PARASHIKIM SI ARMË
Shkrime në gjuhën shqipe dhe angleze - Gjuhësi - Letërsi
Articles in Albanian and English - Linguistics - Literature
Saturday, February 01, 2025
Agim MORINA - «VIJA E GJELBËR» QIPRIOTE E ALEKSANDAR VUCICIT SI KUFI SERBO-SHQIPTAR NË KOSOVË
Agim MORINA - PËRMBYSJA DIPLOMATIKE
Agim MORINA - DËSHTIMI I OHRIT DHE TAKTIKA E DETYRIMIT
Agim MORINA - JOSEPH BORRELLI APO ALI SHUKRIJA I KATALONISË
Agim MORINA - LAJČÁKU - ISH-KOMUNISTI I ZELLSHËM ‘ME TETËVJEÇARE’
'NJERIU YNË NË MOSKË'
Friday, January 24, 2025
Agim MORINA - KAMBËNGULJA NË DIPLOMACI
23 shtator 2016 - Facebook
E takoja në restorantin e Shkollës së Gjuhëve të Hueja të Ministrisë së Jashtme Britanike. Ishte diplomat i vjetër. Pak para pensionimit. Ishte tue u përgatitë për misionin e vet të fundit diplomatik.
Në fillim folëm për gjellët. Masandej
për arkitekturën. Për artet. Dhe në fund për gjuhët. Si mjeshtër i vjetër i
muhabetit në gjithçka kishte matuni dhe një nuhatje tejet të mprehtë për atë se
çfarë interesimesh kishte bashkëbiseduesi. Mos me shkelë kund në ndonjë dërrasë
të kalbët. Një buzëqeshje që e kishte ngjitë për fytyre, për shkak të
profesionit, e bante të vështirë me e nda në shej se kur buzëqeshej me të
vërtetë e kur e bante këtë nga mirësjellja.
E kuptoi dikur se jam shqiptar. Nga
piruni që nuk u ngrit me kohë për te goja e tij e kuptova se u habit pak. Për
mirë apo për keq, nuk e dij. Kisha përshtypjen se u ndi pak i mashtruem nga
parandjenjat e tij që i kishte stërvitë kaq vite për me e pandehë koxha me
saktësi prejardhjen e një personi mbas disa minutash bisede. Më shikonte me
kujdes, tue m’i ngulë sytë e tue bastisë gjithçka në qenien teme për me mujtë
me ardhë në një përfundim se çfarë njeriu isha, tash që e ia kishte huqë se
prej nga isha. Mbas disa takimesh edhe aj, edhe unë, filluem me ba muhabet ma
të relaksuem në tavolinën dhe ulëse të njëjta të restorantit të shkollës. Dhe,
doemos, disa nga muhabetet mbaronin te problemet politike që ndodhnin në
Shqipni e Kosovë, sepse këto më interesonin mue. Shpesh kritikat e mia ishin të
drejtueme te veprimet e qarqeve të caktueme të bashkësisë ndërkombëtare, të
cilat, sa herë që vinte puna te shqiptarët, mbaronin në disfavor të këtyne të
fundit.
Pse shqiptarët në Maqedoni, që
përbajnë ma shumë se 30 për qind të popullsisë së këtij shteti kanë shumë ma
pak të drejta sesa serbët në Kosovë? Pse në Shqipëri, gati çdo gjashtë muej,
shkojnë delegacione të BE për me vlerësu respektimin e të drejtave të pakicave
kur dihet se në Shqipëri ka ma pak se dy për qind, megjithëse Shqipëria i ka
respektu dhe i respekton të drejtat e pakicave në mënyrë ma të mirë të mundshme
brenda kushteve dhe mundësive që ka? Këto delegacione të BE asnjëherë nuk
shkojnë, fjala vjen, në Greqi, megjithëse Greqia i ka mohu dhe mohon në mënyrë
shembullore jo vetëm të drejtat e pakicave, por edhe egzistimin e pakicave
atje, si fjala vjen, egzistimin e pakicës shqiptare. A na e bajnë këtë pse jemi
të vegjël? Të pafuqishëm? Ndoshta ngaqë na, megjithatë, i respektojmë dhe
sillemi sipas parimeve të marrëveshjeve? – ishin pikat që problematizoja unë.
Pa e dijtë që e kisha trazu një
ndjenjë të fshehun të tij, e pashë se aj buzëqeshi pak ma me vërtetësi dhe te
sytë iu shfaq një shkëlqim i paqartë për mue. Heshti. Më shikoi. Kur prita që
ka me folë, aj e piu langun e mollës. A thu ka qëllu ndonjë anglez me simpati
të çmendun mbas antikitetit helen. Apo mos ishte edhe grek me ndonjë prejardhje
të largët? Sapo mendova se aj e la këtë muhabet dhe s’po don me folë, aj tha:
- Shiko, një nga formulat magjike në
diplomaci asht kambëngulja. Nuk asht aq me randësi a je i vogël, a je i
pafuqishëm. Në diplomaci asht me randësi shumë të madhe se sa je kambëngulës.
E hetoi që unë, derisa aj po fliste,
jo vetëm që nuk e kapa krejt porosinë e asaj që thoshte, por edhe mospajtimin
tem të thellë me këtë, sepse kjo gja ishte aq e thjeshtë dhe aq e lehtë me u
ba, e si pasojë, për mue edhe e parandësishme në punën diplomatike. Simbas
meje, unë e pata shtru problemin në mënyrë shumë ma të ndërlikueme dhe të
thellë dhe prisja një përgjegje së paku po aq e çatrafilueme. Natyrisht, nuk
thashë gja për shkak të mirësjelljes, por aj e kishte kuptu këtë tashma dhe pa
ia thanë asnjë fjalë ma shumë vazhdoi:
- Grekët, serbët, malazezët kanë fitu
shumë falë kambënguljes së tyne.
- Kambënguljes? Vetëm kaq? – arrijta
me thanë.
- Po, kambëngulja asht një armë e
fortë në diplomaci. Unë i dij, sidomos grekët e serbët, që kanë qenë fanatikë
në çdo gja. S’kanë heqë dorë kurrë nga qëllimet e tyne, me vite, me dhjeta
vite, asnjëherë. Sado i vogël që të jetë një problem, ata e zmadhojnë dhe e
kthejnë në një fakt të një randësie të veçantë. E problematizojnë deri në atë
masë sa i bajnë rrethet diplomatike me nisë me i marrë seriozisht. Ata e dijnë
se janë të vegjël dhe po aq të pafuqishëm mballafaqe fuqive të mëdha, por
ngulin kambë deri në atë masë sa diplomacia e të fuqishmëve ua pranon dikur,
lëshon pe, veç sa me i heqë qafe, ose thjesht edhe nga pakujdesia e çastit, tue
qenë se kambëngulja e tyne asht konstante, e përhershme, e pandalshme.
Ishte një përgjegje pak ma e qartë
por jo përgjegje që më bani me u ndi i kënaqun krejtësisht. E kuptoi edhe këtë
dhe, mbasi i fshiu buzët me pecetë, mori një pozë tipike të bashkëbiseduesit i
cili e dinte se do të thoshte një argument përfundimtar e tue i mbështetë
llanët kryqaz në tavolinë tha:
- Shiko, po ta ilustroj këtë me një
rast konkret. Ti e din që Islanda asht një shtet krejt i vogël apo jo? Banorë e
saj s’e mbushin dot as edhe një lagje të Londrës apo jo? Por, ky shtet ka dalë
fitimtar në betejën diplomatike me Mbretninë e Bashkueme në tri Luftat e
Bakalarit që zgjatën me dhjeta vite, bile mun me u thanë se kishte nisë edhe
para shumë shekujsh. Ujnat territorialë të Islandës, në fillim, fjala vjen me
1952, kanë qenë vetëm rreth 6-7 kilometra. Me një kambëngulje të pashembullt
islandezët kurrë s’u ndalën me kërkesat e tyne për me e heqë këtë kufizim dhe
me përpjekje të mëdha e banë një herë 22 kilometra, masandej 50 kilometra dhe
me 1976 erdhën deri te të pabesueshmet 200 milje detare (370 kilometra).
Diplomacia britanike, herë e ka nënçmu randësinë e kësaj pune e herë e ka lanë
krejt menjanë, tue u marrë me probleme shumë ma të mëdha. Por diplomacia
islandeze nuk i ka ndalë kurrë përpjekjet për me fitu këtë kontest. Dhe krejt
kjo u kunorëzu me 1976 kur ata arrijtën një fitore të pashembullt diplomatike.
Kush kish mujtë me parashiku ndonjëherë që një shtet si Islanda me dalë fitues
kundër Britanisë së Madhe, një superfuqie planetare, në fushën diplomatike?
Prandej po thom që kambëngulja, mosheqja dorë, jo vetëm nga e drejta jote - e
nganjëherë qysh mun me e pa edhe nga e padrejta jote, qysh ndodh në politikë -
asht një armë e fortë në diplomaci.
Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH
Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...

-
‘Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s'mbaston vullëndesa me da...
-
'NJERIU YNË NË MOSKË' Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli ma i mirë i asaj thanieje që qengji i mirë - dhe kalkulant - thith dy n...
-
[1 Telemaku] Kacagjelthi, i buhavtë, Buck Mulligani u shfaq në krye të shkallëve tue përcjellë në dorë, solemnisht, kupën me shku...