Sunday, April 10, 2005

INTELEKTSHTAJNI APO PROFETI I RREMË MODERN - Agim MORINA


1. Intelektshtajni nuk ësht, qysh mun duket nё shikim tё parё, prodhim i ri. Poende, ësht më i vjetër edhe se vetë frankeshtajni. Shum më i vjetër. Intelektshtajni, qysh mun m’u marrë me mend, nё një mёnyrё, ësht e kundërta e intelektualit. Nëse frankeshtajni qe gatu prej copash të dhjeta kufomave duke e marrë herë dorën e dikujt, herë këmbën e tjetrit, intelektshtajni ësht gatu prej dhjeta kufomash mendore, kështu që asnjë fjalë që e nxjerr prej goje s’ësht mendu në kryet e tij ose, edhe nëse ësht mendu në trurin e tij, aj mendim ësht stramastik i shum copave trunore xhenazesh. 

 

Intelektshtajni më së miri mun m’u përfshi në atё shprehjen popullore se ësht Vet-i-treqindti, sepse gёzon privilegjin qё nёn rrashtё tё palojё treqind pjesё truri treqind vetash. Dhe mun m’u marrë me mend se çka mun me ndodhё me një gjykim që ësht rezultat i mendimit të treqind vetave tashma tё ndjerё. Dhe ashtu qysh gjestet e frankenshtajnit janë të pabaraspeshuara e tё pabashkёrenduara, duke qenë arnesë mishi, ashtu edhe mendimet, gjykimet e intelektshtajnit janë të çoroditura, pa lidhje, duke qenë arnesë gjykimesh. Intelektshtajni i arnon vargjet e bisedave të eprorëve të tij, të cilët i ka ndëgju duke pi kafe ose shurup drandofilash nё ndonjё restorant tё shtrenjtё apo nё ndonjё takim nё ndonjё bodrum ambasade dhe i trajton ato si tё tijat. Ka pa dikënd me kapuç majuc, apo me vath, apo me mjekёr tё parruar dhe nesёr e sheh intelektshtajnin duke pozu me to.

2. Ndërsa frankeshtajni ësht kriju për me i bë sfidë vdekjes, ësht përpjekje e një shkencëtari që lyp përgjegje për fshehtësinë e jetës e të vdekjes, intelektshtajni ësht fryt i përpjekjeve të Mjeshtёrve të caktuar për m’u shërby me të qysh ësht më së miri për ta, pra, aj e lyp fshehtёsinё e suksesit e tё famёs sё shpejtё e tё pamerituar apo ngritjen në karrierë, megjithëse ësht gjysagjel në çdo ndërmarrje. Kështu, ndër treqind copat e trurit të ngjitura për faqe të zezë nën rrashtën e tij, Mjeshtërit ia ngallmojnë pikërisht ato që atyre u duhen në vendin dhe nё kohën e caktuar. Derisa frankeshtajni, i cili, herë mbas here, kur e sheh veten në pasqyrë, kur e sheh veten se në ç’gjendje ka ra, mallkon veten dhe krijuesin e tij, pasi e sheh veten si më fatkobin në botë, intelektshtajni, lëre që vetë nuk e mendon kurrë këtë, por atij edhe më shum i hyn vetja në huj dhe shkrun lavde për Mjeshtrin e tij dhe, fjala vjen, uron ditën kur Basi i tij ka le. Pёr pasojё, aj e ndin veten më të lumturin në rrokulli, më fatbardhin nё gjithёsi.

3. Nuk duhet shum mend e me dijtë se intelektshtajni ësht nxirak. Asnjë mendim i tij i radhës nuk e ndjek të mëparshmin. Asnjë bindje e tij s’ësht fryt as pasojë e zhvillimit të tij të vazhdueshëm mendor. Veprimet e tij janë zinxhir dështimesh. Biografia e tij ësht statistikë maskash. Veçori spikatëse e intelektshtajnit ësht mungesa e tij e ndjenjës për kohën dhe hapësirën sepse kohë-hapёsira e tij ësht kohё-hapёsira e Mjeshtrit tё tij. Duke qenё kёshtu aj flet shatra-patra; thotë 'mirëmbrëma' në mëngjes ose themelon parti për rujtjen e dinozaurëve, ndërsa edhe zogjtë e dijnë se dinozaurët janë zhdukё para miliona vjetësh! Më vonё, pa i ardhё marre hiç, duke kujtu se njerёzit e tjerё hanё bar, thotё publikisht: ata qё themelojnё parti pёr rujtjen e dinozaurёve janё tё çmendur, ahmakё e bij ahmakёsh. Dinozaurёt nuk egzistojnё më! Kёtë e thotё me një mendjemadhёsi tё atillё thu se e ka zbulu kufirin e gjithёsisё. Dhe, natyrisht, e vetmja garё qё çdo i ndershёm doemos del humbёs me intelektshtajnin ësht paftyrёsia. Sepse paftyrёsia e tij s’njeh kufi.

 

4. Nuk duhet kujtu se intelektshtajni ësht me ka krejt trullan, lolo, leshko e trudalë. Larg asaj. Aj e din shum mirë se nuk ësht i zoti që kurrnjë pune m’i dalë matanë. Aj ësht gjysëhoxhë. E gjysëhoxha, qysh thonë, ta prish fenё. E intelektshtajni prish çdo gjë. Sepse aj mendon se ndërton duke prishë. Aj prish edhe atё pak gjësend që sapo ka nisë me e bë, sepse urdhri i ri i Mjeshtërve të vjetër e gjen gjithmonë në gjysë tё punёs duke zbatu urdhrin paraprak. Eprorëve të tij gjithmonё u pёshpёrit kёndimthi: ‘Pooo! Si urdhnoooni!’ ndёrsa vartёsit e tij pёrhera i dёrrmon me rrufe: ‘Jo’-jash. Din kujt dhe kur m’ia lёpi këmbёt. Poende edhe pak pёrmbi këmbё. Dhe din kush pranon m’ia lëpi këmbёt atij. Sepse intelektshtajni e gjen intelektshtajnin si norka norkën, me krrokama, si hijena hijenёn, duke ia nuhatë shurrën.

 

5. Intelektshtajni ësht mёsu me ndёgju vёmendshёm dhe me mbajtё nё mend vetёm pjesё, fragmente tё gatshme, duke mos ua kёrku as shkakun, as pasojёn. Aj gjithmonё ësht diku duke bisedu me dikë. Ndёrsa shfaqet si person i interesuar nё fusha shkencore e akademike. Aj bisedat i shtron gjithmonё duke pyetё provokueshёm ose duke kundёrshtu çfarёdo pohimi pёr me nxjerrё e me ndёgju sa më shumё pёrgjegje. Shpesh, atë qё e ka lexu dje, don me ta thënё me saktёsi dhe don m’u bisedu vetёm rreth asaj çështjeje sepse vetёm aty ndihet i sigurtё. Kur ec, ose kur flet, e mban një vetull më lart, duke u pёrpjekё qё sё paku me vetull tё varet aty ku s’mun m’u varё me zotёsi intelekti dhe s’don as fytyra e tij m’u dukё simetrike, sepse te aj çdo gjë ësht mbretëri e asimetrisë. Sapo rrin me një politikan mendon se ësht bë politikolog sepse paskësh arrijtё me i shtru dy pyetje ‘tё vёshtira’ bashkёbiseduesit tё tij, edhe ato tё huazuara prej një kuvendi tjetër. Posa darkon me një ekonomist mendon se mun me regjistru tashma magjistraturёn në ekonomi sepse nё disa pyetje ndpnjë ekonomist s’paskësh arrijtё m’u pёrgjegjё qysh ka ndёgju aj prej një ekonomisti tjetёr. Ësht i zoti pёr çdo gjë, pos me mendu e me gjyku drejt duke u nisё prej aksiomash tё veta. Shpesh e arsyeton kёtë me faktin se përton me mendu. Dhe kёtë nuk e sheh si një mungesё. Pёrkundrazi e çmon si cilёsi tё rrallё. Fjala vjen, arsyetohet aj, a duhet krejt na me ditё me bë televizorë apo duhet me i bë do pare e me shku me e ble nё shitore një televizor të gatshёm? Natyrisht, po u bindёm – si aj - se krahasimi qёndron, pohimi i tij ban me u dukë shum i logjikshёm.

 

6. Frankeshtajni e njeh veten pёr më tё shёmtuarin, ndёrsa intelektshtajni e mban veten si boll tё bukur. Qebesa edhe shumё tё bukur. Dhe sado qё trushartuar, kjo i reflektohet edhe nё jashtёsi dhe doemos ta kujton neandertalin, llojin e zhdukur njerёzor, tё cilit truri s’i punoi qysh duhet dhe u bë arsye pёr zhdukjen e tij. Megjithёse intelektshtajni, duke qenё arnesё, duke pasё zorrёn e Mjeshtrit nё gojё si foshnja nё barkun e s’ëmёs, ka arrijtё me kriju jetё tё pёrkohshme mendore, edhe gjykimet, edhe bindjet e tij rrnojnё aq sa mushkojat – një ditё.

 

7. Mjeshtërve tё tij intelektshtajni u shёrben verbërisht dhe kёrkon shёrbim edhe më tё verbёt prej çirakёve tё tij. Duke u naltu nё hierarkinё intelektshtajniane aj mendon se po bëhet më i mençur dhe jo më dinak. Dobёsia e tij janё paret dhe pozitat apo anasjelltas. Gjithmonё keqkuptohet prej rrethit dhe mirёkuptohet prej Mjeshtërve. Virtyt pёr të ësht me mbetё mbi sipёrfaqe me çdo kusht. Qoftё duke e ngulfatё secilin pёrreth pёr me mbetё gjallё, qoftё duke verbu çdokend pёr me pa, qoftё duke i hangёr pёr sё gjalli tё tjerёt pёr mos me vdekё urie. Arsyetohet me pohimin e mjekёve që thënkan se nё luftёn pёr egzistencё s’duhet vepru më me logjikёn e zakonshme njerёzore.

 

8. Intelektshtajni, si gjeluc i pёrkohshёm, çdo gjë e ka tё huaj, pra edhe puplat, edhe zërin, edhe ngrehalucërinё… Zëri i tij nyjëtohet nёpёr kofshё aparatesh më moderne, pra, tingёllon i fortё e gjithpёrfshirёs. Por, fatbardhёsisht, pakkush ia vë veshin. Nё çdo shartesё tё re informative, aj, si halamruk qё ësht, don me e pa veten tё lavduar. Pra, shkrun vazhdimisht nё gazetёn e vet, nё tё cilёn thotё se s’ësht gazetar - mbasi ka dёshtu nё gazetari; e qun veten tjetёrqysh, shpik ndonjë emёr, ndonjë profesion tё ri, sepse i don emёrtimet kuptimet e tё cilave janё tё paqarta, tё mjegullta. E tё tilla janё emёrtimet e huaja, tё reja, më pak tё njohura. Duke mos e shu krejtёsisht kёnaqёsinё e vetёlavdimeve aj i detyron çirakët e vet, nё gazetёn, nё radion apo nё televizionin e vet, apo nёpёr kafet e qytezave, me e lavdu atë, me komentu ndonjё veprim apo thënie tё tij, duke e ndёrlidhё me ndonjё emёr prej Mjeshtërve. Një emёr i huej dhe emri i tij aty e bëjnё më me peshё, më tё rëndёsishёm. Nё gazetёn e vet i del syreti duke qeshё ngurrueshёm, sikurse kur e djeg supa qё e pin pёrfundi tavolinёs sё Mjeshtёrve tё tij, apo sikurse qeni që ësht duke e krru bythën për asfalt. Artikullin e tij e stolisin artikujth tё tjerё tё çirakёve tё tij nё tё cilat fryhet pleshti i tij. Vepron me atë thënien: ‘Kush s’e lëvdon veten, ju kalltё shpija!’ Kjo quhet moto e gazetёs sё tij. Artikujt e tij janё, prap, krejt tё paqartё, larg çdo interesimi tё tij qoftё edhe tё pёrkohshёm pёr ndonjë fushё tё caktuar. Shkrun pёr sistemin e ujёsjellёsit, fjala vjen. Ndёrsa një ditё tjetёr pёr strategjinё e aleancave ushtarake botërore. Pra, si i gjithёdijshёm, aj shkrun dhe i duket se din çdo gjë. Tamam si diktatorёt, ky ësht diktatorth, i cili don me e bë pronё çdo gjë qё s’u takon Mjeshtërve tё tij. Të folurit e tij ësht pёrplot kundёrshti logjike, si pasojё e treqind copave trunore tё bëra kaçamak nёn rrashtё. Duke u pёrpjekё me thënё atë qё e kanё porositё Mjeshtërit, duke u ndeshё me fakte krejt tё tjera nё njëmendёsi, duke synu sa më nalt e duke mos pasё takat mendor as me lёvizё prej vendi intelektshtajni flet pёrçart. Shkrun si prostitutat qё shkrujnё ditarin duke bë, nё ndёrkohё, seks me një myshteri. Kёshtu dorёshkrimi i del si shkarravinё, fjalёt e togfjalёshat shpesh janё tё hueja e fjalitё dalin pa ndonjё porosi, si pasojё e shkrirjes sё dallgёve epshore, tё gjakimeve karrieriste dhe turreve tё pafrenueshe emocionale. Pёr Mjeshtërit e tij shkrun lëvdata, duke ua rritё morrin pёr gjëra  qё ata kurrё s’i kanё bë, e as s’e kanё pasё në fund të mendjes me i bë, ndёrsa kundër rivalëve të tij, tё cilёt s’ka guxim me i sulmu drejtpёrdrejt, i ndёrsen langojt e vet duke shpifё e duke i nxi nёpёr gazeta.

 

9. Ka intelektshtajn që ende as vetë s’e din se ësht i tillё, por një ditё, befas, e sheh duke shkru lavdata, veç lavdata pёr njerёz apo grupe njerёzish. E sheh duke ndejtё me një qё tashmë ësht i njohur si intelektshtajn. Apo shkrun nё gazetёn e një intelektshtajni. Apo flet nё televizor pёr astrologjinё. Befas e sheh nё një pozitё tё naltё: as meritu s’e ka, as mendu s’e ka se aty ka me qenё ndojherё. Por aj s’e mohon ofertёn. Pare e pozita aj s’mohon kurrё. Paraqitet se din shumё gjuhё, e gjuhёn e vet amnore e njeh pёr faqe tё zezё. Si kamerier dikur ka kёndu nёpёr oda dhe e zen veten pёr këngëtar qё ka shёnu epokё nё historinё e muzikёs ose ka vallёzu nё shkollёn fillore potpuri vallesh të huaja dhe tash mendon se Michael Jacksoni ka çka me mёsu prej tij. Pёrpiqet qё vulgut tё tij m’ia shartu idenё e trimërisё sё tij, sepse dikur vonё merr urdhrin-kёshillё prej Mjeshtrit tё tij se populli tё cilit i pёrket vetё aj e adhuroka trimërinё. Ikjet, qёndrimin e fshehtё e tё sigurtё tё tij don me e paraqitё si pёrpjekje tejet tё rrezikshme ku ka mujtё m’e lënё kryet. Krejt kjo vjen ngaqё aj tash duhet m’u shfaqё si trim. Dhe aj bëhet m’u dukё trim. Kryet qё gjithmonё e ka mbajtё pёrpjetё tash pёrpiqet me e çu edhe më nalt. Natёn bën ngjeshje tё qafёs sepse i shtohen dhembjet duke u pёrpjekё me e çu kryet më nalt se sa qё qafa biologjikisht ësht ndёrtu me u çu. Në mëqakje të këtilla soji dhe sorollopi i tij nisin me i përngja më shum gjirafës sesa insanit.

 

10. Intelektshtajni, duke qenё trushartuar, mendon se din çdo gjë, e, fatkobsisht, din asgjë. Si kompensim pёr kёtё mangёsi tё tij tё dukshme aktrimi bëhet dhunti e lindur e çdo intelektshtajni. Duke aktru shёrbёtorin stёrbesnik, eprorin e rreptё, menalokun e kujdesshёm, palaçon e kalamajve tё Mjeshtёrve, aj e ngop çdo ndjenjё të mungesës e të gjytyrymllëkut qё i shfaqet herё pas here. Sepse çka vetëshkridhet e vetëspikatet më mirë e më qartë, në këtë botë jallane, sesa marrëzia?

 

11. E vetmja zotёsi, aftёsi e pamohueshme e intelektshtajnit ësht zotёsia e tij me nёnshkru. Kёtu nuk ia kalon kurrkush. Dhe ndoshta profesioni i vetёm i mirёfilltё i tij ësht kudonёnshkrimtaria e tij. Pseudonim i tij, dhe ndoshta emni-kod te Mjeshtërit e tij, ësht Kudonёnshkruesi. Romane krejtёsisht tё huaja i nёnshkrun me emrin e tij. Nёse ësht dёnu dikush me vdekje, aj e nёnshkrun urdhrin pёr egzekutim, pa e njoftё njeriun dhe pa e dijtё se ç’krim ka bë. Nёse e ftojnё me nёnshkru shpallje lufte apo marrëveshje paqeje aj ësht aty me vu imzanё. Ky virtuoz imzaxhi as s’ka nder, as ftyrё, as moral. Sepse me qitё imzanё e tij aj mendon se ësht morali më i naltё. Edhe te populli, – tё cilin aj e nёnçmon dhe e mban pёr gjysёm tё egёr e tё pagdhendur e n’emёn tё tё cilit aj gjithmonё qet dikund imza – ësht zakon qё kur shkon me folё dikund n’emёr tё, sё paku, një tё dyti, duhesh me e pasё miratimin e atij tё dytit. Por, intelektshtajni ynё, i cili s’e ka miratimin as tё dorёs sё vet tё majtё pёr atё se çka nёnshkrun i djathti, duke e zënё veten pёr më tё mençurin – gjithmonё deri nёn Mjeshtrin e tij - mendon se as dora e majtё e tij, as familja e tij, tё cilёt gjithashtu kurrё s’janё paraqitё publikisht se pranojnё atë çka nёnshkrun aj, aq më pak populli i tij ‘budallё’, nuk janё tё vetёdijshёm pёr Çastin Historik. Por, çështja ësht qё, duke i pasё hy vetja nё qejf, intelektshtajni ynё mendon se çdo sekondё qё aj ësht mbi tokё ësht Çast Historik, ndёrsa kur nёnshkrun, nё tё vёrtetё, ësht Stёrçast Historik. Kёshtu qё s’ka çka i duhet atij miratimi i popullit tё tij, i familjes sё tij, qoftё edhe i dorёs sё tij tё majtё pёr çka nёnshkrun dora e tij e djathtё, kur aj ësht pёrcaktu prej hyjnisё sё tij – Mjeshtrit – me vënë imzanё. Nёnshkrimin e tij e gjeni nё çdo nevojtore tё shkollave, ku aj ka provu m’u shkollu. Nё bankat e amfiteatrave. Nё dyert e zyrave ku ësht punësu si nёpunёs, profesor, inxhinier, por e gjithë puna që ka bë me të vërtetë ësht puna si kafexhi i Mjeshtërve. ‘Dy lugë kafe një lugë e gjysë sheqer’ - refreni më i shpeshtë që kanë ndëgju veshët e tij.

 

12. Shpesh kudonёnshkrimtaria, poende, ësht edhe zanat sekret familjar, sikurse argjendaria, pushkataria, bozaxhillёku dikur. Dhe trashёgohet, si çdo ndёrduarçmje, brez mbas brezi. Ndёrrohen pushtete, armata, pushtues e çlirues tё tё gjitha llojeve tё demokracive e tё diktaturave tё mundshme, por dora e Kudonёnshkruesit, e Imzaxhisё, ajo e djathta, ësht gjithmonё mbi tavolinё nё këndin e djathtё tё letrёs. I vetmi ushtrim i mёngjesit tё intelektshtajnit tё tillё ësht mbledhja-shtrirja e gishtave tё dorёs sё djathtё, ngritja-ulja me rend e tё pestave, stёrvitja duke mbushё fletё tё tëra me nёnshkrime, natyrisht, me myreqep tё zakonshёm. Aj e ka tё trashёguar doracakun e stёrlashtё qё quhet ‘Joga e Dorёs sё Shejtё’.

 

13. Duke pasё zanat familjar imzaxhillёkun, kudonёnshkruesit e kanё zhvillu deri nё përsosmëri punёn e prodhimit tё lëngut tё domosdoshёm pёr nёnshkrim – myreqepit. Ashtu qysh vija mashkullore e imzaxhive mёson se qysh nёnshkruhet dhe e stёrvit dorёn e djathtё, vija femërore mёson formulёn e gatimit tё myreqepit. Cilёsia e myreqepit ësht tregues i pedigresё familjare nё punё imzaxhillёku. Ata qё sapo kanё hy nё tarikatin e imzaxhillёkut prodhojnё myreqep qё dobёt qё zbehet apo edhe shlyhet me kalimin e kohёs. Por ata qё kёtë e kanё traditё familjare formulёn e myreqepit jetёgjatё e rujnё nёpёr hajmalia, mshelё me shtatё dryna. Nёnshkrimi i tyre ka shkёlqim tjetёrfare dhe as shlyhet, as e humb shkёlqimin. Letra mbaron e prishet ndёrsa pjesa ku Kudonёnshkruesi ka kudonёnshkru mbetet duke vizёllu si argjendi që vjen duke u shkri. E kёta janё imzaxhij profesionistё. Ata jetojnё prej punёs qё quhet Kudonёnshkrimtari.

 

14. Por, si çdo profesion e zotёsi nё kёtё botё jallane, edhe kudonёnshkrimtaria ka hierarki. Janё kasta e naltё, kasta e mesme dhe kasta e ulёt e gjithkund-imzaxhive. Pёr me mujtё m’u pranu nё atё më tё ultёn kastё, vetja e caktuar duhet me dijtё se qysh lahen këmbёt e huaja e qysh u pihet uji. Natyrisht, pёr një punё tё tillё duhet me e pasё lukthin e fortё. Nё fillim, duke pi ujin prej thembrave tё çara e tё zezave tё thojve, e ndytёsive tё nejeve, e puçrrave me qelb prej sheqerit të tepërt të Mjeshtërve, rishtarёve u trubullohet lukthi. Vjellin netë tё tana dhe gati sa nuk i qesin zorrёt jashtё. Masandej dalngadalё nisin dhe e tretin gjithnjë e më mirё. Sepse nisin e i lajnё më shpesh këmbёt e Mjeshtërve tё tyre dhe, për pasojë, nisin e pinё ujё më tё pastёr. Edhe lukthi, qebesa, shkon duke u mёsu. E, kёshtu, ata bëhen anёtarё tё plotё tё rishtarёve. Nё fazёn e dytё nisin m’u mёsu se qysh lёpihen kёpucët, pёr me vizёllu nё kambёt e Mjeshtërve qysh ësht më sё miri. Lёpijnё lloçin, fijet e baglave tё ngjituna pёr shuallin e takat e këpucëve, e shkojnё kёshtu duke lёpi çdo gjë si langoi ashtin e hedhur nё baltё. Lёpijnё lugё, enё, sahana, tepsia, piruj, llulla, rrypa, faculeta tё pёrqyrravta, brekё, çorape, kapuça tё Mjeshtёrve. Dhe marrja e diplomёs pёr kastёn e dytё varet se sa tё suksesshёm kanё qenё gjatё lёpimjeve tё mëparme. Nё kastёn e tretё janё ata, aristokracia e kudonёnshkruesve, me traditё tё lashtё familjare nё punё nёnshkrimesh, me gjuhё tё stёrvitur tё lёpimjeve, me hundёn pёrpjetё tё dinjitetit tё horrit dhe me faqen qё nuk skuqet kurrё tё llaskucit. Ata kanё nё shtёpitё e tyre trofe e diploma qё kanё marrё prej Mjeshtёrve gjysh e stёrgjysh. Janё kastё dhe martohen veç mbrenda kaste pёr mos me humbё shum cilёsi si: msheftёsitё e stёrvitjeve tё dorёs sё djathtё, formulёn e pёrbërjes kimike tё myreqepit, stёrvitje e muskujve tё gjuhёs pёr lёpimje rrotullake, tё djathtamajtshme e poshtёpёrpjetshme.

 

15. Ësht një strip, që ka pasё pёr personazh një njeri i cili bëhet i padukshёm. Por, pёr me mujtё m’e kallxu pamunisht se ku ësht, autori i stripit e paraqet heroin e tij se si e vesh një dorashkë nё dorёn e djathtё ashtu qё lexuesi me mujtё me ndjekё se ku ësht personazhi i tij kryesor. Kёshtu, prej trupit të tij, na e shohim vetёm dorёn e djathtё se si shetitet poshtё e pёrpjetё. Tё kёtillё janё edhe Kudonёnshkruesit: tё padukshёm kur duhet tё duken nё punё tё vёrteta dhe tё dukshёm vetёm atёherё - me dorёn e tyre tё djathtё – kur duhet me nёnshkru dikund diçka. Edhe atёherё kur mendojmё se tashmë janё zhdukё, nёse dojmë me i pa, veç duhet me nxjerrё një letёr tё bardhё e me thënё: ‘Na duhet një nёnshkrim!’ dhe ata na shfaqen pёrnjёherë ashtu qysh shfaqet divi kur fёrkohet llamba e Aladinit, por pёr intelektshtajnin mjafton m’e fёrku prapanicёn e magaricёs.

 

16. Intelektshtajnёt kanё zotёsi tё pakrahasueshme shndërrimi. Sepse, si qoftёlargu, ata shumё lehtё trupzohen e shfaqen si dhelpra besnike, si ujq tё mёshirshёm, si gra virgjёnesha, si trima tё hallvёs, si zotni tё palagaçave, si komunistë besnikё, si ballistë tё pёrbetuar, si myslimanё tё fortё, si tё krishterё tё devotshёm. Ngjyra, pёrkatёsia, botёkuptimi, bindjet dhe çdo gjë tjetёr varen prej asaj cope tё shenjtё letre dhe sidomos këndi i i poshtёm i djathtё ku duhet me nёnshkru. Nёse duhet me nёnshkru ndёrmjet palёve komunistё, intelektshtajni skuqet si prapanica e rrahun e majmunit, veç me u kallxu sa ësht i pёrkushtuar nё punё ideologjie e besnikie. Shan me çka t’i vjen nё gojё fetё, e nalton Mjeshtrin ateist si nё poezi, ështu edhe nё tregime e romane. Profetёt i qun kryerrenca. Tё shejtit lugatё tё pёrparimit njerёzor. Tё nesёrmen, kur vlera e nёnshkrimeve komuniste ka mbaru, e sheh krahaqafas me një prift se si betohet nё kryet e papёs e nё gjakun e Krishtit apo e sheh me tespihë nё dorё para xhamisё se si me hoxhёn bën muhabet rreth sharteve tё turknisё. Betohet se e lexon Kuranin nё origjinal, megjithёse tanё jetёn i ka quejtё arabёt popull tё egёr dhe gjuhёn e alfabetin e tyre krrokama e gjurma laraskash. As s’ësht çudi kur e shohim se si shkrun parathënie apologjike pёr poezitё e ndonjë udhëheqësi tё cilin deri dje e ka qujtё derr. Komunizmin e quen verbëri e marri. I mallkon tё gjithё ata qё kanё qenё komunistë, duke u bë se po çuditet se qysh ka mujtё dikush me besu nё një botёkuptim tё tillё qё s’ka ditё çka ësht mёshira, duke harru se vetё ësht plakё e, qebesa, i ka plakё edhe tё tjerёt, duke propagu madhёshtinё e komunizmit. Jep intervista tё gjata duke shitё mend pёr moralin, pёr atdhetarinё, pёr ndershmёrinё, pёr burrninё, pёr artin, pёr estetikёn. Gjuha e tij ka lёpi turlifarё prapanicash dhe me folё fjalё me tё cilat e zhyt veten nё gjiriz nuk ësht punё e rëndё pёr të. Duke u plakё, mbasi ka tradhtu, ka propagu, ka shpifё, ka akuzu e ka dёshmu rrejshёm, mbasi ka marrё nё qafё dhjeta e qinda fate njerёzore, qoftё fizikisht duke i rrasё nёpёr burgje, qoftё psikikisht duke propagu baglat pёr hoje bletash, intelektshtajnin e gjejmё jo rrallё tё kthyem nё besimtar tё devotshёm, i cili predikon mёshirёn – e vetё kurrё s’ka dijtё çka ësht mёshira, qoftё burrninё – pa u dёshmu kurrnjёherё nё jetё si i tillё. E, çka ësht fundi i kusisё, aj mban ders edhe pёr ndershmëninё, ndёrsa tanё jeta e tij ka qenё kolekcionim shnderimesh dhe abetare poshtёrsish. E gjejmё nё kishё, nё xhami, nё teqe, kokёulun e serioz si maçorr, duke gёrhatё lutjet e rikujtuara tё gjyshes sё vet tё ndjerë. Nё çdo bisedё tё mundshme, aty kah fundi, s’e harron emrin e zotit. E pёrmend me ngashёrim. Por zot i intelektshtajnit mun me qenё vetёm një dreq më djall se dreqi, një dreq me brina, një zotshtajn.

 

17. Intelektshtajni, pёr shkak se e ka shpirtin sa syni i pleshtit, ësht inatçor dhe s’din çka ësht pendesa. S’din çka ësht me kёrku falje para shokёve, kolegёve apo vartёsve tё tij, para popullit tё tij, pёr gabimet e dёshtimet me tё cilat i ka marrё nё qafё; ësht nё gjendje edhe botёs m’ia shti flakёn vetёm mos me thënё: ‘Mё falni se paskam gabu!’ duke e kuptu kёte si poshtnim e jo si një virtyt e cilёsi njerёzore, sepse nuk ka bishё qё din çka ësht pendesa. Vetёm Mjeshtёrve tё tij, edhe kur gabon, edhe kur s’gabon, u thotё vazhdimisht: ‘Mё falni mue fatkobin, sepase kam gabu! Mё falni mue gjynahqarin! Falmëni! Mё falni! Falmëni!…’

 

18. Intelektshtajnin e gjejmё duke ndёrru vazhdimisht profesionet. Sepse aj mendon se me aq lehtёsi qё ndёrrohen fytyrat, mujnё me u ndёrru edhe profesionet. Duke e dijtё veten si tё pakurrizor, aj mendon se mun m’u pёrbiru nё çdo profesion. Sot ësht valltar nё ndonjё kafe-bordel, nesёr e shohim duke shitё mend nё ndonjё gazetё lokale pёr mёnyrёn dhe stilet e tё shkruarit. Pasnesёr aj ësht duke mbajtё kurs rrobaqepёsie apo letёrsie megjithёse as s’din ku vihet as pikë, as presje. Natyrisht, duke qenё nё shёrbim tё Mjeshtёrve, intelektshtajni e mёson shum shpejt gjuhёn e Mjeshtёrve tё vet. Ua lexon shpejt e drejt lëvizjet e muskujve të fytyrës dhe ata as që duhen me u lodhë me folë. Dhe sa më shpesh qё ndёrrohen Ustallarёt aq më shumё gjuhё aj i zotëron dhe, si pasojë, aq më shumё e harron gjuhёn e vet amtare. Kёshtu aj bëhet poliglot dhe poliglotizmi ësht një veçori jo pak e randёsishme e intelektshtajnit. Fjala vjen, gjyshin e tij e gjejmё se e pakёsh zotëru pёr bukuri osmanishten e turqishten, arabishten e persishten, dhe kurrё s’e paskёsh lёshu prej goje shprehjen ‘lepe-pekej’ ndaj Ustallarёve tё tij. Por koha që e ngranka edhe kashtёn, e paska shkri edhe Perandorinё e lavdishme Osmane, dhe intelektshtajnit tonё i paskёshin mbetё vetёm reliket e saja: sahati me qystek i gjyshit tё tij, festja e kuqe, syretat e zverdhur tё imamёve, disa fletё tё pakuptueshme tё shkruara nё alfabetin arab e me korniza tё praruara tё cilat gati një shekull qenkёshin shtresu me pluhun nё tavan. Pastaj gjyshi i tij, kah fundi i jetёs, e gjejmё se u paskёsh detyru me e mёsu serbishten dhe alfabetin e vёshtirё cirilik, se iu paskёsh dashё me kudonёnshkru sa herё qё e paskёshin thirrё vojvodat dhe naçallnikёt. I ati i tij paskёsh mёsu shum gjëra  prej gjyshit por paskёshin ndёrru kohët dhe paskёshin ardhё tё tjera zemane e tё tjera hyqymete, por zanatit tё kudonёnshkrimtarisё jo vetёm nuk i paskёsh ra vlera, por qenkёsh bë edhe më i çmueshёm. Baba-intelektshtajn paskёsh nisё me mёsu se si nёnshkruhet nё alfabetin cirilik apo alfabetin grek, por tash qysh duhej me u bë kjo para komisarёsh, nё zyre kryespiunash tё shёrbimeve sekrete ushtarake e tё sigurimeve shtetnore. Edhe kёtë baba-intelektshtajn e paskёsh kry me sukses. Pushkatimet, arrestimet, masakrimet, burgosjet paskan shku duke u shtu e bashkё me to edhe nёnshkrimet shkёlqimplota. 

Baba-intelektshtajn dalngadalё, qysh duke qenё kёlysh, e paskёsh mёsu se qysh duhet m’u bë langue besnik i gjuetarёve tё fortё, tё cilёt dijnё me e vra popullin e tij. Dhe e ka mёsu mirё sepse qysh nё shkollё intelektshtajni jonë paska nisё me zbulu ‘armiq tё kombit’ dhe ‘armiq tё gjuetarёve komisarё’ armiq tё Mjeshtёrve. Kёshtu u paskёsh rritё dhe paskёsh mёsu kudonёnshkrimtarinё, imzaxhillёkun dalngadalё, me shumё mund e djersё por, nё fund, me shum sukses. Kёshtu sa pёr cilёsinё e nёnshkrimit, bukurinё artistike, lakeluket dhe holletrashat e pendёs s’mun i gjindet behane. Edhe sot e kёsaj dite intelektshtajni ynё nёshkrun pёr m’ia pasё lakmi, qoftë për me falë tokë, qoftë për me falë det.

 

19. Intelektshtajni, prandej, ësht komponimi më i karabythёt i mendjes njerёzore. Suksesi më spektakular i projekteve tё Mjeshtёrve planetarё sot. Aj ësht golem, i patrajtё, si jashtëqitje e barqitjes: aty ku derdhet e merr atё formё, patjetër, duke kundërmu ujë kambësh dhe myreqep të patretun mirë. Edhe me u derdhë gjithkund nuk guxon, por vazhdon me rrjedhёn duke i nuhatё gjurmët e Mjeshtёrve  tё mundshёm në të ardhshmen.

 

20. Duke e pasё tё vetmin profesion kudonёnshkrimtarinё dikush ka me u dvetё athu qysh rrnon intelektshtajni? Kah merr pare pёr jetesё? Nё tё vёrtetё, aj as nuk din çka ësht parja, sepse qysh edhe gjyshi i tij ka harru kuptimin e asaj letre pёr tё cilёn njerёzia rroposen tërё jetёn e gjatё. Kjo nuk ësht çudi, sepse pёr paren e intelektshtajnёve kujdesen Mjeshtërit. Krejt çka u duhet me bë ata ësht, natyrisht, vetёm me kudonёnshkru dhe me gjithçkanënshkru. Dhe, si me shkop magjik, gjërat shfaqen sa çel e mshel sytё. Nuk ka rëndёsi se sa projekte dёshtojnё, se sa parja shkon huq, sepse intelektshtajni ynё e din se kjo s’çon peshё: një nёnshkrim i tij ripёrtёrin çdo gjë dhe se taphania e Mjeshtrit punon pajada. Çdo gjë prej tij ësht larg vetёm një imza, një nënshkrim. Duke e pa se me nёnshkru s’qenka punё e kotё gjindja me primje intelektshtajniane hidhen me mёsu sa më shpejt pehlivanllёkun e tё nёnshkruarit. Por, tё shkretёt, as nuk e dinё formulёn e msheftё tё gatimit tё myreqepit, as nuk dijnё ku janё dyert e mёdha tё Mjeshtёrve tё Taphanes. Dhe, kёto dy fakte i lënё me gishta nё gojё tё gjithё ata entuziastë dhe imzaxhi potencialё.

 

(14 korrik 2001)

Agim MORINA - PËRDORIMI DEONTIK I FOLJES MODALE “MAY” NË GJUHËN ANGLEZE

  (skicë për një punim më të gjerë) Përkthimet e pasakta, shtjellimet e ngatërruara dhe hutuese të neneve të Kushtetutës së Kosovës në gj...