Wednesday, August 26, 2015

ZAJEDNICA SRPSKA - PSE EDHE "ASSOCIATION", EDHE "COMMUNITY"? - Agim MORINA



1.

 

Ligjërimi politik doemos nxjerr në shesh dhe kthjellon shumë paqartësi dhe shumë mangësi të procesit të caktuar politik. Në takimet në Bruksel thuhet se u zhvilluan takime mes dy palëve: serbëve dhe kujt? Në lajme thuhet: "palës kosovare", "qeverisë së Kosovës!" Kështu nënkuptohet se "kosovarët" janë sikurse grumbulli i bërllogut etnik në Radio Televizonin e Kosovës: shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët, ashkalijtë, torbeshët, goranët, ndonjë tregtar kinez me familje, në njërën anë, dhe serbët që e pranokan Kosovën shtet e serbët që nuk e pranokan Kosovën shtet, në anën tjetër. Pra, qenkan dy lloj grupe mutantësh etnikë serbë në Kosovë: serbë që marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, zgjidhen kryetarë e deputetë dhe serbë që nuk marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, nuk zgjidhen as deputetë, as kryetarë! Ata që marrin pjesë në zgjedhje thonë se Kosova nuk është vend ku një serb s'mun me jetu! Ata serbë që jetojnë mbi lumin Ibër mendojnë se kjo s'është e vërtetë! Pse ndodh kjo? Sepse serbët që s'e pranojnë Kosovën si shtet e kanë Serbinë mbas shpine! Çfarë rastësie! Kështu, pra, egziston "pala serbe" në bisedime dhe "pala kosovare", aj bërllogu etnik, sepse serbët e dijnë çka janë dhe e dijnë çfarë kërkojnë: ata kërkojnë të drejta kombtare serbe, kufij të përcaktuar qartë kombtarë serbë, kisha kombëtare serbe, televizion kombëtar serb, kërkojnë “Zajednica Srpska” kombëtare. Të gjitha këto i kërkojnë në "Kosovën multietnike"! Ndërsa bërllogu etnik nuk e din çka po lyp: të drejta "kosovare", kufij "kosovarë", (kështu del që Maqedonia apo Mali i Zi nuk po marrin "territor shqiptar", por po marrin "territor kosovar", territor të një bërllogu etnik!) As Shqipëria s'po mun me çelë gojën në këtë proces, sepse s'po bëhet fjalë për asgjë shqiptare, por "kosovare"! E, pra, çka bëjnë "kosovarët" me "serbët" është çështje e tyre, por s'është çështje "shqiptare"! E ujdisur mirë apo jo? Po, po të mos ishte gjithë kjo orgji politike në kurriz të shqiptarëve.

 

2.

Është e çuditshme që në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes në gjuhën angleze për emërtimin e entitetit serb në Kosovë, “Zajednica Srpska”-n, përdoren dy terma: "association" dhe "community" të ndamë besnikërisht, pa gabu asnjëherë të vetme, me një vizë të pjerrët. Pse duhen dy emërtime? A nuk mjaftoi një emërtim i vetëm? Dhe pse nuk mjaftoi vetëm një emërtim?

 

Ky entitet duhet me u qujtë me emrin e vërtetë që e ka: “Zajednica Srpska” (pa vizë, as të pjerrët). Pse duhet me u qujtë kështu? Sepse vetëm kështu mujnë me u shpjegu më së miri të gjitha kuptimet dhe qëllimet e vërteta të këtij entiteti: zyrtarizimi i serbizimit të katër komunave të Kosovës Veriore (me këtë mohimi i "Kosovës multietnike", kësaj rrene spektakolare që nga viti 1999, që u përdor vetëm sa për t'i shtypë ndjesitë kombëtare të shqiptarëve), që ky entitet me ndiku e me u lidhë me Serbinë dhe përdorimi i këtij entiteti brenda Kosovës për qëllime shoviniste të Serbisë në Kosovë. Të gjitha këto nuk mujnë me u kapërthy më mirë e në plotni me asnjë emërtim tjetër, as në anglisht, as në shqip, as në vetë serbishten. Pra, nuk është kjo "zajednica", një shoqatë apo bashkësi e thjeshtë me qëllime të mira kundrejt Kosovës e aq më pak kundrejt shqiptarëve, e me qëllime të paqarta shoviniste për serbët! Jo! Kjo është “Zajednica Srpska”! E cila, në fillim, për shkak të përfitimeve sa më të mëdha politike, u emërtu me një emër pak si të pafajshëm "zajednica" nga serbët, të cilët për vete me këtë nënkuptonin kompetenca të gjëra, por lanë që ndërkombëtarët e shqiptarët të argëtohen me injorancën e tyre. 

 

Nga shqiptarët u qujt shoqatë. Masandej dikush u tha që duhet me qujtë "asociacion", sepse kjo te shumica e popullsisë shkakton hutesë, duke qenë se nuk e dijnë saktë se çfarë nënkupton kjo fjalë. Më vonë nisi me u qujtë edhe "bashkësi". Por bashkësi "pa kompetenca ekzekutive". Marrëveshja u bë, si duket, duke mos e kuptu kurrë që në politikë kalimi nga "asociacioni" në "bashkësi" është një hap i madh dhe jo i parëndësishëm në përmbajtjen e vet, aq më shumë kur Serbia ngul këmbë për këtë. Dhe nuk është fare çudi që, qysh në mbledhjen e parë, ky entitet ka m'ia dhanë emrin e vërtetë dhe kuptimplotë zyrtar vetes dhe ka me e mbiqujtë veten “Zajednica Srpska”, (dhe s'ka kush që e ndal këtë), ashtu qysh partia e serbëve që deshi të regjistrohej në Kosovë u emërtu në fillim "Lista Serbia", e masandej iu kthy kipcit të vet lugat dhe u mbiqujt "Lista Srpska".

 

3.

Çfarë kuptohet me fjalët "association" dhe "community" në anglishte, tue qenë se marrëveshja kryesore është shkru në këtë gjuhë. Janë marrë për bazë dy fjalorë të anglishtes angleze dhe një e anglishtes amerikane.

 

Fjala "association" sipas fjalorit të Oxfordit, , Kembrixhit e Marriam-Websterit:

 

1. "(Shpesh në emërtime) grup i njerëzve të organizuar për një qëllim të përbashkët"

(Often in names) a group of people organized for a joint purpose)

 

2. Lidhje marrëdhëniore apo përbashkësore ndërmjet njerëzve apo organizatave.

(A connection or cooperative link between people or organizations)

 

(...)

 

Fjala "community" sipas fjalorit të Oksfordit, Kembrixhit e Marriam-Websterit:

1. një grup njerëzish që jetojnë në një vend të përbashkët apo që kanë të përbashkët karakteristika të veçanta (a group of people living in the same place or having a particular characteristic in common); fjalori i Kembrixhit ia shton edhe "që konsiderohen si njësi për shkak të interesave të përbashkëta, grupit shoqëror, apo kombësisë" ("considered as a unit because of their common interests, social group, or nationality ").

 

1.1 - grup njerëzish që jetojnë bashkë dhe praktikojnë pronësi të përbashkët (A group of people living together and practising common ownership)

 

1.2 - një zonë apo vend i veçantë bashkë me banorët e tij (A particular area or place considered together with its inhabitants)

 

1.3 - një grup i kombeve apo shteteve të bashkuara simbas interesave të përbashkëta (A body of nations or states unified by common interests)

 

(...)

 

Shihet se "associacion" në anglisht domethënë "shoqatë", "grup i njerëzve të organizuar për një qëllim të përbashkët", apo "lidhje marrëdhëniore apo përbashkësore ndërmjet njerëzve apo organizatave". Ky ishte kuptimi fillestar i cili u përdor nëpër media dhe linte përshtypjen e një shoqate e cila do të mblidhte rreth vetes anëtarë për të punu për disa qëllime të përbashkëta: shoqatë gjuetarësh, shoqatë biçiklistësh, shoqatë çobanësh. Thuhej se bisedat bëheshin "për çështje teknike". Dhe ban vaki që do të mun mbeteshin teknike brenda një entiteti të shoqatës ("association"). Mirëpo vetë kriminelët e Serbisë, në zyrat ku përgatitën plojat dhe masakrat nëpër gjithë Jugosllavinë, përgatitën një plan më të thellë, më të gjithanshëm politik. Ata e qunin vazhdimisht "zajedinica". Dhe në fillim, nuk bënë zë kur "zajednica" në anglishte përdorej e përkthehej me kuptimin "association". Qëllimi ishte që të nisë, të rrokulliset ky proces dhe në rrokullisje e sipër të arrihej te qëllimi tjetër, që "zajednica" të identifikohej me emërtimin "community". Në serbishte "zajednica" përfshin lehtë edhe atë që në në anglisht i thonë "association" (shq. "shoqatë, lidhje"), edhe "community" (shq. "bashkësi") sepse është kuptimisht më i gjerë e më gjithëpërfshirës. Por, anëtarët shqiptarë të delegacionit në Bruksel u desh t'i merrnin parasysh me shumë kujdes këto implikime gjuhësore. Kalimi nga "association", që kishte kuptimin e zgjidhjeve të problemeve teknike, në "community" ka mundësi të keqpërdoret shumë lehtë nga “Zajednica Srpska” për qëllime të qarta e të hapura politike. Në shqip emërtimi "bashkësi" në kuptimin e vet politik ësht i vagëllimtë në popull, duke qenë se nuk ka pasë institucione ku njerëzit praktikisht kishin me kriju një ide të qartë për të, sikur që e kanë më të qartë për fjalët: "bashki", "komunë", "krahinë", "republikë" etj. Kuptimi i dytë i fjalës "bashkësi" në fjalorin e shqipes e jep mjaft qartë idenë se për çka bëhet e mun bëhet fjalë me leksemën "bashkësi":

 

Sado që  ana gjuhësore të duket e sipërfaqshme dhe e parëndësishme, duket se loja terminologjike në emërtimin e “Zajednica Srpska”-s nuk është vetëm lojë fjalësh, por edhe politikë e kamufluar dhe dinake. Nëse emërtimi s'do të kishte pasë rëndësi e peshë, natyrisht, palët do të pajtoheshin që ajo të emërtohej me një fjalë, association/zajednica/shoqatë tue qenë se zgjidhja e një emërtimi për një entitet duket më afër mendsh sesa dy emërtime. Fakti që është dashë me dalë me dy emërtime në një marrëveshje kaq me peshë, tregon se Serbia, kur dialogu po i afrohej fundit, ka ngulë këmbë që pjesa "community" me figuru në marrëveshje me çdo kusht, për me mujtë me e lënë të hapur shtegun e kërkesave të reja politike në këtë vijë dhe për me zhvlerësu emërtimin "association" në të ardhshmen.

 

4.

Problemi shkon më thellë: “Zajednica Srpska” i shkatërron përfundimisht themelet e "multietnicitetit" që përpallte gomari ahtisaarian dhe i jep fund blofit dhe dyfytyrësisë së ndërkombëtarëve për një Kosovë ku "të gjitha etnitë" janë të barabarta. Nuk janë të barabarta. Qysh e thoshte Orwelli "dikush është më i barabartë". Në një raport ku shumica e popullsisë përbën 90 për qind të popullsisë dhe të tjerët mezi mblidhen në 10 për qind, stërbarazia me çdo kusht dhe në çdo gjë nënkupton pabarazi kundrejt shumicës. Këmbëngulja e serbëve në të drejtat e tyre deri aty ku cenohen interesat themelore të Kosovës e të shqiptarëve, paraqet diskriminim dhe sulm të drejtpërdrejtë kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre themelore.

 

"Zajednica Srpska" tashmë po bëhet në Kosovë, Republika Srpska në Bosnjë është më mirë se kurrë dhe, jo vetëm që nuk ka "Bashkësi Shqiptare" në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, e as në Maqedoni, por nuk ka Bashkësi Komunash Shqiptare as në vetë Kosovën! Kishat ortodokse në Kosovë quhen "serbe", komunat e Kosovës quhen "komuna me shumicë serbe", ka kanal të veçantë televiziv "serb" në RTK, ka "vende të rezervuara" për "deputetë serbë", ka "ura serbe", ka "beteja serbe", ka varre "serbe", por nuk ka kisha shqiptare, nuk ka televizion shqiptar (por ka një kanal të përbashkët shqip, boshnjakisht, turqisht e romisht), nuk ka komuna shqiptare, nuk ka vende të rezervuara për deputetë shqiptarë, ka "deputetë kosovarë"! Ka anëtarë serbë e turq të Gjykatës Kushtetuese në shpërpjesëtim të plotë me numrin e popullsisë dhe diskriminim të plotë ndaj shqiptarëve, sepse shqiptarët përfaqësohen me 3 gjyqtarë shqiptarë, 2 vijnë prej pakicave dhe katër janë ndërkombëtarë! Anëtar i ri në këtë Gjykatë Kushtetuese mun pranohet "vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar[a] ose garantuar[a] për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë." Ky diskriminim i njëjtë ndodh edhe në Kuvendin e Kosovës dhe ky është shkaku që as sot shumica shqiptare s'po mun me themelu as ushtrinë e Kosovës. Thjesht, që të gjithë kanë të gjitha të drejtat në Kosovë. Në Kosovë gjithkush mun me bë gjithçka, pos shqiptarëve: ata duhet t'iu përkulen tekave të pakicave dhe planeve mendjelehta ndërkombëtare, duhet t'u garantojnë të drejta me të cilat i cenojnë të vetat, duhet të quhen "kosovarë", të mos imponojnë asnjë vullnet të tyrin kombëtar shqiptar, për hir të "një perspektive europiane" të rrejshme, të paqenë! Është paradoksale por e vërtetë: sot shqiptarët e Kosovës janë populli më i poshtëruar, më i izoluar, më i pavlerësuar, më i paperspektivë në Europë për hir të po kësaj "perspektive europiane".

 

Sa herë që vjen puna për interesa kombtare shqiptare ato mbështillen me paçavuren "kosovar" dhe baglat e "kosovarizmës", me flamurin e bërë prej pizhamesh të përfendura të Ahtisaarit, i vendosur pa vullnetin e popullit dërrmues shumicë në Kosovë: shqiptarëve. Desh hyra në gjynah! Ka diçka shqiptare: Gjykatë Speciale për Krime të Luftës nga UÇK-ja, dmth. nga shqiptarët! Në Kosovën një shekull të pushtuar prej Serbisë, ku shqiptarët u burgosën, u vranë, u masakruan, u përndoqën me qindra-mijëra, u dëbuan, u dogjën e u përvëluan; në Kosovën, eshtrat e bijve e bijave shqiptare të së cilës ende janë nëpër furrat, lumejtë e baltovinat e shtrigës Serbi, po ndodh kjo. E pabesueshme! Edhe Lufta e Kosovës kërkohet të quhet "përleshje" ("conflict")! Me i shku mendja dikujt se me 1999 ishin disa gra serbe e shqiptare që u rrokën flokë për flokë, u grithën me thoj, e jo se mbi 10 mijë jetë shqiptarësh u flijuan për shkak të tërbimit të një shteti gjakpirës e shovinist që quhet Serbi! Me i shku mendja kujt se ishin shqiptarët ata që shkaktuan katër lufta, që masakruan 300 mijë njerëz, që dogjën e poqën si barbarë nëpër gjithë ish Jugosllavinë, që varrosën e zhvarrosën viktima: gra, pleq e fëmijë! E, kulmi i të gjitha të këqijave, kulmi i gjitha poshtërsive është që në Serbi, edhe sot e kësaj dite, në pushtet janë po ata serbo-fashistë e po ata shovinistë serbë, propagandues të vrasjeve e shfarosjeve, këlyshë e langoj besnikë të kriminelit Milosevic, fundërrina më e qelbur nacionaliste e Serbisë, dhe jo një Serbi me përfaqësues demokratë e humanë.

 

5.

Qëllimi Serbisë është i qartë: ndarja e Kosovës dhe bashkimi i këtyre territoreve me Serbinë. Dhe këtë politikanët fashistë serbë nuk e fshehin. E thonë hapur. Prandaj Serbia, deri vonë, serbët në jug të Kosovës nuk i shtyu që të kundërshtojnë shtetin e Kosovës. Mirëpo, nëpërmjet lojës në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogut në Bruksel ajo arrijti që edhe serbët në jug të lumit Ibër t'i faktorizojë si element destabilizues të shtetit të Kosovës. Edhe zogjtë e dijnë se Serbia s'ia qan hallin serbëve, por pasurisë nëntokësore që ka pjesa veriore e Kosovës. Në këtë lojë, Serbia, në mënyrë indirekte, po provon me u bë partner, ortak i Trepçës dhe klauzolat që lidhen me pikën 14 në të cilën thuhet se: "Shoqata/Bashkësia do të jetë e pajisur me kapacitet ligjor të nevojshëm, në bazë të ligjeve kosovare që të zbatojë objektivat e veta, përfshi të drejtën për poseduar pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, për ta qenë bashkëpronare e kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit / Bashkësisë, dhe për të lidhur kontrata, përfshi edhe kontrata punësimi." Këtu duhen me përfitu të gjithë ata miq të Serbisë që iu gjetën pranë "në ditë të vështira"!

 

Tragjedia e vërtetë e marrëveshjes është se me këtë nënshkrim po vërtetohet një fakt i paqenë se kinse serbët në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës janë shumicë, kur dihet se pjesëtarët e ushtrisë franceze që erdhën si "paqerujtës", dëbuan 11 mijë shqiptarë prej atje dhe krijuan një situatë të rrejshme për pasqyrën etnike atje. As atje serbët nuk kanë qenë as nuk janë shumicë! Miratimi i kësaj marrëveshjeje të padrejtë e vulos këtë krim të ushtarakëve francezë ndaj shqiptarëve të dëbuar, cilët kurrë s'u kthyen në shtëpitë e veta: komuna veriore pranohet se qenka me shumicë serbe edhe në letër, nga vetë përfaqësuesit "kosovarë".

 

Politikanët "kosovarë" mendojnë se, në të vërtetë, janë ata që ia kanë hedhë Serbisë dhe se në të ardhshmen do të futin nën kontroll serbët e Kosovës. Ka mundësi. Sepse ndonjëherë edhe buallicat fluturojnë, por në përralla.

 

Agim MORINA

26 gusht 2015

 

Thursday, February 26, 2015

SIRIANI JEM - Agim MORINA

SIRIANI JEM

Ura e Leklit



(Sirianit që u mbyt në lumin Drino, poshtë Urës së Leklit, të cilit kurrë nuk iu ba i ditun emni. Të gjitha mediat e identifikuen vetëm si 'një sirian'.)


Siriani jem, na korite.
Siriani jem, u fike.
Ishe bir i dhembjes,
u bane peshk i pafundsisë.

Kur kam ikë unë, si ti,
siriani jem,
unë u kam besu maleve.
Malet nuk lëvizin,
janë etën të besës,
rojtarë të dashunisë.

Kur kam ikë unë, si ti,
siriani jem,
nuk i kam hy lumejve kurrë.
Lumejtë janë gjarpij të etjes.
Lëvizja asht nanë e dinakërisë,
motër e ujkut.

Unë kam ikë ma larg.
Isha ma dinak.
Ti - njeri ma i mirë.
Frymën e fundit ia dhe vendit tem.
Padashtaz. Por, ia dhe.
Dikur, me vdekë kështu, e kishe koritë vendit tem.
I kishe shti në gjak shtatë fise.
Tash vendi jem nuk po koritet me asgja!
Mun me vdekë qysh të dush e ku të dush!


08 shkurt 2014

Wednesday, February 25, 2015

KTHIMET SERBE - Agim MORINA







Agim Morina

Shqiptarët sot janë në një gjendje e cila shpesh përsëritet në historinë e tyne: me një të kalueme të zymtë, me një tashme kaotike dhe me një të ardhme të mjegullt e të paparashikueshme.

Ky asht fundi i luftnave, koha ma e kobshme për shqiptarët. Koha kur ata dehen nga një njëmendësi e re. Koha kur ata i shkredhin krenat prej thellësive të robnisë dhe për pak ngopen me ajër të pastër të njëfarë lirie të shpërshijshme. Koha kur atyne shumë vështirë u punon mendja e instiktet. Koha kur ata harrojnë çdo gja tjetër. Edhe rrezikun që u kërcënon.

Pasi një kohë të gjatë rreth dy mijë vjeçare kanë kalue në një koleksion robnish, ata sillen si qenie që e kanë humbë ndjenjën e orientimit në një kohë të labërgimtë. Dinë si të luftojnë për lirinë derisa janë në robni në mënyrë të përsosun, por s'dinë si t'ia bajnë kur liria afrohet (në Kosovë) apo kur ajo tashmë asht aty (në Shqipëri).

Ndër ato gjana që shqiptarëve jua ka thye qafën në këtë shekull asht dehja. Një delirium i çuditshëm. Një mpakje e çastit, kur nis befasisht një prodhim halucinacionesh. Humbja serbe, fjala vjen, merret, automatikisht, si fitore shqiptare. Por humbjet serbe nuk kanë qenë gjithmonë fitore shqiptare. Së paku jo për kohë të gjatë.

Le t'i rikujtojmë vetëm dy kohna të ngjashme me këto të sodit që kanë ndodhë jo ma larg se në këtë shekull.

VJETI 1914. Austro-Hungaria, një goxha perandori, i shpalli luftë Serbisë. E tana ndodhi si në atë profecinë dykuptimëshe të orakujve të tempullit të Delfit që ia thanë mbretit të Persisë se: "Kush Halisin do ta kalojë, një mbretni do ta shkatërrojë." Dhe mbreti i verbuem prej fitores e kaloi lumin Halis, tue mendue se kështu pat me shkatërrue mbretninë kundërshtare por e shkatërroi mbretninë e vet.

Serbia dukej se s'kishte gjasa me fitue. Gjithkush në botë e ka ditë këtë si fakt të kryem. Kështu e kanë ditë edhe serbët. Por megjithatë ata hynë në luftë. E gjithë armata serbe iku nëpër malet e Shqipnisë, megjithëse një vit ma parë aty kishte ba masakra dhe nuk hasi në kurrfarë rezistence të organizueme. Iku edhe mbreti Petar I, edhe një pjesë e popullsisë serbe. Shkuen deri në Durrës si kope e bame pikë e pesë. Atje i prisnin anijet e aleatëve. Kurrkush nuk kishte fije shprese se ka me ndodhë kthimi triumfal serb. Humbja ishte totale dhe vetëm një imagjinatë e bujshme kishte mujtë me mendue se qoftë edhe një ushtar i Mbretit Petar I Oslobodilac - qysh u mbiquejt ma vonë - ka me mujtë me u kthye me armë në dorë. Austro-Hungaria u dha të drejta shqiptarëve, por nuk i bani shtet të fortë. As ajo nuk pati kohë dhe as vetë shqiptarët nuk ia banë hyzmetin kësaj pune që të bahen të fortë. Dhe pas katër vjetësh ndodhi ajo që nuk mund të merrej me mend: u shkatërrue perandoria austro-hungareze ndërsa ushtria serbe u kthye si fitimtare. Dhe Serbia u ba Jugosllavi. Dhe shqiptarët shkojshin si Muça mbas një udhëheqësi-dai tue u mundue sa ma mirë me ja vnue ndërskamcat njeni-tjetrit. Derisa nuk i qetësoi Serbia.


VJETI 1941. Gjermania hitleriane nisi luftën kundër Jugosllavisë. Dhe për tri ditë s'pat ma Jugosllavi. Shqiptarët prapë mbetën si patat në mjegull. Dikush thumbit e dikush patkoit bajshin luftë për pushtetin që s'e kishin. Serbët e malazezët kolonë ikën. Shqiptarët kqyrshin një kambë e para kush po bahet bajraktar. Por tue mos qenë asnjani i fuqishëm sa duhet, për me ja kallxue të tjerëve se ku e kishin vendin, ata e pickojshin njeni-tjetrin. I ujitshin inatet, çamjet, urrejtjet. Shkelshin përmbi parime, ideale e dashuni. Sepse, mendojshin ata, serbët s'kthehen kurrë ma. Gjermania hitleriane s'mundet me humbë kurrë. Kështu që shqiptarët kishin kohë me luftue me njeni-tjetrin. Asht fakt i hidhun se edhe në këtë kohë Mitrovica pat mbetë matanë kufini. Dhe çdo përpjekje që Mitrovica të ndahet do të quhet kurorëzim i një akti nazist.


VJETI 1945 u ra në krye shqiptarëve edhe një herë. Nazistët kapituluen. Serbët u kthyen prapë në Kosovë për ta vnue rendin serb me zjarr e me hekur. Pra, Serbia në histori, ka ditë me i kthye humbjet e veta ma të thella në fitore ma madhështore. Ndërsa shqiptarët, thjesht nuk e dinë as numrin e viktimave që griu makina serbe e vdekjes për një shekull të kobshëm.


VJETI 1999. Edhe sot shqiptarëve u duket se ushtrinë serbe e kanë dëbue n'Hanë. NATO-ja s'mundet me humbë kurrë. Kështu që ata kanë kohë me luftue me njeni-tjetrin. Ata edhe tash flasin me fjalor "mbarëkombëtar" ndërsa veprojnë me akte krejt të ngushta "partiake".

Kriminelët serbë, mendojnë ata, s'mund të kthehen ma kurrë. Ashtu qysh patën mendue baballarët e gjyshnit e tyne. Kjo luftë e pakuptimtë me njeni-tjetrin e ushqen pikërisht atë farë të keqe ndër vetë shqiptarët e cila ma vonë vjen e bahet pushtet. Bash fara ma e keqe. Nuk e dimë vjetin e saktë se kur mund të kthehet soldateska serbe, sepse s'jemi orakuj as profetë, por derisa shqiptarët ta hanë njeni-tjetrin me kaq urrejtje të bukur e të shijshme, duhet ta dinë se vetëm një gisht mbas qafe janë tue pikue jargët prej dhambëve të bishës Serbi.

Shqiptarët edhe sot shumë ma tepër do të duhej t'i brengosë Kthimi i Serbisë dhe jo ashti i pushtetit që ua ka gjuejtë dikush te kambët. Sepse dy qeveri kosovare shumzue me një ndërkombëtare (shih ku paska ardhë puna!), dy pushtete kosovare janë baraz me asnjë pushtet real shqiptar. Nuk asht çudi që fati i Mitrovicës apo edhe fati i Republikës së Kosovës ka me u përcaktue në kohën e dypushtetsisë apo të asnjëpushtetsisë. Në kohën kur dadot antishqiptarë të politikës ndërkombëtare do të kujdesen që shqiptarëve t'u garantohet sa ma pak pushtet real. Minimumin e asaj që ua imponon situata.

Atëherë do të ndodhë prapë ajo që të gjithë të jemi e të mos jemi fajtorë. Sepse ka pasë kohna edhe ma premtuese për shqiptarët sesa tash, e ata as atëherë s'kanë arritë me i marrë frytet ma të mira tue mos ia lëshue udhën njeni-tjetrit si ata dy cjepën n'atë urë të ngushtë.

Anmiqve të shqiptarëve sot u duhet vetëm pak kohë që të mund ta marrin veten. Ndërsa shqiptarët s'dinë qysh me ja ba me kohën sepse e kanë si shumë. Një mijëvjeçar i ri, krejt i paçikun, shtrihet para tyne.


 (Revista D.M.Th., Nju Jork, 7 dhjetor 1999, nr. 2, fq. 5)

Tuesday, February 24, 2015

MARIFETI I ADALETIT EUROPIAN - Agim MORINA



Apo qysh po lan lesh drejtësia europiane në Albin Kurtin




Në fjalorin e orientalizmave në gjuhën shqipe të Tahir Dizdarit ndër zanet e tjera asht edhe zani adalet. Asht emërtim i vjetrumë i nji perandorie të perëndume. Gjyshnit tanë, sikurse na sot, sigurisht kanë qenë të hutumë me kuptimin e kësaj fjale, ashtu qysh po hutohemi na sot me përkufizimet e sotme të burokratëve europianë. Na, tash, vërtet jemi ma të arsimumë por kjo s’po na ndihmon shumë sepse veprimet praktike po i tradhtojnë përkufizimet akademike, si sot, si në shekujt e kalumë. Kjo ndodh ngaqë përkufizimi i fjalës po varet, gjithsesi, prej zbatimit të saj në praktikë. ‘Në shqipet - theksueshëm në veri - kjo fjalë, si disa të tjera (...) ka marrë në thu për sa i përket vështrimit krejt të kundërt: kërdi, mynxyrë, me la lesh.’ - shkruen Dizdari për fjalën ‘adalet’.

Te Fjalori i Bashkimit na qenka ‘me ba plog’ dhe te Gazulli na qenka ‘me ba mynxyrë’. Në Dibër u këndoka kanga: ‘Dada e zonja po bajnë medet / Ç’ashtë kjo gjamë e adalet...’ Edhe Fishta e thanka: ‘Shumë askjer ban do adalet’. Mirëpo cili asht kupimi i kësaj fjale në osmanishte? Nga arabishtja adl: ‘drejtësi e plotë; respektim i të drejtës së çdonjanit në mënyrën ma të përpiktë e të meritueshme’, thotë Dizdari.

Mirë, çuditem unë, pse athu gjithë ky përkufizim kaq i mprehtë, i qartë e i bukur i drejtësisë pra, i adaletit, me u keqkuptu kaq mbrapsht e kaq pangjashëm prej shqipove? Edhe ate jo pak, jo për nga ngjyrimi, por kuptimi krejt i kundërt i tij! Athu shqiptarët e kanë daullen e veshit të ngjeshun mbrapsht? Apo qendra e tyne trunore e ndëgjimit jep sinjale të përkundërta? Pse nji nga shtyllat e perandorisë - si këto shtyllat e sotme europiane - nuk asht pa prej shqiptarëve si shtyllë, nuk asht pa si vertikal, i drejtë, i patundun por asht pa si horizontal, si pengesë, si problematik, ku shqiptarët, në vend se me kërku mbështetje në te, kanë ikë prej saj dhe, tue ikë, kanë marrë në thu? Vërtet, pse? Kur e sheh që  vetë Perandoria Otomane adaletin e përkufizonte jo thjesht si ‘drejtësi’ por si ‘drejtësi e plotë’, jo drejtësi të përgjithshme por ‘respektim i të drejtës së çdonjanit’; dhe jo vetëm të kaq por edhe ‘në mënyrën ma të përpiktë e të meritueshme’ e sheh se kësaj i thonë përkufizim e jo hajgare! Baba Sulltan e thoshte se ka me ndjekë këtë përkufizim në praktikë, por kur kjo fjalë dhe kjo drejtësi vinte në tokat shqiptare në majën e shpatave të akënxhijve e humbte kuptimin. Në praktikën shqiptare ajo shëndrrohej në ‘kërdi’ e ‘mynxyrë’. Kjo ishte ajo që bante praktikisht Perandoria Otomane në tokat shqiptare dhe ky ishte kuptimi i vetëm që shqiptarët mund t’ia jepnin fjalës adalet. E paramendoj jeniçerin i cili mbasi të ketë ba plojë mbi disa katunde shqiptare, tue u kthy t’ia ketë shpjegu shqiptarëve të tjerë, rrugës, se kjo që ka ba ai në osmanisht i thonë ‘adalet’. Natyrisht, për jeniçerin kjo duhet ta ketë pasë kuptimin ‘e drejtësisë së plotë’, por për shqiptarin e shkretë të lamë në gjak, ka qenë faktike se kësaj i thonë ‘mynxyrë’ dhe ‘plojë’. Dhe s’ka pasë shpjegim e mësim ma të mirë e ma të qartë për kuptimin e cilësdo fjalë sesa vetë praktika që e ka ndjekë dhe e ka mbulu fjalën me veprimin e caktumë.

Arrestimi në stilin milosevician i Albin Kurtit atë ditë që dha lajmin se
Lëvizja Vetëvendosje ka me marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare


Ajo që ‘drejtësia europiane’ tash don me na kallxu si mësim në Kosovë me këtë fillim jo shumë të lavdushëm po shkon drejt shtrembënimit jo vetëm ‘të drejtësisë europiane’ por edhe drejt shtrembënimit të vetë fjalës ‘drejtësi’. Me ndjekë Albin Kurtin nëpër gjyqe për demostratat paqësore dhe mos me i ndjekë kriminelët rumunë mbas mynxyrës që banë, mos me ndjekë lukuninë e kriminelëve serbë që ikën prej burgjesh si me pasë dalë prej panairit të djathnave mbasi banë plojë nëpër Kosovë, duket ma shumë adalet qysh e kuptojnë shqiptarët sesa adalet qysh e kuptonin burokratët otomanë në të kalumen dhe burokratët europianë sot. Me përndjekë Albin Kurtin për diçka që në çdo vend europian do t’i prekte themelet e demokracisë e të lirisë asht, e thanun shul-shqip, me la lesh në të dhe me përmbysë çdo kuptim të mirëfilltë të drejtësisë, të demokracisë e të lirisë; poende, kjo don të thotë me i dhanë kësaj fjale edhe kuptimin e përkundërt.

Në punën që burokratët europianë po e bajnë që t’ia ndërrojnë kuptimin edhe drejtësisë së sotme sikurse adaletit të dikurshëm vijmë edhe te fjala tjetër: ‘marifet’. Në fjalorin e Dizdarit ka kuptimin e parë që përshtatet me atë që asht në osmanisht e arabisht: ‘zotësi, shkathtësi (...) talent’; por vetëm në shqip - kqyre ti vakinë - ka edhe kuptimin e dytë: ‘sendërgji, mkrejce, shejtani, dredhi, dinakëri’. Po kjo pse? Sepse, si duket, të gjitha aftësitë, zotësitë dhe talentet që kishin burokratët otomanë dhe i zbatonin këto mbi shqipot, këta i përjetonin si dredhi e dinakëri. Pra, ajo që për otomanët ishte ‘aftësi’, për shqiptarët ishte ‘dredhi’. Këtu edhe këta ‘të perandorisë europiane’ sikur pikëtakohen. Me njifarë marifeti të pangjamë, ata po përpiqen me na tregu se me gjyku të pafajshmin asht marifet i adaletit. Por ajo që shqiptarët po shohin në praktikë dhe që po e përkthejnë në mendjet e tyne nuk po duket zotësi e zbatimit të drejtësisë por pikërisht e kundërta, dredhi për zbatimin e padrejtësisë. Sepse kriminelët rumunë në uniforma policësh që vranë dy djem të rij shqiptarë dhe plagosën dhjetna të tjerë morën edhe dekorata! Me qinda kriminelë serbë që vranë mija shqiptarë, shetiten sot lirshëm nëpër botë, poende, pa viza. Janë me qinda njerëz të kidnapumë e të egzekutumë, trupat e të cilëve janë shpërnda nëpër shtetin e kriminalizumë serb - pa viza! - për me mshefë krimin. Janë me mija dosje krimesh e stërkrimesh që i ka mbulu pluhuni burokrat në Kosovë dhe paskësh mbetë ‘drejtësia europiane’ me u vu në vijë tue gjyku - ndër të parët - Albin Kurtin? Adalet, i thonë kësaj, adalet! Gjithmonë ashtu qysh e kanë kuptu shqiptarët adaletin. Dhe, fatkeqsisht, kanë pasë të drejtë.

Nuk do të duhej me u habitë aspak, prandej, nëse në fjalorin e shqipes të vjetit 2050 në zanin drejtësi europiane ka me shkru: ‘Kjo fjalë ka marrë në thu  - theksushëm në Shqipninë Verilindore, pra, në Kosovë - dhe ka vështrim krejt të kundërt prej gjuhësh të tjera europiane dhe domethanë: ‘mynxyrë, me la lesh, faqezezni, padrejtësi’ etj. Kjo, jo për shkakun që shqiptarët nuk e dijnë anglishten, gjermanishten apo frengjishten por për shkakun e thjeshtë se veprimi praktik i burokratëve europianë, sikurse ai i burokratëve otomanë, po ua mëson shqiptarëve ma saktë kuptimin e vërtetë të fjalëve dhe jo fjalorët as përkufizimet e bukura të tyne. Ajo që shqiptarët po e mësojnë tue pësu mbi lëkurën e tyne po hyn ma thellë në mendje dhe po e kthen tepërmbys edhe kuptimin fjalëve sado të bukura, e me këtë edhe të fjalës drejtësi!


Agim MORINA 

qershor 2010

MAQEDONIA PËRBALLË VETVETES





Nga Agim Morina

Ideologë të nacionalizmit të verbër sllavomakedon dojnë me çdo kusht me kriju kundërshtarin e paqenë: shqiptarët! Ata harrojnë se me heqjen nga skena të faktorit shqiptar në Maqedoni, zhduket çfarëdo ideje e sllavomakedonizmit dhe krijohen dy njëmendësi: shqiptare dhe bullgare. Kjo ngjan me dëshirën e pandalshme të Kreseut, mbretit të Lidisë, i cili tue dashë me shkatërru mbretninë fqinje të Medesë, shkoi dhe u këshillu me orakullin e Delfit, për me pa se çfarë parashikohej në rast se ai do të shpallte luftën kundër medeasve, me të cilët i ndante lumi Halis. Orakulli, si zakonisht, dha këtë divnesë dykuptimëshe: ‘Kush Halisin do ta kalojë, një mbretëri do ta shkatërrojë!’ Kreseu, i verbuar nga lakmia e dëshira e zjarrtë për fitore, këtë divnesë e mori si ogur të sigurtë për fitoren e tij dhe sulmoi mbretërinë e Medesë. Mirëpo, ai pësoi disfatë të plotë dhe, vërtet, ashtu siç tha divnesa, shkatërroi një mbretëri, por mbretërinë e vet. Edhe nacionalistët sllavomakedonë, në yryshin e tyre që kanë marrë, mbasi janë këshilluar me orakuj që japin divnesa me kuptime të dyfishta, (‘kush Vardarin do të kalojë/një ‘mbretëri’ do ta shkatërrojë’), nuk e kuptojnë se në një ballafaqim me shqiptarët ata vërtet do të shkatërrojnë një aktor në skenën politike të Maqedonisë, por ky aktor do të jenë ata vetë.




Shkup: Nis sërish protesta lirimin e gjashtë të dënuarve në rastin “Monstra”



Histori e gjatë e cenimit të të drejtave të shqiptarëve

Me datën 2 maj 2014 u zhvillu edhe akti ma i ri i skenareve të mujsharisë së qarqeve nacionaliste sllavomakedonase. Gjashtë shqiptarë u dënunë me burg të përjetshëm me akuzën se ata janë vrasës të pesë sllavomakedonasve të cilët u gjetën të vrarë në brigjet e liqenit të Smilkovcit me 2012. Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, së pari në Shkup, e pastaj edhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë, të Shqipërisë, të Kosovës por edhe të mërgatës, nisën protestat e tyre për të shprehur pakënaqësinë e tyre me këtë vendim. A ka arsye për këtë? Pse do të duhej me protestu për një vendim gjykate?

Krimi në Smilkovc, padyshim, ishte i tmerrshëm. Pesë qytetarë të pafajshëm ishin egzekutu në rrethana misterioze. Katër djem të rij dhe një mesoburrë. Që të gjithë sllavomakedonas. Problemi ma i madh ishte dhe mbetet motivi. Pse u vranë ata? Pesha e krimit dhe misteri që e ka mbështjellë nuk mun shpjegohet lehtë sepse ka një histori të trishtë që lidhet me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Struktura të caktuara në qeveritë e Maqedonisë, sidomos në Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë, që nga pavarësia e saj, ma shumë janë profesionalizuar në luftën e tyre të fshehtë e të hapur kundër shqiptarëve sesa në luftën kundër krimeve dhe rreziqeve të njëmendta që i kërcënohen Maqedonisë. E keqja asht që këto struktura janë trashëgu nga sistemi i mëparshëm jugosllav i cili kishte instalu edhe në Maqedoni një aparaturë të specializuar antishqiptare. Derisa në të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë – ku ma shumë e ku ma pak – ndodhi ndërrimi i njerëzve në këto struktura, për shkak të luftave që shpërthynë atje, kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë në Serbi e në Maqedoni. Kjo gjë ka bë që njerëz të policisë, të njësive speciale dhe të Shërbimit Sekret të Maqedonisë e të Serbisë të mbeten jo vetëm në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por ende me një ndërvarësi të punëtorëve të këtyre shërbimeve nga qendra e dikurshme – Beogradi.

Lufta e pandalshme kundër shqiptarëve që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, i ktheu strukturat e organizuara antishqiptare në Serbi e Maqedoni në partnerë sepse kishin një kundërshtar të përbashkët – shqiptarët. Një nga projektet e para masive e më të mynxyrshme ishte dëbimi i shqiptarëve në Turqi. Së pari, në vitet pesëdhjetë, në këto dy republika u shpik kombësia turke e cila do të duhej të lehtësonte këtë dëbim. Dhënia e ‘vesikave’ (dokumenteve) përfundimtare për dëbim në Turqi bëhej në Shkup dhe bashkërendimi i këtyre punëve të liga bëhej në mes të këtyre republikave. Për ata që nuk u bënë turq me dëshirë, nëpërmjet propagandës dhe kërcënimeve me fjalë, Ministritë e Mbrendshme nisën dhunën e hapur policore, me ndalimin e gjuhës shqipe, me mbylljen e shkollave, arrestimin, torturimin dhe vrasjen e mësuesve dhe intelektualëve, që u bë specializim i këtyre dy qendrave Beograd-Shkup. Shërbimet e Beogradit, mbas Luftës së Dytë Botërore, në bashkëpunim me sllavomakedonët, egzekutunë edhe elemente probullgare ndër sllavomakedonët, sepse sapo kishte nisë procesi i krijimit të një entiteti artificial jugosllav. Rreth 100 mijë bullgarë u burgosën ndërsa 1200 bullgarë u egzekutunë në këto vite. Kjo tregon se strukturat sllavomakedone janë prodhim serb që në zanafillë.

Një analizë më sipërfaqësore e ekonomisë së Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore tregon prapambeturinë sistematike e të planifikuar që ka zbatuar Serbia e Maqedonia me synim të qartë që t’i detyrojë shqiptarët të marrin botën në sy. Dhe, pas zbutjes së zullumit të paparë në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë të shek. XX, për shkak të spastrimeve partiake në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, emigrimi ekonomik u bë sëmundje kronike për shqiptarët. Kudo në ish-Jugosllavi gjeje një furrë apo një ëmbëltore të një hasjani apo të një tetovari apo të një gostivarasi; nëpër gjithë Europën shqiptarët ndërtonin e shtronin rrugë, dibranë e kërçovarë kalunë Atlantikun për me gjetë fatin e tyre të punësimit në Amerikën e largët.

Sikur të mos mjaftonte zullumi serb dhe sllavomakedon, në vitin 1963 Shkupi u godit nga një termet i fuqishëm i cili mbyti rreth një mijë vetë dhe shkatërroi rreth 80 për qind të qytetit, sepse shumica e ndërtesave qenë ndërtu me materiale të dobëta. Edhe këtë fatkeqësi natyrore sllavomakedonët e kthyen në dobi të tyre dhe gjatë rindërtimit favorizunë me të gjitha mundësitë prurjen e popullsisë sllavomakedone tue anashkalu popullsinë shqiptare dhe tue i largu rreth 20 mijë shqiptarë në Kosovë e Turqi. Në këtë mënyrë u ndërtu një Shkup i ri, me 20 mijë sllavomakedonë nga Polonia, Çekosllovakia dhe Maqedonia e Egjeut dhe kështu nisi të mbizotërojë elementi etnik sllav në këtë qytet në të cilin shqiptarët gjithmonë kishin qenë shumicë. Të gjitha këto të dhëna i thekson historiani Skender Hasani, punëtor në Arkivin e Maqedonisë, sipas dokumenteve ma të reja të cilat i ka zbuluar ai.


Me 1963 tërmeti goditi Shkupin


Me zhvillimin e statusit politik të Kosovës dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës, drita e arsimit ndriçoi për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi. Shqiptarët nga Maqedonia kur vinin në Kosovë u dukej se kishin ardhë në një shtet tjetër, ku shqipja flitej, shkruhej e përdorej lirshëm dhe zyrtarisht. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, megjithëse mbrenda një shteti të njëjtë, nuk gëzonin gati asnjë të drejtë të tillë. Ky ishte paradoks jugosllav. Por, e vërteta ishte se antishqiptarizmi serbo-sllavomakedonas nuk linte asnjë rast pa e shfrytëzuar për m’iu kundërvu shqiptarëve. Derisa në opinion publik jugosllav Kosova e viteve shtatëdhjetë paraqitej si parajsë e të drejtave ‘të pakicave’, çmimin për këtë e pagunin shqiptarët e Maqedonisë. Ata shtypeshin dy herë më shumë, sepse pezmi antishqiptar i strukturave të errëta zbrazej vetëm mbi ta.

Pas demonstratave të vitit 1981, fryma e vjetër e shtypjes serbe nisi të kthehej në Kosovë, ndërsa në Maqedoni merrte forma gjithnjë e më të egra. Puna shkoi deri aty që shqiptarëve nuk u lejohej t’i pagëzonin fëmijët e tyre me emra shqiptarë! Për emra fetarë s’kishte asnjë problem. U nxor edhe ligji – sado i pabesueshëm – që shqiptarëve ua ndalonte të kishin ma shumë se dy fëmijë! Dhe, kulmi u arrit kur nga shqiptarët u kërku që për emrat e vendbanimeve në Maqedoni të mos përdornin emrat në shqipe por në gjuhën sllavomakedone, pra, shqiptarëve nuk u lejohej të përdornin emrin Shkup por Skopje, jo Tetovë por Tetovo, jo Manastir por Bitola! U mbyllën të gjitha shkollat e mesme në gjuhën shqipe! Sot këto tingëllojnë si veprime të pamundshme, jashtë mendjes së shëndoshë, por, për fat të keq, këto janë të vërteta lakuriqe të historisë jo të largët të Maqedonisë.

Në vitet nëntëdhjetë kur situata në Kosovë po shkonte drejt një lufte të hapur serbo-shqiptare, në Maqedoni strukturat sllavomakedone nuk flinin. Ata e thellunë dhunën e hapur kundër shqiptarëve. Po përgatitej skenari i dëbimit dhe jeta e shqiptarëve duhej të bëhej sa më e padurueshme. U shpik problemi i mureve të oborreve të shqiptarëve të cilat, për shijen e sllavëve, ishin tepër të nalta. Sikur Maqedonia nuk kishte asnjë problem ma të rëndësishëm, pos mureve të oborreve të shqiptarëve. Shqiptarët kundërshtunë me aq sa mundën, pati protesta e fërkime politike. Dhe në Haraçinë, afër Shkupit, shumë shpejt, ra edhe viktima e parë, plaku Nuredin Nuredini, i cili vdiq kur muri i shtyrë nga një buldozer ra mbi të.

Krejt këto ndodhën para se Maqedonia të shkëputej nga Jugosllavia dhe para se të shpallte pavarësinë, me 8 shtator 1991. Megjithatë, pavarësia nuk e bëri Maqedoninë më pak antishqiptare dhe, në këtë vijë, më pak të varur prej Beogradit. Ç’asht e vërteta, strukturat e vjetra jugosllave në Shkup nxitën edhe më shumë antishqiptarizmin, tue harru që nuk e kishin ma një shtet jugosllav mbrapa dhe tue mos e pa që shqiptarë po bëheshin faktor gjithnjë e ma i rëndësishëm, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan.



Përpjekje për shkatërrimin e arsimit shqip


Fadil Sulejmani
Paradoksalisht, institucionet e Maqedonisë, patën marrë vendim se nuk do të njihnin diplomat e Universitetit të Prishtinës, ku studionin shumica e shqiptarëve të Maqedonisë. Plani ishte që të mos lejohej në asnjë mënyrë arsimimi i brezave të rij. Tue e pa këtë situatë, profesori i Universitetit të Prishtinës, Fadil Sulejmani nga Tetova, bashkë me intelektualë të tjerë, nisi themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili zyrtarisht nisi punën me 17 dhjetor 1994. Por, ky akt ngjalli tërbimin e shërbimeve antishqiptare sllavomakedonase të cilat u përpoqën të pengonin themelimin e një institucioni arsimor. Profesor Sulejmani u arrestu ndërsa në ballafaqim me njësitet e policisë special, me 17 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël u vra i riu shqiptar, Abdylselam Emini, i cili u bë martir i arsimit shqip në Maqedoni.



Busti i Abdylselam Eminit
Në nëntor 1992 në një bastisje policore që u bë në Bit Pazarin e Shkupit , u arrestunë disa shqiptarë dhe një nga ta, nga fshati Luboten, u rrah aq keq sa vdiq prej dajakut. Në protestat që u bënë për të dënu këtë vrasje u vranë edhe tre shqiptarë të tjerë. Gjaku i shqiptarëve po derdhej çdo ditë e ma shumë në çdo kënd të Maqedonisë.

Krejt këto ndodhi nuk ishin të rastësishme. R. Tomlisoni, (ish-agjent i Shërbimit Sekret Britanik, MI6, i stacionuar në Maqedoni), në librin e tij ‘The Big Breach’ e pohon qartë se nga viti 1993 deri në vitin 1998, Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë e morën në dorë prap zyrtarë të lartë policorë të kohës së ish-Jugosllavisë. Në qershor 1993 një patrullë e kufirit të Maqedonisë, pasi kërkoi një takim me oficerë të kufirit të Shqipërisë, vrau njërin oficer shqiptar dhe tjetrin e la për të vdekur. I plagosur rëndë, oficeri i dytë shqiptar tregoi kurthin ku e kishin futur ushtarakët sllavomakedonë tue u thënë se kinse po i ftonin për një bisedë zyrtare.

Në korrik 1997 në demonstratat në Gostivar u vranë tre shqiptarë, mbas reagimit zyrtar për heqjen e flamurit shqiptar në godinën e bashkisë së Gostivarit ku e kishte vendosë kryetari i bashkisë, Rufi Osmani.

Në një rast të paprecedent, vetë kryetari, z. Osmani, u burgos. Në këtë kaos të kontrolluar nga shërbime të ndryshme destabilizimi i Maqedonisë ishte kartë në dorën e kujtdo që ishte i interesuar për këtë. Tomlinsoni e bën të qartë që njerëz të lidhur ngushtë me Shërbimin Sekret ish-Jugosllav, e humbën kontrollin në legal në strukturat e Ministrisë së Mbrendshme me fitoren në zgjedhje të VMRO-së.


Arbën Xhaferi


Menjëherë pas shpalljes së fitores dhe hyrjen në koalicion me VMRO-në, me 1998, Arbën Xhaferi, kryetar i PDSh-së, pohoi: ‘Ne gjetëm partnerin e duhur. [VMRO] nuk asht parti proserbe, por parti që përkrah idetë promakedone, dhe na me këtë ide kemi me mujtë me i njëmendësu në praktikë idetë të cilat janë shumë me rëndësi për këtë rajon.’ Pra, aj theksonte edhe ma qartë vijën e zhvillimeve mbrenda strukturave sllavomakedonase dhe interesin shqiptar në këtë vijë.

Në luftën e vitit 2001, u pa sheshit pafuqia e shtetit maqedon dhe fuqia reale e faktorit shqiptar. Megjithëse të armatosur e të organizuar në struktura shtetërore, sllavomakedonët nuk qenë në gjendje me i bë ballë një ushtrie guerile të UÇK-së të cilët ishin të vendosur për me luftu për të drejtat e popullit të tyre. Armata dhe policia e Maqedonisë mori ndihma ushtarake nga shumë shtete të ndryshme. Nga Ukraina arritën helikopterë (Mi-24) bashkë me pilotë mercenarë, ndërsa Bullgaria dërgoi tanke (T-74) dhe tanke (T-55). Sado e pabesushme, sllavomakedonët kishin bë një marrëveshje edhe me Greqinë me 1998 për mbrojtje nga ndonjë rrezik i mundshëm. Edhe Maqedonia, edhe Greqia ishin të alarmuar nga krijimi dhe forcimi i UÇK-së në Kosovë. Edhe deri këtu shkonte tmerri i sllavomakedonëve prej shqiptarëve: bënin marrëveshje me shtetin që asnjëherë nuk i njohu dhe u shkakton problemet ma të mëdha edhe sot e kësaj dite.

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, kështu politikanët shqiptarë dhe sllavomakedonas ranë në ujdi për një marrëveshje që do të garantonte ma shumë të drejta për shqiptarët. Por edhe ashtu e kursyer në garantimin e të drejtave për shqiptarët, kjo marrëveshje nuk u zbatua asnjëherë deri në fund. Përdorimi i gjuhës shqipe, megjithëse me këtë marrëveshje njihet si gjuhë zyrtare, ajo nënçmohet dhe ndalohet në vetë parlamentin maqedonas; statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës ende ka mbetur i pazgjidhur; përdorimi i simboleve kombëtare asht lënë pezull; decentralizimi zvarritet dhe manipulohet gjatë gjithë procesit ndërsa ndarja territoriale në çdo hap është bërë në dëm të shqiptarëve; përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore asht i pamjaftushëm etj. Pra, ka ende shumë punë drejt realizimit të të drejtave minimale të shqiptarëve në Maqedoni.


Një shqiptar i vrarë në Masakrën e Lubotenit


Masakra e Lubotenit dhe Masakra e Shtatë Emigrantëve

Në vargun e këtyre veprimeve dëshpëruese me 12 gusht 2001 ndodhi Masakra e Lubotenit, kur u vranë dhjetë shqiptarë në shenjë hakmarrjeje të vrasjes së tetë komandove sllavomakedone dy ditë ma parë nga UÇK-ja. Kjo tregoi fytyrën e një policie speciale kriminale sllavomakedone e cila s’ishte e zonja me bë një luftë ballaballë me ushtarët e UÇK-së dhe hakmerrej te popullsia civile.

Krejt këtë masakër të civilëve në Luboten Ljube Boškoski, Ministër i Mbrendshëm, e vëzhgoi nga një pozicion i sigurtë derisa Johan Tarčulovski, udhëheqës i njësiteve speciale, me ‘Tigrat’ e tij vranë e prenë shqiptarët e pafajshëm. Mediat botërore e dënunë këtë akt, ndërsa organizata të ndryshme humanitare kërkunë që të gjenden përgjegjësit. Human Right Watch thoshte se ‘operacioni i forcave të sigurisë nuk ishte ndërmarrë prej kurrfarë arsyesh ushtarak dhe u bë me qëllim hakmarrjeje dhe ushtrimi të dhunës.’ Tue u gjetë në një situatë të tillë dhe me kërcënimin se ky rast do të shqyrtohej në Tribunalin e Hagës, në fillim të vitit tjetër, në mars 2002, Boškoski dhe njësiti ‘Tigrat’, bënë edhe një masakër tjetër prap afër Lubotenit, në Vneshtat e Rashtakut, me qëllim që të harrohet masakra e parë.

Krimineli Boskoski në vendin e krimit, në Luboten


Por kjo masakër u bë me skenar të planifikuar deri në imtësitë më të vogla. Gjashtë shtetas pakistanezë dhe një indian, hallexhij që kishin synim të arrinin në vendet e Europës Perëndimore si azilantë ishin në rrugë e sipër dhe kishin kalu nga Bullgaria në Maqedoni. Zyrtarë të Ministrisë së Mbrendshme të Maqedonisë, u paraqitën si njerëz që do të ndihmonin në këtë proces. I morën të shtatë dhe i vendosën në një shtëpi në Shkup.

Me 2 mars 2002, pjesëtarë të njësitit ‘Tigrat’ i morën të shtatë aziatikët dhe i dërgunë në Vneshtat e Rashtakut, i vranë një nga një dhe ua lanë pranë nga ndonjë armë e revole që gjithçka të dukej si një përballje e armatosur. Lajmi u dha nga vetë Ministri i Mbrendshëm, Boškoski, tue thënë se ‘një grup terrorist’ i lidhur me ‘Alkaidën’, paskësh hyrë në Maqedoni dhe paskësh planifikuar ‘të sulmojë ambasadën e ShBA-së, të Britanisë dhe të Gjermanisë’. Edhe ma shumë se kaq, Boškoski tha se te ata, përveç të tjerave, u gjetën edhe ‘uniforma të UÇK-së’! Ajo çfarë nuk kishte llogaritë një mendjeleshko, si Boškoski me shokë, ishte se zyrtarë të ambasadës amerikane, britanike e gjermane thanë se s’kishin pasë kurrfarë paralajmërimi nga shërbimet e tyre që do të kishte çfarëdo sulmi. Kështu dilte sikur shërbimi sekret i Boškoskit ishte ma i zoti sesa shërbimet sekrete të ShBA-së, Britanisë e Gjermanisë të marra së bashku! A ishte e mundshme kjo? Vetëm rrethet politike e intelektuale shqiptare në Maqedoni, që ditën e parë, thanë haptazi se ky ishte një mashtrim i radhës. Gazeta ‘Fakti’ shkruante se ky ishte një ‘spektakël i organizuar nga ministri i Mbrendshëm Boškoski’. Dhe kjo doli të jetë një krejtësisht e vërtetë.

Mbas hetimeve u zbulu se krejt ky kishte qenë një spektakël kriminal me qëllime të qarta që të paraqiste lidhjen e UÇK-së me ‘terrorizmin islamik në botë’, rrezikun që paraqiste ky fakt dhe rolin e qartë të Boškoskit në skenën botërore si zbulues dhe mbrojtës nga ‘terrorizmi’. Natyrisht, terroristë të vërtetë në krejt këtë punë doli të jetë Boškoski dhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrendshme të cilit kishin kryer këtë krim të pashembullt e mizor.

Tue mos qenë në gjendje me paraqitë fakte e dëshmi, Ministria e Mbrendshme e Maqedonisë u detyru me pranu mashtrimin kriminal dhe me kërku falje publike në maj të vitit 2004. Sidoqoftë, tragjikomedia sllavomakedone e këtij rasti nuk mori fund këtu. Me 3 shkurt 2007, mbas një procesi të gjatë gjyqësor, të gjithë të akuzuarit e këtij rasti – pra që të gjithë – u shpallën të pafajshëm nga gjykata. Mbas dështimit spektakular të Ministrisë së Mbrendshme, ky ishte dështim edhe më spektakular i Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë. Me shtatë viktima të vrara e të masakruara, me kërkimfalje publike zyrtare nga Ministria e Mbrendshme, me fakte e dëshmi të qarta për çdo hap të këtij akti kriminal, gjykata nuk e gjeti fajtor as edhe një të vetmin individ në tërë këtë maskaradë drejtësie.


Egzekutim kriminal pa motiv të sqaruar

Tue qenë se Maqedonia u bë tashmë nënë e vakive kriminale, askush nuk u habit megjithëse gjithkush u trishtu, me lajmin për një krim të ri, masakër të re, kur me 12 prill 2012 në brigjet e liqenit të Smilkovcit u gjetën të vrarë pesë sllavomakedonë, katër të rij dhe një mesoburrë: Filip Slavkovski, Aleksandar Naḱevski, Cvetančo Acevski and Kire Tričkovski dhe Borče Stefanovski. Ky krim i tmerrshëm – si në rastet tjera – shkrodhi ma shumë pyetje sesa përgjegje. Pse u egzekutunë këta njerëz? Pse pikërisht këta? Kush ishte i interesuar për një egzekutim të tillë?

Ministria e Mbrendshme e Maqedonisë, tashmë kampione e improvizimeve kriminale dhe mashtrimeve spektakulare, nuk arrijti me dhënë përgjegje të duhura. Por, nuk ngurroi me ndërmarrë veprime të pamenduara mirë. E mendunë mirë vetëm emrin e operacionit tue e qujtë ‘Operacioni Përbindëshi’, për me kriju sa ma shumë efekt në mediat vendore e të huaja. Me 1 maj 2012 njësitet speciale prej 800 vetash nisën me bastisje e arrestime në 26 banesa, tue arrestu 20 persona në Shuto Orizare, Jahjapashë dhe Haraçinë. Prokurori publik lëshoi fletarrestime për Qezmedin Demirin, Haki Azirin, Muamer Qailovskin, Besim Hajdarin, Mervan Memetin, Abdula Rashitovin, Suraj Asipin, Mirvet Ismailoviçin, Kimet Demirin, Qani Azirin dhe Rami Xhavitin. Me 3 maj 2012 13 prej 20 të arrestuarve u lanë të lirë ndërsa katër u akuzunë për armëmbajtje pa leje.

Gjykimi i shqiptarëve edhe pa fakte përfundon me dënime


Mbas hetimeve dhe procesit gjyqësor, me 2014 gjykata në Shkup shpalli fajtorë: Alil Demirin, Afrim Ismailoviçin, Agim Ismailoviçin, Fejzi Azirin, Haki Hazirin dhe Sami Lutën dhe i dënoi që të gjithë me burgim të përjetshëm. Procesi hetimor dhe procesi gjyqësor u përcollën me shumë mangësi. Asnjëherë nuk u paraqitën fakte dhe procesi u mbajt larg syve të publikut. Haki Haziri, dëshmitari i mbrojtur, i cili prej 1 deri 7 maj 2012 u mbajt i burgosur në Koçanë dhe u kërcënu nga inspektorët e policisë se nëse nuk do të pranonte se Alil Demiri ka kryer krimin atëherë ‘do të më dënonin me 20 vjet ose nuk do të dilte i gjallë’. Edhe familjarët sllavomakedonë të viktimave u ndanë të pakënaqur me vendimet e gjykatës. Vëllai i Borče Stefanovskit, pasi ndëgjoi vendimet e gjykatës, i tha televizionit ‘Kanal 5 Web’: ‘…Sikurse edhe prindët tjerë edhe na nuk jemi të kënaqur me këtë gjykim derisa të dijmë kush ishte porositësi [i vrasjeve] dhe arsyen pse u vranë këta djem. (…) A asht akt terrorist apo ndonjë akt [kriminal] për biznes? Pa u gjetë ata që e porositën këto vrasje vështirë se do të jemi të kënaqur. Do të kërkojmë drejtësinë, qoftë në gjykatat tona, qoftë edhe deri në Tribunalin e Hagës, kudo qoftë.‘ Pra, edhe vetë qytetarët sllavomakedonë kanë kuptu se nuk po i vjen erë mirë këtyre marifetllëqeve teatrale të dy ministrive: asaj të Mbrendshme dhe të Drejtësisë. Dhe vazhdojnë me thanë se do të kërkojnë drejtësi edhe jashtë Maqedonisë. Nëse këtë e bëjnë familjarët e viktimave sllavomakedone, çfarë duhet të bëjnë atëherë shqiptarët?

Nëse ky proces krahasohet me procesin gjyqësor për Masakrën e Vneshtave të Rashtakut, shihet qartë anshmëria e gjykatës dhe gjykimi sipas kombësisë e jo sipas drejtësisë. Gjykim sipas një synimi të paracaktuar e jo gjykim i nxjerrë nga faktet e ofruara. Nëse je shqiptar, edhe pa fakte, dënimi asht i përjetshëm’; ndërsa nëse je sllavomakedon, edhe nëse Ministria e Mbrendshme pranon fajin dhe kërkon falje publike për një akt kriminal, fajtorë nuk ka. Prandaj, pakënaqësia e qytetarëve shqiptarë dhe e familjarëve të viktimave asht plotësisht e arsyshme. Gjykimi kundër gjashtë shqiptarëve duhet të përsëritet dhe të mbahet ose nga gjykatës ndërkombtarë ose nën vëzhgim të plotë të tyre.

Shihet sheshit se nëse Masakra në Vneshtat e Rashtakut u improvizu kinse për ‘me impresionu ShBA-në në luftën kundër terrorizmit’, Masakra e Smilkovcit, simbas të gjitha gjasave, u improvizu për me shkaktu trazira të mbrendshme dhe konflikte ndëretnike në Maqedoni. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për me ngadalësu procesin e paanashkalushëm të garantimit të patjetërsueshëm të të drejtave të shqiptarëve, që kanë qenë dhe mbeten shtylla kryesore mbi të cilën po mbijeton Maqedonia si shtet.

Qeveritarët e politikanët sllavomakedonë duhet të kuptojnë një herë e përgjithmonë se Maqedonia nuk të ardhme pa shqiptarët si qytetarë të barabartë. Nuk janë shqiptarët kërcënim për Maqedoninë dhe zullumi i madh i qarqeve të caktuara nacionaliste kundër shqiptarëve nuk ka me dhënë rezultatet që priten nga imagjinata e sëmutë dhe kriminale e mendjeleshkove si Boškoski me shokë. Hap i parë drejt stabilizimit të Maqedonisë si shtet asht përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën politikanët shqiptarë dhe gjithë shtresa intelektuale shqiptare, si duket, duhet me bë ma shumë.

Maqedonia, o ka me qenë edhe e shqiptarëve si qytetarë të barabartë, o nuk ka me qenë fare.

 10 korrik 2014

Pyetësori i Prustit: Agim Morina

  Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisti dhe poeti Agim Morina. Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer? Çdo fund ...