Sunday, October 01, 2017

SUGJERIME E VËREJTJE RRETH NDRYSHIMEVE NË DREJTSHKRIMIN E SHQIPES





Lajmi për vendimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe ësht lajmi më i mirë kulturor shqiptar rreth gjuhës shqipe për dhjetëvjeçarë të tërë. Më në fund një grup gjuhëtarësh mori vendim që të thejë akullin që ngriu gjuhën shqipe në frymën e një kohe enveriste dhe e ngurtësoi në armaturën e bunkerit gjuhësor. Natyrisht, si në çdo punë, edhe në këtë ndërmarrje, ka me pasë probleme që kanë me e përcjellë gjatë rrugës, por akti në vetvete ësht shumë më domethënës sesa vendimet që janë marrë dhe kanë me u marrë në të ardhmen. Nëse enverizmi politik dhe ekonomik shqiptar u shpërbë me 1991, sepse desh e çoi në humnerë një popull të tërë, atëherë enverizmi kulturor u shu me 16 prill 2013, me këtë akt. Vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Vendimet e Këshillit janë të rëndësishme sidomos për një fakt: ato kanë me i dhënë Këshillit një autoritet i cili, më në fund, ka tagër me marrë vendime për shqipen. Deri sot, nëse kishte diçka që ishte paralizuese, bllokuese dhe, pse jo, edhe paradoksale, ishte se nuk kishte një institucion veprues që do të mund të merrej vetëm me kujdesin e përhershëm për shqipen. Uroj që ky Këshill ka me mujtë me u dëshmu e me i qëndru kohës duke u bë shkencërisht i autoritetshëm për gjuhën shqipe dhe politikisht i qëruar prej ndikimesh.

Në përgjithësi, nga 37 vendimet, shumica merren me elemente të veçanta, e jo me rregulla të përgjithshme. Disa vendime që kanë prekë rregulla me efekte më të gjëra kanë disa probleme me të cilat do të merret ky vështrim.
Janë marrë këto vendime:

a) 18 vendime për drejtshkrimin e zanoreve;
b) 15 për drejtshkrimin e jozanoreve (bashkëtingëlloreve);
c) 3 vendime për shkrimin e shkronjave të mëdha dhe
ç) 1 për drejtshkrimin e antroponimeve të hueja.

Një fakt tjetër interesant për këto vendime ësht se Këshilli ësht duke rishqyrtu propozimet e dhëna qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, të cilat, në atë kohë, pa një shpjegim e argumentim të bindshëm, janë mohu, janë heshtë ose nuk janë pranu si normative. Pra, këto propozime të sotme kanë një parahistori. Le të shohim me rend:

Kur bëhet fjalë për prapashtesën –ëm / – ësht shtru e ësht mbrojtë trajta me –ëm nga Kolec Topalli, i cili tash ësht në Këshillin Ndërakademik (fq. 222, pika 6). Sofika Adhami e ka mbajtë qëndrimin se ‘këta mbiemra në shumës duhet të ruajnë –ë– në atë pozicion që e kanë edhe në njëjës, d.m.th. të jashtëm, të fisëm, të sotëm.’ (fq. 246). Trajtën –ëm e mbron edhe Isa Bajçinca (fq. 271 dhe 598) dhe Mahir Domi (fq. 598);

Çështja e mbaresës së shumësit –nj / –j ësht shtru nga Jup Katrati i cili ka kërku që trajta e shumësit me –j të vihet si normë (fq. 79). Kjo ësht mbrojtë nga Kolec Topalli (fq. 222, pika 11). Z. Lumnie Shehetila, përkrah shumësin me –j e jo –nj: ‘Nuk jemi të një mendimi me autorët e «Rregullave të drejtshkrimit» që emrat mashkullorë të cilët në njëjës mbarojnë me zanore të theksuar në shumësin e pashquar t’i shkruajmë me –nj.’ (KDGjSh, 1974, fq. 414). Jorgji Çerepi: ‘Po kështu nuk është shterues motivimi «në pajtim me shqiptimin më të përgjithshëm» i vënë në bazë të rregullës për shkrimin e nj-së në trup dhe në fund të fjalës. Sot, më tepër gjuha e gjallë priret nga forma me –jullijmullij (fq. 548). Edhe Shaban Demiraj përkrah shumësin me –j (fq. 597). Po ashtu edhe Isa Bajçinca: ‘…është e nevojshme të pranohen me –j e jo me –nj’ (fq. 597). Të vetmit që e kanë kundërshtu këtë kanë qenë Emil Lafe dhe Ismail Doda. Si u bë pra, që gjashtë gjuhëtarë publikisht kërkojnë që mbaresa –j të bëhet normative dhe dy kundërshtojnë dhe fitojnë këta të fundit? Sepse, këtyre prapa u vinte Partija!

Këshilli Ndërakademik i Shqipes ka ardhë në disa analiza të sakta dhe ka dhënë sugjerime duke u nisë prej përfundimesh të këtyne analizave. Shumica e tyre kanë qenë të domosdoshme dhe në këtë vijë Këshilli ësht në rrugë të mirë. Shumësi arkaik me ‘-nj’ ka qenë në diskutim për t’u heqë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 e me u zëvendësu me ‘-j’. Por rryma provincialiste që mbizotëronte në atë kohë arrijti të zgjasë jetën e kësaj mbarese të shumësit edhe për dyzet vjet të tjerë. Një nga eksponentët më këmbëngulës për mbetjen e kësaj ‘-nj’-je ishte pikërisht E. Lafe (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, IAP, 1974, fq. 79), aj që sot ankohet më së shumti për ndryshimet që janë bë nga Këshilli Ndërakademik. Kur gjuhëtari, Jup Kastrati, propozoi që mbaresa e shumësit –nj të hiqet aj dha argumentin shkencor duke thënë se kjo tashmë kishte ndodhë në toskërishte në sistemin foljor ku –nj (puno-nj) ishte bë –j (puno-j). Natyrisht, E. Lafe nuk e komentoi këtë argument, por u kap për një ndjesi krejt subjektive e krejt të kotë se shumësi me nj paskësh ‘fituar stabilitet’(!) duke dhënë një parashikim se ‘një j pas një i të theksuar do të zhdukej krejt, kështu që shumësi do të mbetej njësoj si njëjësi, ashtu siç nuk dëgjohet më j në fund të foljeve fshij, arrij. Prirja për diferencim të kategorive morfologjike kërkon që shumësi të jetë arinj, barinj, ullinj.’

Një mendje e shëndoshë nuk din se çfarë problemi paraqet edhe vetë zhdukja e –j-së dhe ç’të keqe ka në njëjtësimin e trajtave të njëjësit të pashquar me shumësin e pashquar. Në gjuhën shqipe, njëjtësimi i trajtave të njëjësit me shumësin te emrat egziston sot e gjithë ditën, edhe atë jo te një grup i vogël emrash, por te grupi i tretë më i madh për nga numri, në Lakimin e Parë, te emrat e tipit: (një/disa) prizrenas, mësues, kërcyes e shpifës. Pastaj kjo ndodh edhe te emrat e tipit (një/disa) palaço, xhaxho, birbo. Të këtillë janë rreth dy mijë emra në gjuhën shqipe dhe këta asnjë shqiptari asnjëherë s’u kanë shkaktu probleme. Ç’flet, pra, Emil Lafe? Mos ësht j-ja ndonjë germë a tingulli i shejtë? Edhe pasi vajton me lot krokodili që j-ja po u zhdukka në foljet fshij e arrij Lafeja megjithatë aj nuk propozon që nj-ja të kthehet te këto folje. Një dobi tjetër e propozimit të J. Kastratit ishte jo vetëm njëjtësimi i rregullave, e me këtë paksimi i përjashtimeve (një nga vendimet kryesore udhërrëfyese që ishte marrë nga Kongresi (shih pikën 5)), por edhe paksimi i dallimeve dialektore sepse gegërishtja kishte kohë që e kishte rrudhë –nj-në në –j te kjo mbaresë e shumësit. Asnjë argument, qoftë shkencor, qoftë përbashkues, nuk e zbrapsi dot zellin provincialist të Lafes. E megjithatë, sa ësht, vërtet, numri i emrave që e ndërtojnë shumësin me –nj? Rreth 300. Pra, ballafaqoheshin rreth dy mijë emra me treqind!

Tjetra: në ‘gjuhën e njësuar’ sipas 1972 ka tashmë rreth 80 emra që shumësin e ndërtojnë me mbaresën –j! Pra, ky shumës nuk ësht i huaj për shqipen. Ësht i huaj për Emil Lafen. Rreth dy mijë emra tashmë funkcionojnë në gjuhën shqipe me trajta të njëjtësuara të njëjësit e shumësit, por këta s’janë argument për Lafen. Për Lafen argument ësht nuhatja e tij ‘shkencore’ se një dukuri paskësh ‘fituar stabilitet’. Prej këtyre gjuhëtarëve me nuhatje langojsh dhe jo gjykim shkencëtarësh drejtshkrimi i shqipes u rropos këtu ësht sot.

Trajta thelb > thelbinj dhe jo thelpinj ësht propozu qysh atëherë nga Fatmir Agalliu (KDGjSh, 1974, fq. 220). Pavarësisht që në «Rregulla…» thuhej që të ketë ‘sa më pak përjashtime’, Kongresi vazhdonte të merrte vendime për rregulla me përjashtime.

Trajtën qyrra si normë – e jo qurra – e ka propozu Ajet Bytyçi në Kongres (fq. 273). Kurrkush s’ia ka vënë veshin!

Për mue, megjithatë, dy vërejtje të përgjithshme janë me rëndësi.

Së pari, shqipes i duhet një qasje induktive prej së cilës kishin me dalë rregulla sa ma gjithëpërfshirëse. Sipas vendimeve të marra duket se Këshilli ka marrë vendime duke nisë prej analizash induktive pa bë një dedukcion të duhur. Mendoj se kjo qasje nuk ndryshon shumë prej qasjeve që deri tash i janë bë shqipes. ësht e vërtetë se krijimi i rregullave do të duhej me u nisë prej analizash të njësive më të vogla., natyrisht, por kjo do të duhej me u bë vetëm me idenë që këto analiza me dhënë një rezultat të saktë për vendosjen e rregullave sa më gjithëpërfshirëse.

Së dyti, duhet me u bë një formulim i qartë dhe i plotë i rregullave, kështu që sa herë që të merret një vendim të ketë referencën e qëndrueshme. Kjo i shërben jo vetëm vendimeve për gjendjen e shqipes sot por edhe vendimeve që mujnë me u marrë në të ardhmen e afërt e të largët, sepse platforma mbi të cilën punohet duhet me i pasë parasysh ndërhyrjet e mundshme, pa pasë nevojë me bë ndërrime rrënjësore. Duke i pasë parasysh këto dy vërejtje të përgjithshme duhet me thënë se disa vendime të tashme të Këshillit duhet me u llogaritë deri diku të përkohshme. Një përpunim i plotë shkencor i shqipes ësht projekt i së ardhmes. Ndoshta përgatitja e një projekti të këtillë ësht një ndërmarrje edhe më e rëndësishme që Këshilli do të duhej me planifiku e me mendu e m’ia vendosë bazat qysh tash.
Në vazhdim të këtij shkrimi do të merremi vetëm me ato pika ku kemi sugjerime e vërejtje. Në Sekcionin A do të merremi me pikat 1, 6, 7, 15 dhe 17. Në sekcionin B me pikat 1 dhe 10.
A – Për drejtshkrimin e zanoreve
PIKA 1: Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren –ë– nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; iparvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës –m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).

KOMENT: Në këtë pikë të Këshillit nuk ësht e qartë se a kanë me ndryshu të gjitha fjalët e kësaj klase apo vetëm pesë mbiemrat që janë listu këtu: i prapmë, i pasmë, i mishmë, i sontmë dhe i parvjetmë. Megjithëse, shprehja ‘fjalë të tilla janë’, len me kuptu se kjo ësht lista e plotë e fjalëve që propozon Këshilli. Në klasën e mbiemrave që mbarojnë me -më hyjnë rreth 80 mbiemra. Tema e rreth 50 mbiemrave mbaron me jozanore dhe tema e rreth 30 mbiemrave me zanore. Kjo ësht me rëndësi sepse qysh mun me u pa, të gjithë mbiemrat e propozuar prej Këshillit mbarojnë me temë me jozanore: ’-p’, ‘-s’, ‘-sh’ dhe ‘-t’. Mbiemrat e kësaj klase që mbarojnë me zanore ësht e pamundur me bë këtë ndërrim (psh. ‘i mbramë’ nuk bëhet dot ‘i mbraëm’). Lista e plotë e jozanoreve të këtyre temave të mbiemrave ësht:

·                     ’-d’ (‘fundmë’ ),
·                     ‘-j’ (‘i hojmë’),
·                     ’-l’ (‘kolmë’),
·                     ‘-p’ (‘i prapmë’),
·                     ‘-q’ (‘paqmë’),
·                     ‘-r’ (‘larmë’),
·                     ‘-s’ (‘pasmë’),
·                     ‘-sh’ (‘i mishmë’) dhe
·                     ‘-t’ (‘i pritmë’).

Në këtë listë, qysh shihet, nga Këshilli jepen temat me -p, -s, -sh dhe –t dhe mbesin pa ndonjë vendim katër lloj mbiemrash me tema me jozanore: -d, -j, -l dhe –r. Kështu vijmë te një pikë me rëndësi: vendimet  e këtilla duhet me u marrë për klasat e fjalëve, kur kjo ësht e mundur, e jo për fjalët e veçanta. Këshilli, fjala vjen, thotë se ‘i sontmë’ duhet me u shkru ‘i sontëm’. E mbiemri ‘i pritmë’ a duhet me u shkru ‘i pritëm’? Kjo mbetet e paqartë. Si qëndron puna, pra, me të gjithë mbiemrat e tjerë të kësaj klase që mbarojnë me tema me jozanore?
Gjithsesi, vendimi i Këshillit për shkrimin me -ëm e jo me -më i këtyre mbiemrave ësht vendim i drejtë. Ësht më i lehtë për shqiptim dhe pajtohet me një shqiptim më të përgjithshëm. Në të vërtetë, në F1980 mbiemri ‘i vjetëm’ ësht dhënë si ‘i vjetëm’ dhe jo ‘i vjetmë’ dhe ësht e çuditshme se si kanë dalë kështu mbiemrat ‘i parvjetmë’ dhe ‘i sivjetmë’! Kjo tregon njërën nga kundërthëniet e shumta që shfaqen në vendimet e Kongresit 1972 sepse edhe ky Kongres vendimet i ka sjellë në mënyrë arbitrare, pa një vështrim të përgjithshëm, pa një analizë të hollë të rregullave të një gjuhe që kishte marrë përsipër me e normativizu dhe pa krahasim të trajtave të prejardhura. Duke qenë se vendimi i Këshillit vlen vetëm për mbiemrat e kësaj klase –më, që mbarojnë me temë me jozanore rregulla do të duhej me u formulu kështu:
Mbiemrat që kanë temë me zanore shkruhen me –më. Mbiemrat që mbarojnë me temë me jozanore do të shkruhen ‘-ëm’.’

E formuluar kështu, kjo rregull ësht më gjithëpërfshirëse, e thjeshtë dhe lë shumë pak hapësirë për kundërthënie e keqkuptim.

PIKA 6: Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin –m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është –m e jo –, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).

KOMENT: Këshilli thotë se sipas kësaj rregulle ‘formohen emra e jo mbiemra’! Por në shqipe me këtë rregull formohen, padyshim, edhe mbiemra. Mbiemri ‘i rremë’ vjen nga një pjesore e gegërishtes me theks parafundor ‘(me) rrê(më)’ (tjetra ësht ‘(me) rrêjtë’ por kemi edhe ‘me rrê’). Rregulla ësht vendosë qysh me 1916: ato fjalë ku gegërishtja i shenjon me një zgjatje zanoreje dhe toskërishtja me një ‘ë’ fundore do të shkruhen me ‘ë’ fundore. Te folja ‘(me) rrejtë’ prej trajte ma të rrallë të pjesores ‘me rrê(më)’ (si me bâ(më), me râ(më), me le( )), ‘ê’-ja ësht e theksuar, e gjatë dhe duhet me u mbështetë me një ‘ë’ fundore sipas rregullës së përgjithshme. Rastet e vetme kur në shqipe mun me mbetë me ‘-m’ ësht kur theksi i fjalës ësht tejfundor ‘i sípër-m’, ‘i nésër-m’ por asnjëherë tjetër. Zbatimi i kësaj rregulle të re, ashtu qysh propozon Këshilli, çon në një përjashtim të ri. Dhe ky nuk duhet me qenë synim i Këshillit Ndërakademik.
Kemi edhe disa mbiemra të tjerë prejpjesorë me – që Këshilli nuk i zë në gojë:
Në F1980: ‘i ter-më’ (nga ‘terur’), ‘i tjerr-më’ (nga ‘tjerrë’), ‘i prit-më’ (nga ‘pritur’), ‘i mbru-më’ (nga ‘mbru-jtur’) ‘, ‘i përhimë’ (nga ‘përhi-rë’), ‘i përthimë’ (nga ‘përthi-njur’), ‘i ndërdymë’ (nga ’ndërdy-rë’); ‘i zbardhëllemë’ (nga ‘zbardhëll-yer’), ‘i zverdhemë’ (nga ‘zverdh-ur’);
Në F2011: ‘i shtymë’ (por në F1980 gjendet emri ‘shtymë’ nga ‘shty-rë’) , ‘i tejngimë’ (nga ‘ngi-njur’), ‘i zhbimë’ (nga ‘zhbi-rë’), ‘i thimë’ (nga (thinjur), ‘i përfundmë’ (nga ‘përfund-uar’).
Mendojmë se trajtat egzistuese duhet me mbetë ashtu qysh janë sepse kështu hyjnë në një klasë. Nëse ndërrojnë sipas propozimeve të Këshillit, krijohen përjashtime të reja.

PIKA 7: Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~, e majme, pa zanoren –ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.

KOMENT: Ky mbiemër shkon me mbiemrat ‘i hojmë’, ‘i sojmë’, etj. Megjithëse tema e mbiemrit ‘i majmë’ për koincidencë ësht ‘majm’ dhe për m’u bë mbiemër i kësaj klase i ësht shtu vetëm një ‘-ë’, kjo nuk e zhvendos prej kësaj klase, por e shkrin pikërisht me këtë klasë (ashtu qysh ndodh me emrat shpif + ës por rrënjë + s). Theksi mbetet parafundor dhe zanorja zgjatet (ashtu qysh ndodh me ‘përtej’ por ‘i përtejmë’. Prandaj duhet me u shkru ‘i majmë’ sikurse mbiemrat në pikën 6. Mbiemrat ‘i madh’, ‘i kuq’ dhe ‘i keq’ janë përjashtime. Thjesht, nuk përbëjnë klasë fjalësh me veçori morfologjike të njëjta. Në shumës, fjala vjen, ata dalin me paradigma krejt të ndryshme: ‘të mëdhenj-të mëdha’, ‘të kuq-të kuqe’ dhe ‘të këqij-të këqija’! Ndërsa te ‘të majmë-të majme’ paradigma del njësoj me klasën që i takon: i majmë/e majme(nj.) të majmë/të majme (sh.) sikurse: i hojmë/e hojme – të hojmë/të hojmei sojmë/e sojme – të sojmë-të sojme.
PIKA 11: Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren –ëfundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
KOMENT: Në të vërtetë, sipas rregullash tashmë të vendosura të një Shqipeje të Përbashkët, nga fjala ‘thýesë’ do të duhej me bjerrë ‘ë’-në dhe jo e kundërta që fjalës ‘thýez’ t’i vihet një ‘-ë’, sepse të dyja vijnë mbas një dyzanoreje ‘ýe’ në të cilën theksi bjen mbi ‘-ý’ e jo mbi ‘-e’ (si psh. te fjala ‘tryéz/ë, ~a’). Kështu që do të duhej me dalë pa –ë si te emrat e tipit e kryer/e kryera apo te foljet, kur kemi një dyzanore me theks në zanoren e parë, –ë-ja nuk vihet: (na) duam dhe jo duamë; (ata) duan dhe jo duanë; (por (na) hamë, (ata) hanë). Me këtë propozim, që të birret ë-ja në këtë pozicion, kanë dalë edhe A. Dhrimo e R. Memushaj (në FDGjSh 2011).

PIKA 15: Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhetplang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.

KOMENT: Ky vendim i Këshillit (dhe i Kongresit të Drejtshkrimit por që s’ësht respektu), që një fjalë duhet me u shkru duke marrë për bazë nga vjen ësht stërhollim jo shumë i domosdoshëm kur flitet për një Shqipe të Përbashkët! Do të duhej me gjetë klasa e rregulla sa më të përgjithshme që përshtaten me sistemin e një gjuhe standarde si tërësi. Si munet m’iu thënë një shkruesi shqiptar që tashmë ësht familjarizu me trajtën ‘plëng’ dhe ‘shtatzënë’ me u kthy e me e shkru ‘plang’ e ‘shtatzanë’?
Shumë fjalë të huaja në shqip merren dhe përshtaten në shqip. Pse të mos përshtaten edhe vetë fjalët dialektore nëse struktura e përgjithshme e sistemit lejon dhe kërkon një gjë të këtillë? Te fjalët ‘shtatzënë’ dhe ‘zhgjëndërr’ kjo duket krejt e qartë duke qenë se pjesorja ‘zënë’ dhe emri ‘ëndërr’ janë pranu si trajta standarde. Një përdoruesi të gjuhës nuk i intereson aq shumë origjina e fjalëve, sa përshtatshmëria me tërësinë e sistemit dhe ana praktike e tyre. Poende, trajta ‘zhgjëndërr’ më duket pak e rëndë për shqiptim dhe një trajtë tjetër ma e lehtë dhe në përdorim mjaft të gjërë ësht trajta ‘zhgëndërr’.
B – Për drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve
PIKA 1: Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: ipishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren –j, që del në disa shkrime të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
KOMENT: Qysh del nga shtjellimi i kësaj rregulle duket se prapashtesa mbiemrore –shëm iu shtoka vetëm pjesoreve të foljeve. Ësht e vërtetë që pjesoret zënë pjesën më të madhe të klasës mbiemrore me prapashtesë –shëm, por një numër jo i vogël ndërtohen edhe prej temash të emrave të cilat i japin një kuptim tjetër prej temave të foljes, psh.:
a) ‘i afrishëm’ nga emri ‘afri, ~a’, (në F1980 me kuptimin ‘1. Lidhje gjaku ose lidhje tjetër e ngushtë familjare, farefisni. Lidhje afrie. Ka afri me dikë. 2. Ngjashmëri e madhe ose përputhje në tiparet kryesore. Afri klasore (ideologjike). Afria e mendimeve (e qëndrimeve). Ka afri me një tjetër. 3. gjuh. Lidhje e afërt, ngjashmëri që buron nga prejardhja e përbashkët. Afri gjuhësh. Lidhje afrie. 4. përmb. bised. Të afërmit, farefisi. U mblodh afria.’ dhe 
b) ‘i afrueshëm‘ nga pjesorja ‘afrue’ e gegërishtes (me kuptimin ‘1. Që tregohet i afërt dhe i përzemërt me të tjerët, i shoqërueshëm. Fëmijë (djalë) i afrueshëm. I afrueshëm me të gjithë. 2. bised. Që është i këndshëm në të pirë, i dashur (për pijet). Verë (raki) e afrueshme.’ Kështu edhe mbiemri ‘i dijshëm’ vjen nga tema emrore ‘dij-(e)’ me zërin në fjalor ‘1. Që ka dije e njohuri të thella, i ditur, i mençur. Njeri i dijshëm. Vajzë (grua) e dijshme. 2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit.’)

c) ‘i afërsishëm’ nga emri ‘afërsi’ + ‘shëm’ (në F1980: mb. shih PËRAFËRT (i,e). Në mënyrë të afërsishme.)

Vendimi që mbiemri ‘i dijshëm’ me u bë ‘i dishëm’ edhe sikur të kishte pasë zanafillën nga pjesorja e foljes ‘di’ do të kishte pasë pasoja edhe më të mëdha se kaq. Kjo vjen prej vendimeve arbitrare të vitit 1972. Le të shohim rastin e këtyre foljeve që, megjithëse me çdo klasifikim morfologjik i takojnë një klase, për to zbatohen tri rregulla të ndryshme. Trajta e foljeve ‘di(j)’, ‘arrij’, dalin ‘di-dita-ditur’, ‘arrij-arrita-arritur’ (këtu hyjnë edhe foljet ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, e ‘mërij’) dhe ‘zdërvijzdërvijtazdërvijtur’. Nga folja ‘di(j)’ sipas FGjSSh 1980 ësht heqë ‘j’-ja në fund të foljes dhe ka dalë ‘di-dita-ditur’; për foljet ‘arrij’, ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, ‘mërij’ ësht leju ‘j’-ja në sikohën tashmore (‘kohë e tashme’) por ajo bjen në trajtat e thjeshtores (‘e kryer e thjeshtë’) dhe pjesores duke dalë si ‘arrita-arritur’, ‘bredhërita-bredhëritur’, ‘mbërrita-mbërritur’ dhe ‘mërita-mëritur’! Ndërsa te folja ‘zdërvij’ ësht rujtë ‘j’-ja në të gjitha trajtat kryesore sikohore të foljes: ‘zdërvijta-zdërvijtur’! Pse ka ndodhë kjo? Askush s’e din. Ësht punë arbitrariteti dhe e nuhatjes së ‘shqiptimit të përgjithshëm’. Kjo tregon mungesën e pamjes së përgjithshme të normalizuesve të gjuhës shqipe për rregullsinë e morfologjisë së saj. Janë rreth 21 folje sipas modelit të foljes ‘zdërvij’, katër sipas modelit të foljes ‘arrij’ dhe folja ‘di’ mbetet unike në paradigmën e vet! Të gjitha këto folje kanë mujtë me hy në një paradigmë, në atë të foljes ‘zdërvij’ dhe me përbë kështu një klasë të vetme vetëm duke e rujtë ‘-j’-në në të shkruar në të gjitha rastet. Arsyeja pse sonantja ‘j’ bjen në foljet që ndjekin paradigmën e foljes ‘arrij’ ësht se vjen mbas zanores ‘i’ dhe si pasojë nuk dëgjohet krejt qartë te shumë folës. Por, këtu kemi të bëjmë me normalizimin e gjuhës së shkruar prandej duhet të ndiqet, sa më shumë që ësht e mundur, vija e rregullave paradigmatike. Edhe te folja ‘vij’ e kemi rastin e njëjtë kur sonantja ‘-j’ vjen mbas zanores ‘-i-’ dhe po të vërehet me kujdes as në këtë rast nuk dëgjohet sonantja ‘-j’. Shumica e shqiptarëve e shqiptojnë si ‘vi’ por rregulla për me shkru ësht ‘vij’. Një detyrë e domosdoshme e Këshillit ësht me pasë kujdes që përjashtime prej rregullash me pasë sa më pak. Heqja e ‘-j’ te mbiemrat ‘i dijshëm’ dhe ‘i pijshëm’ nuk kish me ndihmu në këtë vijë, sepse disa inkoseguenca në këtë klasë, duke ndjekë rregullën e temës, vazhdojnë me u reflektu edhe në folje të tjera. Një mbiemër tjetër shkruhet ‘i rrejshëm’ dhe jo qysh e lyp rregulla tematike që don me ndjekë Këshilli, ‘i rrejt-shëm’; ashtu qysh i kemi mbiemrat prejpjesorë të kësaj klase foljore: ‘i bujt-shëm’, ‘i luajt-shëm’, ‘i mbajtshëm’, ‘i urrejt-shëm’! Masandej kemi ‘i mbërri-shëm’ e jo ‘i mbërrit-shëm’ dhe ‘i praj-shëm’ e jo ‘i prajt-shëm’! Të gjitha këto dështime e shkarje të vendimeve të vitit 1972.

Një problem tjetër që nuk vihet re prej Këshillit ësht se foljet ‘pi’ dhe ‘di’ nuk janë folje të një klase. Trajtat përfaqësuese të foljes ‘pi’ sipas F1980 janë ‘pi-piva-pirë’, ndërsa të foljes ‘di’ janë ‘di-dita-ditur’. Derisa Këshilli ndjek rregullën se mbiemrat e këtillë ardhkan prej pjesoresh atëherë temat e tyre dalin të ndryshme. Folja ‘di’ del ‘dit-ur’ ndërsa folja ‘pi’ del ‘pi-rë’. Edhe sipas rregullës që ndjek vetë Këshilli, trajtat e mbiemrit do të duhej të ishin ‘i pishëm’ por ‘i ditshëm’ e jo ‘i dishëm’ (me kuptimin që jepet në F1980 ‘i ditur’). Aty ku pikëtakohen këta dy mbiemra ësht trajta emrore ‘dij-e’ dhe ‘pij-e’ duke dhënë kështu trajtat e mbiemrave ‘i dij-shëm’ dhe ‘i pij-shëm’. Nga një lloj i këtillë kemi edhe ‘i hijshëm’ që vjen nga ‘hij-e’, ‘i nyjshëm’ nga ‘nyj-ë’, ‘i shijshëm’ nga ‘shij-e’ kështu edhe ‘i dijshëm’ vjen nga ‘dij-e’ dhe ‘i pijshëm’ vjen nga ‘pij-e’.

Problemi hapet edhe më shumë. ‘I pishëm’ dhe ‘i pijshëm’ për një gegë ka edhe dallime të holla kuptimore. ‘Vëllai foli si me qenë i pîshëm’domethënë foli ‘si me qenë i dehur’ sepse vjen prej pjesores ‘(me) pi’ ndërsa ‘Ky ujë ësht i pijshëm’ domethënë ‘ky ujë mun me u pi’, vjen prej emrit ‘pije’. Ky ësht njësoj sikurse dallimi në mes të mbiemrit ‘i nderueshëm’ (pjesorja ‘nderue’ dhe prapashtesa ‘-shëm’) dhe ‘i ndershëm’ (emri ‘nder’ + ‘-shëm’). Në këtë vijë ballafaqimi: ‘i begatueshëm – i begatshëm’, ‘i shijueshëm – i shijshëm’, ‘i dhunueshëm – i dhunshëm’ etj. Kështu edhe ‘i di(t)shëm’ dhe ‘i dijshëm’.
Pasojat e këtij vendimi vazhdojnë me u pa edhe më tutje te mbiemri ‘i vetëdijshëm’. Qysh ka me u bë zgjidhja? A ësht ndërtimi ‘vetë’ + ‘dije’ (temë emrore) apo ‘vetë’ + ‘di’ (temë foljore)? Dhe mbiemri a ka me u shkru ‘i vetëdishëm’ apo ‘i vetëdijshëm’?

PIKA 4: Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë” duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.

KOMENT: Ky vendim ësht i drejtë sepse merr parasysh sistemin e përgjithshëm, por si do të bëhet me fjalën ‘punonjës’, a do të shkruhet ‘punojës’ sepse vjen nga folja ‘punoj’? Po ashtu ‘shkronjë’ a do të bëhet ‘shkrojë’? Kjo nuk ësht thënë dhe lë hapësirë për hutesë. Po me fjalët: agjëronjë, barkonjë, biskonjë, budallonjë, buronjë, cjaponjë, dëllinjë, (i) farfurinjtë, gabonjë, vezullonjë, vigunjë, xixëllonjë, zgërbonjë, zgjonjë etj., si do të bëhet?

PIKA 10Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).

KOMENT: Fjala jongleur në shqip, sikurse në anglisht, ka ardhë prej frëngjishtes. Shkon me ‘ambalazh’, ‘imazh’ (dhe jo ‘imixh’), ‘ekuipazh’ etj. Nuk mendoj se ësht ide e mirë me ndërru trajtat e huazimeve të këtilla, të cilat tashma janë ngulitë në gjuhën shqipe, sa herë që shfaqen ndikime të reja kulturore prej kulturash të ndryshme.
(2014)


Tuesday, November 29, 2016

NJË ZA QË U KTHY NË NGJYRË

(kujtime të paharrueme me piktorin shqiptar Gjelosh Gjokaj)
Agim MORINA



Gjelosh GJOKAJ












Takim në Bari
Në verën e vitit 2006 pata vendosë me shku nga Bari në Tivar. As sot nuk e dij pse. Përqafimi i Durrësit, mbas një nate lundrimi, asht ma i ambli përjetim. Por Tivarin gjithmonë e kam ndi si qytetin ma fatkeq shqiptar. Dhe kalimi ngat tij më jep një ngushëllim, më ban me u ndi ma lehtë, si me kalu ngat vorrit të një miku që e kam dashë shumë, por që kurrë nuk ia kam thanë këtë. Asht si një pendesë e përjetshme që asht strukë në një vend të thellë të qenies teme dhe si një bimë e çuditshme, as nuk rritet, as nuk thahet. Edhe ma keq e kam përjetu këtë kur i kam lexu dokumentet e ditëve të fundit të betejave kur ushtria pushtuese malazeze kishte marrë këtë qytet. Ikjen e popullsisë shqiptare me anije për në Shkodër. Ikjen në kambë për në Ulqin, tue mbajtë shpresë se Ulqini ka me ba një qëndresë ma të mirë. E masandej ikja e grave, fëmijëve, pleqve nga Ulqini në Shkodër.

Trageti në portin e Barit po përgatitej me u nisë. E unë isha nalt në cep të kuvertës tue shiku poshtë mizërinë e njerëzve dhe automjeteve që po hynin në barkun e madh të anijes. Moti ishte i mirë, me diell italian. E poshtë zallamahi zanesh e britmash mesdhetare. Tue shiku poshtë m’u kriju një parandjenjë e çuditshme e një pranie të pashpjegueshme afër meje. Më ka ndodhë kjo shumë herë. Asht diçka si një e shtyme jofizike, por ndjesore. Si ngushtim i çastit i qenies mbrenda lëkurës, të cilin s’mun e dallon menjëherë a asht ogurzezë apo ogurmirë. Sapo me kap kjo ndjesi, më ban me shiku rreth e rrotull. Ktheva kryet majtas dhe pashë një zonjë trashaluqe tue thithë cigaren, të cilën e kishte shtrëngu aq shumë ndërmjet dy gishtat të trashë sa gjysa e saj ishte laku në një anë. Ngadalë e ktheva kryet në të djathtë dhe qe, bacë Gjeloshi: me mustaqe si xhufka dalë nën hundën e një fytyre prej shkambi, sy depërtues mbrapa xhamash të syzeve kornizëzeza, ballë të gjanë malsorësh, mbulu prej një kaskete të përhime futë në krye pak ma thellë se ç’duhet. Sikur u lehtësova që parandjenja jeme u zgjidh kaq shpejt e kaq bukur. As vetë s’e kisha hetu që ia kisha ngulë sytë me një ngazëllim gati të pakontrollueshëm. Bacë Gjeloshi u kthy kah unë, më shikoi pak dhe shpejtas ktheu shikim poshtë kah porti. Nuk më njohu. Kishte kaq shumë vite që nuk ishim pa. Unë ende po vazhdoja me e vështru si i marrë. Aj e hetoi këtë dhe u kthy, më vështroi edhe një herë me një kundrim pyetës dhe habitës. Duhet të ketë mendu: “Çfarë e ka gjetë këtë budallë që m’i ka lëshu sytë e s’po i shkoq prej meje!” Brenda një çifti sekondash e kuptova këtë dhe vendosa me ba një lojë të vogël. I thashë:

- Tungjatjeta zotni!

- Tungjatjeta! – ma ktheu me një za që fshihte pak kërcënim, pak habi e pak ngurim.

- A je si je? A je burrë? – u përpoqa me shkërby mënyrën malësore të përshëndetjeve fillestare.

- Mirë, mirë, po mbahem! – më tha dhe u kthy krejt kah unë.

- Për sa po e shoh unë, ti duhesh me qenë Gjelosh Gjokaj. – i thashë me një humor të hollë. Aj e hetoi këtë e ma ktheu:

- Për deri nën kapuç, asht aj vetë. Përmbi kapuç s’mun garantoj gja.

E dija muhabetin e tij të këtillë dhe s’u pendova që e ngucata pak. Krenaria e tij nuk e la me më pyetë kush jam. E dija këtë.

- Po, mirë, zotni i nderuem, a po ta merr mendja kush jam unë apo jo? – i thashë tue përmbajtë e mos m’ia plasë gazit për me shprehë gëzimin tem.

Më hodhi edhe një vështrim me të cilin kaloi nëpër gjithë trupin nga kambët e deri te kryet, kaloi me dorë mbi mustaqet e tij dhe heshti pak. Ktheu kryet prap kah njerëzit dhe makinat e fundit që po hynin në anije dhe sikur heshti. Desh më mashtroi.

- Me ta thanë të drejtën, për nga pamja nuk po të njoh, - tha mbas pak çastesh heshtjeje. Sapo më erdhi keq që më kishte harru, qoftë nga pleqnija, qoftë nga një shpërfillje e pamashtri e miqësisë tonë, bubulloi zani prej nën musteqesh: - por ky za nuk mun me qenë i askujt tjetër pos i Agimit!

Unë ia plasa një të qeshune me sa za pata, sa i habita të gjithë aty afër. Derisa ata u kthyen me pa se çfarë po ndodhte, edhe baca Gjelosh shpërtheu në një qeshun të mbytun dhe hapi krahët me më përqafu. U përqafuem mbas rreth 15 vjetësh pa u pa. Ishim ndëgju me telefon disa herë. Sidomos falë një rastësie që emni jem në listën telefonike të bacës Gjelosh ishte i pari sepse niste me “a”, dhe shumë mëngjese më cingëronte telefoni e matanë dëgjohej zani pak i ngjirun i bacë Gjeloshit, i cili sapo më ndëgjonte më thoshte: “Agim, më fal se të thirra prap!”


Në studion e Gjelosh Gjokajt

Ishte fundi i vitit 1992. Unë ende isha student në Fakultetin e Arteve. Një profesor i jemi ishte në hall të madh.

- Financiarisht, - më tha, - jam në gjendje shumë të randë. Edhe ndonjë ditë e do të kemi të vështirë me siguru edhe bukës së gojës.

- Po halli?

- Hiç s’e dij. Një zgjidhje që e kam në krye asht me shku në Gjermani. Me i shitë disa punime që i kam.

- Mirë, - i thashë, - ta shoh se e kam mikun tem që merret me këto punë e ta shoh se çfarë po më thotë.

Fola me mikun dhe aj më tha që gjithçka asht në rregull. E kishte rezervu një vend në autobus deri në Çeki. U gëzova dhe ia thashë profesorit tem. E aj nuk m’u duk se u gëzu. Ishte shumë fisnik dhe fjalëpak. E kishte shumë të vështirë me ngushtu dikënd me punët e veta. Dhe unë e dija këtë.

- Pra, a asht krejt në rregull? A mos po të duhet edhe diçka? – e pyeta pa e marrë as me mend se ku e kishte hallin.

- S’po dij çka me të thanë. T’u rrittë ndera për këtë. Por ti e din një gja... – dhe një buzëqeshje e ambël, e rrallë e tij u shkreh anë më anë mjekrës së tij me disa thija, tue ia zbulu dhambët e bardhë, - ...unë gjuhën gjermane nuk e dij, rrugët nuk i dij. A po don me më humbë dikah a?

Dhe qeshi me za. Qesha edhe unë, sepse kurrë nuk e kisha ndëgju të kishte thanë diçka të këtillë. Ishte shumë krenar, shumë i dashun dhe e kishte shumë mërzi që të kërkonte diçka qoftë edhe nga miqtë e tij ma të ngushtë. Tue e dijtë këtë i thashë:

- Shiko, me dashë burrat e heqin ramazanin me kah krejt!

- A po a?

- Po qebesa! Shkojmë bashkë.

- Po të baj telashe bre! – ma ktheu ende pa e përfundu unë fjalinë.

- Qenka shkru m’ia mësy bashkë. – ia preva shpejteshpejt.

E njoftova mikun tem për ndryshimin dhe aj më tha se nuk kishte problem as për dy bileta. Me të kështu ishte gjithmonë.

Mbas një udhëtimi aventuresk që duhet me u rrëfy ndonjëherë tjetër, u gjendëm në Ausburg. Kufinin çeko-sllovako-gjerman, i cili një natë ma parë ishte ba tashma kufi çeko-gjerman, e kaluem ilegalisht. Augsburgu ishte qytet i vetëm që ma përkujtoi Prizrenin. Por një Prizren i rreptë, i ashpër, pa atë butësinë dhe ngjyrat e ambla të qytetit tem.

Arrijtëm vonë mbasdite dhe gurët e qytetit shkëlqenin prej një shiu që si cub i kishte lanë gjurmët dhe ishte zhdukë. I kishte la fytyrat e godinave dhe i kishte ba me u dukë ma të gjallë. Prej stacioni ecëm në kambë deri në lagjen ku jetonte dhe punonte Gjelosh Gjokaj. Profesori jem kishte qenë disa vite ma parë. Por e kishte harru. U orientuem nëpërmjet hartash të qytetit. Dhe mbas nja gjysë ore u gjendëm para dyerve që Profesorit tem iu kujtuen menjëherë. Shtypëm zilen dhe doli fytyra me mollëza malësori e bacë Gjeloshit.

U përshëndetëm dhe vetëm kur hymë brenda e kuptova se studioja dhe banesa e tij kishte një shikim të bukur kah lumi. Ishte natë dhe shihej vetëm shkëlqimi i dritave që pasqyroheshin në majat xixëlluese të valëve të lumit. Muret e studios ishin të mbushuna me piktura e grafika periudhash të ndryshme të krijimtarisë së tij. Në një kand ishte një bibliotekë e vogël. Dy kauça të thjeshtë por të bukur në trajtë L-je. Në një kand ishte një shtafellaj shumë i mirë dhe i madh. Kurrë s’kisha pa një të tillë dhe sytë më mbetën në të.

- Asht shtafellaj shumë i mirë! – më tha bacë Gjeloshi, tue më pa të mahnitun para tij e tue kalu me dorë nëpër të si tue prekë një kalë të racës ma të mirë. – E kam ble shumë shtrejtë, por ia ka vlejtë.

- Gjithsesi. Qenka ma i miri shtafellaj që e kam pa në jetë. – ia ktheva.

Profesori jem kishte marrë një mori punimesh edhe të kolegëve të tij, profesorë të Fakultetit të Arteve, për me i shitë, sepse edhe ata kishin nevojë për të holla. Gjelosh Gjokaj ishte njeriu që i mbante gjallë kolegët e tij të dikurshëm në Prishtinë, tue organizu shitjen e punimeve të tyne në Gjermani. Ishte një punë që e bante me shumë dëshirë. Ishin kohë shumë të vështira.

Në bibliotekën e bacë Gjeloshit gjeta vepra të shumta të Martin Camajt, të periudhave të ndryshme. E kishte pasë mik për krye dhe e mbante si një nga njerëzit ma të dijtun që kishte taku në jetë. Kishin kalu bashkë shumë ditë. Kishte ba ilustrimin e shumë veprave të tij. Një ditë mora në dorë një enciklopedi italiane. Ndërsa aj, tue buzëqeshë me modesti, më tha:

- Kqyr se po zatetë kund në mue e po habitesh...

- Këtu? – u habita.

- Po zhburrnohem pak e po të thom që jam aty. Si piktor ama, jo si filozof!

Qeshëm që të tre.

Vërtet emni i Gjelosh Gjokajt ishte vu në enciklopedinë italiane. Me 1977 kishte fitu në një konkurs kombëtar italian për ilustrimin e librave të tre poetëve hermetikë ma të mirë italianë: Salvatore Quasimodosë, Eugenio Montales dhe Giuseppe Ungarettit. Dhe mbahej si një nga grafistët e dalluem në Itali.

- Me ato pare kam ble një shpi në Romë, - më tha për me mujtë me ma shpjegu se sa i madh kishte qenë shpërblimi.

Brenda disa ditësh u organizuem mirë në atë shtëpi dhe studio të bacë Gjeloshit. Në studion dhe në presën e tij, unë dhe Profesori, shtypnim grafika të piktorëve të shumtë gjermanë dhe paguheshim për këtë. Dhe bacë Gjeloshi nuk na linte të pagujmë për asgjë, as për ushqim, as për fjetje. Na thoshte t’i rujmë paret që të kishim kur të ktheheshim në Kosovë. Në ndërkohë organizoi edhe shitjen e punimeve të Profesorit dhe të profesorëve të tjerë të Prishtinës. Mbas disa javësh, kur u kry shitja e të gjitha punimeve që kishim sjellë, edhe e atyne të rejave që i kishim shtypë në studion e bacë Gjeloshit, Profesori jem u kthy në Prishtinë. I lumtun që kishte siguru jetesën edhe për një apo dy vite. Jo vetëm për veten, por edhe për shumë kolegë të tjerë.

Unë mbeta me bacë Gjeloshin deri kah fundi i marsit.

Një ditë prej ditësh baca Gjelosh u kthy i hareshëm. Sytë i shkëlqenin.

- Agim, - më tha, - kam një lajm të mirë. Kam një ofertë për me i pikturu afresket e një kishe këtu në Augsburg. Pagesa asht marramendëse. E bajmë bashkë na të dy. E bjen edhe familjen tande këtu. Punojmë bashkë.

Unë e shikova pak me dyshim e pak me habi.

- O baca Gjelosh, krejt në rregull kjo, por unë nuk kam lidhje me pikturim afreskesh. Duhesh me e gjetë një tjetër për këtë punë.

Aj i zgurdulloi sytë e me një zemrim përzi me habi me tha:

- Ç’po flet ore ti? Po ti a je me profesor Gjeloshin këtu a je me çoban? Po s’asht gja puna e afreskeve, mësohen saora! Unë të mësoj për dy ditë. Lene ti këtë punë! Asht vetëm teknikë e re pikturimi. Unë e dij fort mirë.

Kjo më gëzoi edhe mue, natyrisht. Por marrëveshja, sa isha unë, nuk ndodhi. Si duket projekti ishte ndalë për një kohë. Disa javë ma vonë u ktheva në Kosovë. Ndërsa koha e kalueme me Gjelosh Gjokajn më mbeti e paharrueme. Në studion e Gjelosh Gjokajt takova shumë artistë gjermanë, kritikë të artit, profesorë të ndryshëm që vinin për me ble piktura ose pse ishin miq të bacë Gjeloshit.


Për në Milesh pa e ba mend fare

Në tragetin Bari-Tivar gati gjithë natën bamë muhabet tue kallxu për vitet që nuk ishim pa. Folëm për Profesorin, të cilin nuk e kisha taku as unë për shumë vite tashma. Të nesërmen në mëngjes kur anija iu afru portit të Tivarit, baca Gjelosh më tha që ta pres në dalje. E shikova me habi e aj ma ktheu tue buzëqeshë:

- O Agim, a ke pa e a ke ndëgju ndonjëherë mal
ësori me marrë udhë pa kalë? 

Doli me një makinë të tij të bardhë e të gjatë. E hapi derën e më tha:

- Qysh po të duket pela jeme?

- E bukur fort! E paske veshë mirë me petka nusnije! – ia ktheva!

Pak para se me qeshë e ndoqi një e kollitun. U ndalëm në Ulqin. Por as unë, as aj s’po mun ndaheshim. E dinte tashma se nuk kisha qenë në Kosovë gati dhjetë vite e më tha:

- Hajt bre rrimë bashkë se Kosova s’ka ku ikë. Ku ka qenë deri tash, qaty ka me qenë.

Muhabetet s’po na soseshin. Ditën e dytë më tha se po don me shku për në Milesh, në vendlindjen e tij.

- Kisha pasë qejf me ardhë edhe ti. Asht katund që s’e ka kush. Edhe jam tue ndërtu një shtëpi temën aty. Kur të vij ndonjëherë mos m’ia zanë derën kurrkujt. Kam dëshirë me e dijtë edhe mendimin tand se qysh e kam ba shtëpinë...

- Mos me thuj dy herë, baca Gjelosh! – ia prita dhe aj e kuptoi se më kishte bashkudhëtar.

Mileshi ishte një katund i bukur. Një pjesë e shtëpive e shtrueme në fushë e një pjesë kacavarej tashma për një kodrine. Një grumbull burrash dolën dhe e takuen. Që të gjithë tue u mahitë me të e tue shprehë gëzimin që u kishte ardhë bashkëfshatari dhe kushërini. Bacë Gjeloshit i shkëlqente fytyra. Ishte me njerëzit e tij të cilët e njihnin mirë, e donin dhe e çmonin.

- Për hajër shtëpinë Gjelosh i Gjokajve! – vinin urimet një mbas një.

- E tesh, që e ke ba binanë atje majë kodret, ke ba një punë të mirë! – i tha një nga kushërijtë e tij.

- A mos po don me e ndërru me mue, tesh që hala s’e kam përfundu! – ia ktheu bacë Gjeloshi.

- Po prit, po ta thom. Ke ba një punë të mirë se kqyr tesh qysh i ka ra shpija jote, - dhe shtriu dorën në ajër kah shtëpija mbi kodrinë e bacë Gjeloshit dhe e çoi anash përmbi katund, - bash baraz me majën e minares së xhamisë...

- Qashtu i paska ra, qebesa. – fshani nën mustaqe bacë Gjeloshi tue mos e kuptu se ç’lidhje kishte kjo punë.

-...kështu, - vazhdoi kushërini i tij, - sa herë që hoxha e gjen mshelë xhaminë, mun me ardhë e me këndu ezanin prej shtëpisë tande se i bjen njësoj për nga naltësia.

Të gjithë ia plasën gazit.

Mileshi ishte një katund i ndamë më dysh për nga feja, më tregoi ma vonë bacë Gjeloshi. Gjysma ishin katolikë e gjysma tjetër myslimanë. Por shumica ishin Gjokaj dhe ishin kushërij mes vete, edhe myslimanët, edhe katolikët. Një nga kushërijtë e tij myslimanë në ShBA kishte financu ndërtimin e xhamisë dhe të një medreseje aty. Nuk mbahej mend të kishte pasë ndonjë problem mes tyne. Lidhja e gjakut ishte shumë ma e fortë.

Dita kaloi shpejt në Milesh. Ashtu qysh kaluen vitet prej asaj dite të largët. Unë vazhdova rrugën për në Kosovë ndërsa baca Gjelosh, mbas disa javësh, ishte kthy në Gjermani. U ndëgjuem edhe disa herë, herë tue e thirrë unë e herë aj. Herë tue ma gabu emnin, e herë tue dashë me u ndëgju me mue.

Me vite, zani i tij shkonte tue u zbehë. Derisa një ditë mora lajmin se zani i tij ishte kthy në ngjyrë. Aty në parajsën e tij të andrrueme.