(skicë për një punim më të gjerë)
Përkthimet e pasakta, shtjellimet e ngatërruara dhe hutuese
të neneve të Kushtetutës së Kosovës në gjuhë të ndryshme nxorën në shesh edhe
një herë nevojën e studimeve të thella krahasuese që duhet të bëhen në fushë të
shqipes, sidomos në raport me gjuhët tjera e veçanërisht me gjuhën angleze.
Kohët e fundit një pikë e nxehtë debati u bë shtjellimi i nenit 82 të
Kushtetutës së Kosovës që merret me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Përqendrimi kryesor i debatit u bë për foljet modale të gjuhës shqipe, të cilat,
me gjithë studimet e bëra deri sot, nuk janë studiu në gjerësinë e thellësinë e
duhur. Jo vetëm që mungon një klasifikim i plotë bashkëkohor, por edhe një
studim i duhur i ngjyrimeve të shumta kuptimore që mund të marrin foljet
modale. Kjo mungesë bjen në sy posaçërisht kur shqipes i duhet të ballafaqohet
me gjuhë të tjera, te të cilat klasifikimi dhe shpjegimi i funkcioneve të
foljeve modale ësht më i thellë e më i gjerë. Në këtë vijë, ballafaqimi i
shqipes me anglishten, fjala vjen, për shkak të lidhjeve politike, ekonomike e
kulturore me botën anglishtfolëse, ka shtu marrëdhëniet e ndërsjella dhe, si
pasojë, ka kriju edhe situata të paqarta e hutuese. Kjo ka ndodhë edhe me
përkthimin e Kushtetutës së Kosovës, që në shumë raste ka pikëlargesa nga teksti
në gjuhën angleze. Herë ka keqkuptime e kundërthënie kuptimore, herë ka fjalë
të anglishtes të lëna krejtësisht jashtë, pa u përkthy fare. Kjo, ka shkaktu e
po shkakton telashe në shtjellimin e drejtë të neneve, të paragrafeve apo të
pikave të Kushtetutës së Kosovës. Përkthimet shqip dhe serbisht janë jo vetëm
përkthime të pasakta, por kanë edhe kundërthënie logjike. Një fakt kryesor për
këtë ësht që teksti në anglisht i Nenit 82, fjala vjen, ësht i qartë dhe nuk lë
vend për mundësinë e shtjellimeve konotative, shumëkuptimore.
Le të shqyrtojmë pak tekstin në anglisht [nënviz. janë të
miat]:
“Article 82 [Dissolution of the Assembly]
1. The Assembly shall be dissolved in the
following cases:
(1) if the government cannot be established within
sixty (60) days from the date when the President of the Republic of Kosovo
appoints the candidate for Prime Minister;
(2) if two thirds (2/3) of all deputies vote in favor of
dissolution, the Assembly shall be dissolved by a decree of the
President of the Republic of Kosovo;
(3) if the President of the Republic of Kosovo is notelected
within sixty (60) days from the date of the beginning of the president’s
election procedure.
2. The Assembly may be dissolved by the
President of the Republic of Kosovo following a successful vote of no
confidence against the Government.”
Përdorimi i foljes modale “may” në fjalorin juridik
të anglishtes ka një dallim të madh me përdorimin e saj jashtëjuridik. Folja “may”,
sipas fjalorëve më autoritativë të anglishtes ësht folje modale me kuptimin a)
“me pohu që diçka është e mundur” b) “me kërku ose me leju”. Këto janë kuptimet
që dalin në përdorimin e rëndomtë. Në përdorimin specifik në fushën juridike
ndodh një zgjerim e ndryshim kuptimor. Dhe vetëm për këtë dukuri të ndryshimit
të intensitetit obligativ të kësaj foljeje modale janë bë një varg studimesh të
ndryshme nga autorë të ndryshëm. Po ashtu, ky zgjerim kuptimor shkon në drejtim
të shtimit të shkallës së detyrueshmërisë, gjë që paraqet një rëndësi të
veçantë për nenin që po e shqyrtojmë, megjithëse kjo detyrueshmëri, deri në
njëfarë shkalle, mund të vihet re edhe në përdorimin e rëndomtë. Fjala vjen,
nëse marrim dhe analizojmë dy fjalitë e mëposhtme do të shohim dallimin
kuptimor të detyrueshmërisë edhe në përdorim të rëndomtë:
a. You may take your ties off.
b. You may leave now.
Në dy fjalitë e mësipërme dallimi këtu ka të bëjë me
kontekstin brenda të cilit përdoret folja modale: kemi të bëjmë me dallimin
pragmatik dhe me dallimin semantik. Në shembullin a. “Ju bën me i heqë
kravatat.” kemi të bëjmë me një mundësi të zgjedhjes, me një kërkesë
krejtësisht të labërguar: personat munden me i mbajtë ose me i heqë kravatat.
Kjo mbetet në dorën dhe në vullnetin e tyre. Në disa gramatika kjo veti ësht
qujtë pafuqishmëri pragmatike. Ndërsa në shembullin e dytë: “Ti bën
me u largu tash.”kemi të bëjmë me fuqishmëri pragmatike. Në fjalinë
e dytë nuk lihet ndonjë zgjedhje për veprimin e caktuar. Pra, megjithëse
përdoret e njëjta folje modale “bën”, (në anglisht “may”),
shkalla e detyrimit ndryshon shumë dhe kjo përcaktohet nga konteksti.[1]
Duke qenë se fuqishmëria detyruese e foljeve modale
shkallëzohet, kjo shkallëshmëri ndahet edhe në folje modale epistemike
dhe deontike. Ana epistemike (nga greq. ‘njohuri’) trajton qëndrimin e
folësit kundrejt faktualitetit të shkuar apo të tashëm dhe lidhet me cilësimet
rreth njohurive të folësit për një situatë të caktuar. Fjala vjen:
a) Bën të jetë vonu. (përdorim epistemik)
Ndërsa ana deontike (nga greq. ‘detyrues, obligativ’) merret
me qëndrimin e folësit kundrejt aktualizimit në situata të ardhshme dhe këtu
kemi të bëjmë me vendosjen e një detyrimi apo ndalese, lejimi etj.:
b) Bën të qëndrosh/rrish. (përdorim deontik)
Duke qenë se gjendja deontike supozon një person, autoritet
apo konvencion prej nga kuptohet se vjen ky detyrim, aj quhet burim deontik.
Përkthimet në shqip e serbisht të aktit më të naltë juridik
të Kosovës jo vetëm që shpesh nuk dakordohen mes vete, por edhe shkaktojnë
hutesa e ngatërresa, prandaj anglishtja ësht dhe duhet të mbetet referenca
kryesore e tekstit të Kushtetutës së Kosovës. Këtë e pati pohu edhe vetë
hartuesi i Planit Ahtisaari, Marti Ahtisaari, në një rast, duke qenë se
Kushtetuta e Kosovës ësht produkt i drejtpërdrejtë i tij. Kjo asht arsyeja që
kur merremi me tekstin e Kushtetutës së Kosovës duhet t’i qasemi atij si një përkthimi
e jo një teksti origjinal. Këtë e dëshmojnë një varg shkarjesh që kanë ndodhë
në përkthimet shqip e serbisht, por jo në anglisht.
Neni 82
Çfarë thotë neni 82?
“Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]
1. Kuvendi [!] shpërndahet në këto raste:
(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga
dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk
mundtë formohet Qeveria;
(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat
(2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit
të Republikës së Kosovës;
(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga
dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet [sic! duhet zgjidhet]
Presidenti i Republikës së Kosovës.
2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i
Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.”
Mund të shihet qartë që fjalia e parë në anglisht që nis me
“1. The Assembly shall be dissolved...”
Në gjuhën shqipe ësht përkthy
“1. Kuvendi shpërndahet...”.
Folja modale “shall be”, që në anglishten juridike ka
një kuptim të qartë dhe të prerë detyrimi, domosdoje veprimi, ësht përkthy me
folje në të tashmen pësore “shpërndahet”, që në anglisht kish me qenë
“The assembly is dissolved...”. Dallimi kuptimor i detyrimit, i
obligimit në këso raste e mjegullon fuqishmërinë obliguese. Në anglishten
tradicionale ësht stabilizu përdorimi zyrtar me “shall (be)” (kjo folje
modale bashkë me modalen “may” në anglishten juridike statistikisht kanë
përdorimin më të shpeshtë nga të gjitha foljet tjera modale), duke iu shmangë
fjalës “must”, që nënkuptohet këtu, për shkak të përdorimit të një gjuhe
të veçantë formale.
“Secila nga modalet “shall” dhe “will” përdoret për me
shprehë kuptime modale dhe me shenju kohën e ardhshme. Por, “shall” rrallë
përdoret për me tregu kohën e ardhshme. “Shall” ësht modale që përdoret me i
vendosë një detyrim (obligim) kryefjalës së fjalisë“Secila nga modalet “shall”
dhe “will” përdoret për me shprehë kuptime modale dhe me shenju kohën e
ardhshme. Por, “shall” rrallë përdoret për me tregu kohën e ardhshme. “Shall”
ësht modale që përdoret me i vendosë një detyrim (obligim) kryefjalës së fjalisë.
Në kontratat juridike ajo ka kuptimin “ka për detyrë me”. Juristët prihen me iu
shmangë përdorimit të modales “must”, sepse e marrin si tepër autoritare.”[2]
[nën. imi]
Përkthimi më i përshtatshëm shqip do të duhej me qenë:
“Kuvendi lypet të shpërndahet...” ose “Kuvendi do shpërndarë...”,
për me shprehë kuptimin e barazvlefshëm të foljes modale në anglishte duke qenë
se folja “lypet” apo ndërtimi “do + pjesore” shprehin shkallën më të naltë të
detyrimit në gjuhën shqipe. Nëse marrim parasysh kontekstin, - gjë që ësht me
rëndësi të veçantë në përcaktimin e shkallës së detyrueshmërisë për foljen
modale “shall”, kjo del krejt e qartë, për shkak të intencës
legjislative që vihet re në nenin 82.1. E njëjta gjë vlen edhe për foljen
modale “may”. Këtë e shpjegim e japin shumë fjalorë juridikë, ndër ta
edhe një nga fjalorët më autoritativë në botën anglo-saksone “Black's Law
Dictionary”:
“may, (para shek.. XII) 1. Me (iu) leju “paditësit
i lejohet me përmbyllë”. 2. me pasë njëfarë mundësie“ne mund të
fitojmë/bën të fitojmë në apel”. 3. Me kuptim të lirshëm, kërkohet; duhet
doemos; lypet; “nëse dy apo më shumë të pandehur akuzohen bashkë, cilido
nga të pandehurit, po kërkoi kështu, lypet me u gjyku ndarazi”. “nëse dy apo më
shumë të pandehur akuzohen bashkë, cilido nga të pandehurit, po kërkoi kështu,
lypet me u gjyku ndarazi”. Në duzina rastesh, gjykatat kanë konsideru foljen
modale “may” me qenë sinonime me foljen modale “shall” apo “must”, zakonisht në
përpjekje për me zbatu intencën legjislative.[3]
[nën. imi]
Duke qenë se një nga faktorët vendimtarë pse foljet modale
ndërrojnë intensitetin e detyrueshmërisë ësht edhe konteksti, rasti me
paragrafin 2 të nenit 82 ësht shumë ilustrativ. Këtu folja modale “may”
merr kuptim detyrues pasi gjithë neni 82 bën fjalë për veprime detyruese që nga
fillimi deri në fund. Në çdo paragraf e pikë të këtij neni bëhet fjalë për
shpërndarjen e Kuvendit, e për pasojë, shkuarjen në zgjedhje të reja. Kjo vjen
ngaqë nuk ka ndonjë alternativë tjetër për mundësinë e funksionimit të organeve
legjislative dhe ekzekutive të Kosovës. Udhëzimet për shpërndarjen e Kuvendit
jepen në formë urdhërore. Ato degëzohen në tri opcione të mundshme: 1. nëse
qeveria nuk formohet brenda 60 ditësh; 2. nëse për shpërndarjen e Kuvendit
votojnë dy të tretat (2/3) e deputetëve; dhe, nëse brenda afatit prej
gjashtëdhjetë (60) ditësh nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës. Në
këto tri paragrafe nuk ka asnjë dilemë që Kuvendi lypet me u shpërnda
dhe folja modale “shall be” e anglishtes nuk len asnjë dyshim për këtë
dhe, logjikisht e juridikisht, nuk mbetet mënyrë tjetër për zgjidhjen e një
situate të këtillë: pa qeveri, pa Kuvend apo pa president nuk ka funkcionim
normal të shtetit. Prandaj, këtu “shall be” (“lypet”) paraqet detyrimin
maksimal, të domosdoshëm dhe të pashmangshëm.
Arsyeja, prandaj, që ësht shkru edhe paragrafi 2 ësht që
derisa burim deontik në 3 pikat e paragrafit 1 nuk ësht kryetari i
shtetit, por faktorë jashtë tij, në paragrafin 2 kryetari i shtetit mbetet ta
bëjë këtë, pra, aj bëhet burim deontik. E tërë kjo ësht bë për arsyen e
vetme që të mos ndodhë çfarëdo bllokade në ndonjë situatë apo rrethanë të
paparashikueshme. Dmth. nëse nuk ndodh asnjë nga situatat e parashikuara në 3
pikat e paragrafit 1, atëherë këtë lypet – jo duhet, as mundet, as
nevojitet etj. – ta bëjë presidenti. Presidentit nuk i lihet ndonjë zgjedhje:
ose do të ndodhin ato që janë parashiku në paragrafin 1, ose, nëse ndodh diçka
e paparashkueshme, atëherë aktivizohet paragrafin 2, me të njëjtën fuqi
detyruese. I analizuar brenda kontekstit, gjithë neni 82, edhe paragrafët 1
edhe 2 shtrojnë kërkesë të detyrueshme për marrjen e një vendimi për zgjidhjen
e tri situatave të parashikuara: paragrafi 1 - pa veprimin e drejtpërdrejtë të
presidentit dhe paragrafi 2 - kur duhet këtë duhet ta bëjë drejtpërdrejt
presidenti. Presidenti në këtë rast merr një rol vendimtar vetëm për shkakun e
thjeshtë sepse bëhet burim deontik, aj bëhet vepruesi i domosdoshëm, duke qenë
se nuk ka mekanizëm tjetër që e zgjidh këtë.
Nëse kuptimisht do të kishte pasë anim kah kuptimi lejues e
jo detyrues i foljes modale “may” , gjithsesi do të përdorej modalja “can”,
që ka kuptim të qartë për të barasvlefshmen shqipe “mund”.
Fjalia e dytë e kësaj periudhe shpreh qartë shkak-pasojën:
nëse ndodh e para, dmth. votohet me sukses një mocion mosbesimi ndaj qeverisë,
atëherë lypet me ndodhë e dyta, shpërndarja e Kuvendit nga presidenti. Kjo për
shkak se Kushtetuta ka parashiku që rezultati i një votëbesimi ndaj qeverisë
nuk ësht në dorën e presidentit, por nëse ndodh vota e mosbesimit, presidenti
ësht autoriteti që lypet me bë shpërndarjen e Kuvendit.
Karakterin e këtillë deyrues të foljes modale specifikisht
si diskrecion ligjor e shpjegon edhe studiuesi, Ross Charnocku, në një artikull
që tij që trajton pikërisht këtë folje modale në rolin detyrues sikurse “must”:
"Folja modale këtu shihet se më parë ofron një të
drejtë, sesa që vendos një obligim. Herë pas here shtrohet pyetja nëse, në
rrethana të veçanta, pushtetari, në këtë rast autoriteti vendor, mund të jetë i
obliguar me ligj të veprojë sipas statutit përkatës, dhe - nëse po - atëherë si
dhe në ç’kuptim bën të mundur që shprehjet, si may, do të mund të thuhej
se imponojnë një detyrim. Gjykata të ndryshme kanë konsideru që në rrethana të
caktuara vërtet mundet me pasë një detyrim për me ushtru një diskrecion
ligjor. . Në raste të tilla, statutorja maythuhet se ka një kuptim
detyrues të ngjashëm me must.” [4]
[nën. imi]
Ndërsa revista amerikane “Ndërtime dhe shtjellime statutore” që boton vështrime
e trajtime ligjore në Kongresin Amerikan shpjegon shkoqur edhe anën
kontekstuale të ndikimit të ndërsjellë të foljeve modale “shall” dhe “may”,
në rritjen e intensitetit obligativ, kur ato përdoren bashkë në një tekst,
pikërisht ashtu qysh ndodh me nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës:
“Përdorimi i “shall” dhe “may” në statute po ashtu pasqyron
përdorimin e rëndomtë; zakonisht “shall” ësht detyrues dhe “may” lejues. Këto
fjalë, megjithatë, duhet të lexohen në kontekstin e tyre më të gjerë statutor.
Çështja shpesh qëndron në faktin nëse vetë direktiva statutore ësht detyruese
(mandatare) apo lejuese (permisive). “Përdorimi i “shall” dhe “may” në statute
po ashtu pasqyron përdorimin e rëndomtë; zakonisht “shall” ësht detyrues dhe
“may” lejues. Këto fjalë, megjithatë, duhet të lexohen në kontekstin e tyre më
të gjerë statutor. Çështja shpesh qëndron në faktin nëse vetë direktiva
statutore ësht detyruese (mandatare) apo lejuese (permisive). Përdorimi i të
dyja fjalëve në një klauzolë të njëjtë mund të theksojë kuptime të ndryshme dhe
shpesh konteksti do të konfirmojë nëse ësht synuar kuptimi i rëndomtë i njërës
apo tjetrës. Herë pas here, sidoqoftë, konteksti e tejkalon kuptimin e
rëndomtë.”[5]
[nën. imi]
Ndërsa fjalori juridik onllajn jep këtë shpjegim:
may 1) zgjedhje për me vepru ose jo, ose premtim i
një mundësie, e cila dallohet prej “shall”, që e kthen në urdhërore
(imperative). 2) në statute dhe ndonjëherë në kontrata, fjala “may” lypet me
u lexu në kontekst nëse ka domethënien se një akt ësht opcional apo detyrues
(mandatar), sepse mund të jetë urdhërore (imperative). Një analizë e njëjtë e
kujdesshme lypet me u bë edhe për fjalën “shall”. Ata që nuk janë juristë
prihen me e pa fjalën “may” e me mendu se kanë mundësi zgjedhjeje ose se mund
të mos i ndjekin disa klauzola apo rregullore statutore.[6]
[nën. imi]
Mund të konkludohet, pra, që përkthimi shqip dhe leximi në
kontekst i nenit 82, duke marrë parasysh edhe kontekstin juridik të tekstit të
Kushtetutës do të mund të përkthehej kështu:
Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]
1. Kuvendi do shpërndarë në këto raste:
(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, nga
dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund
të formohet Qeveria;
(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat
(2/3) e të gjithë deputetëve, do shpërndarë me dekret të Presidentit të
Republikës së Kosovës;
(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga
dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i
Republikës së Kosovës.
2. Kuvendi lypet të shpërndahet nga Presidenti i
Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
Ësht e vërtetë që e tashmja pësore në gjuhën shqipe ka edhe
ngjyrime detyrimi (obligimi), por folja modale e shqipes “do” afrohet
edhe me kuptime më të gjera pikërisht me foljen modale në anglisht “shall”,
që në zanafillë kanë kuptimin e së ardhshmes dhe dallohen qartë nga folja
modale “mund”. Ajo ka edhe fuqinë të shprehë domosdoshmëri:
“Fjalitë dëftore mund të kenë edhe modalitet të
domosdoshmërisë, të tregojnë një fakt, qenia a mosqenia e të cilit diktohet nga
faktorë të jashtëm ose nga shtysa të brendshme të folësit (në këtë rast të
fundit fjalia dëftore afrohet me fjalinë nxitëse): Do parë kjo punë.”[7]
Në paragrafin 2 folja modale “lypet” e bart shumë
qartë fuqinë detyruese deontike. Mirëpo, këtu edhe nëse do të përdorej folja
modale “bën” për “may”, do të duhej me u kuptu që ka një fuqi
detyruese sikurse “lypet”, ashtu qysh u argumentu më sipër në fjalorët
juridikë sa herë që bëhej fjalë për foljen modale “may” të gjuhës
angleze.
9 prill 2020