Saturday, February 01, 2025

Agim MORINA - DËSHTIMI I OHRIT DHE TAKTIKA E DETYRIMIT


Një gjë mund të thuhet qartë: takimi në Ohër ishte dështim i BE-së. Borrelli dhe Lajčáku bënë gjithçka për me shpëtu çka mundën, për me paraqitë edhe këtë dështim si një hap në vargun e hapave të marrëveshjes. Një nga arsyet kryesore të dështimit është qëndrimi proserb i “lehtësuesve” të BE-së, Borrellit dhe Lajčákut. Ata po e mbajnë haptazi anën e Vučićit dhe po përpiqen me mish e me shpirt m’ia imponu Kosovës kërkesat e Serbisë. Nëse kryeministri Albin Kurti do të refuzonte me nënshkru, jo dy herë, por vetëm një herë, çifti Borrell-Lajčák do të qortonin ashpër Kosovën dhe do të bënin gjithçka që ta nxinin figurën e kryeministrit Kurti si “jobashkëpunues” dhe “jokonstruktiv”. Po të ishin neutralë, ata do të duhej ta kishin kritiku ashpër Vučićin për sjelljen shpërfillëse dhe arrogante të deritashme. Përkundrazi, ata jo vetëm që nuk po thonë asgjë kundër Vučićit, por ata po përpiqen me paraqitë këtë dështim si sukses të radhës, duke përshtatë pikat e çdo deklarate kërkesave të Serbisë.
Taktika e deritashme e kryeministrit Kurti, qasja parimore dhe konstruktive, po bën që të shfaqet fytyra e vërtetë pajambajtëse e “lehtësuesve” të BE-së, bashkë me lojën destruktive të Vučićit. Fakti kryesor që dëshmon dështimin e këtij takimi është mosnënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje nga ana e Vučićit. Kjo është hera e dytë që Vučići e bën këtë dhe Serbia nuk merr asnjë vërejtje. Për më pak Kosova, nga Borrelli dhe Lajčáku, quhej “jokonstruktive”.
Por le të mos ngutemi. Ishte dështim ngaqë kështu e deshën Borrelli dhe Lajčáku, si duket në marrëveshje me Vučićin. Gjithë ky teatër, kjo gurgule, u organizu me idenë që do të nënshkrunte Albin Kurti. Ata prisnin një veprim të ngjashëm, ashtu qysh ishin mësu më përpara me dialoguesit naivë shqiptarë.
Në fjalën e tij para gazetarëve, pas takimit në Ohër, Vučići e tha haptas se pala shqiptare duhet të zbatojë pikat e marrëveshjeve të mëparshme, sepse “është dokument i nënshkruar. Nuk mundesh me ardhë te unë e me thënë se ti nuk e ke pranu, ti nuk po nënshkrun. Shkaku që nuk po nënshkruj, është që unë nuk më lypset me përmbushë diçka që nuk nënshkruj. Ju (shqiptarët) keni nënshkru, prandaj lypset ta përmbushni.”
Pra, Vučići shpresonte se edhe kësaj here pala shqiptare do të nënshkrunte. Por kjo nuk ndodhi. Kështu, “lehtësuesit” e BE-së në vend që ta ndëshkonin Serbinë, morën rolin e palës së tretë negociuese dhe jo të ndërmjetësit, pasi Borrelli tha se Kosova ka marrë përsipër zbatimin e nenit 7. “Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë – dhe kur them “menjëherë” e nënvizoj “menjëherë” – tha Borrelli para gazetarëve - negocimin për të siguru një nivel të vetëmenaxhimit (vetëmbarështimit) për bashkësinë serbe në Kosovë.” Dhe pastaj foli për të zhdukurit. Dmth. sapo doli para gazetarëve Borrellli vuri në zbatim ndërrimin e “rendit të paragrafëve”. Jam i bindur që këtë do ta bëjë edhe në ditët e ardhshme, duke u përpjekë m’ia imponu Kosovës agjendën e Vučićit.
Para manovrimeve destruktive të Vučićit, “lehtësuesit” europianë, jo vetëm që nuk po e çelin gojën, ata edhe po e ndihmojnë, duke bë presion vetëm mbi palën shqiptare. Pala shqiptare dy herë po ngul këmbë që të dyja palët të nënshkrujnë marrëveshjen. Kjo nuk po ndodh, për shkak të palës serbe.
Sidoqoftë, krahasimi i projektit të Aneksit të publikuar ditë më parë, me 28 shkurt, dhe Aneksit të sotëm, 18 mars, tregon se pala shqiptare e Kosovës ka bë disa ndryshime pozitive. Vetë Borrelli e pranoi se kishin pasë një dorë “një projekt më ambicioz”, por se ishin detyru me ndërru.
E para, janë heqë afatet e prera të vendosura vetëm për palën shqiptare të Kosovës. Fakti që Vučići nuk vuri nënshkrimin, pika dy, ku përmendet “nënshkrimi i Marrëveshjes”, u zhvlerësu.
E dyta, në pikën tre tashmë flitet për “detyrimet e reja të Serbisë”, gjë që nuk zihej në gojë në projektin e publikuar me 28 shkurt.
E treta, nuk përmendet më specifikisht Kisha Ortodokse Serbe, as “kanali i komunikimit”, as “financimi nga Serbia”.
Në pikën 4 të projektit të 28 shkurtit flitej për “draftin e parë të Statutit” për “vetëmenaxhimin (vetëmbarështimin)” e bashkësisë serbe. Tash, pika e radhës është dakordimi për “Deklaratën e personave të Zhdukur”. Për “vetëmenaxhimin (vetëmbarështimin)” flitet në pikën e radhës, por pa përmendë asgjë specifike rreth statutit.
Pika për formimin e një Komiteti Monitorues për zbatimin e Marrëveshjes mbetet i njëjtë.
Problematike për Kosovën munden me qenë pikat 8 dhe 9. Ngaqë aty thuhet se “(8 ) Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri” dhe se “ (9) rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk paragjykon rendin e zbatimit të tyre”.
Këto dy pika janë pikërisht ato që kundërshton Kurti dhe që kërkon Vučići. Kurti vazhdimisht thotë se pika për njëfarë asociacioni ishte “e dhjeta për nga rendi” dhe se duhej diskutu e zbatu pikat me rend, nga fillimi. Në Aneksin e 18 marsit janë shtu këto dy pika si një kundërshtim për pretendimet e Kurtit, sepse tani thuhet se “të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri” dhe se “rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk paragjykon rendin e zbatimit të tyre”. Këto fjalë për fjalë bien ndesh me kërkesën e Kurtit dhe plotësojnë kërkesën e Vučićit.
Lehtësuesit e BE-së, Borreli e Lajčáku, që gjatë gjithë kohës nuk e kanë fshehë animin kah Vučići dhe kritikën e pabalacuar ndaj Kurtit, tani kanë vënë si pikë që “rendi i paragrafëve” nuk do të jetë me rëndësi. Kështu, nuk është çudi që në ditët e ardhshme Borrelli dhe Lajčáku kanë me vënë në krye të këtij rendi “të lirë” asociacionin e bashkësisë serbe, pastaj çështjen e Kishës Ortodokse Serbe etj.
Në këtë mënyrë “lehtësuesit” pro-serbë të BE-së, Borrelli dhe Lajčáku, vërtet e kanë heqë nga pikat përmendjen e asociacionit, të Kishës Ortodokse Serbe, “kanalit të komunikimit” dhe “financimin nga Serbia”, por tash ia kanë lënë vetes duart e lira me vendosë “rendin e paragrafëve”, sepse në pikën 5 të Aneksit përmendet neni 7 i Marrëveshjes Themelore. E neni 7 i përfshin të gjitha këto detyrime vetëm të Kosovës dhe asnjë të Serbisë. Në këtë mënyrë, lehtësuesit e BE-së ia kanë dhënë vetes autorizimet e nevojshme për mos me i lënë mundësi palës shqiptare të Kosovës që të kundërshtojë diçka me të cilën është dakordu tashmë. Pra, ajo që deri në këtë Marrëveshje si palë për Kosovën ishin Vučići e Serbia, tash e tutje kanë me qenë Borrelli, Lajčáku e BE-ja.
Dhe ky pozicion nuk do të jetë i lehtë për Kosovën.
Në fund mirë është të theksohet se çështja e “vetëmenaxhimit” (vetëmbarështimit) si term, është kreativ dhe mjaft i dobishëm, por vetëm nëse substanca e këtij termi do të reflektohet si e tillë edhe në praktikë. Përndryshe do të mbetet vetëm lojë fjalësh.
* * *
Annex to the Agreement on the Path to Normalisation of Relations between Kosovo and Serbia
18.03.2023
Ohrid
EEAS Press Team
• This Annex constitutes an integral part of the Agreement.
• Kosovo and Serbia fully commit to honour all Articles of the Agreement and this Annex, and implement all their respective obligations stemming from the Agreement and this Annex expediently and in good faith.
• The Parties take note that the Agreement and the Implementation Annex will become integral parts of the respective EU accession processes of Kosovo and Serbia. The Parties note that immediately after the adoption of the Agreement and this Annex, the EU Facilitator will start the process to amend the Chapter 35 benchmarks for Serbia to reflect Serbia’s new obligations stemming from the Agreement and this Annex. The agenda of Kosovo’s Special Group on Normalisation will equally reflect Kosovo’s new obligations stemming from the Agreement and this Annex.
• The Parties agree to endorse the Declaration on Missing Persons, as negotiated under the EU-facilitated Dialogue, as a matter of urgency.
• To implement Article 7, Kosovo launches immediately negotiations within the EU-facilitated Dialogue on establishing specific arrangements and guarantees to ensure an appropriate level of self-management for the Serbian community in Kosovo, in compliance with relevant previous Dialogue agreements as determined by the EU Facilitator.
• The Parties agree to set up a Joint Monitoring Committee, chaired by the EU, within 30 days. The implementation of all provisions shall be ensured and supervised by the Joint Monitoring Committee.
• To implement Article 9, the EU will organise a donor conference within 150 days to set up an investment and financial aid package for Kosovo and Serbia. No disbursement will happen before the EU determines that all provisions of the Agreement have been fully implemented.
• Kosovo and Serbia agree that all Articles will be implemented independently of each other.
• The order of the paragraphs of this Annex is without prejudice to the order of their implementation.
• Kosovo and Serbia agree not to block implementation of any of the Articles.
• All discussions related to implementation of the Agreement will take place under the EU-facilitated Dialogue.
• Kosovo and Serbia recognise that any failure to honour their obligations from the Agreement, this Annex or the past Dialogue Agreements may have direct negative consequences for their respective EU accession processes and the financial aid they receive from the EU.
* * *
Aneks i Marrëveshjes për udhën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
18.03.2023
Ohër
Ekipi i Shtypit i EEAS
• Ky Aneks përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.
• Kosova dhe Serbia zotohen plotësisht që të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë punëmbarueshëm dhe me mirëbesim të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që burojnë nga Marrëveshja dhe ky Aneks.
• Palët kanë parasysh që Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët vërejnë se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe të këtij Aneksi, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për me i ndryshu standardet e Kapitullit të 35 për Serbinë për me i pasqyru detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.
• Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si një çështje urgjente.
• Për me zbatu nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për me siguru një nivel të duhur të vetëmenaxhimit (vetëmbarështimit) për bashkësinë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga Lehtësuesi i BE-së.
• Palët bien dakord që të formojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.
• Për me zbatu nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për me kriju një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe për Serbinë. Asnjë derdhje e parave (disbursim) nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatu krejtësisht.
• Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
• Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk paragjykon rendin e zbatimit të tyre.
• Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos bllokojnë zbatimin e asnjërit prej këtyre neneve.
• Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
• Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, nga ky Aneks ose nga Marrëveshjet e Dialoguara në të kaluarën mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative në proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe në ndihmën financiare që ata marrin nga BE-ja.
(Përk. A.M.) (Publiku në fejsbuk: 19 mars 2023)

Agim MORINA - JOSEPH BORRELLI APO ALI SHUKRIJA I KATALONISË

 




Joseph Borrelli asht katalonas dhe politikan me bindje të majta. Por, me gjithë këto veçori. që do të supozohej me qenë pozitive për ne si shqiptarë, - dmth. një katalonas do të duhej me e kuptu ma lehtë hallin e një shqiptari të Kosovës, - Borrelli asht një Rrahman Morinë i Katalonisë, një Sinan Hasan apo Ali Shukrija. Baba i tij ka qenë i burgosun prej regjimit fashist të Francos, por vetë Josephi kishte ambicie të tjera. Në fushën akademike, depërtoi nga një mësues i thjeshtë deri te titujt akademikë në matematikë e ekonomi.
Ambiciet e tija politike, natyrisht, e kanë ba me harru burgun e babës, regjimin e egër fashist të Francos dhe trajtimin e pabarabartë të katalonasve nën këtë regjim. Le të përkujtojmë: katalonasit kanë qenë të trajtuem nga regjimi spanjoll sikurse shqiptarët nga regjimi serb. Gjuha katalonase ka qenë e ndalueme, nuk asht leju me u mësu në shkolla, as me u shtypë libra në këtë gjuhë dhe, për ma tepër, fëmijët nuk janë leju me u pagëzu me emna katalanë (sikurse shqiptarët në Maqedoni gjatë vjetëve ‘80 e ’90 të shek. XX). Ajo që quhet “luftë civile e Spanjës”, në Kataloni ka qenë luftë kundër pushtuesit spanjoll. Kjo asht edhe arsyeja që Katalonia ka pagu çmimin ma të naltë të kësaj lufte dhe ka dalë ndër rajonet ma të shkatërrueme nga kjo luftë.
Vetëm mbas vdekjes së fashistit Franko, me 1975, Katalonia ia doli me marrë një autonomi politike e kulturore me kushtetutën e vitit 1978, pra, 4 vjet mbas autonomisë së Kosovës në Jugosllavi. Në vitin 1983 forca policore katalanase që quhen 'Mossos d’Esquadra' hynë nën komandën e Gjeneralitetit (njësisë politike autonome të Katalonisë), por kjo forcë u neutralizu mbas referendumit të 1 tetorit 2017 dhe kur me 27 tetor 2017 u shpall deklarativisht pavarësia e Katalonisë qeveria qendrore pezulloi Këshillin Egzekutiv dhe shpërndau kuvendin. Mirëpo, në zgjedhjet lokale që u shpallën së shpejti, partitë pro pavarësisë fituen zgjedhjet. Kryetari i Katalonisë, Carles Puigdemonti, dhe pesë ministrat e kabinetit të tij u arratisën nga Spanja dhe kërkuen strehim politik, ndërsa ata që mbetën, si Oriel Junquerasi, u dënuen me burgime për “kryengritje” dhe “shpërdorim fondesh publike”. Jemi në fillim të shekullit XXI dhe krejt këto ndodhin brenda një shteti të BE-së!
Një nga faktet që tregon ngjashmëninë e veprimeve fashiste të Spanjës asht edhe rasti i kryetarit të Katalonisë nga viti 1934 e gjatë gjithë Luftës Civile në Spanjë, Lluís Companysi, i cili u arrestu prej nazistëve në Francë (në atë kohë e pushtueme nga Gjermania naziste) e iu dorëzu spanjollëve fashistë të Francos. Aj u torturu e u egzekutu me 1940 në Barcelonë. Një trajtim të ngjashëm patën edhe politikanët e Katalonisë në vitin 2017, kur u detyruen me ikë në shtetet e tjera të BE-së e me kërku strehim politik, mbas referendumit gjithëpopullor për pavarësi që u mbajt në Kataloni. Dallimi i vetëm asht që këta të fundit ende nuk janë torturu dhe dhe nuk janë egzekutu.
Nëpër të gjitha këto ngjarje, Sinan Hasani apo Ali Shukrija i Katalonisë, Joseph Borrelli, biri i një bukëpjekësi, kaloi pa therë në kambë. Për ma tepër u ngjit edhe ma shpejt shkallëve të karrierës politike. Karrierën e nisi si ministër i financave me 1982 në qeverinë e Felipe Gonzalezit. Në këtë kohë plasi një skandal: dy bashkëpunëtorët e tij ma të ngushtë kishin marrë miliona nga një kompani që kishte kërku me i ikë taksave.
Zgjedhja ma e mirë për Borrellin, mbas këtij skandali, ishte me u largu nëpër zyrat burokratike europiane. Aty u zgjodh kryetar i Parlamentit Europian 2004-2007 dhe mbeti si deputet deri me 2009. Borrelli asht federalist europian, që synon një Europë ma të centralizueme. Ky qëndrim shfaq një problem të kandvështrimit të tij kundërthanës: një Europë mundet me qenë ma e bashkueme, por vetëm tue qenë ma e barabartë dhe jo ma e pabarabartë. Katalonasit, baskët, shqiptarët e barabartë me kombet e tjera munden me kriju një Europë të fuqishme. E kundërta asht e pamundun. Këtë e ka dëshmu çdo njësi federale politike e krijueme ndonjëherë.
Pasi doli nga Parlamenti Europian Borrelli u ba anëtar i bordit të kompanisë 'Abengoa' dhe kryetar i Institutit Universitar Europian në Firencë. Mirëpo, me i mbajt këto dy poste krijonte konflikt interesi, prandej mbas dy vjetësh iu desh me dhanë dorëheqje.
Dhe nuk ishte vetëm kjo kundërshti në punët e tij: në vitin 2018 regulatori i bursës në Spanjë (CNMV) sankcionoi Borrellin për shkak të shitjes së aksioneve prej 9 mijë eurosh që i takonin ish-grues së tij. Shitja kishte ndodhë në nandor 2015, në muejin e njëjtë kur kompania kishte nisë procedurat e falimentimit, gja që kishte shaktu ramje marramendëse të vlerës së aksioneve. Borrelli pranoi se shitja kishte qenë “gabim”, por këmbënguli se aj vetë nuk kishte përfitu kurrgja. Mbas krejt këtyre ngjarjeve aj iu kthy punës në universitet. Mirëpo shpëtimi i radhës erdhi me fitoren e socialistëve spanjollë me 2018 dhe kryeministri Sánchezi.
Ringjallja politike e Borrellit nuk erdhi vetëm për shkak se përkrahu Sánchezin, por për shkak se kishte marrë tashma një qëndrim të qartë kundër pavarësisë së Katalonisë. Skenës politike të Spanjës i duhej një palaço katalanas që do ta luante rolin e “balancuesit”, ngaqë katalonasit ishin ma të bashkuem se kurrë ma parë me synimin për pavarësi. Dhe për këtë qëndrim Borrelli u shpërbly me postin e ministrit të Jashtëm. Sapo e mori postin, nisi edhe fushatën pro-spanjolle, - në thelb anti-katalonase - tue kriju një agjenci në ministrinë e tij të qujtun Spanja Globale, ku promovohej reputacioni i Spanjës në botën e jashtme, reputacion që kishte ra poshtë me reagimin ndaj vullnetit të katalonasve të shprehun me referendum. Për ma tepër Borrelli ngriti edhe një aktakuzë kundër qeverisë autonome të Katalonisë ngaqë kishte kriju lidhje “me botën e jashtme”.
Për shkak të ambicieve të sëmuta politike, Borrellit i erdhi një goditje nga vetë katundi i lindjes. Dy të tretat e katundit katalan, La Pobla de Segur, votuen për pavarësinë e Katalonisë. Dhe ashtu qysh ndodh me çdo faqezi tjetër që vepron në kundërshti me vullnetin e popullit të vet, edhe bashkëfshatarët e Borrellit organizuen referendum për heqjen e pllakës me emnin e tij nga një rrugë e katundit, ku e kishin vu ma përpara për nder të tij. Ndërsa qeveria e Katalonisë u ka shkru letra të shumta deputetëve të Parlamentit Europian dhe qeverive të BE-së me akuzën se Borrelli po përdorte spiunazhin për me i mbikëqyrë misionet e jashtme të Katalonisë.
Edhe në rrethet politike Borrelli njihet si njeri që nuk ngurron me përdorë gjuhë të randë e me shpërthy prej zemërimi. Ky, gjithsesi, nuk asht një virtyt për një diplomat. Por i ka hije një aparatçiku, një arroganti sahanlëpimës që ndrydh besnikërisht atë që asht përfundi, për m’ia ba qejfin atij që e ka përsipri dhe që e shtyp atë vetë. Ky lloj i shërbëtorit të shërbëtorit asht njeriu i fundit që u desh me qenë pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe të ashtuqujtunës Serbi. Por, ndonjëherë, nëse loja luhet mirë, një aparatçik i llojit të Borrellit, një Ali Shukrija katalonas, mundet me shërby për të mirë: nëse as ky nuk mundet me i shty përpara agjendat e Serbisë klerofashiste, atëherë përfitimi politik i Kosovës ka me qenë shum ma i mundshëm, sepse nuk ka me pasë dëshmi ma të fuqishme se kjo për burokratët e zyrave të përfenduna europiane se Kosova asht në të drejtën e vet dhe nuk ban kompromis me këtë të drejtë. (Publiku në fejsbuk: 22 gusht 2022)

Agim MORINA - LAJČÁKU - ISH-KOMUNISTI I ZELLSHËM ‘ME TETËVJEÇARE’




'NJERIU YNË NË MOSKË'

Miroslav Lajčáku mun me qenë shembulli ma i mirë i asaj thanieje që qengji i mirë - dhe kalkulant - thith dy nana. Një karrierist nuk ka shenjë ma të dallueshme, sesa kur shihet se si i ndërron bindjet mbrenda nate, për me mujtë me thithë edhe ma shum se dy nana, nëse i shfaqet një shans i tillë.
I lindun e i rritun në një qytezë të largët nga kryeqyteti i vendit të vet, Lajčáku, si 15 vjeç u shpërngul me familje në Bratisllavë. Si djalosh ambicioz, megjithëse në horizont kishte nisë me u nëpërdukë lëkundja e regjimit komunist, me 1982, djalë 19-vjeçar, bahet anëtar i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, i asaj partie kukull sovjetike që ia shkeli atdheun me tanke kur aj ishte 5 vjeç. Natyrisht, e bani këtë jo për shkak se kishte bindje të thella, por për shkak se e dinte se kështu do të mund të ngjitej shkallëve të karrierës politike. Kjo nuhatje prej langoi ka me i shërby mirë edhe në të ardhmen, sepse pikërisht nëpërmjet këtyre shkallëve, mbas gjashtë vjetësh, me 1988, u ngjit në zyrat e Ministrisë së Jashtme të Çekosllovakisë komuniste.
Me 1991, e gjejmë në ambasadën e Çekosllovakisë në Moskë, ku kreu edhe studimet në Institutin për Marrëdhanie Ndërkombëtare, ndërsa me 1993, kur u nda Çekia nga Sllovakia, u kthy për me nisë punën në Ministrinë e Jashtme të sapothemelueme të Sllovakisë. Shumë shpejt u ba drejtor i kabinetit të ministrit të Jashtëm e ma vonë i kabinetit të kryeministrit të Sllovakisë.
Pas një kohe si ambasador i Sllovakisë në Japoni, me 1999, nis periudha e tij e shërbimit në ndërmarrje ndërkombëtare. Me 1999 u emnu si ndihmës egzekutiv i të Dërguemit të Veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkueme në Ballkan, Eduard Kukanit.
'NJERIU YNË NË BEOGRAD'
Mes viteve 2001 e 2005 Lajčáku shfaqet si ambasador i Sllovakisë në Beograd. Dhe në vitin 2005 Javier Solana, shefi i diplomacisë europiane, e ftoi me mbikëqyrë referendumin e pavarësisë së Malit të Zi. Gjatë kësaj kohe e kishte mësu tashma edhe gjuhën serbe, të cilën e flet shumë mirë dhe në biseda me serbët nuk ka nevojë për përkthyes.
Kjo asht koha kur Sllovakia u pranu në Bashkimin Europian (2004) dhe doli në shesh fytyra e vërtetë e qeverive të cilave u shërbente Lajčáku. Me mija romë vërshuen shtetet evropiane duke ikë nga racizmi i shtetit sllovak. Disa mijë prej tyre kërkuen strehim në Britani. Prandaj, kur e ndëgjoni Lajčákun tue folë për të drejtat e njeriut, kini parasysh këtë trajtim të romëve, për me kuptu çka fshihet mbrapa buzëqeshjes së tij engjëllore, prapa paraqitjes prej nëpunësi të zellshëm e të butë me kravatë, sepse po të kishte pasë një dinjitet prej politikani të ndershëm e të guximshëm, ky ose do të kishte protestu ashpër kundër trajtimit jonjerëzor që u asht ba romëve nga qeveritë që u ka shërby, ose do të kishte dhanë dorëheqje nga qeveritë e tilla. Por, Lajčáku nuk asht person që bën gabime të tilla: me dhanë dorëheqje apo me kritiku dorën që e ushqen. Këtë ka me ba ma vonë, mbas disa vitesh, por prap tue kalkulu një dobi të re karrieriste për këtë veprim.
Ja një nga përgjegjet e Lajčákut në Bruksel, si ministër i Jashtëm me 2015, kur gazetarët e pyetën për romët e Sllovakisë që kishin ikë në Blegjikë, për shkak të racizmit në Sllovaki:
"Ata munden me u kthy në shtëpi në çdo kohë," tha Lajčáku, i cituem nga TASR. “Unë nuk shoh hapësinë që qeveria sllovake dhe institucionet sllovake të angazhohen në këtë, përveç nëse ata [romët] shprehin interesin e tyne për këtë punë.”
Kaq, nga një politikan "europian", kur ka të bajë me problemet në shtëpinë e vet.
Pos Japonisë, qysh shihet, ku i kaloi disa vjet, shumicën e viteve të karrierës së tij diplomatike Lajčáku i kaloi nëpër shtete të vllaznisë sllave. Kjo edhe asht arsyeja që shumica e dekoratave të tij për punën e zellshme vijnë nga këto shtete. Por, veniani mendjen, aj ka një lidhje interesante: atë me Spanjën. Nis me shefin e tij të dikurshëm, Javier Solanan dhe vazhdon edhe sot me Joseph Borrelin. Rastësi? Mirë, dy rastësi e ma shum nisin e bahen rregull apo jo? Dhe jorastësisht këto dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. A ban vaki që na jemi të panafakë dhe kundërshtarët tanë gjithmonë bahen bashkë?
Periudha interesante e karrierës së Lajčákut, që asht mirë të rikujtohet për ne, për shkak të lidhjeve me zhvillimet në Kosovë, asht koha e shërbimit në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 2007-2009. Solana prap zgjodhi Lajčákun për me zavendësu Christian Schwartz-Schillingun edhe si Përfaqësues i Naltë për Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe si Përfaqësues Special i BE-së për Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë mandatit të tij BeH nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Kjo duket si me qenë njëfarë suksesi, por as kjo nuk kaloi pa një çmim të hidhun për BE-në.
Gjatë kësaj kohe, në BeH u shfaq një krizë e shkaktueme nga serbët e Bosnjës, rreth një Ligji mbi Këshillin e Ministrave. Ligji synonte korrektimin e procedurave vendimmarrëse për me mujtë me ba qeverinë e BH-së ma pak të primun m’iu nënshtru bllokadave. Dukej sikur ishte një test përfundimtar për partinë serbe të Milorad Dodikut, Lidhjen e Socialdemokratëve të Pavarun, për me i mbështetë këta për mur. Në të vërtetë, rezultatet dolën të kundërta. Lajčáku sa për sy e faqe bani sikur po tregohet i ashpër, mirëpo kjo shkaktoi dorëheqjen e kryeministrit të BH-së Nikola Spiricit (serb i partisë së Dodikut), dhe tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës. Krejt çka arrijti Lajčáku asht se shkaktoi një krizë duke u përpjekë me imponu ndryshim institucional pa legjitimim vendor. Në dukje, pati sukses në terren, por duke rreziku besueshmëninë e rezultateve tashmë të arrijtuna të BE-së, mbasi serbët e Bosnjës jo vetëm që nuk u ndëshkuen për sjelljet e tyre që çonin drejt ndarjeve më të thella etnike, por ata edhe u shpërblyen me fondet e BE-së.
Për raportin e tij me serbët dhe Republikën serbe kallxon ma së miri aj vetë, kur i përgjigjet pyetjes se a i urrente serbët:
"E paskan zgjedhë temën e gabueme dhe njeriun e gabuem. Në asnjë mënyrë nuk jam armik i serbëve. Ata që më akuzojnë se jam - gënjejnë! Asnjë nga masat që kam marrë nuk ka qenë e drejtueme kundër Republikës Serbe apo serbëve, dhe nuk kam ndëgju asnjë argument që kish me tregu të kundërtën. Ndërsa në vetë Serbinë ka me qindra njerëz të cilët më njohin mirë dhe të cilët askush nuk mundet me i bindë që jam armik i serbëve."
Duhet me thanë se Lajčáku në nëntor 2018 dha dorëheqje si ministër i Jashtëm i Sllovakisë për shkak se kuvendi sllovak nuk miratoi Paktin Global të OKB-së për Migracionin. Ky asht ndoshta një refeksion pozitiv i komunistit të dikurshëm, apo ma shumë - qysh treguen ngjarjet - një kalkulim i radhës i një karrieristi që po priste tani një post nga jashtë, sepse kjo vërtet erdhi me 2019 me postin e kryesuesit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Europian. Dhe me 2020 u emnu si Përfaqësues i Veçantë i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe çashtjet regjionale të Ballkanit.
“NJERIU YNË NË KOSOVË”
Kur u zgjodh si Përfaqësues i Veçantë i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, edhe disa gazetarë të kujdesshëm europianë shkruen se Lajčáku ishte “zgjedhje e tmerrshme”. Pas Borrelit, nga një shtet si Spanja që s’e njihte pavarësinë e Kosovës, me zgjedhë Lajčákun, nga shteti dytë që s’e njihte pavarësinë e Kosovës, ishte vërtet e tmerrshme. Ishte fakt që Lajčáku kishte përvojë politike në Ballkan, por përvoja e tij ishte dështim. Suksesi i tij për me kapë poste në fluturim e sipër lidhej me aftësinë e tij që dinte qysh me u sjellë në korridoret e burokracisë së BE-së. Mirëpo zgjedhja e përfaqësuesve të dy shteteve mosnjohëse tregonte qartë se BE-ja haptas kishte marrë anën e Serbisë, atë të kryetarit autoritar Vučići. Dhe në fund, Lajčáku ishte dëshmu që vendoste ambiciet e tij personale dhe profesionale para detyrave që kishte marrë përsipër, ngaqë aj befas e kishte lanë punën e tij në Sarajevë, mbas një viti e gjysë, sepse kishte marrë një ofertë ma të mirë për me u ba shef i diplomacisë sllovake.
Tashti, kur shohim zhvillimin e karrierës së Lajčákut nga Moska në Beograd, kur shohim dekoratat që ka marrë nga Serbia e Mali i Zi, kur shohim faktet e racizmit të shprehur haptas nga qeveritë sllovake kundër romëve në Sllovaki, kur shohim menaxhimin e keq me ngjarjet në Bosnjë, ku serbët, duke kërcënu me tërheqje nga institucionet, përfitojnë favore të reja, nuk mund të mos e vërejmë se ky skenar i njëjtë zhvillohet edhe në Kosovë. Se a janë këto veprime të serbëve të bashkërendueme me Lajčákun apo jo këtë nuk mujmë me e dijtë, por e dijmë se aty ku asht Lajčáku dhe aty ku serbët dojnë me arrijtë qëllimet e tyre shoviniste, këtë e bëjnë lehtë në praninë e Lajčákut. Kjo ndodhi në Bosnjë, kjo po kërkohet me ndodhë edhe në Kosovë, bile edhe skenaret janë të njëjta: bojkot i institucioneve shtetërore nga serbët dhe arritje e synimeve.
Lajčáku me lehtësinë ma të madhe kërkon asociacionin për serbët në Kosovë, kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës me qëllim që t’i përshtatet synimeve shoviniste të Serbisë, por bahet peshk e nuk e hap gojën, kur bahet fjalë për shqiptarët apo boshnjakët në Serbi.
Duke e dijtë që Sllovakia nuk e ka njohë pavarësinë e Kosovës, ka votu kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, bile me Lajčákun që e ka ngritë dorën kundër, duke pa veprimet dhe skenaret e njëjta të serbëve aty ku Lajčáku hyn në lojë, edhe me ndodhë këto krejt rastësisht, mendja e njeriut nuk mun e mos me hy në gjynah e me mendu se ky njeri mundet mos me qenë krejt antishqiptar, por duket si pansllavist i rryer dhe si proserb koxha i përkushtuem. Kur ia afron pranë edhe një shqiptarofob si Borreli e bahen çift, atëherë antishqiptarizmi i tyne shfaqet me brina. Bashkimi Europian edhe me pasë lypë me qiri nuk kish mujtë me gjetë çift më të pafavorshëm e ma të mbrapshtë kundër shqiptarëve të Kosovës, sesa këta dy. E kjo mun ilustrohet mirë me thanien e ditëve të fundit të Borrelit, i cili, në formë qortimi dha detyrat që duhej të kryheshin mbas krizës me bojkot të Listës Serbe:
“Qeveria e Kosovës duhet të formojë asociacionin, ndërsa serbët duhet të kthehen në institucione!”
Kjo periudhë prej dy fjalish tingëllon si qortim për dy palë, - ama veç për idiotë – sepse kur analizohet, kuptohet se shkon vetëm në dobi të serbëve. Ngaqë formimi i asociacionit asht urdhën që u jepet shqiptarëve, ndërsa ajo që duket si “urdhën” ndaj serbëve asht ndoshta këshillë e Lajčákut se qysh duhen me ba serbët kur dojnë me përfitu pika politike, ashtu si në Bosnjë: bojkotojnë, largohen, dhe kthimi i tyne bahet me u dukë si një detyrë që kinse duhen me përmbushë edhe serbët.
Këtë Shkollë të Lajčákut mirë asht me e kuptu, për me mujtë m’ia ndalë turrin. Qysh mun bahet kjo? Tue e ba me dështu ky mision i duetit proserb Borrel-Lajčák. Ky asht një mision gati i pamundun, por i domosdoshëm, për me mujtë me detyru BE-në me u sjellë ndryshe me Kosovën. Kjo duket si një betejë e Davidit me Goliatin. Megjithatë, dihet se edhe në atë ballafaqim Davidi, sado në dukje i pafuqishëm, doli fitues. Kështu që nuk asht gjithçka bash krejt pa shpresa. (Publiku në fesjbuk: 19 nëntor 2022)

Friday, January 24, 2025

Agim MORINA - KAMBËNGULJA NË DIPLOMACI

23 shtator 2016 - Facebook

E takoja në restorantin e Shkollës së Gjuhëve të Hueja të Ministrisë së Jashtme Britanike. Ishte diplomat i vjetër. Pak para pensionimit. Ishte tue u përgatitë për misionin e vet të fundit diplomatik.

Në fillim folëm për gjellët. Masandej për arkitekturën. Për artet. Dhe në fund për gjuhët. Si mjeshtër i vjetër i muhabetit në gjithçka kishte matuni dhe një nuhatje tejet të mprehtë për atë se çfarë interesimesh kishte bashkëbiseduesi. Mos me shkelë kund në ndonjë dërrasë të kalbët. Një buzëqeshje që e kishte ngjitë për fytyre, për shkak të profesionit, e bante të vështirë me e nda në shej se kur buzëqeshej me të vërtetë e kur e bante këtë nga mirësjellja.

E kuptoi dikur se jam shqiptar. Nga piruni që nuk u ngrit me kohë për te goja e tij e kuptova se u habit pak. Për mirë apo për keq, nuk e dij. Kisha përshtypjen se u ndi pak i mashtruem nga parandjenjat e tij që i kishte stërvitë kaq vite për me e pandehë koxha me saktësi prejardhjen e një personi mbas disa minutash bisede. Më shikonte me kujdes, tue m’i ngulë sytë e tue bastisë gjithçka në qenien teme për me mujtë me ardhë në një përfundim se çfarë njeriu isha, tash që e ia kishte huqë se prej nga isha. Mbas disa takimesh edhe aj, edhe unë, filluem me ba muhabet ma të relaksuem në tavolinën dhe ulëse të njëjta të restorantit të shkollës. Dhe, doemos, disa nga muhabetet mbaronin te problemet politike që ndodhnin në Shqipni e Kosovë, sepse këto më interesonin mue. Shpesh kritikat e mia ishin të drejtueme te veprimet e qarqeve të caktueme të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat, sa herë që vinte puna te shqiptarët, mbaronin në disfavor të këtyne të fundit.

Pse shqiptarët në Maqedoni, që përbajnë ma shumë se 30 për qind të popullsisë së këtij shteti kanë shumë ma pak të drejta sesa serbët në Kosovë? Pse në Shqipëri, gati çdo gjashtë muej, shkojnë delegacione të BE për me vlerësu respektimin e të drejtave të pakicave kur dihet se në Shqipëri ka ma pak se dy për qind, megjithëse Shqipëria i ka respektu dhe i respekton të drejtat e pakicave në mënyrë ma të mirë të mundshme brenda kushteve dhe mundësive që ka? Këto delegacione të BE asnjëherë nuk shkojnë, fjala vjen, në Greqi, megjithëse Greqia i ka mohu dhe mohon në mënyrë shembullore jo vetëm të drejtat e pakicave, por edhe egzistimin e pakicave atje, si fjala vjen, egzistimin e pakicës shqiptare. A na e bajnë këtë pse jemi të vegjël? Të pafuqishëm? Ndoshta ngaqë na, megjithatë, i respektojmë dhe sillemi sipas parimeve të marrëveshjeve? – ishin pikat që problematizoja unë.

Pa e dijtë që e kisha trazu një ndjenjë të fshehun të tij, e pashë se aj buzëqeshi pak ma me vërtetësi dhe te sytë iu shfaq një shkëlqim i paqartë për mue. Heshti. Më shikoi. Kur prita që ka me folë, aj e piu langun e mollës. A thu ka qëllu ndonjë anglez me simpati të çmendun mbas antikitetit helen. Apo mos ishte edhe grek me ndonjë prejardhje të largët? Sapo mendova se aj e la këtë muhabet dhe s’po don me folë, aj tha:

- Shiko, një nga formulat magjike në diplomaci asht kambëngulja. Nuk asht aq me randësi a je i vogël, a je i pafuqishëm. Në diplomaci asht me randësi shumë të madhe se sa je kambëngulës.

E hetoi që unë, derisa aj po fliste, jo vetëm që nuk e kapa krejt porosinë e asaj që thoshte, por edhe mospajtimin tem të thellë me këtë, sepse kjo gja ishte aq e thjeshtë dhe aq e lehtë me u ba, e si pasojë, për mue edhe e parandësishme në punën diplomatike. Simbas meje, unë e pata shtru problemin në mënyrë shumë ma të ndërlikueme dhe të thellë dhe prisja një përgjegje së paku po aq e çatrafilueme. Natyrisht, nuk thashë gja për shkak të mirësjelljes, por aj e kishte kuptu këtë tashma dhe pa ia thanë asnjë fjalë ma shumë vazhdoi:

- Grekët, serbët, malazezët kanë fitu shumë falë kambënguljes së tyne.

- Kambënguljes? Vetëm kaq? – arrijta me thanë.

- Po, kambëngulja asht një armë e fortë në diplomaci. Unë i dij, sidomos grekët e serbët, që kanë qenë fanatikë në çdo gja. S’kanë heqë dorë kurrë nga qëllimet e tyne, me vite, me dhjeta vite, asnjëherë. Sado i vogël që të jetë një problem, ata e zmadhojnë dhe e kthejnë në një fakt të një randësie të veçantë. E problematizojnë deri në atë masë sa i bajnë rrethet diplomatike me nisë me i marrë seriozisht. Ata e dijnë se janë të vegjël dhe po aq të pafuqishëm mballafaqe fuqive të mëdha, por ngulin kambë deri në atë masë sa diplomacia e të fuqishmëve ua pranon dikur, lëshon pe, veç sa me i heqë qafe, ose thjesht edhe nga pakujdesia e çastit, tue qenë se kambëngulja e tyne asht konstante, e përhershme, e pandalshme.

Ishte një përgjegje pak ma e qartë por jo përgjegje që më bani me u ndi i kënaqun krejtësisht. E kuptoi edhe këtë dhe, mbasi i fshiu buzët me pecetë, mori një pozë tipike të bashkëbiseduesit i cili e dinte se do të thoshte një argument përfundimtar e tue i mbështetë llanët kryqaz në tavolinë tha:

- Shiko, po ta ilustroj këtë me një rast konkret. Ti e din që Islanda asht një shtet krejt i vogël apo jo? Banorë e saj s’e mbushin dot as edhe një lagje të Londrës apo jo? Por, ky shtet ka dalë fitimtar në betejën diplomatike me Mbretninë e Bashkueme në tri Luftat e Bakalarit që zgjatën me dhjeta vite, bile mun me u thanë se kishte nisë edhe para shumë shekujsh. Ujnat territorialë të Islandës, në fillim, fjala vjen me 1952, kanë qenë vetëm rreth 6-7 kilometra. Me një kambëngulje të pashembullt islandezët kurrë s’u ndalën me kërkesat e tyne për me e heqë këtë kufizim dhe me përpjekje të mëdha e banë një herë 22 kilometra, masandej 50 kilometra dhe me 1976 erdhën deri te të pabesueshmet 200 milje detare (370 kilometra). Diplomacia britanike, herë e ka nënçmu randësinë e kësaj pune e herë e ka lanë krejt menjanë, tue u marrë me probleme shumë ma të mëdha. Por diplomacia islandeze nuk i ka ndalë kurrë përpjekjet për me fitu këtë kontest. Dhe krejt kjo u kunorëzu me 1976 kur ata arrijtën një fitore të pashembullt diplomatike. Kush kish mujtë me parashiku ndonjëherë që një shtet si Islanda me dalë fitues kundër Britanisë së Madhe, një superfuqie planetare, në fushën diplomatike? Prandej po thom që kambëngulja, mosheqja dorë, jo vetëm nga e drejta jote - e nganjëherë qysh mun me e pa edhe nga e padrejta jote, qysh ndodh në politikë - asht një armë e fortë në diplomaci.

 



Saturday, November 30, 2024

FAKTORI SHQIPTAR DHE PAMJA E SHTREMBËRUAR MEDIATIKE

 

Agim MORINA

7 korrik 2023 Facebook

Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, mediat e Beogradit patën nisë një fushatë të egër antishqiptare. E vetmja punë e tyre ishte që gjendja në Kosovë të paraqitej sa më kritike, sa më alarmante, që shqiptarët të shfaqeshin sa më të egër. Programet televizive, revistat, gazetat, librat që prodhoheshin në fabrikat propaganduese të Beogradit vërshonin gjithë Jugosllavinë dhe shpërndanin lajme të tmerrshme antishqiptare. Një nga lajmet më të zakonshme ishte thyerja e gurëve të varreve të serbëve nëpër Kosovë, sepse nuk kishte ndonjë lajm për ndonjë krim konkret kundër serbëve. Varrezat ishin të shkreta dhe të vdekurit nuk kishin gojë e nuk mund të dëshmonin se kush i bënte këto sulme makabre. Shpërndarja e pandalshme e lajmeve të rreme krijoi pa dyshim një ndjenjë urrejtjeje kundër shqiptarëve në gjithë Jugosllavinë. 

Nga shpifjet më të ulëta e më të trishtueshme të kësaj kohe ishin, po ashtu, lajmet se shqiptarët përdhunonin femrat serbe. Shkohej aq larg sa thuhej se shqiptarët përdhunonin edhe motrat e nderit të kishave ortodokse. 

Në kulmin e kësaj fushate denigruese antishqiptare, një politikan shqiptar i asaj kohe i Kosovës, delegat në kuvendin e federatës së Jugosllavisë, kishte kërku që të publikoheshin shifrat zyrtare të përdhunimeve seksuale në Jugosllavi për atë vit. Në këto shifra zyrtare doli e vërteta lakuriqe: në Kosovë gjatë gjithë vitit kishin ndodhë gjashtë raste që lidheshin me përdhunime seksuale. Tri nga këto kishin qenë tentime, dy kishin qenë përdhunime, - por kjo kishte ndodhë mes vetë shqiptarëve - dhe vetëm një rast kishte qenë një tentim përdhunimi i një femre serbe nga një mashkull shqiptar, edhe ky nga një person me çrregullime mendore. Ndërsa në pjesët tjera të Jugosllavisë shifrat zyrtare tregonin një gjendje alarmante: kishin ndodhë me qindra përdhunime seksuale nëpër republikat e tjera të Jugosllavisë. 

Nga këto të dhëna dilte pamja krejt e kundërt me atë çfarë paraqiste propaganda e Beogradit: Kosova ishte vendi më i sigurt për femrat në gjithë Jugosllavinë. As nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse te shqiptarët çështja e nderit të femrave ishte një pikë tepër e ndjeshme. 

Më kujtohet mirë një intervistë televizive e një gazetari nga Beogradi me një vajzë serbe nga Kosova. Gazetari e pyeti vajzën se a ndihej e sigurtë në Kosovë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë. Pastaj ai e pyeti se pse nuk ndihej e sigurtë. Ajo tha se nuk ndihej e sigurtë për shkak të shqiptarëve. Dhe kur në fund e pyeti se a i kishte ndodhë diçka konkrete asaj vetë apo a kishte parë diçka të tillë me sytë e vet, ajo i tha se jo, asaj nuk i kishte ndodhë asgjë asnjëherë, se fqinjët e saj shqiptarë ishin të mirë, por se kështu thuhej në lajme në gazeta e televizione. Pra, pasiguria që ndiente ajo vajzë serbe në Kosovë vinte nga lajmet që plasoheshin çdo ditë nga Beogradi.

Tashti, egërsia e fushatës nga mediat e Beogradit, por edhe nga disa media të Kosovës, kundër qeverisë së Albin Kurtit, ka marrë përmasa marramendëse që po ma kujton pikërisht atë kohë të viteve tetëdhjetë, kur akuza kishte plot, por nuk kishte asnjë fakt të qëndrueshëm. Nëse mblidhen e analizohen këto lajme që po plasohen sot, del se asnjë nga pohimet që po thuhen kundër qeverisë së Kosovës për “kryeneçësinë” , “mosbashkëpunimin” dhe “moszbatimin e marrëveshjeve” nuk mban më ujë. 

1) Kryeministri i Kosovës akuzohet se është “kryeneç” dhe se nuk po “bashkëpunon”. Por dihet botërisht që kryeministri, Albin Kurti, i shtyu zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës për gjashtë muaj, ashtu siç kërkuan zyrat e aleatëve perëndimorë. Kjo nuk mund të quhet as kryeneçësi, as mungesë bashkëpunimi.

2) Qeveria e Kosovës po akuzohet se nuk po lejon që procesi i normalizimit me Serbinë të shkojë përpara. E vërteta është që kryeministri i Kosovës në takimin e Ohrit jo vetëm që pranoi marrëveshjen, por kërkoi që ta nënshkrunte këtë marrëveshje. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vucici, jo vetëm që nuk pranoi të nënshkrunte këtë marrëveshje, por e shkeli me të dyja këmbët ende pa arrijtë në Beograd me deklaratat e tija kundër Kosovës. Pra, kryeministri Kurti bashkëpunoi gjatë gjithë kohës dhe ende është i gatshëm të nënshkrujë Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa kryetari i Serbisë as sot e kësaj dite nuk pranon ta bëjë këtë. Pra, Kurti është bashkëpunues, Vucici është jobashkëpunues.  

3) Nga qeveria e Kosovës u kërku që të organizonte zgjedhjet në katër komunat veriore dhe kjo u bë me kujdesin më të madh të mundshëm, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Nuk ndodhi asnjë incident, asnjë viktimë, asnjë parregullsi. Lista Serbe, e kontrolluar dhe e dirigjuar tërësisht nga Beogradi, jo vetëm që bojkotoi zgjedhjet, por edhe kërcënoi, nëpërmjet bandave në terren, këdo nga serbët që do të guxonte të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo bëri që kryetarë të katër komunave në veri të zgjidhen katër shqiptarë.

Pra, qeveria e Kosovës bashkëpunoi, Serbia shantazhoi dhe bojkotoi zgjedhjet e pakicës serbe. 

4) Sot kërkohet që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. Qeveria e Kosovës ka pranu edhe këtë. Pra, nuk ka asnjë kusht themelor që të mos e ketë pranu qeveria e Kosovës. Mirëpo ajo po kërkon që kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme, pa e shkelë kushtetutën e Kosovës. Prap del që qeveria e Kosovës po bashkëpunon, Serbia jo vetëm që nuk po bashkëpunon, por edhe po shkakton probleme dhe po organizon sulme kundër ushtarëve të KFOR-it dhe po kidnapon policë të Kosovës në kufi.

Po të shikohet nga ana e ligjshmërisë, gjendja në Kosovë kurrë nuk ka qenë më shumë nën kontroll të shtetit sesa sot. Bandat kriminale e fashiste në veri, që kanë ardhë nga Serbia, kurrë nuk kanë qenë më të pafuqishme sesa sot. Për këtë arsye Serbia, me përpjekje dëshpëruese që të faktorizohet, ngriti gatishmërinë e armatës së saj rreth kufirit me Kosovën, për me u dhënë zemër këtyre bandave që po iknin, të frikësonte qeverinë e Kosovës dhe të alarmonte qarqet ndërkombëtare se çdo çast mund të plaste një konflikt ushtarak. Në këtë vijë të shkaktimit të panikut e të pasigurisë janë edhe deklaratat e Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës Serbe në BeH, se do të bashkohej me Serbinë. Prap na del pamja e qetë e gjendjes në Kosovë dhe kërcënimet e hapura të faktorit serb. 

Nën hijen e luftës së Ukrainës, natyrisht, Perëndimi është në gjendje të flijojë interesat e një shteti të dobët siç është Kosova për të parandalu një telash të mundshëm më shumë. Por, çështja është që Kosova dhe shqiptarët tashmë kanë pagu çmim tepër të madh për lirinë e tyre, ndërsa Serbia vazhdon të ushqejë klerofashizmin e vet pa u pengu nga askush.   

Nëse pyetet sot një qytetar i Kosovës se a ndihet i pasigurtë në Kosovë, ai do të thotë se po. Nëse pyetet se pse, ai do të thotë - ashtu si ajo vajza serbe në vitet '80 - se kështu po thuhet në media. Pasiguria në veri të Kosovës vinte nga terroristët e ardhur nga Serbia që për njëzet e kusur vite kanë vepruar të papenguar. Ata vritnin e rrihnin kundërshtarë politikë, ata digjnin vetura me targa të Kosovës e zyra ku mbaheshin zgjedhjet. Ishin po këta që gjujtën me plumba në ushtarët e KFOR-it. Veprimet e qeverisë së Kosovës kundër këtyre bandave terroriste nuk mund të quhen veprime ekstreme, e aq më pak veprime kundër popullatës serbe. Serbët e veriut kurrë nuk kanë qenë më të sigurtë se sot.  

Një krahasim i shpejtë i veprimeve të koordinuara të klerofashizmit serb – shkaktare të katër luftave në ish-Jugosllavi - me veprimet e ligjshme dhe bashkëpunuese të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, shfaq qartë pamjen e përmbysur e të shtrembëruar të realitetit politik që po përpiqet të krijojë kjo fushatë e egër mediatike, por edhe diplomatike. Me një analizë të thjeshtë do të dilte pamja e përmbysur, e njëjtë me atë që pati nxjerrë në shesh statistika zyrtare e përdhunimeve në vitet ’80. Alarmi i rrejshëm dhe fajtori i gabuar. Faktori shqiptar është faktori më paqedashës, më demokratik dhe më bashkëpunues në Ballkan dhe faktori serb është më jobashkëpunuesi, më luftënxitësi dhe më jopaqësori. 

- Në Kosovë 3-4 për qind e serbëve kanë të drejta që më shumë se 30  për qind e shqiptarëve në Maqedoni as nuk mund t’i ëndërrojnë. A nuk është ky një sakrifikim nga ana e faktorit shqiptar për paqen në Ballkan? 

- Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës shkelen egërsisht, para syve të zyrtarëve perëndimorë, pikërisht në kohën kur Serbia kërkon të formojë një Republikë Serbë në Kosovë. A nuk është ky një durim e mirëkuptim i faktorit shqiptar për paqen në Ballkan? 

- Republika e Shqipërisë nuk ka vënë asnjëherë asnjë kusht ndaj asnjë shteti fqinj për çfarëdo përfitimi politik. A nuk tregon ky orientimin paqësor të shqiptarëve? 

Nëse e shohim nga ky kënd del që shqiptarët po dënohen e po vetëdënohem për shkak të bashkëpunimit dhe dëgjueshmërisë së tyre në raport me Perëndimin. Atëherë, pse presioni më i madh përqendrohet pikërisht mbi shqiptarët, veçanërisht mbi Kosovën? Sepse shqiptarët janë më të dobëtit në Ballkan, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana politike e ushtarake. Në gjithë historinë dihet ky fakt i thjeshtë, që presioni gjithmonë do të jetë i orientuar mbi palën më të dobët.  Por, për të qenë fatkeqësia më e madhe, shqiptarët janë edhe më të paorganizuarit. Megjithatë, ajo që shqiptarët duhet të pyeten në këtë kohë është se a janë ata vërtet kaq të dobët në raport me presionin që po u bëhet? Jo. Shqiptarët nuk janë një faktor më i dobët se disa vite më parë. Bile shumë më të fuqishëm se disa dekada më parë. Përveç kësaj, ata janë duke u forcu gjithnjë e më shumë. Fakti që qarqe antishqiptare po e rritin presionin mbi ta tregon pikërisht këtë forcim të faktorit shqiptar. Prandaj, ajo që duhet sot është ndërgjegjësimi i shqiptarëve për këtë fakt të thjeshtë. 

Me se Serbia kërcënon sot? Me faktin që mund të shkaktojë destabilizim të rajonit. Por, edhe shqiptarët, megjithëse më të dobët, mund të shkaktojnë destabilizim po kaq të madh. Ata janë të shpërndarë në disa shtete dhe nëse kërcënimi i këtillë është për të përfitu pikë politike, atëherë edhe shqiptarët munden me lujtë me këtë kartë. Por, për me lujtë me këtë kartë ata duhet të kenë një faktor politik të ndërgjegjshëm për misionin e vet sot dhe për hapat që duhet të ndërmerren. Kjo nënkupton një bashkërendim dhe bashkim energjish dhe idesh. Ngjarjet në Kosovë, në vend që të tregojnë se sa i dobët është faktori shqiptar, mund dhe duhet të tregojnë se sa i fuqishëm është faktori shqiptar. Veprimet e qeverisë së Albin Kurtit janë largvajtëse në këtë drejtim, ato synojnë të dëshmojnë fuqinë reale të faktorit shqiptar që është në forcim e sipër. Çfarëdo ngurrimi, çfarëdo gabimi në këtë vijë do të ketë një çmim tepër të madh dhe do të duhet të kalojë një gjysë shekulli, në mos edhe një shekull tjetër, që faktori shqiptar të marrë veten dhe të dëshmojë edhe një herë fuqinë e vet të vërtetë. 

Çdo shfaqje dobësie, çdo kompromis joparimor me Serbinë, po ashtu, do të bëjë që Serbia të përfitojë shumë, ndërsa shqiptarët të humbin tepër. Këtë fakt Albin Kurti e din shumë mirë dhe çdo veprim i tij është në funkcion të këtij riaranzhimit të pozicioneve negociuese dhe të rivendosjes së pikave referuese politike në të ardhmen. Kjo e bën Kurtin, pa dyshim, politikan vizionar. Ai po përpiqet të ngrejë peshën dhe rolin e faktorit shqiptar në një shkallë më të lartë. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Në historinë politike vetëbesimi i tepruar asnjëherë nuk ka qenë më shkatërrimtar sesa vetëmosbesimi i tepruar.

JU FLET ZËDHËNËSI I RADOIČIĆIT: ESKALATORI PANSLLAVIST, MIROSLAV LAJČÁKU

 Agim MORINA

21 tetor 2023

Mbasi e kanë prekë dorën e të burgosurit dhe të torturuarit të regjimit gjenocidal klerofashist të Serbisë millosheviqiane, dmth. dorën e kryeministrit Albin Kurti, delegacioni ndërkombëtar me Lajčákun do të shkojë në Beograd dhe do të prekë dorën kriminale të Aleksandar Vučićit, dorë e cila ende nuk e ka humbë kundërmimin pansllavist nga prekja e pardjeshme me Putinin. Kundërmim të cilin Lajčáku e njeh mirë dhe e bën të ndihet mirë.
Në Prishtinë, para gazetarëve, Lajčáku foli tepër shkurt dhe me shumë siklet, i shoqëruar nga bylyku diplomatik të ramë mazun, si me i pasë nxjerrë krenat prej bajgash. Foli shkurt sepse i duhej me i bë bisht pyetjeve të paaranzhuara dhe ishte në siklet sepse plani për aneksimin e veriut të Kosovës i dështoi në mënyrë spektakolare, ashtu qysh Lajčáku, bashkë me Vučićin, as nuk e kanë dashë, as nuk e kanë pritë.
Lajçaku ka pritë me ardhë para kryeministrit Kurti, me hundën përpjetë dhe me Kosovën e aneksuar. Me pa Kurtin të poshtëruar e të nëpërkëmbur. Bile tash me i vënë kushte edhe më të rënda, duke i thënë: «Kur kërkuam asociacion, ti kundërshtove. Tani gjërat kanë ndryshu në terren dhe asociacioni nuk mjafton. Tani serbëve në veri duhet t’u garantohet një autonomi e plotë politike dhe territoriale. Nëse nuk e bën këtë, gjërat do të ESKALOJNË EDHE MË SHUMË: veriu do t’i bashkohet Serbisë.»
Kjo, për fatin e keq të Lajčákut, nuk ndodhi. Terroristët e Serbisë ikën si qen të zgjebosur, me bisht ndër këmbë, duke lënë prapa shokë të vdekur e të plagosur, sepse nuk kishin përballë, si dikur, popull të paaramatosur apo të armatosur keq, fëmijë, gra e pleq, por një polici profesionale dhe të vendosur.
LAJČÁKU: «INDIVDË TË ARMATOSUR» BËJNË «ESKALIM»
Le të shqyrtojmë se çfarë tha e çfarë nuk tha në gjuhën diplomatike, të lyer me vaj putinist, pansllavisti Lajčáku, në dy minutat e veta para gazetarëve? Aj tha:
“Sulmi terrorist kundër Kosovës nga INDIVIDË TË ARMATOSUR përbën ESKALIM të qartë dhe të paprecedent.”
Pra, është “sulm terrorist”, por është bërë nga “individë të armatosur”. Individët, qysh dihet, mbajnë përgjegjësi individuale. Nuk ka përgjegjësi institucionale, megjithëse bëhet fjalë për një numër prej gati njëqind kriminelësh që kanë ardhë nga Serbia. Ky është paralajmërim që Vučići e Serbia nuk do të kenë kurrfarë përgjegjësie për këtë krim. Mirëpo armatimi pesëmilionësh i prodhuar në Serbi, që një ushtri të vogël me nisë luftën, trajnimi i këtyre “individëve” në Serbi, kërcënimi i vazhdueshëm i Serbisë së Vučićit kundër Kosovës, vendosja në gatishmëri pranë kufirit me Kosovën e ushtrisë serbe, sipas Lajčákut, nuk paskan asnjë lidhje me këta “individë të armatosur”.
Lajčáku në vazhdim tha se “të gjithë dorasit duhet të vihen para drejtësisë dhe presim nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe veprim konkret në lidhje me këtë.” Pra, “dorasit duhet të vihen para drejtësisë”, por Lajčáku nuk saktëson se ku, para cilës drejtësi duhet të vihen këta “doras” dhe pse deri sot asnjë nga këta “doras” jo vetëm që nuk i është dorëzuar autoriteteve në Kosovë, por ata shëtiten të lirë në Serbi, pa u hy therë në këmbë, sikurse mija kriminelë gjakpirës e dhunues të kohës së luftës. Serbia mund të thotë që nuk i njeh autoritetet e Kosovës, por ajo këta kriminelë mund t’ia dorëzojë Eulexit, që arreston pa problem shqiptarë në Kosovë të cilët kërkohen nga drejtësia.
LAJČÁKU: «KRYEMINISTRI KURTI KA PËRGJEGJËSI»
Lajčáku tha se “si kryeministër i Kosovës, kryeministri i Kosovës KA PËRGJEGJËSI TË BËJË PËRPARIM NË NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE, nëse Kosova don të bëjë progres drejt Bashkimit Europian. Dhe këtu duhet të nënvizojmë nevojën e themelimit të asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë të mëtutjeshme. Pa këtë nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës.”
Kryeministri i Kosovës nuk mund ta bëjë atë që nuk po mund ta bëjë askush nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa Lajčáku nuk don ta bëjë: të bindë apo të detyrojë kriminelin Vučići të nënshkrujë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti u ka thënë publikisht edhe ndërmjetësve ndërkombëtarë, edhe popullit të Kosovës, edhe BE-së, edhe ShBA-së, edhe Lajčákut, qartazi, sa më qartë s’ka ku shkon:
“UNË E PRANOJ DHE JAM GATI TA NËNSHKRUAJ MARRËVESHJEN.”
Asgjë më shumë se kaq nuk mund të bëjë asnjë politikan i Kosovës. Dhe është krim të kërkohet nga Kosova të bëjë çfarëdo hapi të radhës pa e nënshkru edhe pala tjetër këtë marrëveshje. Pra, përgjegjësia e kryeministrit Kurti ka mbaru përfundimisht në këtë pikë të fazës së tashme. Tash, pritet pajtimi dhe nënshkrimi i klerofashistit Vučići.
Vučići ka deklaru publikisht se "i dhemb dora për me nënshkru marrëveshjen". Këto dhembje sigurisht i vijnë nga masturbimet maniake që din t’i bëjë vetëm aj: si ato politike, ashtu edhe ato të seksuale. Ose nga dora e rraskapitun nga vrasjet "e njëqind myslimanëve për një serb", qysh pati deklaru në parlamentin e Serbisë. Lajčáku, bashkë me bylykun e diplomatëve që po i shëtit poshtë e përpjetë si beqarë që kërkojnë nuse, duhen me u kujdesë e me gjetë ilaçin e duhur për dorën e Vučićit dhe jo me kërku përgjegjësinë e paqenë të Kurtit. Kurtit, për fat të mirë, s’po i dhemb askund, pos dhembjes së syve, kur po sheh përballë tij kriminelë pansllavistë të tipit të Lajčákut.
ESKALIMI I GJUHËS SË ESKALATORIT
Në fund, kur pritej me thënë një gjysë fjale kritike për Serbinë e Vučićit, Lajčáku tha:
“Sulmi në Banjë ka ndërru shumë gjëra. Mendoj se isha shumë i qartë: duhet të hetohet si duhet, të nxirren përfundime dhe dorasit duhet të ballafaqohen me pasojat. Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të vazhdojë, dhe ç’është e vërteta, është më e rëndësishme se kurrë, sepse kur nuk ka dialog, MUND TË KETË PËRSËRITJE TË ESKALIMIT. Kjo nuk është ajo që ne dojmë me ndodhë. Dhe jam i sigurt se nuk është çfarë doni ju. Dhe kjo është pse jemi këtu. Dhe kjo është pse dojmë me ecë përpara me procesin e normalizimit dhe çfarë ishte arrijtë pajtim në Ohër.”
Megjithëse Lajčáku tha se “sulmi ka ndryshu shumë gjëra” na e dijmë se ajo që ka thënë Lajčáku “para sulmit” dhe ajo që thotë tash “pas sulmit” është vetëm një gjë: themelimi i asociacionit. Pra, së paku sa i përket Lajčákut, “sulmi” klerofashist nuk ka ndryshu asgjë. As pafytyrësinë e tij prej pansllavisti.
Mirëpo ajo që e Lajčákun e bën zëdhënës të Radoičićit e të Vučićit, pra, të klerofashizmit serb, është pohimi i tij se “kur nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të eskalimit”. Lajčáku, - ashtu si Radoičići nga kodrinat e Mitrovicës dikur, si i arratisur prej drejtësisë, - kërcënon njësoj autoritetet e Kosovës dhe kryeminsitrin Kurti, pos që Lajčáku e thotë me gjuhë diplomatike atë që Radoičići e thoshte me gjuhë klerofashiste, por të dy, njësoj kriminale. Lajčáku thotë se “kur nuk ka dialog, mund të ketë përsëritje të eskalimit”, ndërsa Radočići thoshte se “Jam këtu. Jam kthyer. E ju e dini çfarë do të thotë kjo.” Pra, me përkthy në gjuhën e Lajčákut atë që aj e qun “eskalim”, në gjuhë Radočićit i bjen “terrorizëm” dhe “agresion”. Kështu del që Lajčáku po thotë: “Nëse nuk ka dialog, mund të ketë terrorizëm dhe përpjekje të re për agresion”. Kështu që, mundet veç me u imagjinu që po të kishte qenë Radočići diplomat sllovak, kish me i thënë bash këto fjalë të Lajčákut dhe po të kishte qenë Lajčáku bandit, kish me i thënë bash ato fjalë të Radočićit.
Lajčáku, si përfaqësues i BE-së, do të duhej me thënë që në asnjë rrethanë, kurrë më, nuk duhet të ndodhë kurrfarë “eskalimi”, ashtu qysh ndodhi në Banjë dhe të dënojë Serbinë për këtë akt. E vërteta është që autoritetet e Kosovës asnjëherë as nuk kanë bë, as nuk mund të bëjnë “eskalim” në praninë kaq të madhe administrative dhe ushtarake ndërkombëtare. Nëse për Lajčákun dhe grigjën e tij eskalim quhet vendosja e ligjit dhe rendit në territorin e Kosovës, atëherë Lajčáku ka problem me përkufizimet e fjalëve. Në komunat e tjera të Kosovës ka më shumë serbë sesa në veri dhe aty, për çudi, nuk ka as “eskalim”, as “sulm terrorist”, as “agresion”. Serbët në jug jetojnë të qetë si të gjithë banorët e tjerë të Kosovës. Këtë fakt Lajčáku as nuk dëshiron ta shohë, as ta pranojë.
Në fund, pohimi i këtillë i Lajčákut, relativizion dhe zbut peshën e rëndë të krimit të agresionit të Serbisë kundër Kosovës në nivel “eskalimi”. Me i kërku përgjegjësi të rrahurit pse po rrihet, të plaçkiturit ose po plaçkitet apo të vrarit pse po vritet është krim që din ta bëjë vetëm një mendje e kalbur pansllaviste si kjo e eskalatorit Lajčáku.
Nuk ka “eskalim”, zoti eskalator. Ka sulm kundër rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës nga bandat kriminale klerofashiste serbe, që kanë plaçkitë vetë popullin serb të veriut të Kosovës duke ndërtu laboratore droge, duke grumbullu pasuri prej qinda milionash, duke ndërtu vila me pishina për vete dhe, si hobi, duke u marrë edhe me "mbrojtjen e serbëve të Kosovës" në veri, si me kolekcionim të fluturave në një album insektariumi. Ky kujdes për serbët është shfaqë duke vra kundërshtarë politikë, duke kërcënu të padëgjueshmit, duke djegë kerre, duke djegë qendra votimi dhe duke kthy pluralizmin politik të serbëve të Kosovës në monizëm klerofashist.
Nuk ka “eskalim”, zoti eskalator. Ka sulm kundër integritetit dhe sovranitetit të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, të cilin Lajčáku nuk e njeh. Agresioni i Serbisë në veri kurrë nuk do të bëhej nëse do të mjaftonin barrikadat, - shpikje e revolucioneve milosheviqiane - dhe po të ishin disa politikanë të dikurshëm të Kosovës që nëshkrunin jo vetëm mbi çdo marrëveshje të faqes së zezë, por edhe mbi peceta e letra tualeti, vetëm e vetëm mos me ua prishë humorin "miqve ndërkombëtarë".
Krejt kjo do të thotë që për kohën dhe intensitetin e “eskalimit” kujdeset Serbia e Vučićit. Eskalatori Lajčák, si këshilltar i dëshmuar i serbëve qiellorë, e din këtë më mirë se kushdo tjetër. Prandaj rreziku i “eskalimit”, nëse kryeministri Kurti nuk tregohet i përgjegjshëm, është presion dhe kërcënim ndaj Kosovës, veçse i thënë me gjuhë diplomatike, nga eskalatori Lajčáku.

Rudyard KIPLINGU - N’MUJSH

Rudyard KIPLINGU N’mujsh me mbetë i kthjellët kur rreth teje ma      T’gjithë shfrenu janë, e n’qafë ty t’kanë mbetë; Vetes m’i besu, kur t’...