Apo
qysh po lan lesh drejtësia europiane në Albin Kurtin
Në fjalorin e
orientalizmave në gjuhën shqipe të Tahir Dizdarit ndër zanet e tjera asht edhe zani
adalet.
Asht emërtim i vjetrumë i nji perandorie të perëndume. Gjyshnit tanë, sikurse
na sot, sigurisht kanë qenë të hutumë me kuptimin e kësaj fjale, ashtu qysh po
hutohemi na sot me përkufizimet e sotme të burokratëve europianë. Na, tash,
vërtet jemi ma të arsimumë por kjo s’po na ndihmon shumë sepse veprimet
praktike po i tradhtojnë përkufizimet akademike, si sot, si në shekujt e
kalumë. Kjo ndodh ngaqë përkufizimi i fjalës po varet, gjithsesi, prej zbatimit
të saj në praktikë. ‘Në shqipet -
theksueshëm në veri - kjo fjalë, si disa të tjera (...) ka marrë në thu për sa
i përket vështrimit krejt të kundërt: kërdi, mynxyrë, me la lesh.’ -
shkruen Dizdari për fjalën ‘adalet’.
Te Fjalori i
Bashkimit na qenka ‘me ba plog’ dhe
te Gazulli na qenka ‘me ba mynxyrë’. Në
Dibër u këndoka kanga: ‘Dada e zonja po
bajnë medet / Ç’ashtë kjo gjamë e adalet...’ Edhe Fishta e thanka: ‘Shumë askjer ban do adalet’. Mirëpo
cili asht kupimi i kësaj fjale në osmanishte? Nga arabishtja adl: ‘drejtësi e plotë; respektim i të drejtës së çdonjanit në mënyrën ma të
përpiktë e të meritueshme’, thotë Dizdari.
Mirë, çuditem unë,
pse athu gjithë ky përkufizim kaq i mprehtë, i qartë e i bukur i drejtësisë
pra, i adaletit, me u keqkuptu kaq
mbrapsht e kaq pangjashëm prej shqipove? Edhe ate jo pak, jo për nga ngjyrimi,
por kuptimi krejt i kundërt i tij! Athu shqiptarët e kanë daullen e veshit të
ngjeshun mbrapsht? Apo qendra e tyne trunore e
ndëgjimit jep sinjale të përkundërta? Pse nji nga shtyllat e perandorisë - si këto
shtyllat e sotme europiane - nuk asht pa prej shqiptarëve si shtyllë, nuk asht
pa si vertikal, i drejtë, i patundun por asht pa si horizontal, si pengesë, si
problematik, ku shqiptarët, në vend se me kërku mbështetje në te, kanë ikë prej
saj dhe, tue ikë, kanë marrë në thu? Vërtet, pse? Kur e sheh që vetë Perandoria Otomane adaletin e përkufizonte jo thjesht si ‘drejtësi’ por si ‘drejtësi e
plotë’, jo drejtësi të përgjithshme por ‘respektim
i të drejtës së çdonjanit’; dhe jo vetëm të kaq por edhe ‘në mënyrën ma të përpiktë e të meritueshme’
e sheh se kësaj i thonë përkufizim e jo hajgare! Baba Sulltan e thoshte se ka
me ndjekë këtë përkufizim në praktikë, por kur kjo fjalë dhe kjo drejtësi vinte
në tokat shqiptare në majën e shpatave të akënxhijve e humbte kuptimin. Në
praktikën shqiptare ajo shëndrrohej në ‘kërdi’
e ‘mynxyrë’. Kjo ishte ajo që bante
praktikisht Perandoria Otomane në tokat shqiptare dhe ky ishte kuptimi i vetëm
që shqiptarët mund t’ia jepnin fjalës adalet.
E paramendoj jeniçerin i cili mbasi të ketë ba plojë mbi disa katunde
shqiptare, tue u kthy t’ia ketë shpjegu shqiptarëve të tjerë, rrugës, se kjo që
ka ba ai në osmanisht i thonë ‘adalet’.
Natyrisht, për jeniçerin kjo duhet ta ketë pasë kuptimin ‘e drejtësisë së plotë’, por për shqiptarin e shkretë të lamë në
gjak, ka qenë faktike se kësaj i thonë ‘mynxyrë’
dhe ‘plojë’. Dhe s’ka pasë shpjegim e
mësim ma të mirë e ma të qartë për kuptimin e cilësdo fjalë sesa vetë praktika që
e ka ndjekë dhe e ka mbulu fjalën me veprimin e caktumë.
![]() |
Arrestimi në stilin milosevician i Albin Kurtit atë ditë që dha lajmin se Lëvizja Vetëvendosje ka me marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare |
Ajo që ‘drejtësia europiane’ tash don me na
kallxu si mësim në Kosovë me këtë fillim jo shumë të lavdushëm po shkon drejt
shtrembënimit jo vetëm ‘të drejtësisë
europiane’ por edhe drejt shtrembënimit të vetë fjalës ‘drejtësi’. Me ndjekë Albin Kurtin nëpër
gjyqe për demostratat paqësore dhe mos me i ndjekë kriminelët rumunë mbas
mynxyrës që banë, mos me ndjekë lukuninë e kriminelëve serbë që ikën prej burgjesh
si me pasë dalë prej panairit të djathnave mbasi banë plojë nëpër Kosovë, duket
ma shumë adalet qysh e kuptojnë
shqiptarët sesa adalet qysh e
kuptonin burokratët otomanë në të kalumen dhe burokratët europianë sot. Me
përndjekë Albin Kurtin për diçka që në çdo vend europian do t’i prekte themelet
e demokracisë e të lirisë asht, e thanun shul-shqip, me la lesh në të dhe me
përmbysë çdo kuptim të mirëfilltë të drejtësisë, të demokracisë e të lirisë; poende,
kjo don të thotë me i dhanë kësaj fjale edhe kuptimin e përkundërt.
Në punën që
burokratët europianë po e bajnë që t’ia ndërrojnë kuptimin edhe drejtësisë së sotme sikurse adaletit të dikurshëm vijmë edhe te
fjala tjetër: ‘marifet’. Në fjalorin e Dizdarit ka kuptimin e parë që
përshtatet me atë që asht në osmanisht e arabisht: ‘zotësi, shkathtësi (...) talent’; por vetëm në shqip - kqyre ti
vakinë - ka edhe kuptimin e dytë: ‘sendërgji,
mkrejce, shejtani, dredhi, dinakëri’. Po
kjo pse? Sepse, si duket, të gjitha aftësitë, zotësitë dhe talentet që kishin burokratët
otomanë dhe i zbatonin këto mbi shqipot, këta i përjetonin si dredhi e
dinakëri. Pra, ajo që për otomanët ishte ‘aftësi’,
për shqiptarët ishte ‘dredhi’. Këtu
edhe këta ‘të perandorisë europiane’
sikur pikëtakohen. Me njifarë marifeti të pangjamë, ata po përpiqen me na tregu
se me gjyku të pafajshmin asht marifet i adaletit. Por ajo që
shqiptarët po shohin në praktikë dhe që po e përkthejnë në mendjet e tyne nuk po
duket zotësi e zbatimit të drejtësisë por pikërisht e kundërta, dredhi për
zbatimin e padrejtësisë. Sepse kriminelët rumunë në uniforma policësh që vranë
dy djem të rij shqiptarë dhe plagosën dhjetna të tjerë morën edhe dekorata! Me
qinda kriminelë serbë që vranë mija shqiptarë, shetiten sot lirshëm nëpër botë,
poende, pa viza. Janë me qinda njerëz të kidnapumë e të egzekutumë, trupat e të
cilëve janë shpërnda nëpër shtetin e kriminalizumë serb - pa viza! - për me
mshefë krimin. Janë me mija dosje krimesh e stërkrimesh që i ka mbulu pluhuni
burokrat në Kosovë dhe paskësh mbetë ‘drejtësia
europiane’ me u vu në vijë tue gjyku - ndër të parët - Albin Kurtin?
Adalet, i thonë kësaj, adalet! Gjithmonë ashtu qysh e kanë kuptu shqiptarët
adaletin. Dhe, fatkeqsisht, kanë pasë të drejtë.
Nuk do të duhej
me u habitë aspak, prandej, nëse në fjalorin e shqipes të vjetit 2050 në zanin drejtësi europiane ka me shkru: ‘Kjo fjalë ka marrë në thu - theksushëm në Shqipninë Verilindore, pra, në
Kosovë - dhe ka vështrim krejt të kundërt prej gjuhësh të tjera europiane dhe
domethanë: ‘mynxyrë, me la lesh, faqezezni, padrejtësi’ etj. Kjo, jo për
shkakun që shqiptarët nuk e dijnë anglishten, gjermanishten apo frengjishten
por për shkakun e thjeshtë se veprimi praktik i burokratëve europianë, sikurse
ai i burokratëve otomanë, po ua mëson shqiptarëve ma saktë kuptimin e vërtetë
të fjalëve dhe jo fjalorët as përkufizimet e bukura të tyne. Ajo që shqiptarët
po e mësojnë tue pësu mbi lëkurën e tyne po hyn ma thellë në mendje dhe po e
kthen tepërmbys edhe kuptimin fjalëve sado të bukura, e me këtë edhe të fjalës
drejtësi!
Agim MORINA
qershor 2010