Agim
Morina
Shqiptarët sot
janë në një gjendje e cila shpesh përsëritet
në historinë e tyne: me një të kalueme të zymtë, me një tashme kaotike dhe me
një të ardhme të mjegullt e të paparashikueshme.
Ky asht fundi i luftnave, koha ma e kobshme për shqiptarët. Koha
kur ata dehen nga një njëmendësi e re. Koha kur ata i shkredhin krenat prej
thellësive të robnisë dhe për pak ngopen me ajër të pastër të njëfarë lirie të
shpërshijshme. Koha kur atyne shumë vështirë u punon mendja e instiktet. Koha
kur ata harrojnë çdo gja tjetër. Edhe rrezikun që u kërcënon.
Pasi një kohë të gjatë rreth dy mijë vjeçare kanë kalue në një
koleksion robnish, ata sillen si qenie që e kanë humbë ndjenjën e orientimit në
një kohë të labërgimtë. Dinë si të luftojnë për lirinë derisa janë në robni në
mënyrë të përsosun, por s'dinë si t'ia bajnë kur liria afrohet (në Kosovë) apo
kur ajo tashmë asht aty (në Shqipëri).
Ndër ato gjana që shqiptarëve jua ka thye qafën në këtë shekull
asht dehja. Një delirium i çuditshëm. Një mpakje e çastit, kur nis befasisht
një prodhim halucinacionesh. Humbja serbe, fjala vjen, merret, automatikisht,
si fitore shqiptare. Por humbjet serbe nuk kanë qenë gjithmonë fitore
shqiptare. Së paku jo për kohë të gjatë.
Le t'i rikujtojmë vetëm dy kohna të ngjashme me këto të sodit që
kanë ndodhë jo ma larg se në këtë shekull.
VJETI 1914.
Austro-Hungaria,
një goxha perandori, i shpalli luftë Serbisë. E tana ndodhi si në atë profecinë
dykuptimëshe të orakujve të tempullit të Delfit që ia thanë mbretit të Persisë
se: "Kush Halisin do ta kalojë, një mbretni do ta shkatërrojë." Dhe
mbreti i verbuem prej fitores e kaloi lumin Halis, tue mendue se kështu pat me
shkatërrue mbretninë kundërshtare por e shkatërroi mbretninë e vet.
Serbia dukej se s'kishte gjasa me fitue. Gjithkush në botë e ka
ditë këtë si fakt të kryem. Kështu e kanë ditë edhe serbët. Por megjithatë ata
hynë në luftë. E gjithë armata serbe iku nëpër malet e Shqipnisë, megjithëse
një vit ma parë aty kishte ba masakra dhe nuk hasi në kurrfarë rezistence të
organizueme. Iku edhe mbreti Petar I, edhe një pjesë e popullsisë serbe. Shkuen
deri në Durrës si kope e bame pikë e pesë. Atje i prisnin anijet e aleatëve.
Kurrkush nuk kishte fije shprese se ka me ndodhë kthimi triumfal serb. Humbja
ishte totale dhe vetëm një imagjinatë e bujshme kishte mujtë me mendue se qoftë
edhe një ushtar i Mbretit Petar I Oslobodilac - qysh u mbiquejt ma vonë - ka me
mujtë me u kthye me armë në dorë. Austro-Hungaria u dha të drejta shqiptarëve,
por nuk i bani shtet të fortë. As ajo nuk pati kohë dhe as vetë shqiptarët nuk
ia banë hyzmetin kësaj pune që të bahen të fortë. Dhe pas katër vjetësh ndodhi
ajo që nuk mund të merrej me mend: u shkatërrue perandoria austro-hungareze
ndërsa ushtria serbe u kthye si fitimtare. Dhe Serbia u ba Jugosllavi. Dhe
shqiptarët shkojshin si Muça mbas një udhëheqësi-dai tue u mundue sa ma mirë me
ja vnue ndërskamcat njeni-tjetrit. Derisa nuk i qetësoi Serbia.
VJETI 1941.
Gjermania
hitleriane nisi luftën kundër Jugosllavisë. Dhe për tri ditë s'pat ma
Jugosllavi. Shqiptarët prapë mbetën si patat në mjegull. Dikush thumbit e
dikush patkoit bajshin luftë për pushtetin që s'e kishin. Serbët e malazezët
kolonë ikën. Shqiptarët kqyrshin një kambë e para kush po bahet bajraktar. Por
tue mos qenë asnjani i fuqishëm sa duhet, për me ja kallxue të tjerëve se ku e
kishin vendin, ata e pickojshin njeni-tjetrin. I ujitshin inatet, çamjet,
urrejtjet. Shkelshin përmbi parime, ideale e dashuni. Sepse, mendojshin ata,
serbët s'kthehen kurrë ma. Gjermania hitleriane s'mundet me humbë kurrë. Kështu
që shqiptarët kishin kohë me luftue me njeni-tjetrin. Asht fakt i hidhun se
edhe në këtë kohë Mitrovica pat mbetë matanë kufini. Dhe çdo përpjekje që
Mitrovica të ndahet do të quhet kurorëzim i një akti nazist.
VJETI 1945
u ra në krye
shqiptarëve edhe një herë. Nazistët kapituluen. Serbët u kthyen prapë në Kosovë
për ta vnue rendin serb me zjarr e me hekur. Pra, Serbia në histori, ka ditë me i kthye humbjet e veta ma të
thella në fitore ma madhështore. Ndërsa shqiptarët, thjesht nuk e dinë as
numrin e viktimave që griu makina serbe e vdekjes për një shekull të kobshëm.
VJETI 1999.
Edhe sot
shqiptarëve u duket se ushtrinë serbe e
kanë dëbue n'Hanë. NATO-ja s'mundet me humbë kurrë. Kështu që ata
kanë kohë me luftue me njeni-tjetrin. Ata edhe tash flasin me fjalor
"mbarëkombëtar" ndërsa veprojnë me akte krejt të ngushta
"partiake".
Kriminelët serbë, mendojnë ata, s'mund të kthehen ma kurrë. Ashtu qysh patën mendue baballarët e gjyshnit e tyne. Kjo luftë e pakuptimtë me njeni-tjetrin e ushqen pikërisht atë farë të keqe ndër vetë shqiptarët e cila ma vonë vjen e bahet pushtet. Bash fara ma e keqe. Nuk e dimë vjetin e saktë se kur mund të kthehet soldateska serbe, sepse s'jemi orakuj as profetë, por derisa shqiptarët ta hanë njeni-tjetrin me kaq urrejtje të bukur e të shijshme, duhet ta dinë se vetëm një gisht mbas qafe janë tue pikue jargët prej dhambëve të bishës Serbi.
Shqiptarët edhe sot shumë ma tepër do të duhej t'i brengosë Kthimi
i Serbisë dhe jo ashti i pushtetit që ua ka gjuejtë dikush te kambët. Sepse dy
qeveri kosovare shumzue me një ndërkombëtare (shih ku paska ardhë puna!), dy
pushtete kosovare janë baraz me asnjë pushtet real shqiptar. Nuk asht çudi që
fati i Mitrovicës apo edhe fati i Republikës së Kosovës ka me u përcaktue në
kohën e dypushtetsisë apo të asnjëpushtetsisë. Në kohën kur dadot antishqiptarë
të politikës ndërkombëtare do të kujdesen që shqiptarëve t'u garantohet sa ma
pak pushtet real. Minimumin e asaj që ua imponon situata.
Atëherë do të ndodhë prapë ajo që të gjithë të jemi e të mos jemi
fajtorë. Sepse ka pasë kohna edhe ma premtuese për shqiptarët sesa tash, e ata
as atëherë s'kanë arritë me i marrë frytet ma të mira tue mos ia lëshue udhën
njeni-tjetrit si ata dy cjepën n'atë urë të ngushtë.
Anmiqve të shqiptarëve sot u
duhet vetëm pak kohë që të mund ta marrin veten. Ndërsa shqiptarët s'dinë qysh
me ja ba me kohën sepse e kanë si shumë. Një mijëvjeçar i ri, krejt i paçikun,
shtrihet para tyne.
(Revista D.M.Th., Nju Jork, 7 dhjetor 1999, nr. 2, fq. 5)
(Revista D.M.Th., Nju Jork, 7 dhjetor 1999, nr. 2, fq. 5)