1.
Ligjërimi politik doemos nxjerr në shesh dhe kthjellon shumë paqartësi dhe shumë mangësi të procesit të caktuar
politik. Në takimet në Bruksel thuhet se u zhvillunë takime mes dy palëve: serbëve dhe
kujt? Në lajme thuhet: "palës kosovare", "qeverisë së
Kosovës!" Kështu nënkuptohet
se "kosovarët" janë sikurse
grumbulli i bërllogut etnik në Radio
Televizonin e Kosovës: shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët,
ashkalijtë, torbeshët, goranët, ndonjë tregtar
kinez me familje, në njërën anë,
dhe serbët që e pranokan Kosovën
shtet e serbët që nuk e pranokan
Kosovën shtet, në anën tjetër.
Pra, qenkan dy lloj grupe mutantësh etnikë serbë në Kosovë:
serbë që marrin pjesë në zgjedhjet
e Kosovës, zgjidhen kryetarë e
deputetë dhe serbë që nuk
marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, nuk zgjidhen as
deputetë, as kryetarë! Ata që marrin
pjesë në zgjedhje thonë se Kosova nuk asht vend ku një serb s'mun me jetu! Ata serbë që jetojnë mbi lumin Ibër mendojnë se kjo s'asht e vërtetë! Pse ndodh kjo? Sepse serbët që s'e pranojnë Kosovën si shtet e kanë Serbinë mbas shpine! Çfarë rastësie! Kështu, pra, egziston
"pala serbe" në bisedime
dhe "pala kosovare", aj bërllogu etnik, sepse serbët e dijnë çka janë dhe e dijnë çfarë kërkojnë: ata kërkojnë të drejta
kombtare serbe, kufij të përcaktuar qartë kombtarë serbë, kisha kombtare serbe,
televizion kombtar serb, kërkojnë Zajednica Srpska kombtare. Të gjitha këto i kërkojnë në "Kosovën
multietnike"! Ndërsa bërllogu etnik nuk e din çka po lyp: të drejta
"kosovare", kufij "kosovarë" (kështu del që Maqedonia apo Mali i Zi nuk po merr
"territor shqiptar", po marrin "territor kosovar", territor
të bërllogut etnik!) As Shqipëria
s'po mun me çelë gojën në këtë proces
sepse s'bëhet fjalë për asgja
shqiptare por "kosovare"! E, pra, çka
bëjnë "kosovarët" me
"serbët" asht çështje e
tyre, por s'asht çështje
"shqiptare"! E ujdisur mirë apo
jo? Po, po të mos ishte gjithë kjo orgji politike në kurriz të shqiptarëve.
2.
Asht e çuditshme
që në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes në gjuhën angleze për emërtimin e
entitetit serb në Kosovë,
Zajednica Srpska-n, përdoren dy terma: "association" dhe
"community" të ndamë besnikërisht, pa gabu asnjëherë të vetme,
me një vizë të pjerrët. Pse duhen dy emërtime? A nuk mjaftoi një emërtim i
vetëm? Dhe pse nuk mjaftoi vetëm një emërtim?
Ky entitet duhet me u qujtë me emrin e vërtetë që e ka:
Zajednica Srpska (pa vizë, as të pjerrët). Pse duhet me u qujtë kështu? Sepse
vetëm kështu mujnë me u shpjegu ma së miri të gjitha kuptimet dhe qëllimet e
vërteta të këtij entiteti: zyrtarizimi i serbizimit të katër komunave të
Kosovës Veriore (me këtë mohimi i "Kosovës multietnike", kësaj rrene
spektakolare që nga viti 1999 që u përdor vetëm sa për t'i shtypë ndjenjat e
shqiptarëve), ndikimi dhe lidhja me Serbinë e këtij entiteti dhe përdorimi i
këtij entiteti mbrenda Kosovës për qëllime shoviniste të Serbisë në Kosovë. Të
gjitha këto nuk mujnë me u kapërthy ma mirë e në plotni me asnjë emërtim tjetër,
as në anglisht, as në shqip, as në vetë serbishten. Pra, nuk asht kjo një
"zajednica", një shoqatë apo bashkësi e thjeshtë me qëllime të mira
kundrejt Kosovës e aq më pak kundrejt shqiptarëve, e me qëllime të paqarta
shoviniste për serbët! Jo! Kjo asht Zajednica Srpska! E cila, në fillim, për
shkak të përfitimeve sa ma të mëdha politike, u emërtu me një emër pak si të
pafajshëm "zajednica" nga serbët, të cilët për vete me këtë
nënkuptonin kompetenca të gjëra, por lanë që ndërkombtarët e shqiptarët të argëtohen
me injorancën e tyre. Nga shqiptarët u qujt shoqatë. Masandej dikush u tha që
duhet me qujtë "asociacion", sepse kjo te shumica e popullsisë
shkakton hutesë, tue qenë se nuk e dijnë saktë se çfarë nënkupton kjo. Ma
vonë nisi me u qujtë edhe "bashkësi". Por bashkësi "pa kompetenca
ekzekutive". Marrëveshja u bë, si duket, tue mos e kuptu kurrë që në
politikë kalimi nga "asociacioni" në "bashkësi"
asht një hap i madh dhe jo i parëndësishëm në përmbajtjen e vet, aq ma shumë
kur Serbia ngul këmbë për këtë. Dhe nuk asht fare çudi që, qysh në
mbledhjen e parë, ky entitet ka m'ia dhanë emrin e vërtetë dhe kuptimplotë
zyrtar vetes dhe ka me e mbiqujtë veten Zajednica Srpska, (dhe s'ka kush që e
ndal këtë), ashtu qysh partia që deshi të regjistrohej në Kosovë u emërtu në
fillim "Serbia", e masandej iu kthy kipcit të vet lugat dhe u mbiqujt
"Srpska".
3.
Çfarë kuptohet me fjalët "association" dhe
"community" në anglishte, tue qenë se marrëveshja kryesore asht shkru
në këtë gjuhë. Janë marrë për bazë dy fjalorë të anglishtes angleze dhe një e
anglishtes amerikane.
Fjala "association" sipas fjalorit të Oxfordit, ,
Kembrixhit e Marriam-Websterit:
1. "(Shpesh në emërtime) grup i njerëzve të organizuar për një qëllim të përbashkët"
(Often in names) a group of people organized for a joint
purpose)
2. Lidhje marrëdhëniore apo përbashkësore ndërmjet
njerëzve apo organizatave.
(A connection or cooperative link between people or
organizations)
(...)
Fjala "community" sipas fjalorit të Oksfordit, Kembrixhit e Marriam-Websterit:
1. një grup njerëzish që jetojnë në një vend të përbashkët apo që kanë të përbashkët karakteristika të veçanta (a group of people living in the same place or having a particular characteristic in common); fjalori i Kembrixhit ia shton edhe "që konsiderohen si njësi për shkak të interesave të përbashkëta, grupit shoqëror, apo kombësisë" ("considered as a unit because of their common interests, social group, or nationality ").
1.1 - grup njerëzish që jetojnë bashkë dhe praktikojnë pronësi të përbashkët (A group of people living together and practising common ownership)
1.2 - një zonë apo vend i veçantë bashkë me banorët e tij
(A particular area or place considered together with its inhabitants)
1.3 - një grup i kombeve apo shteteve të bashkuara simbas
interesave të përbashkëta (A body of nations or states unified by common
interests)
(...)
Shihet se "associacion"
në anglisht do me thënë "shoqatë", "grup i njerëzve të
organizuar për një qëllim të përbashkët", apo "lidhje marrëdhëniore
apo përbashkësore ndërmjet njerëzve apo organizatave". Ky ishte kuptimi
fillestar i cili u përdor nëpër media dhe linte përshtypjen e një shoqate e
cila do të mblidhte rreth vetes anëtarë për të punu për disa qëllime të
përbashkëta: shoqatë gjuetarësh, shoqatë biçiklistësh, shoqatë çobanësh. Thuhej
se bisedat bëheshin "për
çështje teknike". Dhe ban vaki që do të mun mbeteshin teknike mbrenda
një entiteti të shoqatës ("association"). Mirëpo vetë
kriminelët e Serbisë, në zyrat ku përgatitën plojat dhe masakrat nëpër gjithë
Jugosllavinë, përgatitën një plan ma të thellë, ma të gjithanshëm politik. Ata
e qunin vazhdimisht "zajedinica". Dhe në fillim, nuk bënë zë
kur "zajednica" në anglishte përdorej e pëkthehej me kuptimin
"association". Qëllimi ishte që të nisë, të rrokulliset ky
proces dhe në rrokullisje e sipër të arrihej te qëllimi tjetër, që
"zajednica" të identifikohej me emërtimin "community".
Në serbishte "zajednica" përfshin lehtë edhe atë që në në aglisht i
thonë "association" (shq. "shoqatë,
lidhje"), edhe "community" (shq. "bashkësi")
sepse asht kuptimisht ma i gjanë e ma gjithëpërfshimës. Por, anëtarët shqiptarë
të delegacionit në Bruksel u desh t'i merrnin parasysh me shumë kujdes këto
implikime gjuhësore. Kalimi nga "association", që kishte
kuptimin e zgjidhjeve të problemeve teknike, në "community" ka
mundësi të keqpërdoret shumë lehtë nga Zajednica
Srpska për qëllime të qarta e të hapura politike. Në shqip
emërtimi "bashkësi" në kuptimin e vet politik asht i vagëllimtë në
popull, tue qenë se nuk ka pasë institucione ku njerëzit praktikisht kishin me
kriju një ide të qartë për të, sikur që e kanë ma të qartë për fjalët: "bashki",
"komunë", "krahinë", "republikë" etj. Kuptimi i dytë i fjalës "bashkësi"
në fjalorin e shqipes e jep mjaft qartë idenë se për çka bëhet e mun bëhet
fjalë me leksemën "bashkësi":
Sado që të duket e sipërfaqshme dhe e parëndësishme ana
gjuhësore, duket se loja terminologjike në emërtimin e Zajednica Srpska-s nuk asht
vetëm lojë fjalësh por edhe politikë e kamufluar dhe dinake. Nëse emërtimi s'do
të kishte pasë rëndësi e peshë, natyrisht, palët do të pajtoheshin që ajo të
emërtohej me një fjalë, association/zajednica/shoqatë tue qenë se zgjidhja e
një emërtimi për një entitet duket ma afër mendsh sesa dy emërtime. Fakti që
asht dashë me dalë me dy emërtime në një marrëveshje kaq me peshë, tregon se
Serbia, kur dialogu po i afrohej fundit, ka ngulë këmbë që pjesa "community"
me figuru në marrëveshje me çdo kusht, për me mujtë me e lënë të hapur shtegun
e zhvillimeve të reja politike në këtë vijë dhe për me zhvlerësu emërtimin
"association" në të ardhshmen.
4.
Problemi shkon ma thellë: Zajednica Srpska i
shkatërron përfundimisht themelet e "multietnicitetit" që përpallte
gomari ahtisaarian dhe i jep fund blofit dhe dyftyrësisë së ndërkombtarëve për
një Kosovë ku "të gjitha etnitë" janë të barabarta. Nuk janë të
barabarta. Qysh e thoshte Orwelli "dikush
asht ma i barabartë se të tjerët". Në një raport ku shumica e
popullsisë përbën 90 për qind të popullsisë dhe të tjerët mezi mblidhen në 10
për qind, stërbarazia me çdo kusht dhe në çdo gjë nënkupton pabarazi kundrejt
shumicës. Këmbëngulja e serbëve në të drejtat e tyre deri aty ku cenohen
interesat themelore të Kosovës e të shqiptarëve, paraqet diskriminim dhe sulm
të drejtpërdrejtë kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre themelore.
Tashmë, po bëhet
Zajednica Srpska në Kosovë, Republika Srpska në Bosnjë asht ma mirë se kurrë
dhe, jo vetëm që nuk ka Bashkësi Shqiptare në Mal të Zi, në Luginën e
Preshevës, e as në Maqedoni, por nuk ka Bashkësi Komunash Shqiptare as në vetë
Kosovën! Kishat ortodokse në Kosovë quhen "serbe", komunat e Kosovës
quhen "komuna me shumicë serbe", ka kanal të veçantë televiziv
"serb" në RTK, ka "vende të rezervuara" për "deputetë
serbë", ka "ura serbe", ka "beteja serbe", ka varre
"serbe", por nuk ka kisha shqiptare, nuk ka televizon shqiptar (por
ka një kanal të përbashkët shqip, boshnjakisht, turqisht e romisht), nuk ka
komuna shqiptare, nuk ka vende të rezervuara për deputetë shqiptarë, ka
"deputetë kosovarë"! Ka anëtarë serbë e turq të Gjykatës Kushtetuese
në shpërpjestim të plotë me numrin e popullsisë dhe diskriminim të plotë ndaj
shqiptarëve sepse shqiptarët përfaqësohen me 3 gjyqtarë shqiptarë, 2 vijnë prej
pakicave dhe katër janë ndërkombtarë! Anëtar i ri në këtë Gjykatë
Kushtetuese mun pranohet "vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të
Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar[a] ose garantuar[a] për
përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë." Ky diskriminim
i njëjtë ndodh edhe në Kuvendin e Kosovës dhe ky asht shkaku që as sot shumica
shqiptare s'po mun me themelu as ushtrinë e Kosovës. Thjesht, që të gjithë kanë
të gjitha të drejtat në Kosovë. Në Kosovë gjithkush mun me bë gjithçka, pos
shqiptarëve: ata duhet t'iu përkulen tekave të pakicave dhe planeve mendjelehta
ndërkombtare, duhet t'u garantojnë të drejta me të cilat i cenojnë të vetat,
duhet të quhen "kosovarë", të mos imponojnë asnjë vullnet të tyrin
kombtar shqiptar, për hir të "një
perspektive europiane" të
rrejshme, të paqenë! Asht paradoksale por e vërtetë: sot shqiptarët e Kosovës
janë populli ma i poshtëruar, ma i izoluar, ma i
pavlerësuar, ma i paperspektiv në Europë për hir të po kësaj "perspektive europiane".
Sa herë që vjen puna për interesa kombtare shqiptare ato
mbështillen me paçavrën "kosovar" dhe baglat e
"kosovarizmës", me flamurin e bërë prej pizhamesh të përfendura të
Ahtisaarit, i vendosur pa vullnetin e popullit dërmues shumicë në Kosovë:
shqiptarëve. Desh hyra në gjynah! Ka diçka shqiptare: Gjykatë Speciale për
Krime të Luftës nga UÇK-ja! Në Kosovën një shekull të pushtuar prej Serbisë, ku
shqiptarët u burgosën, u vranë, u masakrunë, u përndoqën me qindra-mijëra, u dëbunë, u dogjën e u përvëlunë; në Kosovën, eshtrat e bijve e bijave shqiptare të së
cilës ende janë nëpër furrat, lumejtë e baltovinat e shtrigës Serbi, po ndodh
kjo. E pabesueshme! Edhe Lufta e Kosovës kërkohet të quhet "përleshje"
("conflict")! Me i shku mendja dikujt se me 1999 ishin
disa gra serbe e shqiptare që u rrokën flokë për flokë, u grithën me thoj, e jo
se mbi 10 mijë jetë shqiptarësh u flijunë për shkak të një shteti gjakpirës e shovinist që quhet
Serbi! Me i shku mendja kujt se ishin shqiptarët ata që shkaktunë katër lufta,
që masakrunë 300 mijë njerëz, që dogjën e poqën si barbarë nëpër gjithë ish
Jugosllavinë, që varrosën e zhvarrosën viktima: gra, pleq e fëmijë! E, kulmi i
të gjitha të këqijave, kulmi i gjitha poshtërsive asht që në Serbi, edhe sot e
kësaj dite, në pushtet janë po ata serbo-fashistë e po ata shovinistë serbë,
propagandues të vrasjeve e shfarosjeve, këlyshë e langoj besnikë të kriminelit
Milosevic, fundrrina ma e qelbur nacionaliste e Serbisë, dhe jo një Serbi me
përfaqësues demokratë e humanë.
5.
Qëllimi Serbisë asht i qartë: ndarja e Kosovës dhe
bashkimi i këtyre territoreve me Serbinë. Dhe këtë politikanët fashistë serbë
nuk e fshehin. E thonë hapur. Prandaj Serbia, deri vonë, serbët në jug të
Kosovës nuk i shtyti që të kundërshtojnë shtetin e Kosovës. Mirëpo, nëpërmjet
lojës në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogut në Bruksel ajo arrijti që edhe
serbët në jug të lumit Ibër ti faktorizojë si element destabilizues të shtetit
të Kosovës. Edhe zogjtë e dijnë se Serbia s'ia qan hallin serbëve, por pasurisë
nëntokësore që ka pjesa veriore e Kosovës. Në këtë lojë, Serbia në mënyrë
indirekte, po provon me u bë partner, ortak i Trepçës dhe klauzolat që lidhen
me pikën 14 në të cilën thuhet se: "Shoqata/Bashkësia
do të jetë e pajisur me kapacitet ligjor të nevojshëm, në bazë të ligjeve
kosovare që të zbatojë objektivat e veta, përfshi të drejtën për poseduar pronë
të luajtshme dhe të paluajtshme, për ta qenë bashkëpronare e kompanive që
ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit / Bashkësisë, dhe për të
lidhur kontrata, përfshi edhe kontrata punësimi." Këtu duhen me përfitu të gjithë ata
miq të Serbisë që iu gjetën pranë "në ditë të vështira"!
Tragjedia e vërtetë e marrëveshjes asht se me këtë
nënshkrim po vërtetohet një fakt i paqenë se kinse serbët në pjesën veriore të
qytetit të Mitrovicës janë shumicë, kur dihet se pjesëtarët e ushtrisë franceze
që erdhën si "paqerujtës", dëbunë 11 mijë shqiptarë prej atje dhe
krijunë një situatë të rrejshme për pasqyrën etnike atje. As atje serbët nuk
kanë qenë as nuk janë shumicë! Miratimi i kësaj marrëveshjeje të padrejtë e
vulos këtë krim të ushtarakëve francezë ndaj shqiptarëve të cilët kurrë s'u
kthyen në shtëpitë e veta: komuna veriore pranohet se qenka me shumicë serbe
edhe në letër, nga vetë përfaqësuesit "kosovarë".
Politikanët "kosovarë" mendojnë se, në të
vërtetë, janë ata që ia kanë hedhë Serbisë dhe se në të ardhshmen do të futin
nën kontroll serbët e Kosovës. Ka mundësi. Sepse ndonjëherë edhe buallicat
fluturojnë, por në përralla.
Agim MORINA
26 gusht 2015