- poeti ndërmjet idealit fetar e kombëtar dhe Atdheut
Poezia “Shqipnija po
digjet” e Ragif Mulajt (apo e Mehmet Akif Ersoyit) asht shkru me 6 mars të
vitit 1913. Disa muej ma heret, në tetor 1912, trojet shqiptare qenë pushtu nga
ushtritë e popujve të Gadishullit Ilirik, në emën të luftës kundër pushtuesit otoman.
Në çdo vend ku hynë këto ushtri nëpër trojet shqiptare banë masakra, vrasje,
djegie e shkatërrim. Një pjesë e popullsisë u shpërngul në territore
përkohësisht ma të sigurta.
Skenat e mizorive nëpër të
cilat kaluen shqiptarët tregojnë edhe artikujt raportimet e gazetarit të
atëhershëm të gazetës “Pravda”, Leon Trockit e, po ashtu, artikujt e Leo
Freundlichit. Ky pogrom i popullsisë shqiptare kaloi pa ndonjë veprim
parandalues nga shtetet e fuqishme të kohës. Një arsye për këtë ishte që
fqinjët ballkanikë (serbët, grekët e malazezët) e kishin përgatitë opinionin
publik botnor me propagandën për shqiptarët e egër, të paqytetnuem dhe të
paqytetnueshëm, pa histori e pa identitet. Sidomos kishin punu shumë në
theksimin e përkatësisë islamike të shqiptarëve, të njëjtë me atë të
“kërcënuesit” shekullor otoman të Europës, tue lanë në heshtje, natyrisht, që
një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kishin mbetë katolikë e ortodoksë. E po
ashtu tue mos e zanë në gojë se të gjithë shqiptarët jetën e tyne shoqnore e
banin tue u mbështetë kryesisht në zakonet e tyne shqiptare të bazueme në
Kanunin Shqiptar.
Prej një prapavështrimi të
sotëm e dijmë se gjithë kjo punë fqinjëve pushtues nuk u shkoi huq. Prej 92
mijë kilometrave katrorë, sa përfshinin katër vilajetet e dikurshme shqiptare
brenda Perandorisë Otomane, Shqipnia arrijti me i rujtë nën administrimin e vet
vetëm 28 mijë kilometra katrorë, sa i ka sot Shqipnija Administrative,
domethënë rreth një të tretën e atyne trojeve. Sidoqoftë, e dijmë po ashtu se
kjo padrejtësi historike që nga ajo kohë u kthy në faktor destabiliteti në
Gadishullin Ilirik. Dhe vazhdon me mbetë e tillë edhe sot.
Perandoria shumëshekullore
Otomane u shkërmoq dhe ushtritë e hueja, disa vite ma vonë, arrijtën deri para
dyerve të Stambollit, tue marrë nën administrim edhe kryeqytetin e Perandorisë.
Por me ramjen e kësaj perandorie, ra gjithë godina e kalbun e burokracisë,
teokracisë dhe armatës, dikur të famshme për fitoret e veta, e cila disa shekuj
ma parë kishte mbërrijtë edhe para portave të Vjenës. U rrënuen mitet e
pathyeshmënisë së armatës peradorake, u zbehën shpresat dhe u shkapërderdh
kohezioni i dikurshëm i një shoqnie që ishte ndërtu nën flamurin e ngadhnjimeve
e të pushtimeve të njëpasnjëshme.
Ragifi, bir i Tahirit, një
shqiptari nga katundi Shushicë e Pejës dhe një nane nga Buharaja (Uzbekistan),
i lindun e i rritun në Stamboll, megjithëse ishte shkollu për veteriner, ishte
eduku në frymë islamike, qoftë në familje, qoftë nëpër shkollat e kohës. I ati
i tij kishte shku në Stamboll për shkollim dhe ishte ba myderriz, tue u martu
me një zonjushë uzbekistanase nga Buharaja. Nuk e dijmë nëse Ragifi e fliste
shqipen apo jo, por në poezinë e tij që po paraqesim këtu aj përdor fjalën
shqipe për anëtarët e shoqatës “Bashkimi” dhe i qun “bashkimxhillarët”. Të gjithë
këta faktorë jetësorë kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në personalitetin e tij.
TRI RRJEDHAT E POEZISË
“SHQIPNIJA PO DIGJET”
Vija e parë e poetit Ragif
Mulaj thuret tue tregu dashuninë e veçantë që ka poeti për Shqipninë. Kjo
dashuni ishte e thellë dhe aj këtë nuk e fsheh asnjëherë. Shqipninë e qun “ma e
dashuna nanë”, “mëmëdhe i vërtetë”, “toka që gjyshi jem e lavroi” dhe e thekson
me të madhe një fakt që e sëmbon thellë në zemër:
“Ngomëni çka po ju thom,
unë, po, shqiptar jam,
Tjetër s’kam çka thom...
Ja, vendi jem i vramë...”
(Bunu benden duyunuz, ben
ki, evet, Arnavudum...
Başka bir şey diyemem...
İşte perişan yurdum!..)
Vija e dytë zhvillohet
nëpërmjet një kritike të ashpër që poeti u ban tre udhëheqësve të kohës, tre
gjeneralëve, të cilët i qun “të patru”, “hajdutë” dhe “cuba”. Aj i mban ata si
përgjegjës kryesorë për shkatërrimin të Perandorisë. Një nga këta gjeneralë,
Enver Pasha, ministër i Luftës, ishte po ashtu shqiptar. Në këtë vijë poeti
asht po aq kritik kundër lëvizjes politike të “bashkimxhillarëve” shqiptarë që
përpiqeshin për një autonomi të Shqipnisë. Projektin e tyne e qun me ironi “e
nalta andërr” që u kurdis nga “bashkimxhillarët”!
Tue qenë vetë një mysliman
i devotshëm, poeti Ragif Mulaj, shkakun e ramjes dhe shkatërrimit të Perandorisë
e sheh në heqjen dorë nga feja islame dhe në përkushtimin e popujve të ndryshëm
brenda perandorisë ndaj idealit kombtar. Poeti këtë e sheh si mallkim dhe u ban
thirrje këtyne popujve të heqin dorë sa ma shpejt nga idealet kombtare për hir
të unitetit fetar.
Në vijën e tretë, poeti
ofron atë që asht zgjidhje sipas tij. Kjo zgjidhje asht bashkimi rreth "popullit
islam", ndjekja e fjalës së Muhamedit, profet islamik, tue mos e vu
idealin kombtar mbi idealin fetar. Me qenë nacionalist, sipas Mulajt, ishte
gabim, "rrugë e shmangët", në kundërshtim me fenë muhamedane dhe në
kundërshtim me thaniet e profetit.
“Shqipni” ç’don me thanë?
A ka vend në sheriat athu?
Kufër bahet, tjetër s’ka,
kombin përpara me vu.”
Bindjen e thellë kundër përcaktimit politik për pavarësi kombëtare, Mulaj e shpreh hapun në këto vargje:
“A asht ma i mirë arabi
prej turku, lazi prej çerkezit,
Po hebreu prej kurdi apo
iraniani prej kinezit?
A ka ‘pluralizëm’ në
myslimanllëk? Jo, qebesa, jo!
Idenë e kombësisë
Pejgamberi e mallkon kudo.”
(...)
“Tue i ra njëni-tjetrit me
krye; humbja asht ashiqare,
As qeveri s’mbetet aty,
për zotin, as fe s’mbetet fare!”
(...)
“Ja, ende muni me i pasë
shqiptarët si shembull për ibret,
Ç’asht kjo politikë
hileqare, ç’asht ky ngatërrim e siklet?”
Këto vargje shpesh janë
heqë edhe në botime të ndryshme të kësaj poezie edhe nga nacionalistët turq
gjatë ribotimeve të ndryshme në Turqinë republikane.
Nga kjo vijë duhet me u pa e me u vlerësu edhe Ragif Mulaj sot. Aj i përkiste një mendësie otomane, me ideale mbikombëtare. Ishte shqiptar dhe këtë e thoshte me mburrje, krenohej me Shqipninë, ndinte dhembje të thellë për vujtjet e mëmëdheut, por të qenët shqiptar aj e përjetonte si të dytë kundrejt idealit fetar islamik. Identiteti i tij ma i naltë ishte me qenë mysliman për nga feja dhe otoman për nga kultura. Kjo asht arsyeja që Ragif Mulaj asnjëherë nuk u inkuadru në lëvizjen kombëtare shqiptare, por nuk hyni as në lëvizjen kombëtare turke. Aj nuk hoqi dorë asnjëherë nga këto qëndrime për të cilat vujti gjatë gjithë jetës tue jetu, për këtë arsye, edhe një pjesë të jetës në ekzil.
Ragif Mulaj, sidoqoftë,
mbetet poet i fuqishëm, me varg monumental, ritëm mjeshtëror e vrull luftarak.
Kjo asht e edhe arsyeja që një poezi e tij - për ironi të fatit - u kthy e u ba
himn i Turqisë së re republikane. Edhe në përkthimn shqip të kësaj poezie kemi
ba përpjekje me i bartë, sa ka qenë e mujtun, këto cilësi të vargnimit të
Mulajt.
Mulaj ishte dhe mbeti një
panislamist i papërkulun. Vdiq me këtë bindje. Por në pjesën ma të ndijshme të
qenies së tij, Mulaj, megjithatë, mbeti bir i Shqipnisë, shqiptar që klith nga
dhembja për atdheun e tij fatkeq, për Shqipninë e tij: “ma të dashunën nanë”
dhe kjo shihet ma së miri në këtë poezi të fuqishme.
Nga dëshprimi për ngjarjet që po ndodhnin në trojet shqiptare dhe nga mllefi kundër lëvizjeve kombëtare Mulaj këmbëngul që Shqipnija autonome asht “andërr e naltë” dhe pyet “ku mbeti” ajo tash? Sidoqoftë, koha dëshmoi që Shqipnija e pavarun nuk ishte andërr vetëm e “bashkimxhillarëve”, por e gjithë popullit shqiptar. Duhet me kuptu që Mulaj ishte i çamë përmbrenda në këtë pikëpamje të përcaktimit identitar. Prej babe ishte shqiptar, prej nane uzbekistanas, me kulturë otoman e me fe mysliman. I lindun, i rritun dhe i edukuem në kryeqytetin e Perandorisë së kalbun tashma. Godina shoqnore në të cilën ndihej mirë e i sigurtë ishte kjo: një perandori që institucionalisht i mbulonte të gjitha dallimet, një fe që dukej se i zbuste këto dallime, një kombësi që mun kultivohej, por vetëm mbrenda këtyne institucioneve dhe kësaj feje, dhe familja e cila ishte e fundit në këtë hierarki që ofronte ngrohtësi dhe mirëqenie individuale.
Në kohë kthesash të mëdha historike mjegulla dhe paqartësia identitare pati pasoja të pamatshme qoftë për një individ, qoftë për një kolektivitet. Ideali kombëtar i kunorëzuem me një shtet kombëtar ishte një ideal që kishte kohë që e kishte mbulu gjithë Europën dhe shqiptarët ishin nga të fundit që po e njëmendësonin. Në kushtet e veçanta tonat, me qenë shqiptar nënkuptonte të ishe i çfarëdo feje që mund të zgjidhje dhe, edhe kur e zgjidhje, duhej të jetoje në një harmoni me pjesëtarë fesh të tjera. Ndoshta një nga mungesat ma të mëdha të Mulajt ishte se aj nuk kishte jetu gjatë mes shqiptarëve për të kuptu thelbin e të qenët shqiptar dhe i njihte ata ma shumë përmes rrëfimesh të babës së tij, apo prej mërgimtarësh të shumtë në Stamboll. Në këtë mënyrë aj e kishte rujtë krenarinë e përkatësisë së vet kombëtare, por s’arrijti kurrë ta trajtojë, as ta kuptojë drejt, mbrenda rrethanave historike në të cilat u gjend populli shqiptar.
Identiteti otoman, të
cilin e synonte ta sendërtonte Perandoria Otomane gjatë shekullit të fundit,
nuk kishte arrijtë me u mbjellë thellë në mendjen e qytetarëve, jo vetëm joturq,
por edhe ndër vetë turqit, të cilët i ranë mohit këtij projekti. Si rezultat i
këtyne lëvizjeve nacionaliste – tue i ra mohit trashëgimisë otomane - u themelu
Turqia si shtet kombëtar.
Për shqiptarët një ideal
si bashkimi kombtar dhe pavarësia shtetnore nuk ishin dhe nuk janë as sot – ma
shumë se njëqind vjet ma vonë - një synim i lehtë dhe i përfunduem. Aq ma pak
në rrethana në të cilat ndodheshin e ndodhen edhe sot. Sidoqoftë, ndjenjat
poetike të poetit Mulaj janë të çiltra, të dala prej një dhembjeje, një
tronditjeje dhe një dëshprimi të mirëfilltë njerëzor, prandej ka mundësi me u
pajtu e mos me u pajtu me pikëvështrimet e tij për problemet e caktueme, por
gjithsesi kurrkush nuk mun me i mbyllë sytë para një pikëllimi e gjame të tij
njerëzore dhe kombtare, të cilën as aj vetë nuk arrin me e mshefë, tue i
shprehë ato në vargje poetike shumë të fuqishme.
Agim MORINA
Shënim: “Shqipnija po
digjet” asht titull i vumë prej meje, marrë nga vargu i katërt i kësaj poezie të
Mulajt.
Ragif MULAJ
(Mehmet Akif Ersoy)
SHQIPNIJA PO DIGJET
Për hall tri rrashtash pa
tru[2], tre milionë popull[3]këtu
Shihe si grihet! Çohu bre
babë[4] prej vorri, çohu!
Të gjallët krah nuk i
dolën, ti së paku arrij me kohë, baba,
Shqipnija po digjet...
Kësaj here me shumë tmerr e hata!
Veç një gacë u fry ashtu,
krejt xhehenemi volli këtu,
Rreth e qark e anembanë
vendin e paska rrethu,
E çfarë zjarmi se: oxhak
s’paska mbetë pa u shu krejt,
E ç’tufan se: gjithë
luginat i paska djegë e rrënu shkret!
Një ftyrë të njohshme e
lypa... E të tillë s’paska fare,
Veç shkretinë e thatë qenka,
me pyetë: heshtje e varre!
Pa ftyrë të njohshme,
asnjëni as kujtim s’paska, jo!
Jeta në rrënim e sipër,
shih, as trup s’paska ajo!
Me trazu hinin, tash, prej
përposh, pa thanë asnjë fjalë,
E dij: tre-katër copa
eshnash ba thëngjill kanë me dalë!
Babë! Ma e dashuna nanë,
atdheu yt i vërtetë[5], vallë,
A do të bahej fli i tre
cubave[6]mashtrues e budallë?
Toka që gjyshi jem e
lavroi, ku shpirtin e mbolli, u tret...
Na iku duersh: mbrapa
s’kthehet kurrë ma, medet!
Ç’kish me të gjetë, me u
pasë çu, vallë, e me pa?
Në kryet e Muranës a do të
të ngulej kryqi,[7] baba!
Le të kthehen faltoret në
shtalla! Ç’mynxyrë, o popull!
Ushtarë kroatë[8] le të
shkelin tash tue vallëzu rrotull,
Të paktën një kujtim me
pasë mbetë i gjallë mbi dhé,
Dheu po çahet, dheu po
gëlltit tyrbe dëshmorësh, për be!
Kudo që të jem, para më
del fushë e përgjakun me vesë...
A je ti, s’e dij, apo asht
vegimi yt, Kosovë e pabesë!
Ku mbeti rrahja e mija
hapave të tu krenarë mbi dhé?
Ku mbeti depërtimi i
Jëlldërëmit[9] që çante si rrufe?
Mbreti Dëshmor[10] që të
fle në gji e ushtarët ku janë tretë?
Ah, ku asht ajo fitore me
flijim sot? Ku asht ajo festë?
Trego, Muranë[11], të ta
puth - tue t’u përkulë - atë dhé,
A nuk kanë mbetë te ti
dy-tre pika gjak të Muratit, the?
Ah, Muranë! Kjo ç’asht? Përreth
teje a asht mejhane?
S’po e shoh kandilin, ku
asht? Kjo, a asht kupë vene?
Po në haremin[12] tand,
pijanecët me kapela kush janë?
Apo jam gabim? Jo, mos më
fol! E dija, e dija, o Muranë!
A kish mujtë, mbi gjoks
tandin, me shkelë opingë serbe, vërte?
Me sarëk mija dëshmorësh
të shtruem kudo nëpër dhé.
A kish mujtë me fshi
çizmen ma i poshtri ushtar këtu?
A kish mujtë me shkelë si
coftinë mbi ty tue kalu?
Qe, ky flamur me tri
ngjyra[13]në krye tash t’u ngul,
Kush doli me i pri këtij
populli? Ky flamur pse s’u ul?
Ku mbet kombi profetik që popujve sfidë u bante me trimni? [14]
Nuk e pashë askënd, as një
të vetmin në mejdan... Çudi!
Ku mbeti që po t’u prek
hija e dinjitetit te pragu;
- Tërbimi i heroit
s’pashitej pa shku posht gjaku
I tre e pesë vetave, se
ushtari asht gjakvluem?
Qe pra dinjiteti berbat i
kombit të poshtnuem!
Ku mbeti: ”Jabanxhiut
emnin e bijave s’e llafos,
As të grues s’e thom... Të
vras, mos më pyet, mos!”
Që nuk pranonin as
regjistrim, krejt prej burrnije!
Ku mbetën, s’i treguen dot
të vjetrat vepra trimnije! [15]
Në njënën anë të
përdaltit, n’anë tjetër faqezij larashë,
Tue nëpërkambë oda burrash
e shkelë dhoma grash!
Ku mbeti, o komb nënshtru
prej robnnije, autonomija?[16]
Kam drojë se tash hise të
ka ra e pambarim varfnija!
Ku mbeti, brumi
përbashkues, pavarësia jote e brishtë?
Më duket synimeve tua u
erdhi fundi përjetësisht!
Ku mbet e nalta andërr që
“bashkimxhillarët”[17] ta kurdisën, pra?
Me vite të mashtroi ajo e
nemuna andërr, për hava.
U pate përgjumë... Me u
pasë zgju mynxyra a kish m’u ba,
Sa çel e mshel sytë, a do
të zdritte agim i përgjakun tashma?
Hajduti malazez, gomari
serb, bashkë me gjarpnin bullgar,
Masandej qeni grek,
përtoqark rrethu vatanin me zjarr...
Tri ushtri mjerane me ta
kthy atë armatë të patundun,
Me na përzanë tue na marrë
prej dore vendin tonë të humbun...
E ndonjë prej familjesh të
pambrojtuna me thika me u pre,
E ndonjë, tërheqë në
prehën, ndër mija gjama me u shkrehë...
Dikujt nderi tue i shku
posht, tjetrit hallall i qoftë gjaku...
O turmë rebele, ky asgjasim
i dhembshëm të mpaku.
Ky turri jot asht marifet
i tre-katër vetave debilë!
E pse, a nuk e prisje këtë
fat poshtnues e rezil?
Ku mbete, milet islam
ishe... Kombi ç’t’u desh, vallë!
Të kishe mbetë i
stërlidhun me miletin tand përballë.
“Shqipni” ç’don me thanë?
A ka vend në sheriat athu?
Kufër bahet, tjetër s’ka,
kombin përpara me vu.[18]
A asht ma i mirë arabi
prej turku, lazi prej çerkezit,
Po hebreu prej kurdi apo
iraniani prej kinezit?
A ka ‘pluralizëm’ në
myslimanllëk? Jo, qebesa, jo!
Idenë e kombësisë
Pejgamberi e mallkon kudo.[19]
Asht përçamje e shpirtit
profetik, ma i madhi dushman,
Emni iu shoftë atij
mashtruesi që e mbolli n’islam,
Para mija vjetësh ky fat i
joti të asht parathanë,
A asht e drejtë me pasë
kaq mospajtim të gjanë?
O popull i mpakun, sabahu
çeli, zgjohu, tashma!
Pak të erdhën ty ezanët, a
me rrahë kjo kumbonë pra?
As turkllëk, as arabllëk
s’ka me mbetë, hapi sytë, prore!
Të Pejgamberit famënaltë
ndëgjo fjalën hyjnore!
Turku pa arabin s’mbijeton
– veç n’tru të të marrit ka hy:
Kurse turku për arabin
asht edhe dorë e djathtë, edhe sy,
Tue i ra njëni-tjetrit me
krye; humbja asht ashiqare,
As qeveri s’mbetet aty,
për zotin, as fe s’mbetet fare!
“Qytetnimi” ka kohë që jua
tregon dhambët e rrallë,
Mbasi ju ban copë, don me
ju përbi të gjallë,
Ja, ende muni me i pasë
shqiptarët si shembull për ibret,
Ç’asht kjo politikë
hileqare, ç’asht ky ngatërrim e siklet?
Shumica s’po e shihni,
keni marrë rrugë të shmangët,
Përzini hajdutin që po ju
prin, atë mendjemangët!
Ngoni mirë çka po ju thom:
unë, po, shqiptar jam,[20]
Tjetër s’kam çka thom...
Ja, vendi jem i vramë...
6 mars 1913
përkth. Agim MORINA
4 dhjetor 2015
Mehmet Akif ERSOY
(Ragif Mulaj)
ARNAVUTLUK YANIYOR
Üç beyinsiz kafanın
derdine, üç milyon halk,
Bak nasıl doğranıyor?
Kalk, baba, kabrinden kalk!*
Diriler koşmadı imdadına,
sen bari yetiş...
Arnavutluk yanıyor... Hem
bu sefer pek müdhiş!
Tek kıvılcım kabarıp öyle
cehennem kustu:
Ki hemen kol kol olup
sardı bütün bir yurdu.
O ne yangın ki: Ocak
kalmadı söndürmediği!
O ne tûfan ki: Yakıp yıktı
bütün vâdîyi!
Âşinâ çehre arandım... O,
meğer, hiç yokmuş...
Yalınız bir kuru çöl var
ki, ne sorsan: Hâmûş!
Âşinâ çehre de yok
hiçbirinin yâdı da yok;
Yakılan bunca hayâtın,
hani, ecsâdı da yok!
Yoklasan külleri,
altından, emînim, ancak
Kömür olmuş iki üç parça
kemiktir çıkacak!
Baba! En sevgili annen, o
senin öz vatanın
Olacak mıydı fedâ hırsına
üç kaltabanın?
Dedemin sürdüğü, can
ektiği toprak gitti...
Öyle bir gitti ki hem: Bir
daha gelmez ebedî!
Ne olurdun bunu kalkıp da
göreydin acaba?
"Meşhed"in
beynine haç saplanacak mıydı baba!
Ne felâket: Dönüversin de
mesâcid ahıra,
Hırvat´ın askeri tepsin
çıkıp üstünde hora!
Bâri bir hâtıra kalsaydı
şu toprakta diri...
Yer yarılmış, yere geçmiş,
şühedâ türbeleri!
Nerde olsam çıkıyor
karşıma bir kanlı ova...
Sen misin, yoksa hayâlin
mi? Vefâsız Kosova!
Hani binlerce mefâhirdi
senin her adımın?
Hani sînende yarıp geçtiği
yol "Yıldırım"ın?
Hani asker? Hani kalbinde
yatan Şâh-ı Şehîd?
Ah o kurbân-ı zafer nerde
bugün? Nerde o iyd?
Söyle, Meşhed, öpeyim
secde edip toprağını;
Yok mudur sende Murâd´ın
iki üç damla kanı?
Âh Meşhed! O ne? Sâhandaki
meyhâne midir?
Kandilin, görmüyorum,
nerde? Şu peymâne midir?
Ya harîminde yatan
,şapkalı sarhoşlar kim?
Yoksa yanlış mı? Hayır,
söyleme, bildim... Bildim!
Basacak mıydı, fakat,
göğsüne Sırb´ın çarığı?
Serilip yerlere binlerce
şehîdin sarığı,
Silecek miydi en alçak
neferin çizmesini?
Dürtecek miydi geçen, leş
gibi her lîmesini?
Ya şu üç parçalı bayrak
dikilirken tepene,
Niye indirmedi, kim çıktı
bu halkın önüne?
Hani, milletlere meydan
okuyan kavm-i necîb?
Görmedim bir kişi, tek bir
kişi meydanda... Garîb!
Hani, haysiyyetinin
gölgesi çiğnense eğer;
-Olmadan üç kişinin, beş
kişinin, hûnu heder-
Kahraman gayzı yatışmaz,
kanı coşkun efrâd?
İşte haysiyyet-i kavmiyye
muhakkar, berbâd!
Hani "Nâ-mahreme ben
söyliyemem kızlarımın,
Karımın ismini... Hem
öldürürüm, sorma sakın!"
Diye, tahrîr-i nüfûs
istemiyen er kişiler!
Hani, göstermediler eski
celâdetten eser;
Fuhşu i´lâya koşan bir
sürü nâ-merd öteden,
Ne selâmlık ne harem
dinlemeyip çiğnerken!
Hani, ey kavm-i
esâret-zede, muhtâriyyet?
Korkarım, şimdi nasîbin
mütemâdî haybet!
Hani, ey unsur-i
bî-râbıta, istiklâlin?
Ebediyyen, sanırım, söndü
bütün âmâlin!
Hani
"Başkım"cıların kurduğu yüksek hülyâ?
Seni yıllarca avutmuş da o
mel´un rü´yâ,
Uyumuştun... Ya uyansaydın
eder miydi tebâh,
Mülkü, birdenbire âfâka
çöken kanlı sabah?
Karadağ haydudu Sırp eşşeği Bulgar yılanı,
Sonra Yunan iti, çepçevre kuşatsın vatanı…
Üç sefil ordu çevirsin o
metîn ordumuzu,
Bizi kovsun elimizden
alarak yurdumuzu...
Kimsesiz âilelerden kimi
gitsin bıçağa;
Kimi bin türlü fecâ´atle
çekilsin kucağa...
Birinin ırzı heder,
dîgerinin hûnu helâl...
İşte, ey unsur-i isyan, bu
elîm izmihlâl,
Seni tahrîk eden üç beş
alığın ma’rifeti!
Ya neden beklemiyordun bu
rezîl âkıbeti?
Hani, milliyyetin İslâm
idi... Kavmiyyet ne!
Sarılıp sımsıkı dursaydın
a milliyyetine.
"Arnavutluk" ne
demek? Var mı şerîatte yeri?
Küfr olur, başka değil,
kavmini sürmek ileri!
Arabın Türke; Lâzın
Çerkese, yâhud Kürde;
Acemin Çinliye rüchânı mı
varmış? Nerde!
Müslümanlık’ta
"anâsır"mı olurmuş? Ne gezer!
Fikr-i kavmiyyeti tel’în
ediyor Peygamber.
En büyük düşmanıdır rûh-i
Nebî tefrikanın;
Adı batsın onu İslâm’a
sokan kaltabanın!
Şu senin âkıbetin bin bu
kadar yıl evvel,
Sana söylenmiş iken doğru
mudur şimdi cedel?
Artık ey millet-i merhûme,
sabâh oldu uyan!
Sana az geldi ezanlar,
diye ötsün mü bu çan?
Ne Araplık ne de Türklük
kalacak aç gözünü!
Dinle Peygamber-i Zîşân´ın
İlâhî sözünü.
Türk Arabsız yaşamaz Kim ki yaşar der delidir:
Arabın, Türk ise hem sağ gözü hem sağ elidir
Veriniz başbaşa; zîrâ sonu
hüsrân-ı mübin:
Ne hükûmet kalıyor ortada
billâhi, ne din!
"Medeniyyet!"
size çoktan beridir diş biliyor;
Evvela parçalamak sonra da
yutmak diliyor:
Arnavutlar size ibret
olacakken, hâlâ,
Ne bu şûrîde siyâset, ne
bu fâsid da´vâ?
Görmüyor gittiği yanlış yolu,
zannım, çoğunuz...
Size rehberlik eden
haydudu artık kovunuz!
Bunu benden duyunuz, ben
ki, evet, Arnavudum...
Başka bir şey diyemem...
İşte perişan yurdum!..
[1] Poeti i mirënjohun i
Turqisë njihet me emnin Mehmet Akif Ersoy. Na po e përdorim emnin Ragif, tue
qenë se ky asht emni i vërtetë me të cilin asht pagëzu poeti dhe baba i tij,
Tahir Mulaj, sa qe gjallë, gjithmonë e ka qujtë të birin e tij me këtë emën. Ka
mendime të ndryshme pse asht ndryshu ky emën. Një nga këto asht se emni i tij
ka qenë një kombinim i germave të alfabetit arab. Ka mundësi me qenë kështu,
por ka mundësi që ky emën asht një emën mysliman që ka pësu ndryshime simbas të
folmeve shqipe të rrethinave të Pejës, fjala vjen nga Ragip në Ragif. Ndonjë
nga të afërmit apo miqtë shqiptarë të babës së poetit ka mujtë me pasë këtë
emën. Tue qenë se ishte emën i pazakonshëm në mjedisin ku jetonte, emni i tij i
pazakonshëm për turqit, thuhet se u ndryshu në një emën ma të zakonshëm dhe në
vend të Ragif u ba Akif nga e ama dhe nga shokët e tij. Një bindje e jemja asht
se mun të ishte emën i ndonjë parardhësi të tij, por, së paku baba i Tahirit,
dmth. gjyshi i Ragifit, quhej Nuredin Mulaj. Mbetet me u ba kërkime ma të holla
për këtë vijë. Ndërsa Mulaj asht mbiemni i vërtetë i të afërmve të poetit që
jetojnë sot në Shushicë të Istogut. Një nga ma të vjetrit asht Adem Mulaj,
kushëri i parë i poetit me të cilin në vitin 2015 u taku edhe mbesa e poetit,
Selma Argon Ipeku. Në Perandorinë Otomane shtetasit nuk kishin mbiemna. Kjo u
ba e detyrueshme me ligj vetëm në vitin 1934.
[2] Fjala asht për
triumviratin, epokën e “tre pashallarëve”, në Perandorinë Otomane të kohës, të
cilët morën drejtimin e shtetit. Poezia asht një polemikë e ashpër me lëvizjen
politike të kohës. Tre gjeneralët që morën pushtetin ishin: Mehmet Talaat Pasha
(1874-1921) kryeministër dhe ministër i Brendshëm, (me kombësi pomak) Ismail
Enver Pasha (1881-1922), ministër i Luftës (me kombësi shqiptare) dhe Ahmed
Xhemal Pasha (1872-1922), ministri i Flotës, (me kombësi turke). Këta ishin
figurat kryesore politike të Perandorisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe
përgjegjës për hymjen në këtë luftë të kësaj Perandorie. Poet i akuzon këta tre
pashallarë për hymjen në luftë dhe i qun ‘të patru’ dhe i mban si fajtorë për
humbjen e territoreve të Perandorisë Otomane e, sidomos, për pushtimin e
trojeve shqiptare nga shtetet fqinje.
[3] Mendon për popullin
shqiptar.
[4] Nga dëshpërimi se
çfarë po ndodhte me mëmëdheun e tij poeti i drejtohet babës së tij të vdekun
dhe kërkon nga ai që të ngrihej prej varri e të ndihmojë Shqipninë, mëmëdheun e
tij të mirëfilltë.
[5] Edhe një herë poeti e
përsërit idenë e Shqipnisë si ‘ma e dashuna nanë’ dhe ‘atdhe i vërtetë’. Por
duhet me pasë kujdes që dashunia për atdhe e Mulajt nuk asht nacionaliste.
Mulaj nuk ishte as nacionalist shqiptar, as nacionalist turk, por një ndjekës i
idesë pan-islamiste të kohës, i një ideje përbashkuese islame. Ai ishte
nacionalist fetar islamik. Mbrenda kësaj ideje islame, natyrisht, Shqipnija
kishte vendin e veçantë, si ma e dashuna pjesë për Ragif Mulajn. Për këto
qëndrime të tij Ragif Mulaj ka me pasë keqkuptime edhe me anëtarët e lëvizjes
për pavarësinë e Shqipnisë, por edhe me lëvizjen për Republikën e Turqisë. Për
këtë arsye Mulaj ka me qenë i menjanuem politikisht nga të dyja palët. Tue qenë
aj ka me vazhdu jetën në Stamboll, kanë me vazhdu edhe telashet me qeveritarë e
rij të Turqisë. Për këtë arsye aj u shpërngul në Kairo dhe u kthy në Stamboll
vetëm pak kohë para se me vdekë.
[6] Shih fusnotën 1.
[7] Në këtë rast poeti
mendon në kryqin serb, tue qenë Kosova u pushtu nga ushtria serbe.
[8] Nuk asht e qartë pse
poeti përmend ushtarë kroatë. Mun me ndodhë që në gazetat e kohës janë dhanë
lajme për ndonjë njësit apo për vullnetarë kroatë që kanë marrë pjesë bashkë me
ushtrinë serbe në pushtimin e Kosovës. Ose asht një ngatërrim i poetit me
popujt sllavë.
[9] Turq. Yıldırım Sulltan
Bajaziti i mbiqujtun ‘Jëlldërëm’, që don me thanë ‘vetëtimë’.
[10] Otom. Şâh-ı Şehîd -
Kështu quhet Sulltan Murati I, i cili u vra në Betejën e Kosovës me 1389 nga
Milesh Kopiliqi.
[11] Otom. Meşhed – varr i
dëshmorëve. Tue qenë se në shqip mungon një fjalë e veçantë për këtë, fjalën
‘muranë’ e kam përdorë me këtë kuptim.
[12] Otom. Ya harîminde...
– ‘harîm’, shejtnore, kungë, ajodhimë.
[13] Flamuri serb i cili
ka tri ngjyra.
[14] ‘Populli fisnik...’
poeti mendon për popullin shqiptar sepse në vargjet që vijojnë kjo qartësohet
më mirë.
[15] Gjithë strofa ban
fjalë për shqiptarët të cilët kishin kundërshtu me ashpërsi të tregonin emnin e
grave apo të të bijave të tyne tue e marrë këtë si një akt poshtnues të
pafalshëm për ç’gja shqiptari ishte i gatshëm me vra këdo që shtronte këtë
pyetje.
[16] Ishin shqiptarët ata
që kërkonin autonomi për Shqipninë.
[17] Poeti Mulaj nuk
përdor këtu fjalën turke ‘ittihatcilar’ por përdor fjalën shqipe ‘Bashkim’ me
prapashtesën turke ‘-cilar’ ‘Bashkım’cilar’ dmth. ‘bashkimxhillarët,
bashkimxhijtë’: ‘Hani "Başkım"cıların kurduğu yüksek hülyâ?’. Klubet
e “Bashkimit” u krijunë në disa qytete të Shqipnisë paralelisht me ato të
itihatxhijve në Shqipni e në pjesët e tjera të Perandorisë. Lëvizja për Bashkim
e Përparim nisi si një lëvizje panotomane, dhe nismëtarë të saj ishin
shqiptarët. Themelues dhe anëtar i parë ishte Ibrahim Temo, mjek shqiptar nga
Ohri. Ajo kish si synim ringjalljen e Perandorisë por, si duket - qysh doli ma
vonë - ishte taktikë e shqiptarëve për me shtru kërkesa kombtare për një
autonomi të Shqipnisë. Ashtu sikurse te shqiptarët, kjo lëvizje, ma vonë, te
vetë turqit u shndërru në lëvizje nacionaliste turke e cila u përplas me idetë
nacionaliste shqiptare. Ky konflikt që vazhdoi të vlojë edhe me nacionalizmat e
tjerë, atë kurd, armen dhe hebre, futi në një krizë të pazgjidhshme
establishmentin politik të Perandorisë dhe shënoi edhe fundin e saj. Fundi i
saj nisi me Luftat Ballkanike, me pavarësinë e Shqipnisë (1912), me hymjen në
Luftën e Parë Botnore si aleat i Gjermanisë, me paqësimin e dhunshëm të
kërkesave të kombësive të tjera dhe krijimin e shtetit kombtar turk (1923) nën
drejtimin e Mustafa Kemal Ataturkut.
[18] Këtu poeti shpreh
pikëpamjet e tij religjioze, tue e pa si zgjidhje ma të mirë përbashkimin rreth
fesë sesa rreth kombit. Kjo bindje përforcohej sidomos para fakteve të kohës me
1913 kur Shqipnija tashma gjendej nën pushtimin e tri ushtrive të hueja.
[19] Ky varg nuk asht
krejt i saktë as sipas fesë islame. Një ajet në Kuran (10:47) thotë që çdo
populli i asht dërgu një profet në gjuhën e vet. Por poeti lidhet me rrethanat
politike të kohës. Edhe në çashtje të pluralizmit bahet një shkamje historike.
Asht e vërtetë që mbas vdekjes së Muhamedit plasi lufta qytetare ndërmjet
myslimanëve për atë se kush duhej me drejtu kalifatin islamik, e cila zgjati
rreth 30 vite. Por lulëzimin ma të madh që ka arrijtë islamizmi ka ndodhë
pikërisht në kohën e një pluralizmi nga shek. IX e deri në shek. XI.
[20] Poeti e thekson me
ngulm që aj asht shqiptar, por kërkon nga bashkëfetarët e vet që të kenë kujdes
me këtë. Çasti politik kur po shkruhej kjo poezi ishte i ngarkuem me ngjarje e
kthesa të mëdha. Një perandori shekullore po shkatërrohej dhe nga gjini i saj
po dilnin shtete kombtare, ndërsa poeti Mulaj u gjend në anën e gabueme të
historisë.