Atë që dikush e shihte problem, fjala vjen, "kokëfortësinë", "moslëshimin pe" të qeverisë së Kosovës, doli të ishte, në të vërtetë, ngadhnjim në fushën diplomatike. Presionet e deritashme ndaj Albin Kurtit vinin ngaqë burokratët ndërkombëtarë nuk qenë mësu me ndonjë kundërshtim të Kosovës, aq më pak me ndonjë kërkesë të palës shqiptare të Kosovës.
Serbia nuk ka pranu marrëveshje, por edhe kur ka nënshkru ndonjë nënmarrëveshje, ka pranu vetëm ato pika që i shkonin për shtat. Çka s’i pëlqente nuk e pranonte. Dhe kjo, sipas një rutine, u bë praktikë e zakonshme dhe e pranueshme.
Diplomacia e kujdesshme, e menduar mirë e qeverisë së Kosovës solli deri në këtë pikë ku u desh të demaskohej politika proserbe e ndërmjetësve, sidomos europianë. Edhe Mogerini, edhe Ashtoni, edhe Borrelli e Lajcaku, dashë e padashë kanë pasë një ndjenjë se duhen me punu për Serbinë, sepse Kosova nënkuptohej me qenë e dëgjueshme dhe e urtë. Serbia, sipas tyre, ishte pala e bombarduar, e zemëruar, që i kishte mbetë hatri, prandaj duhej me e marrë me të mirë. Me e largu nga përqafimi i Rusisë së Putinit. Ky ishte dhe mbetet gabimi kardinal i diplomacisë ndërkombëtare, e veçanërisht, i BE-së, gjatë gjithë kohës së bisedimeve Kosovë-Serbi.
Takimi i sotëm në Bruksel është debakël për Borrellin dhe Lajcakun. Ata sot ishin ulë në një qoshe të tavolinës, si nxënës të këqij, që nuk kanë arrijtë me i kry detyrat me çka ishin ngarku dhe tash u desh me ardhë shefat e tyre me vënë rend.
Në këtë mënyrë, për herë të parë, trajtimi i Kosovës në tavolinën e bisedimeve është i barabartë, një me një. Bisedimet nuk kryhen nëpër korridore, nga burokratë anonimë, me marrëveshje të nënkuptuara, por të panënshkruara. Nuk merren vendime që pastaj të vijnë deri në Kuvendin e Kosovës dhe të miratohen me presione gjithfarësh mbi deputetët dhe gjithçka të bjerë mbi kurriz të Kosovës, ndërsa Serbia të mos marrë asgjë përsipër. Ajo praktikë ka marrë fund.
Tash gjithçka është e hapur, mbi tavolinë, dhe aty janë përfaqësuesit kryesorë të BE-së. Ata tash do të shohin se çfarë punë kanë bë dhe po bëjnë çifti burokrat antishqiptar Borrell-Lajcak. Vetëm ky fakt, i nevojës që shefat të jenë të pranishëm, është qortim i rëndë për punën e këtij çifti proserb.
Për ta sjellë deri këtu, Albin Kurtit iu desh shumë punë, përkushtim e vendosmëri, që pak kush e ka besu se do t'ia dalë. Por, vendosja e Kosovës dhe Serbisë në një nivel të barabartë, është një fitore e jashtëzakonshme diplomatike e Kosovës. Ndër më të shkëlqyerat deri sot. Pikërisht atë që kërkonte Albin Kurti edhe kur ishte opozitar: Kosova nuk duhet të jetë temë e negociatave, por palë negociuese.
Kosova prej sot është palë e mirëfilltë negociuese.