Thursday, July 25, 2024

Agim MORINA - KUR ISMAIL KADARE THOTË: “PO E PËRSËRIS ME PËRGJEGJËSI TË PLOTË.”

 

10 nëntor 2019

Gazetari: “Ramiz Alia thotë që ju ka dhënë dorën. Ju mban në mend në aeroport që ju ka dhënë dorën.”

Kadare: “Mund të hapni, mund të gjeni… Bëhuni pak kurioz, shkoni merrni arkivat. (…) Unë kam qenë në Francë, në Paris. Po e përsëris me përgjegjësi të plotë.”

Ramiz Alia kujton

Në një intervistë të dhënë në vitin 2011, hija e diktatorit Enver Hoxha, Ramiz Alia, derisa flet për ditët kur po priteshin ndryshimet demokratike në Shqipëri, zë në gojë edhe marrëdhëniet me shkrimtarin, Ismail Kadare. Ndër të tjera aj thotë:

“Kur ika unë në Kombet e Bashkuara”, [Ismail Kadare] doli në aeroport e më përcolli. Do thuash ti: “Doli se ishte nënpresident i Frontit [Demokratik]. Dakord. Doli. (..) Kur erdha unë, pas pesë ditësh, - sepse unë s’ndenja një javë, por pesë ditë – nuk ishte Kadareja. Kishte ikur. Më erdhi keq. Në kuptimin njerëzor. Jo kështu…”

(Ramiza Alia, intervistë në “Opinion” të Blendi Fevziut, 19 tetor 2011, [min. 01:29:30 - 01:29:40], https://www.youtube.com/watch?v=NEuBHHeNEbg)

Ismail Kadare përgjigjet

Një vit më vonë Ismail Kadare e kundërshton ashpër këtë pohim të Ramiz Alisë:

Kadare: “Nuk e kam përcjellë aspak Ramiz Alinë – po e hap një parantezë – siç thotë tashti andej-këndej: “Më përcolli Ismail Kadareja në aeroport.” Unë kam qenë në Francë në atë kohë.

Gazetari: Ju jeni larguar në fillim të shtatorit, ndërkohë që…

Kadare: Nuk e di kur është larguar ai nga..

Gazetari: Besoj duhet të jetë mesi i shtatorit sepse…

Kadare: …unë kam qenë atje, [dmth. në Paris] kisha dy javë. Dhe e kam pritur madje, e kam thënë këtë gjë, kam patur një hezitim të fundit, sepse edhe unë besova që…

Gazetari: Ramiz Alia thotë që ju ka dhënë dorën. Ju mban në mend në aeroport që ju ka dhënë dorën.

Kadare: Mund të hapni, mund të gjeni… Bëhuni pak kurioz, shkoni merrni arkivat, dhe po e patë figurën time atje, besoj kam qenë i dukshëm. (Qesh me qesëndi.) Nuk jam në atë... Unë kam qenë në Francë, në Paris. Po e përsëris me përgjegjësi të plotë.

(Ismail KADARE, intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion”), 24 tetor 2012, [min. 45:35-49:00] https://www.youtube.com/watch?v=qzj5xov340M)

Fakti

Kryetari i atëhershëm i Shqipërisë, Ramiz Alia, ka udhëtu në Nju-Jork për me marrë pjesë në sesionin e 45-të të OKB-së që do të mbahej me datën 28 shtator 1990. Nga pohimi i Ramiz Alisë se në Nju-Jork ka qëndru vetëm pesë ditë i bie që aj të ketë shku në Nju-Jork doemos disa ditë më parë. Prania e tij në Nju-Jork mund të dokumentohet me saktësi, duke qenë se atë ditë R. Alia mbajti një fjalim atje.

Helena Kadare dëshmon

Ajo që mund të dokumentohet po ashtu me saktësi ësht që Ismail Kadare dhe gruaja e tij, Helena, u larguan nga Shqipëria me datën 27 shtator 1990. Këtë e pohon vetë Helena Kadare në kujtimet e saja:

27 shtator 1990

Aeroporti i Rinasit. Qysh prej katër muajsh e kishim parafytyruar sesi do të ishte ky moment i jashtëzakonshëm. Madje edhe në ëndrrat tona plot makth e kishim jetuar kaq herë këtë çast. Në shëtitjet e mbrëmjes, në parkun para shtëpisë sonë. Dhe ja tani, Is dhe unë rrinim ulur në sallën e transitit, duke parë të çuditur atë bagazh enorme, që tani na dukej aq absurd për gjithçka mbante me vete: ikona, makina e shkrimit, dosje, dorëshkrime, libra, tablo, foto, korrespondencë, letra e Dardhës (R. Alisë), veshje dimri dhe vere (do shkojmë në Norvegji, atje bën aq ftohtë!, Fayard do të botojë veprën komplet të Is, duhen aq shumë dorëshkrime etj. etj.).

Në anën tjetër pas banakut prisnin të ngrira fytyrat e Bertit (vëllait) Nandit... Në rrëmujën e përgjithshme nuk arritëm as t’u jepnim dorën. Unë u shkrova një biletë lamtumire dhe ia dhashë kamerierit. Ata na e bëjnë me dorë. Ndiej një lloj trishtimi që mundohem ta fsheh. Përfaqësuesi i ambasadës franceze na uron rrugë të mbarë.

Deri në çastin e fundit mendoja se diçka mund të ndodhte dhe do të vinin të na zbrisnin nga avioni. Dy persona të Sigurimit afrohen tek Is. Unë mbaj frymën. Pas pak Is më afrohet duke qeshur. “Ishin dy të drejtorisë së pritjes, më thotë. Si përherë dërgohen pako me ushqime për VIP-at”.

Kaluam kontrollin e pasaportave. U gjendëm në sallën e udhëtarëve që do nisen. Të gjithë shqiptarët që udhëtonin e njihnin mirë ankthin e kësaj salle. Sa herë kishte qëlluar që njerëzit e Sigurimit hynin në çastin e fundit, për të marrë me vete ndonjërin prej udhëtarëve. Madje, në raste të tjera, kishte ndodhur që udhëtarin e kishin zbritur nga avioni vetëm disa minuta para nisjes.

(…)

Po vazhdoj me ditarin: “Ngjisim shkallët e avionit. Ulemi. Jemi të qetë, në mënyrë të pandërgjegjshme, si në një ëndërr ku gjërat lëvizin ngadalë, si në vakum bosh, pa ajër. Asnjë emocion. Avioni shkëputet nga pista. Përsëris me vete: lamtumirë Shqipëri. Dhëntë Zoti që kur të kthehemi përsëri të jesh e lirë. Në Bari duke ecur në pistën e betonuar drejt sallës së transitit Is më thotë: Beka, tani jemi të arratisur!”

Avioni u nis më në fund, ai mori drejtimin drejt detit dhe pas pak u gjend sipër Adriatikut.

Në Paris mbërritëm në mbrëmje. Në aeroport na priste Claude-i bashkë me Carmen-in, si dhe miku ynë i përbashkët Yves Mabin, nga Ministria e Jashtme. Gjatë kohës që po ecnim drejt Parisit, Is u kërkoi atyre që të vazhdonin ta mbanin sekret çështjen e arratisjes, për shkak të udhëtimit të Presidentit shqiptar për në SHBA. Claude-it, që ishte tashmë i njohur imtësisht me punët e Shqipërisë, iu duk e logjikshme pritja e rezultatit të vizitës së Presidentit. Ata kujtuan letrën që një vit më parë kishin shkruar së bashku për presidentin Bush dhe të dy besonin se ndoshta ajo e kishte luajtur rolin e vet. Në Derby Hotel na prisnin vajzat...”

Shkarje kujtese apo manipulim?

Le të rirenditim, pra, ngjarjet:

·         Ramiz Alia duhet të jetë nisë për një Nju-Jork disa ditë para 28 shtatorit 1990;

·         Kadarejtë ngjiten në avion dhe nisen për në Paris me 27 shtator 1990; Ramiz Alia tashmë ësht në Nju-Jork.

·         të nesërmen, me 28 shtator, Ramiz Alia mban fjalim në OKB;

·         me 29 apo 30 shtator R. Alia duhet të jetë kthy në Tiranë.

Krejt kjo tregon Ismail Kadare ka qenë në Tiranë në kohën kur Ramiz Alia qe nisë për në Nju-Jork dhe pohimi i Ramiz Alisë se Ismail Kadare e ka përcjellë deri në aeroport del jo vetëm i mundshëm, por i besueshëm dhe faktik. I besueshëm sepse nuk ka ndonjë arsye të bindshme se pse me rrejtë R. Alia në vitin 2011 për një imtësi jo aq të rëndësishme siç ësht përcjellja e R. Alisë nga Kadare në aeroportin e Rinasit. Ramiz Alia e thotë këtë në rrjedhë të bisedës, duke dashë të shpjegojë se sa ishte habitë kur e kishte kuptu që Kadare kishte ikë dhe kishte kërku strehim në Francë. Ky pohim i R. Alisë bëhet edhe më i besueshëm kur Ismail Kadare kundërpërgjigjet, një vit më vonë, me një këmbëngulje të panevojshme se në këtë kohë aj nuk kishte qenë në Tiranë, por në Francë. “Unë kam qenë në Francë, në Paris. Po e përsëris me përgjegjësi të plotë.”– thotë aj.

Pohimi “Po e përsëris me përgjegjësi të plotë,” e bën Ismail Kadarenë të dalë jo vetëm qesharak, por edhe manipulator. E bën që të vështrohet me dyshim çfarëdo që ka thënë dhe për çfarëdo që thotë. E bën jallan-shahit, dëshmitar të rrejshëm. E, për më keq se kaq, e nxjerr më të besueshëm një hije të diktatorit, Ramiz Alinë.

Kadare pohon që “kishte dy javë” që aj paskësh qenë në Paris, kur R. Alia paskësh shku në Nju-Jork. Por bashkëshortja e Kadaresë në kujtimet e saja shkrun që “(g)jatë kohës që po ecnim drejt Parisit, Is[maili] u kërkoi atyre që të vazhdonin ta mbanin sekret çështjen e arratisjes, për shkak të udhëtimit të Presidentit shqiptar për në SHBA.” Pra, edhe një herë, “gjatë kohës që po ecnim drejt Parisit”, - që ndodh në mbrëmjen e me 27 shtatorit 1990, - “Pra, edhe një herë, “gjatë kohës që po ecnim drejt Parisit”, - që ndodh në mbrëmjen e me 27 shtatorit 1990, - “Is[maili] u kërkoi atyre që të vazhdonin ta mbanin sekret çështjen e arratisjes, për shkak të udhëtimit të Presidentit shqiptar për në SHBA.” Dmth. Ismail Kadare e dinte fort mirë që në ditën që ishte largu nga Shqipëria drejt Parisit, le të rikujtojmë: me datën 27 shtator 1990, kryetari i Shqipërisë kishte udhëtu disa ditë më parë dhe gjendej në ShBA. Kjo e bën të pamundur faktin që pohimet e Kadaresë me 2012, se nuk e paskësh përcjellë Ramiz Alinë në aeroport, sepse aj vetë paskësh qenë në Paris, jo si shkarje të rastësishme e kujtesës, por si përpjekje për manipulim.

Kjo këmbëngulje për me demantu Ramiz Alinë ësht jo vetëm e panevojshme, por edhe e pakuptimtë. Ismail Kadare ka bë shërbime shum më të palavdishme regjimit enverist dhe kjo përcjellje në aeroport e hijes së diktatorit ësht një imtësi krejt e parëndësishme në biografinë e tij. Por, ja që këmbëngulja e mëpastajme e shkrimtarit në këtë veprim krejt të parëndësishëm e bën, befas, domethënës. E bën domethënës për disa arsye: bëhet fakt që tregon se Kadare me çdo kusht kërkon të pastrojë biografinë e tij edhe aty ku kjo, jo vetëm që ësht e parëndësishme, por edhe lehtësisht e evidencueshme; edhe më keq se kaq, e bën më të besueshëm hijen e diktatorit, Ramiz Alinë. Dhe kjo na çon në një përfundim të pashmangshëm: të shkruarit e historisë së kësaj periudhe ka me qenë një punë tmerrësisht e vështirë për brezat e ardhshëm, i mbuluar me jallan-shahitë, me manipulantë, me njerëz që përpiqen të pastrojnë grazhdet e ndërgjegjes së tyre.

Në të vërtetë, përcjellja e hijes së diktatorit në aeroport mund të ketë ndihmu Kadarejtë që të ikin më lehtë, duke qenë se dy vajzat tashmë ishin në Paris dhe shkuarja edhe e çiftit bashkëshortor atje e bënte gjithë familjen bashkë jashtë shtetit: një precedent i paimagjinueshëm në shtetin diktatorial të asaj kohe që të lejonte ikjen jashtë të një familjeje të tërë. Nëse kjo përcjellje e Ramiz Alisë nga Ismail Kadare ka ndihmu që të arrihet edhe ky synim, arsyeja e këtillë do të ishte shum më e kuptueshme dhe më e ndershme për çdo njeri me pak mend: i ka shërby shpëtimit të një familjeje të tërë.

 

Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH

Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma      T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...