‘Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s'mbaston vullëndesa me dashtë; prei gjith' asò vshtirsinash, ka'i herë të pàkapërcyeshme, në të cilat ndeshë përkthyesi, shum kush pá e dijtë ai vet, ndë vênd se përkthyes ká dalë përgënjyes ; prej ka fjala e urtë italishte: traduttore, traditore .’
Ndre Mjedja
Uliksi i shkrimtarit irlandez, James Joyceit, që nga botimi i parë, i cili u përcoll me shumë telashe derisa u botu, e deri sot, ka shkaktu e vazhdon me shkaktu admirim ndër qarqe të mirënjohuna letrare në gjithë botën. Uliksi, qysh pohohet prej shumicës së studiuesve të letërsisë, ka shënu kufinin në mes të letërsisë që ka qenë dhe letërsisë që asht. Ai përmbledh në vete shumicën e vlerave letrare të letërsisë europerëndimore të krijueme para tij dhe hap rrugë për vlera të reja letrare në krijim e sipër; jo vetëm që asht album ma i plotë arketipesh, jo vetëm që asht nji kolekcion antologjik rrëfimor i njerëzimit në përgjithësi por edhe burim i pashtershëm i modeleve të reja rrëfimore. Në anën tjetër Uliksi dhe të gjitha veprat e Joyceit janë edhe vepra të lidhuna ngusht me njena-tjetrën si me qenë kapituj të nji vepre dhe jo libra të veçantë dhe të pandashme nga jeta e vetë autorit dhe jeta dablineze. Shumica e personazheve janë njerëz që kanë egzistu përnjimend; janë të afërm të tij, kushërij, kojshi, shokë klase, dablinas etj. Shumë personazhe i gjejmë të përcjellun prej nji vepre në tjetrën. E, sidomos, tue u nisë prej synimit të Joyceit me shkru nji vepër realiste, nji vepër që asht e mbështetun në fakte. Burimi i këtij fakticiteti xhojsian asht pikërisht Dablini. Prandej asht e domosdoshme për çdo përkthyes që don m’u valavitë me veprën e Joyceit me lexu sa ma shumë literaturë biografike dhe me lexu veprën e Joyceit në tanësi. E, të dhana biografike e studime për Joycein dhe për veprën e tij ka, qysh thotë nji biograf i tij, sa ka yje në qiell. Tash, në internet mujnë m’u gjetë shpjegime e diskutime gati për çdo fjalë e fjali të Joyceit sepse ai dijti me lujtë mjeshtrisht me anglishten, rrëfimit në letërsi i dha nji tjetër përmasë.
Fakt tjetër që duhet m’u marrë parasysh nga çdo përkthyes asht se vepra e Joyceit tashma asht klasike në kuptimin e plotë të fjalës dhe çdo fjali e tij asht e numërueme ashtu qysh janë të numrueme fjalitë e librave të shejtë apo veprat e filozofëve e shkrimtarëve ma të mëdhaj botnorë.
Tue qenë se asht kryevepër e tillë, natyrisht, Uliksi as nuk nxihet as nuk kuptohet kollaj. Edhe vetë anglishtfolësit të cilët e lexojnë n’origjinal hasin në vështirësi. Studentët e letërsisë angleze e marrin si nji nga pikat me randësi në jetën e tyne kur mbarojnë së lexuemi e së kuptuemi Uliksin. Bajnë gara se deri në ç’shkallë i kanë kuptu aluzionet dhe metaforat e njimbasnjishme mbrenda kësaj vepre letrare për të vazhdu, natyrisht, me ma të vështirën ‘Zgjimin e Fineganit’, veprën tjetër, të fundit, të Joyceit tue qenë se ai shtron para lexuesit kërkesa që para tij nuk kanë shtru shkrimtarët: kërkon që lexuesi me qenë aktiv në nxanien e veprës së tij. I tillë ka qenë vetë Joycei si lexues i cili, veç për me lexu Ibsenin n’origjinal, e ka mësu gjuhën danezo-norvegjishte.
Nji përkthyes që vendos me i hy punës së përkthimit të Joyceit ndeshet me nji mori problemesh: Joycei ka nji kulturë të përgjithshme shumë të gjanë, njohje shumë të thellë të historisë, ka nji sendërgjesë të bujshme, liri fëmije me ndorim figurash e tropesh, zotnim të jashtëzakonshëm të anglishtes dhe nji ironi e sarkazëm që të gjitha këtyne ua shumfishon ndërlikueshmëninë e gjetjes së kuptimit të cilin e ka synu. Vepra e tij, masandej, ka nji hierarki nivelesh kuptimore: nji fjalë që duket e rastësishme, nuk asht e rastësishme por themelore për deshifrimin e nji fjalie apo të nji paragrafi. Dhe jo vetëm nji fjalë por edhe nji vargëzim ose jovargëzim i lutjeve ka kuptimin simbolik.
Edhe në letërsinë shqipe Joycei ka pasë nji trajtim me dy masa: prej shumicës asht mbajtë për gjeni dhe prej dikujt dallkauk letërsie. Ata që e mbanin për gjeni ishin njerëzit që ishin në rrjedha me zhvillimet letrare në botë, por, fatkeqësisht ka pasë edhe të tillë që ia kanë mohu vlerat letrare të veprës së Joyceit për arsyet që vetëm ata i dijnë. I pari dhe i fundit shkrimtar i cili ka ba nji gja të tillë, së paku publikisht, ka qenë njeni prej listës së ‘konsulentëve’ të Uliksit të Idlir Azizit, I. Kadareja, i cili në nji intervistë të tij në fund të viteve shtatëdheta kur përmend letërsinë dekadente e të dështueme e merr si shembull pikërisht veprën e Joyceit. Dhe po ky – nuk e dij me apo pa dëshirën e tij – hyn në nji listë që ka të bajë me Uliksin! Ku mbet respekti për vetë Joycein athu? Ky asht, natyrisht, nji prej atyne deformiteteve të pafund të cilat po ndodhin në kulturën shqiptare. Dhe cili asht, në të vërtetë, roli prej ‘konsulenti’ i cilitdo emën aty nuk jepet me u kuptu prej asnji kandi.
James Joycei nuk asht krejt i panjohun për nji pjesë të publikut shqiptar. Nji vepër e tij ma e hershme, Portreti i Artistit në Rini, asht botu në Prishtinë në vitin 1984 i përkthyem prej profesorit tem t’anglishtes, tash të ndjemit, Ali Rrahmanit. Ai, në nji kohë kur në edhe në Kosovë baheshin përpjekje që letërsia ‘me kazmë e me pendë’ jo vetëm m’u importu por edhe m’u ba model i letërsisë i kishte hy punës së përkthimit të Joyceit ‘të errët e të pakuptueshëm’. Dhe, me botimin e Uliksit horizonti i njohunive tona për Joycein, për këtë vigan të letrave, do të duhej, gjithsesi, m’u pasunu.
Mbas nji lajmi të mirë për përkthimin e botimin e këtij romani, fatkeqësisht, erdhi edhe zhgënjimi me përkthimin e dobët dhe jo në nivel të tij. Me këso përkthimesh, natyrisht, Joycei nuk vjen, por largohet edhe ma shumë prej publikut lexues shqiptar. Krijohet nji ide edhe ashtu e propagandueme në kohët ‘e lavdishme enveriste’ se letërsia e krijueme në Perëndim asht ‘larg problemeve të masave të gjana’, asht ‘e pakuptueshme, pesimiste dhe jokomunikative’. Me nji përkthim të tillë, natyrisht, Joycei del i pakuptueshëm dhe gati jashtë arsyes së shëndoshë sepse fjali të tana s’kanë kuptim. Vetëm janë veshë me fjalë, herë-herë me disa fjalë të rralla e shpesh të papërshtatshme, sa për me tregu se përkthyesi ‘ka shku larg’ në kërkim të kuptimeve të thella të ideve të autorit. Mirëpo ma të madhin lëshim që e ban z. Idlir Azizi asht që nuk ka marrë për përkthim ribotimin e origjinalit të vjetit 1922 - të botuem nga Shakespeare & Co në Paris - të ribotuem me 1993 e 1998 nga Oxford University Pressi nën redaktimin e Jeri Johnsonit, sepse ky botim përveç se asht ribotim i origjinalit me fototipi asht i pajisun edhe me shumë të dhana të tjera, qortime të botimeve të mapastajme të cilat i ka ba vetë Joycei me dorë të vet.
Për mos m’e lodhë as lexuesin me kopalla e taravija unë jam marrë kryesisht me shqyrtimin e kapitullit të parë. E, edhe kjo më ka dalë boll. Sepse, po të merresha edhe me kapituj të tjerë, do të më duhej me shkru edhe shumë e shumë faqe e, prap, mos m’i dalë në krye. Për me qenë ma korrekt i kam hy dhe e kam përkthy gjithashtu tanë kapitullin e parë që çdo lexues me mujtë me e pa se çka ka ndodhë me ndonji detal tjetër të cilin unë nuk e za në gojë në këtë shkrim. Janë përfshi këtu edhe disa vërejtje për kapituj të tjerë të cilat ose kanë lidhje me vërejtjet në kapitullin e parë ose janë shumë të randa dhe asht dashë m’u përmendë.
1.
Në fjalinë e parë të kapitullit të parë [Telemaku] kemi nji moskandje stilistike që te Joycei çon peshë. Nëse marrim parasysh se kapitulli hapet me nji parodizim të meshës katolike nga ana e Buck Mulliganit atëherë kishim me kuptu pse Joycei shkrun ‘bearing, a bowl’ e jo ‘holding 'a bowl’ për ç’gja asht dashë me lypë diçka ma solemne, ma religjioze në kërkimin e kësaj shprehjeje qoftë edhe sa m’ia ba me dije lexuesit se Joycei ka dashë me parodizu. Për me e ba këte unë e kam zgjedhë fjalën ‘tue e pëcjellë tasin solemnisht në dorë’. Sepse ‘bearing a bowl’ ka nji ironi ma të përafërt me ‘tue e përcjellë tasin solemnisht në dorë’ sesa me ‘duke mbajtur në dorë’ që nuk e jep fare frymën parodizuese. Por, ky asht send i imët karshi lëshimesh tjera dhe vetëm fillimi.
2.
Joyce: ‘He faced about...’ fq. 3
Azizi: ‘doli ballas…’ : fq. 25
Morina: ‘...u shetit rrotull (i ra rrotull)...’.
3.
Joycei: ‘grained and hued like paled oak’. fq. 3
Azizi: ‘gjëmborë si degëza lisi’. fq. 25
Morina: ‘të rruvizuem e me dukë si lis i verdhemtë’. Qysh shihet fjala ‘hued’ te përkthimi i Azizi asht lanë jashtë.
4.
Joycei: ‘O dearly beloved...’ fq. 3
Azizi: ‘O të dashurit e mi (??) …’. fq. 25
Morina: ‘O të dashun të shtrejtë...’, asht nji lojë fjalësh që me stërforcimin e ‘të dashunve’ që bahen edhe ‘të shtrejtë’ vetëm përforcohet ironia.
5.
Joycei: ‘white corpuscles...’ fq. 3
Azizi: ‘trupthat e bardhë...’ fq. 25
Morina: ‘rruzkat e bardha...’.
Joycei, prap, ironizon me rruzat e bardha të gjakut tue aludu në meshën në të cilën vena u shndërroka në gjak të Krishtit prandaj fjala ‘corpuscle’ nuk asht deminutiv i fjalës ‘corp’ apo ‘corpus’ qysh e ka kuptu përkthyesi por në mjekësi ka kuptimin e leukociteve sepse e thotë qartë ‘white corpuscles’.
6.
Joyce: ‘Switch off the current, will you? fq. 3
Azizi: ‘Mbylle pak çesmën, të lutem? fq. 25
Morina: ‘A p’e shym qat rrymë, allahile?
7.
Joycei: ‘He skipped off the gunrest...’ fq. 4
Azizi: ‘U largua nga maja e shkallëve...’ fq. 25
Morina: ‘Zhdrypi prej shtratit të topit…’.
Asht për t’u vërejtë se I. Azizi fjalën ‘gunrest’ – për shkak se nuk gjendet as në fjalorët kryesorë anglisht-anglisht, e ka përkthy herë ‘majë shkallësh’, herë ‘bedena për dyfekë’ disa rreshta ma nalt, pastaj bahet ‘sheshi i rrethit’, masandej ‘sheshit me bedenat’. Pra, brenda 2-3 faqesh nji fjalë asht përkthy me katër forma të ndryshme dhe të gjitha gabimisht.
8.
Joycei: ‘Tripping and sunny like the buck himself.’ fq. 4
Azizi: ‘Kërcyes e diellor si vetë kaprolli bak (?).’ fq. 26
Morina: ‘Firikues e ngazëllyes si vetë kaprolli.’
Azizi e ka përzi sunny për ‘diellor’- kuptimi i parë që jepet në fjalorë - e jo ‘të ngazëllimtë’ – kuptimi i dytë sepse ajo e para përdoret shumë ma shpesh dhe ka qenë e para. E ka shumica e fjalorëve anglisht-shqip. Nuk e ka Manni. Azizi nuk e ka vu mendjen në ironinë e hollë që e përcjell tanë kohën ligjërimi i Buck Mulliganit. Ndërsa fjala ‘bak’ çka ban në këtë fjali nuk e dij. Në anglisht domethanë nji kafshë mashkull: o lepur, o kaproll, o kangaru, o cjap etj.
9.
Joycei: ‘showed a shaven cheek over his right shoulder’ fq. 4
Azizi: ‘shfaqi një faqe të rrojtur sipër shpatullës së djathtë’ fq. 26
Morina: ‘shfaqi faqen e rrueme mbi supin e djathtë’, domethanë, faqja asht e rrueme e jo e jetueme. Duhet me qenë problem rregullash drejtshkrimi e jo, shpresoj, ‘liri përkthimi’ sepse ‘rruaj-rrova-rruar’ del në Fjalorin e Shqipes së Sotme për atë që anglisht i thonë ‘shave’ dhe ‘rroj-rrojta-rrojtur’ për atë që anglisht i thonë ‘to live’.
10.
Joycei: ‘The bard’s noserag’ fq. 5
Azizi: ‘Rrecka e qurrave të vjershëtorit’ fq. 27
Morina: ‘Faculeta e nji bardi’.
Ja nji rast tjetër tipik i ‘shqipërimit’. Pse bardi e jo vjershëtori? Sepse fjala bard nënkupton shumë konotacione të tjera përveç vjershëtorit. E, sidomos, konotacione të lidhuna me Irlandën. Edhe po të kishte qenë ‘vjershëtor’ në origjinal, f.v., ‘poet’ nëse ka pasë me ba me Irlandën, nji përkthyes i kujdesshëm do të duhej me e përkthy ‘bard’, veç me i thanë ngjyrë e shije irlandeze.
11.
Joycei: ‘great (grey) searching eyes’ fq. 5
Azizi: ‘sytë e mëdhenj e ’ fq. 27
Morina: ‘sytë e përhimtë’. Me pasë pasë botimin e parë të vjetit 1922, të ribotuem me 1993 e 1998, atëherë e kish gjetë se vetë Joycei e ka qortu gabimin e radhitësit në shtypshkronjë tue e ba fjalën ‘great’: ‘grey’, pra, jo ‘sytë e mëdhej’ por ‘sytë e përhimtë’.
12.
Joycei: ‘…gazed at the fraying edge of his shiny black coatsleeve…’ fq. 5
Azizi: ‘…vështroi cepin e ngrënë të mëngës cingëritëse e të ndritshme bojëzezë të xhaketës …’ fq. 27
Morina: ‘vështroi cepin e ryzuem të mangës së zezë e vizëlluse të palltos së tij’.
- Qysh po shihet, z. Azizi, e ka përzi fjalën ‘fry’ (fërgoj, tiganis, cingaris) me fjalën ‘fray’ (‘me ryzue, me ba fije-fije’) dhe kështu ka dalë ‘mënga cingëritëse’. Por nëse nuk asht gabim drejtshkrimi, pra, cingëris e jo cingaris atëherë, prap, nuk përshtatet me kuptimin që asht synu prej Joyceit.
13.
Joycei: ‘Silently, in a dream she had come to him after her death, her wasted body within its loose brown graveclothes giving off an odour of wax and rosewood, her breath, that had bent upon him, mute, reproachful, a faint odour of wetted ashes. Across the threadbare cuffedge he saw the sea hailed as a great sweet mother by the wellfed voice beside him. fq. 5
In a dream, silently, she had come to him, her wasted body within itsloose graveclothes giving off an odour of wax and rosewood, her breath, bent over him with mute secret words, a faint odour of wetted ashes. fq. 10
Azizi: ‘Heshturazi, nëpër ëndërr, ajo i ishte avitur pas vdekjes, trupi i saj i mbaruar brenda petkave të varura(!) kafe të varrimit që lëshonin një kutërbim dylli e drutrëndafili, fryma e saj, qe përkulur mbi të, pa fjalë, qortuese, kutërbim i flashkët i hirit të lagur. Përmes rrjetës gishtaholluar të shuplakës(!!) ai pa detin e sapolëvdëruar si një nënë e ëmbël madhështore nga zëri i ngopur mirë anash tij.’ fq. 27
‘Në ëndërr, heshturazi, ajo kish ardhur drejt tij, trupi i saj i tretur brenda petkave xhanavare të vdekjes lëshonte një kutërbim dylli e drutrëndafili, fryma e saj e varur mbi të me fjalë të heshtura fshehtësire, aromë e pakët hiri të lagur.’ fq. 31
Morina: ‘Qetaz, n’andërr, mbas vdekjes, ajo kishte ardhë te ai, trupi i saj i shkërmoqun mbrenda qefinit të labërguem e të kaftë që lëshonte nji erë dylli e drudrandofilli, kurthu prej frymëmarrjes së saj, e heshtun, qortuese, nji kundërmim zalitës i hinit të lëmekun. Nëpër cepin e ryzuem të manshetës ai e pa detin të përshëndetun si nanëmadhe e ambël nga nji za i fuqishëm përngat tij.’
N’andërr, heshtazi, ajo kishte ardhë te ai, trupi i saj i shkërmoqun mbrenda qefinit të labërguem që lëshonte erë dylli e drudrandofilli, kaplu prej frymëmarrjes së saj me fjalë heshtake të mshefta, nji kundërmim zalitës i hinit të lëmekun.
Prej kësaj serie të ‘përkthimit të lirë’ duhen veçu tri pjesë si ma të randa: ‘Përmes rrjetës gishtaholluar të shuplakës’ që asht krejt nji lakadredhë shprehëse që s’mun i bjen kush në fije, ‘hailed’ që përkthehet si ‘e sapolëvdëruar’ dhe ‘nga zëri i ngopur mirë’ që në anglisht s’don me thanë tjetër veçse ‘za i fuqishëm’. Përkthim i fjalënikshëm i kësaj shprehjeje e ban shqipen m’u kuptu veç prej motrave shtriga të Dundrumit. Fjalët e nënvizueme janë dhanë për me kallxu se sa ndryshime ka ba përkthyesi në dy fragmente tekstesh gati krejtësisht të njejta të Joyceit të cilat përsëriten në këtë kapitull. Kështu, ma së miri mun m’u kriju ideja e shpërdorimit të ‘lirisë së përkthyesit’.
14.
Joycei: ‘...poor dogsbody...’ fq. 6
Azizi: ‘...rojtari trupqen i gjorë...’ fq. 27
Morina: ‘...i mjeri hamall...’.
Kjo asht nji shprehje mjaft e ndërlikueme për nji përkthyes sepse ‘dogsbody’ ka kuptimin e hamallit, argatit që ban punë angari, monotone, të mërzitshme. Ajo përdoret edhe nji herë tjetër ma vonë në kuptimin se duhet ‘m’u qëru prej morrash’. Por, përkthimi i Azizit ‘rojtari trupqen i gjorë’, natyrisht, s’ka kurrfarë lidhje as me përkthimin e vetë fjalës as me kuptimin e fjalisë. Se çka ban aty fjala ‘rojtar’ aty kurrkush s’e din? Ndoshta e ka përkujtu përkthyesin me fjalën ‘bodygard’ dhe ‘dogsbody’? Megjithëse, në paragrafet e ardhshme vetë z. Azizi e përkthen këtë fjalë prap fjalënikshëm si ‘trupqen’.
15.
Joycei: ‘...felt the smooth skin.’ fq. 6
Azizi: ‘...provonte lëkurën e butë.’ fq. 28
Morina: ‘...provonte lëkurën e lëmutë’’
16.
Joycei: ‘He swept the mirror a half circle in the air to flash the tidings abroad in sunlight now radiant on the sea. His curling shaven lips laughed and the edges of his white glittering teeth.’ fq. 6
Azizi: ‘E rrotulloi pasqyrën një gjysmë qarku fshikur nëpër ajër të mblidhte tallazet jashtë nën dritën e e diellit e tashmë rrezëllitëse nëpër det. Buzët e tij të përveshura e të rrojtura qeshën, edhe cepat e dhëmbëve të bardhë vetëtitës.’ fq. 28
Morina: ‘Ai e lëvizi pasqyrën tue ba nji gjysëmrreth n’ajri për me shkrepë kumte me sinjale drite në botë me anë të diellit i cili rrezëllonte në det. Buzët e tij të lakueme e të rrujtuna buzëqeshën bashkë me cepat e dhambëve të shëndritshëm.’
Në shumë raste të ngjashme kur Joycei ban lojë fjalësh apo përdor metafora përkthyesi e humb krejt fijen tue mos e kuptu se çka ka synu me thanë autori. Kështu ‘swept’ del si ‘rrotulloi’, por edha ma keq ‘to flash tidings abroad in sunlight’ del diçka si ‘fshikur nëpër ajër të mblidhte tallazet nën dritën e diellit’. Nga përkthimi i kësaj fjalie nuk kuptoj asgja për be. Fjala ‘tidings’ ma së pari nuk ka asnji lidhje me ‘tallazet’ por me ‘lajm apo sihariq’. Përkthyesi e ka ngatërru me ‘tide’ që d.m.th. ‘valë, tallaz’ n’anglisht dhe ia ka shtu nji ‘ings’ e i ka dalë ‘tallazet’ por, në të vërtetë, shumësi i ‘tide’ në anglisht asht ‘tides’. Shpjegimin për të dyja fjalët edhe ‘tide’ edhe ‘tidings’ e ka gati çdo fjalor anglisht-shqip. Ndërsa buzët prap na dalin ‘të rrojtura’ dhe jo ‘të rruara’.
17.
Joycei: ‘…you dreadful bard.’
Azizi: ‘…ti aed i lerosur.’
Morina: ‘ti bard i mnershëm.’
Z. Azizi, duket se i ka mbetë hatri në fjalën ‘bard’. Dhe sa herë që Joycei e përdor ai e përkthen me çfarëdoqoftë fjale veç jo bard. Pse athu? Bardët kanë të bajnë me keltët e lashtë ndërsa aedët me Greqinë e lashtë. Joycei asht vetë stërnip keltësh dhe, ma në fund, përdor fjalën bard që s’asht i huej as për shqipen. Mbiemnin ‘dreadful’ asnji fjalor, as anglisht-anglisht as anglisht-shqip nuk e nxjerr në kuptimin ‘i lerosur - e bëj me lerë, e përbalt; e fëlliq, e zhyej.’ FSHS (1984) fq. 602, pos ‘i tmerrshëm’, ‘që të fut frikën’ etj.
18.
Joycei: ‘like the snout of a sleeping whale.’ fq. 7
Azizi: ‘...si qurrja e ndonjë balene gjumashe.’ fq. 29
Morina: ‘si turini i ndonji balene të përgjumun.’
Asht ‘sleeping whale’ dhe jo ‘sleepy whale’, prandaj jo ‘gjumashe’ por ‘të përgjumun’.
19.
Joycei: ‘…made him seem younger and more engaging...’ fq. 8
Azizi: ‘e bëri të dukej më të ri e më të vëmendshëm…’ fq. 30
Morina: ‘e bani të dukej ma të ri e ia shtoi nurin...’
Z. Azizi e përzien engaging ((in-gejxhing), mb. i hijeshëm, tërheqës, joshës, i kândshëm – kështu e jep në fjalorin e vet anglisht-shqip Stuart Mann-i) me engage (zâ; fejoj etj.) që ngjajnë për nga drejtshkrimi por jo edhe për nga kuptimi.
20.
Joycei: ‘She calls the doctor sir Peter Teazle and picks buttercups offthe quilt. Humour her till it's over. Humour her till it's over. You crossed her last wish in death and yet you sulk with me because I don't whinge like some hired mute from Lalouette's.’
Azizi: ‘Thërret doktorin, sër Piter Tizlin, dhe nxjerr zhabina nga lëkura.(!) E mban me shakara deri sa t’i vijë fundi. Ti ia theve dëshirën e fundit para vdekjes e tani grindesh me mua pse nuk qurravitem si të isha ndonjë memec i marrë me qera (për ‘qira’ A.M.) nga cirku (!) i Laluetës.’
Morina: ‘Ajo ia nis dhe e qun doktorin, Sir Piter Teazlei, dhe don m’i mbledhë luleverdhat e jorganit. Duhesh m’e galdu derisa t’i vjen fundi. Ti i re mohit dëshirës së saj të fundit e mue po m’i tharbëton hundtë pse nuk du me kthisë si belbacuk i pagumë i Lalouetteit.’
Së pari pra, Sir Piter Teazlei, nuk asht doktor, mjek, por personazh në dramën e Richard Brindsley Sheridanit (1751-1816) ‘The School For Scandal’ (‘Shkolla për Thashethemnajë’, 1777) dhe Lalouettei nuk asht cirk por ndërrmarje varrimi e Dablinit. Logjikisht kemi të bajmë me nji person në prag të vdekjes dhe Lalouettei ma parë del me qenë ndërmarrje varrimi sesa cirk. Por, ajo që ia ka ikë plotësisht z. Azizi asht përshkrimi i gjendjes së përhumbun të nji të sëmuti për vdekje të cilën Joycei don me e ilustru me nji shembull se ajo ‘nis e mbledh luleverdhat e jorganit’ sepse ajo i merr për të njimendta ato lule që janë veç të pikturume mbi jorganin e saj për shkak se e humb arsyen nga pesha e randë e sëmundjes dhe don me i këputë ato.
21.
Joycei: ‘He had spoken himself into boldness.’ fq. 8
Azizi: ‘Me këtë fjalim hyri në trimëri.’ fq. 30
Morina: ‘Mbas këtyne llafeve u kërthëndez.’
Nji shembull tjetër i përkthimit të fjalënikshëm që në shqip s’len me kuptu gja. Sepse s’asht e mundun kush me hy në trimni për arsyen e thjeshtë se trimnia asht emën abstrakt dhe tregon veç cilësi.
22.
Joycei: ‘Phantasmal mirth, folded away: muskperfumed.’ fq. 10
Azizi: ‘Gazmim fantazmagorik, palë e në sirtar: erëmusku ngjyer.’ fq. 31
Morina: ‘Nji gurgule lugatçore, e palume dikund: e miskume.’
23.
Joycei: ‘Haines is apologising for waking us last night.’ fq. 11
Azizi: ‘Hajnesi të kërkon falje që u zgjua mbrëmë.’ fq. 32
Morina: ‘Hainesi kërkon falje që na zgjoi mbramë.’
24.
Joycei: ‘So I carried the boat of incense then at Clongowes.’ fq. 11
Azizi: ‘Ksisoj (për kësisoj A.M.) mbaja lehtë në bark(!) asokohe kemcin në Klongoues.’ fq. 32
Morina: ‘Kështu e përcolla në dorë barkëzën e temjanit atëherë në Clongowes.’
Këtu, qysh shihet, përkthimi i z. Azizi nuk ka fare kuptim. Mue ma merr mendja që shpesh, z. Azizi, e ka hutu veten me përkthimin e vet tue e lanë përkthimin sot-për-nesër dhe tue mos iu kujtu masandej se ku ka mbetë me përkthim. Veç kështu asht e mundun që ajo që asht dashë me qenë ‘barkë’ ka dalë në fund ‘bark’! Natyrisht, fjala ‘lehtë’ në të këtë histori nuk dihet se nga asht shfaqë aty! Por Joycei këtu rikujton ditët e veta nga shkolla e tij e parë Clongowes Wood College ku pat shku për katër vjet (1888-1891). Atje, ai mbas Kungimit të Parë të Shenjtë, me 21 prill 1889, dmth. gjatë Pashkëve, tue pasë tashma si nxanës i mirë nji status special mbajti në dorë barkëzën e temjanit dmth. temjanin në trajtë barke.
25.
Joycei: ‘He lunged towards his messmates in turn a thick slice of bread, impaled on his knife.’ fq. 13
Azizi: ‘Në shkëmbim iu sul bashkëngrënësve me nga një rriskë të trashë buke të ngulur në thikë.’ fq. 34
Morina: ‘Ai ia zgjati herë njenit e herë tjetrit shok tavoline thelën e bukës të ngulun në thikë.’
26.
Joycei: ‘That's folk, he said very earnestly, for your book, Haines.’ fq. 13
Azizi: ‘Ky është folklor për librin tënd, Hajnes, tha shumë seriozisht.’ fq. 34
Morina; ‘Ata janë mileti, tha ai me shumë seriozitet, për librin tand, Haines.’
Natyrisht, folk dhe folklor në anglisht dallohen vetëm për pak por nuk janë e njejta gja. E para asht ‘milet, popull’ ndërsa e dyta ‘krijimtari gojore e popullit’ qysh asht edhe në shqip.
27.
Joycei: ‘Then, suddenly overclauding all his features…’ fq. 13
Azizi: ‘Mandej, pasi i nxiu papritmas të gjitha tiparet...’ fq. 34
Morina: ‘Masandej, tue i vrâ befas të tana miset...’
Përkthimi i Azizit s’asht gja tjetër pos përkthim i fjalënikshëm prej anglishtes i cili në shqip s’ka kuptim. Sepse ‘me i nxi të gjitha tiparet’ për nji shqiptar asht ma shumë veprim në të cilin i bardhi ban me u kthy në zezak.
28.
Joycei: ‘A quart. Stephen said.’ fq. 13
Azizi: ‘Një qerek, tha Stiveni.’ fq. 34
Morina: ‘Nji litër, tha Stepheni.’
Përkthyesi i ka përzi këtu fijet. Nuk asht fjala e shkrueme anglisht ‘quarter’ por ‘quart’, dhe kjo çon peshë sepse quarter asht qerek ndërsa quart asht nji masë angleze që peshon rreth nji litër (1.136 litra. Katër kuarte bajnë nji galon.). Kjo, qysh do ta shohim ma poshtë, ka m’i shkaktu edhe pak telashe z. Azizi. Këtë fjalë e shpjegojnë saktë shumica e fjalorëve anglisht-shqip.
29.
Joycei: ‘and her gay betrayer’ fq. 14
Azizi: ‘...dhe tradhëtarit (dmth. ‘tradhtarit’ A.M.) të vet gaztor...’ fq.35
Morina: ‘...dhe jaranit të saj të pabesë, brinjare…’
Pra, kemi të bajmë me ‘jaran të pabesë’ dhe jo me ‘tradhtar gaztor’. Përkthyesi merr thu në fjalën ‘gay’, dhe kjo ban që me u mbrapshtu edhe fjala tjetër ‘betrayer’..
30.
Joycei: ‘Bill, sir? she said, halting. Well, it's seven mornings a pint at twopence is seven twos is a shilling and twopence over and these three mornings a quart at fourpence is three quarts is a shilling. That's a shilling and one and two is two and two, sir.’ fq. 36
Azizi: ‘Faturë, zotëri? tha ajo dhe ndali. Epo ja, janë shtatë mëngjese nga një broke dy pensë secila bëjnë shtatë dyshe që është një shilingë e dy pensë (!) dhe këto tre (!) broke për katër pensë, bëjnë gjashtë broke (!), që bëjnë një shilingë e një dhe dy bëjnë dy dhe dy, zotëri.’ fq. 36
Morina: ‘- Faturë, zotni? tha ajo rryeshëm. Mirë, dy herë shtatë mëngjese për nji litër prej dy pensësh e që janë shtatë dyshe që bâjnë nji shilingë e dy pensë mâ shumë, ndërsa tre mëngjeset e fundit nji litër nga katër pensë âsht tre litra që âsht nji shilingë edhe nji dhe dy janë dy edhe dy, zotni.’
Pra, erdhëm aty ku ‘qereku’, për përkthyesin tonë u desh m’u ba ‘broke’ vetëm mbas nji faqeje dhe prap nuk e ka vërejtë gabimin e bamë ma parë. Ndërsa në këto fjali vazhdon avazi i hutesës e ngatërresës me numra e litra.
31.
Joycei: ‘I'm not equal to Thomas Aquinas and the fiftyfive reasons he has made out to prop it up.’ fq. 17
Azizi: ‘Unë nuk jam baras me Toma Akuinin dhe pesëdhjetë e pesë arsyet që ka sajuar për ta mbajtur idenë në këmbë.’ fq. 38
Morina: ‘Unë nuk muj m’i shty brinat me Shën Tomë Akuinin bashkë me pesëdhetepesë arsyet që i ka vu vetes për me e mbrojtë mendimin e vet.’
Kemi të bajmë jo me pesëdhetepesë por me pesë argumentet që Thomas Aquinasi i shtron për me dëshmu egzistencën e zotit. Por, Joycei me gojë e Mulliganit ban hajgare tue bashku fjalët fifty five si fiftyfive për ta afru këte me të folmen e zakonshme dhe për ta humbë kuptimin e saktësisë, gja të cilën përkthyesi s’e vëren fare.
32.
Joycei: ‘...bending in loose laughter...’ fq. 17
Azizi: ‘...duke u përkulur me një të qeshur të lëshuar...’ fq. 38
Morina: ‘...tue u gjyftu prej gazit të pafre...’
Në shqip nuk kemi ‘të qeshur të lëshuar’. Fjala asht për ‘gaz të pafre’. Nji tjetër shembull i përkthimit të fjalënikshëm.
33.
Joycei: ‘...warring his life long upon the consubstantiality of the Son with the Father…’ fq. 21
Azizi: ‘...gjithë jetën në luftë me njësimin e lëndës së Birit me atë të Atit...’ fq. 41
Morina: ‘...tanë jetën e gjatë luftoi mbi bashkësubstancialitetin e Atit me të Birin...’
Fjala bashkësubstacialitet apo konsubstancialitet nuk asht emërtim që i len përkthyesit me zgjedhë shumë. Asht nji prej emërtimeve themelore krishtere dhe qysh shihet asht rrehë shumë dhambë për këtë punë, bile me shekuj. Pra, bashkësubstancialitetit me i thanë njësimi i landës asht diçka sikurse kryqit në vend se me i thanë kryq me i thanë dy dërrasa të ngjituna: njena horizontalisht e tjetra vertikalisht. Ky asht vetëm nji shembull i mungesës së të dhanave të domosdoshme të përkthyesit gjatë përkthimit të Uliksit sepse kështu janë ngatërru shumica e emërtimeve që kanë të bajnë me filozofinë, religjionin, historinë etj.
34.
Joycei: ‘The voids awaits surely all them...’ fq. 21
Azizi: ‘Zbrazëtia i pret të gjithë ata...’ fq. 41
Morina: ‘Humnera i pret të gjithë ata...’
35.
Joycei: ‘Redheaded women buck like goats.’ 22
Azizi: ‘Femrat kokëkuqe naa bak e hanë si dhitë.’ fq. 42
Morina: ‘Femnat leshkuqe thërpehen (dmth. bajnë seks) si dhitë.’
36.
Joycei: ‘The Ship, Buck Mulligan cried. Half twelve.’ fq. 23
Azizi: ‘Shihemi tek Anija, thirri Malligani. Në dymbëdhjetë e gjysmë.’ fq. 43
Morina: ‘Në Ship, bërtiti Buck Mulligani. Në dymdhetë e gjysë.’
Prap, z. Azizi e ka harru se në faqen 28 të përkthimit të vet thotë: ‘Ai tipi që ishte mbrëmë te Ship-i’, pra, nuk e përkthen e me thanë ‘te Anija’ dhe e shkruen me vizë para mbaresës rasore -i megjithëse në gjithë tekstin ai ndjek rregullat e Kongresit të Drejtshkrimit. Mirëpo tash mbasi ka ardhë deri në faqen 43 gjanat janë harru dhe po ky emën përkthehet në shqip si: ‘te Anija’! Prap në faqen 57 ‘Te Anija, më dymbëdhjetë e gjysmë.’ Në faqen 206: ‘Anija’. Prap, po i njejti emën e vend, në fq. 612 përkthehet si ‘hoteli dhe taverna Ship’ dhe jo ‘hoteli dhe taverna Anija’. Pra, përkthyesi asht dashë me da mendjen se çka po don me ba me fjalën ‘The Ship’ qysh në faqen 28 sepse tanë kohën bahet fjalë për të njejtin vend: hotelin dhe tavernën The Ship.
37.
Joycei: ‘Cochrane’ fq. 24
Azizi: ‘Koçrejn’ fq. 44
Morina: Nëse asht shku me trankriptim atëherë asht dashë me qenë ‘Kok'rën’ dhe jo ‘Koçrejn’.
38.
Joycei: ‘The boys blank face asked the blank window.’ 24
Azizi: ‘Fytyra e zbrazët e djalit pyeti dritaren e zbrazët’ fq. 44
Morina: ‘Fytyra e pashprehje e djaloshit pyeti dritaren e pashprehje.’
39.
Joycei: ‘They lend ear’. fq. 24
Azizi: ‘Ata veshin e bëjnë bujtës.’ fq. 44
Morina: ‘Ata ia venë veshin (e ndëgjojnë).’
Asht nji shprehje idiomatike në anglisht shumë e afërt me ndërtimin e shprehjes idiomatike shqipe ‘m’ia vu veshin’ por kuptimi asht ‘me ndëgju’. ‘Ata veshin e bëjnë bujtës’ asht vërtet ndërlikim i panevojshëm gjuhësor.
40.
Joycei: ‘Warring his life long on the contransmagnificandjewbangtantiality.’ fq. 38
Azizi: ‘Në luftë gjithë jetën për ndërmrekullimoçifutroshitje.’ fq. 57
Morina: ‘Tue luftu gjithë jetëne gjatë mbi bashkëtransmadhënimdhehebrebengtancialitet.’
Në shikim të parë kjo fjalë duket e vume krejt pa lidhje por, në të vërtetë, ka kuptim dhe asht vetëm nji prej lojëve me fjalë që ban Joycei. I rikthehet idesë së Ariusit përmbi bashkësubstancialitetin (e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shejtë); përmbi transsubstancialitetin (e Birit mbi Shpirtin e Shenjtë dhe i Atit mbi Shpirtin e Shejtë) Wyclifi, Lutheri, Calvini, Zwingli etj. Dhe fjala ndahet në con (bashkë) + trans + magnificent (madhështor) + and (dhe) + jew (hebre) + bang (beng) + -tiality (-cialitet) dhe bahet nji fjalë. Magnificat (kanga në të cilën Mrija Virgjëneshë e falënderon Zotin që ia ka caktu nji rol të tillë: Lluka 1:46-55) ‘Magnificat anima mea, Dominum’ ; hebre, rikujtim se Jezui qe me origjinë hebreje dhe se qe mohu prej hebrejsh; beng asht zhurma e shpërthimit por ka edhe kuptimin e aktit seksual si aluzion për thashethemet se babë i vërtetë i Jezu Krishtit ishte nji ushtar romak. Kështu del se përkthimi që ban Azizi s’ka asnji lidhje me këto asociacione.
Agim MORINA
revista ARS nr. 11 (33), 5 dhjetor 2004