...Një nga detyrat e gjuhëtarëve
ësht të krijojnë një baraslargësi
sa më të përshtatshme për të gjithë
shqiptarët kundrejt kësaj gjuhe standarde.
Dhe pikërisht Shqipëria e Mesme,
aty ku po takohen gegërishtja e toskërishtja,
në Tiranë, aty ku po ndodh përzierja
e madhe e të gjithë folësve shqiptarë,
duhet me u marrë si model...
Sido që të nisë nji debat rreth gjuhës, ajo përmban nji dozë gatishmënie për të marrë nji anë dhe për ta mbrojtë atë me një zell të pangjashëm. Si duket çashtjet e gjuhës kanë qenë dhe mbeten çashtje që vazhdimisht shoqnohen me debate të zjarrta. A po na ndodh kjo veç neve apo kjo asht një gja e zakonshme edhe në botë?
E vërteta ësht që debatet rreth gjuhës kudo dhe gjithmonë kanë një flakë brenda. Diku janë më të zjarrta, diku më pak, por debate rreth gjuhës ka pasë, ka dhe do të ketë gjithmonë. Gjuha, duke qenë një nga ato veçantitë tona më të thella njerëzore, në të njëjtën kohë ësht edhe një veçori ndër më enigmatiket. Ësht paradoksale apo jo? E përdorim çdo ditë, ësht pjesë e jona, ndërsa e njohim aq pak. Në të vërtetë, studimi i gjuhës ësht i një rëndësie parësore, jo vetëm për ta njohë gjuhën si të tillë por, me thënë me gjuhën e Chomskyt, ësht dritarja e vetme që mundet me na mundësu një depërtim, një kundrim në mendjen tonë. Dhe kjo ësht arsyeja pse studimi i gjuhës ësht shum i rëndësishëm. Ësht e vetmja mënyrë që t'i zbulojmë fshehtësitë e natyrës tonë njerëzore. Sidoqoftë, derisa debatet rreth gjuhës mbeten debate vetëm rreth gjuhës dhe jo debate fyese e denigruese, sado të zjarrta qofshin, ato do të jenë të dobishme.
Ka pasë dhe ka edhe sot, fjala vjen, debate rreth anglishtes. Gramatikanë parashkrues të shekujve të kaluar kanë kërku që anglishtja me u mësu e m'iu afru sa ësht e mundur sistemit gramatikor të latinishtes, sepse mendohej se gramatika e latinishtes ishte gramatikë e përsosur. Dikur u kuptu se ky ishte një keqkuptim i madh dhe dalëngadalë u hoq dorë nga kjo qasje. Një nga debatet që u zgjidh këtyre ditëve në anglishte ka qenë debati për paskajoren e ndarë. Ësht një nga mbetjet e fundit të atij keqkuptimi të vjetër se kinse paskajorja nuk do të duhej me u përdorë e ndarë, duke qenë se latinishtja nuk e ndan paskajoren e vet. Këto ditë kjo paskajore u pranu tashmë si një trajtë e anglishtes standarde. Me këtë merr fund përpjekja që ishte vënë në të kaluarën për imitimin e latinishtes. Në të vërtetë, paskajorja e ndarë ësht një nga veçoritë tipike të anglishtes, pikërisht aty ku anglishtja ësht anglishte e mirëfilltë.
Por debati që ka histori të gjatë e shum interesante ësht debati, jo për standardin, por për standardet e norvegjishtes. Ka më shum se një shekull që nuk pushojnë debatet e zjarrta rreth dy gjuhëve standarde të norvegjishtes. Thuhet se në formim e sipër ësht edhe gjuha e tretë standarde. Një trajtim historik dhe sociolinguistik të këtij problemi e ka bë Haugeni, vepra e të cilit rreth kësaj problematike u bë vepër e paanashkalueshme në sociolinguistikë. Masandej, para disa vjetësh, plasi një debat në Gjermani rreth një reforme të alfabetit që u bë atje. Në Francë vazhdimisht bëhet një betejë për rujtjen e frëngjishtes nga ndikimi i anglishtes e kështu tutje. Pra, ka mënyra të ndryshme të qasjes ndaj gjuhës dhe këto qasje janë, në një mënyrë apo tjetër, shprehje e mendësisë kolektive të asaj shoqërie.
Cila asht arsyeja që ndodhin këto debate dhe nuk gjejnë zgjidhje? Çfarë mungon dhe a ka ndonji formulë për të gjetë zgjidhje më të lehta?
Disa nga arsyet munden me qenë që ligjësitë e gjuhës ende janë të panjohura dhe fakti që gjuha vazhdimisht ndryshon. Njerëzimi vërtet e ka kaplu rrugën deri në Hënë, por jo edhe deri në trurin tonë. Si duket, paradoksalisht, kjo rrugë po del se ësht edhe më e largët sesa rruga deri në Hënë. Gjuha ndjek zhvillimet dhe zhdrivillimet e shoqërisë njerëzore. Kështu, ajo ësht një pasqyrim i kësaj shoqërie. Orwelli ka thënë mirë që gjuha e sëmurë ësht simptomë e pagabueshme që tregon se një shoqëri ësht e sëmurë.
Ndër ne ka një keqkuptim rreth mënyrës së trajtimit të gjuhës tonë, që nuk shkon as me traditën tonë shekullore.
Vetë fakti që shqiptarët kanë zhvillu tri gjuhë letrare tregon mendësinë e hapur demokratike të shoqërisë shqiptare, mendësinë që lejon zhvillim në diversitet. Kjo demokraci, sado bazike, fillestare e mendësisë tradicionale ësht e papajtueshme me absolutizmin qoftë pushtetar, qoftë kulturor. Përpjekja për me instalu në këtë shoqëri mendësi diktatoriale, prandaj, ka qenë dhe mbetet një nga tragjeditë më të mëdha që ka mundë me u ndodhë shqiptarëve.
Ka, natyrisht, edhe shembuj qasjesh të çuditshme në botë. Përpjekjet e francezëve me pengu ndikimin e anglishtes janë luftë kundër mullijve të erës. Ka qenë një kohë kur pati ndodhë një ndikim shum i fortë i frëngjishtes mbi anglishten dhe anglezët nuk i shpallën luftë fjalëve të frëngjishtes, por i pranuan dhe sot rreth 30 për qind e leksikut të anglishtes përbëhet prej fjalëve të frëngjishtes. Anglishtja ësht e hapur ndaj çdo gjuhe dhe prurjet leksikore i konsideron si pasuri dhe jo si rrezik. Fjala vjen, një nga fjalët e fundit të shqipes që ka hy në anglishte ësht fjala "kosovar".
Le të kthehemi, pra, te shqipja. E dijmë që shqipja ka kalue nëpër shumë peripeci. Kujdesi institucional në të kaluemen ka mungue për shkaqe objektive, duke qenë se shqiptarët ishin nën pushtime shtetesh të ndryshme që nuk kishin kurrfarë interesimi për shqipen. Sot kemi dy shtete shqiptare ku gjuha shqipe asht gjuhë e shumicës dhe gjuhë zyrtare, kemi një mërgatë shum të madhe në botë. Çfarë po ndodh me shqipen? Ç'fat po e pret?
Shqipja, për nga situata nëpër të cilën ësht zhvillu historikisht, më së shumti ngjan me norvegjishten. Në të vërtetë, shqipja ka mujtë me i shërby si model norvegjishtes, sepse tri gjuhët letrare të shqipes janë zhvillu vijanozisht për shekuj me radhë dhe që të trija kanë mujtë me u kthy në gjuhë standarde pa asnjë problem, nëse kushtet shoqërore e politike kishin qenë të ngjashme me ato të norvegjezëve. Njërën gjuhë standarde të norvegjishtes e ka kodifiku vetëm një njeri, një gjuhëtar, i qujtur Ivar Aaseni, vetëm e vetëm me kriju një distancë nga gjuha e atëhershme standarde e cila ishte e afërt me danishten. Sidoqoftë, duke qenë se edhe ndër ne ka pasë keqkuptime rreth gjuhës, na jemi në një dyshtësi që po na ndjek si mallkim. Kjo po vjen edhe nga ngatërrimi i termave gjuhësorë, edhe nga njëmendësia e ndërlikuar politike në të cilën gjenden shqiptarët si komb. Ngatërrimi i termave lidhet me të kuptuarit dhe të përkufizuarit e standardit gjuhësor të shqipes, ndërsa copëtimi i trojeve shqiptare në shum shtete paraqet ndërlikimin e këtij procesi në nivelin politik. Mendoj se po u qartësu dallimi në mes të gjuhës standarde dhe gjuhës letrare shum keqkuptime do të kishin me u sqaru e me u zgjidhë më lehtë.
Edhe ndër ne puna ka shku aq larg sa rrethet dogmatike kulturore, qysh po shihet, nuk po e begenisin punën as të dy Akademive të dy shteteve shqiptare. Tejkalimi i kësaj mendësie ka me qenë zgjidhja e vetme për gjuhën shqipe. Por, gjendja e mërgatës ësht e rëndë. Mendoj se mërgata do të duhej me u mobilizu vetë për rujtjen e shqipes dhe traditave shqiptare. Tash që bota ësht bë fushëbetejë kulturash të ndryshme, vetëm një organizim i mirëfilltë, planifikim i duhur dhe qëndrim këmbëngulës mundet me shpëtu mërgatën nga asimilimi i plotë. Natyrisht, nuk kërkoj që shqiptarët të mohojnë gjuhët dhe kulturat e vendeve ku kanë mërgu, por kërkoj që të rujnë dhe të kultivojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare si një vlerë edhe për vendet ku kanë mërgu ata.
A ësht e mundur, fjala vjen, që gjithë mërgata milionëshe shqiptare nuk ka mundësi të hapë një shkollë private diku në Europën Perëdimore, duke e financu vetë? Një kolegj me profesorë shqiptarë e të huaj, me studentë që kishin jetu pranë këtyre shkollave dhe kishin mësu gjuhën shqipe, historinë dhe traditat? Besoj se ka potencial financiar, ka edhe vullnet. Por nuk ka organizim të duhur.
Duke qenë se vetë jam i mërguar e dij se nuk e kemi të lehtë, por me organizim e vullnet të mirë gjithçka mundet me u bë. Por, nëse nuk ndërmerret asgjë në këtë drejtim, mërgata jonë në brezin e dytë e të tretë nuk ka me egzistu më.
Ajo që bie në sy te shkrimet për shqipen janë një varg sintagmash: "gjuha letrare", "gjuha e unisuar letrare", "gjuha e sotme shqipe", "gjuha e unisuar letrare shqipe", "gjuha standarde shqipe"... Kjo shumësi përcaktimesh sikur krijon një hutesë te ata që e lexojnë. A asht kjo punë e qartë për vetë gjuhëtarët që i përdorin këto? Ka "gjuhë standarde" në nji anë dhe ka "gjuhë letrare" në anën tjetër: a janë e njëjta gja apo dy gjana të ndryshme? A munden me ndejtë fort mirë bashkë që të dyja këto përcaktime, pa i prishë punë e duke ndërveprue gjithnjë për me e pasunue dhe me e zgjanue gjuhën shqipe?
Thelbi ësht pikërisht këtu. Gjuha standarde në çdo gjuhë ësht artificiale. Ajo krijohet dhe dizajnohet që variantet gjuhësore të mund të reduktohen në një varient të vetëm. Në "Këshilluesin e gjuhës kroate", një grup gjuhëtarëve kroatë, e shpjegojnë mirë dallimin në mes të gjuhës standarde dhe gjuhës letrare. Ata thonë se ësht në natyrën e gjuhës standarde që ajo të ketë këto veçori: ësht kolektive, përcaktohet me rregulla që një bashkësi detyrohet me i ndjekë, ësht denotative, ngaqë synon që të jetë sa më e njëkuptimshme, ësht e imponuar ngaqë mësohet në shkollë, ësht e normuar, shquhet me formula dhe klishe gjuhësore, përjashton arkaizmat, regjionalizmat, dialektizmat, historizmat etj. dhe ka zgjedhje të kufizuar mjetesh leksikore e sintaksore.
Gjuha letrare, në anën tjetër, ësht vetëm një nga stilet funkcionale të gjuhës standarde, ësht individuale, e përdor një autor ashtu qysh i vjen më së mbari e më së lehti, konotative, ngaqë ësht e shumkuptimshme, fut në përdorim trajta jonormative, duke qenë se shkrimtari ësht i lirë, aj përdor arkaizma, regjionalizma, dialektizma, historizma dhe ka një zgjedhje të pakufizuar të mjeteve leksikore e sintaksore.
Nëse e kthejmë këtë mënyrë shqyrtimi në gjuhën shqipe e kuptojmë shum lehtë këtë. Na kemi tri gjuhë letrare që janë zhvillu e ravizu historikisht: gjuhën letrare të gegërishtes, të toskërishtes dhe të arbërishtes.
Gjuha letrare e gegërishtes nis me Buzukun dhe vazhdon me Budin, Bardhin, Bogdanin, Vaso Pashën, Ndoc Nikajn, Konstandin Kristoforidhin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Migjenin, Haki Stërmillin, Vinçenc Prennushin, Ernest Koliqin, Kapllan Resulin, Martin Camajn dhe vazhdon edhe sot me krijues të rij letrarë.
Gjuha letrare e toskërishtes nis me Perikopenë e Ungjillit e vazhdon me Nezim Frakullën, Hasan Zyko Kamberin, Muhamet Kyçykun, Vëllezërit Frashëri, Çajupin, Asdrenin, Faik Konicën, Fan Nolin, Lasgush Poradecin, Mid'hat Frashërin, Petro Markon, Sterjo Spassen, Kasem Trebeshinën, Dritëro Agollin, Jakov Xoxën, Ismail Kadarenë e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.
Gjuha letrare e arbërishtes nis me Lekë Matrëngën e vazhdon me Nikollë Filjen, Jul Varibobën, Jeronim de Radën, Françesk Santorin, Gavrill Darën të Riun, Bernard Bilotën, Zef Seremben, Vorea Ujkon, Françesk Solanon (Dushko Vetmon), Karmel Kandrevën, Zef Skiro de Maxhion e sot vazhdon me krijues të rij letrarë.
Këto tri gjuhë letrare kanë veçoritë e tyre fonetike, morfologjike e sintaksore. Por, po ta vështrojmë si tërësi, që të tria do të duhej të përbënin tri shtyllat, tri burimet e gjuhës standarde shqipe, prej të cilave kjo gjuhë standarde do të duhej të ushqehej vazhdimisht. Vështrimin më të plotë, në një vend, për këto tri gjuhë letrare e ka dhënë Martin Camaj në Gramatikën Shqipe të tij, botu me 1982.
Në anën tjetër, në historinë e gjuhës shqipe kemi pasë dy gjuhë standarde shqipe: një gjuhë standarde të elbasanishtes, themelu nga Komisia Letrare Shqipe 1916-18, e cila ka funkcionu në Shqipërinë Administrative deri në vitin 1945, në Shqipërinë Administrative dhe Irredentiste nga viti 1941-1945 dhe ka vazhdu vetëm në Shqipërinë Irredentiste deri në vitin 1968. Veçori e kësaj periudhe ësht se vërtet toskërishtja letrare mbeti e përjashtuar nga ky standard, por nuk u ndalu. Ajo vazhdoi të përdoret në letërsinë e në shtypin e kohës.
Me 1945 ndodhi jo vetëm një përmbysje e standardit të mëparshëm të elbasanishtes, por, fatkeqsisht, edhe një ndalim i shkallëshkallshëm i gegërishtes letrare. Me 1972 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit, ku u kurorëzu kjo përmbysje dhe bazë e gjuhës standarde shqipe u vu toskërishtja. Përdorimi i gegërishtes letrare u ndalu krejtësisht.
Me rënien e regjimit enverist, në vitet nëntëdhjetë, përdorimi i gegërishtes letrare u ringjall. Tash ka shum autorë që shkrujnë në gegërishten letrare dhe kjo ësht një gjë shum e mirë. E përmbledhur shkurt, kjo ësht një pamje e gjuhës shqipe e shpjeguar në terma të sotëm sociolinguistikë. Edhe arbëreshët vazhdojnë të kultivojnë gjuhën letrare arbëreshe.
A do të thotë kjo që mbas 1972 e deri më 1991, në Shqipni (nuk kam parasysh zhvillimet në Arbëni apo në Kosovë) na kena pasë vetëm letërsi toske, vetëm media në gjuhën letrare toske?
Përmbysja e standardit të elbasanishtes shkaktoi humbje të panevojshme energjish intelektuale që ishin investu që nga viti 1916. Sado që ende nuk ishte stabilizu sa duhet, megjithatë, ajo funkciononte dhe mund të përsosej më tutje. Edhe kur u vendos si standard thuhej qartë që merrej kjo elbasanishte "me përmirësime të nevojshme" që duhej t'i bëheshin në të ardhmen. Ajo që do të duhej me u bë, fjala vjen, kish me qenë futja e rotacizmit në standardin e elbasanishtes. Ç'ësht e vërteta, nevoja për përmirësime e plotësime ësht lënë e hapur edhe për standardin e vititi 1972. Por, disa gjuhëtarë edhe sot ngulin këmbë në paprekshmërinë dhe pandryshueshmërinë e këtij standardi. Ky ësht gabim. Nuk ka standard gjuhe që të mos ketë nevojë për përmirësime të vazhdueshme. Aq më shum nëse këto ndryshime krijojnë kushte për një konvergjencë edhe më të madhe, lehtësi edhe më të madhe për të gjithë shqiptarët, për me nxënë gjuhën standarde. Këtij qëllimi i shërben futja e paskajores së mirëfilltë në standardin e sotëm.
Le të mos harrojmë që ndryshimi i bazës së gjuhës standarde shqipe nga elbasanishtja në toskërishte ndodhi pa ndonjë konsultim paraprak. Megjithatë, kjo tashmë ësht histori. Po të kishte mbetë elbasanishtja gjuhë standarde shqipe, toskërishtja letrare do të mbetej e mënjanuar dhe pa ndikimin gjithshqiptar që ka sot. Nëse ka diçka të mirë pas përmbysjes së standardit të elbasanishtes, atëherë ësht pikërisht sigurimi i një pozite shum më të fuqishme për toskërishten në këtë periudhë. Kjo, padyshim, i ka dhënë shqipes një energji të re. Por mënjanimi i gegërishtes e ka dobësu po kaq. Nëse paskajorja e mirëfilltë gjen vend në këtë standard të shqipes besoj se ajo do të kompletohet dhe në të ardhmen nuk do të ketë mundësi që të vihen në pyetje bazat e saja, ashtu qysh ka ndodhë deri tash.
E vërteta ësht që letërsia në toskërishte lulëzoi edhe mbas vitit 1945. Në kohën që letërsia në gegërishte shkoi duke u vyshkë nga ndalimet e revistave, mbyllja e shkollave, përndjekjet, arrestimet, pushkatimet e shum intelektualëve etj. Natyrisht, shkatërrimi i tmerrshëm sistematik i Shkodrës, djepit të kulturës shqipe dhe qendrës së zhvillimit të gegërishtes letrare nga ana e regjimit enverist ësht i pafalshëm. Kjo ka shkaktu dëme të mëdha, të pakompensueshme për kulturën shqipe. Keqkuptimi i madh i kësaj periudhe ishte që gjuha letrare u identifiku me gjuhën standarde.
"....GJUHA E SOTME SHQIPE KA VULËN E ENVER HOXHËS." VËRTET?
Ka pasë debate për rishikim të standardit, madje dhe nji organizim në nji Këshill Ndërakademik për gjuhën, por asnji veprim konkret deri më tani. Mendoni se kjo vjen nga ngurtësia e qëndrimit të disa gjuhëtarëve, sigurisht të rritun, edukuem, që kanë studiue në kohën e komunizmit, gjuhëtarë që duhet thanë sot drejtojnë institucionet kyçe të Tiranës ku merren vendime për toskënishten?
Debati për rishikimin e standardit ka veçori të një vazhdimi të këtij keqkuptimi ndërmjet gjuhës standarde dhe gjuhëve letrare. Kjo po shkakton përplasje dhe debat shpesh të panevojshëm. Një grup gjuhëtarësh të kohës së diktaturës staliniste, kërkesën për ndryshimet e domosdoshme të gjuhës standarde shqipe, po e përjeton si rrezikim të statusit të toskërishtes. Ësht e vërtetë që toskërishtja ësht vënë në bazë të këtij standardi, por reagimi nga një grup gjuhëtarësh toskë që kjo gjuhë standarde me mbetë e paprekshme ësht i pakuptimtë. Ësht pohu tashmë edhe nga studiuesja amerikane, Janet Byroni, që dialekti jugor i shqipes u imponu nga regjimi enverist edhe për faktin që udhëheqësit politikë të shtetit shqiptar pas vitit 1945 ishin kryesisht jugorë.
Por, në çastin që gjuha standarde shqipe ka marrë toskërishten letrare si bazë, ajo ka nisë edhe distancimin nga kjo gjuhë letrare, për me u vënë në shërbim të të gjithë shqiptarëve. Distancimi i gjuhës standarde nga toskërishtja letrare mundëson afrimin me gegërishten letrare dhe me arbërishten letrare. Vetëm kështu plotkuptimësohet funkcioni dhe statusi i saj si gjuhë standarde.
Mendoj se pikërisht këtu qëndron keqkuptimi i 20 intelektualëve, që të gjithë toskë, përveç një mirditori enverist, të cilët iu drejtuan kryeministrit të Shqipërisë (e jo edhe të Kosovës) me një letër të hapur në vitin 2014. Në gjithë letrën ata e identifikonin gjuhën letrare toske me gjuhën standarde shqipe. Dhe ky fakt ësht shum domethënës. Megjithëse shumica e nënshkruesve të letrës janë gjuhëtarë, autorë librash për mësimin e "gjuhës standarde shqipe", në letrën e tyre ata nuk e përmendin qoftë edhe një herë të vetme sintagmën "gjuhë standarde shqipe". A ësht rastësi kjo? Si u bë që autorët e librave për mësimin e "gjuhës standarde shqipe" të "harrojnë" këtë fakt? Nëpër gjithë letrën të njëzetit e letrës përmendin vetëm "gjuhën letrare", "gjuhën e njësuar" por jo edhe "gjuhën standarde shqipe".
E vërteta është që asnjëri nga akademikët shqiptarë në Këshillin Ndërkademik nuk po kërkon ndryshim apo ndërhyrje në gjuhën letrare toske, për të cilën vetëdijshëm apo pavetëdijshëm i ankohen kryeministrit këta intelektualë. Në gjuhën standarde shqipe duhet të bëhen vazhdimisht ndërhyrje, përmirësime, plotësime dhe punë të ndërgjegjshme nga të gjithë gjuhëtarët shqiptarë.
Gjuha standarde shqipe duhet me pasë një këshill të përhershëm i cili do të kujdesej për të, sepse ajo nuk ësht pronë e asnjë grupi të veçantë toskë, gegë apo arbëresh, as e Jugut, as e Veriut, as e Partisë së Punës, as e asnjë partie apo grupi të veçantë. Gjuha standarde shqipe ësht e të gjithë shqiptarëve, duke qenë se ësht projekt politik i përbashkët dhe pjesëmarrja e të gjithë ekspertëve shqiptarëve aty ësht e domosdoshme.
Keqkuptimi ka shku aq larg sa këta gjuhëtarë të epokës staliniste me fushatën e ndërkryer kundër anëtarëve të Këshillit Ndërakademik – që të gjithë studiues, gjuhëtarë dhe profesorë të shqipes – thanë se këta po e "shkatërronin gjuhën shqipe", se këta qenkëshin edhe "jeniçerë"! Kush e thoshte këtë? Njeriu që kishte pohu se gjuha standarde mbante "vulën e Enver Hoxhës"! Ata e qujnë të pavlefshëm dhe jokompetent këtë Këshill Ndërakademik që përbëhet nga gjuhëtarët më të mirë shqiptarë sot, ndërsa vetë marrin kompetencën që të propozojnë ndryshime pa asnjë ngurrim, duke botu edhe fjalorë drejtshkrimorë! Pra, kjo e shpjegon më mirë gjendjen e mjerë në të cilën gjendet trajtimi i gjuhës standarde shqipe sot dhe hutesa rreth asaj se çfarë ësht gjuhë standarde e çfarë ësht gjuhë letrare dhe kush ka e kush nuk ka kompetenca për ndryshime e plotësime.
Pse ndodh kjo?
Nëse e shikoni me kujdes, të gjitha ndryshimet që janë bë në Shqipërinë Administrative kanë ardhë si rezultat i presionit nga jashtë, i përshtatjes me rrethanat e reja në mjedisin politik. Fjala vjen, reforma politike nga sistemi politik socialist në atë kapitalist, reforma ekonomike nga ekonomia e centralizuar në ekonomi të tregut të lirë, nuk quhen kthim mbrapa në sistemin në të cilin kishte qenë Shqipëria para vitit 1945, por quhen zhvillim përpara. Vetëm reformat kulturore quhen "kthim mbrapa". Kjo vjen ngaqë ana politike dhe ekonomike kishin dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me faktorin ndërkombtar dhe presioni për t'u përshtatë erdhi prej atje. Në anën kulturore ky presion duhet me ardhë nga brenda, prej vetë shqiptarëve. Asnjë plan politik enverist, asnjë plan ekonomik stalinist nuk mundet me u paraqitë sot si një plan i vlefshëm e serioz, për arsyen e thjeshtë se nuk ësht funkcional. Nëse ësht kështu, kjo do të duhej me vlejtë edhe për planet kulturore që kërkonin krijimin e "njeriut të ri". E vërteta ësht që "njeriu i ri" u kriju në kohën e regjimit enverist, por "njeriu i ri", të cilit, sapo iu paraqit mundësia e parë, iku prej Shqipërisë për me u bë "njeri i vjetër".
Më duhet, pra, me u pajtu me një pjesë të pyetjes tuaj që përmban edhe përgjegjen për këtë gjendje: grupe me mendësi diktatoriale, bartës të "vulave të Enverit", po bëhen pengesë që po i ngadalësojnë reformat edhe në fushën kulturore shqipe. Kjo dëshmohet shum mirë në atë letrën që 20 intelektualët ia drejtuan kryeministrit. Të njëzetit e letrës thonë:
"Ndërhyrjet në të [sipas tyre, "në gjuhën e njësuar letrare"] jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti "të diturish", por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë."
Pra, këta bartës të "vulës" së Enver Hoxhës në letrën drejtu kryeministrit të Shqipërisë (por jo edhe të Kosovës) pohojnë:
a) "ndërhyrjet nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti 'të diturish'",
b) "duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike"
Profesorët dhe shkencëtarët e dy Akademive Shkencore të Shqipërisë e të Kosovës quhen "një grusht "të diturish" (përgatitja e tyre shkencore vihet në pyetje dhe futet brenda thojzash), e në anën tjetër kërkohet që shqipja duhet me qenë "pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike". Kur lexohet kjo shtrohet pyetja e logjikshme: "A janë dy Akademitë Shkencore institucione publike apo jo?" Apo më publike janë grupet që mblidhen për të nënshkru një apel kryeministrit të Shqipërisë, (por jo edhe të Kosovës)?
Kur flasim për rishikim të standardit, a mund të thomi që pjesën ma të madhe të punës e ka ba Komisia Letrare 1916-1918, pra a mund të mbështeten sot gjuhëtarët te vendimet e asaj kohe, sigurisht duke u përshtatë me ndryshime që i ka diktue koha?
Komisia Letrare Shqipe i ka vendosë bazat kryesore mbi të cilat ësht ndërtu gjuha standarde shqipe. Ndihmesa e kësaj Komisie ësht shum e madhe. Në përbërjen e vet Komisia ka pasë përfaqësues të balancuar nga të dyja kryedialektet e shqipes. Kryetari i Komisisë ka qenë toskë (Dr. Gjergj Pekmezi). Kjo imponoi që gjatë kërkimit të zgjidhjeve dhe vendosjes së rregullave të merreshin parasysh edhe gegërishtja, edhe toskërishtja. Si bazë, me propozimin e Luigj Gurakuqit e me pajtimin e të gjithë anëtarëve, u vendos të merrej elbasanishtja. Një gjuhëtar i huaj, Rajko Nahtigali, u ftu që të bënte hulumtimin dhe vlerësimin e këtij vendimi. Në pranverë e vitit 1917 aj erdhi në Shqipëri dhe shkroi një raport për këtë çështje. Mbështetës i kësaj ideje ishte edhe albanologu austriak, Maximilian Lambertzi, anëtar i Komisisë Letrare. Një gjuhëtar vendas, pikërisht nga Elbasani, Aleksandër Xhuvani, u ftu nga Komisia dhe iu dha detyra që të përgatiste tekstet për mësimin e elbasanishtes.
Gjuhëtarët e sotëm, natyrisht, mbështeten në vendimet e Komisisë Letrare Shqipe, sepse vendimet kryesore të kësaj Komisie ishin shum vizionare. Na edhe sot shkrujmë duke ndjekë shum rregulla të vendosura nga kjo Komisi. Por, nuk bëhet fjalë më për zbatimin pikë për pikë të atyre vendimeve, sepse mbi ato vendime u kriju standardi i elbasanishtes, i cili u destandardizu me 1945.
Elbasanishtja tash asht vetëm një fakt historik. Por, ajo që kish mujtë me u bë sot ësht që gegërishtja letrare me e marrë si bazë, si pikënisje, elbasanishten. Pra, shkrimtarët gegë me vendosë disa rregulla unifikuese duke u bazu në elbasanishte. Mirë kish me qenë që edhe në këtë gegërishte letrare me u futë në përdorim pjesorja e shkurtë. Kjo kish me kriju një afrim me gjuhën standarde shqipe, për të cilën fola.
E fill mbas kësaj vjen pyetja për kontributin që ka dhanë Aleksandër Xhuvani tue hartue rregullat e shqipes, mbi të folmen e Elbasanit, siç mori vendim dhe Komisia; a mundet që tekstshkruesit e gjuhës shqipe për tana nivelet shkollore me u mbështetë të kjo vepër?
Profesor Aleksandër Xhuvani gjysën e jetës ia kushtoi stabilizimit dhe mësimit të elbasanishtes duke përgatitë kuadra mësuesish dhe tekste mësimore për këtë qëllim nga viti 1919 e deri me 1945, dmth. për gati tridhjetë vite aj punoi me zell e përkushtim për këtë qëllim. Në këtë kohë Shqipëria kaloi nëpër kriza të mëdha politike e shoqërore të cilat pamundësuan një thellim të këtyre studimeve. Gjuha standarde e elbasanishtes u bë gjuhë e oborrit mbretëror të Ahmet Zogut, e administratës së asaj kohe, e ushtrisë dhe e shkollës.
Në vitin 1940 u themelu Instituti i Studimeve Shqiptare, i cili kishte projekte më konkrete dhe një nga më të rëndësishmet ishte hartimi i fjalorit të gjuhës shqipe, për të cilin punoi Mustafa Kruja. Qysh e pohon edhe vetë në kumtesën e tij, z. Kruja e kishte një version të fjalorit me standard të elbasanishtes. Por aj planifikonte që duke u bazu në këtë fjalor të hartohej një fjalor tjetër i mirëfilltë shkencor. As jeta e këtij instituti nuk ishte e gjatë, ngaqë sapo mbaroi LDB, aj u mbyll. Projekti i fjalorit të Mustafa Krujës mbeti i papërfunduar. Ndërsa nga viti 1945 gjuha standarde e elbasanishtes u përmbys. Nisi një epokë e re me toskërishten si gjuhë standarde.
Tekstet shkollore të asaj kohe janë të tejkaluara dhe nuk munden me u përdorë më. Duhen me u hartu tekste të reja. Por, megjithatë, ndihmesa e Xhuvanit ësht e madhe dhe gjendet e shpërndarë në çdo gramatikë të sotme të shqipes. Fjala vjen, shum pjesë të ligjëratës që përdorim sot janë emërtu nga profesor Xhuvani.
Deri tash pyetjet i kam ba e mbështetun në shpresën se ka me u ba diçka për gjuhën shqipe, ndërkohë që nuk di nëse ekziston ndonji institucion apo a asht shprehë ndonji vullnet nga gjuhëtarët vendimmarrës, se ‘po’, duhet me u ulë e me plotësue shqipen me veçori për të cilat ka nevojë?
Krijimi i Këshillit Ndërakademik ësht një hap drejt gjetjes së zgjidhjeve të reja dhe të nevojshme. Mundem me thënë se ky hapi më i mirë deri sot në këtë drejtim. Shumica e gjuhëtarëve shqiptarë, qysh u tregu, janë për reforma e plotësime. Një grusht dogmatësh janë të zhurmshëm, por nuk besoj se kanë me pasë mundësi me ndalë procesin e domosdoshëm të reformave e të plotësimeve të gjuhës standarde. Ishin ata që deri dje thoshin se "gjuha e njësuar letrare" ka "vulën e Enver Hoxhës" dhe tani përpiqen të manipulojnë me opinionin publik duke hedhë akuza tejet të pamatura kundër kolegëve e tyre gjuhëtarë, duke thënë se çfarëdo ndryshimi në standardin e sotëm ësht "shkatërrim". Kjo lë të kuptohet se gjuha standarde shqipe duhet të mbetet e pandryshuar, ashtu qysh u vendos me 1972, me gjithë shkamjet, inkonsekuencat dhe gabimet në shum pika të vendimeve.
Nëse as gjuhëtarët e dy Akademive të Arteve dhe të Shkencave nuk mund të vendosin për ndryshime, atëherë kush mund ta bëjë këtë? Kush mundet me pasë kompetenca profesionale? Grupe që formohen duke mbledhë me 20 nënshkrime intelektualësh?
TË KRIJOHET NJË BARASLARGËSI KUNDREJT GJUHËS STANDARDE SHQIPE
Asht qesharake me mendue që sot në 2017, pavarësisht hapjes ndaj shumë lirive, gjuha shqipe, duket se ka mbetë monopol i pak njerëzve, gjuhëtarë apo jo, të cilët shumë zanave për rikthim të paskajores i përgjigjen ma shumë me argumente që mbajnë ma shumë erë politikë, ku duket qartë partizanllëku i tyne për toskënishten e ’72-shit?
Kthehemi te thelbi i çështjes, te terminologjia. Nëse kuptohet drejt dallimi që egziston ndërmjet gjuhës standarde dhe gjuhës letrare, realisht nuk do të duhej me pasë asnjë problem. Problemi ësht që gjuha e sotme standarde identifikohet me gjuhën letrare të toskërishtes dhe çfarëdo ndërhyrje përjetohet si ndërhyrje në toskërishten. Këtë e dëshmon edhe reagimi i atyre 20 intelektualëve toskë. Nga kjo pikë e kuptoj brengën dhe drojën e ndonjë gjuhëtari e të ndonjë letrari toskë. Por, sapo të sqarohet kjo pikë, besoj se gjithçka bëhet e qartë. Gjuha letrare e toskërishtes nuk duhet, as nuk mund të preket. Sa të ketë shkrimtarë toskë, krijimtari letrare toske, do të ketë gjuhë letrare të toskërishtes. Por gjuha standarde duhet me u trajtu si diçka tjetër, si gjuhë e të gjithë shqiptarëve, si një kontratë gjuhësore e të gjithëve. Nëse që të gjithë jemi pronarë të kësaj gjuhe, atëherë do të duhej me pasë edhe të drejta të njëjta mbi këtë gjuhë. Një nga detyrat e gjuhëtarëve ësht të krijojnë një baraslargësi sa më të përshtatshme për të gjithë shqiptarët kundrejt kësaj gjuhe standarde. Dhe pikërisht Shqipëria e Mesme, aty ku po takohen gegërishtja e toskërishtja, në Tiranë, aty ku po ndodh përzierja e madhe e të gjithë folësve shqiptarë, duhet me u marrë si model.
Kur Komisia Letrare Shqipe 1916-1918 bëri punën e vet dhe vendosi elbasanishten si standard, nuk tha se kjo gjuhë standarde nuk mund të preket më. Përkundrazi, tha se duhen me u bë "përmirësime të nevojshme". Nëse e shikojmë nga ky kënd, përmirësimi i vetëm kryesor i elbasanishtes, nga këndi i toskërishtes, do të duhej të kishte qenë futja e rotacizmit në atë standard. Kjo, për fat të keq, nuk ndodhi atëherë. Ndodhi në rrethana të reja, me 1945, kur erdhi në pushtet regjimi enverist. Nuk u bënë "përmirësimet e nevojshme", por elbasanishtja u përmbys e tëra, u mohu si mos me pasë qenë kurrë. Mirëpo, ndodhi kompensimi i asaj veçorie që mungoi në vendimet e Komisisë Letrare Shqipe dhe trajta me rotacizëm u standardizu. Por pasojat e kësaj përmbysjeje nuk kishin me qenë fare të dëmshme, bile do të ishin shum të dobishme, sikur bashkë me këtë të mos mohohej edhe prania e paskajores në standardin e ri. Mosprania e paskajores në këtë standard krijoi vetëm në situatë të përmbysur dhe ishte njësoj sikurse mosprania e rotacizmit në standardin e vjetër, e cila prishi balancën dhe e bëri të pamundur konvergjencën e suksesshme të të dyja kryedialekteve në një gjuhë standarde dhe krijimin e një baraslargësie në mes të folësve gegë e toskë kundrejt një standardi të përbashkët të shqipes.
Si mundet pra me u rikthye kjo paskajore në formën ma të mirë e ma shpejt të asimilueshme nga të gjithë? A mundet që media me dhanë kontributin e saj në përhapjen e përdorimit të kësaj paskajoreje, edhe pse ajo kritikohet shumë për mosrespektimin edhe të standardit në të shkruem?
Duhemi me pranu një fakt që, me gjithë ngjyrat ideologjike e krahinoriste që i janë mveshë vendimeve për gjuhën shqipe në kohë të ndryshme, sidomos mbas vitit 1945, ka egzistu edhe një pamundësi praktike për me sjellë vendime të drejta në këtë vijë. Në kohën e Komisisë Letrare Shqipe ka qenë e paimagjinueshme me paramendu një gjuhëtar që kish me mundë me dalë e me propozu që në elbasanishte të inkorporohet rotacizmi. Thjesht, njëmendësia gjuhësore nuk mundësonte një vështrim të këtillë të problemit dhe si pasojë edhe vetë gjuhëtarët nuk mund të imagjinonin një propozim të tillë. Po kështu, as në vitin 1972 – e për disa edhe sot e kësaj dite - nuk mund të imagjinohet se si mund të inkorporohet paskajorja e mirëfilltë në standardin me bazë të toskërishtes. Për këtë arsye edhe nuk ka pasë asnjëherë një propozim konkret se si t'i jepej një zgjidhje këtij problemi. Pra, kishte vazhdimisht ankesa, por s'kishte propozime konkrete për zgjidhje të mirë e përfundimtare. Argumenti se shqipja standarde nuk mun me pasë në sistemin e saj foljor dy pjesore – edhe "punue", edhe "punuar" - qëndron. Gjuha nuk duron trajta të këtilla të dyfishta dhe gjithmonë përpiqet t'i heqë ose t'i rrudhë në minimun.
Një zgjidhje e mundshme, të cilën ka më shum se dhjetë vjet që po e propozoj, ësht që të futet në standard trajta e shkurtë e pjesores "punu". Në këtë përfundim kam ardhë gjatë qëndrimit tem në Tiranë në vitin 1996. Aty jam bindë se kjo trajtë, në të folur, ka një përdorim të dendur edhe nga toskët që jetonin një kohë më të gjatë në Tiranë.
Kjo tregon se Tirana ishte bë tashme një kazan gjuhësor, i cili do të duhej të merret si model i zhvillimi të këtyre veçorive. Me futjen në përdorim të kësaj trajte të pjesores mendoj se krijohet mjedisi i nevojshëm gjuhësor për futjen në përdorim të paskajores së mirëfilltë ("me punu"), pa kriju konflikt në sistemin e përgjithshëm foljor të shqipes. Trajta e saj shfaqet si trajtë neutrale kundrejt trajtës gege "punue" dhe asaj toske "punuar". Ësht më e thjeshtë dhe më ekonomike. Me futjen e kësaj paskajoreje shqipes i shtohen mundësitë shprehëse, gegëve u zvogëlohet distanca nga standardi i sotëm i shqipes dhe toskët, nëse këtë nuk e ndiejnë të nevojshme, mund të mos e përdorin dhe të vazhdojnë me përdorimin vetëm të trajtave të lidhores.
Edhe nji pyetje që, në fakt, s’duhej ta kisha mendue me e ba, por ja që më ngacmon nji gja: ju si gjuhëtar nga Kosova a e keni ndje nji shpërfillje deri në pakënaqësi nga gjuhëtarët e toskënishtes për propozimet tueja apo të kolegëve tuej, qoftë kosovarë apo ata arbëreshë?
Ka vite që nëpërmjet intervistash e shkrimesh jam përpjekë me e vendosë një vijë të debatit duke paraqitë propozimet e mia. Nuk kam pasë ndonjë kundërpërgjegje të argumentuar. Në fillim, kur kam dalë më këto ide e propozime, kam pasë kundërshti të ashpra edhe në rrethin e miqve dhe kolegëve të mi, të cilët tash, për fat të mirë, kanë nisë me kuptu e me i pranu këto propozime. Disa me mirënjohje e disa me heshtje. Çdo ditë e më shum ka njerëz që më shkrujnë se propozimi për pjesoren e shkurtë vërtet ësht zgjidhje e mirë dhe kanë nisë edhe me shkru duke përdorë këtë pjesore. E dij se, për me u përhapë ky propozim e me nisë me u përdorë prej shumicës, ka me marrë kohë, ngaqë derisa me miqtë e mi kam pasë mundësi me debatu e me u argumentu gjërë e gjatë, me të tjerë nuk kam pasë mundësi me bë këtë. Por shpresoj që në të ardhmen kam me dalë me diçka më konkrete në këtë drejtim.
Për me qenë krejt i çiltër, më duhet me thënë që e vetmja gjë që më bën të ndihem pakëz i zhgënjyer ësht fakti që asnjë gjuhëtar toskë nuk ka dalë haptas në mbrojtje të gegërishtes letrare, ashtu qysh doli në mbrojtje të toskërishtes letrare Selman Riza, në vitin 1936, kur disa intelektualë gegë kishin nisë me u ndi jo mirë pse, me gjithë standardin egzistues të elbasanishtes, toskët vazhdonin me shkru toskërisht. Edhe në atë kohë kërkohej, thjesht, ndalimi i toskërishtes letrare dhe përdorimi i saj shihej si një provokim dhe përçarje e kombit. Ashtu qysh shihet sot nga disa toskë përdorimi i gegërishtes letrare. Selman Riza e shkroi artikullin e tij "Shqiponja dhe shqipja", në një toskërishte të kulluar, duke argumentu se toskërishtja duhej të shkruhej e të kultivohej, ngaqë ajo paraqiste pasuri për shqipen dhe ishte krahu tjetër i shqipes, ashtu sikurse koka tjetër e shqiponjës në flamurin tonë. Ky artikull dhe këto qëndrime ku Selman Riza i doli në mbrojtje toskërishtes, më vonë, nga disa gjuhëtarë stalinistë, sidomos nga Androkli Kostallari, u përdorën kundër Selman Rizës, për shkak se aj kinse paskësh qenë për ndarje dhe jo për bashkim të shqiptarëve. Ky veprim mbetet një nga shpifjet më të turpshme që ka ndodhë në historinë e albanologjisë.
Pse mendoni se deri sot nuk asht marrë në shqyrtim pjesorja e shkurtë nga studiuesit e shqipes dhe në ç'mënyrë pjesorja që e propozoni ju përshtatet në sistemin foljor? A mundeni me na dhanë disa hollësi?
Sipas albanologes ruse Desnickaya, pjesorja e shkurtë ka nisë me u zhvillu si dukuni në Elbasan. Mendoj se kjo nuk ësht e rastësishme, sepse në këtë qytet dhe rrethinat e saj ka ndodhë takimi i gegërishtes me toskërishten. Dhe shkurtimi ka ardhë edhe si pasojë e përpjekjes për me u përshtatë, për me u unifiku si pjesore për të dyja kryedialektet, për me u paraqitë si një trajtë neutrale. Mbas pushtimit otoman Elbasani ka pasë një zhvillim të madh ekonomik dhe u kthy në një qendër të rëndësishme kulturore. Kjo gjë po vjen duke u dëshmu gjithnjë e më shum edhe sot.
Tashti, problemi më i madh i gramatikave të shqipes, që nga i pari, me 1710, e deri sot, ka qenë dhe ka mbetë klasifikimi në mënyrë jo të kënaqshëm i foljeve të gjuhës shqipe në zgjedhime. Ky problem nuk ësht zgjidhë deri sot, megjithëse janë bë shum përpjekje nga të gjithë studiuesit e gramatikës së shqipes. Jam marrë me këtë problematikë disa vite, kam studiu punën e shumicës së gramatikanëve dhe duke shqyrtu punën e tyre kam arrijtë në një përfundim që, ndoshta, paraqet një zgjidhje të këtij problemi. Gjatë kësaj pune kam vënë re që të gjithë gramatikanët e shqipes, në lidhje me këtë problem, munden me u nda në dy lagje të mëdha: në ata që marrin për bazë mbaresën e foljeve (fjala vjen "puno-j") dhe në ata që ndajnë një prapashtesë (fjala vjen "pun-oj").
E mora si shembull këtë klasë të foljeve sepse kjo klasë përbën më shum se pesëdhjetë për qind të numrit të përgjithshëm të foljeve të gjuhës shqipe. Megjithëse kjo ndarje nuk duket e një rëndësie të veçantë, kur bëhet një shqyrtim i thellë atëherë kuptohet se pikërisht këtu zë fill gjithë problemi: te kriteri i qartë se ku do të bëhet kjo ndarje. Përfaqësues të lagjes së parë (ata që për kriter kanë marrë mbaresën –oj), janë F. da Lecce, S. Frashëri, K. Kristoforidhi, A. Xhuvani, Cordignianoja, Kostallari, Newmarku etj. dhe përfaqësues të lagjes së dytë (ata që për kriter kanë marrë prapashtesën –j), janë G. von Hahni, De Rada, I. D. Sheperi, Manni, S. Riza, Sh. Demiraj, M. Camaj, W. Fiedleri etj. Sipas meje, përfaqësuesit e lagjes së parë, pra, ata që e marrin si kriter prapashtesën –oj, kanë kritere më të qëndrueshme e më të kënaqshme. Por, zgjidhja e kësaj faze të parë, ka qenë një vështirësi që ësht tejkalu pa shum probleme. Një tjetër problem që e ka vështirësu dhe e ka pamundësu zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi ka qenë paqartësia e kritereve për ndarjen e foljeve në folje të rregullta dhe të parregullta. Bile mundem me thënë se ky ka qenë edhe shkaku pse asnjë zgjidhje deri sot nuk ka qenë e kënaqshme.
Ju po thoni që mungesa e kritereve të qarta për ndarjen e foljeve në të rregullta e të parregullta ka shkaktu hutesë te gramatikëhartuesit e deritashëm. A mundeni me na dhanë një sqarim ma të hollë për këtë problem të foljeve të parregullta?
Nga të gjithë gramatikanët e shqipes ka pasë mospajtime edhe rreth klasifikimit të foljeve të rregullta, por këto mospajtime, megjithatë, nuk kanë shku shum larg. Klasat e mëdha të foljeve janë identifiku mjaft lehtë. Fjala vjen, klasa me –oj (punoj), -ej (shërbej) etj. Në bazë të kësaj unë i kam nda gramatikanët në dy lagje. Por, kur vjen fjala te kriteret e klasifikimit të foljeve të parregullta, në specifikimin se cilat janë folje të parregullta e cilat jo, më duket se nuk gjenden dy gramatikanë të shqipes që pajtohen në këtë pikë. Që të gjithë kanë kritere të ndryshme. Dikush njeh 10, dikush 11, një tjetër 17, 23, 56 folje të parregullta në gjuhën shqipe. Megjithëse numri i foljeve të parregullta nuk ësht i madh, problemi që ka shkaktu klasifikimi i tyre ësht aq i madh sa ka bë që deri sot të mos ketë një zgjidhje të kënaqshme të klasifikimi të foljeve shqipe në zgjedhime.
Le të renditim disa autorë që specifikojnë numrin e foljeve të parregullta shqipe në gramatikat e tyre: Giacomo Jungu (1881) njeh 38 folje, Sami Frashëri (1886) 56 folje, Pashko Vasa (1887) 11 folje, Sevasti Qirias Dako (1916) 50 folje, Koço Tasi (1923) 26 folje, Margaret Haslucku (1932) 10 folje, Shaban Demiraj (1976) 17 folje, Rami Memushaj asnjë folje. Qysh shihet vetëm nga këta pak autorë, specifikimi i foljeve të parregullta paraqet një laramani të papajtueshme: nga autorët që nuk njohin asnjë folje të parregullt, në ata që veçojnë 50 e kusur të tilla. Vetëm kjo tregon se sa i vështirë e i ndërlikuar ësht problemi i foljeve të parregullta shqipe.
Gjithë ky problem paraqitet kaq i vështirë për arsyen e thjeshtë ngaqë kriteret që janë marrë parasysh nga secili gramatikan për këto klasifikime janë nga më të ndryshmet. Dikujt mundet me iu dukë që numri prej 56 foljesh të parregullta i Sami Frashërit ësht tepër i madh, por, si duket, pikërisht Samiu ka qenë mjaft afër zgjidhjes së problemit. Këtu ka shkëlqy edhe një herë mendja e jashtëzakonshme e tij, sepse në kushtet kur ka punu aj, pa fjalorë të shqipes, pa gramatika të shqipes, pa një pasqyrë të qartë të numrit të përgjithshëm të foljeve me ardhë në përfundime kaq të sakta ësht një arritje e jashtëzakonshme që vetëm një Sami ka mundë me bë. Fatkeqësisht, megjithëse i asht afru mjaft, as aj s'ka arrijtë me dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Kriteret që unë kam marrë parasysh, një shekull e kusur mbas Samiut, janë të thjeshta:
a) për klasifikimin e foljeve të rregullta do të merren trajta e tashmores dhe thjeshtores së foljeve në mënyrën dëftore dhe
b) për klasifikimin e foljeve të parregullta do të merren trajta e thjeshtores së foljeve në mënyrën dëftore dhe trajta e pjesores.
Sipas këtij klasifikimi dalin rreth 66 folje të parregullta në gjuhën shqipe. Vërtet numri i foljeve të parregullta duket më i madh, por kjo zgjidhje garanton një stabilitet të klasifikimit të foljeve në zgjedhime me kritere të qarta. E paraqita në mënyrën sa më të përmbledhur që ësht e mundur një problem të pazgjidhur për tre shekuj e kusur të shqipes. Por, në ndonjë rast tjetër, kam me i paraqitë të gjitha këto në mënyrë më të përimtësuar.
Duke qenë se jemi në këtë temë më duhet me shtu që as klasifikimi i emrave dhe mbiemrave nuk ka pasë një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare, kështu që ka mjaft punë edhe në këtë drejtim.
Pse ka randësi gjithë ky shqyrtim i klasifikimeve të klasave të fjalëve të shqipes? A mos është ky një debat profesional që nuk do të duhej me pasë ndonjë efekt te ata që nuk kanë ndonjë njohje të gramatikës?
Le ta shohim nga ky këndvështrim: debati i biologëve rreth përbërjes së qelizës ësht debat të cilin pak njerëz joprofesionistë mund ta kuptojnë. Por, përfundimet që dalin nga këto debate paraqesin çelësin e zgjidhjes për gjetjen e barnave efektive për sëmundje të ndryshme. Kështu që debati për klasifikimin e foljeve në zgjedhime, të emrave në lakime etj., ka efektin e vet për zgjidhjen e problemeve të gjuhës standarde shqipe, për përpilimin e gramatikave më të thjeshta dhe, si rezultat, edhe për nxënien e gjuhës shqipe në mënyrë më të kënaqshme. Pra, njerëzit që nuk janë profesionistë të kësaj fushe, mund të mos kuptojnë debatin, por janë pikërisht ata që do të kenë më të lehtë të mësojnë gramatikë e shqipes, janë ata që do të përfitojnë më së shumti nga rezultatet e këtyre shqyrtimeve.
Klasifikimi i qartë, i kënaqshëm, efektiv mundëson që të krijohet një pasqyrë e qartë e gjendjes së sotme të shqipes dhe e drejtimit kah mund të çojnë këto zhvillime. Pavarësisht që trajtën "punu" e kam përdorë gjithë jetën në të folur, ideja e parë që kjo të përdoret edhe në të shkruar më erdhi me 1996, në Tiranë, por edhe për mua në atë kohë kjo më tingëllonte ende si një ide e marrë. Nuk hoqa dorë nga kjo ide, por nuk merrja guxim me e përdorë në të shkruar, sepse nuk kisha ndonjë arsyetim të fortë pos faktit se përdorej shum. Mbas një shqyrtimi të thellë të foljeve të shqipes e pashë qartë se kjo ishte një zgjidhje e mirë. Ata që kundërshtonin futjen e paskajores së mirëfilltë në gjuhën standarde shqipe me argumentin se kjo do të nënkuptonte përdorimin e dy pjesoreve brenda një sistemi foljor ishte argument me vend. Por, me futjen në përdorim të pjesores së shkurtë, ky argument bie në ujë. Tash, jo vetëm që nuk kemi dy pjesore, por kemi një pjesore të shkurtë, më ekonomike. Për më tepër, kështu gjendet një mes i artë, i munguar, që e pajton dhe harmonizon toskërishten me gegërishten brenda një gjuhe të vetme standarde shqipe. Për mua, kjo ësht dhe mbetet një zgjidhje ideale
Gilmana BUSHATI