Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Çdo fund ësht një fillim, çdo fillim një fund.
Për atë ndërkohëz fillimfundi vihet basti,
Lumturia kokërrizat e paskaj i shkund:
Bëhu krijues: sundues i çdo ndërmjetçasti.
Cila është frika juaj më e madhe?
Kur nuk shohim, kemi frigë dritën,
Kur shohim, druhemi prej terri,
Parajsat e përkëdheljeve na ikën
Dhe nëpër zorrë na derdhet ferri.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
E ka ndjekë Dritën, kur terri pinte gjak.
Etjen e ka shu në Urti, pak nga pak,
Tash hesht si lisi, nga ditët merr hak,
Pret lindjen duke vdekë, kohën po e plak.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ende në Belvedere ndryshku bën beteja me shekuj,
I bën rrethime përkrenares, brirëve u jep vrunduj,
Dritëzave të shpatës u shkakton uri: ua terratis sytë!
Si u bë, ky planet i dehur, nuk nxori një Burrë të dytë?
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Me u ngutë, ngutet lepuri, e ariu bën ngadalë,
Deti ësht vigan, por përkundet në djepin valë-valë…
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Jagoja jargavitet jargueshëm si çdo jargavec,
O jaran, jeta ësht pak më e largët se hunda jote spec!
Në cilat gjëra e teproni?
Janë ata që pinë e janë ata që hanë,
Dhe janë ata që muzat i kanë pranë.
Janë ata që vdesin e ata që rrojnë,
Dhe janë ata që vdekjerrojnë…
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Për tregtarin e shpirtrave gjithçka ësht mall:
Gënje, kur duhet të dëshmosh për të vërtetën në hall!
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ka udhë që kalojnë nëpër udhë, si drita nëpër dritë,
Ku etohet etja e urëtohet uria: prita bjen në pritë!
Koha bëhet hapësirë e hapësira kohë në çdo kohëhap!
Shih: paska mbetë hapkoha në një cergë libri në dollap!
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“O i idhnuem, mos u idhno!
O i gëzuem, mos u gëzo!”
(Rama jem)
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kosovë, kur ta ktheva shpinën,
Nuk e lashë verë, e gjeta veç dimën.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Asht dhè e bahet zanë,
Asht një diell i përhanë,
Herë asht babë e herë asht nanë:
Kështu po thom: kështu kanë thanë!
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Mos lëviz! Lëvizja fshehtësitë i zbulon.
Prej një ëndrre në ëndrrën tjetër rron,
Dhe askush! Askush! Asnjëherë nuk të zgjon!
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Qenka tretë krejt ajo borë mallëngjimi prej kofshësh të erës!
Paskan ardhë doruntinat me i ngjallë konstandinët e verës!
Tashmë, vetëm varret e vogla i dashurojnë varret e mëdha:
Unë varrezë e madhe! Varrezë e madhe: hata!
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Jemi vetëm unë dhe yjet: i kam numru të gjitha.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Kam taku shum të vdekur dhe i takoj përnatë:
Kërkojnë të ndryshohen vetëm titrat e këtij filmi të gjatë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ndoshta Kecalkoatlli ëndrron Amun Ranë,
E Zeusi mëzatin apo mjellmën e bardhë,
Unë në atë pemën e vockël: një dardhë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Ësht një zë që s’ndalet së thirruri me emrin që vetëm ajo ma din.
Në çdo gjithësi të re, një përmasë të re të dhembjes ma fshin.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Bruti i ndërgjegjes vret ndërgjegjen e Brutit,
Shkon e kthehet, pandalë, si hukama e hutit!
Ku do të dëshironit të jetonit?
Ësht një ishull drite, çaçkë e dëshirit,
Rrethu prej një oqeani të gjërë të trillit.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Nuk ka hije, edhe kur ka dritë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Ka hijeshi edhe kur nuk ka dritë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Në Dablin iu thyen syzet e virgjërisë,
Xhamat nëpër kalldrëm ç’na i mbetën,
Moj Irlandë, moj kuçkë,
Seç e le jashtë e eshtrat s’po i treten.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Valët e detit dhe një perandor që ndërton qytet,
Një fis në jug që mban besën dhe i besës ka mbetë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Kompozitor buzëqeshjesh? Pianist zemrash?
Ah, ndoshta vetëm kopshtar, vetëm kopshtar emrash.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Vdesim përditë. Dhe zgjohemi. Dhe vdesim.
Një botë na pret, një botë tjetër e presim.
Vdekje pas vdekjesh lindim përherë, përsëri,
Zgjedhja e mirë s’bëhet dot: o njeri!
Vdekja me ngashërime në një botë të vjetër
Ësht lindje me ngazëllime në një botë tjetër.
Cila është motoja juaj?
Perëndive merrja zjarrin!
E njerëzve – gomarin.
Gazeta Observer (2018)
https://observerkult.com/pyetesori-prustit-agim-morina/