Saturday, April 09, 2005

'ULIKSI' I JAMES JOYCE-IT DHE 'ULIKSI' I IDLIR AZIZIT



‘Të thonë shka të duen bota: përkthimi âsht nji nder arte letrare mâ të vshtira, pse s'mbaston vullëndesa me dashtë; prei gjith' asò vshtirsinash, ka'i herë të pàkapërcyeshme, në të cilat ndeshë përkthyesi, shum kush pá e dijtë ai vet, ndë vênd se përkthyes ká dalë përgënjyes ; prej ka fjala e urtë italishte: traduttore, traditore .’
Ndre Mjedja



Uliksi i shkrimtarit irlandez, James Joyceit, që nga botimi i parë, i cili u përcoll me shumë telashe derisa u botu, e deri sot, ka shkaktu e vazhdon me shkaktu admirim ndër qarqe të mirënjohuna letrare në gjithë botën. Uliksi, qysh pohohet prej shumicës së studiuesve të letërsisë, ka shënu kufinin në mes të letërsisë që ka qenë dhe letërsisë që asht. Ai përmbledh në vete shumicën e vlerave letrare të letërsisë europerëndimore të krijueme para tij dhe hap rrugë për vlera të reja letrare në krijim e sipër; jo vetëm që asht album ma i plotë arketipesh, jo vetëm që asht nji kolekcion antologjik rrëfimor i njerëzimit në përgjithësi por edhe burim i pashtershëm i modeleve të reja rrëfimore. Në anën tjetër Uliksi dhe të gjitha veprat e Joyceit janë edhe vepra të lidhuna ngusht me njena-tjetrën si me qenë kapituj të nji vepre dhe jo libra të veçantë dhe të pandashme nga jeta e vetë autorit dhe jeta dablineze. Shumica e personazheve janë njerëz që kanë egzistu përnjimend; janë të afërm të tij, kushërij, kojshi, shokë klase, dablinas etj. Shumë personazhe i gjejmë të përcjellun prej nji vepre në tjetrën. E, sidomos, tue u nisë prej synimit të Joyceit me shkru nji vepër realiste, nji vepër që asht e mbështetun në fakte. Burimi i këtij fakticiteti xhojsian asht pikërisht Dablini. Prandej asht e domosdoshme për çdo përkthyes që don m’u valavitë me veprën e Joyceit me lexu sa ma shumë literaturë biografike dhe me lexu veprën e Joyceit në tanësi. E, të dhana biografike e studime për Joycein dhe për veprën e tij ka, qysh thotë nji biograf i tij, sa ka yje në qiell. Tash, në internet mujnë m’u gjetë shpjegime e diskutime gati për çdo fjalë e fjali të Joyceit sepse ai dijti me lujtë mjeshtrisht me anglishten, rrëfimit në letërsi i dha nji tjetër përmasë.

Fakt tjetër që duhet m’u marrë parasysh nga çdo përkthyes asht se vepra e Joyceit tashma asht klasike në kuptimin e plotë të fjalës dhe çdo fjali e tij asht e numërueme ashtu qysh janë të numrueme fjalitë e librave të shejtë apo veprat e filozofëve e shkrimtarëve ma të mëdhaj botnorë.

Tue qenë se asht kryevepër e tillë, natyrisht, Uliksi as nuk nxihet as nuk kuptohet kollaj. Edhe vetë anglishtfolësit të cilët e lexojnë n’origjinal hasin në vështirësi. Studentët e letërsisë angleze e marrin si nji nga pikat me randësi në jetën e tyne kur mbarojnë së lexuemi e së kuptuemi Uliksin. Bajnë gara se deri në ç’shkallë i kanë kuptu aluzionet dhe metaforat e njimbasnjishme mbrenda kësaj vepre letrare për të vazhdu, natyrisht, me ma të vështirën ‘Zgjimin e Fineganit’, veprën tjetër, të fundit, të Joyceit tue qenë se ai shtron para lexuesit kërkesa që para tij nuk kanë shtru shkrimtarët: kërkon që lexuesi me qenë aktiv në nxanien e veprës së tij. I tillë ka qenë vetë Joycei si lexues i cili, veç për me lexu Ibsenin n’origjinal, e ka mësu gjuhën danezo-norvegjishte.

Nji përkthyes që vendos me i hy punës së përkthimit të Joyceit ndeshet me nji mori problemesh: Joycei ka nji kulturë të përgjithshme shumë të gjanë, njohje shumë të thellë të historisë, ka nji sendërgjesë të bujshme, liri fëmije me ndorim figurash e tropesh, zotnim të jashtëzakonshëm të anglishtes dhe nji ironi e sarkazëm që të gjitha këtyne ua shumfishon ndërlikueshmëninë e gjetjes së kuptimit të cilin e ka synu. Vepra e tij, masandej, ka nji hierarki nivelesh kuptimore: nji fjalë që duket e rastësishme, nuk asht e rastësishme por themelore për deshifrimin e nji fjalie apo të nji paragrafi. Dhe jo vetëm nji fjalë por edhe nji vargëzim ose jovargëzim i lutjeve ka kuptimin simbolik.

Edhe në letërsinë shqipe Joycei ka pasë nji trajtim me dy masa: prej shumicës asht mbajtë për gjeni dhe prej dikujt dallkauk letërsie. Ata që e mbanin për gjeni ishin njerëzit që ishin në rrjedha me zhvillimet letrare në botë, por, fatkeqësisht ka pasë edhe të tillë që ia kanë mohu vlerat letrare të veprës së Joyceit për arsyet që vetëm ata i dijnë. I pari dhe i fundit shkrimtar i cili ka ba nji gja të tillë, së paku publikisht, ka qenë njeni prej listës së ‘konsulentëve’ të Uliksit të Idlir Azizit, I. Kadareja, i cili në nji intervistë të tij në fund të viteve shtatëdheta kur përmend letërsinë dekadente e të dështueme e merr si shembull pikërisht veprën e Joyceit. Dhe po ky – nuk e dij me apo pa dëshirën e tij – hyn në nji listë që ka të bajë me Uliksin! Ku mbet respekti për vetë Joycein athu? Ky asht, natyrisht, nji prej atyne deformiteteve të pafund të cilat po ndodhin në kulturën shqiptare. Dhe cili asht, në të vërtetë, roli prej ‘konsulenti’ i cilitdo emën aty nuk jepet me u kuptu prej asnji kandi.

James Joycei nuk asht krejt i panjohun për nji pjesë të publikut shqiptar. Nji vepër e tij ma e hershme, Portreti i Artistit në Rini, asht botu në Prishtinë në vitin 1984 i përkthyem prej profesorit tem t’anglishtes, tash të ndjemit, Ali Rrahmanit. Ai, në nji kohë kur në edhe në Kosovë baheshin përpjekje që letërsia ‘me kazmë e me pendë’ jo vetëm m’u importu por edhe m’u ba model i letërsisë i kishte hy punës së përkthimit të Joyceit ‘të errët e të pakuptueshëm’. Dhe, me botimin e Uliksit horizonti i njohunive tona për Joycein, për këtë vigan të letrave, do të duhej, gjithsesi, m’u pasunu.

Mbas nji lajmi të mirë për përkthimin e botimin e këtij romani, fatkeqësisht, erdhi edhe zhgënjimi me përkthimin e dobët dhe jo në nivel të tij. Me këso përkthimesh, natyrisht, Joycei nuk vjen, por largohet edhe ma shumë prej publikut lexues shqiptar. Krijohet nji ide edhe ashtu e propagandueme në kohët ‘e lavdishme enveriste’ se letërsia e krijueme në Perëndim asht ‘larg problemeve të masave të gjana’, asht ‘e pakuptueshme, pesimiste dhe jokomunikative’. Me nji përkthim të tillë, natyrisht, Joycei del i pakuptueshëm dhe gati jashtë arsyes së shëndoshë sepse fjali të tana s’kanë kuptim. Vetëm janë veshë me fjalë, herë-herë me disa fjalë të rralla e shpesh të papërshtatshme, sa për me tregu se përkthyesi ‘ka shku larg’ në kërkim të kuptimeve të thella të ideve të autorit. Mirëpo ma të madhin lëshim që e ban z. Idlir Azizi asht që nuk ka marrë për përkthim ribotimin e origjinalit të vjetit 1922 - të botuem nga Shakespeare & Co në Paris - të ribotuem me 1993 e 1998 nga Oxford University Pressi nën redaktimin e Jeri Johnsonit, sepse ky botim përveç se asht ribotim i origjinalit me fototipi asht i pajisun edhe me shumë të dhana të tjera, qortime të botimeve të mapastajme të cilat i ka ba vetë Joycei me dorë të vet.

Për mos m’e lodhë as lexuesin me kopalla e taravija unë jam marrë kryesisht me shqyrtimin e kapitullit të parë. E, edhe kjo më ka dalë boll. Sepse, po të merresha edhe me kapituj të tjerë, do të më duhej me shkru edhe shumë e shumë faqe e, prap, mos m’i dalë në krye. Për me qenë ma korrekt i kam hy dhe e kam përkthy gjithashtu tanë kapitullin e parë që çdo lexues me mujtë me e pa se çka ka ndodhë me ndonji detal tjetër të cilin unë nuk e za në gojë në këtë shkrim. Janë përfshi këtu edhe disa vërejtje për kapituj të tjerë të cilat ose kanë lidhje me vërejtjet në kapitullin e parë ose janë shumë të randa dhe asht dashë m’u përmendë.


1.
Në fjalinë e parë të kapitullit të parë [Telemaku] kemi nji moskandje stilistike që te Joycei çon peshë. Nëse marrim parasysh se kapitulli hapet me nji parodizim të meshës katolike nga ana e Buck Mulliganit atëherë kishim me kuptu pse Joycei shkrun ‘bearing, a bowl’ e jo ‘holding 'a bowl’ për ç’gja asht dashë me lypë diçka ma solemne, ma religjioze në kërkimin e kësaj shprehjeje qoftë edhe sa m’ia ba me dije lexuesit se Joycei ka dashë me parodizu. Për me e ba këte unë e kam zgjedhë fjalën ‘tue e pëcjellë tasin solemnisht në dorë’. Sepse ‘bearing a bowl’ ka nji ironi ma të përafërt me ‘tue e përcjellë tasin solemnisht në dorë’ sesa me ‘duke mbajtur në dorë’ që nuk e jep fare frymën parodizuese. Por, ky asht send i imët karshi lëshimesh tjera dhe vetëm fillimi.

2.
Joyce: ‘He faced about...’ fq. 3
Azizi: ‘doli ballas…’ : fq. 25
Morina: ‘...u shetit rrotull (i ra rrotull)...’.

3.
Joycei: ‘grained and hued like paled oak’. fq. 3
Azizi: ‘gjëmborë si degëza lisi’. fq. 25
Morina: ‘të rruvizuem e me dukë si lis i verdhemtë’. Qysh shihet fjala ‘hued’ te përkthimi i Azizi asht lanë jashtë.

4.
Joycei: ‘O dearly beloved...’ fq. 3
Azizi: ‘O të dashurit e mi (??) …’. fq. 25
Morina: ‘O të dashun të shtrejtë...’, asht nji lojë fjalësh që me stërforcimin e ‘të dashunve’ që bahen edhe ‘të shtrejtë’ vetëm përforcohet ironia.

5.
Joycei: ‘white corpuscles...’ fq. 3
Azizi: ‘trupthat e bardhë...’ fq. 25
Morina: ‘rruzkat e bardha...’.

Joycei, prap, ironizon me rruzat e bardha të gjakut tue aludu në meshën në të cilën vena u shndërroka në gjak të Krishtit prandaj fjala ‘corpuscle’ nuk asht deminutiv i fjalës ‘corp’ apo ‘corpus’ qysh e ka kuptu përkthyesi por në mjekësi ka kuptimin e leukociteve sepse e thotë qartë ‘white corpuscles’.

6.
Joyce: ‘Switch off the current, will you? fq. 3
Azizi: ‘Mbylle pak çesmën, të lutem? fq. 25
Morina: ‘A p’e shym qat rrymë, allahile?

7.
Joycei: ‘He skipped off the gunrest...’ fq. 4
Azizi: ‘U largua nga maja e shkallëve...’ fq. 25
Morina: ‘Zhdrypi prej shtratit të topit…’.

Asht për t’u vërejtë se I. Azizi fjalën ‘gunrest’ – për shkak se nuk gjendet as në fjalorët kryesorë anglisht-anglisht, e ka përkthy herë ‘majë shkallësh’, herë ‘bedena për dyfekë’ disa rreshta ma nalt, pastaj bahet ‘sheshi i rrethit’, masandej ‘sheshit me bedenat’. Pra, brenda 2-3 faqesh nji fjalë asht përkthy me katër forma të ndryshme dhe të gjitha gabimisht.

8.
Joycei: ‘Tripping and sunny like the buck himself.’ fq. 4
Azizi: ‘Kërcyes e diellor si vetë kaprolli bak (?).’ fq. 26
Morina: ‘Firikues e ngazëllyes si vetë kaprolli.’

Azizi e ka përzi sunny për ‘diellor’- kuptimi i parë që jepet në fjalorë - e jo ‘të ngazëllimtë’ – kuptimi i dytë sepse ajo e para përdoret shumë ma shpesh dhe ka qenë e para. E ka shumica e fjalorëve anglisht-shqip. Nuk e ka Manni. Azizi nuk e ka vu mendjen në ironinë e hollë që e përcjell tanë kohën ligjërimi i Buck Mulliganit. Ndërsa fjala ‘bak’ çka ban në këtë fjali nuk e dij. Në anglisht domethanë nji kafshë mashkull: o lepur, o kaproll, o kangaru, o cjap etj.

9.
Joycei: ‘showed a shaven cheek over his right shoulder’ fq. 4
Azizi: ‘shfaqi një faqe të rrojtur sipër shpatullës së djathtë’ fq. 26
Morina: ‘shfaqi faqen e rrueme mbi supin e djathtë’, domethanë, faqja asht e rrueme e jo e jetueme. Duhet me qenë problem rregullash drejtshkrimi e jo, shpresoj, ‘liri përkthimi’ sepse ‘rruaj-rrova-rruar’ del në Fjalorin e Shqipes së Sotme për atë që anglisht i thonë ‘shave’ dhe ‘rroj-rrojta-rrojtur’ për atë që anglisht i thonë ‘to live’.

10.
Joycei: ‘The bard’s noserag’ fq. 5
Azizi: ‘Rrecka e qurrave të vjershëtorit’ fq. 27
Morina: ‘Faculeta e nji bardi’.

Ja nji rast tjetër tipik i ‘shqipërimit’. Pse bardi e jo vjershëtori? Sepse fjala bard nënkupton shumë konotacione të tjera përveç vjershëtorit. E, sidomos, konotacione të lidhuna me Irlandën. Edhe po të kishte qenë ‘vjershëtor’ në origjinal, f.v., ‘poet’ nëse ka pasë me ba me Irlandën, nji përkthyes i kujdesshëm do të duhej me e përkthy ‘bard’, veç me i thanë ngjyrë e shije irlandeze.

11.
Joycei: ‘great (grey) searching eyes’ fq. 5
Azizi: ‘sytë e mëdhenj e ’ fq. 27
Morina: ‘sytë e përhimtë’. Me pasë pasë botimin e parë të vjetit 1922, të ribotuem me 1993 e 1998, atëherë e kish gjetë se vetë Joycei e ka qortu gabimin e radhitësit në shtypshkronjë tue e ba fjalën ‘great’: ‘grey’, pra, jo ‘sytë e mëdhej’ por ‘sytë e përhimtë’.

12.
Joycei: ‘…gazed at the fraying edge of his shiny black coatsleeve…’ fq. 5
Azizi: ‘…vështroi cepin e ngrënë të mëngës cingëritëse e të ndritshme bojëzezë të xhaketës …’ fq. 27
Morina: ‘vështroi cepin e ryzuem të mangës së zezë e vizëlluse të palltos së tij’.
- Qysh po shihet, z. Azizi, e ka përzi fjalën ‘fry’ (fërgoj, tiganis, cingaris) me fjalën ‘fray’ (‘me ryzue, me ba fije-fije’) dhe kështu ka dalë ‘mënga cingëritëse’. Por nëse nuk asht gabim drejtshkrimi, pra, cingëris e jo cingaris atëherë, prap, nuk përshtatet me kuptimin që asht synu prej Joyceit.

13.
Joycei: ‘Silently, in a dream she had come to him after her death, her wasted body within its loose brown graveclothes giving off an odour of wax and rosewood, her breath, that had bent upon him, mute, reproachful, a faint odour of wetted ashes. Across the threadbare cuffedge he saw the sea hailed as a great sweet mother by the wellfed voice beside him. fq. 5

In a dream, silently, she had come to him, her wasted body within itsloose graveclothes giving off an odour of wax and rosewood, her breath, bent over him with mute secret words, a faint odour of wetted ashes. fq. 10


Azizi: ‘Heshturazi, nëpër ëndërr, ajo i ishte avitur pas vdekjes, trupi i saj i mbaruar brenda petkave të varura(!) kafe të varrimit që lëshonin një kutërbim dylli e drutrëndafili, fryma e saj, qe përkulur mbi të, pa fjalë, qortuese, kutërbim i flashkët i hirit të lagur. Përmes rrjetës gishtaholluar të shuplakës(!!) ai pa detin e sapolëvdëruar si një nënë e ëmbël madhështore nga zëri i ngopur mirë anash tij.’ fq. 27

‘Në ëndërr, heshturazi, ajo kish ardhur drejt tij, trupi i saj i tretur brenda petkave xhanavare të vdekjes lëshonte një kutërbim dylli e drutrëndafili, fryma e saj e varur mbi të me fjalë të heshtura fshehtësire, aromë e pakët hiri të lagur.’ fq. 31

Morina: ‘Qetaz, n’andërr, mbas vdekjes, ajo kishte ardhë te ai, trupi i saj i shkërmoqun mbrenda qefinit të labërguem e të kaftë që lëshonte nji erë dylli e drudrandofilli, kurthu prej frymëmarrjes së saj, e heshtun, qortuese, nji kundërmim zalitës i hinit të lëmekun. Nëpër cepin e ryzuem të manshetës ai e pa detin të përshëndetun si nanëmadhe e ambël nga nji za i fuqishëm përngat tij.’

N’andërr, heshtazi, ajo kishte ardhë te ai, trupi i saj i shkërmoqun mbrenda qefinit të labërguem që lëshonte erë dylli e drudrandofilli, kaplu prej frymëmarrjes së saj me fjalë heshtake të mshefta, nji kundërmim zalitës i hinit të lëmekun.

Prej kësaj serie të ‘përkthimit të lirë’ duhen veçu tri pjesë si ma të randa: ‘Përmes rrjetës gishtaholluar të shuplakës’ që asht krejt nji lakadredhë shprehëse që s’mun i bjen kush në fije, ‘hailed’ që përkthehet si ‘e sapolëvdëruar’ dhe ‘nga zëri i ngopur mirë’ që në anglisht s’don me thanë tjetër veçse ‘za i fuqishëm’. Përkthim i fjalënikshëm i kësaj shprehjeje e ban shqipen m’u kuptu veç prej motrave shtriga të Dundrumit. Fjalët e nënvizueme janë dhanë për me kallxu se sa ndryshime ka ba përkthyesi në dy fragmente tekstesh gati krejtësisht të njejta të Joyceit të cilat përsëriten në këtë kapitull. Kështu, ma së miri mun m’u kriju ideja e shpërdorimit të ‘lirisë së përkthyesit’.

14.
Joycei: ‘...poor dogsbody...’ fq. 6
Azizi: ‘...rojtari trupqen i gjorë...’ fq. 27
Morina: ‘...i mjeri hamall...’.

Kjo asht nji shprehje mjaft e ndërlikueme për nji përkthyes sepse ‘dogsbody’ ka kuptimin e hamallit, argatit që ban punë angari, monotone, të mërzitshme. Ajo përdoret edhe nji herë tjetër ma vonë në kuptimin se duhet ‘m’u qëru prej morrash’. Por, përkthimi i Azizit ‘rojtari trupqen i gjorë’, natyrisht, s’ka kurrfarë lidhje as me përkthimin e vetë fjalës as me kuptimin e fjalisë. Se çka ban aty fjala ‘rojtar’ aty kurrkush s’e din? Ndoshta e ka përkujtu përkthyesin me fjalën ‘bodygard’ dhe ‘dogsbody’? Megjithëse, në paragrafet e ardhshme vetë z. Azizi e përkthen këtë fjalë prap fjalënikshëm si ‘trupqen’.

15.
Joycei: ‘...felt the smooth skin.’ fq. 6
Azizi: ‘...provonte lëkurën e butë.’ fq. 28
Morina: ‘...provonte lëkurën e lëmutë’’

16.
Joycei: ‘He swept the mirror a half circle in the air to flash the tidings abroad in sunlight now radiant on the sea. His curling shaven lips laughed and the edges of his white glittering teeth.’ fq. 6

Azizi: ‘E rrotulloi pasqyrën një gjysmë qarku fshikur nëpër ajër të mblidhte tallazet jashtë nën dritën e e diellit e tashmë rrezëllitëse nëpër det. Buzët e tij të përveshura e të rrojtura qeshën, edhe cepat e dhëmbëve të bardhë vetëtitës.’ fq. 28

Morina: ‘Ai e lëvizi pasqyrën tue ba nji gjysëmrreth n’ajri për me shkrepë kumte me sinjale drite në botë me anë të diellit i cili rrezëllonte në det. Buzët e tij të lakueme e të rrujtuna buzëqeshën bashkë me cepat e dhambëve të shëndritshëm.’

Në shumë raste të ngjashme kur Joycei ban lojë fjalësh apo përdor metafora përkthyesi e humb krejt fijen tue mos e kuptu se çka ka synu me thanë autori. Kështu ‘swept’ del si ‘rrotulloi’, por edha ma keq ‘to flash tidings abroad in sunlight’ del diçka si ‘fshikur nëpër ajër të mblidhte tallazet nën dritën e diellit’. Nga përkthimi i kësaj fjalie nuk kuptoj asgja për be. Fjala ‘tidings’ ma së pari nuk ka asnji lidhje me ‘tallazet’ por me ‘lajm apo sihariq’. Përkthyesi e ka ngatërru me ‘tide’ që d.m.th. ‘valë, tallaz’ n’anglisht dhe ia ka shtu nji ‘ings’ e i ka dalë ‘tallazet’ por, në të vërtetë, shumësi i ‘tide’ në anglisht asht ‘tides’. Shpjegimin për të dyja fjalët edhe ‘tide’ edhe ‘tidings’ e ka gati çdo fjalor anglisht-shqip. Ndërsa buzët prap na dalin ‘të rrojtura’ dhe jo ‘të rruara’.

17.
Joycei: ‘…you dreadful bard.’
Azizi: ‘…ti aed i lerosur.’
Morina: ‘ti bard i mnershëm.’

Z. Azizi, duket se i ka mbetë hatri në fjalën ‘bard’. Dhe sa herë që Joycei e përdor ai e përkthen me çfarëdoqoftë fjale veç jo bard. Pse athu? Bardët kanë të bajnë me keltët e lashtë ndërsa aedët me Greqinë e lashtë. Joycei asht vetë stërnip keltësh dhe, ma në fund, përdor fjalën bard që s’asht i huej as për shqipen. Mbiemnin ‘dreadful’ asnji fjalor, as anglisht-anglisht as anglisht-shqip nuk e nxjerr në kuptimin ‘i lerosur - e bëj me lerë, e përbalt; e fëlliq, e zhyej.’ FSHS (1984) fq. 602, pos ‘i tmerrshëm’, ‘që të fut frikën’ etj.

18.
Joycei: ‘like the snout of a sleeping whale.’ fq. 7
Azizi: ‘...si qurrja e ndonjë balene gjumashe.’ fq. 29
Morina: ‘si turini i ndonji balene të përgjumun.’

Asht ‘sleeping whale’ dhe jo ‘sleepy whale’, prandaj jo ‘gjumashe’ por ‘të përgjumun’.

19.
Joycei: ‘…made him seem younger and more engaging...’ fq. 8
Azizi: ‘e bëri të dukej më të ri e më të vëmendshëm…’ fq. 30
Morina: ‘e bani të dukej ma të ri e ia shtoi nurin...’

Z. Azizi e përzien engaging ((in-gejxhing), mb. i hijeshëm, tërheqës, joshës, i kândshëm – kështu e jep në fjalorin e vet anglisht-shqip Stuart Mann-i) me engage (zâ; fejoj etj.) që ngjajnë për nga drejtshkrimi por jo edhe për nga kuptimi.

20.
Joycei: ‘She calls the doctor sir Peter Teazle and picks buttercups offthe quilt. Humour her till it's over. Humour her till it's over. You crossed her last wish in death and yet you sulk with me because I don't whinge like some hired mute from Lalouette's.’

Azizi: ‘Thërret doktorin, sër Piter Tizlin, dhe nxjerr zhabina nga lëkura.(!) E mban me shakara deri sa t’i vijë fundi. Ti ia theve dëshirën e fundit para vdekjes e tani grindesh me mua pse nuk qurravitem si të isha ndonjë memec i marrë me qera (për ‘qira’ A.M.) nga cirku (!) i Laluetës.’

Morina: ‘Ajo ia nis dhe e qun doktorin, Sir Piter Teazlei, dhe don m’i mbledhë luleverdhat e jorganit. Duhesh m’e galdu derisa t’i vjen fundi. Ti i re mohit dëshirës së saj të fundit e mue po m’i tharbëton hundtë pse nuk du me kthisë si belbacuk i pagumë i Lalouetteit.’

Së pari pra, Sir Piter Teazlei, nuk asht doktor, mjek, por personazh në dramën e Richard Brindsley Sheridanit (1751-1816) ‘The School For Scandal’ (‘Shkolla për Thashethemnajë’, 1777) dhe Lalouettei nuk asht cirk por ndërrmarje varrimi e Dablinit. Logjikisht kemi të bajmë me nji person në prag të vdekjes dhe Lalouettei ma parë del me qenë ndërmarrje varrimi sesa cirk. Por, ajo që ia ka ikë plotësisht z. Azizi asht përshkrimi i gjendjes së përhumbun të nji të sëmuti për vdekje të cilën Joycei don me e ilustru me nji shembull se ajo ‘nis e mbledh luleverdhat e jorganit’ sepse ajo i merr për të njimendta ato lule që janë veç të pikturume mbi jorganin e saj për shkak se e humb arsyen nga pesha e randë e sëmundjes dhe don me i këputë ato.

21.
Joycei: ‘He had spoken himself into boldness.’ fq. 8
Azizi: ‘Me këtë fjalim hyri në trimëri.’ fq. 30
Morina: ‘Mbas këtyne llafeve u kërthëndez.’

Nji shembull tjetër i përkthimit të fjalënikshëm që në shqip s’len me kuptu gja. Sepse s’asht e mundun kush me hy në trimni për arsyen e thjeshtë se trimnia asht emën abstrakt dhe tregon veç cilësi.

22.
Joycei: ‘Phantasmal mirth, folded away: muskperfumed.’ fq. 10
Azizi: ‘Gazmim fantazmagorik, palë e në sirtar: erëmusku ngjyer.’ fq. 31
Morina: ‘Nji gurgule lugatçore, e palume dikund: e miskume.’

23.
Joycei: ‘Haines is apologising for waking us last night.’ fq. 11
Azizi: ‘Hajnesi të kërkon falje që u zgjua mbrëmë.’ fq. 32
Morina: ‘Hainesi kërkon falje që na zgjoi mbramë.’

24.
Joycei: ‘So I carried the boat of incense then at Clongowes.’ fq. 11
Azizi: ‘Ksisoj (për kësisoj A.M.) mbaja lehtë në bark(!) asokohe kemcin në Klongoues.’ fq. 32
Morina: ‘Kështu e përcolla në dorë barkëzën e temjanit atëherë në Clongowes.’

Këtu, qysh shihet, përkthimi i z. Azizi nuk ka fare kuptim. Mue ma merr mendja që shpesh, z. Azizi, e ka hutu veten me përkthimin e vet tue e lanë përkthimin sot-për-nesër dhe tue mos iu kujtu masandej se ku ka mbetë me përkthim. Veç kështu asht e mundun që ajo që asht dashë me qenë ‘barkë’ ka dalë në fund ‘bark’! Natyrisht, fjala ‘lehtë’ në të këtë histori nuk dihet se nga asht shfaqë aty! Por Joycei këtu rikujton ditët e veta nga shkolla e tij e parë Clongowes Wood College ku pat shku për katër vjet (1888-1891). Atje, ai mbas Kungimit të Parë të Shenjtë, me 21 prill 1889, dmth. gjatë Pashkëve, tue pasë tashma si nxanës i mirë nji status special mbajti në dorë barkëzën e temjanit dmth. temjanin në trajtë barke.

25.
Joycei: ‘He lunged towards his messmates in turn a thick slice of bread, impaled on his knife.’ fq. 13
Azizi: ‘Në shkëmbim iu sul bashkëngrënësve me nga një rriskë të trashë buke të ngulur në thikë.’ fq. 34
Morina: ‘Ai ia zgjati herë njenit e herë tjetrit shok tavoline thelën e bukës të ngulun në thikë.’

26.
Joycei: ‘That's folk, he said very earnestly, for your book, Haines.’ fq. 13
Azizi: ‘Ky është folklor për librin tënd, Hajnes, tha shumë seriozisht.’ fq. 34
Morina; ‘Ata janë mileti, tha ai me shumë seriozitet, për librin tand, Haines.’

Natyrisht, folk dhe folklor në anglisht dallohen vetëm për pak por nuk janë e njejta gja. E para asht ‘milet, popull’ ndërsa e dyta ‘krijimtari gojore e popullit’ qysh asht edhe në shqip.

27.
Joycei: ‘Then, suddenly overclauding all his features…’ fq. 13
Azizi: ‘Mandej, pasi i nxiu papritmas të gjitha tiparet...’ fq. 34
Morina: ‘Masandej, tue i vrâ befas të tana miset...’

Përkthimi i Azizit s’asht gja tjetër pos përkthim i fjalënikshëm prej anglishtes i cili në shqip s’ka kuptim. Sepse ‘me i nxi të gjitha tiparet’ për nji shqiptar asht ma shumë veprim në të cilin i bardhi ban me u kthy në zezak.

28.
Joycei: ‘A quart. Stephen said.’ fq. 13
Azizi: ‘Një qerek, tha Stiveni.’ fq. 34
Morina: ‘Nji litër, tha Stepheni.’

Përkthyesi i ka përzi këtu fijet. Nuk asht fjala e shkrueme anglisht ‘quarter’ por ‘quart’, dhe kjo çon peshë sepse quarter asht qerek ndërsa quart asht nji masë angleze që peshon rreth nji litër (1.136 litra. Katër kuarte bajnë nji galon.). Kjo, qysh do ta shohim ma poshtë, ka m’i shkaktu edhe pak telashe z. Azizi. Këtë fjalë e shpjegojnë saktë shumica e fjalorëve anglisht-shqip.

29.
Joycei: ‘and her gay betrayer’ fq. 14
Azizi: ‘...dhe tradhëtarit (dmth. ‘tradhtarit’ A.M.) të vet gaztor...’ fq.35
Morina: ‘...dhe jaranit të saj të pabesë, brinjare…’

Pra, kemi të bajmë me ‘jaran të pabesë’ dhe jo me ‘tradhtar gaztor’. Përkthyesi merr thu në fjalën ‘gay’, dhe kjo ban që me u mbrapshtu edhe fjala tjetër ‘betrayer’..

30.
Joycei: ‘Bill, sir? she said, halting. Well, it's seven mornings a pint at twopence is seven twos is a shilling and twopence over and these three mornings a quart at fourpence is three quarts is a shilling. That's a shilling and one and two is two and two, sir.’ fq. 36

Azizi: ‘Faturë, zotëri? tha ajo dhe ndali. Epo ja, janë shtatë mëngjese nga një broke dy pensë secila bëjnë shtatë dyshe që është një shilingë e dy pensë (!) dhe këto tre (!) broke për katër pensë, bëjnë gjashtë broke (!), që bëjnë një shilingë e një dhe dy bëjnë dy dhe dy, zotëri.’ fq. 36

Morina: ‘- Faturë, zotni? tha ajo rryeshëm. Mirë, dy herë shtatë mëngjese për nji litër prej dy pensësh e që janë shtatë dyshe që bâjnë nji shilingë e dy pensë mâ shumë, ndërsa tre mëngjeset e fundit nji litër nga katër pensë âsht tre litra që âsht nji shilingë edhe nji dhe dy janë dy edhe dy, zotni.’

Pra, erdhëm aty ku ‘qereku’, për përkthyesin tonë u desh m’u ba ‘broke’ vetëm mbas nji faqeje dhe prap nuk e ka vërejtë gabimin e bamë ma parë. Ndërsa në këto fjali vazhdon avazi i hutesës e ngatërresës me numra e litra.

31.
Joycei: ‘I'm not equal to Thomas Aquinas and the fiftyfive reasons he has made out to prop it up.’ fq. 17

Azizi: ‘Unë nuk jam baras me Toma Akuinin dhe pesëdhjetë e pesë arsyet që ka sajuar për ta mbajtur idenë në këmbë.’ fq. 38

Morina: ‘Unë nuk muj m’i shty brinat me Shën Tomë Akuinin bashkë me pesëdhetepesë arsyet që i ka vu vetes për me e mbrojtë mendimin e vet.’

Kemi të bajmë jo me pesëdhetepesë por me pesë argumentet që Thomas Aquinasi i shtron për me dëshmu egzistencën e zotit. Por, Joycei me gojë e Mulliganit ban hajgare tue bashku fjalët fifty five si fiftyfive për ta afru këte me të folmen e zakonshme dhe për ta humbë kuptimin e saktësisë, gja të cilën përkthyesi s’e vëren fare.

32.
Joycei: ‘...bending in loose laughter...’ fq. 17
Azizi: ‘...duke u përkulur me një të qeshur të lëshuar...’ fq. 38
Morina: ‘...tue u gjyftu prej gazit të pafre...’

Në shqip nuk kemi ‘të qeshur të lëshuar’. Fjala asht për ‘gaz të pafre’. Nji tjetër shembull i përkthimit të fjalënikshëm.

33.
Joycei: ‘...warring his life long upon the consubstantiality of the Son with the Father…’ fq. 21
Azizi: ‘...gjithë jetën në luftë me njësimin e lëndës së Birit me atë të Atit...’ fq. 41
Morina: ‘...tanë jetën e gjatë luftoi mbi bashkësubstancialitetin e Atit me të Birin...’

Fjala bashkësubstacialitet apo konsubstancialitet nuk asht emërtim që i len përkthyesit me zgjedhë shumë. Asht nji prej emërtimeve themelore krishtere dhe qysh shihet asht rrehë shumë dhambë për këtë punë, bile me shekuj. Pra, bashkësubstancialitetit me i thanë njësimi i landës asht diçka sikurse kryqit në vend se me i thanë kryq me i thanë dy dërrasa të ngjituna: njena horizontalisht e tjetra vertikalisht. Ky asht vetëm nji shembull i mungesës së të dhanave të domosdoshme të përkthyesit gjatë përkthimit të Uliksit sepse kështu janë ngatërru shumica e emërtimeve që kanë të bajnë me filozofinë, religjionin, historinë etj.

34.
Joycei: ‘The voids awaits surely all them...’ fq. 21
Azizi: ‘Zbrazëtia i pret të gjithë ata...’ fq. 41
Morina: ‘Humnera i pret të gjithë ata...’

35.
Joycei: ‘Redheaded women buck like goats.’ 22
Azizi: ‘Femrat kokëkuqe naa bak e hanë si dhitë.’ fq. 42
Morina: ‘Femnat leshkuqe thërpehen (dmth. bajnë seks) si dhitë.’

36.
Joycei: ‘The Ship, Buck Mulligan cried. Half twelve.’ fq. 23
Azizi: ‘Shihemi tek Anija, thirri Malligani. Në dymbëdhjetë e gjysmë.’ fq. 43
Morina: ‘Në Ship, bërtiti Buck Mulligani. Në dymdhetë e gjysë.’

Prap, z. Azizi e ka harru se në faqen 28 të përkthimit të vet thotë: ‘Ai tipi që ishte mbrëmë te Ship-i’, pra, nuk e përkthen e me thanë ‘te Anija’ dhe e shkruen me vizë para mbaresës rasore -i megjithëse në gjithë tekstin ai ndjek rregullat e Kongresit të Drejtshkrimit. Mirëpo tash mbasi ka ardhë deri në faqen 43 gjanat janë harru dhe po ky emën përkthehet në shqip si: ‘te Anija’! Prap në faqen 57 ‘Te Anija, më dymbëdhjetë e gjysmë.’ Në faqen 206: ‘Anija’. Prap, po i njejti emën e vend, në fq. 612 përkthehet si ‘hoteli dhe taverna Ship’ dhe jo ‘hoteli dhe taverna Anija’. Pra, përkthyesi asht dashë me da mendjen se çka po don me ba me fjalën ‘The Ship’ qysh në faqen 28 sepse tanë kohën bahet fjalë për të njejtin vend: hotelin dhe tavernën The Ship.

37.
Joycei: ‘Cochrane’ fq. 24
Azizi: ‘Koçrejn’ fq. 44
Morina: Nëse asht shku me trankriptim atëherë asht dashë me qenë ‘Kok'rën’ dhe jo ‘Koçrejn’.

38.
Joycei: ‘The boys blank face asked the blank window.’ 24
Azizi: ‘Fytyra e zbrazët e djalit pyeti dritaren e zbrazët’ fq. 44
Morina: ‘Fytyra e pashprehje e djaloshit pyeti dritaren e pashprehje.’

39.
Joycei: ‘They lend ear’. fq. 24
Azizi: ‘Ata veshin e bëjnë bujtës.’ fq. 44
Morina: ‘Ata ia venë veshin (e ndëgjojnë).’

Asht nji shprehje idiomatike në anglisht shumë e afërt me ndërtimin e shprehjes idiomatike shqipe ‘m’ia vu veshin’ por kuptimi asht ‘me ndëgju’. ‘Ata veshin e bëjnë bujtës’ asht vërtet ndërlikim i panevojshëm gjuhësor.

40.
Joycei: ‘Warring his life long on the contransmagnificandjewbangtantiality.’ fq. 38

Azizi: ‘Në luftë gjithë jetën për ndërmrekullimoçifutroshitje.’ fq. 57

Morina: ‘Tue luftu gjithë jetëne gjatë mbi bashkëtransmadhënimdhehebrebengtancialitet.’

Në shikim të parë kjo fjalë duket e vume krejt pa lidhje por, në të vërtetë, ka kuptim dhe asht vetëm nji prej lojëve me fjalë që ban Joycei. I rikthehet idesë së Ariusit përmbi bashkësubstancialitetin (e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shejtë); përmbi transsubstancialitetin (e Birit mbi Shpirtin e Shenjtë dhe i Atit mbi Shpirtin e Shejtë) Wyclifi, Lutheri, Calvini, Zwingli etj. Dhe fjala ndahet në con (bashkë) + trans + magnificent (madhështor) + and (dhe) + jew (hebre) + bang (beng) + -tiality (-cialitet) dhe bahet nji fjalë. Magnificat (kanga në të cilën Mrija Virgjëneshë e falënderon Zotin që ia ka caktu nji rol të tillë: Lluka 1:46-55) ‘Magnificat anima mea, Dominum’ ; hebre, rikujtim se Jezui qe me origjinë hebreje dhe se qe mohu prej hebrejsh; beng asht zhurma e shpërthimit por ka edhe kuptimin e aktit seksual si aluzion për thashethemet se babë i vërtetë i Jezu Krishtit ishte nji ushtar romak. Kështu del se përkthimi që ban Azizi s’ka asnji lidhje me këto asociacione.

Agim MORINA

revista ARS nr. 11 (33), 5 dhjetor 2004

Friday, April 08, 2005

SHFYTYRIMI I NJË KRYEVEPRE





Si ndodhi që botimi i veprës së P. Boganit ‘Çeta e profetëve’, (Rilindja, Prishtinë, 1990) nga i ashtuquajturi ‘transliterues në gjuhën e sotme’, Dr Engjëll SEDAJ, dhe nga i ashtuquajturi ‘redaktor i transliterimit në gjuhën e sotme’, Dr Ibrahim RUGOVA, të pësojë dështim të plotë.


Tekstet e vjetra dhe koha jonë

Tekstet e vjetra janë fosile gjuhësore, të cilat ruajnë në vete të gjitha veçoritë e kohës kur ato janë krijuar. Për studiuesit e ndryshëm ato janë shkallë për të zbritur në thellësitë e së kaluarës, për ta ndeshur kështu një gjendje më të hershme të gjuhës në të kaluarën dhe mundësi për ta krahasuar atë me shkallën e sotme të zhvillimit gjuhësor. Pra, vlera më parësore, natyrisht, jo e vetme, e këtyre teksteve është konzervimi i materialit fonetik, leksikor, sintaktik etj., prandaj puna me to do të duhej të ishte po aq e kujdesshme sa edhe puna në restaurimin e një pikture të vjetër e cila në çdo çast është në rrezik të shkapërderdhet. Aq më tepër kjo do të duhej të zbatohej me tekstet e vjetra të letërsisë së vjetër shqipe, sepse nuk janë kutadi sa shumë dhe, ngaqë, deri vonë, nga këto tekste janë botuar nga pesë‑gjashtë fjalë të urta të cilat i kanë nxjerrë dhe i kanë lejuar censorë të ndryshëm. Thjesht, këto tekste tek tash botohen për herë parë në hapësirën tonë në mënyrë më të plotë: Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani etj. (Ri)botimi i tyre është vonesë historike prej qindra vjetësh, por kur dihen rrethanat nëpër të cilat kaloi populli në gjuhën e të cilit u shkruan këto libra, prapë mund të thuhet: ‘Më mirë vonë se kurrë!’

Për fat të mirë, letërsia e vjetër shqipe, përveç vlerës së saj si dëshmi historike‑gjuhësore, ka edhe vlerat e saj artistike, religjioze, shkencore e filozofike. E persekutuar dhe e shpallur si destruktive kjo letërsi u internua në një hapësirë ku shkonin dhe e vizitonin vetëm gjuhëtarët. Ky internim i kësaj letërsie nga kultura jonë kombëtare, e cila ishte kurorë e një segmenti historik të të menduarit tonë, pati për pasojë zhvillimin e mangët e të pagjak të mbarë kulturës sonë.

Duke u nisur nga një arsye e këtillë, detyrë parësore e gjuhëtarëve, historianëve, historianëve të letërsisë etj. është që këtë letërsi të krijuar në shekujt XVI, XVII dhe XVIII, ta kthejnë në kulturën tonë në mënyrën si e meriton dhe në vendin të cilin e zë kjo në kulturën tonë kombëtare. Kjo duhet të bëhet me shumë kujdes shkencor, me shumë shije të hollë filologjike sepse çdo lëshim apo pakujdesi e rastit e zgjat distancën të cilën e patëm me këtë letërsi duke na e paraqitur në një dritë të shtrembëruar. Fat i mirë është që në këtë anë nuk jemi pa ndonjë përvojë të mirë. Si gjedhe apo si udhërrëfyes të shkëlqyeshëm mund ta marrim botimin e “Mesharit” të Gjon Buzukut nën kujdesin e Dr Eqrem Çabejt. Por me botimin e “Çetës së profetëve” të Pjetër Bogdanit nën kujdesin e Dr Engjëll Sedajt, kemi gjedhen apo udhërrëfyesin më të mirë se si NUK duhet të punohet në asnjë tekst të vjetër.




Transliterim, trankriptim, përshtatje apo përkthim

Dr Engjëll Sedaj, që në krye të herës, nuk e ka të qartë se me çfarë metode të punës i është qasur veprës së Bogdanit. Ai nuk e ka, deri në fund, të qartë se a bën përshtatje, a bën transliterim apo ndoshta bën përkthim! Një paqartësi e këtillë sjell si pasojë sendërgjimin e një metode “të re” të punës: “transliterimin në gjuhën e sotme”! Kështu “Çeta e profetëve” e botuar më 1990 në Prishtinë, është dëshmi e një pune joshkencore dhe joprofesionale, me shumë shtrembërime gramatikore e logjike të tekstit origjinal. E vetmja gjë që vlen në atë libër është fototipia mjaft cilësore e origjinalit. Për punën se si do të duhej të punohej në një tekst të vjetër, na duhet, doemos, ta shkëpusim një citat nga një punim i E. Çabejt me titull: “Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre”:

“Dihet se tri janë mënyrat kryesore të riprodhimit të një teksti: fototipia, transliterimi e transkribimi fonetik (...) Transliterimi dihet se është riprodhimi i një teksti duke e kthyer nga alfabeti në të cilin është shkruar në një alfabet tjetër; po duke dhënë çdo germë me germën përgjegjëse, pa dhënë riprodhimin e tingullit që përmban germa. Gjithashtu lihen si janë pikësimi, gabimet e shtypit, majuskulat e minuskulat etj. Përkundrazi kur germat shikohen si shenja tingujsh dhe në riprodhim jepet ky interpretim i shqiptimit, bëjmë një transkribim fonetik (...) Nga sa u shtjellua këtu kuptohet mirëfillit se nga të gjitha llojet e botimit transkribimi është më i vështiri (...)

Cilado që të jetë mënyra e botimit, një gjë mbetet me rëndësi parimore e do ndjekur konsekuentisht në këtë truall pune: Nuk është punë shkencore të bëhet një riprodhim që të jetë një kompromis midis transliterimit e transkribimit;(nën. A.M.) ose do të kryhet një transliterim ose do të kryhet një transkribim në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kur ky dallim nuk është i qartë teorikisht dhe nuk zbatohet prerë edhe në praktikë atëherë nga ngatërresa që lind në këtë mes rrezikohet që transliterimi të dalë në shumë vise të tekstit një transkribim fonetik, e transkribimi vetë një ‑ normalizim. Nga sa u tha këtu shihet se transkribimi fonetik përbën strumbullarin ndër botimet e ndryshme të një shkrimi të lashtë (...)
Në zbatimin e kritereve të përgjithshme si dhe në zgjidhjen e çështjeve të veçanta puna e transkribimit duhet të ecë me akribi fililogjike e me hapa shumë të matura e të përpiqet të arrijë një saktësi sa më të madhe. Qëllimi fundor është që me këtë punë të jepet një pasqyrë sa më besnike e gjuhës së autorit." (nën. A.M.).

Dr Engjëll Sedaj, si duket, i ka ngatërruar kuptimisht emërtimet transliterim dhe transkriptim, sepse herë i identifikon këto të dyja ose i përzien edhe me përshtatjen. Fjala vjen, në polemikën që e pati me Sali I. Bytyçin më 1984 në “Rilindja” (14.04.1984 fq.12) ai ndër të tjera thotë se: “Dh. Shuteriqi në veprën e përmendur (”Antologjia e letërsisë shqipe" ‑ A.M.) vetëm sa e ka transliteruar këtë titull (e ka fjalën për “Të primitë përpara letërarit” të P.Bogdanit ‑ A.M.) ngaqë kështu kishte vepruar edhe me tekstin vijues..."!! Si shihet Dr E. S. mendon se Dh. Shuteriqi ka bërë transliterimin“e titullit” e “të tekstit vijues”, e në të vërtetë, ai e ka bërë transkriptimin e titullit dhe të tekstit vijues. Dhe jo vetëm në tekstin e Bogdanit por në tërë “Antologjinë...” me tekstet e shkrimtarëve të vjetër është bërë transkriptimi, përveç Formulës së pagëzimit dhe Fjalorit të Von Harfit të cilat jepen të transliteruara e të transkriptuara apo e thënë shqip: të tejshkronjëzuara dhe të tejshkruara. Në po këtë polemikë, Dr E.Sedaj thotë se: “... puna në përshtatjen (nën. yni) e këtyre teksteve na doli mjaft komplekse dhe kërkonte nga përshtatësi (nën. A.M.) të njohë jo vetëm lëndën e veprës dhe gjuhën shqipe, por edhe gjuhë të huaja...” Pra, ai vetë mendonte se tekstin e Bogdanit e kishte “përshtatur” por as më 1990, kur u botua “Çeta e profetëve I”, ai nuk e ka të qartë se ç'bën, prandaj shënon:“Transliterimi në gjuhën e sotme, përkthimet dhe parathënien Dr Engjëll Sedaj” dhe më poshtë ‘Redaktimin krahasues të transliterimit në gjuhën e sotme - Dr Ibrahim Rugova’. Është gjë e padëgjuar në gjuhë që ndonjëherë të jetë bërë “transliterimi në gjuhën e sotme” i ndonjë teksti të vjetër!!! Pos nëse Dr E.S. ka menduar të shkruajë “transliterimin në alfabetin e sotëm...”, gjë të cilën, gjithashtu, s'e ka bërë dot. Dhe duke bërë atë që ai thotë se e ka bërë, Dr E. S. shkon edhe më tutje kur duke iu përgjigjur Sali I. Bytyçit thotë se: “ Së këndejmi lexuesi duhet të jetë i informuar se në përshtatjen e këtij teksti të Bogdanit kanë ndryshuar, jo vetëm nëntë fjalë, por nëntë dhjetë sosh me qëllim që teksti të lexohet pa pengesa, të ruhet sa të jetë e mundur sintaksa e origjinalit, të jetë besnik në transmetimin e ideve të tekstit burimor etj. pra duke vepruar në mënyrë të ngjashme sikur në përkthimin e një teksti nga një gjuhë e huaj”!!! (nën. A.M.). Pra Dr Engjëll Sedaj na del se është përkthyes i Pjetër Bogdanit. Dhe pas ndryshimit të “jo vetëm nëntë fjalëve” por edhe “të nëntë dhjetë e nëntë sosh” do të shihet në shembujt e mëposhtëm, se si është “transliteruar në gjuhën e sotme shqipe” gjegjësisht se si “sikur është përkthyer” “Çeta e profetëve” nga gjuha shqipe në gjuhën shqipe! Do të shihet sa sa “lexohet pa pengesa”, se sa “ruhet sintaksa e origjinalit” dhe më në fund, se sa Dr Engjëlli “i ka mbetur besnik transmetimit të ideve të tekstit burimor”.

Fjala vjen, për ta bërë tekstin të lexohet “pa pengesa”, ai, foljet e kohës së pakryer të mënyrës habitore si “adheruekëshin”, “lypkëshin” etj. deri në ligjeratën e II të shkallës së III i ndryshon pa ndonjë arsyetim, e në ligj. e II të shk. së III shënon fusnotën 25 me këtë tekst: “lëvduekëshinë, që është koha e pakryer e mënyrës habitore, e ndeshim mjaft shpesh te B. Prandaj këtu nuk po e ndryshojmë.” E pse në vise tjera të ndryshohet këtë Dr E.S. nuk e thotë. E dihet se edhe sot, kjo trajtë e këtillë e foljes, përdoret njëlloj. Duke ndryshuar kështu Dr E.S. arrin ta shpikë edhe stramastikun e paskajores gege‑toske “nuk pat me vdekur”.

Për ta ruajtur “sintaksën e origjinalit” Dr E.S. bën këto punë: Jezu Krishti i cili te Bogdani “i bart fajet e botës” te Dr E.Sedaj “i bart fjalët e botës”. Pastaj, qetë të cilët janë duke lëruar në arë te Bogdani, te Dr E.S. bëhen “qetësi në lavë”(!) ndërsa njerëzit digjen në fusha e jo në furra!

Dhe në fund, për “t'i mbetur besnik transmetimit të ideve të tekstit burimor” Dr E.Sedaj bën këto punë: fjalën “thellësi” e cila te shumica e autorëve të letërsisë së vjetër shkruhet si “kthellë”, “nkëthellë”, “i kthellë” me kokëfortësi i përshtat‑përkthen‑transliteron në gjuhën e sotme si “kthjelltë” dhe “kthjelltësi”! Megjithëse te “Çeta profetëve” e kemi edhe shtyllën në italisht (apo latinisht) ku për fjalën gjegjëse kemi “profondo” (it.) dhe “profundis” (lat.) që do të thonë, thjesht – i/e thellë. Për më tepër kjo fjalë ndeshet edhe te “Fjalori latinisht‑shqip” i F.Bardhit, (fq. 111) e të cilin gjithashtu e ka përgatitur për botim Dr E. Sedaj. Pastaj, gjithnjë duke u përpjekur që t'i mbetet besnik transmetimit besnik të ideve të tekstit burimor fjalinë e P.Bogdanit në shqip: “Sauli tue mos paam gjindnè me kξξyem,...” e përkthen prej shtyllës italisht (!) kështu: “Sauli, duke mos i parë njerëzit në paraqitje,...” (krah. ital. “Saul non vedendo comparir la gente,...”).

Që me botimin e fragmenteve të “Çetës së profetëve”, në “Jetën e re” më 1984, e sidomos me reagimin e Sali I. Bytyçit, Dr E.Sedaj u desh të kuptojë se i duhej më shumë përgatitje profesionale e shkencore për një punë në një kryevepër të letërsisë sonë. Në përgjegjen ndaj reagimit të S. I. Bytyçit, Dr E.S. në vend që ta falënderonte për ca këshilla e vërejtje me vend, ai, përkundrazi, e sulmoi dhe e përqeshi duke i thënë se “me një libër nuk bëhet shkencë”(!), duke arsyetuar kot se “Të primitë përpara letërarit” duhej të shkruhej “Parathënie” (!). Pastaj Dr E.S. thoshte se fjalët “mboh”, “shërbeva”, “e madhe” etj. duhej të hiqeshin sepse “nuk qenkan në origjinalin latinisht” (!!!) ndërsa në botimin e “Çetës së profetëve” më 1990 Dr E.S. i shkruan ashtu siç e pat këshilluar Sali I. Bytyçi ‑ “shkencëtari me një libër në dorë”. Natyrisht, shkencë mund të bëhet me një apo me shumë libra, por shkencë me kokëfortësi e inate nuk bëhet kurrë.




Çka u desh të bëhej?

Botimi i ardhshëm kritik, shkencor e i plotë i “Çetës së profetëve” do të duhej t'i merrte parasysh të gjitha këto si mësim se si duhet të mos punohet. Shtylla në italisht do të ishte e mirëseardhur të përkthehet në gjuhën e sotme letrare që për lexuesin jostudioz të jetë e afërt përmbajtja që shtjellon P.Bogdani, por, t'i shërbejë edhe studjuesve për të parë se sa e ka ndjekur hap më hap shtyllën në italisht për ta bërë kështu një ‘kalepi’, siç thotë vetë P.Bogdani. Kjo do të ishte një zgjidhje fatlume, e cila, besojmë se në të ardhmen do të njëmendësohet.


Shënim: Sqarimi, nga ana jonë, në gjuhën e sotme shqipe është bërë që të vihen në spikamë gabimet dhe lëshimet e Dr Engjëll Sedajt, dhe jo përpjekje për ta bërë ndonjë trajtim të tekstit të “Çetës së profetëve”. Këtu janë vënë në spikamë një përqindje shumë e vogël, e lëshimeve dhe gabimeve të shumta vetëm sa për ilustrim, për shkak të natyrës së gazetës!




Fjalitë dhe fjalët të cilat mungojnë në tekstin e “transliteruar në gjuhën e sotme shqipe” nga dr Engjëll Sedaj. Fjalët që mungojnë brenda fjalisë dhënë me shkronja më të zeza.

1. “Decachordu plecte hymnu mellifluu pange Epire” (fq.100)

2. “... i t'pamet...” I,I,1 (156)
3. “Tue prèkunè vècè Tinèzot atan' me cuituèm.” I, II, 5 (172)
4. “... se pò rij...” I, III, 5 (180)
5. “tè nguſcèλimit Parrijsit,...” I, IV, 6 (200)
6. “... e mbaroj.” I, IV, 23 (204)
7. “... e κanè nevojè pèr ndihmè.” I, V, 7 (224)
8. “... Dieλit ndjerè...” I, V, 22 (230)
9. “... ſciochiea andaj ſciochiet...” I, VII, 12 (11) (258)
10 “... possi cur folnè Abramit, Lotit, e tjerèvè. Ndò me tè paam,...” II, I, 1, (266)
11 “Pèrſè tue κjanè i derejtè gixxè cafscete mbà, e ruen, me tè derejtè, poſſi natyra eſſsiλeſſe dò,...” II, I, 7 (270)
12 “... ſcembeλen Dijenè vjet'è κxxeλè Dijeja gojet ſe Nierit.” II,I,11 (274)
13 “Pèrſe tue paſſè Nierij ezunè ndèpèr ſckretètijtè κeſaj jetè...” II,I,18 (278)
14 “ſcpetoj Popuλinè Iſraelit prej Miſſiri...” II,I,22 (280)
15 “... me giegiunè dijenè...” II,I,22 (280)
16 “... i verteti Sanson, i vertèti David...” II,I,23 (282)
17 “... ato ſcenjtè tè zana...” II,II,1 (284)
18 “... se ndè brumè ſcembeλtyra, e t'kechiavet...” II,II, 12 (288)
19 “... e te cuλuem,...” II,II,13, (288)
20 “... S. (shenjtën A.M.) Kisce...” (292)
21 “... i pacmuem, goditunè,...” II,II,19 (294)
22 “... kù kjè mbyλunè ſi Hyjenia, e Chriſctit,...” II, III, 11 (306)
23 “... Uξà e ſcenjtè...” II,III,14 (308)
24 “... se Adami, Abrami, e Davidi...” II, III,16 (311)
25 “... pèrse giξξè ù goditnè pèr ſcembeλtyrè,...” II, IV, 2 (314)
26 “... pèr tè dvuem jaſctè Ievrejtè...” II,IV,3 (316)
27 “... e i maξi ka me ſcerbyem t'voghelit.” II,IV,3 (317)
28 “... e ndèr ata, e tè me cunderston pèr ξeet, tè moſſe ciartign' e nukè e gietta.” II,IV,14 (324)
29 “... e i vu emenitè Mojſe, tue ξξanè. Pèrſe ujenaſc e n'zora,...” II,IV,1 (330)
30 “... ndaj gni Puſs' ndè fuſcet,...” II,IV,6 (332)
31 “... κu u godit godia...” III,I,26 (344)
32 “... tè ckrihej...” III,I,29 (346)
33 “... Rreεmi, Sej falenè Anemichet tijnaj...” III,I,46 (353)
34 “... metè Ater Saul...” III,II,9 (358)
35 “... tè κejt κanè me ù ſctijm ndè zjarm' me giξξè faretè tynè...” III,III,6 (372)
36 “Tue giegunè...” III,IV 3 (384)
37 “... e tè mira,...” III,VII,1 (410)
38 “... Derèſsè Scejntenimit,...” III,VIII,5 (418)
39 “... κjè ſcpuum rob...” III,IX,1 (420)
40 “E Σotynè prej Sionit κaa me grahunè...” III X,4 (438)
41 “... e pèrte gnimendè ſciumè...” III,XXI,1 (470)
42 “... mbè chieλt...” IV,I,1 (477)
43 “... fjalèſc...” IV,VIII,1 (505 vargu i parafundit)
44 “... tue ξξanè...” IV, X, 1 (509)

1. Pettar Riceiardi Knez od Like:


(Fragment nga poezia e tij në kroatishte të vjetër kushtuar P.Bogdanit)


“Stubbe jesu puta k'Nebesom zlamenje,

Gdi nahodi Truda Kriepost nadieljenje.
Dost' Narav u Tebi, dosta Bog posluje:
A Kriepost osebi s'Trudom naprieduje.
Od tuda Cudo ni, BISKUPE BOGDANE,
Da Tva slava zvoni na sve svieta strane;"

Dr E.Sedaj:

Shkallët janë shenja të rrugës qiellore,
Ku gjendet virtyti i Punës së bekuar.
Shi zoti të ka mbushur me hire plotë,
Burrërinë prore për ta përforcuar.
Prandaj s'është çudi, IPESHKV BOGDAN
Që nga të gjitha kambanat lavdi yt të dëgjohet;"

A. Morina:

“Shkallët janë shenja të rrugës qiellore,
Frytet e Punës Virtyti i gdhend, prore.
Mjaft Natyra në ty, mjaft dhe Zoti vepron,
Virtyti vetvetiu n'Punë përparon.
Prandaj çudi nuk është, o IPESHKV BOGDAN,
Që lavdi Yt, n'katër an't e botës ushton;"

2.

Pjetër Bogdani:“..mire filli Nierij ſi te marre mend, e ſchiſſe” (84)
Dr Engjëll Sedaj: “... mirëfilli, njeriu sikur i marrë mend e shqisë"
Agim Morina: ”...mirëfilli, njeriu si të marrë mend e shqisë (d.m.th. si të vetëdijësohet)..."

3. P.B. “ ... tè silevet u pat marrè mènii...” I,I,18

Dr E.S. “ ... të cilëve iu pat marrë mendjen...”
lat. “ ... quoniam odibilia...”
A.M. “ ... të cilët i pat marrë mëni...”

4. P.B.“ Andaj ata tue emenuem tè parenè vette ndè Tènèeonè Ate...” I, III, 21 (188)

Dr E.S. “...andaj ata duke emëruar të parën vetë atë...”
it. “ ... che chiamado loro la Prima persona Padre...”
A.M. “ ... andaj ata duke emëruar të parën vetë në Tënëzonë, Atin...”

5. P.B. “... ſi munè jetè as gni ſeni me ù baam gia cafchè.” I,IV,2 (194)

Dr E.S. “ ... se si prej një gjësendi krijohet diçka.”
it. “ ... come fosse possibile, farsi di nulla qualche cosa...”
A.M. “ ... si mund të jetë që asgjësendi të bëhet gjësend.”

6. P.B. “ ... e curraj nuκè na harrojnè ndonè te pèrmpattèno heſcim...” I,IV,15

Dr E.S. “ ... dhe kurrë s'na harrojmë të mbetemi të vetmuar...”
it. “ ... e mai ci abbandonano, ancorche peccassimo...”
A.M. “ ... e kurrë nuk na harrojnë edhe nëse përmëkatërojmë...”

7. P.B. “... poſſi gni Chriſtal tue aculuem, ò poſſi gni rgiant tè cκrijme tue ngrijm, ctrini gixxè Chieltè.” I,IV,23 (204)

Dr E.S. “... posi një kristal, që shndrit apo një argjend i shkrier deri në qiell...”
A.M. “... posi një kristal duke akulluar, apo si një argjend i shkrirë (i cili është) duke u ngrirë, shtriu gjithë qiejt.”

8. P.B. “Prej xeut ndjerè mbè Hanet janè miglia 15625.” I,IV,35 (208)

DR E.S. “... prej tokës deri te Hëna mijëshe 15625.”
it. “... dalla Terra fino alla Luna sono miglia 15625.”
A.M. “... prej Tokës deri në Hënë janë 15625 mila.”

9. P.B. “... ndè gni cias giegi Ujetè, e ù mbèlox mbè vendtè...” I,V,1 (222)

Dr E.S. “Menjëherë u përgjegj uji dhe u mlodh në vendet..”
it. “... subito ubbidi, a coaduno in luogo...”
A.M. “ ... në një çast e dëgjoi (u bind) uji dhe u mblodh në vendet...”

10.P.B.“...pèrse tjeter anſctè tè ndèjyemit' e mpcattit, ”I,V,7 (224)

Dr E.S. “... sepse tjetër gjë është të ndejunit në mëkat e tjetër pendesa...”
it. “... essendo altro la remissione della colpa, altro qualle della pena...”
A.M. “... sepse tjetër është falja e mëkatit e tjetër (falja) e pendesës...”
(shih për këtë edhe E.Çabej “Studime gjuhësore” VI, fq. 103)

11. P.B. “Tè penſtenè dittè xxà Hyji, Te lèegnè Ujenaſc gixxè chiſc hichietè reſchianè, e gixxè chiƒc flutteron,...” I,V,13 (226)

Dr E.S. “Të pestën ditë tha Hyji: Të lindin ujërat (!) çdo gjë që hiqet rrëshënë (!!) dhe çdo gjë që fluturon etj.”
it. lat. “ Il quinto giorno Dixit deus: producant Aquæ reptile (et) volatile...”
A.M. “ Të pestën ditë tha Hyji: le të linden nga ujërat krejt çka hiqet rrëshqanthi dhe krejt çka fluturon...”

12. P.B.“... pèrta cujtuem gixxè Nierij i pèrſcpiricim,” I,V,13 (226)

Dr E.S. “... për ta kujtuar çdo njeri i pashpirtshëm...”
it. “... all' huomo Religioso di considerare...”
A.M. “ ... për ta marrë parasysh çdo njeri i përshpritshëm...”

13. P.B. “ ...se κiſc me εanè drittènè gixxè yjet...” I,V,19 (230)

Dr E.S. “ ... se do t'u jepte dritë gjithë yjeve...”
it. “ ... altrimenti eclisseria col suo lume tutte le Stelle...”
A.M. “ ... se do t'ua zinte dritën gjithë yjeve...”

14. P.B. “... ſmundinè as me hippunè ndè pèr tè randetè tyne, as me ſdrippunè ndè pèr tè leete vet...” I,V,28 (232)

Dr E.S. “...s'mund të hipin në rëndësinë e tyre as të zbresin në lehtësinë e vet...”
it. “... non puo dal loro peso esser depresso in giu...”
A.M. “... as s'mund të ngriten nga pesha e rëndë e tyre, as s'mund të zbresin nga pesha e lehtë e tyre...”

15. P.B. “... tè gniohè Tènèeonè vettème pèr Crijueſſitè vet...” I,IV,4 (238)

Dr E.S. “...ta njohë Tënëzonë vetëm përmes krijuesit të vet...”
it. “... riconosca Iddio solo per suo creatore...”
A.M. “...ta njohë Tënëzonë të vetmin për krijues të vet...”

16. P.B. “... chi mundetè me baam vepratè mira, e me fejyem...” I,VI,7 (240)

Dr E.S. “ ... që mund të bëjë vepra të mira e të sajojë...”
lat. “ ... capax virtutis & vjtijs, susceptibilis penae...”
A.M. “ ... që mund të bëjë vepra të mira e të fajësojë...”

17. P.B. “Pèrse Diali paκ tè κech, e dam mundetè me bam atij chi i largohetè: ma ſciumè tè κech mundetè me bam atij chijavitetè.”I,VII,5 (4) (254)

Dr E.S. “... sepse djalli pak të keq e dëm mund t'i bëjë atij që i avitet.”
it. “ poiche il Demonio poco danno puo fare a chi' gli leva l'occasione, ma molto piu, a che la porge.”
A.M. “Sepse djalli pak të keq e dëm mund t'i bëjë atij që i largohet, mirëpo, shumë të keq mund t'i bëjë atij që i afrohet.”

18. P.B. “ Pèr gni ſi Adami mbèt giaal Zotynè...” I,VI,20 (248)

Dr E.S. “ Posa lindi Adami, (Adami nuk lind A.M.) Zotynë...”
it. “... subito, che Adamo hebbe la vita Dio...”
A.M. “Posa u ngjall Adami, Zotynë...”

19. P.B. “... pèr se, lum aj Nierij chi mujti me fejyem, e nuκe fejej.” I,VII,12 (11) (258)

Dr E.S. “...sepse i lumi ai njeri që ka mundur të kalonte përtej (!) e nuk kaloi (!!)...”
lat. “ perche, Beatus Vir, qui potuit transgredi, (et) non est transgressus.”
A.M. “... sepse lum ai njeri i cili mundi të fajësojë e nuk fajësoi...”

Në fusnotën nr. 19 Dr E.S. shkruan: Te B(ogdani) “me sejyem e nuk sejej”. Kjo tregon se Dr E.S. gabimisht e kupton grafemën “f” si “” (“s”) prandaj konsultohet me fjalën latine transgressio ‑ kalim, kapërcim (H.L. dhe F.F. “Fjalor latinisht‑shqip” Rilindja Pr. fq.530). Këtu “transgredi” e ka kuptimin e kalimit të kufirit të lejueshëm, pra, ai i cili e kalon këtë kufi bën faj, fajëson. Sqarimin për këtë e jep edhe F.Bardhi, “Fjalorin latinisht ‑ shqip”, në faqen 175 (257) na del “transgredi ‑ Me baam cundre” . Edhe këtë fjalor e ka përgatitur për botim Dr E. Sedaj! Apo edhe D. Nikollë Gazulli në “Fjalorthin e ri” Tiranë, 1941 fq. 394 “ shkapërcim ‑ (...) 2. gabim kundra ligjës, lat. transgresio, it. transgresione”.


20. P.B. “ Zmirij Velaeenet bani me ſchelchyem Joſefnè ndaj tè mbraminè Velaa...” I,VII,19 (18) (262)

Dr E.S. “ Smira e vëllezërve bëri të shkëlqejë Jozefi, ndaj vëllait të parafundit...”
it. “L'invidia de fratelli rese cellebre Gioseppe, il penultimo...”
A.M. “Smira e vëllezërve bëri të shkëlqejë Jozefi, vëllai i parafundit...”

21. P.B. “Ata ani chi ma kxeλe na vien...” II,I,10 (272).

Dr E.S. “ Ajo që ma kthjellët na vjen...”
it. “ Quello, che più profondamente ci viene...”
A.M. “ Ajo që më thellë na vjen...”
(Te P.Bogdani, ashtu si edhe te Buzuku, Bardhi e Budi fjala “thellë” shkruhet gjithmonë si “kthellë”, “nkthellë” etj.)

22. P.B. “Pèr ſcembeltyrè, veme κetè, emenè Hieruſalem. Pèr hiſtorie, e Letteriſct ſcembeλen, e caλeeon, ſe anſctè gni Giytet. Tropologiſct, anſctè ſcembeltyra, e ſpijrtit mirè, chi ka pach ndè vetèhe. Alegoriſct; anſctè ſcembeltyra, e Chiſceſse, ò ſcpijrtenet Feſcimè saa janè mbè luftetè keſſaj jetè; eſſia ka pach me tè daſciunè, e tè ſcκuem ndèr vetehè. Anagogiſct anſctè ende ſcembeltyra, e ſpijrtenet mbè atè jetè, κe κanè pach, e n'guƒceλim gixxè aneſcit.” II, I, 57 (272).

Dr E.S. Të marrim për shembull emrin Jerusalem. Nga historia dhe letrarisht tregon se është një qytet. Tropologjikisht është shembëlltyra e kishës o e shpirtërave besimtarë se janë në luftë të kësaj jete, e cila ka paqe me dashuri dhe mirësinë. Anagogisht është edhe shembëlltyra e shpirtërave në jetë ku kanë paqe e ngushëllim të përgjithshëm."
it. “ Per essempio si porta questo nome Hierusalem; historicamente è nome della Città; tropologicamente è tipo dell' Anima fedele, la quale hà pace della coscienza; alegoricamente è figura della Chiesa militante nella quale è pace da ogni incorso, e molestia.”
A.M. “ Për shembull marrim këtë emër ‑ Jerusalem. Nga ana historike dhe letrare shembëllen e kallëzon se është një qytet. Tropologjikisht është shembëlltyra e shpirtit të mirë që ka paqe në ndërgjegje. Alegorikisht është shembëlltyra e Kishës apo e shpirtërave të feshëm, derisa janë në luftë të kësaj jete, e cila ka paqe e dashamnirësi. Anagogikisht është edhe shembëlltyra e shpirtërave në atë jetë ku kanë paqe e ngushëllim të gjithanshëm.”

23. P.B. “...gniè Kingi i Hyjit, chi baan fajetè Sceculit.” II,II,9

Dr E.S. “ Ja qengji i Hyjit që bart fjalët e botës.”
lat. “ Ecce Agnus Dei, qui tollit peccata mundi”
A.M. “ Ja Qengji i Hyjit që i bart fajet (mëkatet) e botës.”

25. P.B. “Prej Abramit dò veceſse tè giegiunitè...” II,II,18

Dr E.S. “ Prej Abrahamit kërkon vetëm përgjegjen, duke i thënë...”
it. “ ...da Abramo vuole solamente l'obbedienza dicendo...”
A.M. “Prej Abrahamit do vetëm dëgjueshmëri, duke i thënë...”

26. P.B. a) “ Sion dò me xxanè tè vumitè Roe, Judea do me xxanè cujtimij kxellè...” II,III,15 (308)

b) “Sion, chi dò me xxanè cujtimij kxeλè (...) Judea, chi dò me xxanè Rrèffim...” II,III,16 (310)
Dr E.S. a) “Sion do të thotë Vëzhgim, Judea do të thotë Kujtim i kthjelltë”
b) Sion do të thotë kujtim i kthjellët (...) Judea do të thotë Rrëfim."
it. a) “Sion vuole dire spekulatione, Giudea vuol dire confessione”
b) “Sion cioe speculatione (...) Giudea cione conffesione...”

A.M. Sedaj prapë gabon në kuptimin e fjalës “kthellë”, por nuk e vëren edhe lëshimin në tekstin origjinal të shtyllës shqip në të cilin është bërë këmbimi i domethënieve të emrave Sion e Judea. Si duket në shtyllën italisht është vënë drejt: “ Sion që do të thotë Mendim i thellë dhe Judea do të thotë Rrëfim.”


27. P.B. “... e kyy ſcruer me doretè vet Tinèeot...” II,IV,10 (320)

Dr E.S. “... e ky do të shkrumojë me dorë të vet: Tinëzot...”
lat. “... hic scribet ma(n)u (duket se është gabim teknik mungesa “n”-së në latinisht vër. A. M.) sua Domino...”
A.M. “... e ky i shkruar me dorë të vetë Tinëzot...”

28. P.B. “ ...ſe tue ndoxè Chieetè ndè laure...”III,V,2 (394)

Dr E.S. “... se duke ndodhur në qetësi e lavrë...”
it. “...che mentre Bovi aravano...”
A.M. “...se duke qetë në lavër (duke lëruar)...”

29. P.B. “ ... me tè nymeryemitè tijnaj jemi ſcendoſcunè...” III,IX,11 (428).

Dr E.S. “... me ironi të tij ( të Krishtit vër. A.M.) jemi shëndoshur...”
lat. “ ... livore eius sanati sumus...”
A.M. “... me të irnuarit e tij jemi shëndoshur...”

30. P.B. “ ... caleeuenè gni Stambè Rembje...” IV,II,1 (482).

Dr E.S. “ ... kallëzuan një shtambë me rremba...”
it. “...che li mostrarono una Urna a vaso di metallo...”
A.M. “...kallëzuan një shtambë të rremtë (prej bakri)...”

Fjalët që mbesin të pashpjeguara


a) Në fusnotën nr. 16 (në 16‑shen e dytë, sepse janë tri 16‑she 16, 16_ dhe prapë 16 (!)) për fjalën misterioze “leghe” thuhet: “Mbase ndonjë masë që përdor autori edhe në tekstin italisht ‑ leghe ‑ por për ne fjalë e panjohur.” Një fjalë e këtillë fare nuk është e panjohur as misterioze, as në shqip as në italisht, sepse në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” I, Prishtinë, 1981 fq. 958:

“Leg/ë‑a II f.sh. ‑A,‑AT. Masë gjatësie me vlera të ndryshme sipas vendeve, por më e madhe se dy milje. (E Bogdani thotë:”...giaƒctè mije, e trechind leghè, trij migliaƒc...“ d.m.th. e përcakton saktë gjatësinë e legës A.M.) Legë detare, masë gjatësie për udhëtimet detare e barabartë me 4,445 km ose 5,556.” Fjalorët tjerë ku mund të gjendet fjala legë:
“Fjalor i shqipes së Sotme” Tiranë, 1984, fq.598
“Fjalor italisht‑shqip” Tiranë, 1980 fq.192
“Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të huaja” M.Nreca, Prishtinë, 1986, fq.428 etj.

b) P.Bogdani: “...tue ſckuem me paghezim pèr mbij ujenatè ſcenjtenueme me 12. gurè tè 12. nejet, ò Articujtè ſcenjteſsè Fee...” II,I,22

Dr E.Sedaj “... duke shkuar me pagëzim përmbi ujërat e shenjtrueshme me 12 gurë të 12 gurëve o artikujve të shenjtës fe.”
it. “... passando col Battesimo sopra il Fiume dell' Acque Santificate, mediante li 12 sassi de 12 Articoli della fede.”
Si shihet, Dr E. Sedaj togfjalëshin e P.Bogdanit “me 12 gurè tè 12 nejet ò Articujtè...” e transliteron si “12 gurë të 12 gurëve o artikujve” Po të ishte, vërtet fjala për 12 gurë të 12 gurëve, P.Bogdani do ta shkruante 24 gurë.( Çdokush që e ka lexuar Biblën di për 12 gurët dhe për kalimin e lumit Jordan nga ebrenjtë, pa i lagur këmbët (Libri i Joshuas 3 dhe 4)). Por, përveç kësaj Dr E.S. jep edhe një shpjegim për këtë në fusnotën 36 duke thënë: “ Sipas tekstit ital. sassi, kurse te B.(ogdani) nejetë (duhet nejet jo nejetë A.M.).” Në të vërtetë vetëm bëhet një gabim, tash, edhe me fusnotë, sepse fjala nejet është vetëm shumësi i fjalës nyja dhe s'ka të bëjë fare me fjalën italisht sassi. P.Bogdani e jep në dy variante “nejet, ò Articujtè” pra “nyjat apo artikujtë” (it. articolo‑nyja). Prandaj një “transliterim në gjuhën e sotme” më i saktë do të duhej të ishte:
“...duke shkuar me pagëzim mbi ujërat e shenjtëruara me 12 gurë të 12 nyjave o artikujve të shenjtës fe.”

c) Shumësi i emrit turk‑u, që te Bogdani del në trajtën Turitë, Dr E.Sedaj, vazhdimisht në dy fusnota të veçanta të dy kapitujve të ndryshëm i shkruan se janë “gabime shtypi”, e në të vërtetë kjo është dukuri gjuhësore e shqipes."Prej Greqie Reinholdi dëshmon Turrivet “Turqvet” (...) Bardhi Apud Turcos Ndaj Turit (...) Bogdani Kallëzori Turitë Turchi..." (Dr E.Çabej "S.GJ." VI fq.139 dhe 140).


ç) Në poezinë që Lukë Bogdani ia përkushton kushëririt të tij Pjetër Bogdanit, janë edhe vargjet:

“Aleſſandr' i Max Darinè;
Scanderbeg' Scittoj Mberetnè;
E ndoch Sauli fort Davidnè;
Mbyti Giudit Holofernè."

vargun e fundit Dr E.S. e transliteron në gjuhën e sotme si:


“Mbyti Gjudit Holofernë”

dhe në fund të emrit Gjudit jep fusnotën 56_dhe thotë: “Te B.(ogdani) e gjejmë gjudhinjtë ‑ hebrenjtë.” Këtu, natyrisht, fare s'bëhet fjalë për hebrenjtë si popull, por këtu kemi të bëjmë me Juditën, heroinën ebreje e cila, për të shpëtuar vendlindjen e saj, Vetulinë, vrau gjeneralin asirian, Holofernin.

Agim MORINA


botuar në 'Rilindja' (botimi në Tiranë), 1996