Shkrime në gjuhën shqipe dhe angleze - Gjuhësi - Letërsi
Articles in Albanian and English - Linguistics - Literature
Saturday, February 01, 2025
Agim MORINA - PËRMBYSJA DIPLOMATIKE
Agim MORINA - DËSHTIMI I OHRIT DHE TAKTIKA E DETYRIMIT
Agim MORINA - JOSEPH BORRELLI APO ALI SHUKRIJA I KATALONISË
Agim MORINA - LAJČÁKU - ISH-KOMUNISTI I ZELLSHËM ‘ME TETËVJEÇARE’
'NJERIU YNË NË MOSKË'
Friday, January 24, 2025
Agim MORINA - KAMBËNGULJA NË DIPLOMACI
23 shtator 2016 - Facebook
E takoja në restorantin e Shkollës së Gjuhëve të Hueja të Ministrisë së Jashtme Britanike. Ishte diplomat i vjetër. Pak para pensionimit. Ishte tue u përgatitë për misionin e vet të fundit diplomatik.
Në fillim folëm për gjellët. Masandej
për arkitekturën. Për artet. Dhe në fund për gjuhët. Si mjeshtër i vjetër i
muhabetit në gjithçka kishte matuni dhe një nuhatje tejet të mprehtë për atë se
çfarë interesimesh kishte bashkëbiseduesi. Mos me shkelë kund në ndonjë dërrasë
të kalbët. Një buzëqeshje që e kishte ngjitë për fytyre, për shkak të
profesionit, e bante të vështirë me e nda në shej se kur buzëqeshej me të
vërtetë e kur e bante këtë nga mirësjellja.
E kuptoi dikur se jam shqiptar. Nga
piruni që nuk u ngrit me kohë për te goja e tij e kuptova se u habit pak. Për
mirë apo për keq, nuk e dij. Kisha përshtypjen se u ndi pak i mashtruem nga
parandjenjat e tij që i kishte stërvitë kaq vite për me e pandehë koxha me
saktësi prejardhjen e një personi mbas disa minutash bisede. Më shikonte me
kujdes, tue m’i ngulë sytë e tue bastisë gjithçka në qenien teme për me mujtë
me ardhë në një përfundim se çfarë njeriu isha, tash që e ia kishte huqë se
prej nga isha. Mbas disa takimesh edhe aj, edhe unë, filluem me ba muhabet ma
të relaksuem në tavolinën dhe ulëse të njëjta të restorantit të shkollës. Dhe,
doemos, disa nga muhabetet mbaronin te problemet politike që ndodhnin në
Shqipni e Kosovë, sepse këto më interesonin mue. Shpesh kritikat e mia ishin të
drejtueme te veprimet e qarqeve të caktueme të bashkësisë ndërkombëtare, të
cilat, sa herë që vinte puna te shqiptarët, mbaronin në disfavor të këtyne të
fundit.
Pse shqiptarët në Maqedoni, që
përbajnë ma shumë se 30 për qind të popullsisë së këtij shteti kanë shumë ma
pak të drejta sesa serbët në Kosovë? Pse në Shqipëri, gati çdo gjashtë muej,
shkojnë delegacione të BE për me vlerësu respektimin e të drejtave të pakicave
kur dihet se në Shqipëri ka ma pak se dy për qind, megjithëse Shqipëria i ka
respektu dhe i respekton të drejtat e pakicave në mënyrë ma të mirë të mundshme
brenda kushteve dhe mundësive që ka? Këto delegacione të BE asnjëherë nuk
shkojnë, fjala vjen, në Greqi, megjithëse Greqia i ka mohu dhe mohon në mënyrë
shembullore jo vetëm të drejtat e pakicave, por edhe egzistimin e pakicave
atje, si fjala vjen, egzistimin e pakicës shqiptare. A na e bajnë këtë pse jemi
të vegjël? Të pafuqishëm? Ndoshta ngaqë na, megjithatë, i respektojmë dhe
sillemi sipas parimeve të marrëveshjeve? – ishin pikat që problematizoja unë.
Pa e dijtë që e kisha trazu një
ndjenjë të fshehun të tij, e pashë se aj buzëqeshi pak ma me vërtetësi dhe te
sytë iu shfaq një shkëlqim i paqartë për mue. Heshti. Më shikoi. Kur prita që
ka me folë, aj e piu langun e mollës. A thu ka qëllu ndonjë anglez me simpati
të çmendun mbas antikitetit helen. Apo mos ishte edhe grek me ndonjë prejardhje
të largët? Sapo mendova se aj e la këtë muhabet dhe s’po don me folë, aj tha:
- Shiko, një nga formulat magjike në
diplomaci asht kambëngulja. Nuk asht aq me randësi a je i vogël, a je i
pafuqishëm. Në diplomaci asht me randësi shumë të madhe se sa je kambëngulës.
E hetoi që unë, derisa aj po fliste,
jo vetëm që nuk e kapa krejt porosinë e asaj që thoshte, por edhe mospajtimin
tem të thellë me këtë, sepse kjo gja ishte aq e thjeshtë dhe aq e lehtë me u
ba, e si pasojë, për mue edhe e parandësishme në punën diplomatike. Simbas
meje, unë e pata shtru problemin në mënyrë shumë ma të ndërlikueme dhe të
thellë dhe prisja një përgjegje së paku po aq e çatrafilueme. Natyrisht, nuk
thashë gja për shkak të mirësjelljes, por aj e kishte kuptu këtë tashma dhe pa
ia thanë asnjë fjalë ma shumë vazhdoi:
- Grekët, serbët, malazezët kanë fitu
shumë falë kambënguljes së tyne.
- Kambënguljes? Vetëm kaq? – arrijta
me thanë.
- Po, kambëngulja asht një armë e
fortë në diplomaci. Unë i dij, sidomos grekët e serbët, që kanë qenë fanatikë
në çdo gja. S’kanë heqë dorë kurrë nga qëllimet e tyne, me vite, me dhjeta
vite, asnjëherë. Sado i vogël që të jetë një problem, ata e zmadhojnë dhe e
kthejnë në një fakt të një randësie të veçantë. E problematizojnë deri në atë
masë sa i bajnë rrethet diplomatike me nisë me i marrë seriozisht. Ata e dijnë
se janë të vegjël dhe po aq të pafuqishëm mballafaqe fuqive të mëdha, por
ngulin kambë deri në atë masë sa diplomacia e të fuqishmëve ua pranon dikur,
lëshon pe, veç sa me i heqë qafe, ose thjesht edhe nga pakujdesia e çastit, tue
qenë se kambëngulja e tyne asht konstante, e përhershme, e pandalshme.
Ishte një përgjegje pak ma e qartë
por jo përgjegje që më bani me u ndi i kënaqun krejtësisht. E kuptoi edhe këtë
dhe, mbasi i fshiu buzët me pecetë, mori një pozë tipike të bashkëbiseduesit i
cili e dinte se do të thoshte një argument përfundimtar e tue i mbështetë
llanët kryqaz në tavolinë tha:
- Shiko, po ta ilustroj këtë me një
rast konkret. Ti e din që Islanda asht një shtet krejt i vogël apo jo? Banorë e
saj s’e mbushin dot as edhe një lagje të Londrës apo jo? Por, ky shtet ka dalë
fitimtar në betejën diplomatike me Mbretninë e Bashkueme në tri Luftat e
Bakalarit që zgjatën me dhjeta vite, bile mun me u thanë se kishte nisë edhe
para shumë shekujsh. Ujnat territorialë të Islandës, në fillim, fjala vjen me
1952, kanë qenë vetëm rreth 6-7 kilometra. Me një kambëngulje të pashembullt
islandezët kurrë s’u ndalën me kërkesat e tyne për me e heqë këtë kufizim dhe
me përpjekje të mëdha e banë një herë 22 kilometra, masandej 50 kilometra dhe
me 1976 erdhën deri te të pabesueshmet 200 milje detare (370 kilometra).
Diplomacia britanike, herë e ka nënçmu randësinë e kësaj pune e herë e ka lanë
krejt menjanë, tue u marrë me probleme shumë ma të mëdha. Por diplomacia
islandeze nuk i ka ndalë kurrë përpjekjet për me fitu këtë kontest. Dhe krejt
kjo u kunorëzu me 1976 kur ata arrijtën një fitore të pashembullt diplomatike.
Kush kish mujtë me parashiku ndonjëherë që një shtet si Islanda me dalë fitues
kundër Britanisë së Madhe, një superfuqie planetare, në fushën diplomatike?
Prandej po thom që kambëngulja, mosheqja dorë, jo vetëm nga e drejta jote - e
nganjëherë qysh mun me e pa edhe nga e padrejta jote, qysh ndodh në politikë -
asht një armë e fortë në diplomaci.
Saturday, November 30, 2024
FAKTORI SHQIPTAR DHE PAMJA E SHTREMBËRUAR MEDIATIKE
Agim MORINA
7 korrik 2023 Facebook
Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mediat e Beogradit patën nisë një fushatë të egër antishqiptare. E vetmja punë e tyre ishte që gjendja në Kosovë të paraqitej sa më kritike, sa më alarmante, që shqiptarët të shfaqeshin sa më të egër. Programet televizive, revistat, gazetat, librat që prodhoheshin në fabrikat propaganduese të Beogradit vërshonin gjithë Jugosllavinë dhe shpërndanin lajme të tmerrshme antishqiptare. Një nga lajmet më të zakonshme ishte thyerja e gurëve të varreve të serbëve nëpër Kosovë, sepse nuk kishte ndonjë lajm për ndonjë krim konkret kundër serbëve. Varrezat ishin të shkreta dhe të vdekurit nuk kishin gojë e nuk mund të dëshmonin se kush i bënte këto sulme makabre. Shpërndarja e pandalshme e lajmeve të rreme krijoi pa dyshim një ndjenjë urrejtjeje kundër shqiptarëve në gjithë Jugosllavinë.
Nga shpifjet më të ulëta e më të trishtueshme të kësaj kohe ishin, po ashtu, lajmet se shqiptarët përdhunonin femrat serbe. Shkohej aq larg sa thuhej se shqiptarët përdhunonin edhe motrat e nderit të kishave ortodokse.
Në kulmin e kësaj fushate denigruese antishqiptare, një politikan shqiptar i asaj kohe i Kosovës, delegat në kuvendin e federatës së Jugosllavisë, kishte kërku që të publikoheshin shifrat zyrtare të përdhunimeve seksuale në Jugosllavi për atë vit. Në këto shifra zyrtare doli e vërteta lakuriqe: në Kosovë gjatë gjithë vitit kishin ndodhë gjashtë raste që lidheshin me përdhunime seksuale. Tri nga këto kishin qenë tentime, dy kishin qenë përdhunime, - por kjo kishte ndodhë mes vetë shqiptarëve - dhe vetëm një rast kishte qenë një tentim përdhunimi i një femre serbe nga një mashkull shqiptar, edhe ky nga një person me çrregullime mendore. Ndërsa në pjesët tjera të Jugosllavisë shifrat zyrtare tregonin një gjendje alarmante: kishin ndodhë me qindra përdhunime seksuale nëpër republikat e tjera të Jugosllavisë.
Nga këto të dhëna dilte pamja krejt e kundërt me atë çfarë paraqiste propaganda e Beogradit: Kosova ishte vendi më i sigurt për femrat në gjithë Jugosllavinë. As nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse te shqiptarët çështja e nderit të femrave ishte një pikë tepër e ndjeshme.
Më kujtohet mirë një intervistë televizive e një gazetari nga Beogradi me një vajzë serbe nga Kosova. Gazetari e pyeti vajzën se a ndihej e sigurtë në Kosovë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë. Pastaj ai e pyeti se pse nuk ndihej e sigurtë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë për shkak të shqiptarëve. Dhe kur në fund e pyeti se a i kishte ndodhë diçka konkrete asaj vetë apo a kishte parë diçka të tillë me sytë e vet, ajo i tha se jo, asaj nuk i kishte ndodhë asgjë asnjëherë, se fqinjët e saj shqiptarë ishin të mirë, por se kështu thuhej në lajme në gazeta e televizione. Pra, pasiguria që ndiente ajo vajzë serbe në Kosovë vinte nga lajmet që plasoheshin çdo ditë nga Beogradi.
Tashti, egërsia e fushatës nga mediat e Beogradit, por edhe nga disa media të Kosovës, kundër qeverisë së Albin Kurtit, ka marrë përmasa marramendëse që po ma kujton pikërisht atë kohë të viteve tetëdhjetë, kur akuza kishte plot, por nuk kishte asnjë fakt të qëndrueshëm. Nëse mblidhen e analizohen këto lajme që po plasohen sot, del se asnjë nga pohimet që po thuhen kundër qeverisë së Kosovës për “kryeneçësinë” , “mosbashkëpunimin” dhe “moszbatimin e marrëveshjeve” nuk mban më ujë.
1) Kryeministri i Kosovës akuzohet se është “kryeneç” dhe se nuk po “bashkëpunon”. Por dihet botërisht që kryeministri, Albin Kurti, i shtyu zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës për gjashtë muaj, ashtu siç kërkuan zyrat e aleatëve perëndimorë. Kjo nuk mund të quhet as kryeneçësi, as mungesë bashkëpunimi.
2) Qeveria e Kosovës po akuzohet se nuk po lejon që procesi i normalizimit me Serbinë të shkojë përpara. E vërteta është që kryeministri i Kosovës në takimin e Ohrit jo vetëm që pranoi marrëveshjen, por kërkoi që ta nënshkrunte këtë marrëveshje. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vucici, jo vetëm që nuk pranoi të nënshkrunte këtë marrëveshje, por e shkeli me të dyja këmbët ende pa arrijtë në Beograd me deklaratat e tija kundër Kosovës. Pra, kryeministri Kurti bashkëpunoi gjatë gjithë kohës dhe ende është i gatshëm të nënshkrujë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kryetari i Serbisë as sot e kësaj dite nuk pranon ta bëjë këtë. Pra, Kurti është bashkëpunues, Vucici është jobashkëpunues.
3) Nga qeveria e Kosovës u kërku që të organizonte zgjedhjet në katër komunat veriore dhe kjo u bë me kujdesin më të madh të mundshëm, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Nuk ndodhi asnjë incident, asnjë viktimë, asnjë parregullsi. Lista Serbe, e kontrolluar dhe e dirigjuar tërësisht nga Beogradi, jo vetëm që bojkotoi zgjedhjet, por edhe kërcënoi, nëpërmjet bandave në terren, këdo nga serbët që do të guxonte të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo bëri që kryetarë të katër komunave në veri të zgjidhen katër shqiptarë.
Pra, qeveria e Kosovës bashkëpunoi, Serbia shantazhoi dhe bojkotoi zgjedhjet e pakicës serbe.
4) Sot kërkohet që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Qeveria e Kosovës ka pranu edhe këtë. Pra, nuk ka asnjë kusht themelor që të mos e ketë pranu qeveria e Kosovës. Mirëpo ajo po kërkon që kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme, pa e shkelë kushtetutën e Kosovës. Prap del që qeveria e Kosovës po bashkëpunon, Serbia jo vetëm që nuk po bashkëpunon, por edhe po shkakton probleme dhe po organizon sulme kundër ushtarëve të KFOR-it dhe po kidnapon policë të Kosovës në kufi.
Po të shikohet nga ana e ligjshmërisë, gjendja në Kosovë kurrë nuk ka qenë më shumë nën kontroll të shtetit sesa sot. Bandat kriminale e fashiste në veri, që kanë ardhë nga Serbia, kurrë nuk kanë qenë më të pafuqishme sesa sot. Për këtë arsye Serbia, me përpjekje dëshpëruese që të faktorizohet, ngriti gatishmërinë e armatës së saj rreth kufirit me Kosovën, për me u dhënë zemër këtyre bandave që po iknin, të frikësonte qeverinë e Kosovës dhe të alarmonte qarqet ndërkombëtare se çdo çast mund të plaste një konflikt ushtarak. Në këtë vijë të shkaktimit të panikut e të pasigurisë janë edhe deklaratat e Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në BeH, se do të bashkohej me Serbinë. Prap na del pamja e qetë e gjendjes në Kosovë dhe kërcënimet e hapura të faktorit serb.
Nën hijen e luftës së Ukrainës, natyrisht, Perëndimi është në gjendje të flijojë interesat e një shteti të dobët siç është Kosova për të parandalu një telash të mundshëm më shumë. Por, çështja është që Kosova dhe shqiptarët tashmë kanë pagu çmim tepër të madh për lirinë e tyre, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë klerofashizmin e vet pa u pengu nga askush.
Nëse pyetet sot një qytetar i Kosovës se a ndihet i pasigurtë në Kosovë, ai do të thotë se po. Nëse pyetet se pse, ai do të thotë - ashtu si ajo vajza serbe në vitet '80 - se kështu po thuhet në media. Pasiguria në veri të Kosovës vinte nga terroristët e ardhur nga Serbia që për njëzet e kusur vite kanë vepruar të papenguar. Ata vritnin e rrihnin kundërshtarë politikë, ata digjnin vetura me targa të Kosovës e zyra ku mbaheshin zgjedhjet. Ishin po këta që gjujtën me plumba në ushtarët e KFOR-it. Veprimet e qeverisë së Kosovës kundër këtyre bandave terroriste nuk mund të quhen veprime ekstreme, e aq më pak veprime kundër popullatës serbe. Serbët e veriut kurrë nuk kanë qenë më të sigurtë se sot.
Një krahasim i shpejtë i veprimeve të koordinuara të klerofashizmit serb – shkaktare të katër luftave në ish-Jugosllavi - me veprimet e ligjshme dhe bashkëpunuese të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, shfaq qartë pamjen e përmbysur e të shtrembëruar të realitetit politik që po përpiqet të krijojë kjo fushatë e egër mediatike, por edhe diplomatike. Me një analizë të thjeshtë do të dilte pamja e përmbysur, e njëjtë me atë që pati nxjerrë në shesh statistika zyrtare e përdhunimeve në vitet ’80. Alarmi i rrejshëm dhe fajtori i gabuar. Faktori shqiptar është faktori më paqedashës, më demokratik dhe më bashkëpunues në Ballkan dhe faktori serb është më jobashkëpunuesi, më luftënxitësi dhe më jopaqësori.
- Në Kosovë 3-4 për qind e serbëve kanë të drejta që më shumë se 30 për qind e shqiptarëve në Maqedoni as nuk mund t’i ëndërrojnë. A nuk është ky një sakrifikim nga ana e faktorit shqiptar për paqen në Ballkan?
- Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës shkelen egërsisht, para syve të zyrtarëve perëndimorë, pikërisht në kohën kur Serbia kërkon të formojë një Republikë Serbë në Kosovë. A nuk është ky një durim e mirëkuptim i faktorit shqiptar për paqen në Ballkan?
- Republika e Shqipërisë nuk ka vënë asnjëherë asnjë kusht ndaj asnjë shteti fqinj për çfarëdo përfitimi politik. A nuk tregon ky orientimin paqësor të shqiptarëve?
Nëse e shohim nga ky kënd del që shqiptarët po dënohen e po vetëdënohem për shkak të bashkëpunimit dhe dëgjueshmërisë së tyre në raport me Perëndimin. Atëherë, pse presioni më i madh përqendrohet pikërisht mbi shqiptarët, veçanërisht mbi Kosovën? Sepse shqiptarët janë më të dobëtit në Ballkan, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana politike e ushtarake. Në gjithë historinë dihet ky fakt i thjeshtë, që presioni gjithmonë do të jetë i orientuar mbi palën më të dobët. Por, për të qenë fatkeqësia më e madhe, shqiptarët janë edhe më të paorganizuarit. Megjithatë, ajo që shqiptarët duhet të pyeten në këtë kohë është se a janë ata vërtet kaq të dobët në raport me presionin që po u bëhet? Jo. Shqiptarët nuk janë një faktor më i dobët se disa vite më parë. Bile shumë më të fuqishëm se disa dekada më parë. Përveç kësaj, ata janë duke u forcu gjithnjë e më shumë. Fakti që qarqe antishqiptare po e rritin presionin mbi ta tregon pikërisht këtë forcim të faktorit shqiptar. Prandaj, ajo që duhet sot është ndërgjegjësimi i shqiptarëve për këtë fakt të thjeshtë.
Me se Serbia kërcënon sot? Me faktin që mund të shkaktojë destabilizim të rajonit. Por, edhe shqiptarët, megjithëse më të dobët, mund të shkaktojnë destabilizim po kaq të madh. Ata janë të shpërndarë në disa shtete dhe nëse kërcënimi i këtillë është për të përfitu pikë politike, atëherë edhe shqiptarët munden me lujtë me këtë kartë. Por, për me lujtë me këtë kartë ata duhet të kenë një faktor politik të ndërgjegjshëm për misionin e vet sot dhe për hapat që duhet të ndërmerren. Kjo nënkupton një bashkërendim dhe bashkim energjish dhe idesh. Ngjarjet në Kosovë, në vend që të tregojnë se sa i dobët është faktori shqiptar, mund dhe duhet të tregojnë se sa i fuqishëm është faktori shqiptar. Veprimet e qeverisë së Albin Kurtit janë largvajtëse në këtë drejtim, ato synojnë të dëshmojnë fuqinë reale të faktorit shqiptar që është në forcim e sipër. Çfarëdo ngurrimi, çfarëdo gabimi në këtë vijë do të ketë një çmim tepër të madh dhe do të duhet të kalojë një gjysë shekulli, në mos edhe një shekull tjetër, që faktori shqiptar të marrë veten dhe të dëshmojë edhe një herë fuqinë e vet të vërtetë.
Çdo shfaqje dobësie, çdo kompromis joparimor me Serbinë, po ashtu, do të bëjë që Serbia të përfitojë shumë, ndërsa shqiptarët të humbin tepër. Këtë fakt Albin Kurti e din shumë mirë dhe çdo veprim i tij është në funkcion të këtij riaranzhimit të pozicioneve negociuese dhe të rivendosjes së pikave referuese politike në të ardhmen. Kjo e bën Kurtin, pa dyshim, politikan vizionar. Ai po përpiqet të ngrejë peshën dhe rolin e faktorit shqiptar në një shkallë më të lartë. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Në historinë politike vetëbesimi i tepruar asnjëherë nuk ka qenë më shkatërrimtar sesa vetëmosbesimi i tepruar.
JU FLET ZËDHËNËSI I RADOIČIĆIT: ESKALATORI PANSLLAVIST, MIROSLAV LAJČÁKU
Agim MORINA
21 tetor 2023
Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH
Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...

-
‘Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s'mbaston vullëndesa me da...
-
'NJERIU YNË NË MOSKË' Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli ma i mirë i asaj thanieje që qengji i mirë - dhe kalkulant - thith dy n...
-
[1 Telemaku] Kacagjelthi, i buhavtë, Buck Mulligani u shfaq në krye të shkallëve tue përcjellë në dorë, solemnisht, kupën me shku...