Wednesday, August 26, 2015

ZAJEDNICA SRPSKA

- PSE EDHE "ASSOCIATION", EDHE "COMMUNITY"?




1.

Ligjërimi politik doemos nxjerr në shesh dhe kthjellon shumë paqartësi dhe shumë mangësi të procesit të caktuar politik. Në takimet në Bruksel thuhet se u zhvillunë takime mes dy palëve: serbëve dhe kujt? Në lajme thuhet: "palës kosovare", "qeverisë së Kosovës!" Kështu nënkuptohet se "kosovarët" janë sikurse grumbulli i bërllogut etnik në Radio Televizonin e Kosovës: shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët, egjiptianët, ashkalijtë, torbeshët, goranët, ndonjë tregtar kinez me familje, në njërën anë, dhe serbët që e pranokan Kosovën shtet e serbët që nuk e pranokan Kosovën shtet, në anën tjetër. Pra, qenkan dy lloj grupe mutantësh etnikë serbë  Kosovë: serbë  marrin pjesë  zgjedhjet e Kosovës, zgjidhen kryetarë e deputetë dhe serbë  nuk marrin pjesë  zgjedhjet e Kosovës, nuk zgjidhen as deputetë, as kryetarë! Ata që marrin pjesë  zgjedhje thonë se Kosova nuk asht vend ku një serb s'mun me jetu! Ata serbë  jetojnë mbi lumin Ibër mendojnë se kjo s'asht e vërtetë! Pse ndodh kjo? Sepse serbët që s'e pranojnë Kosovën si shtet e kanë Serbinë mbas shpine! Çfarë rastësie! Kështu, pra, egziston "pala serbe" në bisedime dhe "pala kosovare", aj bërllogu etnik, sepse serbët e dijnë çka janë dhe e dijnë çfarë kërkojnë: ata kërkojnë të drejta kombtare serbe, kufij të përcaktuar qartë kombtarë serbë, kisha kombtare serbe, televizion kombtar serb, kërkojnë Zajednica Srpska kombtare. Të gjitha këto i kërkojnë  "Kosovën multietnike"! Ndërsa bërllogu etnik nuk e din çka po lyp: të drejta "kosovare", kufij "kosovarë" (kështu del që Maqedonia apo Mali i Zi nuk po merr "territor shqiptar", po marrin "territor kosovar", territor të bërllogut etnik!) As Shqipëria s'po mun me çelë gojën në këtë proces sepse s'bëhet fjalë për asgja shqiptare por "kosovare"! E, pra, çka bëjnë "kosovarët" me "serbët" asht çështje e tyre, por s'asht çështje "shqiptare"! E ujdisur mirë apo jo? Po, po të mos ishte gjithë kjo orgji politike në kurriz të shqiptarëve.


2.

Asht e çuditshme që  dokumentin përfundimtar të marrëveshjes në gjuhën angleze për emërtimin e entitetit serb në Kosovë, Zajednica Srpska-n, përdoren dy terma: "association" dhe "community" të ndamë besnikërisht, pa gabu asnjëherë të vetme, me një vizë të pjerrët. Pse duhen dy emërtime? A nuk mjaftoi një emërtim i vetëm? Dhe pse nuk mjaftoi vetëm një emërtim?

Ky entitet duhet me u qujtë me emrin e vërtetë që e ka: Zajednica Srpska (pa vizë, as të pjerrët). Pse duhet me u qujtë kështu? Sepse vetëm kështu mujnë me u shpjegu ma së miri të gjitha kuptimet dhe qëllimet e vërteta të këtij entiteti: zyrtarizimi i serbizimit të katër komunave të Kosovës Veriore (me këtë mohimi i "Kosovës multietnike", kësaj rrene spektakolare që nga viti 1999 që u përdor vetëm sa për t'i shtypë ndjenjat e shqiptarëve), ndikimi dhe lidhja me Serbinë e këtij entiteti dhe përdorimi i këtij entiteti mbrenda Kosovës për qëllime shoviniste të Serbisë në Kosovë. Të gjitha këto nuk mujnë me u kapërthy ma mirë e në plotni me asnjë emërtim tjetër, as në anglisht, as në shqip, as në vetë serbishten. Pra, nuk asht kjo një "zajednica", një shoqatë apo bashkësi e thjeshtë me qëllime të mira kundrejt Kosovës e aq më pak kundrejt shqiptarëve, e me qëllime të paqarta shoviniste për serbët! Jo! Kjo asht Zajednica Srpska! E cila, në fillim, për shkak të përfitimeve sa ma të mëdha politike, u emërtu me një emër pak si të pafajshëm "zajednica" nga serbët, të cilët për vete me këtë nënkuptonin kompetenca të gjëra, por lanë që ndërkombtarët e shqiptarët të argëtohen me injorancën e tyre. Nga shqiptarët u qujt shoqatë. Masandej dikush u tha që duhet me qujtë "asociacion", sepse kjo te shumica e popullsisë shkakton hutesë, tue qenë se nuk e dijnë saktë se çfarë nënkupton kjo.  Ma vonë nisi me u qujtë edhe "bashkësi". Por bashkësi "pa kompetenca ekzekutive". Marrëveshja u bë, si duket, tue mos e kuptu kurrë që në politikë kalimi nga "asociacioni" në "bashkësi" asht një hap i madh dhe jo i parëndësishëm në përmbajtjen e vet, aq ma shumë kur Serbia ngul këmbë për këtë.  Dhe nuk asht fare çudi që, qysh në mbledhjen e parë, ky entitet ka m'ia dhanë emrin e vërtetë dhe kuptimplotë zyrtar vetes dhe ka me e mbiqujtë veten Zajednica Srpska, (dhe s'ka kush që e ndal këtë), ashtu qysh partia që deshi të regjistrohej në Kosovë u emërtu në fillim "Serbia", e masandej iu kthy kipcit të vet lugat dhe u mbiqujt "Srpska".


3.

Çfarë kuptohet me fjalët "association" dhe "community" në anglishte, tue qenë se marrëveshja kryesore asht shkru në këtë gjuhë. Janë marrë për bazë dy fjalorë të anglishtes angleze dhe një e anglishtes amerikane. 

Fjala "association" sipas fjalorit të Oxfordit, , Kembrixhit e Marriam-Websterit:

1. "(Shpesh në emërtime) grup i njerëzve të organizuar për një qëllim të përbashkët"
(Often in names) a group of people organized for a joint purpose)
2. Lidhje marrëdhëniore apo përbashkësore ndërmjet njerëzve apo organizatave.
(A connection or cooperative link between people or organizations)
(...)

Fjala "community" sipas fjalorit të Oksfordit, Kembrixhit e Marriam-Websterit:

1. një grup njerëzish që jetojnë në një vend të përbashkët apo që kanë të përbashkët karakteristika të veçanta (a group of people living in the same place or having a particular characteristic in common); fjalori i Kembrixhit ia shton edhe "që konsiderohen si njësi për shkak të interesave të përbashkëta, grupit shoqëror, apo kombësisë" ("
considered as a unit because of their common interests, social group, or nationality ").

1.1 - grup njerëzish që jetojnë bashkë dhe praktikojnë pronësi të përbashkët (A group of people living together and practising common ownership)
1.2 - një zonë apo vend i veçantë bashkë me banorët e tij (A particular area or place considered together with its inhabitants)
1.3 - një grup i kombeve apo shteteve të bashkuara simbas interesave të përbashkëta (A body of nations or states unified by common interests)

(...)

Shihet se "associacion" në anglisht do me thënë "shoqatë", "grup i njerëzve të organizuar për një qëllim të përbashkët", apo "lidhje marrëdhëniore apo përbashkësore ndërmjet njerëzve apo organizatave". Ky ishte kuptimi fillestar i cili u përdor nëpër media dhe linte përshtypjen e një shoqate e cila do të mblidhte rreth vetes anëtarë për të punu për disa qëllime të përbashkëta: shoqatë gjuetarësh, shoqatë biçiklistësh, shoqatë çobanësh. Thuhej se bisedat bëheshin "për çështje teknike". Dhe ban vaki që do të mun mbeteshin teknike mbrenda një entiteti të shoqatës ("association"). Mirëpo vetë kriminelët e Serbisë, në zyrat ku përgatitën plojat dhe masakrat nëpër gjithë Jugosllavinë, përgatitën një plan ma të thellë, ma të gjithanshëm politik. Ata e qunin vazhdimisht "zajedinica". Dhe në fillim, nuk bënë zë kur "zajednica" në anglishte përdorej e pëkthehej me kuptimin "association". Qëllimi ishte që të nisë, të rrokulliset ky proces dhe në rrokullisje e sipër të arrihej te qëllimi tjetër, që "zajednica" të identifikohej me emërtimin "community".  Në serbishte "zajednica" përfshin lehtë edhe atë që në në aglisht i thonë "association" (shq. "shoqatë, lidhje"), edhe "community" (shq. "bashkësi") sepse asht kuptimisht ma i gjanë e ma gjithëpërfshimës. Por, anëtarët shqiptarë të delegacionit në Bruksel u desh t'i merrnin parasysh me shumë kujdes këto implikime gjuhësore. Kalimi nga "association", që kishte kuptimin e zgjidhjeve të problemeve teknike, në "community" ka mundësi të keqpërdoret shumë lehtë nga Zajednica Srpska për qëllime të qarta e të hapura politike.  Në shqip emërtimi "bashkësi" në kuptimin e vet politik asht i vagëllimtë në popull, tue qenë se nuk ka pasë institucione ku njerëzit praktikisht kishin me kriju një ide të qartë për të, sikur që e kanë ma të qartë për fjalët: "bashki", "komunë", "krahinë", "republikë" etj. Kuptimi i dytë i fjalës "bashkësi" në fjalorin e shqipes e jep mjaft qartë idenë se për çka bëhet e mun bëhet fjalë me leksemën "bashkësi":

Sado që të duket e sipërfaqshme dhe e parëndësishme ana gjuhësore, duket se loja terminologjike në emërtimin e Zajednica Srpska-s nuk asht vetëm lojë fjalësh por edhe politikë e kamufluar dhe dinake. Nëse emërtimi s'do të kishte pasë rëndësi e peshë, natyrisht, palët do të pajtoheshin që ajo të emërtohej me një fjalë, association/zajednica/shoqatë tue qenë se zgjidhja e një emërtimi për një entitet duket ma afër mendsh sesa dy emërtime. Fakti që asht dashë me dalë me dy emërtime në një marrëveshje kaq me peshë, tregon se Serbia, kur dialogu po i afrohej fundit, ka ngulë këmbë që pjesa "community" me figuru në marrëveshje me çdo kusht, për me mujtë me e lënë të hapur shtegun e zhvillimeve të reja politike në këtë vijë dhe për me zhvlerësu emërtimin "association" në të ardhshmen.


4.

Problemi shkon ma thellë: Zajednica Srpska i shkatërron përfundimisht themelet e "multietnicitetit" që përpallte gomari ahtisaarian dhe i jep fund blofit dhe dyftyrësisë së ndërkombtarëve për një Kosovë ku "të gjitha etnitë" janë të barabarta. Nuk janë të barabarta. Qysh e thoshte Orwelli "dikush asht ma i barabartë se të tjerët". Në një raport ku shumica e popullsisë përbën 90 për qind të popullsisë dhe të tjerët mezi mblidhen në 10 për qind, stërbarazia me çdo kusht dhe në çdo gjë nënkupton pabarazi kundrejt shumicës. Këmbëngulja e serbëve në të drejtat e tyre deri aty ku cenohen interesat themelore të Kosovës e të shqiptarëve, paraqet diskriminim dhe sulm të drejtpërdrejtë kundër shqiptarëve dhe interesave të tyre themelore.  

Tashmë, po bëhet Zajednica Srpska në Kosovë, Republika Srpska në Bosnjë asht ma mirë se kurrë dhe, jo vetëm që nuk ka Bashkësi Shqiptare në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, e as në Maqedoni, por nuk ka Bashkësi Komunash Shqiptare as në vetë Kosovën! Kishat ortodokse në Kosovë quhen "serbe", komunat e Kosovës quhen "komuna me shumicë serbe", ka kanal të veçantë televiziv "serb" në RTK, ka "vende të rezervuara" për "deputetë serbë", ka "ura serbe", ka "beteja serbe", ka varre "serbe", por nuk ka kisha shqiptare, nuk ka televizon shqiptar (por ka një kanal të përbashkët shqip, boshnjakisht, turqisht e romisht), nuk ka komuna shqiptare, nuk ka vende të rezervuara për deputetë shqiptarë, ka "deputetë kosovarë"! Ka anëtarë serbë e turq të Gjykatës Kushtetuese në shpërpjestim të plotë me numrin e popullsisë dhe diskriminim të plotë ndaj shqiptarëve sepse shqiptarët përfaqësohen me 3 gjyqtarë shqiptarë, 2 vijnë prej pakicave dhe katër janë ndërkombtarë! Anëtar i ri në këtë Gjykatë Kushtetuese mun pranohet "vetëm pas pëlqimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet që janë rezervuar[a] ose garantuar[a] për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë." Ky diskriminim i njëjtë ndodh edhe në Kuvendin e Kosovës dhe ky asht shkaku që as sot shumica shqiptare s'po mun me themelu as ushtrinë e Kosovës. Thjesht, që të gjithë kanë të gjitha të drejtat në Kosovë. Në Kosovë gjithkush mun me bë gjithçka, pos shqiptarëve: ata duhet t'iu përkulen tekave të pakicave dhe planeve mendjelehta ndërkombtare, duhet t'u garantojnë të drejta me të cilat i cenojnë të vetat, duhet të quhen "kosovarë", të mos imponojnë asnjë vullnet të tyrin kombtar shqiptar, për hir të "një perspektive europiane" të rrejshme, të paqenë! Asht paradoksale por e vërtetë: sot shqiptarët e Kosovës janë populli ma i poshtëruar, ma i izoluar, ma i pavlerësuar, ma i paperspektiv në Europë për hir të po kësaj "perspektive europiane".

Sa herë që vjen puna për interesa kombtare shqiptare ato mbështillen me paçavrën "kosovar" dhe baglat e "kosovarizmës", me flamurin e bërë prej pizhamesh të përfendura të Ahtisaarit, i vendosur pa vullnetin e popullit dërmues shumicë në Kosovë: shqiptarëve. Desh hyra në gjynah! Ka diçka shqiptare: Gjykatë Speciale për Krime të Luftës nga UÇK-ja! Në Kosovën një shekull të pushtuar prej Serbisë, ku shqiptarët u burgosën, u vranë, u masakrunë, u përndoqën me qindra-mijëra, u dëbunë, u dogjën e u përvëlunë; në Kosovën, eshtrat e bijve e bijave shqiptare të së cilës ende janë nëpër furrat, lumejtë e baltovinat e shtrigës Serbi, po ndodh kjo. E pabesueshme!  Edhe Lufta e Kosovës kërkohet të quhet "përleshje" ("conflict")!  Me i shku mendja dikujt se me 1999 ishin disa gra serbe e shqiptare që u rrokën flokë për flokë, u grithën me thoj, e jo se mbi 10 mijë jetë shqiptarësh u flijunë për shkak të një shteti gjakpirës e shovinist që quhet Serbi! Me i shku mendja kujt se ishin shqiptarët ata që shkaktunë katër lufta, që masakrunë 300 mijë njerëz, që dogjën e poqën si barbarë nëpër gjithë ish Jugosllavinë, që varrosën e zhvarrosën viktima: gra, pleq e fëmijë! E, kulmi i të gjitha të këqijave, kulmi i gjitha poshtërsive asht që në Serbi, edhe sot e kësaj dite, në pushtet janë po ata serbo-fashistë e po ata shovinistë serbë, propagandues të vrasjeve e shfarosjeve, këlyshë e langoj besnikë të kriminelit Milosevic, fundrrina ma e qelbur nacionaliste e Serbisë, dhe jo një Serbi me përfaqësues demokratë e humanë.


5.

Qëllimi Serbisë asht i qartë: ndarja e Kosovës dhe bashkimi i këtyre territoreve me Serbinë. Dhe këtë politikanët fashistë serbë nuk e fshehin. E thonë hapur. Prandaj Serbia, deri vonë, serbët në jug të Kosovës nuk i shtyti që të kundërshtojnë shtetin e Kosovës. Mirëpo, nëpërmjet lojës në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogut në Bruksel ajo arrijti që edhe serbët në jug të lumit Ibër ti faktorizojë si element destabilizues të shtetit të Kosovës. Edhe zogjtë e dijnë se Serbia s'ia qan hallin serbëve, por pasurisë nëntokësore që ka pjesa veriore e Kosovës. Në këtë lojë, Serbia në mënyrë indirekte, po provon me u bë partner, ortak i Trepçës dhe klauzolat që lidhen me  pikën 14 në të cilën thuhet se: "Shoqata/Bashkësia do të jetë e pajisur me kapacitet ligjor të nevojshëm, në bazë të ligjeve kosovare që të zbatojë objektivat e veta, përfshi të drejtën për poseduar pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, për ta qenë bashkëpronare e kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit / Bashkësisë, dhe për të lidhur kontrata, përfshi edhe kontrata punësimi." Këtu duhen me përfitu të gjithë ata miq të Serbisë që iu gjetën pranë "në ditë të vështira"!

Tragjedia e vërtetë e marrëveshjes asht se me këtë nënshkrim po vërtetohet një fakt i paqenë se kinse serbët në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës janë shumicë, kur dihet se pjesëtarët e ushtrisë franceze që erdhën si "paqerujtës", dëbunë 11 mijë shqiptarë prej atje dhe krijunë një situatë të rrejshme për pasqyrën etnike atje. As atje serbët nuk kanë qenë as nuk janë shumicë! Miratimi i kësaj marrëveshjeje të padrejtë e vulos këtë krim të ushtarakëve francezë ndaj shqiptarëve të cilët kurrë s'u kthyen në shtëpitë e veta: komuna veriore pranohet se qenka me shumicë serbe edhe në letër, nga vetë përfaqësuesit "kosovarë".

Politikanët "kosovarë" mendojnë se, në të vërtetë, janë ata që ia kanë hedhë Serbisë dhe se në të ardhshmen do të futin nën kontroll serbët e Kosovës. Ka mundësi. Sepse ndonjëherë edhe buallicat fluturojnë.


Agim MORINA
26 gusht 2015