rreth kulturor hasjan mjaft të çmuar për kohën, ai u shkollu për prift në Ciprovec të Bullgarisë dhe në Kolegjin e Propagandës Fide në Romë, megjithëse pati  dëshirë të studionte për mjekësi. Ndoshta një nga arsyet që e ktheu nga kjo rrugë ishte fakti që i përkiste një familjeje me tradita klerikale. I ungji i tij ishte Ndre Bogdani, argjipeshkëv i Ohrit dhe i Shkupit. Këtë rrugë do të vazhdojë edhe nipi i tij, Gjergji. Por nuk ka qenë pa ndikim edhe synimi që, si prift, të bënte përpjekje, sa të ishte e mundur, me rujtë substancën e fesë katolike ndër shqiptarë, me idenë që duke e rujtë katolicizmin do ta runte edhe shqiptarinë. Kështu orientimi i tij profesional nuk ishte vetëm përcaktim personal, por edhe mision fetar e kombëtar. Prandaj, për shkak të rrethanave të kohës, një mjek i ardhshëm u bë jo vetëm pjesë e synimeve të Vatikanit, e Propagandës Fide, për të shpëtu çfarë mund të shpëtohej nga feja katolike, që po shkërmoqej çdo ditë e më shumë në trojet arbërore, por u bë edhe luftëtar i rezistencës kombëtare kundër pushtimit otoman. Misionarizmi i një pjese të madhe të klerit katolik shqiptar nuk mund të kuptohet ndryshe, pos me këtë kompleksitet rrethanash, me këtë ndërthurje të domosdoshme fetaro-kombëtare. Njësoj do të ngjajë më vonë edhe me klerikët ortodoksë e islamë shqiptarë, të cilët do t’i prijnë luftës për emancipim dhe çlirim nga pushtuesit. Çfarë ësht kombëtare në këtë kohë? Lufta për mbrojtjen e gjuhës shqipe, lufta për çlirimin e shqiptarëve nga pushtimi, përpjekja për krijimin e shtetit të pavarur kombëtar. 

Shpjegimi për këtë situatë ësht i thjeshtë: shtresa e vetme e arsimuar e kohës ishte shtresa religjioze e popullsisë. Kjo shtresë për të qenë e frytshme në punën e saj për një mision religjioz, përgatitej nga institucione shum cilësore të kohës. Por, kjo kishte edhe kundërefektin e saj: prodhonte një klasë të ndërgjegjshme për vetveten, për prejardhjen, për veçantinë kombëtare e gjuhësore. Dhe, në një mënyrë, ishte unitet i interesave të kundërta, veçorive që fërkoheshin mes vete duke i pagu një çmim njëra-tjetrës.

Edhe veprimtaria e Pjetër Bogdanit, dhe e shtresës që i takonte, nuk mund të kuptohet pa këtë kundërthënie të brendshme. Nga një personalitet i naltë fetar, edhe në hierarkinë e administratës kishtare, edhe në hierarkinë ditunore të kohës – Bogdani ishte doktor i teologjisë dhe filozofisë – ai do të bëhet edhe aktor i rëndësishëm politik shqiptar, në mos më i rëndësishmi i kohës. I gjendur në pikën më kritike të lëvizjeve tektonike politike, ky klerik u kthy në udhëheqës të një lufte për liri të popullit të vet. Sidoqoftë, për të arrijtë deri këtu Bogdani u desh të paguajë dhe pagoi një çmim: për Vatikanin flijoi dëshirën e tij për me u bë mjek, për popullin e vet flijoi jetën e tij. Brenda flijimit të parë, ai pagoi edhe një çmim tjetër: u bë pjesë e një ideologjie prapavajtëse dhe anti-iluministe, pjesë e lëvizjes kundërreformiste, që kishte nisë dhe vepronte me një ashpërsi të madhe nga Vatikani në atë kohë. Në pamje të parë duket se ideologjikisht, Bogdani i kundërvihej lëvizjes që i takonte Buzuku, reformizmit dhe lëvizjes iluministe të kohës, që kishte nisë në Europën Perëndimore një shekull e gjysmë më parë. Kur analizohet vepra e tij, Çeta e Profetëve, çdo argument i tij fetar nis e mbaron në këtë sferë të propagandës së skajshme katolike të kohës. Fjala vjen, Bogdani mbështet, pa asnjë ngurrim, teorinë gjeocentrike të sistemit diellor, nuk bën dallim të qartë mes astrologjisë dhe astronomisë, bëhet bartës i ideve të jezuitëve kundër kalvinistëve dhe hebraizmit. Por, në mënyrë të veçantë Bogdani kundërshton islamizmin. Ky qëndrim i ashpër dhe i pakompromis nuk vinte vetëm nga botëkuptimet dhe kundërshtitë religjioze, por në radhë të parë nga ballafaqimi politik: islami ishte religjion i një shteti që e kishte pushtu atdheun e tij.  

E tërë kjo, megjithatë, ësht vetëm pamja sipërfaqësore. Këmbëngulja e tij që libri të botohej në shqip, i kushtoi atij një pritje prej gati 20 vjetësh, sepse Vatikani nuk pranonte botimin vetëm në shqip. Por, edhe më vonë, kur Bogdani e përktheu në italishte e latinishte, si duket, Vatikani nuk tregonte gatishmëri që kjo vepër të botohej. Prandaj, ai u detyru të lusë mikun e tij, kardinalin Barbarigo, që ta ndihmonte me botimin e veprës në Padovë. 

Botimi i veprës dëshmoi se këmbëngulja e Bogdanit kishte qenë e arsyeshme. “Çeta e profetëve” paraqet margaritarin, ndër më të shkëlqyeshmit, në historinë e letërsisë shqipe, për gjuhën e rrjedhshme, të saktë, të përpunuar deri në nivele që ndonjë studiues të huaj e ka bë të mahnitet dhe të mos besojë që shqipja e kohës ka mundë t’i qëndrojë përbri shtyllës italishte e latinishte. Por, Pjetër Bogdani, megjithatë, ia doli. Vepra e tij e dëshmon këtë sot e gjithë ditën. Në këtë vijë nuk do të duhej të humbej nga vështrimi ndihmesa jashtëzakonisht e madhe e ungjit të tij, Ndre Bogdanit, të cilit Pjetri ia din shumë për nder dhe e falënderon në parathënien e tij. Nëse kemi parasysh që i ungji ishte autor i një gramatike shqipe të shkruar në gjuhën latine, atëherë mund të kuptojmë jo vetëm peshën e ndikimit të tij tek i nipi, por edhe zhdërvjelltësinë e gjuhës së Çetës, që na mahnit edhe sot. Gramatika e Ndre Bogdanit u tret si kripa ndë ujë gjatë arratisjeve nëpër male të Pjetrit për shkak të përndjekjeve të qeveritarëve otomanë. Megjithatë, gramatika e të ungjit vazhdon të jetojë jetën e vet në veprën Çeta e Profetëve. Një analizë e plotë e sistemit gramatikor të Çetës, doemos, duhet të na shfaqë një pamje të vijave themelore të gramatikës së Ndre Bogdanit. Kështu që duke lexu Çetën e Profetëve, na lexojmë idetë e Pjetrit, nëpërmjet thellësisë dhe saktësisë gramatikore të Andresë.  

Pas fërkimeve të përhershme me autoritetet otomane, gjatë gjithë jetës së tij, ardhja e armatës austriake në Gadishullin Ilirik, e me këtë edhe në trojet shqiptare, ngjalli shpresat e çlirimit nga pushteti otoman. Pjetër Bogdani mobilizoi të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, qysh e dëshmon edhe vetë në letrat e tij, dhe iu bashku kësaj lëvizjeje anti-otomane. Bile u vu në krye të saj. Mirëpo fatet e luftës u kthyen përmbys. Gjenerali Picolomini, u sëmur nga murtaja dhe vdiq në Prishtinë. Pjetër Bogdani, i cili ishte me të dhe kreu ritet e fundit, u infektu edhe vetë dhe vdiq me 6 dhjetor 1689. U varros në oborrin e asaj që sot ësht Xhamia e Sulltan Mehmetit II në Prishtinë. Ushtria austriake, pas vdekjes së gjeneralit Piccolomini, pësoi humbje pas humbjesh. Bile pati edhe gverra të ushtrisë austriake me vetë shqiptarët, për shkak të sjelljeve të pamatura e të pamend të zëvendësit të tij, Toma Raspasanit.

Një veprim makabër ndodhi më pastaj. Në raportin që nipi i Pjetër Bogdanit i shkruan Propagandës Fide, dhe tregon se me largimin e armatës austriake dhe kthimin e otomanëve në Prishtinë, kufoma e ungjit të tij, Pjetrit, u nxor nga varri dhe iu hodh qenve në rrugë. Liria e mundshme, aq e afërt, u shkërmoq prej dhambësh të qenve bashkë me trupin e këtij pishtari të diturisë e të lirisë.

Për këtë arsye, 6 dhjetori shënon një ditë sa krenare, aq edhe të zymtë në kalendarin tonë kombëtar. Në jetën dhe vdekjen e Pjetër Bogdanit u ndërthur gjithë tragjedia shqiptare, tragjedia që kishte nisë që me epokën e Skënderbeut dhe do të vazhdonte deri në ditët e sotme: tragjedi e  një populli që e pëson për shkak të rrymimeve të interesave të ndryshme të fuqive të mëdha, që vijnë e lidhen nyjë në mënyrë të kobshme mbi fatet e një populli që ka qëllu me qenë në këtë pikë gjeografike. Kështu, një klerik, që kishte ëndrru me qenë mjek, kthehet e bëhet prijës i lirisë. Dhe në këtë përpjekje flijohet. Ashtu si shumë heronj të tjerë kombëtarë që u flijuan duke pa edhe shfaqjen, edhe shuarjen e rrezeve të lirisë, në çastet e fundit kur po shuhej edhe jeta e tyre.


6 dhjetor 2022


VERIZIMI I JUGUT APO JUGËZIMI I VERIUT? - Agim MORINA

(Dy llojet e serbëve në Kosovë dhe pesë fazat e ndërtimit të «Republikës Serbe të Kosovë-Metohisë»)


Targat janë shkasi, gjithsesi, por, cilat janë synimet afatgjata të e Serbisë dhe pse Vučići e trajton kaq seriozisht çështjen e targave? Nëse, vetëm para disa ditësh, në Berlin, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabići, nënshkroi një marrëveshje që pritet të njohë diplomat, letërnjoftimet dhe dokumentet e Republikës së Kosovës, pse ndodh një reagim kaq i ashpër për targat? Për këtë duhet të kthehemi pak mbrapa në histori.

FAZA E PARË: RUAJTJA E SUBSTANCËS SË SERBËVE NË KOSOVË


Serbia, edhe në situata më të vështira, ka vepru me plan shumë të saktë për të vënë në veprim synimet e saja shoviniste. Pas gjenocidit të fundit në Kosovë, në vazhdën e përpjekjeve për shfarosjen e shqiptarëve përgjatë një shekulli e tëhu, ajo nxori nga mënga edhe një plan që e kishte ruajtur për “ditë të zezë”, që ta zbatonte në rast të ndonjë disfate. Kjo disfatë edhe ndodhi me 12 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Por, edhe në ditët më kritike të tërheqjes së trupave serbe nga Kosova, Kasapi i Ballkanit, Slobodan Miloševići, nuk harronte të udhëzonte gjeneralët e vet dhe të kërkonte nga trupat ndërkombëtare që të kujdeseshin fort që serbët të mos iknin nga Kosova. Miloševići e dinte mirë këtë, sepse ai vetë në Bosnjë e Kroaci ishte kujdesë që aty ku shkelte këmba serbe të mos mbetej asnjë joserb. Si rezultat i kësaj strategjie ushtria serbe, në krye me gjeneralin Mladic, shkaktoi Gjenocidin e Srebrenicës, sepse një territor ku ka joserbë, nuk mund të bëhet serb, ndërsa aty ku ka edhe pak serbë, mund të ruhet e të bëhet herdokur serb. Nëse jo tash, atëherë në një kohë më të përshtatshme në të ardhshmen.

FAZA E DYTË: KRIJIMI I DY REALITETEVE ASIMETRIKE


Çfarë përmbante plani i Miloševićit? Bashkë me qarqet ushtarake ruse dhe franceze do të krijonin një organizim asimetrik që do t’i shërbente më së miri interesave të Serbisë, nëpërmjet manipulimit të shkallëshkallshëm të burokratëve ndërkombëtare, të qeveritarëve në Kosovë dhe të vetë serbëve të Kosovës, për ta mbajtur gjendjen në Kosovë gjithmonë të tendosur e me këtë gjithmonë nën kontroll të Serbisë. Do të krijoheshin dy zona të mëdha: serbët në jug të lumit Ibër, për të cilët nuk kishte shumë mundësi të ndihmoheshin drejtpërdrejt nga Serbia, për shkak të mungesës së lidhjes territoriale me Serbinë, dhe zona e serbëve në veri të lumit Ibër, që do të duhej të mbahej me çdo kusht jashtë ndikimit të pushtetit të ardhshëm të Kosovës. Në jug të lumit Ibër do të krijoheshin “enklava” dhe do të bëhej një presion i vazhdueshëm propagandistik për “rrezikimin e serbëve”. Kjo do të çonte në arsyetimin për krijimin e komunave të reja, mundësisht sa më të lidhura territorialisht mes vete brenda Kosovës.

Në veri nuk do të lejohej në asnjë mënyrë pushteti as ndërkombëtar, as i shtetit të Kosovës, pos ai i francezëve dhe “i bandave”, i “Rojave të Urës” që ishin kriminelë të komanduar nga Serbia. Ushtarakët francezë, në ndërkohë, bënë krimin më të paimagjinueshëm: ata ndihmuan aktivisht, duke bashkëpunu me kriminelët serbë, për dëbimin e 11 mijë shqiptarëve nga veriu i lumit Ibër. Atyre shqiptarëve që kishin qenë të dëbuar nga armata dhe policia serbe e Miloševićit, nuk iu leju kthimi! Nuk dihet nëse në gjithë historinë e botës të ketë pasë një shembull të këtillë ku forcat ndërkombëtare që vijnë për të shpëtu një popull nga gjenocidi, vazhdojnë punën e shtetit gjenocidal paraprak kundër po asaj popullate që kishte pësu gjenocid. Një ditë Franca do të turpërohet për këtë krim të pashembullt kundër shqiptarëve dhe do të detyrohet me kërku falje. Një nga gjeneralët që ka qenë aktiv në këto veprime antishqiptare, Jacques Hogardi, kishte tashmë akuzë për krime lufte nga Ruanda. Më vonë ky kriminel botoi edhe një libër për veprimtarinë e tij në këtë periudhë me titull “Europa ka vdekur në Prishtinë”, ku shprehet i zhgënjyer me humbjen serbe të Kosovës.

FAZA E TRETË: KRIJIMI I KOMUNAVE TË REJA ME SHUMICË SERBE


Vazhdimi i këtij plani lidhej me krijimin e komunave të reja serbe në jug dhe ndarjen e komunës së Mitrovicës. Nga 5 u bënë 10 komuna të reja me territore të paimagjinueshme më parë dhe pa asnjë logjikë administrative. Mitrovica u nda më dysh. Krejt kjo u bë nën parullën e “multietnicitetit” dhe të bashkëjetesës, me porosinë se kështu do të krijoheshin kushtet që serbët do të pranonin shtetin e Kosovës dhe Serbia do të pajtohej me realitetin e ri. Politikanët shqiptarë të Kosovës besonin se qarqet ndërkombëtare dinin se çfarë po bënin, kur po ua propozonin këto plane në thelb antishqiptare. Kështu nga pala shqiptare nuk kishte ndonjë iniciativë të fuqishme për me i rishqyrtu këto veprime shkatërrimtare. Nga Serbia kishte vetëm premtime të thata dhe punë e pandalshme drejt minimit të themeleve të shtetit të Kosovës.

Megjithëse u krijuan komunat e reja dhe u nda Mitrovica, katër komunat e veriut të Kosovës, gjatë gjithë kësaj kohe, mbetën prap jashtë kontrollit të pushtetit të Republikës së Kosovës. Qarqe kriminale serbe vazhdonin të ankoheshin se ndiheshin “të pasigurt” dhe “të kërcënuar nga shqiptarët”, megjithëse kishin qenë ata që dëbu të gjithë shqiptarët dhe kishin vra e masakru shumë të tjerë.

FAZA E KATËRT: «ZAJEDNICA» DHE KISHAT EKSTRATERRIOTRIALE


Në fazën e katërt, serbët filluan lojën e re, duke u bë sikur po e pranonin shtetin e Kosovës. Kriminelët e deridjeshëm të veriut të Mitrovicës veshën uniformat e policisë së Kosovës, gjyqtarët pranuan simbolet dhe anët formale e burokratike të sistemit juridik të Kosovës. Por këtë nuk e bënë as shkollat dhe as kisha serbe. Ato vazhduan të punojnë e të kontrollohen nga Serbia. Deputetët serbë pranuan të betoheshin se do ta ruanin “sovranitetin e shtetit të Kosovës”, por këtë asnjëherë nuk e bë në praktikë. Çdo veprim i tyre, çdo urdhër vinte drejtpërdrejt nga Beogradi dhe zbatohej me përpikëri, ashtu siç ndodh edhe sot. Krejt kjo i shërbente vetëm një synimi: realizmit të fazës së re të planit të Serbisë: krijimin e «Zajednicës».

Pas shumë vitesh pune, kushtet paraprake për «Zajednicën» ishin kriju: komunat e reja me shumicë serbe, kufij territorialë të pranuar e të vërtetuar ligjërisht dhe me Mitrovicën e ndarë në dy komuna. Të gjithë serbët tashmë gjendesh brenda një “kuadri serb”. Tash mund të shkohej me kërkesën e re të ligjësimit të krejt kësaj strukture pr t ciln ishte punu me vite: krijimin e “asociacionit/bashkësisë” serbe. Sado e çuditshme të duket kjo, edhe në marrëveshjen finale të këtij dokumenti të nënshkruar në Bruksel, kanë mbetë dy emërtime për këtë entitet politik, pra, edhe “bashkësi” (community), edhe “asociacion” (asociacion). Kjo me qëllim që të mund të krijohet një mjegull për manipulime dhe interpretime sa më të gjera juridike në të ardhshmen. Nga një pjesë e klasës politike dhe shumica e opininonit publik shqiptar kjo krijesë u quajt «Zajednicë», me qëllim që të jepte në mënyrë sa më të qartë thelbin shovinist serb të këtij entiteti.

Ekstraterritorialitetin e kishave, - doli dhe e tha publikisht, - e kishte propozuar ish-sekretari komunist dhe pastaj një nga çetnikët më të urryer antishqiptarë, Vuk Draskovici. Edhe ky propozim i tij u pranu pa kundërshtim nga autoritetet e Republikës së Kosovës, sepse ato vinin të mbështjella si propozime nga ndërkombëtarët. Bile edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në mënyrë të turpshme dhe të paprecedent, pranoi edhe një vendim të kohës së gjakatarit Miloševići për dhënien e 23 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, me gjithë ekzistimin e një ligji që thotë se asnjë vendim para datës 28 mars 1989 – datë kur u suprimua me dhunë autonomia e Kosovës – nuk do të pranohej si e ligjshme. Për fat të mirë, autoritetet e komunës së Deçanit po e kundërshtojnë këtë kërkesë dhe deri sot ajo ka mbetur e pazbatuar.

Kundërshtimi i vetëm që erdhi ishin ngjarjet e vitit 2004, kur popullata e pakënaqur shqiptare nuk mund të duronte as pasivitetin e autoriteteve shtetërore, as mosreagimin e forcave ndërkombëtare, që nisën bllokimin e rrugëve kryesore të Kosovës. Kupa u mbush me vdekjen e tre fëmijëve shqiptarë në veri, të cilët u mbytën në lumë duke ikë nga një grup serbësh. Protestuesit shqiptarë sulmuan vendbanimet serbe dhe dogjën shumë shtëpi e kisha serbe. Serbia mendonte se do të mund ta vinte në zbatim njëfarë «Zajednice» duke bërë një presion të tillë, por, si duket, nuk i kishte bërë mirë llogaritë me hanxhiun. Megjithatë, të gjitha kishat dhe shtëpitë serbe u restauruan nga buxheti i shtetit të Kosovës. Ndërsa dihet se asnjë objekt i djegur e i shkatërruar prej Serbisë në Kosovë nuk është kompensu as sot e kësaj dite nga shteti serb. Për më tepër, as mbetjet mortore të shqiptarëve të rrëmbyer nga fashistët e Serbisë nuk po u kthehen familjarëve të tyre.

FAZA E PESTË: TARGAT DHE «REPUBLIKA SERBE E KOSOVË-METOHISË»


Ajo çfarë mund të shihet dhe të kuptohet nga gjithë kjo veprimtari antishqiptare e Serbisë është se, në vend se të “jugëzohej” veriu i Kosovës, në vend që pozita e mirë e serbëve në jug të shërbente si shembull serbëve në veri, si dëshmi se shteti i ri i Kosovës po i trajtonte ata si qytetarë të barabartë, ndodhte e kundërta: Serbia po realizonte planin për “verizmin” e jugut, duke i largu serbët nga çfarëdo ndikimi dhe çfarëdo marrëdhënie me shtetin e Kosovës. Këtë e bëri duke marrë nën kontroll të plotë gjithë strukturën politike të serbëve të Kosovës, me krijimin e një partie të re të quajtur “Lista serbe” (në fillim ajo provoi të regjistorhej si "Lista Serbia"), duke kërcënu kundërshtarët në mesin e serbëve, duke ua djegë veturat dhe, bile, edhe duke i vra, siç ishte rasti i Oliver Ivanovicit.

Qeveria e re e Kosovës, që në zgjedhjet e fundit me 14 shkurt fitoi 52 për qind të votave, nisi çmontimin e këtij plani shkatërrues të Serbisë. Kjo mund të zbatohej vetëm duke ndërprerë ndikimin negativ të Serbisë së Vučićit në Republikën e Kosovës. Kjo qeveri e re, së pari, nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, pastaj nuk lejoi as mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë dhe në fund nisi vendosjen e ligjshmërisë edhe në veri të lumit Ibër, duke arrestu një varg bandash kriminale, që deri në këtë kohë kishin qenë të paprekshme dhe nën kontrollin e strukturave shtetërore të Serbisë.

Kjo përçoi sinjale të qarta qeverisë autokratike të Vučićit se ndikimi i tij në veriun e Kosovës po zbehej. Por, Vučići, një klerofashist me bindje, një njeri që kishte deklaruar hapur se për një serb do të vriteshin 100 boshnjakë (myslimanë), nuk e ka pasë dhe nuk e ka as sot hallin e serbëve, por hallin e pushtetit të tij, të cilin e ka siguru pikërisht me kartën e parullave boshe të “Kosovë-Metohisë si pjesë e Serbisë”.

Nga gjithë kjo është sot është me rëndësi me i pasë parasysh disa çështje:

1. Një nga propozimet për «Zajednicën» është se atë nuk mundet me shpërbë kurrkush. Komunat me shumicë serbe janë 10. Por, “ato mbeten të hapura për t’iu bashkëngjitë edhe ndonjë komunë tjetër”. Pse kjo strukturë që u kriju vetëm për serbët të mbetet “e hapur”? Pse me qenë e hapur një strukturë që po kërkohet me u kriju vetëm për sigurinë e serbëve? Cilat komuna “të tjera” kishin me iu bashku një «Zajednice»? A ka mundësi me u kriju komuna të reja me shumicë serbe? Jo, natyrisht. Por, Serbia klerofashiste ka me u angazhu, ashtu si deri tash, për shkatërrimin e Kosovës, duke shty përpara krijimin e komunave të reja të boshnjakëve e të goranëve. Dhe, nuk është çudi nëse një ditë u bashkohet edhe Komuna e Mamushës, për me u mbrojtë nga “rreziku i shqiptarëve”. Kjo asht arsyeja që “komunat me shumicë serbe” duhen me pasë numrin e përcaktuar përfundimtar dhe me qenë vetëm me “shumicë serbe”, të mbyllura dhe përfundimtare, nëse Kosova nuk don me pasë telashe shtesë në të ardhshmen. Për këtë arsye nuk duhet me i nënçmu kërkesat që janë ndëgju herë mbas herë për krijimin e komunave të reja për pakica të tjera. Ato paguhen dhe shtyhen përpara nga Serbia. Një plan të tillë pati përpjekje me bë me kandidaten boshnjake Adriana Hodzic në zgjedhjet e vitit 2019, e cila njërën nga kërkesat e saj e kishte krijimin e komunave për boshnjakë.

2. Derisa në Kuvendin e Kosovës me 90 për qind popullatë shqiptare nuk mundet me u marrë asnjë vendim për ndryshimin e Kushtetutës pa 2/3 e votave të pakicave joshqiptare, kjo nuk vlen edhe në Zajednicë për pakicat joserbe. Serbët munden me pengu e me ndalë vullnetin e 2 milionë shqiptarëve, shqiptarët dhe pakicat tjera në komunat me shumicë serbe nuk kanë asnjë ndikim. Një nënkryetar joshqiptar garantohet vetëm nëse në komunat me shumicë serbe ka mbi 10 për qind joserbë! Ndërsa për serbët në Kuvendin e Kosovës ka vende të rezervuara për 4 për qind serbë! Kjo nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë.

Nëse, në çfarëdo mënyrë imponohnet kjo «Zajednicë», edhe në trajtën e saj më të thjeshtë si shoqatë peshkatarësh, shqiptarët dhe pakicat tjera në këto komuna duhet të kërkojnë që të kenë të drejtën 2/3 e votave të tyre për çdo vendim.

Dhe kjo na sjell te situata e fundit me targat.

Targat janë ndër elementet e fundit të pushtetit vizual që ka Vučići në katër komunat e veriut të Kosovës. Heqja targave do të tregonte se Vučići nuk ka më asnjë ndikim që do të mund të shihej me sy nga serbët e atjeshëm. Prandaj edhe ndodhi reagimi i ashpër nga ana e tij. Deputetët serbë dhanë dorëheqje, gjykatësit dhanë dorëheqje, ndërsa policët zhveshën uniformat. Kjo tregon qartë se serbët janë nën kontrollin e rreptë të Vučićit. Disa nga këta serbë menjëherë u shpërblyen nga Vučići dhe dekorimit të tyre iu dha një publicitet i madh në Serbi, pikërisht ashtu siç bënte Miloševići në kohën e tij kur dekoronte ushtarakë gjenocidkryes. Realisht, ato që ka nënshkruar Brnabici në Berlin shkojnë shumë më larg nga njohja e targave, por nuk janë vizuale dhe të prekshme nga serbët e veriut të Kosovës, sa janë targat.

Gjithë veprimtaria e Serbisë, pas kapitulimit më 12 qershor 1999, është përqendru në një plan të vetëm: krijimin e një «Republike Serbe të Kosovë-Metohisë». Vetëm kjo mund të shpjegojë sjelljen herë kinse bashkëpunuese, e herë kundërshtuese të strukturave serbe në Kosovë, që janë nën ndikimin direkt të Beogradit. Vetëm kjo mund të shpjegojë se pse në Kosovë ka dy lloj serbësh, serbë që u binden ligjeve të Kosovës, nuk janë të rrezikuar dhe jetojnë normalisht në Kosovë dhe serbë që nuk u binden ligjeve të Kosovës, ndihen të rrezikuar; për këta nuk është e mundur bashkëjetesa në shtetin e njëjtë ku shumica e serbëve jetojnë pa u trazu. Logjikisht, po të kishin qenë serbët e rrezikuar, atëherë më shumë do të duhej të kishin qenë të rrezikuar serbët në jug, sesa serbët në veri. Por, ky veprim i bashkërenduar, ky organizim asimetrik i strukturave serbe, është taktikë që ka synim pikërisht realizimin e «Republikës Serbe të Kosovë-Metohisë». Dhe kjo «republikë», përveç synimit të hapur politik që shtetin e Kosovës ta bëjë jofunksional, ka edhe një synim – për Serbinë shumë më të rëndësishme se pozita e serbëve – futja në dorë e pasurive nëntokësore të Trepçës e minierave të tjera dhe mbajtja nën kontroll e Liqenit të Ujmanit. Kështu, edhe ato palë ndërkombëtare që haptas apo fshehtas përkrahin Serbinë, janë pjesë e pazareve me Trepçën dhe rreth Trepçës.

Çdo qeveri e Kosovës duhet të synojë që këtë përpjekje shoviniste të Serbisë për verizimin e jugut ta kthejë në jugëzim të veriut. Dmth. serbët e veriut t’i kthejë në qytetarë lojalë të Republikës së Kosovës. Çdo veprim tjetër do të jetë shkatërrim i themeleve të shtetit të Kosovës.

Pyetësori i Prustit: Agim Morina

  Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisti dhe poeti Agim Morina. Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer? Çdo fund ...