MAQEDONIA PËRBALLË VETVETES
Nga Agim Morina
Ideologë të nacionalizmit të
verbër sllavomakedon dojnë me çdo kusht me kriju kundërshtarin e paqenë:
shqiptarët! Ata harrojnë se me heqjen nga skena të faktorit shqiptar në Maqedoni,
zhduket çfarëdo ideje e sllavomakedonizmit dhe krijohen dy njëmendësi: shqiptare dhe bullgare. Kjo ngjan me dëshirën e pandalshme të Kreseut, mbretit të Lidisë,
i cili tue dashë me shkatërru mbretninë fqinje të Medesë, shkoi dhe u këshillu
me orakullin e Delfit, për me pa se çfarë parashikohej në rast se ai do të
shpallte luftën kundër medeasve, me të cilët i ndante lumi Halis. Orakulli, si
zakonisht, dha këtë divnesë dykuptimëshe: ‘Kush Halisin do ta kalojë, një
mbretëri do ta shkatërrojë!’ Kreseu, i verbuar nga lakmia e dëshira e zjarrtë
për fitore, këtë divnesë e mori si ogur të sigurtë për fitoren e tij dhe sulmoi
mbretërinë e Medesë. Mirëpo, ai pësoi disfatë të plotë dhe, vërtet, ashtu siç
tha divnesa, shkatërroi një mbretëri, por mbretërinë e vet. Edhe nacionalistët
sllavomakedonë, në yryshin e tyre që kanë marrë, mbasi janë këshilluar me
orakuj që japin divnesa me kuptime të dyfishta, (‘kush Vardarin do të
kalojë/një ‘mbretëri’ do ta shkatërrojë’), nuk e kuptojnë se në një ballafaqim
me shqiptarët ata vërtet do të shkatërrojnë një aktor në skenën politike të
Maqedonisë, por ky aktor do të jenë ata vetë.
Histori e gjatë e cenimit të të
drejtave të shqiptarëve
Me datën 2 maj 2014 u zhvillu
edhe akti ma i ri i skenareve të mujsharisë së qarqeve nacionaliste
sllavomakedonase. Gjashtë shqiptarë u dënunë me burg të përjetshëm me akuzën se
ata janë vrasës të pesë sllavomakedonasve të cilët u gjetën të vrarë në brigjet
e liqenit të Smilkovcit me 2012. Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, së pari në
Shkup, e pastaj edhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë, të Shqipërisë, të
Kosovës por edhe të mërgatës, nisën protestat e tyre për të shprehur
pakënaqësinë e tyre me këtë vendim. A ka arsye për këtë? Pse do të duhej me
protestu për një vendim gjykate?
Krimi në Smilkovc, padyshim,
ishte i tmerrshëm. Pesë qytetarë të pafajshëm ishin egzekutu në rrethana misterioze. Katër djem të rij dhe një mesoburrë. Që të gjithë sllavomakedonas.
Problemi ma i madh ishte dhe mbetet motivi. Pse u vranë ata? Pesha e krimit dhe
misteri që e ka mbështjellë nuk mun shpjegohet lehtë sepse ka një histori të
trishtë që lidhet me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.
Struktura të caktuara në qeveritë e Maqedonisë, sidomos në Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë, që nga pavarësia e saj, ma shumë janë profesionalizuar në luftën e tyre të fshehtë e të hapur kundër shqiptarëve sesa në luftën kundër krimeve dhe rreziqeve të njëmendta që i kërcënohen Maqedonisë. E keqja asht që këto struktura janë trashëgu nga sistemi i mëparshëm jugosllav i cili kishte instalu edhe në Maqedoni një aparaturë të specializuar antishqiptare. Derisa në të gjitha njësitë tjera të ish-Jugosllavisë – ku ma shumë e ku ma pak – ndodhi ndërrimi i njerëzve në këto struktura, për shkak të luftave që shpërthynë atje, kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë në Serbi e në Maqedoni. Kjo gjë ka bë që njerëz të policisë, të njësive speciale dhe të Shërbimit Sekret të Maqedonisë e të Serbisë të mbeten jo vetëm në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por ende me një ndërvarësi të punëtorëve të këtyre shërbimeve nga qendra e dikurshme – Beogradi.
Lufta e pandalshme kundër shqiptarëve
që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, i ktheu strukturat e organizuara
antishqiptare në Serbi e Maqedoni në partnerë sepse kishin një kundërshtar të
përbashkët – shqiptarët. Një nga projektet e para masive e më të mynxyrshme
ishte dëbimi i shqiptarëve në Turqi. Së pari, në vitet pesëdhjetë, në këto dy
republika u shpik kombësia turke e cila do të duhej të lehtësonte këtë dëbim.
Dhënia e ‘vesikave’ (dokumenteve) përfundimtare për dëbim në Turqi bëhej në
Shkup dhe bashkërendimi i këtyre punëve të liga bëhej në mes të këtyre
republikave. Për ata që nuk u bënë turq me dëshirë, nëpërmjet propagandës dhe
kërcënimeve me fjalë, Ministritë e Mbrendshme nisën dhunën e hapur policore, me
ndalimin e gjuhës shqipe, me mbylljen e shkollave, arrestimin, torturimin dhe
vrasjen e mësuesve dhe intelektualëve, që u bë specializim i këtyre dy qendrave
Beograd-Shkup. Shërbimet e Beogradit, mbas Luftës së Dytë Botërore, në
bashkëpunim me sllavomakedonët, egzekutunë edhe elemente probullgare ndër
sllavomakedonët, sepse sapo kishte nisë procesi i krijimit të një entiteti
artificial jugosllav. Rreth 100 mijë bullgarë u burgosën ndërsa 1200 bullgarë u
egzekutunë në këto vite. Kjo tregon se strukturat sllavomakedone janë prodhim
serb që në zanafillë.
Një analizë më sipërfaqësore e
ekonomisë së Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore tregon prapambeturinë
sistematike e të planifikuar që ka zbatuar Serbia e Maqedonia me synim të qartë
që t’i detyrojë shqiptarët të marrin botën në sy. Dhe, pas zbutjes së zullumit të
paparë në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë të shek. XX, për shkak të
spastrimeve partiake në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, emigrimi
ekonomik u bë sëmundje kronike për shqiptarët. Kudo në ish-Jugosllavi gjeje një
furrë apo një ëmbëltore të një hasjani apo të një tetovari apo të një
gostivarasi; nëpër gjithë Europën shqiptarët ndërtonin e shtronin rrugë,
dibranë e kërçovarë kalunë Atlantikun për me gjetë fatin e tyre të punësimit në
Amerikën e largët.
Sikur të mos mjaftonte zullumi
serb dhe sllavomakedon, në vitin 1963 Shkupi u godit nga një termet i fuqishëm
i cili mbyti rreth një mijë vetë dhe shkatërroi rreth 80 për qind të qytetit,
sepse shumica e ndërtesave qenë ndërtu me materiale të dobëta. Edhe këtë
fatkeqësi natyrore sllavomakedonët e kthyen në dobi të tyre dhe gjatë
rindërtimit favorizunë me të gjitha mundësitë prurjen e popullsisë
sllavomakedone tue anashkalu popullsinë shqiptare dhe tue i largu rreth 20 mijë
shqiptarë në Kosovë e Turqi. Në këtë mënyrë u ndërtu një Shkup i ri, me 20 mijë
sllavomakedonë nga Polonia, Çekosllovakia dhe Maqedonia e Egjeut dhe kështu
nisi të mbizotërojë elementi etnik sllav në këtë qytet në të cilin shqiptarët
gjithmonë kishin qenë shumicë. Të gjitha këto të dhëna i thekson historiani
Skender Hasani, punëtor në Arkivin e Maqedonisë, sipas dokumenteve ma të reja
të cilat i ka zbuluar ai.
![]() |
Me 1963 tërmeti goditi Shkupin |
Me zhvillimin e statusit politik
të Kosovës dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës, drita e arsimit ndriçoi
për të gjithë shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi. Shqiptarët nga Maqedonia
kur vinin në Kosovë u dukej se kishin ardhë në një shtet tjetër, ku shqipja
flitej, shkruhej e përdorej lirshëm dhe zyrtarisht. Ndërsa shqiptarët në
Maqedoni, megjithëse mbrenda një shteti të njëjtë, nuk gëzonin gati asnjë të
drejtë të tillë. Ky ishte paradoks jugosllav. Por, e vërteta ishte se
antishqiptarizmi serbo-sllavomakedonas nuk linte asnjë rast pa e shfrytëzuar
për m’iu kundërvu shqiptarëve. Derisa në opinion publik jugosllav Kosova e
viteve shtatëdhjetë paraqitej si parajsë e të drejtave ‘të pakicave’, çmimin për
këtë e pagunin shqiptarët e Maqedonisë. Ata shtypeshin dy herë më shumë, sepse
pezmi antishqiptar i strukturave të errëta zbrazej vetëm mbi ta.
Pas demonstratave të vitit 1981,
fryma e vjetër e shtypjes serbe nisi të kthehej në Kosovë, ndërsa në Maqedoni
merrte forma gjithnjë e më të egra. Puna shkoi deri aty që shqiptarëve nuk u
lejohej t’i pagëzonin fëmijët
e tyre me emra shqiptarë! Për emra fetarë s’kishte asnjë problem. U nxor edhe
ligji – sado i pabesueshëm – që shqiptarëve ua ndalonte të kishin ma shumë se
dy fëmijë! Dhe, kulmi u arrit kur nga shqiptarët u kërku që për emrat e
vendbanimeve në Maqedoni të mos përdornin emrat në shqipe por në gjuhën
sllavomakedone, pra, shqiptarëve nuk u lejohej të përdornin emrin Shkup por
Skopje, jo Tetovë por Tetovo, jo Manastir por Bitola! U mbyllën të gjitha
shkollat e mesme në gjuhën shqipe! Sot këto tingëllojnë si veprime të
pamundshme, jashtë mendjes së shëndoshë, por, për fat të keq, këto janë të
vërteta lakuriqe të historisë jo të largët të Maqedonisë.
Në vitet nëntëdhjetë kur situata
në Kosovë po shkonte drejt një lufte të hapur serbo-shqiptare, në Maqedoni
strukturat sllavomakedone nuk flinin. Ata e thellunë dhunën e hapur kundër
shqiptarëve. Po përgatitej skenari i dëbimit dhe jeta e shqiptarëve duhej të bëhej
sa më e padurueshme. U shpik problemi i mureve të oborreve të shqiptarëve të
cilat, për shijen e sllavëve, ishin tepër të nalta. Sikur Maqedonia nuk kishte
asnjë problem ma të rëndësishëm, pos mureve të oborreve të shqiptarëve.
Shqiptarët kundërshtunë me aq sa mundën, pati protesta e fërkime politike. Dhe
në Haraçinë, afër Shkupit, shumë shpejt, ra edhe viktima e parë, plaku Nuredin
Nuredini, i cili vdiq kur muri i shtyrë nga një buldozer ra mbi të.
Krejt këto ndodhën para se
Maqedonia të shkëputej nga Jugosllavia dhe para se të shpallte pavarësinë, me 8
shtator 1991. Megjithatë, pavarësia nuk e bëri Maqedoninë më pak antishqiptare
dhe, në këtë vijë, më pak të varur prej Beogradit. Ç’asht e vërteta, strukturat
e vjetra jugosllave në Shkup nxitën edhe më shumë antishqiptarizmin, tue harru
që nuk e kishin ma një shtet jugosllav mbrapa dhe tue mos e pa që shqiptarë po
bëheshin faktor gjithnjë e ma i rëndësishëm, jo vetëm në Maqedoni por edhe në
Ballkan.
Përpjekje për shkatërrimin e arsimit shqip
![]() |
Fadil Sulejmani |
![]() |
Busti i Abdylselam Eminit |
Krejt këto ndodhi nuk ishin të
rastësishme. R. Tomlisoni, (ish-agjent i Shërbimit Sekret Britanik, MI6, i
stacionuar në Maqedoni), në librin e tij ‘The Big Breach’ e pohon qartë se nga
viti 1993 deri në vitin 1998, Ministrinë e Mbrendshme të Maqedonisë e morën në
dorë prap zyrtarë të lartë policorë të kohës së ish-Jugosllavisë. Në qershor
1993 një patrullë e kufirit të Maqedonisë, pasi kërkoi një takim me oficerë të
kufirit të Shqipërisë, vrau njërin oficer shqiptar dhe tjetrin e la për të
vdekur. I plagosur rëndë, oficeri i dytë shqiptar tregoi kurthin ku e kishin
futur ushtarakët sllavomakedonë tue u thënë se kinse po i ftonin për një bisedë
zyrtare.
Në korrik 1997 në demonstratat në
Gostivar u vranë tre shqiptarë, mbas reagimit zyrtar për heqjen e flamurit
shqiptar në godinën e bashkisë së Gostivarit ku e kishte vendosë kryetari i
bashkisë, Rufi Osmani.
Në një rast të paprecedent, vetë
kryetari, z. Osmani, u burgos. Në këtë kaos të kontrolluar nga shërbime të
ndryshme destabilizimi i Maqedonisë ishte kartë në dorën e kujtdo që ishte i
interesuar për këtë. Tomlinsoni e bën të qartë që njerëz të lidhur ngushtë me
Shërbimin Sekret ish-Jugosllav, e humbën kontrollin në legal në strukturat e
Ministrisë së Mbrendshme me fitoren në zgjedhje të VMRO-së.
![]() |
Arbën Xhaferi |
Menjëherë pas shpalljes së
fitores dhe hyrjen në koalicion me VMRO-në, me 1998, Arbën Xhaferi, kryetar i
PDSh-së, pohoi: ‘Ne gjetëm partnerin e duhur. [VMRO] nuk asht parti proserbe,
por parti që përkrah idetë promakedone, dhe na me këtë ide kemi me mujtë me i
njëmendësu në praktikë idetë të cilat janë shumë me rëndësi për këtë rajon.’
Pra, aj theksonte edhe ma qartë vijën e zhvillimeve mbrenda strukturave sllavomakedonase
dhe interesin shqiptar në këtë vijë.
Në luftën e vitit 2001, u pa
sheshit pafuqia e shtetit maqedon dhe fuqia reale e faktorit shqiptar.
Megjithëse të armatosur e të organizuar në struktura shtetërore,
sllavomakedonët nuk qenë në gjendje me i bë ballë një ushtrie guerile të UÇK-së
të cilët ishin të vendosur për me luftu për të drejtat e popullit të tyre.
Armata dhe policia e Maqedonisë mori ndihma ushtarake nga shumë shtete të
ndryshme. Nga Ukraina arritën helikopterë (Mi-24) bashkë me pilotë mercenarë,
ndërsa Bullgaria dërgoi tanke (T-74) dhe tanke (T-55). Sado e pabesushme,
sllavomakedonët kishin bë një marrëveshje edhe me Greqinë me 1998 për mbrojtje
nga ndonjë rrezik i mundshëm. Edhe Maqedonia, edhe Greqia ishin të alarmuar nga
krijimi dhe forcimi i UÇK-së në Kosovë. Edhe deri këtu shkonte tmerri i
sllavomakedonëve prej shqiptarëve: bënin marrëveshje me shtetin që asnjëherë
nuk i njohu dhe u shkakton problemet ma të mëdha edhe sot e kësaj dite.
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e
Ohrit, kështu politikanët shqiptarë dhe sllavomakedonas ranë në ujdi për një
marrëveshje që do të garantonte ma shumë të drejta për shqiptarët. Por edhe
ashtu e kursyer në garantimin e të drejtave për shqiptarët, kjo marrëveshje nuk
u zbatua asnjëherë deri në fund. Përdorimi i gjuhës shqipe, megjithëse me këtë
marrëveshje njihet si gjuhë zyrtare, ajo nënçmohet dhe ndalohet në vetë
parlamentin maqedonas; statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të
luftës ende ka mbetur i pazgjidhur; përdorimi i simboleve kombëtare asht lënë
pezull; decentralizimi zvarritet dhe manipulohet gjatë gjithë procesit ndërsa
ndarja territoriale në çdo hap është bërë në dëm të shqiptarëve; përfaqësimi i
shqiptarëve në institucionet shtetërore asht i pamjaftushëm etj. Pra, ka ende
shumë punë drejt realizimit të të drejtave minimale të shqiptarëve në Maqedoni.
![]() |
Një shqiptar i vrarë në Masakrën e Lubotenit |
Masakra e Lubotenit dhe Masakra e Shtatë Emigrantëve
Në vargun e këtyre veprimeve
dëshpëruese me 12 gusht 2001 ndodhi Masakra e Lubotenit, kur u vranë dhjetë
shqiptarë në shenjë hakmarrjeje të vrasjes së tetë komandove sllavomakedone dy
ditë ma parë nga UÇK-ja. Kjo tregoi fytyrën e një policie speciale kriminale
sllavomakedone e cila s’ishte e zonja me bë një luftë ballaballë me ushtarët e
UÇK-së dhe hakmerrej te popullsia civile.
Krejt këtë masakër të civilëve në
Luboten Ljube Boškoski, Ministër i Mbrendshëm, e vëzhgoi nga një pozicion i
sigurtë derisa Johan Tarčulovski, udhëheqës i njësiteve speciale, me ‘Tigrat’ e
tij vranë e prenë shqiptarët e pafajshëm. Mediat botërore e dënunë këtë akt,
ndërsa organizata të ndryshme humanitare kërkunë që të gjenden përgjegjësit.
Human Right Watch thoshte se ‘operacioni i forcave të sigurisë nuk ishte
ndërmarrë prej kurrfarë arsyesh ushtarak dhe u bë me qëllim hakmarrjeje dhe
ushtrimi të dhunës.’ Tue u gjetë në një situatë të tillë dhe me kërcënimin se
ky rast do të shqyrtohej në Tribunalin e Hagës, në fillim të vitit tjetër, në
mars 2002, Boškoski dhe njësiti ‘Tigrat’, bënë edhe një masakër tjetër prap
afër Lubotenit, në Vneshtat e Rashtakut, me qëllim që të harrohet masakra e
parë.
![]() |
Krimineli Boskoski në vendin e krimit, në Luboten |
Por kjo masakër u bë me skenar të
planifikuar deri në imtësitë më të vogla. Gjashtë shtetas pakistanezë dhe një
indian, hallexhij që kishin synim të arrinin në vendet e Europës Perëndimore si
azilantë ishin në rrugë e sipër dhe kishin kalu nga Bullgaria në Maqedoni.
Zyrtarë të Ministrisë së Mbrendshme të Maqedonisë, u paraqitën si njerëz që do
të ndihmonin në këtë proces. I morën të shtatë dhe i vendosën në një shtëpi në
Shkup.
Me 2 mars 2002, pjesëtarë të
njësitit ‘Tigrat’ i morën të shtatë aziatikët dhe i dërgunë në Vneshtat e
Rashtakut, i vranë një nga një dhe ua lanë pranë nga ndonjë armë e revole që
gjithçka të dukej si një përballje e armatosur. Lajmi u dha nga vetë Ministri i
Mbrendshëm, Boškoski, tue thënë se ‘një grup terrorist’ i lidhur me ‘Alkaidën’,
paskësh hyrë në Maqedoni dhe paskësh planifikuar ‘të sulmojë ambasadën e
ShBA-së, të Britanisë dhe të Gjermanisë’. Edhe ma shumë se kaq, Boškoski tha se
te ata, përveç të tjerave, u gjetën edhe ‘uniforma të UÇK-së’! Ajo çfarë nuk
kishte llogaritë një mendjeleshko, si Boškoski me shokë, ishte se zyrtarë të
ambasadës amerikane, britanike e gjermane thanë se s’kishin pasë kurrfarë
paralajmërimi nga shërbimet e tyre që do të kishte çfarëdo sulmi. Kështu dilte
sikur shërbimi sekret i Boškoskit ishte ma i zoti sesa shërbimet sekrete të
ShBA-së, Britanisë e Gjermanisë të marra së bashku! A ishte e mundshme kjo?
Vetëm rrethet politike e intelektuale shqiptare në Maqedoni, që ditën e parë,
thanë haptazi se ky ishte një mashtrim i radhës. Gazeta ‘Fakti’ shkruante se ky
ishte një ‘spektakël i organizuar nga ministri i Mbrendshëm Boškoski’. Dhe kjo
doli të jetë një krejtësisht e vërtetë.
Mbas hetimeve u zbulu se krejt ky
kishte qenë një spektakël kriminal me qëllime të qarta që të paraqiste lidhjen
e UÇK-së me ‘terrorizmin islamik në botë’, rrezikun që paraqiste ky fakt dhe
rolin e qartë të Boškoskit në skenën botërore si zbulues dhe mbrojtës nga
‘terrorizmi’. Natyrisht, terroristë të vërtetë në krejt këtë punë doli të jetë
Boškoski dhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrendshme të cilit kishin kryer këtë
krim të pashembullt e mizor.
Tue mos qenë në gjendje me paraqitë
fakte e dëshmi, Ministria e Mbrendshme e Maqedonisë u detyru me pranu
mashtrimin kriminal dhe me kërku falje publike në maj të vitit 2004. Sidoqoftë,
tragjikomedia sllavomakedone e këtij rasti nuk mori fund këtu. Me 3 shkurt
2007, mbas një procesi të gjatë gjyqësor, të gjithë të akuzuarit e këtij rasti
– pra që të gjithë – u
shpallën të pafajshëm nga gjykata. Mbas dështimit spektakular të Ministrisë së
Mbrendshme, ky ishte dështim edhe më spektakular i Ministrisë së Drejtësisë së
Maqedonisë. Me shtatë viktima të vrara e të masakruara, me kërkimfalje publike
zyrtare nga Ministria e Mbrendshme, me fakte e dëshmi të qarta për çdo hap të
këtij akti kriminal, gjykata nuk e gjeti fajtor as edhe një të vetmin individ
në tërë këtë maskaradë drejtësie.
Egzekutim kriminal pa motiv të sqaruar
Tue qenë se Maqedonia u bë tashmë
nënë e vakive kriminale, askush nuk u habit megjithëse gjithkush u trishtu, me
lajmin për një krim të ri, masakër të re, kur me 12 prill 2012 në brigjet e
liqenit të Smilkovcit u gjetën të vrarë pesë sllavomakedonë, katër të rij dhe
një mesoburrë: Filip Slavkovski, Aleksandar Naḱevski, Cvetančo Acevski and Kire
Tričkovski dhe Borče Stefanovski. Ky krim i tmerrshëm – si në rastet tjera –
shkrodhi ma shumë pyetje sesa përgjegje. Pse u egzekutunë këta njerëz? Pse
pikërisht këta? Kush ishte i interesuar për një egzekutim të tillë?
Ministria e Mbrendshme e
Maqedonisë, tashmë kampione e improvizimeve kriminale dhe mashtrimeve
spektakulare, nuk arrijti me dhënë përgjegje të duhura. Por, nuk ngurroi me
ndërmarrë veprime të pamenduara mirë. E mendunë mirë vetëm emrin e operacionit
tue e qujtë ‘Operacioni Përbindëshi’, për me kriju sa ma shumë efekt në mediat
vendore e të huaja. Me 1 maj 2012 njësitet speciale prej 800 vetash nisën me
bastisje e arrestime në 26 banesa, tue arrestu 20 persona në Shuto Orizare,
Jahjapashë dhe Haraçinë. Prokurori publik lëshoi fletarrestime për Qezmedin
Demirin, Haki Azirin, Muamer Qailovskin, Besim Hajdarin, Mervan Memetin, Abdula
Rashitovin, Suraj Asipin, Mirvet Ismailoviçin, Kimet Demirin, Qani Azirin dhe
Rami Xhavitin. Me 3 maj 2012 13 prej 20 të arrestuarve u lanë të lirë ndërsa
katër u akuzunë për armëmbajtje pa leje.
Mbas hetimeve dhe procesit
gjyqësor, me 2014 gjykata në Shkup shpalli fajtorë: Alil Demirin, Afrim Ismailoviçin,
Agim Ismailoviçin, Fejzi Azirin, Haki Hazirin dhe Sami Lutën dhe i dënoi që të
gjithë me burgim të përjetshëm. Procesi hetimor dhe procesi gjyqësor u
përcollën me shumë mangësi. Asnjëherë nuk u paraqitën fakte dhe procesi u mbajt
larg syve të publikut. Haki Haziri, dëshmitari i mbrojtur, i cili prej 1 deri 7
maj 2012 u mbajt i burgosur në Koçanë dhe u kërcënu nga inspektorët e policisë
se nëse nuk do të pranonte se Alil Demiri ka kryer krimin atëherë ‘do të më
dënonin me 20 vjet ose nuk do të dilte i gjallë’. Edhe familjarët
sllavomakedonë të viktimave u ndanë të pakënaqur me vendimet e gjykatës. Vëllai
i Borče Stefanovskit, pasi ndëgjoi vendimet e gjykatës, i tha televizionit
‘Kanal 5 Web’: ‘…Sikurse edhe prindët tjerë edhe na nuk jemi të kënaqur me këtë
gjykim derisa të dijmë kush ishte porositësi [i vrasjeve] dhe arsyen pse u
vranë këta djem. (…) A asht akt terrorist apo ndonjë akt [kriminal] për biznes?
Pa u gjetë ata që e porositën këto vrasje vështirë se do të jemi të kënaqur. Do
të kërkojmë drejtësinë, qoftë në gjykatat tona, qoftë edhe deri në Tribunalin e
Hagës, kudo qoftë.‘ Pra, edhe vetë qytetarët sllavomakedonë kanë kuptu se nuk
po i vjen erë mirë këtyre marifetllëqeve teatrale të dy ministrive: asaj të
Mbrendshme dhe të Drejtësisë. Dhe vazhdojnë
me thanë se do të kërkojnë drejtësi
edhe jashtë Maqedonisë. Nëse këtë e bëjnë familjarët e viktimave
sllavomakedone, çfarë duhet të bëjnë atëherë shqiptarët?
Nëse ky proces krahasohet me
procesin gjyqësor për Masakrën e Vneshtave të Rashtakut, shihet qartë anshmëria
e gjykatës dhe gjykimi sipas kombësisë e jo sipas drejtësisë. Gjykim sipas një
synimi të paracaktuar e jo gjykim i nxjerrë nga faktet e ofruara. Nëse je
shqiptar, edhe pa fakte, dënimi asht i përjetshëm’; ndërsa nëse je
sllavomakedon, edhe nëse Ministria e Mbrendshme pranon fajin dhe kërkon falje
publike për një akt kriminal, fajtorë nuk ka. Prandaj, pakënaqësia e qytetarëve
shqiptarë dhe e familjarëve të viktimave asht plotësisht e arsyshme. Gjykimi
kundër gjashtë shqiptarëve duhet të përsëritet dhe të mbahet ose nga gjykatës
ndërkombtarë ose nën vëzhgim të plotë të tyre.
Shihet sheshit se nëse Masakra në
Vneshtat e Rashtakut u improvizu kinse për ‘me impresionu ShBA-në në luftën
kundër terrorizmit’, Masakra e Smilkovcit, simbas të gjitha gjasave, u improvizu
për me shkaktu trazira të mbrendshme dhe konflikte ndëretnike në Maqedoni. Nëse
për asgjë tjetër, atëherë për me ngadalësu procesin e paanashkalushëm të
garantimit të patjetërsueshëm të të drejtave të shqiptarëve, që kanë qenë dhe
mbeten shtylla kryesore mbi të cilën po mbijeton Maqedonia si shtet.
Qeveritarët e politikanët sllavomakedonë duhet të kuptojnë një herë e përgjithmonë se Maqedonia nuk të ardhme pa shqiptarët si qytetarë të barabartë. Nuk janë shqiptarët kërcënim për Maqedoninë dhe zullumi i madh i qarqeve të caktuara nacionaliste kundër shqiptarëve nuk ka me dhënë rezultatet që priten nga imagjinata e sëmutë dhe kriminale e mendjeleshkove si Boškoski me shokë. Hap i parë drejt stabilizimit të Maqedonisë si shtet asht përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën politikanët shqiptarë dhe gjithë shtresa intelektuale shqiptare, si duket, duhet me bë ma shumë.
Maqedonia, o ka me qenë edhe e
shqiptarëve si qytetarë të barabartë, o nuk ka me qenë fare.
10 korrik 2014