Monday, February 03, 2025

Agim MORINA - A-TEIST?



Ka një keqkuptim të madh në përkufizimin e fjalës 'ateist'. Dhe ka arsye të ndryshme pse ndodh kjo, por një nga arsyet kryesore asht se ky përkufizim ka dalë prej një tradite teiste.
Kur thuhet se 'ateist' asht ai që mohon egzistencën e zotit apo zotnave, ose nuk beson në zot apo në zotna huqet thelbi i të qenët ateist.
Ateisti nuk mundet me mohu egzistencën e dichkaje që aj nuk pranon se egziston, sepse ashtu kish me ba negacion të dyfishtë: 'nuk egziston egzistenca' e me dalë që, në të vërtetë, egzistoka kjo egzistencë.
Chka asht pra ateisti?
Ateist asht njeriu që nuk i pranon pohimet e teistit.
Le ta ilustrojmë këtë: nëse një teist beson se egziston një zot me kokë të luanit e bisht të gjarpnit dhe ateisti thotë se kjo nuk asht e vërtetë, ky i fundit nuk e mohon egzistencën e zotit me kokë luani e bisht gjarpni, por i bjen mohit pohimeve të teistit që një zot i tillë të mund të egzistojë.
Teisti, natyrisht, nxjerr 'argumentin' se aj beson se një zot i tillë egziston. Mirëpo, besimi i besimtarit nuk asht argument. Masandej teisti nxjerr edhe skulpturën e madhe 15 metra, por as ky nuk asht argument për ateistin, sepse zotin e tillë e ka skalitë njeriu, ndonjë skllav egjiptas. Teisti pohon se në një trajtë jetëdhanëse zoti mori trajtën e Lopës dhe kërkon që lopa të adhurohet. Ateisti e mohon. Jo, lopën, por pohimet e teistit për shejtninë e Lopës. Teisti nxjerr 'argumentin e Librit të Shejtë', por as kjo nuk pin ujë sepse libri asht shkru prej njeriu apo prej njerëzve. Edhe nëse do të pranonim se një qenie kaq e gjithëfuqishme, që paska kriju edhe vetë gjithësinë, komunikon me tekste të shkrueme në lëkurë dhelpnash e lepujsh, apo në gjethe palmash, me një alfabet të shpikun prej njerëzve, atëherë ky do të ishte mjerimi ma i madh për një qenie të tillë hyjnore që e paska ba krejt gjithësinë, ndërsa shërbehet me shpikjet ma primitive njerëzore.
Asht e thjeshtë të shihet, pra, se ballafaqimi teist-ateist nuk asht mes egzistencës apo mosegzistencës së zotit, por mes argumenteve të teistit dhe ateistit për diçka që teisti 'beson' dhe ateisti nuk e pranon si fakt të mjaftueshëm. Kështu, asht e qartë që zoti nuk ban pjesë në këtë muhabet. Aj (apo ajo) - egzistenca e zotit (zotnave) - asht jashtë thelbit të debatit.
Kjo vlen për secilin argument të këtillë. Nëse dikush pohon se beson në një arushë me shtatë kambë e gjysë që fluturon tue rrotullu bishtin me shpejtësi dhe balancohet me veshë, mohimi i këtij pohimi nuk ka të bajë me mohimin e arushës fluturake, por me mohimin e pohimeve të pohuesit të këtij pohimi, pra, Besimtarin që 'beson' se një arushë e tillë egzistoka. Apo, le të dalim te shembulli ma i përvjetshëm: me miliona fëmijë besojnë se Babadimni egziston, tue qenë se u sjell dhurata çdo Vit të Ri. Mohimi i egzistencës së Babadimnit nuk e mohon Babadimnin dhe as nuk ka të bajë me të, por mohon pohimet e fëmijës që kambëngul se Babadimni egziston. Derisa fëmija kambëngul në egzistencën e Babadimnit për mos me humbë dhuratën, ndonjë lodër apo çokollatë, fëmijët e rritun nuk dojnë me humbë 'jetën e përtejme' si dhuratë.
Nëse një besimtar i Supermenit pohon se Supermeni fluturon, ngaqë aj beson në fuqitë e tij mbinjerëzore, sepse këtë ia paskan thanë pesë magjistarë nga Ylli Polar dhe Profetesha e Stërvirgjën e Kriptonit dhe ateisti e mohon, kjo nuk do të thotë se ateisti mohon 'egzistencën e Supermenit', por pohimet e besimtarit supermenist që një qenie e tillë mund të egzistojë. Nëse një besimtar pohon se aj beson që gjyshi i Skenderbeut i ka pasë tetë veshë e kjo asht shenjë e shenjtnisë së tij dhe ateisti i mohon, kjo nuk do të thotë që ateisti mohon egzistencën e gjyshit të Skenderbeut, por pohimin që aj të ketë pasë tetë veshë e me këtë edhe virtytin e të qenët i shenjtë.
Me ba këtë dallim asht tepër e randësishme.
Vetë fakti se teisti don 'me besu' e ateisti don 'me dijtë' e me u bindë me fakte tregon thelbin e këtij problemi që zhvillohet në dy kanale të papikëtakueshme.
Sidoqoftë, le ta përmbledhim edhe një herë këtë: ateist nuk asht dikush që mohon egzistencën e zotit apo zotnave, por dikush që mohon, nuk i pranon, pohimet e një besimtari që për argument e përdor ‘besimin’; besimin në çfarëdo qoftë: në Amun Ranë - Zotin e Diellit, në Kecelkoatllin - Gjarpnin me Pendla, në Lopën e Shenjtë, në Ujkun e Buzëqeshun, në Shpagetit e Ziem me Keçap, e kështu tutje. (Fejsbuk, 2 shkurt 2021)

Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH

Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma      T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...