Friday, February 26, 2021

GJAMA E POETIT RAGIF MULAJ[1](MEHMET AKIF ERSOYI) PËR SHQIPNINË QË PO DIGJEJ

- poeti ndërmjet idealit fetar e kombëtar dhe Atdheut

 

Poezia “Shqipnija po digjet” e Ragif Mulajt (apo e Mehmet Akif Ersoyit) asht shkru me 6 mars të vitit 1913. Disa muej ma heret, në tetor 1912, trojet shqiptare qenë pushtu nga ushtritë e popujve të Gadishullit Ilirik, në emën të luftës kundër pushtuesit otoman. Në çdo vend ku hynë këto ushtri nëpër trojet shqiptare banë masakra, vrasje, djegie e shkatërrim. Një pjesë e popullsisë u shpërngul në territore përkohësisht ma të sigurta.

 

Skenat e mizorive nëpër të cilat kaluen shqiptarët tregojnë edhe artikujt raportimet e gazetarit të atëhershëm të gazetës “Pravda”, Leon Trockit e, po ashtu, artikujt e Leo Freundlichit. Ky pogrom i popullsisë shqiptare kaloi pa ndonjë veprim parandalues nga shtetet e fuqishme të kohës. Një arsye për këtë ishte që fqinjët ballkanikë (serbët, grekët e malazezët) e kishin përgatitë opinionin publik botnor me propagandën për shqiptarët e egër, të paqytetnuem dhe të paqytetnueshëm, pa histori e pa identitet. Sidomos kishin punu shumë në theksimin e përkatësisë islamike të shqiptarëve, të njëjtë me atë të “kërcënuesit” shekullor otoman të Europës, tue lanë në heshtje, natyrisht, që një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kishin mbetë katolikë e ortodoksë. E po ashtu tue mos e zanë në gojë se të gjithë shqiptarët jetën e tyne shoqnore e banin tue u mbështetë kryesisht në zakonet e tyne shqiptare të bazueme në Kanunin Shqiptar.

 

Prej një prapavështrimi të sotëm e dijmë se gjithë kjo punë fqinjëve pushtues nuk u shkoi huq. Prej 92 mijë kilometrave katrorë, sa përfshinin katër vilajetet e dikurshme shqiptare brenda Perandorisë Otomane, Shqipnia arrijti me i rujtë nën administrimin e vet vetëm 28 mijë kilometra katrorë, sa i ka sot Shqipnija Administrative, domethënë rreth një të tretën e atyne trojeve. Sidoqoftë, e dijmë po ashtu se kjo padrejtësi historike që nga ajo kohë u kthy në faktor destabiliteti në Gadishullin Ilirik. Dhe vazhdon me mbetë e tillë edhe sot.

 

Perandoria shumëshekullore Otomane u shkërmoq dhe ushtritë e hueja, disa vite ma vonë, arrijtën deri para dyerve të Stambollit, tue marrë nën administrim edhe kryeqytetin e Perandorisë. Por me ramjen e kësaj perandorie, ra gjithë godina e kalbun e burokracisë, teokracisë dhe armatës, dikur të famshme për fitoret e veta, e cila disa shekuj ma parë kishte mbërrijtë edhe para portave të Vjenës. U rrënuen mitet e pathyeshmënisë së armatës peradorake, u zbehën shpresat dhe u shkapërderdh kohezioni i dikurshëm i një shoqnie që ishte ndërtu nën flamurin e ngadhnjimeve e të pushtimeve të njëpasnjëshme.

 

Ragifi, bir i Tahirit, një shqiptari nga katundi Shushicë e Pejës dhe një nane nga Buharaja (Uzbekistan), i lindun e i rritun në Stamboll, megjithëse ishte shkollu për veteriner, ishte eduku në frymë islamike, qoftë në familje, qoftë nëpër shkollat e kohës. I ati i tij kishte shku në Stamboll për shkollim dhe ishte ba myderriz, tue u martu me një zonjushë uzbekistanase nga Buharaja. Nuk e dijmë nëse Ragifi e fliste shqipen apo jo, por në poezinë e tij që po paraqesim këtu aj përdor fjalën shqipe për anëtarët e shoqatës “Bashkimi” dhe i qun “bashkimxhillarët”. Të gjithë këta faktorë jetësorë kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në personalitetin e tij.

 

TRI RRJEDHAT E POEZISË “SHQIPNIJA PO DIGJET”

 

Vija e parë e poetit Ragif Mulaj thuret tue tregu dashuninë e veçantë që ka poeti për Shqipninë. Kjo dashuni ishte e thellë dhe aj këtë nuk e fsheh asnjëherë. Shqipninë e qun “ma e dashuna nanë”, “mëmëdhe i vërtetë”, “toka që gjyshi jem e lavroi” dhe e thekson me të madhe një fakt që e sëmbon thellë në zemër:

 

“Ngomëni çka po ju thom, unë, po, shqiptar jam,

Tjetër s’kam çka thom... Ja, vendi jem i vramë...”

(Bunu benden duyunuz, ben ki, evet, Arnavudum...

Başka bir şey diyemem... İşte perişan yurdum!..)

 

Vija e dytë zhvillohet nëpërmjet një kritike të ashpër që poeti u ban tre udhëheqësve të kohës, tre gjeneralëve, të cilët i qun “të patru”, “hajdutë” dhe “cuba”. Aj i mban ata si përgjegjës kryesorë për shkatërrimin të Perandorisë. Një nga këta gjeneralë, Enver Pasha, ministër i Luftës, ishte po ashtu shqiptar. Në këtë vijë poeti asht po aq kritik kundër lëvizjes politike të “bashkimxhillarëve” shqiptarë që përpiqeshin për një autonomi të Shqipnisë. Projektin e tyne e qun me ironi “e nalta andërr” që u kurdis nga “bashkimxhillarët”!

 

Tue qenë vetë një mysliman i devotshëm, poeti Ragif Mulaj, shkakun e ramjes dhe shkatërrimit të Perandorisë e sheh në heqjen dorë nga feja islame dhe në përkushtimin e popujve të ndryshëm brenda perandorisë ndaj idealit kombtar. Poeti këtë e sheh si mallkim dhe u ban thirrje këtyne popujve të heqin dorë sa ma shpejt nga idealet kombtare për hir të unitetit fetar.

 

Në vijën e tretë, poeti ofron atë që asht zgjidhje sipas tij. Kjo zgjidhje asht bashkimi rreth "popullit islam", ndjekja e fjalës së Muhamedit, profet islamik, tue mos e vu idealin kombtar mbi idealin fetar. Me qenë nacionalist, sipas Mulajt, ishte gabim, "rrugë e shmangët", në kundërshtim me fenë muhamedane dhe në kundërshtim me thaniet e profetit.

 

“Shqipni” ç’don me thanë? A ka vend në sheriat athu?

Kufër bahet, tjetër s’ka, kombin përpara me vu.”

 

Bindjen e thellë kundër përcaktimit politik për pavarësi kombëtare, Mulaj e shpreh hapun në këto vargje:

 

“A asht ma i mirë arabi prej turku, lazi prej çerkezit,

Po hebreu prej kurdi apo iraniani prej kinezit?

A ka ‘pluralizëm’ në myslimanllëk? Jo, qebesa, jo!

Idenë e kombësisë Pejgamberi e mallkon kudo.”

 

(...)

 

“Tue i ra njëni-tjetrit me krye; humbja asht ashiqare,

As qeveri s’mbetet aty, për zotin, as fe s’mbetet fare!”

 

(...)

 

“Ja, ende muni me i pasë shqiptarët si shembull për ibret,

Ç’asht kjo politikë hileqare, ç’asht ky ngatërrim e siklet?”

 

Këto vargje shpesh janë heqë edhe në botime të ndryshme të kësaj poezie edhe nga nacionalistët turq gjatë ribotimeve të ndryshme në Turqinë republikane.

 

Nga kjo vijë duhet me u pa e me u vlerësu edhe Ragif Mulaj sot. Aj i përkiste një mendësie otomane, me ideale mbikombëtare. Ishte shqiptar dhe këtë e thoshte me mburrje, krenohej me Shqipninë, ndinte dhembje të thellë për vujtjet e mëmëdheut, por të qenët shqiptar aj e përjetonte si të dytë kundrejt idealit fetar islamik. Identiteti i tij ma i naltë ishte me qenë mysliman për nga feja dhe otoman për nga kultura. Kjo asht arsyeja që Ragif Mulaj asnjëherë nuk u inkuadru në lëvizjen kombëtare shqiptare, por nuk hyni as në lëvizjen kombëtare turke. Aj nuk hoqi dorë asnjëherë nga këto qëndrime për të cilat vujti gjatë gjithë jetës tue jetu, për këtë arsye, edhe një pjesë të jetës në ekzil.

 

Ragif Mulaj, sidoqoftë, mbetet poet i fuqishëm, me varg monumental, ritëm mjeshtëror e vrull luftarak. Kjo asht e edhe arsyeja që një poezi e tij - për ironi të fatit - u kthy e u ba himn i Turqisë së re republikane. Edhe në përkthimn shqip të kësaj poezie kemi ba përpjekje me i bartë, sa ka qenë e mujtun, këto cilësi të vargnimit të Mulajt.

Mulaj ishte dhe mbeti një panislamist i papërkulun. Vdiq me këtë bindje. Por në pjesën ma të ndijshme të qenies së tij, Mulaj, megjithatë, mbeti bir i Shqipnisë, shqiptar që klith nga dhembja për atdheun e tij fatkeq, për Shqipninë e tij: “ma të dashunën nanë” dhe kjo shihet ma së miri në këtë poezi të fuqishme.

 

Nga dëshprimi për ngjarjet që po ndodhnin në trojet shqiptare dhe nga mllefi kundër lëvizjeve kombëtare Mulaj këmbëngul që Shqipnija autonome asht “andërr e naltë” dhe pyet “ku mbeti” ajo tash? Sidoqoftë, koha dëshmoi që Shqipnija e pavarun nuk ishte andërr vetëm e “bashkimxhillarëve”, por e gjithë popullit shqiptar. Duhet me kuptu që Mulaj ishte i çamë përmbrenda në këtë pikëpamje të përcaktimit identitar. Prej babe ishte shqiptar, prej nane uzbekistanas, me kulturë otoman e me fe mysliman. I lindun, i rritun dhe i edukuem në kryeqytetin e Perandorisë së kalbun tashma. Godina shoqnore në të cilën ndihej mirë e i sigurtë ishte kjo: një perandori që institucionalisht i mbulonte të gjitha dallimet, një fe që dukej se i zbuste këto dallime, një kombësi që mun kultivohej, por vetëm mbrenda këtyne institucioneve dhe kësaj feje, dhe familja e cila ishte e fundit në këtë hierarki që ofronte ngrohtësi dhe mirëqenie individuale.

 

Në kohë kthesash të mëdha historike mjegulla dhe paqartësia identitare pati pasoja të pamatshme qoftë për një individ, qoftë për një kolektivitet. Ideali kombëtar i kunorëzuem me një shtet kombëtar ishte një ideal që kishte kohë që e kishte mbulu gjithë Europën dhe shqiptarët ishin nga të fundit që po e njëmendësonin. Në kushtet e veçanta tonat, me qenë shqiptar nënkuptonte të ishe i çfarëdo feje që mund të zgjidhje dhe, edhe kur e zgjidhje, duhej të jetoje në një harmoni me pjesëtarë fesh të tjera. Ndoshta një nga mungesat ma të mëdha të Mulajt ishte se aj nuk kishte jetu gjatë mes shqiptarëve për të kuptu thelbin e të qenët shqiptar dhe i njihte ata ma shumë përmes rrëfimesh të babës së tij, apo prej mërgimtarësh të shumtë në Stamboll. Në këtë mënyrë aj e kishte rujtë krenarinë e përkatësisë së vet kombëtare, por s’arrijti kurrë ta trajtojë, as ta kuptojë drejt, mbrenda rrethanave historike në të cilat u gjend populli shqiptar.

 

Identiteti otoman, të cilin e synonte ta sendërtonte Perandoria Otomane gjatë shekullit të fundit, nuk kishte arrijtë me u mbjellë thellë në mendjen e qytetarëve, jo vetëm joturq, por edhe ndër vetë turqit, të cilët i ranë mohit këtij projekti. Si rezultat i këtyne lëvizjeve nacionaliste – tue i ra mohit trashëgimisë otomane - u themelu Turqia si shtet kombëtar.

 

Për shqiptarët një ideal si bashkimi kombtar dhe pavarësia shtetnore nuk ishin dhe nuk janë as sot – ma shumë se njëqind vjet ma vonë - një synim i lehtë dhe i përfunduem. Aq ma pak në rrethana në të cilat ndodheshin e ndodhen edhe sot. Sidoqoftë, ndjenjat poetike të poetit Mulaj janë të çiltra, të dala prej një dhembjeje, një tronditjeje dhe një dëshprimi të mirëfilltë njerëzor, prandej ka mundësi me u pajtu e mos me u pajtu me pikëvështrimet e tij për problemet e caktueme, por gjithsesi kurrkush nuk mun me i mbyllë sytë para një pikëllimi e gjame të tij njerëzore dhe kombtare, të cilën as aj vetë nuk arrin me e mshefë, tue i shprehë ato në vargje poetike shumë të fuqishme.

Agim MORINA

 

Shënim: “Shqipnija po digjet” asht titull i vumë prej meje, marrë nga vargu i katërt i kësaj poezie të Mulajt. 

 

Ragif MULAJ

(Mehmet Akif Ersoy)

 

SHQIPNIJA PO DIGJET

 

Për hall tri rrashtash pa tru[2], tre milionë popull[3]këtu

Shihe si grihet! Çohu bre babë[4] prej vorri, çohu!

Të gjallët krah nuk i dolën, ti së paku arrij me kohë, baba,

Shqipnija po digjet... Kësaj here me shumë tmerr e hata!

 

Veç një gacë u fry ashtu, krejt xhehenemi volli këtu,

Rreth e qark e anembanë vendin e paska rrethu,

E çfarë zjarmi se: oxhak s’paska mbetë pa u shu krejt,

E ç’tufan se: gjithë luginat i paska djegë e rrënu shkret!

 

Një ftyrë të njohshme e lypa... E të tillë s’paska fare,

Veç shkretinë e thatë qenka, me pyetë: heshtje e varre!

Pa ftyrë të njohshme, asnjëni as kujtim s’paska, jo!

Jeta në rrënim e sipër, shih, as trup s’paska ajo!

 

Me trazu hinin, tash, prej përposh, pa thanë asnjë fjalë,

E dij: tre-katër copa eshnash ba thëngjill kanë me dalë!

Babë! Ma e dashuna nanë, atdheu yt i vërtetë[5], vallë,

A do të bahej fli i tre cubave[6]mashtrues e budallë?

 

Toka që gjyshi jem e lavroi, ku shpirtin e mbolli, u tret...

Na iku duersh: mbrapa s’kthehet kurrë ma, medet!

Ç’kish me të gjetë, me u pasë çu, vallë, e me pa?

Në kryet e Muranës a do të të ngulej kryqi,[7] baba!

 

Le të kthehen faltoret në shtalla! Ç’mynxyrë, o popull!

Ushtarë kroatë[8] le të shkelin tash tue vallëzu rrotull,

Të paktën një kujtim me pasë mbetë i gjallë mbi dhé,

Dheu po çahet, dheu po gëlltit tyrbe dëshmorësh, për be!

 

Kudo që të jem, para më del fushë e përgjakun me vesë...

A je ti, s’e dij, apo asht vegimi yt, Kosovë e pabesë!

Ku mbeti rrahja e mija hapave të tu krenarë mbi dhé?

Ku mbeti depërtimi i Jëlldërëmit[9] që çante si rrufe?

 

Mbreti Dëshmor[10] që të fle në gji e ushtarët ku janë tretë?

Ah, ku asht ajo fitore me flijim sot? Ku asht ajo festë?

Trego, Muranë[11], të ta puth - tue t’u përkulë - atë dhé,

A nuk kanë mbetë te ti dy-tre pika gjak të Muratit, the?

 

Ah, Muranë! Kjo ç’asht? Përreth teje a asht mejhane?

S’po e shoh kandilin, ku asht? Kjo, a asht kupë vene?

Po në haremin[12] tand, pijanecët me kapela kush janë?

Apo jam gabim? Jo, mos më fol! E dija, e dija, o Muranë!

 

A kish mujtë, mbi gjoks tandin, me shkelë opingë serbe, vërte?

Me sarëk mija dëshmorësh të shtruem kudo nëpër dhé.

A kish mujtë me fshi çizmen ma i poshtri ushtar këtu?

A kish mujtë me shkelë si coftinë mbi ty tue kalu?

 

Qe, ky flamur me tri ngjyra[13]në krye tash t’u ngul,

Kush doli me i pri këtij populli? Ky flamur pse s’u ul?

Ku mbet kombi profetik që popujve sfidë u bante me trimni? [14]

Nuk e pashë askënd, as një të vetmin në mejdan... Çudi!

 

Ku mbeti që po t’u prek hija e dinjitetit te pragu;

- Tërbimi i heroit s’pashitej pa shku posht gjaku

I tre e pesë vetave, se ushtari asht gjakvluem?

Qe pra dinjiteti berbat i kombit të poshtnuem!

 

Ku mbeti: ”Jabanxhiut emnin e bijave s’e llafos,

As të grues s’e thom... Të vras, mos më pyet, mos!”

Që nuk pranonin as regjistrim, krejt prej burrnije!

Ku mbetën, s’i treguen dot të vjetrat vepra trimnije! [15]

 

Në njënën anë të përdaltit, n’anë tjetër faqezij larashë,

Tue nëpërkambë oda burrash e shkelë dhoma grash!

Ku mbeti, o komb nënshtru prej robnnije, autonomija?[16]

Kam drojë se tash hise të ka ra e pambarim varfnija!

 

Ku mbeti, brumi përbashkues, pavarësia jote e brishtë?

Më duket synimeve tua u erdhi fundi përjetësisht!

Ku mbet e nalta andërr që “bashkimxhillarët”[17] ta kurdisën, pra?

Me vite të mashtroi ajo e nemuna andërr, për hava.

 

U pate përgjumë... Me u pasë zgju mynxyra a kish m’u ba,

Sa çel e mshel sytë, a do të zdritte agim i përgjakun tashma?

Hajduti malazez, gomari serb, bashkë me gjarpnin bullgar,

Masandej qeni grek, përtoqark rrethu vatanin me zjarr...

 

Tri ushtri mjerane me ta kthy atë armatë të patundun,

Me na përzanë tue na marrë prej dore vendin tonë të humbun...

E ndonjë prej familjesh të pambrojtuna me thika me u pre,

E ndonjë, tërheqë në prehën, ndër mija gjama me u shkrehë...

 

Dikujt nderi tue i shku posht, tjetrit hallall i qoftë gjaku...

O turmë rebele, ky asgjasim i dhembshëm të mpaku.

Ky turri jot asht marifet i tre-katër vetave debilë!

E pse, a nuk e prisje këtë fat poshtnues e rezil?

 

Ku mbete, milet islam ishe... Kombi ç’t’u desh, vallë!

Të kishe mbetë i stërlidhun me miletin tand përballë.

“Shqipni” ç’don me thanë? A ka vend në sheriat athu?

Kufër bahet, tjetër s’ka, kombin përpara me vu.[18]

 

A asht ma i mirë arabi prej turku, lazi prej çerkezit,

Po hebreu prej kurdi apo iraniani prej kinezit?

A ka ‘pluralizëm’ në myslimanllëk? Jo, qebesa, jo!

Idenë e kombësisë Pejgamberi e mallkon kudo.[19]

 

Asht përçamje e shpirtit profetik, ma i madhi dushman,

Emni iu shoftë atij mashtruesi që e mbolli n’islam,

Para mija vjetësh ky fat i joti të asht parathanë,

A asht e drejtë me pasë kaq mospajtim të gjanë?

 

O popull i mpakun, sabahu çeli, zgjohu, tashma!

Pak të erdhën ty ezanët, a me rrahë kjo kumbonë pra?

As turkllëk, as arabllëk s’ka me mbetë, hapi sytë, prore!

Të Pejgamberit famënaltë ndëgjo fjalën hyjnore!

 

Turku pa arabin s’mbijeton – veç n’tru të të marrit ka hy:

Kurse turku për arabin asht edhe dorë e djathtë, edhe sy,

Tue i ra njëni-tjetrit me krye; humbja asht ashiqare,

As qeveri s’mbetet aty, për zotin, as fe s’mbetet fare!

 

“Qytetnimi” ka kohë që jua tregon dhambët e rrallë,

Mbasi ju ban copë, don me ju përbi të gjallë,

Ja, ende muni me i pasë shqiptarët si shembull për ibret,

Ç’asht kjo politikë hileqare, ç’asht ky ngatërrim e siklet?

 

Shumica s’po e shihni, keni marrë rrugë të shmangët,

Përzini hajdutin që po ju prin, atë mendjemangët!

Ngoni mirë çka po ju thom: unë, po, shqiptar jam,[20]

Tjetër s’kam çka thom... Ja, vendi jem i vramë...

 

6 mars 1913

përkth. Agim MORINA

4 dhjetor 2015

 

Mehmet Akif ERSOY

(Ragif Mulaj)

 

ARNAVUTLUK YANIYOR

 

Üç beyinsiz kafanın derdine, üç milyon halk,

Bak nasıl doğranıyor? Kalk, baba, kabrinden kalk!*

Diriler koşmadı imdadına, sen bari yetiş...

Arnavutluk yanıyor... Hem bu sefer pek müdhiş!

 

Tek kıvılcım kabarıp öyle cehennem kustu:

Ki hemen kol kol olup sardı bütün bir yurdu.

O ne yangın ki: Ocak kalmadı söndürmediği!

O ne tûfan ki: Yakıp yıktı bütün vâdîyi!

 

Âşinâ çehre arandım... O, meğer, hiç yokmuş...

Yalınız bir kuru çöl var ki, ne sorsan: Hâmûş!

Âşinâ çehre de yok hiçbirinin yâdı da yok;

Yakılan bunca hayâtın, hani, ecsâdı da yok!

 

Yoklasan külleri, altından, emînim, ancak

Kömür olmuş iki üç parça kemiktir çıkacak!

Baba! En sevgili annen, o senin öz vatanın

Olacak mıydı fedâ hırsına üç kaltabanın?

 

Dedemin sürdüğü, can ektiği toprak gitti...

Öyle bir gitti ki hem: Bir daha gelmez ebedî!

Ne olurdun bunu kalkıp da göreydin acaba?

"Meşhed"in beynine haç saplanacak mıydı baba!

 

Ne felâket: Dönüversin de mesâcid ahıra,

Hırvat´ın askeri tepsin çıkıp üstünde hora!

Bâri bir hâtıra kalsaydı şu toprakta diri...

Yer yarılmış, yere geçmiş, şühedâ türbeleri!

 

Nerde olsam çıkıyor karşıma bir kanlı ova...

Sen misin, yoksa hayâlin mi? Vefâsız Kosova!

Hani binlerce mefâhirdi senin her adımın?

Hani sînende yarıp geçtiği yol "Yıldırım"ın?

 

Hani asker? Hani kalbinde yatan Şâh-ı Şehîd?

Ah o kurbân-ı zafer nerde bugün? Nerde o iyd?

Söyle, Meşhed, öpeyim secde edip toprağını;

Yok mudur sende Murâd´ın iki üç damla kanı?

 

Âh Meşhed! O ne? Sâhandaki meyhâne midir?

Kandilin, görmüyorum, nerde? Şu peymâne midir?

Ya harîminde yatan ,şapkalı sarhoşlar kim?

Yoksa yanlış mı? Hayır, söyleme, bildim... Bildim!

 

Basacak mıydı, fakat, göğsüne Sırb´ın çarığı?

Serilip yerlere binlerce şehîdin sarığı,

Silecek miydi en alçak neferin çizmesini?

Dürtecek miydi geçen, leş gibi her lîmesini?

 

Ya şu üç parçalı bayrak dikilirken tepene,

Niye indirmedi, kim çıktı bu halkın önüne?

Hani, milletlere meydan okuyan kavm-i necîb?

Görmedim bir kişi, tek bir kişi meydanda... Garîb!

 

Hani, haysiyyetinin gölgesi çiğnense eğer;

-Olmadan üç kişinin, beş kişinin, hûnu heder-

Kahraman gayzı yatışmaz, kanı coşkun efrâd?

İşte haysiyyet-i kavmiyye muhakkar, berbâd!

 

Hani "Nâ-mahreme ben söyliyemem kızlarımın,

Karımın ismini... Hem öldürürüm, sorma sakın!"

Diye, tahrîr-i nüfûs istemiyen er kişiler!

Hani, göstermediler eski celâdetten eser;

 

Fuhşu i´lâya koşan bir sürü nâ-merd öteden,

Ne selâmlık ne harem dinlemeyip çiğnerken!

Hani, ey kavm-i esâret-zede, muhtâriyyet?

Korkarım, şimdi nasîbin mütemâdî haybet!

 

Hani, ey unsur-i bî-râbıta, istiklâlin?

Ebediyyen, sanırım, söndü bütün âmâlin!

Hani "Başkım"cıların kurduğu yüksek hülyâ?

Seni yıllarca avutmuş da o mel´un rü´yâ,

 

Uyumuştun... Ya uyansaydın eder miydi tebâh,

Mülkü, birdenbire âfâka çöken kanlı sabah?

Karadağ haydudu Sırp eşşeği Bulgar yılanı,

Sonra Yunan iti, çepçevre kuşatsın vatanı…

 

Üç sefil ordu çevirsin o metîn ordumuzu,

Bizi kovsun elimizden alarak yurdumuzu...

Kimsesiz âilelerden kimi gitsin bıçağa;

Kimi bin türlü fecâ´atle çekilsin kucağa...

 

Birinin ırzı heder, dîgerinin hûnu helâl...

İşte, ey unsur-i isyan, bu elîm izmihlâl,

Seni tahrîk eden üç beş alığın ma’rifeti!

Ya neden beklemiyordun bu rezîl âkıbeti?

 

Hani, milliyyetin İslâm idi... Kavmiyyet ne!

Sarılıp sımsıkı dursaydın a milliyyetine.

"Arnavutluk" ne demek? Var mı şerîatte yeri?

Küfr olur, başka değil, kavmini sürmek ileri!

 

Arabın Türke; Lâzın Çerkese, yâhud Kürde;

Acemin Çinliye rüchânı mı varmış? Nerde!

Müslümanlık’ta "anâsır"mı olurmuş? Ne gezer!

Fikr-i kavmiyyeti tel’în ediyor Peygamber.

 

En büyük düşmanıdır rûh-i Nebî tefrikanın;

Adı batsın onu İslâm’a sokan kaltabanın!

Şu senin âkıbetin bin bu kadar yıl evvel,

Sana söylenmiş iken doğru mudur şimdi cedel?

 

Artık ey millet-i merhûme, sabâh oldu uyan!

Sana az geldi ezanlar, diye ötsün mü bu çan?

Ne Araplık ne de Türklük kalacak aç gözünü!

Dinle Peygamber-i Zîşân´ın İlâhî sözünü.

 

Türk Arabsız yaşamaz Kim ki yaşar der delidir:

Arabın, Türk ise hem sağ gözü hem sağ elidir

Veriniz başbaşa; zîrâ sonu hüsrân-ı mübin:

Ne hükûmet kalıyor ortada billâhi, ne din!

 

"Medeniyyet!" size çoktan beridir diş biliyor;

Evvela parçalamak sonra da yutmak diliyor:

Arnavutlar size ibret olacakken, hâlâ,

Ne bu şûrîde siyâset, ne bu fâsid da´vâ?

 

Görmüyor gittiği yanlış yolu, zannım, çoğunuz...

Size rehberlik eden haydudu artık kovunuz!

Bunu benden duyunuz, ben ki, evet, Arnavudum...

Başka bir şey diyemem... İşte perişan yurdum!..

 

 

[1] Poeti i mirënjohun i Turqisë njihet me emnin Mehmet Akif Ersoy. Na po e përdorim emnin Ragif, tue qenë se ky asht emni i vërtetë me të cilin asht pagëzu poeti dhe baba i tij, Tahir Mulaj, sa qe gjallë, gjithmonë e ka qujtë të birin e tij me këtë emën. Ka mendime të ndryshme pse asht ndryshu ky emën. Një nga këto asht se emni i tij ka qenë një kombinim i germave të alfabetit arab. Ka mundësi me qenë kështu, por ka mundësi që ky emën asht një emën mysliman që ka pësu ndryshime simbas të folmeve shqipe të rrethinave të Pejës, fjala vjen nga Ragip në Ragif. Ndonjë nga të afërmit apo miqtë shqiptarë të babës së poetit ka mujtë me pasë këtë emën. Tue qenë se ishte emën i pazakonshëm në mjedisin ku jetonte, emni i tij i pazakonshëm për turqit, thuhet se u ndryshu në një emën ma të zakonshëm dhe në vend të Ragif u ba Akif nga e ama dhe nga shokët e tij. Një bindje e jemja asht se mun të ishte emën i ndonjë parardhësi të tij, por, së paku baba i Tahirit, dmth. gjyshi i Ragifit, quhej Nuredin Mulaj. Mbetet me u ba kërkime ma të holla për këtë vijë. Ndërsa Mulaj asht mbiemni i vërtetë i të afërmve të poetit që jetojnë sot në Shushicë të Istogut. Një nga ma të vjetrit asht Adem Mulaj, kushëri i parë i poetit me të cilin në vitin 2015 u taku edhe mbesa e poetit, Selma Argon Ipeku. Në Perandorinë Otomane shtetasit nuk kishin mbiemna. Kjo u ba e detyrueshme me ligj vetëm në vitin 1934.

[2] Fjala asht për triumviratin, epokën e “tre pashallarëve”, në Perandorinë Otomane të kohës, të cilët morën drejtimin e shtetit. Poezia asht një polemikë e ashpër me lëvizjen politike të kohës. Tre gjeneralët që morën pushtetin ishin: Mehmet Talaat Pasha (1874-1921) kryeministër dhe ministër i Brendshëm, (me kombësi pomak) Ismail Enver Pasha (1881-1922), ministër i Luftës (me kombësi shqiptare) dhe Ahmed Xhemal Pasha (1872-1922), ministri i Flotës, (me kombësi turke). Këta ishin figurat kryesore politike të Perandorisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe përgjegjës për hymjen në këtë luftë të kësaj Perandorie. Poet i akuzon këta tre pashallarë për hymjen në luftë dhe i qun ‘të patru’ dhe i mban si fajtorë për humbjen e territoreve të Perandorisë Otomane e, sidomos, për pushtimin e trojeve shqiptare nga shtetet fqinje.

[3] Mendon për popullin shqiptar.

[4] Nga dëshpërimi se çfarë po ndodhte me mëmëdheun e tij poeti i drejtohet babës së tij të vdekun dhe kërkon nga ai që të ngrihej prej varri e të ndihmojë Shqipninë, mëmëdheun e tij të mirëfilltë.

[5] Edhe një herë poeti e përsërit idenë e Shqipnisë si ‘ma e dashuna nanë’ dhe ‘atdhe i vërtetë’. Por duhet me pasë kujdes që dashunia për atdhe e Mulajt nuk asht nacionaliste. Mulaj nuk ishte as nacionalist shqiptar, as nacionalist turk, por një ndjekës i idesë pan-islamiste të kohës, i një ideje përbashkuese islame. Ai ishte nacionalist fetar islamik. Mbrenda kësaj ideje islame, natyrisht, Shqipnija kishte vendin e veçantë, si ma e dashuna pjesë për Ragif Mulajn. Për këto qëndrime të tij Ragif Mulaj ka me pasë keqkuptime edhe me anëtarët e lëvizjes për pavarësinë e Shqipnisë, por edhe me lëvizjen për Republikën e Turqisë. Për këtë arsye Mulaj ka me qenë i menjanuem politikisht nga të dyja palët. Tue qenë aj ka me vazhdu jetën në Stamboll, kanë me vazhdu edhe telashet me qeveritarë e rij të Turqisë. Për këtë arsye aj u shpërngul në Kairo dhe u kthy në Stamboll vetëm pak kohë para se me vdekë.

[6] Shih fusnotën 1.

[7] Në këtë rast poeti mendon në kryqin serb, tue qenë Kosova u pushtu nga ushtria serbe.

[8] Nuk asht e qartë pse poeti përmend ushtarë kroatë. Mun me ndodhë që në gazetat e kohës janë dhanë lajme për ndonjë njësit apo për vullnetarë kroatë që kanë marrë pjesë bashkë me ushtrinë serbe në pushtimin e Kosovës. Ose asht një ngatërrim i poetit me popujt sllavë.

[9] Turq. Yıldırım Sulltan Bajaziti i mbiqujtun ‘Jëlldërëm’, që don me thanë ‘vetëtimë’.

[10] Otom. Şâh-ı Şehîd - Kështu quhet Sulltan Murati I, i cili u vra në Betejën e Kosovës me 1389 nga Milesh Kopiliqi.

[11] Otom. Meşhed – varr i dëshmorëve. Tue qenë se në shqip mungon një fjalë e veçantë për këtë, fjalën ‘muranë’ e kam përdorë me këtë kuptim.

[12] Otom. Ya harîminde... – ‘harîm’, shejtnore, kungë, ajodhimë.

[13] Flamuri serb i cili ka tri ngjyra.

[14] ‘Populli fisnik...’ poeti mendon për popullin shqiptar sepse në vargjet që vijojnë kjo qartësohet më mirë.

[15] Gjithë strofa ban fjalë për shqiptarët të cilët kishin kundërshtu me ashpërsi të tregonin emnin e grave apo të të bijave të tyne tue e marrë këtë si një akt poshtnues të pafalshëm për ç’gja shqiptari ishte i gatshëm me vra këdo që shtronte këtë pyetje.

[16] Ishin shqiptarët ata që kërkonin autonomi për Shqipninë.

[17] Poeti Mulaj nuk përdor këtu fjalën turke ‘ittihatcilar’ por përdor fjalën shqipe ‘Bashkim’ me prapashtesën turke ‘-cilar’ ‘Bashkım’cilar’ dmth. ‘bashkimxhillarët, bashkimxhijtë’: ‘Hani "Başkım"cıların kurduğu yüksek hülyâ?’. Klubet e “Bashkimit” u krijunë në disa qytete të Shqipnisë paralelisht me ato të itihatxhijve në Shqipni e në pjesët e tjera të Perandorisë. Lëvizja për Bashkim e Përparim nisi si një lëvizje panotomane, dhe nismëtarë të saj ishin shqiptarët. Themelues dhe anëtar i parë ishte Ibrahim Temo, mjek shqiptar nga Ohri. Ajo kish si synim ringjalljen e Perandorisë por, si duket - qysh doli ma vonë - ishte taktikë e shqiptarëve për me shtru kërkesa kombtare për një autonomi të Shqipnisë. Ashtu sikurse te shqiptarët, kjo lëvizje, ma vonë, te vetë turqit u shndërru në lëvizje nacionaliste turke e cila u përplas me idetë nacionaliste shqiptare. Ky konflikt që vazhdoi të vlojë edhe me nacionalizmat e tjerë, atë kurd, armen dhe hebre, futi në një krizë të pazgjidhshme establishmentin politik të Perandorisë dhe shënoi edhe fundin e saj. Fundi i saj nisi me Luftat Ballkanike, me pavarësinë e Shqipnisë (1912), me hymjen në Luftën e Parë Botnore si aleat i Gjermanisë, me paqësimin e dhunshëm të kërkesave të kombësive të tjera dhe krijimin e shtetit kombtar turk (1923) nën drejtimin e Mustafa Kemal Ataturkut.

[18] Këtu poeti shpreh pikëpamjet e tij religjioze, tue e pa si zgjidhje ma të mirë përbashkimin rreth fesë sesa rreth kombit. Kjo bindje përforcohej sidomos para fakteve të kohës me 1913 kur Shqipnija tashma gjendej nën pushtimin e tri ushtrive të hueja.

[19] Ky varg nuk asht krejt i saktë as sipas fesë islame. Një ajet në Kuran (10:47) thotë që çdo populli i asht dërgu një profet në gjuhën e vet. Por poeti lidhet me rrethanat politike të kohës. Edhe në çashtje të pluralizmit bahet një shkamje historike. Asht e vërtetë që mbas vdekjes së Muhamedit plasi lufta qytetare ndërmjet myslimanëve për atë se kush duhej me drejtu kalifatin islamik, e cila zgjati rreth 30 vite. Por lulëzimin ma të madh që ka arrijtë islamizmi ka ndodhë pikërisht në kohën e një pluralizmi nga shek. IX e deri në shek. XI.

[20] Poeti e thekson me ngulm që aj asht shqiptar, por kërkon nga bashkëfetarët e vet që të kenë kujdes me këtë. Çasti politik kur po shkruhej kjo poezi ishte i ngarkuem me ngjarje e kthesa të mëdha. Një perandori shekullore po shkatërrohej dhe nga gjini i saj po dilnin shtete kombtare, ndërsa poeti Mulaj u gjend në anën e gabueme të historisë.

Sunday, October 01, 2017

SUGJERIME E VËREJTJE RRETH NDRYSHIMEVE NË DREJTSHKRIMIN E SHQIPES





Lajmi për vendimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe ësht lajmi më i mirë kulturor shqiptar rreth gjuhës shqipe për dhjetëvjeçarë të tërë. Më në fund një grup gjuhëtarësh mori vendim që të thejë akullin që ngriu gjuhën shqipe në frymën e një kohe enveriste dhe e ngurtësoi në armaturën e bunkerit gjuhësor. Natyrisht, si në çdo punë, edhe në këtë ndërmarrje, ka me pasë probleme që kanë me e përcjellë gjatë rrugës, por akti në vetvete ësht shumë më domethënës sesa vendimet që janë marrë dhe kanë me u marrë në të ardhmen. Nëse enverizmi politik dhe ekonomik shqiptar u shpërbë me 1991, sepse desh e çoi në humnerë një popull të tërë, atëherë enverizmi kulturor u shu me 16 prill 2013, me këtë akt. Vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Vendimet e Këshillit janë të rëndësishme sidomos për një fakt: ato kanë me i dhënë Këshillit një autoritet i cili, më në fund, ka tagër me marrë vendime për shqipen. Deri sot, nëse kishte diçka që ishte paralizuese, bllokuese dhe, pse jo, edhe paradoksale, ishte se nuk kishte një institucion veprues që do të mund të merrej vetëm me kujdesin e përhershëm për shqipen. Uroj që ky Këshill ka me mujtë me u dëshmu e me i qëndru kohës duke u bë shkencërisht i autoritetshëm për gjuhën shqipe dhe politikisht i qëruar prej ndikimesh.

Në përgjithësi, nga 37 vendimet, shumica merren me elemente të veçanta, e jo me rregulla të përgjithshme. Disa vendime që kanë prekë rregulla me efekte më të gjëra kanë disa probleme me të cilat do të merret ky vështrim.
Janë marrë këto vendime:

a) 18 vendime për drejtshkrimin e zanoreve;
b) 15 për drejtshkrimin e jozanoreve (bashkëtingëlloreve);
c) 3 vendime për shkrimin e shkronjave të mëdha dhe
ç) 1 për drejtshkrimin e antroponimeve të hueja.

Një fakt tjetër interesant për këto vendime ësht se Këshilli ësht duke rishqyrtu propozimet e dhëna qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, të cilat, në atë kohë, pa një shpjegim e argumentim të bindshëm, janë mohu, janë heshtë ose nuk janë pranu si normative. Pra, këto propozime të sotme kanë një parahistori. Le të shohim me rend:

Kur bëhet fjalë për prapashtesën –ëm / – ësht shtru e ësht mbrojtë trajta me –ëm nga Kolec Topalli, i cili tash ësht në Këshillin Ndërakademik (fq. 222, pika 6). Sofika Adhami e ka mbajtë qëndrimin se ‘këta mbiemra në shumës duhet të ruajnë –ë– në atë pozicion që e kanë edhe në njëjës, d.m.th. të jashtëm, të fisëm, të sotëm.’ (fq. 246). Trajtën –ëm e mbron edhe Isa Bajçinca (fq. 271 dhe 598) dhe Mahir Domi (fq. 598);

Çështja e mbaresës së shumësit –nj / –j ësht shtru nga Jup Katrati i cili ka kërku që trajta e shumësit me –j të vihet si normë (fq. 79). Kjo ësht mbrojtë nga Kolec Topalli (fq. 222, pika 11). Z. Lumnie Shehetila, përkrah shumësin me –j e jo –nj: ‘Nuk jemi të një mendimi me autorët e «Rregullave të drejtshkrimit» që emrat mashkullorë të cilët në njëjës mbarojnë me zanore të theksuar në shumësin e pashquar t’i shkruajmë me –nj.’ (KDGjSh, 1974, fq. 414). Jorgji Çerepi: ‘Po kështu nuk është shterues motivimi «në pajtim me shqiptimin më të përgjithshëm» i vënë në bazë të rregullës për shkrimin e nj-së në trup dhe në fund të fjalës. Sot, më tepër gjuha e gjallë priret nga forma me –jullijmullij (fq. 548). Edhe Shaban Demiraj përkrah shumësin me –j (fq. 597). Po ashtu edhe Isa Bajçinca: ‘…është e nevojshme të pranohen me –j e jo me –nj’ (fq. 597). Të vetmit që e kanë kundërshtu këtë kanë qenë Emil Lafe dhe Ismail Doda. Si u bë pra, që gjashtë gjuhëtarë publikisht kërkojnë që mbaresa –j të bëhet normative dhe dy kundërshtojnë dhe fitojnë këta të fundit? Sepse, këtyre prapa u vinte Partija!

Këshilli Ndërakademik i Shqipes ka ardhë në disa analiza të sakta dhe ka dhënë sugjerime duke u nisë prej përfundimesh të këtyne analizave. Shumica e tyre kanë qenë të domosdoshme dhe në këtë vijë Këshilli ësht në rrugë të mirë. Shumësi arkaik me ‘-nj’ ka qenë në diskutim për t’u heqë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 e me u zëvendësu me ‘-j’. Por rryma provincialiste që mbizotëronte në atë kohë arrijti të zgjasë jetën e kësaj mbarese të shumësit edhe për dyzet vjet të tjerë. Një nga eksponentët më këmbëngulës për mbetjen e kësaj ‘-nj’-je ishte pikërisht E. Lafe (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, IAP, 1974, fq. 79), aj që sot ankohet më së shumti për ndryshimet që janë bë nga Këshilli Ndërakademik. Kur gjuhëtari, Jup Kastrati, propozoi që mbaresa e shumësit –nj të hiqet aj dha argumentin shkencor duke thënë se kjo tashmë kishte ndodhë në toskërishte në sistemin foljor ku –nj (puno-nj) ishte bë –j (puno-j). Natyrisht, E. Lafe nuk e komentoi këtë argument, por u kap për një ndjesi krejt subjektive e krejt të kotë se shumësi me nj paskësh ‘fituar stabilitet’(!) duke dhënë një parashikim se ‘një j pas një i të theksuar do të zhdukej krejt, kështu që shumësi do të mbetej njësoj si njëjësi, ashtu siç nuk dëgjohet më j në fund të foljeve fshij, arrij. Prirja për diferencim të kategorive morfologjike kërkon që shumësi të jetë arinj, barinj, ullinj.’

Një mendje e shëndoshë nuk din se çfarë problemi paraqet edhe vetë zhdukja e –j-së dhe ç’të keqe ka në njëjtësimin e trajtave të njëjësit të pashquar me shumësin e pashquar. Në gjuhën shqipe, njëjtësimi i trajtave të njëjësit me shumësin te emrat egziston sot e gjithë ditën, edhe atë jo te një grup i vogël emrash, por te grupi i tretë më i madh për nga numri, në Lakimin e Parë, te emrat e tipit: (një/disa) prizrenas, mësues, kërcyes e shpifës. Pastaj kjo ndodh edhe te emrat e tipit (një/disa) palaço, xhaxho, birbo. Të këtillë janë rreth dy mijë emra në gjuhën shqipe dhe këta asnjë shqiptari asnjëherë s’u kanë shkaktu probleme. Ç’flet, pra, Emil Lafe? Mos ësht j-ja ndonjë germë a tingulli i shejtë? Edhe pasi vajton me lot krokodili që j-ja po u zhdukka në foljet fshij e arrij Lafeja megjithatë aj nuk propozon që nj-ja të kthehet te këto folje. Një dobi tjetër e propozimit të J. Kastratit ishte jo vetëm njëjtësimi i rregullave, e me këtë paksimi i përjashtimeve (një nga vendimet kryesore udhërrëfyese që ishte marrë nga Kongresi (shih pikën 5)), por edhe paksimi i dallimeve dialektore sepse gegërishtja kishte kohë që e kishte rrudhë –nj-në në –j te kjo mbaresë e shumësit. Asnjë argument, qoftë shkencor, qoftë përbashkues, nuk e zbrapsi dot zellin provincialist të Lafes. E megjithatë, sa ësht, vërtet, numri i emrave që e ndërtojnë shumësin me –nj? Rreth 300. Pra, ballafaqoheshin rreth dy mijë emra me treqind!

Tjetra: në ‘gjuhën e njësuar’ sipas 1972 ka tashmë rreth 80 emra që shumësin e ndërtojnë me mbaresën –j! Pra, ky shumës nuk ësht i huaj për shqipen. Ësht i huaj për Emil Lafen. Rreth dy mijë emra tashmë funkcionojnë në gjuhën shqipe me trajta të njëjtësuara të njëjësit e shumësit, por këta s’janë argument për Lafen. Për Lafen argument ësht nuhatja e tij ‘shkencore’ se një dukuri paskësh ‘fituar stabilitet’. Prej këtyre gjuhëtarëve me nuhatje langojsh dhe jo gjykim shkencëtarësh drejtshkrimi i shqipes u rropos këtu ësht sot.

Trajta thelb > thelbinj dhe jo thelpinj ësht propozu qysh atëherë nga Fatmir Agalliu (KDGjSh, 1974, fq. 220). Pavarësisht që në «Rregulla…» thuhej që të ketë ‘sa më pak përjashtime’, Kongresi vazhdonte të merrte vendime për rregulla me përjashtime.

Trajtën qyrra si normë – e jo qurra – e ka propozu Ajet Bytyçi në Kongres (fq. 273). Kurrkush s’ia ka vënë veshin!

Për mue, megjithatë, dy vërejtje të përgjithshme janë me rëndësi.

Së pari, shqipes i duhet një qasje induktive prej së cilës kishin me dalë rregulla sa ma gjithëpërfshirëse. Sipas vendimeve të marra duket se Këshilli ka marrë vendime duke nisë prej analizash induktive pa bë një dedukcion të duhur. Mendoj se kjo qasje nuk ndryshon shumë prej qasjeve që deri tash i janë bë shqipes. ësht e vërtetë se krijimi i rregullave do të duhej me u nisë prej analizash të njësive më të vogla., natyrisht, por kjo do të duhej me u bë vetëm me idenë që këto analiza me dhënë një rezultat të saktë për vendosjen e rregullave sa më gjithëpërfshirëse.

Së dyti, duhet me u bë një formulim i qartë dhe i plotë i rregullave, kështu që sa herë që të merret një vendim të ketë referencën e qëndrueshme. Kjo i shërben jo vetëm vendimeve për gjendjen e shqipes sot por edhe vendimeve që mujnë me u marrë në të ardhmen e afërt e të largët, sepse platforma mbi të cilën punohet duhet me i pasë parasysh ndërhyrjet e mundshme, pa pasë nevojë me bë ndërrime rrënjësore. Duke i pasë parasysh këto dy vërejtje të përgjithshme duhet me thënë se disa vendime të tashme të Këshillit duhet me u llogaritë deri diku të përkohshme. Një përpunim i plotë shkencor i shqipes ësht projekt i së ardhmes. Ndoshta përgatitja e një projekti të këtillë ësht një ndërmarrje edhe më e rëndësishme që Këshilli do të duhej me planifiku e me mendu e m’ia vendosë bazat qysh tash.
Në vazhdim të këtij shkrimi do të merremi vetëm me ato pika ku kemi sugjerime e vërejtje. Në Sekcionin A do të merremi me pikat 1, 6, 7, 15 dhe 17. Në sekcionin B me pikat 1 dhe 10.
A – Për drejtshkrimin e zanoreve
PIKA 1: Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren –ë– nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; iparvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës –m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).

KOMENT: Në këtë pikë të Këshillit nuk ësht e qartë se a kanë me ndryshu të gjitha fjalët e kësaj klase apo vetëm pesë mbiemrat që janë listu këtu: i prapmë, i pasmë, i mishmë, i sontmë dhe i parvjetmë. Megjithëse, shprehja ‘fjalë të tilla janë’, len me kuptu se kjo ësht lista e plotë e fjalëve që propozon Këshilli. Në klasën e mbiemrave që mbarojnë me -më hyjnë rreth 80 mbiemra. Tema e rreth 50 mbiemrave mbaron me jozanore dhe tema e rreth 30 mbiemrave me zanore. Kjo ësht me rëndësi sepse qysh mun me u pa, të gjithë mbiemrat e propozuar prej Këshillit mbarojnë me temë me jozanore: ’-p’, ‘-s’, ‘-sh’ dhe ‘-t’. Mbiemrat e kësaj klase që mbarojnë me zanore ësht e pamundur me bë këtë ndërrim (psh. ‘i mbramë’ nuk bëhet dot ‘i mbraëm’). Lista e plotë e jozanoreve të këtyre temave të mbiemrave ësht:

·                     ’-d’ (‘fundmë’ ),
·                     ‘-j’ (‘i hojmë’),
·                     ’-l’ (‘kolmë’),
·                     ‘-p’ (‘i prapmë’),
·                     ‘-q’ (‘paqmë’),
·                     ‘-r’ (‘larmë’),
·                     ‘-s’ (‘pasmë’),
·                     ‘-sh’ (‘i mishmë’) dhe
·                     ‘-t’ (‘i pritmë’).

Në këtë listë, qysh shihet, nga Këshilli jepen temat me -p, -s, -sh dhe –t dhe mbesin pa ndonjë vendim katër lloj mbiemrash me tema me jozanore: -d, -j, -l dhe –r. Kështu vijmë te një pikë me rëndësi: vendimet  e këtilla duhet me u marrë për klasat e fjalëve, kur kjo ësht e mundur, e jo për fjalët e veçanta. Këshilli, fjala vjen, thotë se ‘i sontmë’ duhet me u shkru ‘i sontëm’. E mbiemri ‘i pritmë’ a duhet me u shkru ‘i pritëm’? Kjo mbetet e paqartë. Si qëndron puna, pra, me të gjithë mbiemrat e tjerë të kësaj klase që mbarojnë me tema me jozanore?
Gjithsesi, vendimi i Këshillit për shkrimin me -ëm e jo me -më i këtyre mbiemrave ësht vendim i drejtë. Ësht më i lehtë për shqiptim dhe pajtohet me një shqiptim më të përgjithshëm. Në të vërtetë, në F1980 mbiemri ‘i vjetëm’ ësht dhënë si ‘i vjetëm’ dhe jo ‘i vjetmë’ dhe ësht e çuditshme se si kanë dalë kështu mbiemrat ‘i parvjetmë’ dhe ‘i sivjetmë’! Kjo tregon njërën nga kundërthëniet e shumta që shfaqen në vendimet e Kongresit 1972 sepse edhe ky Kongres vendimet i ka sjellë në mënyrë arbitrare, pa një vështrim të përgjithshëm, pa një analizë të hollë të rregullave të një gjuhe që kishte marrë përsipër me e normativizu dhe pa krahasim të trajtave të prejardhura. Duke qenë se vendimi i Këshillit vlen vetëm për mbiemrat e kësaj klase –më, që mbarojnë me temë me jozanore rregulla do të duhej me u formulu kështu:
Mbiemrat që kanë temë me zanore shkruhen me –më. Mbiemrat që mbarojnë me temë me jozanore do të shkruhen ‘-ëm’.’

E formuluar kështu, kjo rregull ësht më gjithëpërfshirëse, e thjeshtë dhe lë shumë pak hapësirë për kundërthënie e keqkuptim.

PIKA 6: Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin –m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është –m e jo –, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).

KOMENT: Këshilli thotë se sipas kësaj rregulle ‘formohen emra e jo mbiemra’! Por në shqipe me këtë rregull formohen, padyshim, edhe mbiemra. Mbiemri ‘i rremë’ vjen nga një pjesore e gegërishtes me theks parafundor ‘(me) rrê(më)’ (tjetra ësht ‘(me) rrêjtë’ por kemi edhe ‘me rrê’). Rregulla ësht vendosë qysh me 1916: ato fjalë ku gegërishtja i shenjon me një zgjatje zanoreje dhe toskërishtja me një ‘ë’ fundore do të shkruhen me ‘ë’ fundore. Te folja ‘(me) rrejtë’ prej trajte ma të rrallë të pjesores ‘me rrê(më)’ (si me bâ(më), me râ(më), me le( )), ‘ê’-ja ësht e theksuar, e gjatë dhe duhet me u mbështetë me një ‘ë’ fundore sipas rregullës së përgjithshme. Rastet e vetme kur në shqipe mun me mbetë me ‘-m’ ësht kur theksi i fjalës ësht tejfundor ‘i sípër-m’, ‘i nésër-m’ por asnjëherë tjetër. Zbatimi i kësaj rregulle të re, ashtu qysh propozon Këshilli, çon në një përjashtim të ri. Dhe ky nuk duhet me qenë synim i Këshillit Ndërakademik.
Kemi edhe disa mbiemra të tjerë prejpjesorë me – që Këshilli nuk i zë në gojë:
Në F1980: ‘i ter-më’ (nga ‘terur’), ‘i tjerr-më’ (nga ‘tjerrë’), ‘i prit-më’ (nga ‘pritur’), ‘i mbru-më’ (nga ‘mbru-jtur’) ‘, ‘i përhimë’ (nga ‘përhi-rë’), ‘i përthimë’ (nga ‘përthi-njur’), ‘i ndërdymë’ (nga ’ndërdy-rë’); ‘i zbardhëllemë’ (nga ‘zbardhëll-yer’), ‘i zverdhemë’ (nga ‘zverdh-ur’);
Në F2011: ‘i shtymë’ (por në F1980 gjendet emri ‘shtymë’ nga ‘shty-rë’) , ‘i tejngimë’ (nga ‘ngi-njur’), ‘i zhbimë’ (nga ‘zhbi-rë’), ‘i thimë’ (nga (thinjur), ‘i përfundmë’ (nga ‘përfund-uar’).
Mendojmë se trajtat egzistuese duhet me mbetë ashtu qysh janë sepse kështu hyjnë në një klasë. Nëse ndërrojnë sipas propozimeve të Këshillit, krijohen përjashtime të reja.

PIKA 7: Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~, e majme, pa zanoren –ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.

KOMENT: Ky mbiemër shkon me mbiemrat ‘i hojmë’, ‘i sojmë’, etj. Megjithëse tema e mbiemrit ‘i majmë’ për koincidencë ësht ‘majm’ dhe për m’u bë mbiemër i kësaj klase i ësht shtu vetëm një ‘-ë’, kjo nuk e zhvendos prej kësaj klase, por e shkrin pikërisht me këtë klasë (ashtu qysh ndodh me emrat shpif + ës por rrënjë + s). Theksi mbetet parafundor dhe zanorja zgjatet (ashtu qysh ndodh me ‘përtej’ por ‘i përtejmë’. Prandaj duhet me u shkru ‘i majmë’ sikurse mbiemrat në pikën 6. Mbiemrat ‘i madh’, ‘i kuq’ dhe ‘i keq’ janë përjashtime. Thjesht, nuk përbëjnë klasë fjalësh me veçori morfologjike të njëjta. Në shumës, fjala vjen, ata dalin me paradigma krejt të ndryshme: ‘të mëdhenj-të mëdha’, ‘të kuq-të kuqe’ dhe ‘të këqij-të këqija’! Ndërsa te ‘të majmë-të majme’ paradigma del njësoj me klasën që i takon: i majmë/e majme(nj.) të majmë/të majme (sh.) sikurse: i hojmë/e hojme – të hojmë/të hojmei sojmë/e sojme – të sojmë-të sojme.
PIKA 11: Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren –ëfundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
KOMENT: Në të vërtetë, sipas rregullash tashmë të vendosura të një Shqipeje të Përbashkët, nga fjala ‘thýesë’ do të duhej me bjerrë ‘ë’-në dhe jo e kundërta që fjalës ‘thýez’ t’i vihet një ‘-ë’, sepse të dyja vijnë mbas një dyzanoreje ‘ýe’ në të cilën theksi bjen mbi ‘-ý’ e jo mbi ‘-e’ (si psh. te fjala ‘tryéz/ë, ~a’). Kështu që do të duhej me dalë pa –ë si te emrat e tipit e kryer/e kryera apo te foljet, kur kemi një dyzanore me theks në zanoren e parë, –ë-ja nuk vihet: (na) duam dhe jo duamë; (ata) duan dhe jo duanë; (por (na) hamë, (ata) hanë). Me këtë propozim, që të birret ë-ja në këtë pozicion, kanë dalë edhe A. Dhrimo e R. Memushaj (në FDGjSh 2011).

PIKA 15: Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhetplang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.

KOMENT: Ky vendim i Këshillit (dhe i Kongresit të Drejtshkrimit por që s’ësht respektu), që një fjalë duhet me u shkru duke marrë për bazë nga vjen ësht stërhollim jo shumë i domosdoshëm kur flitet për një Shqipe të Përbashkët! Do të duhej me gjetë klasa e rregulla sa më të përgjithshme që përshtaten me sistemin e një gjuhe standarde si tërësi. Si munet m’iu thënë një shkruesi shqiptar që tashmë ësht familjarizu me trajtën ‘plëng’ dhe ‘shtatzënë’ me u kthy e me e shkru ‘plang’ e ‘shtatzanë’?
Shumë fjalë të huaja në shqip merren dhe përshtaten në shqip. Pse të mos përshtaten edhe vetë fjalët dialektore nëse struktura e përgjithshme e sistemit lejon dhe kërkon një gjë të këtillë? Te fjalët ‘shtatzënë’ dhe ‘zhgjëndërr’ kjo duket krejt e qartë duke qenë se pjesorja ‘zënë’ dhe emri ‘ëndërr’ janë pranu si trajta standarde. Një përdoruesi të gjuhës nuk i intereson aq shumë origjina e fjalëve, sa përshtatshmëria me tërësinë e sistemit dhe ana praktike e tyre. Poende, trajta ‘zhgjëndërr’ më duket pak e rëndë për shqiptim dhe një trajtë tjetër ma e lehtë dhe në përdorim mjaft të gjërë ësht trajta ‘zhgëndërr’.
B – Për drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve
PIKA 1: Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: ipishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren –j, që del në disa shkrime të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
KOMENT: Qysh del nga shtjellimi i kësaj rregulle duket se prapashtesa mbiemrore –shëm iu shtoka vetëm pjesoreve të foljeve. Ësht e vërtetë që pjesoret zënë pjesën më të madhe të klasës mbiemrore me prapashtesë –shëm, por një numër jo i vogël ndërtohen edhe prej temash të emrave të cilat i japin një kuptim tjetër prej temave të foljes, psh.:
a) ‘i afrishëm’ nga emri ‘afri, ~a’, (në F1980 me kuptimin ‘1. Lidhje gjaku ose lidhje tjetër e ngushtë familjare, farefisni. Lidhje afrie. Ka afri me dikë. 2. Ngjashmëri e madhe ose përputhje në tiparet kryesore. Afri klasore (ideologjike). Afria e mendimeve (e qëndrimeve). Ka afri me një tjetër. 3. gjuh. Lidhje e afërt, ngjashmëri që buron nga prejardhja e përbashkët. Afri gjuhësh. Lidhje afrie. 4. përmb. bised. Të afërmit, farefisi. U mblodh afria.’ dhe 
b) ‘i afrueshëm‘ nga pjesorja ‘afrue’ e gegërishtes (me kuptimin ‘1. Që tregohet i afërt dhe i përzemërt me të tjerët, i shoqërueshëm. Fëmijë (djalë) i afrueshëm. I afrueshëm me të gjithë. 2. bised. Që është i këndshëm në të pirë, i dashur (për pijet). Verë (raki) e afrueshme.’ Kështu edhe mbiemri ‘i dijshëm’ vjen nga tema emrore ‘dij-(e)’ me zërin në fjalor ‘1. Që ka dije e njohuri të thella, i ditur, i mençur. Njeri i dijshëm. Vajzë (grua) e dijshme. 2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit.’)

c) ‘i afërsishëm’ nga emri ‘afërsi’ + ‘shëm’ (në F1980: mb. shih PËRAFËRT (i,e). Në mënyrë të afërsishme.)

Vendimi që mbiemri ‘i dijshëm’ me u bë ‘i dishëm’ edhe sikur të kishte pasë zanafillën nga pjesorja e foljes ‘di’ do të kishte pasë pasoja edhe më të mëdha se kaq. Kjo vjen prej vendimeve arbitrare të vitit 1972. Le të shohim rastin e këtyre foljeve që, megjithëse me çdo klasifikim morfologjik i takojnë një klase, për to zbatohen tri rregulla të ndryshme. Trajta e foljeve ‘di(j)’, ‘arrij’, dalin ‘di-dita-ditur’, ‘arrij-arrita-arritur’ (këtu hyjnë edhe foljet ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, e ‘mërij’) dhe ‘zdërvijzdërvijtazdërvijtur’. Nga folja ‘di(j)’ sipas FGjSSh 1980 ësht heqë ‘j’-ja në fund të foljes dhe ka dalë ‘di-dita-ditur’; për foljet ‘arrij’, ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, ‘mërij’ ësht leju ‘j’-ja në sikohën tashmore (‘kohë e tashme’) por ajo bjen në trajtat e thjeshtores (‘e kryer e thjeshtë’) dhe pjesores duke dalë si ‘arrita-arritur’, ‘bredhërita-bredhëritur’, ‘mbërrita-mbërritur’ dhe ‘mërita-mëritur’! Ndërsa te folja ‘zdërvij’ ësht rujtë ‘j’-ja në të gjitha trajtat kryesore sikohore të foljes: ‘zdërvijta-zdërvijtur’! Pse ka ndodhë kjo? Askush s’e din. Ësht punë arbitrariteti dhe e nuhatjes së ‘shqiptimit të përgjithshëm’. Kjo tregon mungesën e pamjes së përgjithshme të normalizuesve të gjuhës shqipe për rregullsinë e morfologjisë së saj. Janë rreth 21 folje sipas modelit të foljes ‘zdërvij’, katër sipas modelit të foljes ‘arrij’ dhe folja ‘di’ mbetet unike në paradigmën e vet! Të gjitha këto folje kanë mujtë me hy në një paradigmë, në atë të foljes ‘zdërvij’ dhe me përbë kështu një klasë të vetme vetëm duke e rujtë ‘-j’-në në të shkruar në të gjitha rastet. Arsyeja pse sonantja ‘j’ bjen në foljet që ndjekin paradigmën e foljes ‘arrij’ ësht se vjen mbas zanores ‘i’ dhe si pasojë nuk dëgjohet krejt qartë te shumë folës. Por, këtu kemi të bëjmë me normalizimin e gjuhës së shkruar prandej duhet të ndiqet, sa më shumë që ësht e mundur, vija e rregullave paradigmatike. Edhe te folja ‘vij’ e kemi rastin e njëjtë kur sonantja ‘-j’ vjen mbas zanores ‘-i-’ dhe po të vërehet me kujdes as në këtë rast nuk dëgjohet sonantja ‘-j’. Shumica e shqiptarëve e shqiptojnë si ‘vi’ por rregulla për me shkru ësht ‘vij’. Një detyrë e domosdoshme e Këshillit ësht me pasë kujdes që përjashtime prej rregullash me pasë sa më pak. Heqja e ‘-j’ te mbiemrat ‘i dijshëm’ dhe ‘i pijshëm’ nuk kish me ndihmu në këtë vijë, sepse disa inkoseguenca në këtë klasë, duke ndjekë rregullën e temës, vazhdojnë me u reflektu edhe në folje të tjera. Një mbiemër tjetër shkruhet ‘i rrejshëm’ dhe jo qysh e lyp rregulla tematike që don me ndjekë Këshilli, ‘i rrejt-shëm’; ashtu qysh i kemi mbiemrat prejpjesorë të kësaj klase foljore: ‘i bujt-shëm’, ‘i luajt-shëm’, ‘i mbajtshëm’, ‘i urrejt-shëm’! Masandej kemi ‘i mbërri-shëm’ e jo ‘i mbërrit-shëm’ dhe ‘i praj-shëm’ e jo ‘i prajt-shëm’! Të gjitha këto dështime e shkarje të vendimeve të vitit 1972.

Një problem tjetër që nuk vihet re prej Këshillit ësht se foljet ‘pi’ dhe ‘di’ nuk janë folje të një klase. Trajtat përfaqësuese të foljes ‘pi’ sipas F1980 janë ‘pi-piva-pirë’, ndërsa të foljes ‘di’ janë ‘di-dita-ditur’. Derisa Këshilli ndjek rregullën se mbiemrat e këtillë ardhkan prej pjesoresh atëherë temat e tyre dalin të ndryshme. Folja ‘di’ del ‘dit-ur’ ndërsa folja ‘pi’ del ‘pi-rë’. Edhe sipas rregullës që ndjek vetë Këshilli, trajtat e mbiemrit do të duhej të ishin ‘i pishëm’ por ‘i ditshëm’ e jo ‘i dishëm’ (me kuptimin që jepet në F1980 ‘i ditur’). Aty ku pikëtakohen këta dy mbiemra ësht trajta emrore ‘dij-e’ dhe ‘pij-e’ duke dhënë kështu trajtat e mbiemrave ‘i dij-shëm’ dhe ‘i pij-shëm’. Nga një lloj i këtillë kemi edhe ‘i hijshëm’ që vjen nga ‘hij-e’, ‘i nyjshëm’ nga ‘nyj-ë’, ‘i shijshëm’ nga ‘shij-e’ kështu edhe ‘i dijshëm’ vjen nga ‘dij-e’ dhe ‘i pijshëm’ vjen nga ‘pij-e’.

Problemi hapet edhe më shumë. ‘I pishëm’ dhe ‘i pijshëm’ për një gegë ka edhe dallime të holla kuptimore. ‘Vëllai foli si me qenë i pîshëm’domethënë foli ‘si me qenë i dehur’ sepse vjen prej pjesores ‘(me) pi’ ndërsa ‘Ky ujë ësht i pijshëm’ domethënë ‘ky ujë mun me u pi’, vjen prej emrit ‘pije’. Ky ësht njësoj sikurse dallimi në mes të mbiemrit ‘i nderueshëm’ (pjesorja ‘nderue’ dhe prapashtesa ‘-shëm’) dhe ‘i ndershëm’ (emri ‘nder’ + ‘-shëm’). Në këtë vijë ballafaqimi: ‘i begatueshëm – i begatshëm’, ‘i shijueshëm – i shijshëm’, ‘i dhunueshëm – i dhunshëm’ etj. Kështu edhe ‘i di(t)shëm’ dhe ‘i dijshëm’.
Pasojat e këtij vendimi vazhdojnë me u pa edhe më tutje te mbiemri ‘i vetëdijshëm’. Qysh ka me u bë zgjidhja? A ësht ndërtimi ‘vetë’ + ‘dije’ (temë emrore) apo ‘vetë’ + ‘di’ (temë foljore)? Dhe mbiemri a ka me u shkru ‘i vetëdishëm’ apo ‘i vetëdijshëm’?

PIKA 4: Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë” duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.

KOMENT: Ky vendim ësht i drejtë sepse merr parasysh sistemin e përgjithshëm, por si do të bëhet me fjalën ‘punonjës’, a do të shkruhet ‘punojës’ sepse vjen nga folja ‘punoj’? Po ashtu ‘shkronjë’ a do të bëhet ‘shkrojë’? Kjo nuk ësht thënë dhe lë hapësirë për hutesë. Po me fjalët: agjëronjë, barkonjë, biskonjë, budallonjë, buronjë, cjaponjë, dëllinjë, (i) farfurinjtë, gabonjë, vezullonjë, vigunjë, xixëllonjë, zgërbonjë, zgjonjë etj., si do të bëhet?

PIKA 10Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).

KOMENT: Fjala jongleur në shqip, sikurse në anglisht, ka ardhë prej frëngjishtes. Shkon me ‘ambalazh’, ‘imazh’ (dhe jo ‘imixh’), ‘ekuipazh’ etj. Nuk mendoj se ësht ide e mirë me ndërru trajtat e huazimeve të këtilla, të cilat tashma janë ngulitë në gjuhën shqipe, sa herë që shfaqen ndikime të reja kulturore prej kulturash të ndryshme.
(2014)